ATV

Category: Lajme

  • OVL mbështet protestën në RMV: Gjuha jonë vazhdon të përballet me status dytësor në territore historikisht shqiptare

    OVL mbështet protestën në RMV: Gjuha jonë vazhdon të përballet me status dytësor në territore historikisht shqiptare

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka shprehur mbështetje të plotë për studentët shqiptarë që po protestojnë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar çështjen e përdorimit të gjuhës amtare si një të drejtë të panegociueshme.

    Në reagimin e saj, OVL UÇK thekson se moszbatimi i garancive ligjore për përdorimin e gjuhës përbën jo vetëm shkelje procedurale, por edhe cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit njerëzor dhe stabilitetit shoqëror në vend.

    Në deklaratë gjithashtu vihet në dukje se shqiptarët historikisht nuk kanë cenuar gjuhët e komuniteteve të tjera, por përkundrazi kërkojnë trajtim të barabartë për gjuhën e tyre.

    Komunikata e plotë:

    OVL UÇK qëndron vendosmërisht pas studentëve shqiptarë që po protestojnë në Maqedoninë e Veriut, për mbrojtjen e një të drejte të panegociueshme. Përdorimi i ligjshëm i gjuhës amtare nuk i nënshtrohet kurrë përshtatshmërisë së qeverive. Kur një shtet refuzon të zbatojë garancitë ligjore të vendosura, dështimi shkon përtej procedurës. Një mosveprim i tillë sulmon drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor, bashkë me paqen e brishtë që ai shtet pretendon se e mbron.

    Historikisht, shqiptarët nuk e kanë shtypur kurrë gjuhën e popullsive fqinje. Nuk kërkojmë të fshijmë identitetin e asnjë kombi, as të poshtërojmë bashkësitë që jetojnë pranë nesh. Megjithatë, gjuha jonë vazhdon të përballet me kufizime dhe status dytësor, në territore që janë historikisht shqiptare.

    Dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën amtare përfaqëson detyrimin minimal të autoriteteve maqedonase dhe të aleatëve të tyre politikë shqiptarë. Këta të rinj kanë të drejtë që rezistojnë dhe meritojnë mbështetje të pakushtëzuar, jo zëra kujdesi e maturie. Dinjiteti shqiptar as nuk do të administrohet e as nuk do të zhduket.

  • Marrëveshja e Ohrit, Behrami: Kurti negocion përmes kanaleve të fshehta

    Marrëveshja e Ohrit, Behrami: Kurti negocion përmes kanaleve të fshehta

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami sonte në emisionin “DPT te Fidani” ka folur për Marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se kryeministri Albin Kurti tenton ta zbatoi atë përmes ndryshimeve ligjore brenda vendit.

    Ai u shpreh se Kurti ka ndryshuar strategjinë e negociatave, sepse sipas tij, ai negocion përmes kanaleve të fshehta.

    “Trumpi vepron më ndryshe se Bashkimi Evropian. Është e vërtetë që Bashkimi Evropian e ka toleruar z.Kurti, i cili e ka ndryshuar strategjinë e negociatave. Z.Kurti nuk negocion më me fotografi, me shtrëngim duarsh, me buzëqeshje, ky negocion përmes kanaleve të cilat janë kanale të fshehta, ku një zyrtar i tij udhëton në Bruksel dhe krejt implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ky është duke e bërë përmes ndryshimit të Ligjit dhe të Rregullores. Ky e din që me Trumpin nuk ka strategji djallëzore të impementimit, ajo duket me u implementu menjëherë”, tha ai.

  • Privilegjet e Vjosa Osmanit dhe familjes së saj pas përfundimit të mandatit presidencial

    Privilegjet e Vjosa Osmanit dhe familjes së saj pas përfundimit të mandatit presidencial

    Mandati i Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës përfundoi më 04.04.2026 dhe ulësen e të parës së shtetit, përkohësisht e zuri kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

    Por, edhe pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar presidencial, Osmanit i njihen disa të drejta me Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, duke nisur nga thirrja “Presidente”, e cila do të vazhdojë t’i vlejë.

    Në bazë të këtij ligji, ajo ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është 70% e pagës të cilën e ka marrë si kryetare shteti.

    Po ashtu, Osmani dhe familja e saj (burri dhe fëmijët) kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.

    “Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore.” – thuhet në ligj.

    Presidentja Osmani dhe familja e saj kanë të drejtë të kenë përcjellje zyrtare, pra mbrojtje të afërt, për tri vitet e ardhshme.

    Në këto kushte, ish-presidentes i lejohet të marrë pjesë në manifestimet shtetërore sipas radhës protokolare në vend.

    Në rastin e Osmanit, bashkë me burrin e saj, Ligji u lejon që ta përdorin pasaportën diplomatike të Kosovës tërë jetën, kurse fëmijët e tyre kanë të drejtë deri në moshën 18-vjeçare.

    “Presidenti i Republikës së Kosovës ka të drejtë në shpenzimet materiale për aktivitetet e tij/saj, në rastet kur këto aktivitete ushtrohen në cilësinë e ish-Presidentit. Mjetet nga paragrafi 1 i këtij neni sigurohen nga buxheti i përcaktuar për Zyrën e Presidentit të Kosovës.” – thuhet në ligj.

    Ligji e përcakton se në periudhën pesë vjeçare pas përfundimit të mandatit të presidentit, nuk mund të jenë më shumë se tre persona në personel profesional të zyrës.

    “Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesë vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit.” – thuhet në ligj.

    Presidentja Vjosa Osmani mbajti një adresim publik me rastin e përfundimit të mandatit të saj, duke falënderuar qytetarët për besimin dhe duke theksuar se shërbimi ndaj shtetit është nderi më i madh.

    Në fjalimin e saj drejtuar qytetarëve dhe mërgatës, më 04.04.2026 të publikuar në Facebook, ajo deklaroi se gjatë pesë viteve në krye të shtetit është udhëhequr nga parime të qarta: mbrojtja e interesit shtetëror, forcimi i aleancave ndërkombëtare dhe ruajtja e integritetit institucional.

    Pasi kaluan 24 orë që kur u përshëndet me Zyrën e Presidencës përmes një ceremonie, stafi i presidentes Osmani ndryshoi emrin në faqen zyrtare në Facebook nga ‘Presidenca e Republikës së Kosovës’ në ‘Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës’.

    Gjatë mandatit, Osmani theksoi arritjet në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë avancimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, zgjerimin e njohjeve, liberalizimin e vizave dhe hapa drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

    Kurse, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me synim të gjetjes së një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

    Ky takim u zhvillua në kohën kur kanë mbetur edhe 22 ditë deri në përfundim të afatit të përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kreut të shtetit.

    Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja, më 25.03.2026, u përcaktua afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht deri më 28 prill.

    Nëse Presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

    Në anën tjetër, karriera politike e Vjosa Osmanit filloi si shefe e stafit të presidentit të atëhershëm Fatmir Sejdiu nga viti 2006 deri në vitin 2010; ajo ishte gjithashtu pjesë e komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.

    Ajo u zgjodh deputete me LDK-në, dhe u bë gruaja e parë që u zgjodh kryetare e Parlamentit të Kosovës në shkurt të vitit 2020. Në zgjedhjet e atij viti, ajo mori më shumë vota se çdo kandidat tjetër parlamentar në Kosovë, më shumë se 300,000.

    Pastaj në nëntor të vitit 2020, ajo u ngrit edhe më tej, duke u bërë ushtruese e detyrës së Presidentes, kur Hashim Thaçi u detyrua të shkonte në paraburgim në Hagë, pasi u konfirmua aktakuza e tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Por marrëdhënia e saj me LDK-në, partinë së cilës i përkiste deri në qershor të vitit 2020, u shënua me ulje-ngritje.

    Rivaliteti i saj me kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa bëri që ajo të bllokohej nga kandidimi për postin e kryetarit të LDK-së në vitin 2015. Por popullariteti i saj ishte i qartë në kutitë e votimit, kur në zgjedhjet e vitit 2017, ajo u bë kandidatja e dytë më e mbështetur e LDK-së, edhe pse partia e renditi atë vetëm në vendin e 81-të në listën e saj, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të saj të tensionuara me udhëheqjen.

    Më pas, në vitin 2019, LDK e zgjodhi atë si kandidaten e saj për kryeministër, një garë zgjedhore që kjo parti e humbi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit me një diferencë të vogël.

    Prishja me partinë e saj erdhi pas pak kohësh, kur ajo doli kundër rrëzimit të qeverisë së Kurtit në mes të pandemisë. Kur refuzoi të mbështeste një kabinet të drejtuar nga LDK në qershor 2020, ajo u shkarkua nga të gjitha pozicionet e saj në parti.

    Më pas ajo krijoi subjektin e saj politik, Guxo, i cili kandidoi në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosjen në zgjedhjet e shkurtit 2021.

    Një muaj më vonë, me LVV-në në pushtet, Osmani u zgjodh presidente, shkruan Kallxo.

  • Kush është vajza 13-vjeçare e Kim Jong Un që mund ta drejtojë Korenë e Veriut?

    Kush është vajza 13-vjeçare e Kim Jong Un që mund ta drejtojë Korenë e Veriut?

    Vajza adoleshente e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mund të konsiderohet pasardhësja e tij, sipas raportimeve të agjencisë së spiunazhit të Seulit.

    Fëmija, që besohet se quhet Kim Ju Ae dhe është rreth 13 vjeç, e ka shoqëruar të atin në disa evente të profilit të lartë që nga fundi i vitit 2022.

    Dhe dyshja hipi në një tank së bashku muajin e kaluar, duke shkaktuar spekulime të mëtejshme se ajo po pozicionohet si udhëheqësja e ardhshme e vendit sekret.

    Së fundmi, drejtori i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës (NIS) të Koresë së Jugut, Lee Jong-seok, tha në një konferencë me dyer të mbyllura në Asamblenë Kombëtare se vajza mund të konsiderohet pasardhëse e Kim, sipas Lee Seong Kweun, njërit prej politikanëve të pranishëm.

    NIS thuhet se tha se vlerësimi ishte bazuar në “informacione të besueshme” të mbledhura nga agjencia, shkruan skynews.

    I pyetur në lidhje me protestat e mundshme nga motra e Kim, Kim Yo Jong, e cila prej kohësh është parë si figura numër dy e Koresë së Veriut , drejtori i NIS u përgjigj se ajo nuk ka kompetenca të konsiderueshme.

    Ky është vlerësimi më i fortë i agjencisë deri më tani mbi statusin në rritje politik të adoleshentes, e cila beson se mund ta zgjasë sundimin e familjes së saj deri në brezin e katërt.

    Në fillim të vitit 2024, NIS e përshkroi fëmijën si trashëgimtaren e mundshme të Kim, dhe në shkurt të këtij viti, agjencia tha se besonte se ajo ishte afër emërimit si udhëheqësja e ardhshme e kombit.

    Disa vëzhgues nuk pajtohen me vlerësimet, duke argumentuar se shoqëria jashtëzakonisht e përqendruar te meshkujt e Koresë së Veriut ka të ngjarë të mos e pranojë një udhëheqëse grua.

    Kush është Kim Ju Ae?

    Përveç moshës dhe emrit të saj, nuk dihet shumë për Kim Ju Ae, dhe madje edhe këto detaje janë të pakonfirmuara.

    Ndërsa media shtetërore e Koresë së Veriut nuk e ka publikuar kurrë emrin e saj, ajo i referohet asaj si fëmija “më i dashur” ose “më i respektuar” i Kim Jong Un.

    Mediat e Koresë së Jugut kanë spekuluar më parë se ajo është fëmija i dytë nga tre fëmijët e udhëheqësit dhe se fëmija i parë është djalë.

    Megjithatë, analistët kanë vënë në dyshim besueshmërinë e raporteve.

    Koreja e Veriut, e cila është një nga vendet më sekrete në botë, nuk ka konfirmuar nëse Ju Ae ka ndonjë vëlla apo motër.

    Vajza bëri paraqitjen e saj të parë publike në nëntor 2022, kur pa një provë të lëshimit të raketës me rreze të gjatë veprimi me të atin.

  • Shoqata e naftëtarëve paralajmëron protesta kundër vendimit të Qeverisë: Dizelin e blejmë 1.86€, e shesim 1.86€

    Shoqata e naftëtarëve paralajmëron protesta kundër vendimit të Qeverisë: Dizelin e blejmë 1.86€, e shesim 1.86€

    Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka paralajmëruar protesta, duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për çmimet e derivateve.

    Ai tha se ky vendim po i dëmton bizneset, ndonëse po respektohet nga naftëtarët.

    “Po është vendim i gabuar dhe dëmton bizneset dhe disa nga pikat mund të bankrotojnë. Askund në botë nuk ka këso zhvillime dhe i detyrojnë bizneset që ta blejnë dizelin1.86 dhe të shitet 1.86 €”, tha ai në një prononcim për RTV21.

    Naftëtarët kërkojnë që Qeveria ta rishqyrtojë urgjentisht vendimin, në të kundërtën, Berjani paralajmëron masa të tjera.

    “Pas një takimi dhe presioni u kërkua që të ndryshohet ky vendim ose të protestohet”, është shprehur Berjani.

  • Haxhiu: Don Kelmend Spaqi la trashëgimi vlerash për t’u përcjellë

    Haxhiu: Don Kelmend Spaqi la trashëgimi vlerash për t’u përcjellë

    Në meshën kushtuar Don Kelmend Spaqit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar jetën dhe veprën e tij, duke e përshkruar atë si një figurë që “në momentet më të vështira të historisë sonë u bë muri mbrojtës për jetën dhe dinjitetin njerëzor”.

    Ajo ka thënë se veprimtaria e tij është dëshmi e përkushtimit të plotë ndaj njeriut, besimit dhe atdheut, ndërsa theksoi se për 33 vite meshtarie ai shërbeu si “udhërrëfyes në kohë paqartësie, mbështetje në kohë frike dhe zë i qëndrueshëm i së vërtetës”.

    Haxhiu ka kujtuar rolin e tij gjatë luftës së vitit 1999, duke theksuar se në Gllogjan të Pejës ai hapi dyert e kishës “Shna Ndou”, e njohur si “Kisha e Shpresës”, ku strehoi qindra qytetarë të dëbuar me dhunë. Sipas saj, aty ai ndihmoi edhe të plagosurit dhe nënat me foshnjat e tyre.

  • Shpërthen fruthi në Bangladesh, më shumë se 100 persona vdesin brenda një muaji

    Shpërthen fruthi në Bangladesh, më shumë se 100 persona vdesin brenda një muaji

    Bangladeshi ka nisur një fushatë vaksinimi emergjent pasi një shpërthim i fruthit që po përhapet me shpejtësi dyshohet se ka vrarë më shumë se 100 persona, kryesisht fëmijë, në atë që mund të jetë vala më vdekjeprurëse e sëmundjes në vend në historinë e kohëve të fundit.

    Fushata, e cila filloi të dielën, vjen në mes të më shumë se 7,500 rasteve të dyshuara të fruthit që nga 15 marsi, sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë.

    Më shumë se 900 nga këto raste janë konfirmuar – një rritje e ndjeshme nga viti 2025, kur u regjistruan vetëm 125 raste të fruthit gjatë gjithë vitit.

    Ndërsa Bangladeshi ka vaksinuar prej kohësh fëmijët kundër sëmundjes shumë ngjitëse, shpërthimi i fundit ka nxjerrë në pah boshllëqe në programin e tij, duke ngritur shqetësime.

    “Vaksinat janë themelore për mbijetesën e fëmijëve”, tha Rana Flowers, përfaqësuesja e UNICEF-it në Bangladesh, duke shtuar se shpërthimi aktual i fruthit “po i vë mijëra fëmijë, veçanërisht më të vegjlit dhe më të prekshmit, në rrezik serioz”.

    Pse ka rritje të rasteve të fruthit në Bangladesh?

    Në Bangladesh, një komb me 170 milionë banorë, vaksinat rutinë kundër fruthit u jepen fëmijëve që në moshën nëntë muajsh.

    Por Shahriar Sajjad, zëvendësdrejtor i Departamentit të Shëndetësisë, tha se rreth një e treta e të infektuarve në shpërthimin e fundit ishin nën nëntë muajsh.

    Infeksionet e këtyre foshnjave të vogla “të cilat ende nuk janë të përshtatshme për vaksinim rutinë, janë veçanërisht alarmante”, sipas Flowers.

    Përveç vaksinimeve rutinë, Bangladeshi zhvillon fushata të veçanta vaksinimi kundër fruthit çdo katër vjet.

    Por këto fushata nuk kanë shkuar sipas planit.

    Nuk ka pasur fushata të veçanta vaksinimi kundër fruthit që nga viti 2020, së pari për shkak të Covid-it dhe pastaj për shkak të “situatës politike”.

  • Deputeti Sadiku pretendon se ka “zbuluar” dy skenarët e mundshëm të Kurtit

    Deputeti Sadiku pretendon se ka “zbuluar” dy skenarët e mundshëm të Kurtit

    Ndonëse me përvojë të shkurtër në politikë, ka mjaftuar një deklaratë e Albin Kurtit që Ermal Sadiku t’ia zbulojë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje “lojën” në prapaskenë.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që shërben për herë të parë si ligjvënës në legjislaturën aktuale, tha se insistimi i kryeministrit për arritjen e një shumice prej së paku 84 deputetëve për zgjidhjen e ngërçit të presidentit, nënkupton refuzim të Vetëvendosjes ndaj LDK-së.

    Rrjedhimisht, skenarët në kokën e Kurtit – sipas deputetit Sadiku – janë dy: dërgimi i vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme ose koalicion me PDK-në.

    “Kjo nënkupton se ai nuk është i interesuar për zgjedhjen e Presidentit në bashkëpunim me LDK-në”, tha Sadiku. “Sipas kësaj logjike, tentativa e tij duket të jetë ose ta çojë vendin në zgjedhje, ose të hyjë në koalicion me PDK-në”.

    Skenari i një koalicioni të mundshëm LVV-PDK, i cili lidhet me arritjen e një ujdie të mundshme për çështjen e presidentit, nuk arriti asnjë përparim gjatë raundit të parë të bisedimeve mes kryetarëve të dy partive, sipas deklarimeve të vetë liderëve respektivë.

    Gjatë këtij raundi negociatiash, të zhvilluara në fund të muajit shkurt, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i kishte propozuar liderit të Vetëvendosjes që presidenti të jetë emër i parashtruar nga PDK-ja.

    Kurti e ka hedhur kategorisht poshtë këtë opsion edhe sot, kur në një paraqitje publike pas takimit me Abdixhikun tha se kjo kërkesë e PDK-së “e bën të pamundur” arritjen e një marrëveshjeje.

  • Osmani përkrah protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

    Osmani përkrah protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

    Ish-presidentja Vjosa Osmani ka dale në përkrahje të studentëve dhe të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

    Osmani ka publikuar disa fotografi nga protesta e sotme me ç’rast ka shkruar: Në përkrahje të motrave e vëllezërve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, sot e përherë!

  • Izraeli sulmon uzinën në fushën iraniane të gazit pavarësisht propozimit për armëpushim

    Izraeli sulmon uzinën në fushën iraniane të gazit pavarësisht propozimit për armëpushim

    Izraeli ka sulmuar një uzinë të rëndësishme petrokimike në fushën masive të gazit natyror të Iranit, Pars Jugor, duke vënë në pikëpyetje negociatat që synojnë arritjen e një armëpushimi midis SHBA-së dhe Teheranit.

    Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, konfirmoi atë që e quajti “një sulm i fuqishëm ndaj objektit më të madh petrokimik në Iran”, i cili është përgjegjës për gjysmën e prodhimit petrokimik të vendit.

    Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Nadav Shoshani, tha se nuk do të ketë “imunitet” për Iranin ndërsa bisedimet përparojnë.

    Fusha e gazit e ndarë me Katarin është më e madhja në botë dhe ndodhet nën ujërat e Gjirit Persik.

    Pas sulmit të Izraelit në mars në Parsin Jugor, Donald Trump tha se Izraeli nuk do ta sulmonte përsëri, por paralajmëroi se nëse Irani vazhdonte të godiste infrastrukturën energjetike të Katarit, Shtetet e Bashkuara do të hakmerreshin dhe do ta “shkatërronin masivisht të gjithë” fushën bërthamore.

    Afati i fundit i Trump që Teherani të rihapë Ngushticën e Hormuzit po afron, ndërsa ndërmjetësuesit përpiqen të bindin SHBA-në dhe Iranin të bien dakord për një propozim të ri për armëpushim.