ATV

Category: Lajme

  • Komuna e Vitisë shpall vitin 2026 si Vit të Mbrojtjes së Mjedisit

    Komuna e Vitisë shpall vitin 2026 si Vit të Mbrojtjes së Mjedisit

    Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shpallur vitin 2026 si Vit të Mbrojtjes së Mjedisit, duke shënuar një angazhim institucional për ruajtjen e natyrës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.

    Ky vendim vjen si pjesë e një vizioni për kujdes të përbashkët ndaj tokës, ajrit dhe ujit, si pasuri të përbashkëta që kërkojnë përgjegjësi dhe veprim të përbashkët.

    Komuna e Vitisë synon të forcojë masat për zvogëlimin e ndotjes, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ndalimin e praktikave që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin publik.

    Njëkohësisht, theksohet rëndësia e planifikimit të qëndrueshëm dhe e bashkëpunimit institucional për ruajtjen e ekuilibrit natyror.

    “Kjo është një thirrje për ndërgjegjësim dhe mobilizim të përbashkët, që secili nga ne të japë kontributin e tij në mbrojtjen e mjedisit për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Le ta bëjmë vitin 2026 një vit të veprimit për mjedisin!”, ka theksuar kryetari Haliti.

    Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për komunën e Vitisë.

  • Studentët në këmbë: Thirrje për protestë gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave çlirimtare

    Studentët në këmbë: Thirrje për protestë gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave çlirimtare

    Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” kanë bërë thirrje për një protestë gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave çlirimtare, duke theksuar se kjo nismë shkon përtej mbështetjes ndaj një individi të vetëm.

    Sipas organizatorëve, protesta nuk lidhet vetëm me emra të përveçëm, por është reagim ndaj një fenomeni shqetësues që, sipas tyre, po instalohet nga qarqe të caktuara. Ata shprehin kundërshtimin e tyre ndaj gjuhës fyese dhe denigruese që, siç thonë, po përdoret ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerëve të saj, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së.

    Organizatorët theksojnë se kjo protestë synon të rikthejë vëmendjen te vlerat që, sipas tyre, përbëjnë themelin e lirisë së vendit, duke kërkuar respekt institucional dhe shoqëror për kontributin e luftës çlirimtare.

    Një ndër kërkesat kryesore të studentëve është që Parlamenti i Kosovës të ndërmarrë hapa konkretë për hartimin dhe miratimin e një ligji të posaçëm për mbrojtjen e vlerave çlirimtare, të cilat ata i cilësojnë si ndër më sublimet e kombit.

    Ata bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se kjo është një çështje që i përket gjithë shoqërisë dhe jo vetëm një grupi të caktuar.

  • Isa Mustafa promovon librin për konvergjencën ekonomike të Kosovës me BE-në

    Isa Mustafa promovon librin për konvergjencën ekonomike të Kosovës me BE-në

    Isa Mustafa ka promovuar librin e tij më të ri “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me BE-në” në ambientet e Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në Prishtinë.

    Gjatë promovimit, Mustafa theksoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe përafrimit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë proces si thelbësor për integrimin e vendit.

    Të pranishëm në këtë aktivitet ishin akademikë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët vlerësuan kontributin e librit në debatin mbi zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

    Promovimi u shoqërua edhe me diskutime rreth politikave ekonomike dhe rolit të institucioneve në përshpejtimin e integrimit evropian.

  • Izraeli thotë se armëpushimi nuk përfshin Libanin

    Izraeli thotë se armëpushimi nuk përfshin Libanin

    Izraeli mbështet vendimin e Donald Trump për të pezulluar sulmet kundër Iranit për dy javë, por tha se armëpushimi nuk përfshin Libanin, tha të mërkurën zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

    Zyra tha se Izraeli mbështeti veprimin e SHBA-së, me kusht që Teherani të hapë menjëherë ngushticën e Hormuzit dhe të ndalojë sulmet kundër Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe vendeve në rajon.

    Kryeministri pakistanez, Shebaz Sharif, kishte thënë më parë se armëpushimi shtrihej mbi Libanin.

    Sulmet izraelite ndaj Libanit që nga fillimi i luftës kanë vrarë më shumë se 1,400 njerëz, përfshirë 126 fëmijë, dhe kanë zhvendosur më shumë se 1 milion, sipas autoriteteve libaneze.

    Lufta e ripërtërirë izraelite ndaj Libanit u nis pasi Hezbollahu – grupi militant libanez i mbështetur nga Irani – qëlloi me raketa Izraelin verior në përgjigje të vrasjes së ish-udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, në sulmet ajrore të përbashkëta SHBA-Izrael.

    Izraeli tha gjithashtu se mbështet përpjekjet e SHBA-së për të siguruar që Irani të mos paraqesë më një kërcënim bërthamor, raketor ose “terrorist” për SHBA-në, Izraelin dhe fqinjët arabë të Iranit, duke shtuar se Uashingtoni i kishte thënë Izraelit se ishte i përkushtuar për të arritur qëllimet e tyre të përbashkëta në negociatat e ardhshme.

    Irani tha të mërkurën se negociatat me SHBA-në do të fillonin të premten, më 10 prill, në Islamabad.

  • ​Kurti shkon në veri të Mitrovicës, përurohet objekti i ATK-së

    ​Kurti shkon në veri të Mitrovicës, përurohet objekti i ATK-së

    Kryeministri Albin Kurti po qëndron sot në veri të Mitrovicës.

    Ai po merr pjesë në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të Administratës Tatimore të Kosovës në veri të Mitrovicës.

    Kurti, është shoqëruar edhe nga dy ministrat e Qeverisë, Elbert Krasniqi dhe Lulëzon Jagxhiu.

    Ky hap është pjesë e përpjekjeve për forcimin e institucioneve dhe shërbimeve publike në veri të vendit, duke përmirësuar qasjen e qytetarëve në administratën tatimore dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të zonës.

  • Arrestohen tre persona për vjedhje në Poslishtë të Prizrenit, sekuestrohen stoli ari

    Arrestohen tre persona për vjedhje në Poslishtë të Prizrenit, sekuestrohen stoli ari

    Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast vjedhjeje në progres në fshatin Poslishtë të Prizrenit, në orët e para të mëngjesit të 8 prillit 2026.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, rreth orës 00:06 është pranuar informata për një vjedhje në zhvillim, me ç’rast patrulla policore ka reaguar menjëherë dhe ka arritur të ndalojë tre të dyshuarit në vendngjarje. Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet B.H., N.A. dhe D.P., të gjithë nga Prizreni.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe krim-teknika, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar disa stoli dhe bizhuteri që dyshohet të jenë prej ari. Ato janë gjetur në automjetin e përdorur nga të dyshuarit, si dhe në trupin e njërës prej tyre.

    Pas dokumentimit dhe fotografimit të provave, me urdhër të prokurorit, sendet e vjedhura i janë kthyer pronarit.

    Prokurori i Shtetit është njoftuar lidhur me rastin dhe ka urdhëruar nisjen e procedurës penale ndaj të dyshuarve, të cilët janë ndaluar për 48 orë. Gjithashtu, është konfiskuar edhe automjeti i përdorur gjatë kryerjes së veprës.

    Autoritetet bëjnë të ditur se vlera e saktë e stolive të vjedhura ende nuk është përcaktuar, ndërsa të dyshuarit do t’i nënshtrohen intervistimit edhe për raste të tjera të mundshme të ngjashme.

  • Ramadani: Lufta në Iran s’ka përfunduar, Kosova duhet të ketë qartësi strategjike në këto rrethana të rënduara

    Ramadani: Lufta në Iran s’ka përfunduar, Kosova duhet të ketë qartësi strategjike në këto rrethana të rënduara

    Analisti Burim Ramadani tha se Kosova duhet të ketë qartësi strategjike në rrethanat e krijuara nga lufta në Iran, duke thënë se duhet të shmangen pikërisht zhvillimet politike që po ndodhin.

    “Kosova jonë duhet të ketë qartësi strategjike dhe institucionale në këto rrethana të rënduara ndërkombëtare. Kjo që shohim brenda nesh për kohë tashmë relativisht të gjatë është saktësisht ajo që nuk duhej parë”.

    Postimi i plotë:

    Bota nuk është më e sigurt nga mbrëmë, por një përshkallëzim i jashtëzakonshëm u evitua.

    Bota do të jetë më e sigurt kur regjimet si ai i Ajetollahëve në Iran së pari nuk mund të kenë programe për armë bërthamore dhe së dyti rrëzohen nga brenda.

    Këmbëngulja ushtarake e Presidentit Trump dobësoi Iranin si fuqi rajonale destabilizuese. Lufta nuk ka përfunduar.

    Kosova jonë duhet të ketë qartësi strategjike dhe institucionale në këto rrethana të rënduara ndërkombëtare. Kjo që shohim brenda nesh për kohë tashmë relativisht të gjatë është saktësisht ajo që nuk duhej parë.

    Në cilindo manual të sigurisë, stabiliteti institucional i shtetit është bazik.

  • Komisioni nis intervistimin e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, mbledhja mbyllet për media

    Komisioni nis intervistimin e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, mbledhja mbyllet për media

    Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, ka filluar mbledhjen e së mërkurës.

    Në rend dite është vetëm një pikë, intervistimi i kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

    Në fillim të takimit mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje, ndërsa mbledhja është e mbyllur për media./EO

  • Nga 1 janari 2027, Greqia ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për grupmoshën nën 15 vjeç

    Nga 1 janari 2027, Greqia ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për grupmoshën nën 15 vjeç

    Nga 1 janari i 2027, Greqia do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për grupmoshën në 15 vjeç.

    Lajmi është njoftuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Ai gjithashtu sqaroi se rregullorja do të hyjë në fuqi në verën e vitit 2026 dhe “Greqia do të jetë ndër vendet e para që do ta ndërmarrin këtë iniciativë”.

    “Ne vendosëm të ndërmarrim një hap të vështirë, por të domosdoshëm: ndalimin e aksesit në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç.”, është shprehur Mitsotakis.

  • I mbijetoi dy luftërave botërore, sulmi rus shkatërron rezidencën historike ukrainase të shekullit të 19-të

    I mbijetoi dy luftërave botërore, sulmi rus shkatërron rezidencën historike ukrainase të shekullit të 19-të

    Sulmet e fundit nga Rusia në Ukrainë kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe humbje jetësh njerëzore, ndërsa ndër objektet më të goditura është një monument historik me vlera të veçanta në rajonin e Kharkivit.

    Sipas autoriteteve ukrainase, më 7 prill Rusia ndërmori dhjetëra sulme me dronë dhe goditje ajrore në disa zona të vendit, duke lënë pas viktima dhe të plagosur në radhët e civilëve. Një nga dëmet më të rënda u regjistrua në zonën Velikiy Burluk, në Kharkiv, ku u shkatërrua rezidenca historike Donets-Zakharzhevsky Residence.

    E ndërtuar rreth vitit 1835, kjo ndërtesë përfaqësonte një trashëgimi të rëndësishme arkitekturore të shekullit XIX dhe kishte arritur të mbijetonte përmes periudhave të trazuara historike, përfshirë Lufta e Parë Botërore dhe Lufta e Dytë Botërore.

    Shkatërrimi i saj nga sulmet e fundit i jep një dimension simbolik ngjarjes, duke theksuar jo vetëm humbjet njerëzore, por edhe dëmtimin e trashëgimisë kulturore që i ka rezistuar për dekada konflikteve të mëparshme.

    Autoritetet ukrainase kanë dënuar sulmet, duke i cilësuar si goditje të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe historisë së vendit, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar.