ATV

Category: Lajme

  • Komisioni për Legjislacion të martën dhe të mërkurën interviston 23 kandidatët për KGjK

    Komisioni për Legjislacion të martën dhe të mërkurën interviston 23 kandidatët për KGjK

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme do të intervistohen 23 kandidatë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Tahiri e bëri të ditur këtë përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në vend.

    “Sot, Komisioni për Legjislacion, pas shqyrtimit të aplikimeve, ka caktuar intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të martën dhe të mërkurën do të intervistohen gjithsej 23 kandidatë,” shkruan mes tjerash Tahiri.

    Postimi i plotë:

    Sot, Komisioni për Legjislacion, pas shqyrtimit të aplikimeve, ka caktuar intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të martën dhe të mërkurën do të intervistohen gjithsej 23 kandidatë.

    Ky proces intervistimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në Kosovë, pasi bëhet fjalë për një institucion shumë serioz dhe me rol kyç në garantimin e sundimit të ligjit në vend.

  • Vdiq dje si pasojë e një zjarri, sot varroset Jeton Babaj nga Llausha e Skenderajt

    Vdiq dje si pasojë e një zjarri, sot varroset Jeton Babaj nga Llausha e Skenderajt

    Sot do të varroset Jeton Babaj që dje humbi jetën dje tragjikisht në Llaushë të Skenderajt.

    Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 15:00.

    ‘’Njoftim Mortor

    Ju njoftojmë se Jeton Babaj, i cili ndërroi jetë dje në mënyrë tragjike, varroset sot, më 8 prill 2026, në ora 15:00, në Llaushë, në varrezat e lagjes Babaj.

    Ngushëllime familjes’’, thuhet në njoftim.

  • Ministria e Sportit dhe federatat nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 6.5 milionë euro

    Ministria e Sportit dhe federatat nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 6.5 milionë euro

    Ministria e Sportit dhe Rinisë ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me 39 federata sportive për vitin 2026. Ky aktivitet ka shënuar formalizimin e mbështetjes institucionale për zhvillimin e sportit në vend.

    Ministri Blerim Gashani ka theksuar se federatat sportive janë partnerë kyç në këtë rrugëtim dhe mbartin rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit.

    Ai ka nënvizuar se Ministria do të vazhdojë të jetë në përkrahje të tyre, duke kërkuar standarde të larta profesionalizmi, përkushtimi dhe arritje konkrete në secilin sport.

    Sipas tij, përmes këtyre memorandumeve po konkretizohet mbështetja financiare në vlerë prej mbi 6.5 milionë euro, në bazë të kategorizimeve të sporteve. Ai ka shtuar se kjo mbështetje synon të forcojë qeverisjen në sport, të rrisë performancën e sportistëve dhe të promovojë një shoqëri më aktive dhe të shëndetshme.

    Gashani ka theksuar gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies, duke vlerësuar se besimi i qytetarëve ndërtohet përmes punës së ndershme dhe raportimit të hapur, si standard i përbashkët për të gjitha federatat.

  • Miratohet projektligji për shërbimet e pagesave, ulet kostoja e shërbimeve të pagesave

    Miratohet projektligji për shërbimet e pagesave, ulet kostoja e shërbimeve të pagesave

    Komisioni për Buxhet në mbledhjen e sotme ka miratuar projektligjin për shërbimet e pagesave.

    Për këtë projektligj në komision raportoi ministri i financave, Hekuran Murati i cili tha se me këtë projektligj ulen kostot e shërbimeve të pagesave bankare.

    Murati tha se ky projektligj synon ngritjen e nivelit të sigurisë së shërbimeve të pagesave, nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit, përmirësimin e mbrojtjes së përdoruesve të shërbimeve, si dhe uljen e kostove për shërbimet e pagesave të ofruara brenda vendit dhe për transferet ndërkufitare.

    “Ky projektligj përafron kornizën ligjore dhe rregullative me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian në fushën e pagesave. Si rezultat, ai ofron mundësinë për përfshirjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave (banka dhe jo-banka) në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA (Single Euro Payments Area). Në këtë aspekt, projektligji paraqet bazën kryesore për plotësimin e kritereve për aplikim dhe pranim të vendit tonë në SEPA. Projektligji ofron një kornizë të përshtatshme me specifika teknike për shërbimet e pagesave dhe aktivitetet e ndërlidhura brenda Kosovës, duke u harmonizuar me direktivat përkatëse të BE-së dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Përmes këtij projektligji, synohet transpozimi i plotë i direktivave relevante”, tha Murati

    Ndërsa, kryetari i komisionit për buxhet nga radhët e VV-së,, Enver Haliti e pyeti ministrin për impaktin e këtij projektligji.

    “Zoti ministër, sapo thatë që do të ulet edhe kostoja e transfereve ndërkombëtare sa i përket bizneseve që bëjnë transfere për pagesa të ndryshme ndërkombëtare. A mund të tregoni edhe njëherë se cili është impakti pas implementimit të këtij projektligji dhe fillimit të procedurave, të operacioneve pas standardizimit në SEPA”, tha Enver Haliti.

    E, në përgjigjen e tij ministri Murati, tha se me rastin e integrimit në SEPA, kostot e transfereve do të uleshin nga disa qindra euro (që janë aktualisht për shuma më të mëdha) në vetëm disa euro

    “Aktualisht, sipas vlerësimit në një studim që është bërë nga German Economic Team, pra një ekip me ekspertë gjermanë, përllogaritet që bizneset kosovare, por edhe familjet kosovare (përfshirë edhe diasporën), për momentin paguajnë rreth 58 milionë euro më tepër sesa që do të paguanin po të ishim të integruar në SEPA. Përbërja e kësaj kostoje është afërsisht gjysmë për gjysmë: Bizneset paguajnë rreth 28-29 milionë euro më tepër sesa që duhet ndërkaq Familjet dhe amvisëritë: Paguajnë pjesën tjetër të mbetur. Me rastin e integrimit në SEPA, kostot e transfereve do të uleshin nga disa qindra euro (që janë aktualisht për shuma më të mëdha) në vetëm disa euro. Kjo vlen për transferet ndërkombëtare me shtete si Zvicra, Gjermania apo vende të ngjashme që janë në të njëjtin sistem të integruar, por gjithashtu edhe me vendet e rajonit”, tha Murati para komisionit.

  • Rutte takon sot Trumpin në Washington mes kërcënimit të SHBA-së për t’u larguar nga NATO

    Rutte takon sot Trumpin në Washington mes kërcënimit të SHBA-së për t’u larguar nga NATO

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka filluar një vizitë të rëndësishme tre-ditore në Uashington mes kërcënimeve të përsëritura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga aleanca. Rutte është ngarkuar me detyrën për të bindur Trumpin për rëndësinë e qëndrimit të SHBA-së në NATO, dhe vizita vjen mes tensioneve për shkak të refuzimit të aleatëve evropianë për të mbështetur fushatën ushtarake SHBA-Izrael kundër Iranit, raporton Euronews.

    Takimi i Rutte-s me Trump në Shtëpinë e Bardhë është planifikuar për të mërkurën, dhe në të do të marrin pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Mbërritja e sekretarit të përgjithshëm vjen pas njoftimit të një armëpushimi me Teheranin të martën, i cili thuhet se përfshin një armëpushim dyjavor dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, megjithëse detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta.

    Gjatë vizitës së tij, Rutte do të zhvillojë gjithashtu bisedime me anëtarë të Kongresit, dhe të enjten, ai do të mbajë një fjalim në Institutin dhe Fondacionin Presidencial Ronald Reagan.

    Një temë kryesore diskutimi pritet të jetë zhgënjimi i Washingtonit që aleatët e saj nuk i janë bashkuar SHBA-së dhe Izraelit në një fushatë ushtarake kundër Iranit dhe nuk kanë lejuar përdorimin e hapësirës së tyre ajrore nga avionët amerikanë të përfshirë në konflikt.

    Vendimi e ka zemëruar Trumpin, duke e shtyrë atë të kritikojë ashpër qeveritë evropiane dhe të vërë në pikëpyetje vlerën e anëtarësimit të vazhdueshëm të Amerikës në Aleancë. Trump ka shprehur prej kohësh pakënaqësi me atë që ai e sheh si kontribut joproporcional të Amerikës në sigurinë evropiane.

    Javën e kaluar, presidenti amerikan tha se do të rishikonte kontributin e Amerikës në NATO, duke e quajtur aleancën pa SHBA-në një “tigër letre”. Komentet e tij u mbështetën nga Sekretari i Shtetit Rubio, i cili njoftoi se SHBA-të do të rivlerësonin marrëdhënien e tyre me aleatët e tyre.

  • “Ligji bashkon, nuk ndan”, deklarata e Kurtit nga veriu

    “Ligji bashkon, nuk ndan”, deklarata e Kurtit nga veriu

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë përurimit të objektit të Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicën e Veriut, ka deklaruar se institucionet e vendit funksionojnë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

    I pyetur nga gazetarët serbë nëse ka demokraci në Kosovë, Kurti theksoi se qeveria e tij po punon për barazi dhe sundim të ligjit.

    “Ne punojmë për të gjithë qytetarët. Unë nuk jam mbi ligjin. Koha para qeverisë sonë nuk ka qenë normale. Nuk them se tani është gjithçka normale, por them se gjithçka po normalizohet. Kjo sepse ligji nuk është ai që e ndan shoqërinë në ata që nuk janë të mbrojtur dhe në ata që askush nuk guxon t’i prek. Mirëpo e bashkon shoqërinë me bashkim dhe barazi. Nuk mund ta jepni asnjë shembull ku organet e pushtetit: policia e Kosovës, e tani edhe administrate tatimore nuk u shërben të gjithëve njëjtë dhe profesionalisht”, tha ai.

    Derisa është pyetur edhe nëse vizitën tek kryetari i Mitrovicës në Veri.

    “Kësaj radhe nuk e kam takuar, por sigurisht që në rastet tjera do të kemi mundësi të takohemi. Ka qenë një transferim paqësor i pushtetit, që do të thotë se në komunat në veri të Ibrit mund të bëhesh kryetar komune, mund të bëhesh asamblist, mund të bëhesh drejtor, por vetëm nëpërmjet zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, tha ai.

  • Macron: Marrëveshja e armëpushimit, lajm i mirë për të gjithë

    Macron: Marrëveshja e armëpushimit, lajm i mirë për të gjithë

    Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se rreth 15 vende po planifikonin të lehtësonin rifillimin e trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon një e pesta e furnizimit botëror me naftë, pas njoftimit të një armëpushimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

    “Rreth 15 vende janë aktualisht të mobilizuara dhe po marrin pjesë në planifikim, nën udhëheqjen e Francës, për të mundësuar zbatimin e këtij misioni rreptësisht mbrojtës në koordinim me Iranin për të lehtësuar rifillimin e trafikut”, tha Macron të mërkurën, shkruan Reuters.

    Në një postim në “X”, Macron ka shkruar se marrëveshja e armëpushimit është një lajm i mirë për të gjithë.

    “Shpallja e këtij armëpushimi është një gjë shumë e mirë. Që nga dita e parë kemi pasur të njëjtin objektiv: të mbrojmë shtetasit tanë dhe interesat tona, të qëndrojmë pranë partnerëve tanë rajonalë dhe të punojmë drejt uljes së tensioneve për të rivendosur paqen dhe lirinë e lundrimit”, thuhet në postimin e Macron.

    Marrëveshja raportohet të jetë arritur me ndërmjetësim “me ritëm të shpejtë” me Pakistanin që vepronte si ndërmjetës midis Iranit dhe SHBA-së.

  • 18 vjet nga ngritja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë

    18 vjet nga ngritja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë

    Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë u ndryshua zyrtarisht nga një “Zyre e ShBA-ve” në “Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë”, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës.

    Në njoftimin e Ambasadës thuhet se: “Me Kosovën formalisht si shtet i pavarur dhe marrëdhëniet diplomatike të vendosura, hapi tjetër ishte të reflektohej kjo marrëdhënie në praninë tonë diplomatike. Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë u ndryshua zyrtarisht dhe titulli i misionit u bë Ambasadë e SHBA-së në Prishtinë”.

    Ky ndryshim erdhi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në më 18 shkurt 2008.

    Ambasada përkujton këtë moment historik si pjesë të udhëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

  • KRU Mitrovica vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe

    KRU Mitrovica vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe

    Kompania Rajonale e Ujësjellësitdhe Kanalizimeve (KRU) Mitrovica ka bërë të ditur se po vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve që kanë borxhe të papaguara.

    KRU Mitrovica u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të kryejnë pagesat e tyre sa më shpejt për të shmangur ndërprerjen e shërbimit të furnizimit me ujë.

    “Kujdesi dhe pagesat në kohë janë të domosdoshme për të siguruar furnizim të rregullt me ujë për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

    Kompania rikujton se shkyçjet bëhen vetëm për konsumatorët me detyrime të prapambetura dhe se pagesat e kryera në kohë mund të shmangin ndërprerjen e shërbimit.

  • Agon Dobruna emërohet zëvendësministër i parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare

    Agon Dobruna emërohet zëvendësministër i parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agon Dobrunën në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare.

    Sipas njoftimit zyrtar, kryeministri Kurti e uroi Dobrunën për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

    Emërimi i tij vjen si pjesë e angazhimit të qeverisë për fuqizimin e punës së Ministrisë dhe për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm në fushat e punës, familjes dhe vlerave të Luftës Çlirimtare.