ATV

Category: Lajme

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban sot seancë për Kosovën, në fokus dialogu dhe zhvillimet politike

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban sot seancë për Kosovën, në fokus dialogu dhe zhvillimet politike

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet që sot të mbajë raportimin e parë për këtë vit mbi situatën në Kosovë.

    Në këtë seancë, Përfaqësuesi Special dhe shefi i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Peter Due, pritet të informojë mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi UNMIK-un, i cili iu shpërnda anëtarëve të Këshillit më 31 mars dhe mbulon zhvillimet midis 16 shtatorit 2025 dhe 15 marsit. Kosova dhe Serbia pritet të marrin pjesë.

    Due pritet të nxjerrë në pah zhvillimet kryesore politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së mbuluar nga raporti i Sekretarit të Përgjithshëm. Ai pritet të theksojë, ndërsa situata në veri të Kosovës vazhdoi të ishte e qetë, por e brishtë dhe dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) arriti njëfarë progresi, por pasiguria politike në Kosovë ka vazhduar.

    Aty përmenden zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor 2025, ku pati pjesëmarrje të gjerë në të gjitha komunitetet dhe një tranzicion paqësor të autoritetit, përfshirë në veri të Kosovës, ku kryetarët e komunave serbe të Kosovës kanë marrë detyrën për herë të parë që nga tërheqja nga institucionet e Kosovës në vitin 2022.

    Raporti përmend se zgjedhjet nacionale, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, gjithashtu u zhvilluan paqësisht, por Kuvendi mbeti i bllokuar për thuajse një vit.

    “Më 11 shkurt, Kuvendi zgjodhi Kryeministrin Albin Kurti si udhëheqës të qeverisë së re me 66 vota pro, duke zgjidhur përkohësisht një bllokim politik pothuajse njëvjeçar”, thekson raporti.

    Përmendet edhe çështja e presidentit që ka shkaktuar një pasiguri të re politike.

    “Megjithatë, më 5 mars, afati kushtetues për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës skadoi pa marrëveshje midis partive politike, duke shkaktuar pasiguri të përtërirë politike. Të nesërmen, Presidentja në detyrë Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se akterët politikë kishin dështuar qëllimisht në përmbushjen e afatit kushtetues. Partia Vetëvendosje e kundërshtoi dekretin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke pretenduar se shpërbërja mund të ndodhë vetëm pas tre raundeve të pasuksesshme të votimit presidencial. Më 9 mars, Gjykata Kushtetuese vendosi një masë të përkohshme që e ndalonte Osmanin të vepronte sipas dekretit të saj. Gjykata vendosi më 25 mars se dekreti ishte pa efekt ligjor dhe i dha Kuvendit 34 ditë për të zgjedhur një president”, thekson raporti.

    Sipas dokumentit, “nuk ka pasur progres domethënës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet” Kosovës dhe Serbisë.

    Në përpjekje për ta ringjallur procesin, thuhet se i dërguari special i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ka zhvilluar takime të ndara me zyrtarë të lartë në Prishtinë dhe Beograd gjatë janarit dhe shkurtit, përfshirë edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb Alleksandar Vuçiq.

    Më 22 janar, Sorensen mblodhi në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë për takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, një trupë trilaterale që mbikëqyr zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023.

    Tutje përmendet, Ligji për të Huajt dhe marrëveshja e arritur mbi modalitetet e zbatimit të këtij ligji, duke përfshirë masa shtesë që lidhen me lejet e qëndrimit dhe dokumentet e identifikimit.

    Në takimin e sotëm, Due dhe disa anëtarë të Këshillit pritet t’i bëjnë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.

  • SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord për një armëpushim – çfarë duhet të dini

    SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord për një armëpushim – çfarë duhet të dini

    Pas një muaji e gjysmë të konfliktit në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord të martën për një armëpushim dyjavor.

    Ky marrëveshje u arrit vetëm pak më pak se dy orë para afatit të vendosur nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili kishte kërcënuar më parë se do të shkatërronte një “civilizim të tërë”.

    Ky kërcënim, që kritikët paralajmëruan se mund të përbënte një krim lufte nëse do të realizohej, duket se u shmang në minutën e fundit.

    Megjithatë, ekziston një hendek i madh mes dy vendeve, të cilat secila e paraqiti armëpushimin e përkohshëm si një fitore për vete, shkruan cnn.

    Armëpushimi shërben si pikënisje për negociata të mëtejshme, ndërsa mbetet të shihet se cilat kushte përfundimtare mund të përfshihen në një marrëveshje që do të vendoste fundin e një lufte që ka tronditur Lindjen e Mesme dhe ka shkaktuar ndërprerjen historike të tregut global të naftës.

    Çfarë kanë thënë SHBA-ja dhe Izraeli?

    Donald Trump njoftoi për armëpushimin përmes një mesazhi në Truth Social, duke theksuar se marrëveshja u arrit me kushtin që Irani të pranonte të rihapte Ngushticën strategjike të Hormuzit, përmes së cilës rrjedh një e pesta e naftës globale.

    Ai shtoi se armëpushimi ishte ndërmjetësuar nga kryeministri i Pakistanit dhe shefi i tij ushtarak. Irani kishte propozuar një plan me 10 pika, të cilin Shtetet e Bashkuara e shohin si “një bazë të zbatueshme për të negociuar”, tha 79-vjeçari.

    Ai tha se dy javët e ardhshme do të shërbejnë për përgatitjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

    Ndërkohë që armëpushimi hyri në fuqi të mërkurën, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e përshkroi atë si një “armëpushim të brishtë” që i kishte dhënë shumë mësime rreth Iranit.

    Në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP të martën, Donald Trump e përshkroi marrëveshjen si “fitore totale dhe të plotë”.

    Megjithatë, ai nuk pranoi të tregonte nëse do të përmbushte kërcënimet e mëparshme për të shkatërruar infrastrukturën civile të Iranit nëse Teherani nuk respektonte marrëveshjen, duke thënë vetëm se “do të duhet ta shihni”.

    Më vonë, pak pas mesnate, në një postim në Truth Social, ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të “ndihmonin në menaxhimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit,” duke theksuar se kjo “do të sjellë fitime të mëdha”.

    Burime amerikane i thanë CNN se administrata Trump po përgatitet për negociata potenciale ballë për ballë, të mundshme në Islamabad, ku kryeministri i Pakistanit ka ftuar të dyja palët të dërgojnë delegacione.

    Izraeli është pjesë e armëpushimit dhe gjithashtu do të ndalojë bombardimet ndaj Iranit, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, por theksoi se kjo nuk do të thotë se konflikti ka përfunduar.

    Megjithatë, u bë e qartë se Libani nuk është pjesë e armëpushimit, duke u kundërshtuar deklaratave të kryeministrit të Pakistanit që pretendonte se ishte. Trump nuk përmendi Libanin në deklaratën e tij.

    Çfarë ka thënë Irani?

    Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se nëse sulmet ndaj Iranit ndalen, edhe operacionet ushtarake iraniane do të ndalen.

    Ai shtoi në një mesazh në platformën X se ushtria e vendit do të koordinojë kalimin e sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë periudhës së armëpushimit.

    Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve e Iranit, Tasnim News Agency, raportoi se Irani dhe Omani planifikojnë të vendosin tarifa tranzitimi për anijet që kalojnë përmes ngushticës gjatë armëpushimit, me fondet e mbledhura të destinuara për rindërtim. CNN ka kërkuar koment nga ministria e Jashtme e Omanit.

    Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit, organi më i lartë i sigurisë në vend, lëshoi një deklaratë më të ashpër, duke thënë se kishte detyruar Shtetet e Bashkuara të pranonin planin iranian me 10 pika si bazë për bisedime, dhe e përshkroi armëpushimin si një “dështim të qëndrueshëm” për Uashingtonin.

    Deklarata gjithashtu përmendi mundësinë e bisedimeve në Islamabad, duke paralajmëruar se “nëse armiku bën edhe më të voglin gabim, ai do të përballet me gjithë forcën e Iranit”.

    Cilat janë kushtet e armëpushimit?

    Abbas Araghchi tha se, ndërsa Uashingtoni kishte pranuar “kornizën e përgjithshme” të planit iranian me 10 pika si “bazë për negociata”, Irani po shqyrtonte nga ana e tij një plan amerikan me 15 pika.

    Detajet e plota të këtij plani amerikan nuk janë publikuar ende, por besohet se ai përfshin:

    Përkushtimin e Iranit për të mos pasur armë bërthamore
    Dorëzimin e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë
    Kufizime në kapacitetet mbrojtëse të Teheranit
    Ndalimin e grupeve “proxy” rajonale
    Rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
    Pikat e tjera që diskutohen përfshijnë edhe njohjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar, sipas dy burimeve rajonale.

    Megjithatë, Irani kishte refuzuar më parë planin me 15 pika, me një zyrtar që e përshkroi kërkesën si “kryesisht të tepruar, jorealiste dhe të paarsyeshme” të hënën – pavarësisht se Trump kishte deklaruar në fund të marsit se Teherani kishte pranuar “më të shumtën e” pikave.

    Ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e planit iranian me 10 pika, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka publikuar pjesët kryesore të këtij plani.

    CNN ka marrë këtë informacion nga zyrtarë iranianë, dhe gjithashtu është raportuar nga disa media shtetërore iraniane.

    Plani përfshinte:

    Regullimin e kalimit përmes Ngushticës së Hormuzit
    Ndalimin e sulmeve ndaj Iranit dhe forcave të tij “proxy” rajonale
    Tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni
    Kompensimin për Iranin
    Heqjen e sanksioneve ndërkombëtare dhe lirimin e aseteve të ngrira
    Një rezolutë detyruese të OKB-së për të siguruar çdo marrëveshje përfundimtare paqeje
    Disa versione të deklaratës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, të shpërndara gjerësisht nga mediat shtetërore iraniane në gjuhën farse dhe angleze, përfshinin gjithashtu një pretendim nga Irani për të drejtën e pasurimit bërthamor.

    Ambasada e Iranit në Indi publikoi gjithashtu një përmbledhje të planit 10-pikësh në llogarinë e saj të verifikuar në X, ku përfshihej “pranimi i pasurimit bërthamor”.

    CNN ka kontaktuar zyrtarë amerikanë dhe ministrinë e Jashtme të Iranit për komente të mëtejshme.

    Në intervistën e tij për AFP, Donald Trump theksoi se uraniumi i Iranit do të trajtohej “në mënyrë të përkryer ose nuk do ta kisha zgjidhur marrëveshjen”.

  • Anëtari i KQZ’së, Cakolli: Osmani bëri shkelje, çështja mund të përfundojë në Kushtetuese, me Haxhiun situata mund të komplikohet

    Anëtari i KQZ’së, Cakolli: Osmani bëri shkelje, çështja mund të përfundojë në Kushtetuese, me Haxhiun situata mund të komplikohet

    Derisa ka mbetur edhe pak kohë për emërimin e anëtarit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dilema kryesore vazhdon të mbetet nëse ky post duhet t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje apo Partisë Demokratike të Kosovës.

    Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), vlerëson se ish-presidentja Vjosa Osmani nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese në këtë proces.

    Cakolli, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se situata mund të komplikohet edhe më tej, sidomos për shkak se ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, vjen nga radhët e LVV-së.

    “Në radhë të parë ajo çfarë është e qartë është që Presidentja Osmani nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese, përkatësisht ka bërë shkelje me rastin e mosemërimit të anëtarit të mbetur të KQZ-së, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos e pranuar rastin e saj. Në këtë drejtim, afatet e përcaktuara ligjore tashmë janë shkelur dhe për mua ka qenë e pakuptimtë se si presidentja në ditët e fundit të mandatit të saj nuk e ka ushtruar një kompetencë e cila është kompetencë ekskluzive e saj. Derisa tani kur kemi ushtruese të detyrës së presidentit të vendit, besoj që situata mund të komplikohet edhe më tej sepse meqenëse zonja Haxhiu, edhe pse është ushtruese e detyrës, ajo vjen të ketë pozitë edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje por edhe si kryetare e Kuvendit“, tha ai.

    Ai shpjegoi edhe se kujt i takon anëtari.

    “Në rast të një emërimi i cili nuk do të ishte në përputhje me praktikën dhe legjislacionin në fuqi, e sipas të cilit anëtari i dytë i takon në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës, meqenëse modeli që aplikon Kosova është modeli strikt i përfaqësimit, ku nuk merret parasysh proporcionaliteti në Kuvend. Pra, nuk ka rëndësi se sa deputetë ka një subjekt politik, për sa kohë që kualifikohet grupi parlamentar si i tillë, atëherë automatikisht edhe ndarja e vendeve bëhet në të njëjtën formë“, thotë Cakolli.

    Ai paralajmëroi se, nëse anëtari emërohet nga radhët e LVV-së, çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Derisa në rast se zonja Haxhiu do të nxjerrë një vendim për emërimin e anëtarit të tretë në këtë rast të Lëvizjes Vetëvendosje, unë besoj që lehtësisht kjo çështje do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjë që në radhë të parë rrezikon që ta minojë edhe më tutje kredibilitetin dhe besueshmërinë e publikut ndaj KQZ-së, dhe në anën tjetër padyshim do të ishte një indicie se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit do të mund të përdorej për të shtyrë përpara agjendën partiake të cilës i takon në fakt edhe vetë zonja Haxhiu, pa dashur që të spekuloj mbi vendimmarrjen e saj“, u shpreh ai.

    Cakolli përmendi edhe precedentin e vitit 2021, duke theksuar se praktika ka qenë e qartë.

    “Sipas vlerësimit tim, vendimi i vetëm i ligjshëm dhe konsistent me atë çfarë ka ngjarë deri më tani, përfshirë edhe rastin e vitit 2021 kur kemi qenë ekzaktësisht në të njëjtën situatë, pra kur ka pasur më shumë propozime sesa që ka pasur vende të mbetura për t’u ndarë brenda KQZ-së, presidentja Osmani, ngjashëm si paraprakisht presidenti Thaçi edhe më herët presidentja Jahjaga, kanë emëruar anëtarët e KQZ-së sipas modelit strikt të përfaqësimit. Dhe që i njëjti garanton një lloj besueshmërie më të madhe në fakt në KQZ, sepse KQZ-ja nuk është Kuvend në miniaturë ku reflektohet balanca politike, por është trupë e cila do të duhet që të paraqitej edhe në sytë e publikut si trupë e pavarur dhe e cila administron në mënyrë të paanshme me procesin zgjedhor“, thekson ai.

    Ai rikujtoi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga po ai vit.

    “Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese në rastin e ushtruesit të detyrës së presidentit Jakup Krasniqi, pati nxjerrë në atë periudhë një opinion, përkatësisht vendim sipas të cilit i njihet i gjithë diskrecioni i plotë kushtetues ushtruesit të detyrës së presidentit për të gjithë gamën e vendimmarrjes që ai përfaqëson sipas nenit përkatës të Kushtetutës. Që i bie se në këtë rast nuk ka asnjë modalitet tjetër, përveçse zonja Haxhiu të jetë ajo e cila emëron anëtarin e mbetur të KQZ-së dhe e kompleton përbërjen e këtij institucioni. Por, ajo çfarë mbetet të shihet është nëse do të ndiqet pra praktika e deritanishme dhe kuadri ligjor, apo do të kemi një vendim i cili lehtësisht do të mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

    Të mërkurën Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. Në rast se ka më pak grupe parlamentare, grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

    11 prilli është afati i fundit ligjor për ta bërë emërimin.

  • Mbi 2,100 kosovarë morën shtetësinë zvicerane në 2025, të katërtit për nga numri

    Mbi 2,100 kosovarë morën shtetësinë zvicerane në 2025, të katërtit për nga numri

    Sipas të dhënave të Zyrës së Imigracionit të Zvicrës (SEM), gjatë vitit 2025, 2,106 kosovarë fituan shtetësinë zvicerane, duke u renditur të katërtit për nga numri mes të gjithë natyralizimeve.

    Në total, 41,269 shtetas të huaj u bënë zviceranë, shifër e ngjashme me vitin 2024, por më e ulët krahasuar me 46,711 natyralizimet e vitit 2006. Media zvicerane Thelocal.ch raporton se që nga ajo kohë, numri ka luhatur rreth 40,000, shumë më i lartë se 11,208 natyralizimet e vitit 1992.

    Nga vijnë qytetarët e rinj?

    Gati gjysma e qytetarëve të rinj vijnë nga Gjermania, Italia, Franca, Portugalia dhe Kosova. Numri më i madh u regjistrua nga:

    Gjermania – 8,980 (22%)

    Italia – 4,220

    Franca – 3,914

    Kosova – 2,106

    Portugalia – 1,840

    Turqia – 1,404

    Maqedonia e Veriut – 1,307

    Spanja – 1,280

    Serbia – 1,096

    Mbretëria e Bashkuar – 927

    Rreth 19% e natyralizimeve ishin qytetarë nga jashtë Evropës, dhe 18.5% e tyre përfituan nga procedura e thjeshtuar e natyralizimit.

    Kantonet me më shumë natyralizime

    Kantoni i Cyrihut kryeson me mbi një të katërtën e totalit (11,100), ku 3,756 qytetarë u natyralizuan në qytetin e Cyrihut. Pason kantoni i Vaud me 5,459 dhe kryeqyteti Berna me 3,578. Kantoni më i vogël, Appenzell-Innerrhoden, regjistroi vetëm 14 natyralizime.

  • 9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

    9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

    Sot, bëhen 18 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    9 Prilli, është festë shtetërore sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

    Kushtetuta e Kosovës u nënshkrua më 7 prill 2008, pastaj u ratifikua më 9 prill 2008, ndërsa ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

    Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

    Kushtetuta mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë.

  • 27 vjet nga fillimi i Betejës së Koshares

    27 vjet nga fillimi i Betejës së Koshares

    Sot shënohen 27 vjet nga Beteja e Koshares, një nga përballjet më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për liri.

    Më 9 prill 1999, luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizimin me armatim dhe mbështetje logjistike.

    Kjo betejë, e cila zgjati deri më 10 qershor 1999, u zhvillua në kushte të vështira, por me një vendosmëri të jashtëzakonshme nga luftëtarët shqiptarë.

    Thyerja e kufirit jo vetëm që kishte rëndësi strategjike, por edhe simbolike, duke shënuar një hap të madh drejt çlirimit të Kosovës.

  • Parashikimi i motit për të enjten

    Parashikimi i motit për të enjten

    Të enjten parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në orët e para të mëngjesit, më pas menjëherë pritet shtim i vranësirave, ku më vonë gjatë pasdites pritet të tërhiqen.

    Era do të fryjë nga veriu dhe perëndimi, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 17-49 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 1 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 17°C. /MeteoKosova/

  • Ambasada japoneze për makiaton e Kosovës: Pse është kaq e mirë kudo?

    Ambasada japoneze për makiaton e Kosovës: Pse është kaq e mirë kudo?

    Kultura e kafesë në Kosovë po vazhdon të tërheqë vëmendjen e të huajve, të cilët gjithnjë e më shpesh e cilësojnë makiaton si një nga përvojat më të veçanta gjatë qëndrimit të tyre në vend.

    Së fundmi, edhe Ambasada e Japonisë në Kosovë ka ndarë një reagim pozitiv, duke pyetur me kureshtje: “Pse makiato është kaq i mirë kudo në Kosovë?”, një reflektim që pasqyron përvojën e shumë vizitorëve ndërkombëtarë.

    Kosova njihet për traditën e fortë të kafesë, ku makiato, një espresso e shoqëruar me pak qumësht, përgatitet me kujdes të veçantë në pothuajse çdo lokal. Nga kafenetë në qendër të Prishtinës deri te ato në qytetet më të vogla, cilësia dhe shija mbeten të qëndrueshme.

    Në Kosovë, kafeja nuk është vetëm një pije, por një ritual i përditshëm. Takimet shoqërore, diskutimet e biznesit dhe momentet e relaksit shpesh zhvillohen rreth një makiatoje.

    Për shumë të huaj, kjo përvojë bëhet pjesë e pandashme e kujtimeve nga Kosova.

    Në një kohë kur turizmi në Kosovë po rritet gradualisht, duket se një nga “ambasadorët” më të mirë të vendit mbetet pikërisht një filxhan makiatoje.

  • Bashkim Ramosaj shpreh ngushëllime për vdekjen e punëtorit nga Strellci i Deçanit, tregon identitetin e tij

    Bashkim Ramosaj shpreh ngushëllime për vdekjen e punëtorit nga Strellci i Deçanit, tregon identitetin e tij

    Një person e ka humbur jetën në vendin e punës në Strellc të Deçanit.

    Për vdekjen e tij ka shprehur ngushëllime kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.

    Viktima është Xhevat Hasanmetaj nga Strellci, kështu Ramosaj vlerësoi kontributin e tij.

    “Në këto momente të rënda mora lajmin e hidhur për ndarjen tragjike nga jeta të Xhevat Hasanmetaj nga Strellci. Kontributi dhe sakrifica e tij në kohë të vështira do të kujtohen gjithmonë me respekt e mirënjohje. Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, miqtë dhe për të gjithë ata që e njohën. Në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Deçanit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Hasanmetaj dhe gjithë farefisit”, ka shkruar Ramosaj.

  • Kryesia e Kuvendit cakton seancën plenare më 10 prill

    Kryesia e Kuvendit cakton seancën plenare më 10 prill

    Është mbajtur mbledhja e rregullt e Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që seanca plenare e radhës të mbahet të premten, më 10 prill 2026, në orën 10:00.

    “Ndërsa në mungesë të konsensusit lidhur me rendin e ditës, kryetarja e Kuvendit, konform përgjegjësive të saj do t’i propozojë atë seancës”.

    Në njoftim thuhet se “pikë e parë do të jetë pikërisht miratimi i rendit të ditës, për të vijuar më miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare”.

    “Pjesë e agjendës së propozuar do të jetë gjithashtu votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës, për të vijuar me shqyrtimin e tri projektligjeve të tjera: Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika, Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën, si dhe Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”, vijon njoftimi.

    “Pika të tjera të rendit të ditës pritet të jenë edhe votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftë, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabiliteti ekonomik i vendit, zgjedhja e një anëtari Joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, si dhe propozimi i grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare”, thuhet tutje në njoftim.

    “Kryetarja Haxhiu njoftoi gjithashtu se janë proceduar 10 raporte të komisioneve parlamentare për shqyrtimin e 10 projektligjeve”, përfundon njofimi.