ATV

Category: Lajme

  • Spitali i Pejës për vdekjen e punëtorit nga Strellci i Deçanit: U soll pa shenja jete

    Spitali i Pejës për vdekjen e punëtorit nga Strellci i Deçanit: U soll pa shenja jete

    Xhevat Hasanmetaj ka humbur jetën tragjikisht në një punëtori në Strellc të Ulët, si pasojë e rënies së disa dërrasave.

    Spitali i Përgjithshëm i Pejës, në një komunikatë për media deklaron se viktima u soll pa shenja jete.

    Njoftimi i plotë i Spitalit:

    Një person i gjinise mashkullore i lindur me 1969 nga Fsh.Strellc është pranuar rreth orës 14:20 në Spital pa shenja jete!

    Procedurat e mëtejme lidhur me rastin janë zhvilluar në bashkëpunim me organet përkatëse.

    Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së të ndjerit

  • Sulmi izraelit vret gazetarin e Al Jazeera-s

    Sulmi izraelit vret gazetarin e Al Jazeera-s

    Gazetari i Al Jazeera-s, Mohammed Wishah, është vrarë në një sulm me dron izraelit në Gaza.

    Wishah, një korrespondent në Gaza për Al Jazeera Mubasher, u vra sot pasi sulmi goditi një makinë me të cilën po udhëtonte në rrugën Al-Rashid, rrugën bregdetare që shkon në perëndim të qytetit të Gazës.

  • Selmanaj: Kujt po i pengon llogoja zyrtare e Presidences së Kosovës?!

    Selmanaj: Kujt po i pengon llogoja zyrtare e Presidences së Kosovës?!

    Mosrespektimi i llogos zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës është i papranueshëm dhe shqetësues.

    Kështu ka reaguar ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj lidhur me largimin e llogos zyrtare të Presidencës së Kosovës.

    Sipas Selmanajt, edhe pse Albulena Haxhiu ështe vetëm ushtruese e detyrës së Presidentes, ajo menjëherë është kujdesur për pamjen e faqes zyrtare në rrjetet sociale, duke e hequr nga profili llogon zyrtare të presidences së Kosovës.

    Postimi i plotë:

    Kujt po i pengon llogoja zyrtare e Presidences së Kosovës?!

    Mosrespektimi i llogos zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës është i papranueshëm dhe shqetësues. Heqja e llogos zyrtare të presidencës në profilin zyrtar në rrjetet sociale, nuk është një detaj i vogël teknik, por një veprim i qëllimshëm kundër simboleve shtetërore të cilat mbrohen me ligj.

    Institucionet nuk kanë të drejtë të improvizojnë apo të anashkalojnë elementet që përfaqësojnë identitetin institucional të Republikës së Kosovës.

    Edhe pse Albulena Haxhiu ështe vetëm ushtruese e detyrës së Presidentes, ajo menjëherë është kujdesur për pamjen e faqes zyrtare në rrjetet sociale, duke e hequr nga profili llogon zyrtare të presidences së Kosovës.

    I papranueshëm është injorimi i logos së dizajnuar në kohën e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, e cila nuk është vetëm një element grafik, por një pjesë e trashëgimisë shtetformuese dhe simbolikës së Republikës sonë. Kjo qasje krijon precedent dhe dëmton besimin në institucionet shtetërore.

    Respektimi i simboleve nuk është opsion, është obligim ligjor. Institucionet duhet të jenë shembull në ruajtjen e rendit, identitetit dhe dinjitetit shtetëror.

  • Gashi: Zgjedhjet i konvenojnë të gjithëve përveç VV-së – Opozita ta propozojë Osmanin për presidente

    Gashi: Zgjedhjet i konvenojnë të gjithëve përveç VV-së – Opozita ta propozojë Osmanin për presidente

    Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se ende ka mundësi për arritjen e një marrëveshjeje politike brenda afatit rreth 20-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke vlerësuar se në të kundërtën vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

    Në emisionin FIVE, Gashi tha se opozita mund ta “testojë” Lëvizjen Vetëvendosje nëse arrin të bashkohet dhe të propozojë një kandidat të përbashkët, duke përmendur edhe emrin e ish-presidentes, Vjosa Osmani.

    Sipas tij, nëse nuk arrihet marrëveshje për presidentin brenda afatit, vendi do të shkojë në zgjedhje, të cilat ai i cilëson si skenar i pashmangshëm në rast dështimi të procesit.

    “Nëse duan opozita me testu LVV-në e kanë lehtë edhe formulën e dijn ata. Le të bëhen bashkë le t’i bëjnë 30 nënshkrime edhe le ta propozojnë Vjosa Osmanin. Atëherë e testojnë 100 për qind a ka qenë vullneti i Kurtit për Vjosa Osmanin apo jo. Sepse kështu edhe për 20 ditë nëse nuk gjejmë zgjidhje për president atëherë do të shkojmë në zgjedhje, që zgjidhja po jetë zgjedhje. Pastaj në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme do të kemi situatën siç e kemi pasur pas shkurtit të vitit të kaluar që VV do të akuzojë partitë opozitare, me një formulë shumë të thjesht që do të thotë unë i kam pasur në koalicion me partitë me të vogla 66 deputetë, vetë 57 por me 66 nuk kam mundur ta zgjedh presidentin”, ka deklaruar ai.

    Gashi ka vlerësuar se zgjedhjet e reja do t’i konvenonin pothuajse të gjitha partive politike, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Sipas tij, Vetëvendosje ka arritur rezultate të larta elektorale dhe mbetet me mbi 50 për qind të mbështetjes, por zgjedhjet e reja mund t’i sjellë humbje.

    “Unë mendoj të gjithëve iu konvenon me shku ne zgjedhje përveç LVV-së, sepse ishte fitorja e dytë spektakolare mos me thënë historike, sepse VV-ja e vitit 2025 e ka mposht vetë VV-në e 14 shkurtit të vitit 2022. Vetëvendosja mundet me humb, për shkak se numrat i ka shumë të mirë për herë të dytë mbi 50 për qind. Nuk mundemi me ditë nëse humb pushtet, për këtë arsye duhet të bëhen marrëveshje që vendi të mos shkojë në zgjedhje”, ka deklaruar ai.

  • Blerta Deliu: Kurti e ka dëmtuar Kosovën para se të dëmtojë PDK-në dhe LDK-në

    Blerta Deliu: Kurti e ka dëmtuar Kosovën para se të dëmtojë PDK-në dhe LDK-në

    Deputetja e Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai i ka shkaktuar dëm vendit.

    Zvarritjet e vazhdueshme në disa procese politike në Kosovë, Deliu i vë fajin kryesor kryeministrit Kurti duke theksuar se cilat kanë qenë disa nga dëmet që i janë shkaktuar shtetit të Kosovës, sipas saj.

    “Unë mendoj që Kurti e ka dëmtuar Kosovën para se të dëmtojë PDK-në dhe LDK-në, sepse për këto vite të stagnimit, Kosova ka humbur shumë në aspektin e zhvillimit ekonomik, në aspektin e fuqizimit ndërkombëtar dhe në aspektin e forcimit të mirëqenies së qytetarëve,” u shpreh Deliu.

    Ajo shtoi se gjendja ekonomike ka rënduar jetën e qytetarëve.

    “Unë e kuptoj që njerëzit sot janë të dërrmuar, jetojnë më keq për shkak të kostos së lartë dhe inflacionit, i cili e ka goditur shoqërinë, ndërsa të zgjedhurit e qytetarëve sot i kanë lënë ata në udhëkryq,” deklaroi ajo në T7.

  • Janina Ymeri: Ligji për naftën është në favor të naftëtarëve, jo të konsumatorëve

    Janina Ymeri: Ligji për naftën është në favor të naftëtarëve, jo të konsumatorëve

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri në emisionin Gazeta ka kritikuar ashpër politikat aktuale lidhur me tregun e derivateve, duke thënë se ligjet dhe udhëzimet administrative janë hartuar kryesisht në favor të naftëtarëve.

    Sipas saj, vetë kryetari i shoqatës së naftëtarëve ka deklaruar se çmimet dhe rregullimet janë bërë në koordinim me qeverinë aktuale, pra të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Vetë kryetari i shoqatës ka thënë se i kanë rregulluar çmimet me qeverinë e re. Nëse 99% e kërkesave të tyre janë përmbushur, atëherë nuk gjej qeveri tjetër që i ka ndihmuar më shumë naftëtarëve se kjo,” tha Ymeri.

    Ajo shtoi se, duke analizuar ligjin për tregtinë e naftës, rezulton se ai është “kryekëput në favor të naftëtarëve dhe jo të konsumatorëve”. Ymeri gjithashtu theksoi se rritja e çmimeve në import nuk duhet të jetë barrë për qytetarët.

    “Rritja e çmimit në import nuk është shqetësim i yni si qytetarë, por i shtetit dhe i naftëtarëve,” u shpreh ajo.

    Deputetja rikujtoi se opozita ka bërë thirrje për krijimin e rezervave shtetërore të naftës, por sipas saj, një gjë e tillë nuk është realizuar.

    “Nuk pritet nga opozita të ndikojë për naftëtarët, kur vetë kryetari i shoqatës thotë se ligjin e kanë bërë si kanë dashur,” përfundoi Ymeri./Gazeta10/

  • Lekaj: Qeveria Kurti është e zhytur në korrupsion deri në veshë

    Lekaj: Qeveria Kurti është e zhytur në korrupsion deri në veshë

    Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se në partinë e tyre as që flitet se a do ta kalojnë pragun apo jo në zgjedhjet e ardhshme.

    Në emisionin DPT te Fidani në Klan Kosova, ai tha se Aleanca do të hyjë në garë për të fituar.

    “Aleanca do të hyjë në garë, dhe do të hyjë për të fituar, dhe sa fitojmë, varet nga qytetarët, por jemi të bindur dhe as që flitet në strukturat e Aleancës, se a e kalojmë apo jo” pragun, deklaroi Lekaj.

    Ndër të tjera, ai tha se nuk duhet t’i zgjatet jeta Qeveria Kurti.

    “Ai nuk e ka në vizion shtetin, por partinë e vet, se sikur ta kishte pasur apo të kishte pasur vizion të vetin për të mirën e vendit sikur të kishte menduar, atëherë pa e krijuar qeverinë do të ftonte LDK-në dhe PDK-në për ndonjë marrëveshje paraprake. Këtë nuk e ka bërë. E ka zgjedhur kryetarin e Kuvendit, e ka krijuar qeverinë, dhe i ka injoruar totalisht. Ka menduar se tri pozitat kryesore, kryeministrin, kryekuvendarin dhe presidentin e vet, t’i takojnë LVV-së, dhe e dëshmoi me kandidimin për president të Glaukut dhe të doktoreshës”, tha nënkryetari i AAK-së, dhe shtoi “nuk bën të lejojmë të biejmë në kurthin e Kurtit”.

    Ai tha se edhe sikur Kurti të ftonte AAK-në në takim, “nuk do t’i shkonim”.

    “Jo që ka qeverisur me duar të pastra, por është zhytur në korrupsion deri te veshët, deri te maja e kokës. Shikoni tenderët një-burimorë, shikoni energjinë se sa vjedhje masive me NOA-n… nëse ka aq shumë tenderë, ku janë more ato para? Merre autostradën për Gjilan, janë bërë me u la shotat aty, qe 6 vite. Merre Gjakovë-Dollc, merre për Pejë, zgjerimin e rrugës, e ka pasur të gatshme autostradën e mbyllur me katër korsi, dhe e ka hjekur atë”, shtoi Lekaj.

  • Haxhiu: Uroj që të mos vijë situata që të shpall datën e zgjedhjeve

    Haxhiu: Uroj që të mos vijë situata që të shpall datën e zgjedhjeve

    Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se vendi nuk ka kohë për të humbur, duke shtuar se shpreson që presidenti i ri të zgjedhet brenda afatit kushtetues, në të kundërtën ajo do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve të reja.

    Një ditë më parë ajo deklaroi se është e hapur për të ndihmuar, nëse mundet, për çështjen e presidentit.

    Ajo sqaroi më 8 prill pas mbledhjes së kryesisë, se në cilësinë e kryetares së Kuvendit është e gatshme që të kontribuojë duke organizuar takime dhe diskutime me grupet parlamentare, nëse ato vlerësojnë se takime të tilla janë të nevojshme.

    “Unë mirëpres vazhdimin e takimeve që kanë ndodhur në ditët që lamë pas. Urojmë që t’i lëmë anash të gjitha dallime dhe të jemi bashkë që ta gjejmë një zgjidhje për presidentin. Uroj që të mos vijë situata që si ushtruese e detyrës së presidentit të shpall datën e zgjedhjeve sepse siç e dini me aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë kur ne përmbushim afatin dhe nuk zgjedhim presidentin”, tha Haxhiu.

    Sipas aktgjykimit të nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese në mars, deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin e ri të vendit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

    “Prandaj, nëse ju duhem grupeve parlamentare unë jam në shërbim të tyre të ndihmojë me takime. Por, mendoj që e rëndësishme është që të gjitha grupet parlamentare dhe partitë që përfaqësohen në Kuvend të dëshmojnë vullnet për ta gjetur një zgjidhje për presidentin”, theksoi Haxhiu.

    Ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që njëherësh është kryeministër i Kosovës, u takua me Lumir Abdixhikun, kreun e subjektit opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës. Megjithatë, gjatë takimit nuk u arrit ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit, por është paralajmëruar se takimet do të vazhdojnë në ditët në vijim edhe me Partinë Demokratike të Kosovës.

    Ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i përfundoi mandati më 4 prill, dhe në bazë të Kushtetutës, Haxhiu ka marrë postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.

    Pasi dështuan të prodhonin ndonjë marrëveshje takimet me LDK-në dhe PDK-në, LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.

    Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

    Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria. Më pas gjykata doli me aktgjykim, duke caktuar 28 prillin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit.

    Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë. /REL

  • 6 emrat e rekomanduar për votim në Kuvendin e Kosovës për dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese

    6 emrat e rekomanduar për votim në Kuvendin e Kosovës për dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese

    Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka përfunduar procesi i intervistimit të 22 kandidatëve për dy pozita të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, me këtë rast u rekomanduan gjashtë kandidatë për t’u votuar në Kuvend.

    Pas përfundimit të intervistimit, Komisioni me rastin e poentimit vendosi t’i rekomandojë Kuvendit për votim listën prej gjashtë kandidatëve të suksesshëm si më poshtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Komisioni posaçëm me këtë përbërje: Vigan Qorrolli- kryetar i Komisionit, Arbërie Nagavci- deputete e LVV-së, Arian Tahiri- deputet i PDK-së, Armend Zemaj- deputet i LDK-së, Sllavko Simiq- deputet i LS-së, Besnik Tahiri-deputet i AAK-së, Artan Asllani- deputet i Grupit Parlamentar muiltietnik, kishte konstatuar se 25 kandidatë i plotësojnë kushtet formale për kandidim.

    Po ashtu, pjesë e komisionit ishin Arjeta Sadiku- zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Safet Hoxha nga Gjykata Kushtetuese.

    Avokati i Popullit Naim Qelaj edhe pse ishte anëtar Komisioni, kishte munguar në shqyrtimin e aplikacioneve por edhe atë të intervistimit të kandidatëve.

    Kujtojmë se në total kishin aplikuar 25 kandidatë dhe atë: Vigan Rogova, Zahir Qerkini, Besart Belegu, Makfirete Krasniqi, Selman Ymeri, Avdylkader Muçaj, Elton Tota, Benina Kusari, Ramadan Gashi, Rafet Haxhaj, Shabi Idrizi, Shpresa Emra, Valbona Shala-Thaçi, Suzana Gashi, Ardita Haxhnikaj-Demi, Novitet Nezaj, Alban Muriqi, Emine Abdyli-Pozhari, Nazmije Krasniqi- Jusufi, Perparim Kalo, Riza Krasniqi, Flamur Mrasori, Jorida Xhafaj, Islam Sllamniku dhe Bahrie Zaçaj.

    Në procesin e intervistimit që u mbajt më 7 dhe 8 prill u paraqitën 22 kandidatë, duke u tërhequr nga gara: Rafet Haxhaj, Nazmije Krasniqi-Jusufi dhe Riza Krasniqi. Në fund, për votim i rekomanduan gjashtë kandidatë.

  • ATV sjell emisionin e ri rinor “Lens” këtë të shtunë në orën 20:05

    ATV sjell emisionin e ri rinor “Lens” këtë të shtunë në orën 20:05

    Televizioni ATV po vjen me një risi në skemën e tij programore. Duke filluar nga kjo e shtunë në orën 20:05, në ekran do të nisë transmetimin emisioni i ri rinor “Lens”.

    Ky format i ri premton të sjellë një frymë ndryshe për publikun, duke trajtuar tema të ndryshme sociale që prekin të rinjtë dhe shoqërinë në përgjithësi. Përmes diskutimeve në studio, aktualiteteve dhe përmbajtjeve virale, “Lens” synon të jetë një hapësirë ku zëri i të rinjve dëgjohet dhe reflektohet në mënyrë dinamike.

    Emisioni do të moderohet nga Alfreda Gashi dhe Edona Aliu, të cilat do të udhëheqin bisedat e programit.

    “Lens” do të transmetohet çdo të shtunë në ATV, nga ora 20:05, duke u bërë një pikë takimi për të gjithë ata që duan të relaksohen dhe informohen mbi temat aktuale, kryesisht të gjeneratës së re.