ATV

Category: Lajme

  • Gjendet një mjet shpërthyes në Rahovec, intervenon FSK-ja

    Gjendet një mjet shpërthyes në Rahovec, intervenon FSK-ja

    Një person ka raportuar në polici se gjatë punimeve në një shtëpi ka hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes në Rahovec.

    Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 15:40, ndërsa menjëherë pas raportimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar perimetrin për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

    Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë edhe njësiti për deminim i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ka bërë shpërthimin e kontrolluar të mjetit pa shkaktuar incidente apo dëme.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se gjatë punimeve në një shtëpi ka hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes. Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i FSK-së e ka shpërthyer mjetin në mënyrë të kontrolluar pa incidente”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Tahiri: Kalkulime elektorale, bllokada, refuzime, vonesa – era e zgjedhjeve po ndjehet qartë

    Tahiri: Kalkulime elektorale, bllokada, refuzime, vonesa – era e zgjedhjeve po ndjehet qartë

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e përshkroi si “dinamike” ditën e djeshme, ndërsa folli për zhvillimet në Kryesinë e Kuvendit dhe për “kalkulime elektorale”.

    “Dje ishte një ditë dinamike, por mbi të gjitha dëshmi se institucionet tashmë po funksionojnë në frymën e përgatitjeve për zgjedhje. Pse?”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “Në Kryesi, qasja e GP të VV-së ishte e ngurtë, pasi çdo iniciativë e opozitës po refuzohet. Rezoluta për vlerat e lirisë nuk u fut në rend dite si pikë e parë, qëndrim i pabesueshëm dhe dëshmi e standardeve të dyfishta. Kjo mungesë vullneti nuk është rastësi, por reflektim i kalkulimeve elektorale”, shtoi Tahiri.

    Ai tha se të gjitha këto, “bllokadat, refuzimet dhe vonesat”, janë për “pozicionim politik” dhe se po vie “era zgjedhje”.

    “Ndërkohë, proceset formale vazhdojnë: intervistimi për Gjykatën Kushtetuese përfundoi me 6 emra për seancë, ndërsa në Komisionin për Legjislacion u vendos që të martën të intervistohen 23 kandidatët për KGJK-në. Kur i sheh të gjitha bashkë, bllokadat, refuzimet dhe vonesat, është e qartë se fokusi nuk është më vendimmarrja, por pozicionimi politik. Era e zgjedhjeve po ndihet qartë”, shkroi ai.

  • Afër 60 aksidente trafiku e mbi 2500 gjoba për 24 orë, Policia njofton për 17 persona të arrestuar

    Afër 60 aksidente trafiku e mbi 2500 gjoba për 24 orë, Policia njofton për 17 persona të arrestuar

    Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh, ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe janë shqiptuar mbi 2500 gjoba trafiku.

    Po ashtu, shton PK’ja, kanë ndodhur 57 aksidente trafiku, ku 31 kanë qenë me dëme materiale, e 26 me të lënduar.

    Tutje, thekson Policia, 17 persona janë arrestuar ku 11 janë dërguar në mbajtje.

  • Zhduket një vajzë në Gjakovë, babai raporton rastin në polici

    Zhduket një vajzë në Gjakovë, babai raporton rastin në polici

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për një rast të zhdukjes që ka ndodhur në Gjakovë.

    Atje, bën të ditur policia, një person ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe se më nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

    ‘’PERSON I ZHDUKUR

    Gjakovë / 06.04.2026 – 16:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime nga njësitë relevante’’, thuhet në raportin e PK’së.

  • Rasti i rëndë në Deçan ku vdiq një punëtor, Policia: Po hetojmë rastin

    Rasti i rëndë në Deçan ku vdiq një punëtor, Policia: Po hetojmë rastin

    Një rast i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, në Deçan ku një punëtor ka humbur jetën.

    Lidhur me këtë rast, në raportin e përditshëm të saj, është deklaruar Policia e Kosovës. Aty thuhet se rasti është duke u hetuar si ‘’hetim i vdekjes’’.

    Po ashtu, bëhet e ditur se, trupi i viktimës është dërguar në IML me urdhër të prokurorit kujdestar.

    ‘’HETIM I VDEKJES

    Deçan / 08.04.2026 – 14:00. Një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e punës dhe prokurori kujdestar me urdhër të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion’’, thuhet në raport.

  • Dita e Kushtetutës, Rama: Reflektimi mbi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit demokratik

    Dita e Kushtetutës, Rama: Reflektimi mbi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit demokratik

    Sot bëhen 18 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ajo u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në Facebook tha se kjo ditë përkujtohet si ‘një moment reflektimi mbi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit demokratik’.

    “Këtë ditë e përkujtojmë si një moment reflektimi mbi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit demokratik, duke nderuar sakrificën dhe përkushtimin e brezave që e bënë të mundur këtë realitet”, shkruan Rama.

    Postimi i plotë:

    Në ditën e Kushtetutës, shpreh respekti më të lartë për aktin themeltar që ka përcaktuar drejtimin, vlerat dhe rendin demokratik të Republikës së Kosovës.

    Këtë ditë e përkujtojmë si një moment reflektimi mbi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit demokratik, duke nderuar sakrificën dhe përkushtimin e brezave që e bënë të mundur këtë realitet.

    Në këtë frymë, riafirmojmë përkushtimin e palëkundur për forcimin e shtetit ligjor, mbrojtjen e të drejtave dhe ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme, në shërbim të qytetarëve dhe dinjitetit të Republikës së Kosovës.

  • Trump paralajmëron sërish Iranian: Trupat amerikane do të jetë aty derisa marrëveshja të zbatohet tërësisht

    Trump paralajmëron sërish Iranian: Trupat amerikane do të jetë aty derisa marrëveshja të zbatohet tërësisht

    Presidenti amerikan, Donald Trump tha se rritja e numrit të anijeve luftarake dhe trupave amerikane do të mbetet rreth Iranit “derisa marrëveshja e vërtetë e arritur të zbatohet plotësisht”.

    Një marrëveshje armëpushimi dyjavor për të ndaluar luftën në Iran duket e paqëndrueshme pasi Irani mbylli përsëri Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të sulmeve izraelite në Liban, dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se forcat amerikane do të mbeten “në vend” derisa Teherani të zbatojë plotësisht marrëveshjen “e vërtetë” të armëpushimit.

    Retorika e fundit në konflikt vjen pasi SHBA-ja dhe Irani pretenduan fitoren më parë këtë javë pas një marrëveshjeje armëpushimi dyjavor, por dhuna e re në Liban kërcënoi ta prishte marrëveshjen.

    Në një postim në rrjetet sociale të enjten herët në mëngjes, Trump tha se rritja e numrit të anijeve luftarake dhe trupave amerikane do të mbetet rreth Iranit “derisa marrëveshja e vërtetë e arritur të zbatohet plotësisht”.

    “Nëse për ndonjë arsye nuk zbatohet, gjë që është shumë e pamundur, atëherë fillojnë ‘të shtënat’, më të mëdha, më të mira dhe më të forta se kushdo që ka parë ndonjëherë më parë”, shkroi Trump.

    Ai tha gjithashtu se Irani nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë armë bërthamore dhe “ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur dhe e sigurt”.

  • Kurti: FSK-ja po përgatitet për misionin në Gazë

    Kurti: FSK-ja po përgatitet për misionin në Gazë

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se bashkërendimi i ngushtë me partnerët strategjikë të Kosovës është më i rëndësishëm se kurrë. E ka theksuar këtë, me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Kosovë. E, në një takim me drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, ka bërë të ditur se FSK-ja aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

    Ai ka thënë se Kosova ka ndërtuar institucionet e saj të sigurisë mbi bazën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me NATO-n dhe shtetet e saj anëtare dhe ka theksuar se Forca e Sigurisë e Kosovës është sot një institucion profesional, i besueshëm dhe në zhvillim të vazhdueshëm, dhe, sipas tij, ky progres është rezultat i përkushtimit të brendshëm, por edhe i mbështetjes së palëkundur të partnerëve.

    Në njoftim, Kurti është cituar të ketë thënë se FSK-ja ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi, dhe ka bërë të ditur se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

    Në njoftim është bërë e ditur se drejtorja e NATO-s për Operacione, Hallengren, ka vlerësuar lart vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gazë.

    Kosova është zotuar se do të dërgojë trupa në këtë vend të shkatërruar nga lufta në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), mekanizëm që është paraparë të formohet me themelimin e Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për arritjen e paqes në botë.

    Krahas vendimit për dërgimin e trupave në Gazë, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

    Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Jasper Jeffers, ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – përfshirë Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar se do të angazhojnë trupa, me qëllim të ofrimit të sigurisë në Gazë.

  • Çmimet e naftës rriten sërish

    Çmimet e naftës rriten sërish

    Çmimet e naftës u rritën lehtë të enjten në mëngjes në tregjet aziatike, pasi kishin rënë ndjeshëm kur SHBA ra dakord të ndalte sulmet ndaj Iranit për dy javë.

    Referenca globale, nafta Brent, u rrit me 2.2% në 96.70 dollarë (72.18 paund) për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate u rrit me 2.8% në 96.90 dollarë.

    Plasaritjet në armëpushimin e kushtëzuar kanë filluar të shfaqen pasi Izraeli vazhdoi të kryejë sulme ndaj Libanit.

    Brent fillimisht ra me 15% në pak nën 92 dollarë për fuçi të mërkurën pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump, megjithëse çmimet u rritën pak më vonë gjatë ditës.

    Çmimet e naftës janë ende shumë më të larta se sa ishin para fillimit të luftës më 28 shkurt

  • Irani publikon udhëzimet e navigimit për Ngushticën e Hormuzi, tarifojnë në Bitcoin

    Irani publikon udhëzimet e navigimit për Ngushticën e Hormuzi, tarifojnë në Bitcoin

    Anijet që planifikojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit duhet të përdorin rrugë alternative për të “respektuar parimet e sigurisë detare dhe për t’u mbrojtur nga përplasjet e mundshme me minat detare”, tha Garda Revolucionare e Iranit në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore iraniane.

    Deklarata përshkruan më tej rrugët alternative, së bashku me një hartë që i tregon ato. Anijet që hyjnë nga Deti i Omanit duhet të lundrojnë në veri të ishullit Larak dhe pastaj të vazhdojnë drejt Gjirit Persik.

    Anijet që udhëtojnë në drejtim të kundërt duhet të dalin nga Gjiri Persik, të kalojnë në jug të Ishullit Larak dhe të vazhdojnë drejt Detit të Omanit. Udhëheqësit iranianë kanë njoftuar një plan të fokusuar në Bitcoin për të ruajtur kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, duke u lejuar cisternave të naftës të vazhdojnë trafikun normal përmes kësaj rruge ujore vendimtare.

    Qeveria iraniane do të ngarkojë një tarifë prej 1 dollari për çdo fuçi nafte që kalon nëpër ngushticë, dhe kjo tarifë do të duhet të paguhet në Bitcoin, sipas një raporti të Financial Times të mërkurën.

    Çdo anije që dëshiron të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit do të duhet të njoftojë autoritetet iraniane me anë të email-it për përmbajtjen e ngarkesës së saj dhe më pas të presë për miratim. Pasi të marrin dritën jeshile, operatorët e anijeve do të kenë “disa sekonda” për të dërguar një pagesë Bitcoin në një portofol të kontrolluar nga Irani.