ATV

Category: Lajme

  • Hamza me rastin e Ditës së Kushtetutës: PDK mbetet e përkushtuar në respektimin dhe mbrojtjen e aktit më të lartë juridik

    Hamza me rastin e Ditës së Kushtetutës: PDK mbetet e përkushtuar në respektimin dhe mbrojtjen e aktit më të lartë juridik

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Hamza theksoi se Kushtetuta përbën aktin më të lartë juridik të shtetit, mbi të cilin mbështetet rendi demokratik dhe garantohet mbrojtja e të drejtave të çdo qytetari.

    “Kushtetuta mbetet udhërrëfyesi ynë për ndërtimin e një shteti ligjor, të drejtë dhe të barabartë”, është shprehur Hamza.

    Ai, po ashtu, theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të Kushtetutës në çdo rrethanë.

    “Në këtë ditë të rëndësishme, riafirmojmë përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për respektimin dhe mbrojtjen e këtij akti në çdo kohë dhe rrethanë. Gëzuar Dita e Kushtetutës!”, ka përfunduar Kryetari Hamza.

  • Kurti udhëton për në Londër, Dejona Mihali njofton për një diskutim atje për “shtetformimin ekonomik dhe stabilitetin global”

    Kurti udhëton për në Londër, Dejona Mihali njofton për një diskutim atje për “shtetformimin ekonomik dhe stabilitetin global”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të marrë pjesë sonte në një diskutim të organizuar në Londër nga ODI Global, një institut për kërkime dhe politika zhvillimore.

    Lajmi u bë i ditur nga koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, e cila njoftoi përmes një postimi se tema e diskutimit do të jetë “Shtetformimi ekonomik dhe stabiliteti global”.

    “Sonte në Londër. “Shtetformimi ekonomik dhe stabiliteti global”, diskutim në ODI Global në Londër. Pjesëmarrës në diskutim Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, shkroi Mihali në një postim në Facebook.

    Diskutimi në Londër do të jetë i hapur për pjesëmarrje fizike dhe online për publikun e interesuar, për të cilën gjë njoftoi edhe Mihali.

  • “S’ka Hoxhë që s’kam marrë mësime prej tij” – Eman Rrahmani rrëfen rrënjët e besimit dhe edukatës fetare, e falënderon nënën

    “S’ka Hoxhë që s’kam marrë mësime prej tij” – Eman Rrahmani rrëfen rrënjët e besimit dhe edukatës fetare, e falënderon nënën

    Deputeti Eman Rrahmani ka folur hapur për përkushtimin e tij ndaj fesë dhe ndikimin vendimtar që ka pasur familja në formimin e tij shpirtëror. Në emisionin “LIBERO”, ai theksoi se bazat e edukatës fetare i ka marrë që në fëmijëri, falë nënës së tij.

    “S’ka hoxhë prej të cilit s’kam marrë mësime,” u shpreh Rrahmani, duke nënvizuar se rrugëtimi i tij fetar është ndërtuar si nga mësimet e dijetarëve fetarë, ashtu edhe nga edukimi i hershëm familjar.

    Ai veçoi rolin e nënës si thelbësor në këtë proces, duke thënë: “Unë edukatën fetare, mësimet fetare dhe gjithçka që kam, e kam pikërisht prej nanës. Mua si fëmijë më ka eduku në frymë fetare – çka është e lejueshme dhe çka nuk është, çka është e dashur për Zotin, për nanën, për prindin, për secilin.”

    Rrahmani shtoi se nga kjo edukatë ka mësuar parimet bazë të drejtësisë dhe të së mirës, duke e konsideruar këtë trashëgimi si themelin e karakterit dhe bindjeve të tij.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Eman Rrahmanit, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Nafta sërish ngritet në Kosovë, ministria publikon çmimet për sot

    Nafta sërish ngritet në Kosovë, ministria publikon çmimet për sot

    Çmimi maksimal i naftës (dizelit) në Kosovë është rritur për dy cent krahasuar me ditën e djeshme.

    Sipas njoftimit nga Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimet e derivateve për sot 9 prill janë si vijon: Nafta (dizel): 1.91 euro/litër, Benzina: 1.46 euro/litër dhe Gas: 0.82 euro/litër.

    Kjo rritje vjen në një periudhë ku çmimet e derivateve të naftës po shfaqin luhatje, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e transportit dhe jetesës në vend.

    Ndërkaq çmimet globale të naftës kanë rënë ndjeshëm dhe tregjet e aksioneve janë rritur, pasi SHBA-të dhe Irani ranë dakord për një marrëveshje armëpushimi me kusht dyjavor.

  • “Nga një foto për dokumente te 300 selfie në WC” – Gani Ibërdemaj flet për fotografinë moderne

    “Nga një foto për dokumente te 300 selfie në WC” – Gani Ibërdemaj flet për fotografinë moderne

    Fotografi Gani Ibërdemaj në emisionin “LIBERO” ka ndarë një reflektim mbi transformimin drastik të artit të fotografisë ndër vite, duke krahasuar disiplinën e dikurshme me realitetin e sotëm digjital.

    Ai kujtoi se në të kaluarën çdo fotografi kishte peshë dhe kosto:
    “…Na, për dokumente, e kemi fotografu dikë vetëm një herë. Vetëm nëse e kemi vërejt që i ka mbyll sytë, e kemi bë edhe një tjetër. Sepse filmi, zhvillimi dhe letra kushtonin…”, u shpreh ai.

    Sipas Ibërdemajt, sot fotografia është bërë e pakufizuar dhe shpesh pa kriter. Ai kritikon fenomenin e fotografimit të tepërt, sidomos me telefona mobilë:
    “…Sot vajzat tona e kanë shndërru çdo WC e banjo hoteli në studio fotografie. Marrin telefonin dhe bëjnë 200-300 fotografi pa harxhu asgjë…”

    Fotografi thekson se dikur suksesi në këtë profesion varej nga njohja e teknikave dhe rregullave bazë, ndërsa sot teknologjia e ka lehtësuar gjithçka, por edhe e ka zbehur vlerën e mjeshtërisë:
    “Atëherë ose ke ditë me fotografu, ose s’ke ditë. Çdo profesion i ka rregullat e veta. Nëse nuk i ke ditë, kot je mundu.”

    Rrrjetet sociale dhe teknologjia a e kanë ndryshuar raportin e njerëzve me fotografinë – nga një art i menduar mirë, në një aktivitet të përditshëm masiv?

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Gani Ibërdemajt, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Vritet dora e djathtë e Hezbollahut, njofton Izraeli

    Vritet dora e djathtë e Hezbollahut, njofton Izraeli

    Ushtria izraelite ka thënë se ka vrarë sekretarin e kreut të grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani.

    Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se Ali Yusuf Harshi, nipi i Naim Qassem, u vra në një sulm ajror gjatë natës në Bejrut.

    “Harshi ishte një bashkëpunëtor i ngushtë dhe këshilltar personal i Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Naim Qassem, dhe luajti një rol qendror në menaxhimin dhe sigurimin e zyrës së tij”, tha IDF.

    “Gjatë natës, IDF goditi dy kalime kyçe të përdorura nga terroristët dhe komandantët e Hezbollahut për lëvizje nga veriu në jug të lumit Litani në Liban për të transferuar mijëra armë, raketa dhe lançues”, shtoi ajo.

    Rreth 10 depo armësh, lansues dhe qendra komande u goditën gjithashtu në Libanin jugor, sipas IDF.

    Siç raportohet, sulmet izraelite vranë të paktën 254 persona në të gjithë Libanin dje.

    Bombardimet intensive goditën zonat e banuara, përfshirë Bejrutin, ku u vranë 91 persona.

  • Sulm me dronë ndaj tubacionit të naftës saudite në Detin e Kuq

    Sulm me dronë ndaj tubacionit të naftës saudite në Detin e Kuq

    Në mbrëmjen e 8 prillit 2026, një tubacion shumë i rëndësishëm i naftës në Arabinë Saudite, i njohur si East‑West Pipeline, u godit nga një sulm me dronë.

    Tubacioni shtrihet për 1 200 kilometra, duke lidhur fushat e naftës në Gjirin Persik me portin Yanbu në Detin e Kuq. Sulmi goditi një stacion pompues, i cili ka pësuar dëmtime të konfirmuara, ndërsa kompania shtetërore Aramco nuk ka dhënë koment zyrtar mbi ngjarjen.

    Incidenti ndodhi rreth orës 1 të mëngjesit, në të njëjtën kohë kur presidenti Trump njoftonte një armëpushim 2-javor me Iranin. Ky tubacion është bërë një arterie jetike për eksportin e naftës saudite, pasi Ngushtica e Hormuzit është praktikisht e mbyllur për anijet tregtare.

    Mbyllja e Hormuzit ka bllokuar shumicën e furnizimeve drejt Azisë dhe Evropës, duke e bërë tubacionin East‑West një “plan B” për sigurimin e rrjedhës së energjisë. Ai mund të transportojë rreth 5‑7 milionë fuçi naftë në ditë, dhe është i ndërtuar për të shmangur rreziqet e zonës së Gjirit Persik, ku tensionet me Iranin janë të larta.

    Përgjegjësia e sulmit nuk është konfirmuar, por ekspertët përmendin si mundësi faktin se agresorët janë milicitë e Houthit nga Jemeni, të cilët kanë kryer sulme të ngjashme më parë.

    Disa media nuk përjashtojnë mundësinë që sulmi të ketë lidhje me operacione të Iranit kundër infrastrukturave energjetike saudite, për shkak të tensioneve të vazhdueshme në rajon. Ndërkohë, ky sulm ka ngritur alarm në tregjet globale të energjisë, duke rritur shqetësimet për furnizimin e naftës dhe stabilitetin e çmimeve ndërkombëtare.

    Tubacioni East‑West ishte ndërtuar në vitet ‘80 për të shmangur rreziqet e luftës Iran-Irak, dhe tani shërben si një alternativë kyçe për transportin e naftës drejt Detit të Kuq dhe tregjeve ndërkombëtare. Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm gjeopolitik, ku tensionet në Gjirin Persik, konflikti në Jemen, dhe marrëveshjet e fundit të tregtisë me Iranin ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë energjetike globale.

  • Haxhiu kujton masakrën në Lagje të Re dhe në Rakoc: Sakrifica e dëshmorëve e martirëve duhet të ruhet e plotë

    Haxhiu kujton masakrën në Lagje të Re dhe në Rakoc: Sakrifica e dëshmorëve e martirëve duhet të ruhet e plotë

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 9 prillin e vitit 1999, një nga ditët më të rënda të luftës në Kosovë.

    Në një postim në Facebook, ajo ka nderuar të rënët e asaj dite, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtimit dhe sakrificës së tyre.

    “Në mesin e tyre kishte burra dhe gra, por edhe djem dhe vajza të reja, që nuk zgjodhën të tërhiqen përballë dhunës, por të qëndrojnë. Emra si Luminije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu dhe Mukadeze Muhaxheri-Lika mbeten dëshmi se sakrifica për liri nuk ka qenë kurrë e njëanshme, por e përbashkët, e barabartë dhe e pakushtëzuar. Sot, 27 vjet më pas, i kujtojmë me nderim të gjithë të rënët e 9 prillit, me përgjegjësinë që kjo sakrificë të ruhet e plotë, ashtu siç ishte edhe qëndresa e tyre. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, shkroi Haxhiu.

  • Kosovarët, turistët kryesorë në Shqipëri, përbëjnë 41% të totalit të hyrjeve

    Kosovarët, turistët kryesorë në Shqipëri, përbëjnë 41% të totalit të hyrjeve

    Turistët nga Kosova mbajnë primatin e vizitave në muajt e parë të vitit në Shqipëri

    Të dhënat e 2-mujorit të parë 2026 tregojnë rritje të lehtë nga Kosova dhe Itali, ndërsa tregjet që shënuan bum në 2025 po shfaqin rënie, përcjell albinfo.ch.

    Dy muajt e parë të vitit 2026 nuk kanë sjellë një nisje të fortë për turizmin, ku janari u shoqërua me tkurrje prej 1.5% të hyrjeve të të huajve, ndërsa shkurti shënoi vetëm një rritje minimale. Sipas turoperatorëve, ndikim të drejtpërdrejtë në këtë ecuri ka pasur moti i paqëndrueshëm, megjithëse jo të gjitha grupet e vizitorëve janë prekur njësoj.

    Të dhënat sipas shteteve tregojnë se Kosova ka vijuar të jetë mbështetësi kryesor i fluksit turistik. Shtetasit nga Kosova përbëjnë 41.4% të totalit të hyrjeve dhe në janar-shkurt kanë shënuar një rritje prej rreth 2.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Në vendin e dytë renditen italianët, të cilët përbëjnë 13.2% të totalit dhe kanë shënuar një nga rritjet më të larta për këtë periudhë, me 11.7% më shumë hyrje në raport me 2-mujorin e vitit 2025. Rritje kanë pasur edhe hyrjet nga Greqia, me 2.5%, treg i cili, njësoj si Italia, ndikohet edhe nga prania e emigrantëve shqiptarë.

    Në total, për dy muajt e parë të vitit janë regjistruar mbi 93 mijë hyrje.

    Rënie për Gjermaninë dhe Francën, pas rritjes së fortë në 2025

    Ndryshe nga tregjet që mbajtën peshën kryesore të turizmit, disa nga vendet europiane që shënuan rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar po shfaqin rënie.

    Në janar-shkurt 2026, në Shqipëri kanë hyrë 16.5 mijë shtetas gjermanë, me një rënie prej 5.5%krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Më e theksuar ka qenë rënia e vizitorëve nga Franca, me 13.9% më pak hyrje.

    Gjermanët dhe francezët konsideroheshin “risia” e vitit 2025, pasi shënuan rritje dyshifrore, por kjo tendencë duket se është përmbysur në fillim të këtij viti.

    Edhe vende të tjera europiane në rënie

    Rënie është shënuar edhe për Poloninë, me 4.8% më pak hyrje sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Po ashtu, tkurrje kanë pasur edhe tregje të tjera si Kroacia, Zvicra, Holanda, Suedia, Çekia, Austria, Hungaria dhe Sllovakia.

    Turoperatorët presin rikthim të trendit rritës në pranverë

    Pavarësisht sinjaleve të zbehta të dy muajve të parë, turoperatorët theksojnë se kjo periudhë nuk përfaqëson domosdoshmërisht ecurinë e plotë të vitit. Sipas tyre, me përmirësimin e kushteve të motit dhe gjallërimin e tureve kulturore, pritet që fluksi i turistëve të rikthehet në trendin rritës.

    Pritshmëritë janë që viti 2026 të ndjekë të njëjtën rritje të vitit 2025, kur u regjistruan 12.4 milionë hyrje.

    Ndërkohë, turizmi i organizuar pritet të nisë fluturimet e para për sezonin veror në fund të majit për zonën e Golemit, ndërsa për Vlorën në qershor, megjithëse mbetet ende e paqartë data e hapjes së aeroportit.

  • Kërcënoi punëtorët gjatë kryerjes së punimeve, arrestohet një person në Gjilan

    Kërcënoi punëtorët gjatë kryerjes së punimeve, arrestohet një person në Gjilan

    Një person është arrestuar në Gjilan nën dyshimin për veprat penale “vetëgjyqësi” dhe “kanosje”, pasi ka penguar zhvillimin e punimeve në një pronë private.

    Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur, më 8 prill 2026 rreth orës 08:30, ku i dyshuari mashkull kosovar ka ndërhyrë dhe ka kanosur punëkryesit e angazhuar nga ankuesi për rregullimin e rrjetit të kanalizimit.

    “Gjilan / 08.04.2026 – 08:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka penguar dhe kanosur punë kryesit e angazhuar nga ankuesi mashkull kosovar për rregullimin e rrjetit të kanalizimit, për të cilat ankuesi posedon leje për kryerjen e punimeve. Me vendim të prokurori, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.