ATV

Category: Lajme

  • Fillon seanca e Kuvendit – në rend dite 12 pika

    Fillon seanca e Kuvendit – në rend dite 12 pika

    Ka nisur me gati një orë vonesë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës në të cilën janë paraparë 12 pika të rendit të ditës.

    Në këtë seancë janë paraparë edhe votimi i dy rezoluta nga opozita.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i rendit të ditës,

    2. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    3. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    4. Pyetjet parlamentare,

    5. Votimi i Projektligjit nr. 10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës,

    6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika,

    7. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-017 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfË, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën,

    8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0,

    9. Votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftë, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabiliteti ekonomik i vendit,

    10. Zgjedhja e 1 (një) anëtari Joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës,

    11. Shqyrtimi i “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”,

    12. Propozimi i grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

  • Çeku: S’kam mundur t’i përcillja zhvillimet e fundit për shkak të punës së madhe në ministri

    Çeku: S’kam mundur t’i përcillja zhvillimet e fundit për shkak të punës së madhe në ministri

    Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hajrullah Çeku para fillimit të seancës së kuvendit ka thënë se para deputetëve do ta paraqes Projektligjin për maturën shtetërore.

    “Unë jam ministër i Arsimit, siç mund ta dini tashmë. Sot para deputetëve do të paraqes Projektligjin për provimin e maturës shtetërore, besoj një projektligj i rëndësishëm për nxënësit tanë, për prindërit dhe për të gjithë sistemin arsimor. T’ju them të drejtën, për shkak të vëllimit të punëve atje në ministri, nuk kam mund t’i përcillja shumë zhvillimet e fundit dhe ata që kanë qenë të angazhuar në këto çështje i dinë hollësitë më mirë se unë dhe besoj që janë personat më adekuatë për t’i pyetur”, tha Çeku.

    Qeveria e Republikës së Kosovës më tre prill, në mbledhjen e saj ka miratuar Projektligjin për provimin e maturës shtetërore, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e cilësisë dhe besueshmërisë së sistemit arsimor në vend.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti theksoi se përmes këtij projektligji vendoset një standard i ri i seriozitetit dhe meritokracisë në arsim, duke e konsoliduar provimin e maturës si një mekanizëm të drejtë dhe të besueshëm për të gjithë nxënësit. Sipas tij, kjo reformë i jep vlerë punës së nxënësve dhe i garanton shoqërisë një sistem arsimor më të drejtë, më të besueshëm dhe më konkurrues.

  • Behrami: Çështja e presidentit është e mbyllur, Kurti është njeri i prodhimit të krizave

    Behrami: Çështja e presidentit është e mbyllur, Kurti është njeri i prodhimit të krizave

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka deklaruar se çështja e presidentit të vendit është tashmë e mbyllur, duke theksuar se sipas tij kjo është vendosur nga kryeministri Albin Kurti.

    “Mendimi im personal është që kjo çështje është e mbyllur, meqë këtë temë e ka mbyllur zoti Kurti, presidenten e ka zgjedh, ajo është Albulena Haxhiu, ato do të mundohet ta mbajë jo vetëm dy muaj, tre muaj, po përtej gjashtë muajit i cili është i specifikuar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kështu që unë e shoh kështu rrjedhën, ai njeriun më lojal të vetin e ka në zyrën e presidentit dhe nuk i duhet as asnjë president tjetër”, tha ai.

    Behrami ka shtuar se vendi pritet të shkojë në zgjedhje, ndërsa ka akuzuar Kurtin për krijim të krizave politike, duke përmendur edhe qëndrimet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    “Po meqë kjo çështje është e mbyllur, meqë Kosova ka me shku në zgjedhje sipas interpretimit tim personal, ai mund të bëjë lojëra të tilla po që nuk kanë me pas efektin qysh e presin qytetarët. Pra ky njeri është për prodhimin e krizave dhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dje në Këshillin e Sigurimit e forcon edhe më shumë bindjen time që Albin Kurti sa më shpejt dëshiron zgjedhje që ti rikthehet edhe njëherë ushtruesit të detyrës së kryeministrit dhe e ka edhe ushtruesen e detyrës së presidentit edhe i tërë shteti i Kosovës do shndërrohet në një shtet UD, aty ai e gjen veten në këto kriza pra do të krijojë kriza, do të mundohet ti mirëmbajë këto kriza”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

  • Oda Amerikane kërkon reforma urgjente, paralajmëron rreziqe nga pasiguria politike dhe mungesa e vendimeve fiskale

    Oda Amerikane kërkon reforma urgjente, paralajmëron rreziqe nga pasiguria politike dhe mungesa e vendimeve fiskale

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim për, siç e cilëson, brishtësinë institucionale dhe mungesën e konsensusit politik në vend, duke paralajmëruar pasoja në zhvillimin ekonomik dhe reformat strukturore.

    Në një deklaratë publike, Oda Amerikane thekson se pas një periudhe të zgjatur të bllokadave institucionale, ekziston rreziku që edhe viti 2026 të karakterizohet me progres të kufizuar në reformat ekonomike.

    “Pas pothuajse një viti të plotë të reformave të ndalura në vitin 2025, ekziston rreziku real që edhe viti 2026 mund të jetë një vit i progresit të kufizuar në aspektin e reformave”, thuhet në deklaratë.

    Sipas saj, pasiguria politike dhe qeverisja e dobët ekonomike po ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e investitorëve dhe në procesin e transformimit strukturor të ekonomisë.

    “Qeverisja e dobët ekonomike, e kombinuar me pasigurinë politike, minon momentumin e reformave, vonon transformimin strukturor dhe dobëson besimin e investitorëve”, thekson Oda Amerikane.

    Në deklaratë, po ashtu shprehet shqetësim për mungesën e rishikimit të politikave fiskale për karburantet, në kushtet e luhatjeve globale të çmimeve të energjisë.

    Oda Amerikane vlerëson se disa shtete kanë ndërmarrë masa lehtësuese për të zbutur ndikimin e krizave ndërkombëtare, ndërsa Kosova, sipas saj, rrezikon rritje të barrës mbi bizneset dhe konsumatorët.

    Në këtë kontekst, ajo i referohet edhe gjetjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili sipas deklaratës ka theksuar ngadalësim të rritjes ekonomike dhe ndikim të pasigurisë politike në treguesit makroekonomikë të vendit.

    “Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën thekson se pasiguria politike tashmë ka ngadalësuar rritjen, ka rritur inflacionin dhe ka dobësuar pozicionin e jashtëm të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

    Oda Amerikane thekson se stabiliteti institucional dhe parashikueshmëria e politikave mbeten elemente kyçe për përballimin e sfidave aktuale ekonomike.

    Në fund, ajo bën thirrje për forcim të dialogut publiko–privat, duke e konsideruar atë të domosdoshëm për hartim më efikas të politikave dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në vend.

  • Ishte në kërkim për një vrasje të kryer në vitin 2022, INTERPOL arreston shqiptarin në Kolumbi

    Ishte në kërkim për një vrasje të kryer në vitin 2022, INTERPOL arreston shqiptarin në Kolumbi

    Një shtetas shqiptar është arrestuar në Pereira të Kolumbisë pasi ishte në kërkim për një vrasje që nga viti 2022.

    Mediat e huaja bëjnë me dije se Florind Rama, i cili ishte në kërkim nga INTERPOL, u arrestua për një vrasje që ndodhi në Marbella të Spanjës.

    Sakaq, autoritetet kolumbiane po hetojnë lidhjet e shqiptarit me trafikantët kolumbianë të drogës në rajonin ku ai u arrestua./TCh/

  • Nagavci për çështjen e Presidentit: Do të vazhdojmë me takime gjatë fundjavës

    Nagavci për çështjen e Presidentit: Do të vazhdojmë me takime gjatë fundjavës

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, para nisjes së seancës së sotme të Kuvendit tha se takimet për çështjen e presidentit do të zhvillohen në fundjavë.

    “Kryeministri sot ka një prezantim, është në Londër siç jeni në njohuri, ndërkohë që besoj që edhe gjatë fundjavës por edhe shumë shpejt do të vazhdojmë me takime”, ka deklaruar Nagavci.

    Nagavci, ka folur edhe për marrëveshjen e Bordit të Paqes e cila nuk është sjellë ende në Kuvend për ratifikim.

    Nagavci, beson se gjatë javës së ardhshme kjo marrëveshje do të diskutohet në komisionin përkatës dhe pastaj do të sillet në Kuvend për miratim.

    “Besoj që gjatë javës së ardhshme, me sa e di Komisioni do ta shqyrtojë në fillim të javës së ardhshme dhe sapo të shqyrtohet në komisionin funksional do të vij në Kuvend dhe do ta votojmë”, ka shtuar Nagavci.

  • Totaj: Po përmirësohet ndriçimi publik në Prizren, ndërhyrje në disa lagje të qytetit

    Totaj: Po përmirësohet ndriçimi publik në Prizren, ndërhyrje në disa lagje të qytetit

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar për përmirësimin e ndriçimit publik në qytet, duke theksuar se ndërhyrjet tashmë kanë nisur në disa zona.

    Përmes një postimi në Facebook, Totaj ka bërë të ditur se ky proces po realizohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.

    “Ndriçimi publik në Prizren po përmirësohet çdo ditë”, ka shkruar Totaj.

    Ai ka theksuar se ndërhyrjet kanë përfshirë rikthimin e ndriçimit në zonën përreth Bajrakli Xhamisë, si dhe në disa rrugë të qytetit.

    “Së fundmi, është rikthyer ndriçimi në zonën përreth Bajrakli Xhamisë si dhe në rrugët ‘Mehmet Pasha’, ‘Shefki Koqinaj’, ‘Ardian Zurnaxhiu’ dhe ‘12 Qershori’, duke rritur kështu sigurinë dhe lehtësuar lëvizjen për qytetarët”, ka deklaruar ai.

    Sipas tij, punimet do të vijojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit, me qëllim që të sigurohet ndriçim i rregullt dhe cilësor në çdo lagje.

    “Punimet do të vazhdojnë edhe në zona të tjera, në mënyrë që çdo lagje të ketë ndriçim të rregullt dhe cilësor”, ka theksuar Totaj.

  • Thaçi: Për herë të parë të gjitha fshatrat e Obiliqit përfshihen në transportin publik

    Thaçi: Për herë të parë të gjitha fshatrat e Obiliqit përfshihen në transportin publik

    Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka bërë të ditur se të gjitha fshatrat e komunës tashmë janë përfshirë në sistemin e transportit publik.

    Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se ky është një hap që siguron lidhjen e çdo zone me qytetin.

    “Një tjetër premtim i mbajtur. Për herë të parë, kemi përfshirë të gjitha fshatrat në transportin publik”, ka shkruar ai.

    Ai ka theksuar se përmes këtij sistemi, edhe zonat që më parë nuk kanë pasur qasje në transport tani do të lidhen me qendrën urbane.

    “Sot, edhe ato zona që nuk kanë pasur kurr qasje në transport, do lidhen me qytetin”, ka deklaruar Thaçi.

    Sipas tij, funksionimi i linjave do të mbështetet përmes subvencionimit për kilometër, me qëllim ofrimin e një shërbimi më të rregullt dhe cilësor.

    “Përmes subvencionimit për kilometër, po sigurojmë që operatorët të ofrojnë shërbim të rregullt dhe cilësor, duke garantuar që transporti publik të jetë në funksion të çdo qytetari”, ka theksuar ai.

  • Vitia: Hapet rruga për ndërtimin e Qendrës Emergjente në QKUK

    Vitia: Hapet rruga për ndërtimin e Qendrës Emergjente në QKUK

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se është hapur rruga për ndërtimin e Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Vitia ka thënë se projekti ka kaluar sfidat dhe tashmë ka marrë dritën e gjelbër për vazhdimin e punimeve.

    “Hapet rruga për ndërtimin e Qendrës Emergjente në QKUK”, ka shkruar ai.

    Ai ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë me realizimin e projektit pas miratimeve përkatëse.

    “Pas shumë sfidave, i është dhënë dritë e gjelbër Ministrisë për vazhdimin e punimeve”, ka deklaruar Vitia.

    Sipas tij, sot është nënshkruar kontrata për realizimin e projektit, i cili pritet të përfundojë brenda 30 muajve.

    “Sot kam nënshkruar kontratën, sipas së cilës Qendra Emergjente pritet të përfundojë brenda 30 muajsh”, ka bërë të ditur ai.

  • Ndërhyrje e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit në Gjilan, inspektorët shqiptojnë gjobë 300 euro

    Ndërhyrje e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit në Gjilan, inspektorët shqiptojnë gjobë 300 euro

    Inspektorët e Komunës së Gjilanit kanë shqiptuar gjobë ndaj një qytetari, pasi është konstatuar ndërhyrje e paautorizuar në infrastrukturën komunale në rrugën “Qarkore”.

    Sipas njoftimit të Drejtoratit për Inspekcion, rasti është inicuar pas një ankese nga një qytetar, i cili kishte raportuar dëmtim të gypave të ujësjellësit dhe kanalizimit në këtë zonë.

    Pas daljes në terren, inspektorët kanë verifikuar se në rrjetin e ujit dhe kanalizimit është ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme, duke prerë gypat ekzistues.

    Për këtë shkelje, pala përgjegjëse është ndëshkuar me gjobë në vlerë prej 300 eurosh.

    Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se pala tjetër e përfshirë në rast ka poseduar leje për lidhje në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.

    Drejtoriati për Inspekcion u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe të mos ndërhyjnë në infrastrukturën publike pa leje, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ndërmerren masa ndëshkuese.