ATV

Category: Lajme

  • Rama paralajmëron bizneset në Vlorë: Mos abuzoni me çmimet

    Rama paralajmëron bizneset në Vlorë: Mos abuzoni me çmimet

    Çmimet nuk i vendos qeveria, por tregu. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me operatorët turistikë në Vlorë, ku nënvizoi se investimet në këtë industri kërkojnë vizion e strategji të qëndrueshme.

    “Shqipëria do të ketë mundësi të tërheqë më shumë edhe jashtë sezonit në vjehstë nëse do të jetë e përgatitur për këtë. Në këto muaj ka pasur një rritje dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë situatë. Çmimet nuk i vendos qeveria dhe qeveritë nuk kanë asnjë instrument për të kontrolluar e imponuar çmimet. Çmimet i vendos tregu, por në këtë industri i vendos vizioni strategjik i juaji për fatin e investimeve tuaja nëse po bëni inevstime vërtet masive e ambicioze. Një pjesë e juaja po punojnë me arkitekt të huaj. Hoteleria e ka investimin e madh por të ngadaltë duhet të mendoni për fatin e këtyre investimeve. Qëllimi është të lexojmë çfarë iu ka ndodhur të tjerëve”.

    Ai paralajmëroi bizneset që të mos abuzojnë me çmime të larta dhe shërbime të dobëta. Sipas tij, një qasje e tillë mund të dëmtojë imazhin e destinacionit dhe të kthehet në “bumerang” për investimet, duke larguar turistët në favor të vendeve si Greqia, Turqia apo Kroacia.

    “Në momentin kur befas janë gjendur përpara rezultatit të hapjes dhe transformimit në një destinacion të caktuar kanë vepruar si të dehur, duke ofruar shërbime të dobëta dhe çmime të larta. Dhe si rezultat i fluksit që u është gjendur përpara kanë pasur mendjen e ngushtë që njerëzit do ti kenë aty dhe kanë filluar të investojnë. Të investojnë për më shumë por duke kërkuar shumë. Çfarë u ka ndodhur, u kanë mbetur në derë investimet se nuk kanë ardhur njerëzit. Nëse Vlora merr njollën e vendit ku paguan më shumë sesa të ofrohet dhe ku paguan më shumë se duke shkuar në Greqi Turqi e Kroaci ju i keni bërë gropën vetes. Flas për gropën e investimeve. Duhet strategji afatmesme se do merrni një fitim të arsyeshëm dhe jo atë që do i merrni në moment se do t’u kthehet në bumerang”.

    Rama nënvizoi se investimet në hoteleri janë afatgjata dhe kërkojnë strategji të qëndrueshme, jo fitime të shpejta. Ai shtoi se Vlora ka potencial të zhvillohet si destinacion ndërkombëtar, ku mund të jetojnë edhe të huaj, duke përmendur sigurinë si një nga avantazhet kryesore të Shqipërisë.

    “Qeveria nuk vendos çmimet por po u flas disa të vërteta si dikush që e do këtë qytet dhe dua që çfarë kemi mbjellë ta korrim jo në një stinë por për gjenerata. Vlora ka të gjitha mundësitë si qytet në Portugali në Spanjë, Turqi ku të vijnë të jetojnë edhe plot të huaj, është plotësisht e mundur. Shqipëria është një vend ku jetohet me siguri Dje isha në Dhërmi me disa miq, jo me Ivankën se e bënë sikur vjen në Vlorë çdo 2 muaj do vijë ajo çdo dy muaj por nuk jemi akoma në këtë fazë”, raporton A2CNN.

  • Për katër muaj, shtatë persona humbën jetën në vendin e punës në Kosovë

    Për katër muaj, shtatë persona humbën jetën në vendin e punës në Kosovë

    Rastet e humbjeve të jetës në vendin e punës vazhdojnë të mbeten shqetësuese në Kosovë, duke ngritur alarmin për mungesën e kushteve të duhura të sigurisë për punëtorët.

    Vetëm gjatë periudhës nga janari deri në muajin prill të këtij viti, janë regjistruar disa raste fatale që lidhen drejtpërdrejt me vendin e punës.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, Jusuf Azemi për Klankosova ka bërë të ditur se numri i viktimave ka arritur në shtatë brenda këtyre muajve të parë të vitit.

    Sipas tij, kjo situatë është tregues i qartë se standardet e sigurisë në punë nuk po respektohen në nivelin e duhur nga kompanitë.

    Ai ka theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi pronarët e kompanive, të cilët duhet të sigurojnë kushte të sigurta për punëtorët, në përputhje me ligjet në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë.

    “Janë 7 persona. Duhet pronarët e kompanisë ta zbatojnë ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin”, tha ai.

    Në të njëjtën kohë, Azemi ka kërkuar angazhim më të madh nga institucionet përgjegjëse, duke vënë theksin te roli i Inspektoratit të Punës.

    Sipas tij, ky institucion duhet të jetë më rigoroz në mbikëqyrje dhe të shmangë çdo tolerim ndaj shkeljeve që rrezikojnë jetën e punëtorëve.

    “Inspektorati duhet krye punen e vetë, jo të bëj lëshime”, është shprehur ai.

    Së fundmi, në Ferizaj ka vdekur një person, pasi dyshohet se ka rënë nga kati i shtatë i një objekti që ishte në ndërtim.

    Ky rast e ka çuar në shtatë numrin e atyre që kanë humbur jetën në vendin e punës, vetëm gjatë periudhës katërmujore të këtij viti.

  • Magyar për Gruevskin: Nuk do të jemi deponi e kriminelëve

    Magyar për Gruevskin: Nuk do të jemi deponi e kriminelëve

    Ndërkohë mandatari i ardhshëm hungarez Peter Magyar paralajmëroi deportimin e ish kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski.

    Në një konferencë shtypi, Magyar i pyetur nga gazetarët për dy ish ministra polakë, të kërkuar për korrupsion nga qeveria e re e Polonisë, ndërsa gjetën strehim dhe morën azil në Hungari, tha se ata, përfshi dhe Gruevskin nuk do të qëndrojnë gjatë në Hungari.

    “Hungaria nuk do të bëhet deponi për kriminelë të kërkuar ndërkombëtar. Kjo vlen jo vetëm për ish ministrat polakë, por edhe për Nikolla Gruevskin. Në fund të fundit ai është ish kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe kriminel I kërkuar”, tha Magyar.

    Ish kryeministri Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur pas vendimit të plotfuqishëm për rastin “Tank” u dënua me 2 vjet burg. Gruevski mori azil në Hungari në bazë të pohimeve se është politikisht i përndjekur nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev.

    Në vitin 2019, Hungaria zyrtarisht e refuzoi kërkesën e Maqedonisë së Veriut për ekstradim./Alsat/

  • Azemi thotë se pasi kanë nisur hetimet për njehsorët elektrikë, ka filluar ndërrimi i tyre duke u fshehur provat

    Azemi thotë se pasi kanë nisur hetimet për njehsorët elektrikë, ka filluar ndërrimi i tyre duke u fshehur provat

    Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se pasi kanë filluar njëtimet për skandalin me njehsorët elektrikë, kanë fillluar që të ndërrohen ato.

    Azemi ka thënë se kjo është fshehje e provave që nënkupton vepër penale.

    Ai ka thënë se njehsorët duhet të hetohen në laboratorë të pavarur.

    “Pasi e zbuluam skandalin me njehsorët elektrikë, hetimet kanë nisur. Por në vend se të ruhen provat, KEDS dhe Ministria po i ndërrojnë njehsorët e vjetër dhe po rrezikojnë fshehjen e manipulimeve. Fshehja e provave është vepër penale. Njehsorët duhet të hetohen në laboratorë të pavarur, jo nga ata që dyshohen për hajninë”, ka thënë ai.

  • Fatban Bunjaku emërohet zëvendësministër në MINT

    Fatban Bunjaku emërohet zëvendësministër në MINT

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Fatban Bunjakun në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njofton ZKM.

    Në njoftim thuhet se “Kryeministri Kurti e uroi z. Bunjaku për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”.

  • Kryetarja e Preshevës: Serbia po përdor metoda moderne të spastrimit etnik të shqiptarëve në Luginë

    Kryetarja e Preshevës: Serbia po përdor metoda moderne të spastrimit etnik të shqiptarëve në Luginë

    Kryetarja e komunës së Presheva, Ardita Sinani, ngriti alarmin nga Tirana, ku ndodhet për samitin e diasporës, për përkeqësimin e situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nga studio e Ditarit të pasdites me Pandi Gjatën në A2 CNN, Sinani theksoi se po përdoren metoda moderne të spastrimit etnik në heshtje, që po çojnë në zbrazjen e tre komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

    “Tani shtypja e shkeljes sistematike ka filluar me përmasë të madhe. Serbia po përdor metoda moderne të spastrimit etnik në heshtje, duke nxitur një shpërngulje të madhe jo vetëm me pasivizimin, por më e fundit që është shumë shqetësuese dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak” tha ajo.

    Sipas saj, diskriminimi serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës ëhstë edhe në aspektin ekonomik e financiar, teksa përmendi edhe mungesën e investimeve dhe pengesat për bizneset vendore dhe investitorët e huaj.

    “Serbia tenton të përjashtojë shqiptarët nga çdo nivel aty ku kërkohet drejtësi, barazi, zhvillim ekonomik, kufizon me mjete financiare, nuk ka rritur transfertat në nivelin qeveritar ndaj komunave. Përkundrazi na obligon që të rrisim pagat. Është dashur që këtë vit edhe të rrisim diku 35% më tepër të shtohet pozicioni i pagave. Shpenzimet janë shtuar, ndërsa investimet kapitale, por edhe mjetet e dedikuara nga niveli qëndror jo vetëm që i kufizon, por edhe i shkurton. Realisht mund të them që vetëm në këtë periudhë diku prej 91 milionë dinarëve, kemi konkurruar si komunë e Preshevës në ministritë përkatëse të linjave me projekte të ndryshme infrastrukturore dhe nga ato vetëm 9.5% janë realizuar. Shifrat flasin vetë shkallën e diskriminimit jo vetëm të aspektit social, por edhe të atij ekonomik. edhe mospërfillja apo dhe mospërkrahje e bizneseve vendore. Dhe pavarësisht pozitës gjeostrategjike me të cilën gjendet komuna Preshevës shtypja vazhdon në çdo nivel të jetës, jo vetëm në këtë të drejtave, por edhe të atij ekonomik edhe financiar, por edhe nuk i siguron klimë të përshtatshme për tërheqjen e investitorëve të huaj”.

    Sinani vlerësoi mbështetjen e Kosova dhe Shqipëria në ndërkombëtarizimin e çështjes, por kërkoi hapa më konkretë dhe koordinim më të madh mes Tiranës dhe Prishtinës për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në jug të Serbia.

    “Viteve të fundit kemi një ndihmë jashtëzakonisht shumë të madhe nga Republika e Kosovës, sidomos me funksionalizimin ose institucionalizimin e linjës buxhetore për luginën e Preshevës edhe Shqipëria, shteti shqiptar ka luajtur rol të rëndësishëm sidomos në afirmimin e pozitës së shqiptare të luginës së Preshevës në vendet kyçe, sidomos në Uashington, në Parlamentin e Evropës, në Këshillin e Evropës duke sensibilizuar pozitën tonë, duke paraqitur gjendjen e sidomos me pasivizimin e adresave që kanë ngritur zërin dhe kanë paraqitur, kanë argumentuar çështjen e pasivizimit. Por jo vetëm këto, të gjitha këto modele normal që duhet të jenë në koordinim dy shtetet tona. Dikur janë premtuar ndihma me libra në gjuhën shqipe. Pa dyshim edhe nga Shqipëria ka qenë një ndihmë për maternitetin e Preshevës. Mos gaboj unë pas vizitës së kryeministrit Rama. Çfarë ka nevojë në luginën e Preshevës nga Tirana edhe nga Prishtina apo kryesisht nga Tirana se dhe Prishtina është në është në një pozitë edhe të paqartë për shkak të raportit mes Kosovës edhe Serbisë për një marrëveshje të pambyllur. Raportet e miqësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë normal që duhet të konkretizohen dhe në avancimin e të drejtave, pavarësisht aspektit financiar. Është shumë e rëndësishme dhe jetike ndihma të cilën po e jep shteti i Republikës së Kosovës, e cila nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq intensive dhe në një vlerë kaq të lartë. Këto shembuj normal që duhet të merren jo vetëm nga shteti i Shqipërisë por edhe nga diaspora, apo dhe nga Maqedonia e Veriut domethënë është për t’u vlerësuar”, tha ajo.

    Ajo paralajmëroi se, pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara ndër vite, Beogradi nuk i ka zbatuar ato, ndërsa situata aktuale është më e rëndë se dekada më parë.

    “Kur e përmenda se Beogradi ka përfaqësuesit e zgjedhur të Luginës së Preshevës të nënshkruar me ndërmjetësim faktorin ndërkombëtar tre marrëveshje të vitit 2001, marrëveshjen e Konçurit të vitit 2009 të bashkërendimit të trupit koordinues dhe plani shtatë pikësh të 2013-s, jo që nuk ka implementuar, por gjendja është përkeqësuar realisht mund të themi se pozita shqiptare e luginës së Preshevës është më e vështirë, më e keqe dhe më e rënduar se në vitet ‘70”, tha ajo.

    Në prag të zhvillimeve politike në Serbi, Sinani theksoi nevojën që faktori politik shqiptar të bashkohet për të siguruar përfaqësim më të fortë në parlament, ndërsa shprehu skepticizëm për ndryshime të shpejta në politikën serbe ndaj shqiptarëve.

  • Sogojeva: Turizmi në rritje me 9.6%, kriza politike po dëmton bizneset

    Sogojeva: Turizmi në rritje me 9.6%, kriza politike po dëmton bizneset

    Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK), Hysen Sogojeva, ka bërë të ditur se sektori i turizmit në vend ka shënuar rritje, pavarësisht zhvillimeve globale dhe sfidave të brendshme, ndërsa ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të institucioneve për të mos dëmtuar bizneset.

    Sogojeva në një intervistë për Ekonomia Online tha se të dhënat e tremujorit të parë tregojnë një trend pozitiv.

    “E përmenda atje luftën në Iran e pastaj pjesë të tjera, e sidomos dhe kjo pjesa jonë e cila ka nganjëherë po ka një destabilizim të themi. Megjithatë, megjithatë është një lajm i mirë se në tremujorin e parë, do të thotë të këtij viti, prapë e kemi një rritje diku prej 9.6% (të turistëve) e sidomos muaji shkurt nëse e krahasojmë me muajin e kaluar. Edhe pse 2025-a llogaritet jo vetëm për Kosovë po për në botë llogaritet si numrin më të madh të turistëve që e kemi pasë, qarkullimin turistik në botë në 2025. Do të thotë e ka mbërri atë, atë shkallën më të lartë, do të thotë që e ka parashikuar se kjo parashikimi ka qenë deri në 2030-ën me qenë 1 miliard e 600 milionë. 1 miliard e 500, afërsisht 1 miliard e 600 milionë qarkullimi botëror është rritë qysh tani. Do të thotë dhe 2025-a është me shkallën më të lartë. Edhe në Kosovë, do të thotë përkundër krejt këtyre lëvizjeve, mos të themi ashtu negative, megjithatë e kemi një rritje. Është një lajm i mirë për Kosovën”, tha ai.

    Sogojeva theksoi se zhvillimi i sektorit privat ka ndikuar në përmirësimin e ofertës turistike.

    “Duke ju falënderuar sektorit privat, sot kemi një akomodim më të rehatshëm, do të thotë kemi kapacitetet turistike më të zhvilluara në krahasim me vitet e kaluara dhe kjo mundëson, përveç rekreacioneve, do të thotë turistike që i kemi, natyrore, kulturore edhe historike, megjithatë akomodimi edhe kjo pjesa rekreative e bizneseve hoteliere e bën të veten që të kemi kemi sa më shumë të interesuar për këtë pjesë. Në anën tjetër, Kosova e dini që ende është e paeksploruar, megjithatë ai 800 milionëshi i banorëve në Evropë, një përqindje veç ashtu vjen nga ana jonë, për shkak se jemi ende të paeksploruar”, tha ai.

    Ai kritikoi zvarritjen e çështjes së zgjedhjes së presidentit/es dhe mundësinë e shkuarjes përsëri në zgjedhje, duke e konsideruar të dëmshme për bizneset.

    “Kjo është për keqardhje sepse për të gjitha bizneset në përgjithësi në Kosovë, por edhe bizneset hoteliere dhe turistike, sa më vonë që t’i kemi ndërtimin e institucioneve, aq më keq është për bizneset. Sa më herët që ato ndërtohen edhe fillojnë me punuar, fillojnë me kryer aktivitetet e veta për të mirën e këtyre bizneseve, do të thotë është më e mirë edhe për bizneset. Është për keqardhje kjo, prandaj edhe ne si odë bëjmë apel që kjo punë të shtyhet, të ecet edhe të bëhet një zgjidhje që sa më parë të kemi institucione, pavarësisht a do të shkohet në zgjedhje apo nuk shkohet në zgjedhje, do të thotë me pasë institucione të mirëfillta edhe me pasë po ashtu një ministri e cila kishte me i rregulluar çështjet e turizmit në përgjithësi”, tha ai.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, muaji shkurt ka shënuar rritje të aktivitetit në sektorin e hotelerisë. Në total janë regjistruar 56,644 vizitorë, krahasuar me 51,795 në shkurtin e vitit 2025, që përfaqëson një rritje prej 9.4%.

    Nga këta, 24,416 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 32,228 të huaj, duke reflektuar rritje të interesit edhe nga jashtë. Numri i net-qëndrimeve ka arritur në 112,367, ku 60,513 i përkasin vizitorëve të huaj dhe 51,854 atyre vendorë.

    Rritje e ndjeshme është shënuar te vizitorët nga Gjermania me 3,175 turistë (+26.5%) dhe 6,851 net-qëndrime (+43.0%), si dhe nga Zvicra me 2,300 vizitorë (+7.3%). Ndërsa Shqipëria mbetet burimi kryesor i turistëve me 10,820 vizitorë, pavarësisht rënies prej 10.2%.

    Në anën tjetër, Turqia ka shënuar rënie të vizitorëve dhe net-qëndrimeve.

    Të dhënat tregojnë se përveç rritjes së numrit të vizitorëve, turistët e huaj po qëndrojnë më gjatë në Kosovë, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e sektorit të turizmit dhe hotelerisë.

    Ndërkohë, Turqia ka shënuar një rënie, me 2,637 vizitorë (-21.4%) dhe 4,177 net-qëndrime (-5.7%), duke treguar një zbehje të lehtë të fluksit nga ky treg.

    Një rritje e ndjeshme vihet re edhe te grupi i shteteve të tjera, ku numri i vizitorëve ka arritur në 13,296 (+15.6%), ndërsa net-qëndrimet janë rritur në 30,117 (+27.9%).

  • Vdekja e 59-vjeçarit në vendin e punës në Ferizaj, ndalohet për 48 orë një i dyshuar

    Vdekja e 59-vjeçarit në vendin e punës në Ferizaj, ndalohet për 48 orë një i dyshuar

    Një person është ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në lidhje me rastin tragjik ku një 59-vjeçar humbi jetën pasi ra nga një objekt në ndërtim në Ferizaj.

    Sipas njoftimit zyrtar, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari me iniciale N.E. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Remzi Hoxha”, ku viktima dyshohet se ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti në ndërtim, ndërsa ekipet emergjente, pas daljes në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar vdekjen e tij.

    “Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person i dyshuar me iniciale N.E., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit për veprën penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Prokurori i shtetit ka udhëzuar Policia e Kosovës dhe Inspektoratin e Punës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

    Ndërkohë, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprimet e mëtejme ndaj të dyshuarit.

  • Komuna e Prishtinës ndëshkon “Ujësjellësin”, Rama: Ndërhyrjet e paautorizuara lanë në gjendje të pasigurt rrugët

    Komuna e Prishtinës ndëshkon “Ujësjellësin”, Rama: Ndërhyrjet e paautorizuara lanë në gjendje të pasigurt rrugët

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj “Ujësjellësit” për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në infrastrukturën rrugore.

    Sipas Ramës, këto ndërhyrje kanë rezultuar me lënien e rrugëve në gjendje të mjerueshme dhe të pasigurt për qytetarët.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se sipas procedurave në fuqi, çdo intervenim duhet të lajmërohet paraprakisht në komunë, në mënyrë që të
    sigurohet zona e punimeve dhe të bëhet sanimi i menjëhershëm i asfaltit dhe trotuareve pas përfundimit të tyre.

    “Megjithëse ujësjellësi është paralajmëruar disa herë për respektimin e këtyre procedurave, praktika ka vazhduar, duke detyruar Inspeksionin e Komunës të shqiptojë gjoba në dy raste të ndara”, ka shkruar ai.

  • Shqipëria synon financimin e tre projekteve madhore energjetike, përfshirë linjën e re me Kosovën

    Shqipëria synon financimin e tre projekteve madhore energjetike, përfshirë linjën e re me Kosovën

    Shqipëria synon të sigurojë financim nga Bashkimi Evropian për disa projekte strategjike në sektorin e energjisë, duke përfshirë zhvillimin e hidrocentralit të Moglicës dhe forcimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën.

    Këto iniciativa janë përfshirë në listën e projekteve që Komuniteti i Energjisë ka nxjerrë në konsultim publik për Projektet me Interes të Komunitetit të Energjisë për vitin 2026.

    Projekti me i madh eshte ai i Moglicës i cili synon krijimin e një “baterie” gjigante energjetike.

    Me rëndësi edhe gjithashtu edhe rikonfigurimi i rrjetit 400 kV dhe ndërtimi i një interkoneksioni të ri me Kosovën.

    Projektet e paraqitura par Komuniteti i Energjisë financohen nga burime të ndryshme, përfshirë BE-në, institucionet financiare dhe sektorin privat.

    Nga këto para përfitojnë disa shtete njëkohësisht duke synuar rritjen e bashkëpunimit rajonal. Për Shqipërinë, ato përfaqësojnë një hap drejt modernizimit të sektorit energjetik. /rtsh.al