ATV

Category: Lajme

  • Policia për vetaksidentin me fatalitet Dobrushë të Istogut: Viktima doli nga rruga dhe goditi shtyllën e betonit

    Policia për vetaksidentin me fatalitet Dobrushë të Istogut: Viktima doli nga rruga dhe goditi shtyllën e betonit

    Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim zyrtar për vetaksidentin e ndodhur sot në fshatin Dobrushë të Istogut, ku mbeti i vdekur një 32-vjeçar. Sipas njoftimit të fundit të policisë, rasti ka ndodhur sot, rreth orës 05:54, në magjistralen Pejë–Mitrovicë.

    Siç bëhet e ditur, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet përkatëse policore, zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor.

    Sipas dyshimeve fillestare, deri te aksidenti ka ardhur pasi drejtuesi i automjetit nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës. Si pasojë, ai ka humbur kontrollin mbi veturën, ka devijuar nga rruga në anën e djathtë dhe është përplasur me një shtyllë betoni.

    “Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur, deri sa automjeti ishte duke qarkulluar në magjistralen Pejë – Mitrovicë, saktësisht në fshatin Dobrushë- Istog, duke mos ju përshtatur shpejtësisë dhe kushteve të rrugës i njëjti humb kontrollin dhe me pas devijon djathtas dhe godet shtyllën e betonit”, njofton policia.

    Për pasojë të aksidentit, vozitësi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, gjë që është konstatuar nga ekipi mjekësor.

    “Me urdhër të Prokurorit shtetit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për Obduksion, rasti vazhdon të hetohet nga hetuesit e aksidenteve NJRKRR- DRP-Pejë”.

  • Përvjetori i Masakrës së Studenicës, Demaj: Po mundohen ta përçajnë popullin shqiptar, s’do të ndodhë

    Përvjetori i Masakrës së Studenicës, Demaj: Po mundohen ta përçajnë popullin shqiptar, s’do të ndodhë

    Kryetari i degës së OVL-UÇK-së në Istog Muhamet Demaj, në përvjetorin e Masakrës së Studenicës iu ka çuar një mesazh atyre që sipas tij po mundohen ta përçajnë popullin shqiptar.

    Demaj deklaroi se kjo nuk do të ndodhë.

    “Sot, s’ka dëshmi më të madhe se këto vajza e pleq që ndodhen këtu, që janë heroina për këtë vend. Andaj, kjo nuk do të ndodh”, tha ai.

    Masakra e Lipajve në Studenicë ishte një nga më të tmerrshmet që ndodhi gjatë luftës në Kosovë.

    Katër vajza nën moshën 15 vjeçare, katër gra e dy burra janë viktimat e kësaj ngjarje makabre.

    9 janë nga familja Lipaj dhe një Zeqiraj.

  • Konjufca bën homazhe në New York për Eliot Engel: Lavdi jetës dhe veprës së mikut tonë të madh

    Konjufca bën homazhe në New York për Eliot Engel: Lavdi jetës dhe veprës së mikut tonë të madh

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në New York në nderim të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke shprehur njëkohësisht ngushëllimet për familjen e tij në emër të Republikës së Kosovës.

    Konjufca e cilësoi këtë moment si një rast për të nderuar jetën dhe veprën e një miku të madh të shqiptarëve dhe Kosovës. Ai theksoi se Engel, për dekada me radhë, ka qëndruar i përkushtuar në mbrojtje të të drejtës së popullit të Kosovës për çlirim, liri dhe pavarësi.

    Sipas tij, kontributi i Engel mbetet thelbësor në ndërtimin dhe forcimin e miqësisë së përhershme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Lavdi jetës dhe veprës së mikut tonë të madh,” u shpreh Konjufca, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Engel në mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën.

  • 15 ditë vendimtare, marrëveshje ose zgjedhje të reja

    15 ditë vendimtare, marrëveshje ose zgjedhje të reja

    Kanë mbetur edhe 15 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa në mungesë të një marrëveshjeje politike, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend deri më 28 prill, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Megjithatë, pavarësisht kalimit të kohës, partitë politike ende nuk kanë arritur një dakordim për emrin e presidentit të ri, shkruan Reporteri

    Kurti ka theksuar vazhdimisht gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje politike që do të shmangte zgjedhjet e reja, të cilat, sipas tij, nuk do të sillnin ndryshime të ndjeshme në përbërjen e Kuvendit.

    “Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje për numrin e nevojshëm prej 80 deputetësh. Me fjalë të tjera, është vështirë që ta paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona, me po të njëjtat zotime kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe”, ka deklaruar ai.

    Në kuadër të konsultimeve, javën që shkoi ai ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili është vlerësuar si konstruktiv, ndërsa janë paralajmëruar edhe takime të tjera gjatë ditëve në vijim.

    Pas takimit, Abdixhiku ka bërë të ditur se nuk ka pasur zhvillime konkrete.

    “Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë dhe nuk na është kërkuar ende asgjë.”

    Ai ka theksuar se procesi duhet të fillojë me parimet dhe jo me emra konkretë, duke e cilësuar këtë çështje si konsensuale.

    “Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem, sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra, duhet të flasim për parimet njëherë… Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja.”

    Nga ana tjetër, Kurti ka paralajmëruar edhe një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, duke theksuar se posti i presidentit përfaqëson unitetin e qytetarëve dhe kërkon përfshirje më të gjerë politike.

    Megjithatë, nga PDK-ja kanë bërë të ditur se nuk kanë pranuar ende një ftesë zyrtare për takim dhe kanë kërkuar që iniciativa e kryeministrit të konkretizohet përmes një letre zyrtare, para se të shqyrtohet në organet e partisë dhe të merret një qëndrim përfundimtar.

    Ndërkohë sot, deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, është shprehur optimist se brenda afatit kushtetues mund të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.

    Ai tha se të gjitha subjektet politike duhet të bëjnë përpjekje për evitimin e zgjedhjeve.

    “Unë mendoj se takimet kanë këtë synim, të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të dalim nga kriza e cila na ka përcjellë gjatë javëve të kaluara sa i takon çështjes së presidentit. Unë mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe do t’i shterojmë të gjitha mundësitë. Tani kemi kohën përpara, janë edhe shumë ditë në dispozicion dhe unë mendoj se secili nga akterët politikë duhet ta bëjë maksimumin e vet që të vijmë te një zgjidhje sa i takon kreut të shtetit dhe të evitohen zgjedhjet, të cilat nuk janë të dëshirueshme për askënd.”, tha ai për rtv21.

    Në këto rrethana, ndërsa afati kushtetues po afrohet, mbetet e paqartë nëse spektri politik do të arrijë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, apo vendi do të përballet me një proces të ri zgjedhor brenda 45 ditëve.

  • Libani refuzoi ekstradimin, gjykata shpall të larguar nga vendi babain që vrau 22-vjeçaren palestineze në Tiranë

    Libani refuzoi ekstradimin, gjykata shpall të larguar nga vendi babain që vrau 22-vjeçaren palestineze në Tiranë

    Gjykata e Tiranës e ka shpallur të larguar nga vendi palestinezin 49-vjeçar me inicialet F.A, të akuzuar për vrasjen e vajzës së tij, Rayyan Alwai, 22 vjeç, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2025 në Tiranë.

    Vendimi u mor pas refuzimit të drejtësisë së Libanit për të ekstraduar në Shqipëri, autorin e dyshuar, i cili u arrestua në këtë shtet më 23 prill 2025.

    Përmes një shkrese të datës 18.09.2025, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka informuar se Republika e Libanit ka refuzuar ekstradimin në Shqipëri të 49-vjeçarit.

    Klan News, raporton se për shkak se nuk mund të ekzekutohet masa “arrest në burg” e drejtësisë shqiptare, gjykata ka deklaruar ikjen.

  • Kusari: Intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht

    Kusari: Intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht

    Juristja e mediave, Flutura Kusari ka shkruar lidhur me intervistimin e kandidatëve për anëtar të bordit të RTK-së dhe KPM-së.

    Përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, se Kuvendi për të zgjedhur borde kualitative, fillimisht deputetët duhet të kenë kohë: 1) të shqyrtojnë aplikimet/CV-të dhe 2) të zhvillojnë intervista kualitative.

    “Deri më tani asnjë deputet nuk i ka pranuar CV-të e kandidatëve të KPM-së, ndërsa ato të RTK-së po, ndonëse ende nuk i kanë shqyrtuar sepse kanë pasur seancë plenare dhe mbledhje të komisioneve”, ka shkruar ajo.

    Sipas saj intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht, sepse disa deputetë shërbejnë në dy komisione.

    Postimi i saj i plotë:

    Rreth intervistimit të kandidatëve për anëtarë të bordeve të RTK-së dhe KPM-së

    Deri në shpërndarje të Kuvendit, nëse nuk kemi president, kanë mbetur pak a shumë edhe dhjetë ditë pune. Ky afat kohor është me rëndësi për proceset e rekrutimit dhe ja pse.

    Për të zgjedhur borde kualitative, fillimisht deputetët duhet të kenë kohë: 1) të shqyrtojnë aplikimet/CV-të dhe 2) të zhvillojnë intervista kualitative. Deri më tani asnjë deputet nuk i ka pranuar CV-të e kandidatëve të KPM-së, ndërsa ato të RTK-së po, ndonëse ende nuk i kanë shqyrtuar sepse kanë pasur seancë plenare dhe mbledhje të komisioneve.

    Të martën (nesër) mbahet takimi për anëtarët e KPM-së (ende nuk është caktuar ora, por është thënë që pasdite), si dhe takimi për anëtarët e RTK-së (në ora 10). Në këto takime vendoset metodologjia, kontrollohen të gjitha dosjet e aplikuesve, pra në total rreth 108 kandidatë për dy proceset, dhe caktohen intervistat. Te intervistat janë disa elemente me rëndësi lidhur me kohën në dispozicion.

    Intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht, sepse disa deputetë shërbejnë në dy komisione. Rrjedhimisht, i njëjti deputet s’mund të jetë në dy komisione në të njëjtën ditë dhe kohë.

    Elementi tjetër është që intervistimi duhet të bëhet në mënyrë profesionale; intervista duhet të zgjasë të paktën 30 minuta (sipas praktikës së Kuvendit) që t’u japë hapësirë kandidatëve t’i shpalosin planet e veta.

    Nëse një intervistë mbahet minimalisht 30 minuta (e jo 15 minuta sa për sy e faqe), komisionit për KPM i duhen 2.5 ditë pune: një ditë pune ka 7 orë (nëse nuk llogaritet pauza), për 7 orë mund të intervistohen 14 kandidatë. KPM ka 33 kandidatë, që i bie se duhen minimalisht 2.5 ditë. RTK-ja ka 75 kandidatë, që i bie rreth 5.5 ditë pune, pra një javë.

    Në total, për të dy proceset duhen 8 ditë pune. Pastaj duhen edhe 1 ditë për përgatitjen e raportit për seancë plenare dhe 1 ditë për votim.

    Nëse sot mbahen takimet, intervistat mund të fillojnë të mërkurën, sepse do të ishte absolutisht e papranueshme nëse thirren kandidatët sot për nesër. Do të ishte përqeshje e këtij procesi dhe nivel i ulët i profesionalizmit nga ana e Kuvendit. Njerëzit kanë plane, mund të jenë jashtë shtetit, mund të kenë halle personale dhe sigurisht që jetën nuk e orientojnë ashtu që të jenë 24 orë në dispozicion për një telefonatë nga Kuvendi.

    Koha nuk është në anën e Kuvendit që këto procese të kryhen në mënyrë profesionale, siç e meritojnë, dhe çfarëdo nxitimi do t’i dëmtonte përgjithmonë këto procese. Këtu duhet t’i shtohet fakti që anëtarë e kaluar në dy bordet e dy institucioneve iu vetënënshtruar VV-së (me disa përjashtime të vogla por domethënese). Prandaj unë kam pak besim që do të zgjedhen persona sipas meritës por po e presim procesin për me japë vlerësim të plotë. (lexoni shkrimin e Xhemes për këto procese https://sbunker.org/…/bordet-e-rtk-sedhe-kpm-se-nje…/).

    Proceset janë duke u monitoruar nga AGK, FOL, IKD dhe unë. Tash, meqë po raportoj live, po ndiej obligim me kallëzu që e kam zor me i përcjellë krejt intervistat për katër arsye: një anëtar i familjes më është operu sot, e kam në përkujdesje një anëtare të vockël të familjes, i kam tri udhëtime jashtë vendit të punës në dy javët e ardhshme, kështu që çka mbërrij, mbërrij. Amo me ju inform ju informoj!

    Për juve live nga Prishtina,

    Flutura Kusari

  • Konjufca merr pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë

    Konjufca merr pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, do të marrë pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë, i cili do të fillojë sot dhe do të mbahet deri më 15 prill 2026.

    Në agjendën e publikuar nga organizatorët, Konjufca do të jetë panelist me Ferit Hoxha – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ali Ahmeti – Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), RMV; Dritan Abazoviq, ish-kryeministër dhe deputet, Mali i Zi; Arbër Gashi, deputet në Parlamentin suedez; dhe Lazim Destani, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës.

    Kryeqyteti shqiptar mirëpret sot një nga ngjarjet më të rëndësishme mbarëkombëtare të vitit. Nga dita e sotme deri më 15 prill 2026, Tirana kthehet në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota përmes Samitit të Katërt të Diasporës, që vjen me moton frymëzuese: “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”.

    Samiti do të zhvillohet kryesisht në ambientet e Pallatit të Kongreseve në datat 14-15 prill, ndërsa ditën e sotme në orën 18.00 Ceremonia e Mirëseardhjes do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e personaliteteve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasat e një feste të vërtetë kombëtare.

    Aktiviteti do të ofrojë një program të larmishëm me panele tematike, ku pjesëmarrësit do të mund të eksplorojnë fusha të ndryshme interesi si ekonomia, inovacioni, arsimi, shëndetësia, arti dhe ruajtja e identitetit kombëtar.

    Disa nga panelet dhe ngjarjet kryesore të ndara sipas tematikave: Ekonomia, inovacioni dhe zhvillimi; diaspora partner në biznes dhe inovacion; zhvillimi lokal dhe rural (kryebashkiakë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës do të diskutojnë mbi rolin e diasporës në zhvillimin lokal); integrimi evropian; edukimi, shkenca dhe shëndetësia; mësimi digjital dhe gjuha shqipe; Diaspora dhe kërkimi shkencor (Programi READ); sistemi shëndetësor; kultura, identiteti dhe bashkëpunimi politik; Bota arbëreshe dhe identiteti kombëtar; diaspora mbarëshqiptare; mëngjesi i vëllazërimit (një takim unik mes klerikëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare në diasporë (SHBA, Zvicër, Gjermani etj.), në një lutje të përbashkët për Shqipërinë); arti, sporti dhe gastronomia; rrënjë dhe udhëtime; Softpoëer-i sportive; zërat e diasporës (TKOBAP); aktivitete paralele dhe ekspozita.

  • ​6 euro vezët, shtrenjtohen edhe perimet – ankohen qytetarët e tregtarët thonë se s’kanë konsumatorë

    ​6 euro vezët, shtrenjtohen edhe perimet – ankohen qytetarët e tregtarët thonë se s’kanë konsumatorë

    Shtrenjtimet e fundit dhe rritjet e çmimeve po gjejnë vend edhe në tregun e Prishtinës.

    Me ankesa për vështirësi në përballje me produktet po vlerësojnë qytetarët, ndërsa tregtarët po arsyetohen tek çdo rritje që po bëhet së fundmi.

    Tregtari që shet pemë e perime, Patriot Maqestena thotë se sikur këtë vit nuk kanë qenë çmimet më të larta asnjëherë.

    Maqestena që kompletin prej 30 vezësh të fshatit e shet për 6 euro ankohet se të gjitha janë shtrenjtuar.

    “Domatet janë 3 euro, specat e djegëst janë 3 euro. Trangujt janë më lirë se po vijnë nga Shqipëria. Këto që vijnë nga Shqipëria po janë pak më lirë. Është e dukshme që u zbeh edhe interesimi i qytetarëve çmimet e shtrenjta, nuk donin të merrnin…E te pemët çmimet kanë qenë të njëjta, nuk kanë ndryshuar”, tha Maqestena.

    Ndërkohë, janë shtrenjtuar edhe cigaret. E kjo, sipas tregtarit Hasan Matoshi, po ndodh edhe për shkak të politikave të qeverisë.

    “Nëse shtrenjtohet pak rryma, nëse shtrenjtohet pak nafta, menjëherë i rrisin çmimet…Ka 50 euro akcizë për paketën e cigareve, nuk është në rregull kjo”, u shpreh Matoshi.

    Kjo situatë nuk e la pa përfshirë as shitësitë e veshjeve.

    Edhe Rrahim Govori shpreh ankesën për mungesë të interesit për blerje të rrobave dhe njëkohësisht, atë të konsumatorëve.

    “Aktualisht çmimet janë në rritje, e konsumatorë nuk ka…Puna është përtoke por tash po mundohemi që punën ta kryejmë tamam”, shtoi Govori.

    Në anën tjetër, qytetarët po e hedhin përgjegjësinë mbi qeveritarët.

    Muharrem Metolli thekson se ata po shikojnë vetëm per vetëm e tyre, duke mos u interesuar fare për popullin.

    “Këta nuk mendojnë për askënd, vetëm për vetën e tyre….Në vend që ta ndihmojnë njëri-tjetrin, jo, këta vetëm për vetën”, vijoi Metolli.

    Ndërkohë qytetari Veton Kika e cilëson si problem këtë gjendjen me cmimmet, sepse me një pagë mujore sipas tij, nuk mund të ia dalësh.

    “Çmimet janë shumë të shtrenjta, kanë ndryshuar shumë, sa mundemi ta përballojmë po mundohemi…Është problem kështu se me një rrogë s’mund të ia dalësh”, tha Kika.

    Edhe Zeqir Govori është pesizimit për tejkalimin e këtyre rrethanave.

    “Vështirë është boll po s’kemi çka të bëjmë. Rrogat e vogla, penionet e vogla asgjë. Si e qysh do t’ia dalim kështu nuk e di”, tha Govori.

    Muajve të fundit, çdo produkt është shtrenjtuar dhe janë rritur çmimet, për çka njësoj janë rritur edhe ankesat e qytetarëve sepse të njëjtit, ashtu siç shprehën po e kanë të vështirë t’ përballojnë ato. /KP/

  • Haradinaj: Gjatë përpjekjeve shekullore të shqiptarëve, rajoni i Hasit ishte aty ku shkruhej historia

    Haradinaj: Gjatë përpjekjeve shekullore të shqiptarëve, rajoni i Hasit ishte aty ku shkruhej historia

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë gjatë luftës në Kosovë në Rajonin e Hasit.

    Përmes një postimi, Haradinaj ka kujtuar se kontributi i kësaj ane kulmoi me Brigadën 126 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, ishte në vijën e parë të betejave deri në ditën e fitores.

    Ai ka bërë të ditur se në Lugishtë të Hasit, së bashku me Shejh Xhemajliun, familjarë dhe bashkëluftëtarë, janë nderuar me respekt të thellë 14 dëshmorë dhe janë përkujtuar 40 martirë të kësaj zone.

    Haradinaj ka theksuar se luftëtarët e kësaj ane u përballën drejtpërdrejt me armikun, duke dhënë goditje vendimtare para kapitullimit, ndërsa ka shtuar se në shenjë hakmarrjeje, forcat shtetërore serbe ushtruan terror mbi popullatën civile, duke vrarë mbi 40 shqiptarë, shumica të rinj.

    Po ashtu, ai ka përkujtuar edhe 11-vjetorin e vdekjes së Safet Gashit, të cilin e ka cilësuar si mësues që u bë strateg lufte dhe udhëhoqi Brigadën 126 të UÇK-së në beteja të shumta.

    Në të njëjtin postim, Haradinaj ka kujtuar edhe 27-vjetorin e masakrës së Llashticës së Gjilanit, duke nderuar 26 martirët e rënë gjatë periudhës 13–30 prill 1999.

    Ai ka rikujtuar gjithashtu ngjarjet tragjike në Studenicë të Istogut, ku u vranë nëntë shqiptarë, si dhe në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, ku forcat serbe ekzekutuan anëtarë të familjeve Zeka dhe Hoxha.

  • Çfarë do të thotë bllokimi i porteve iraniane nga ShBA-ja?

    Çfarë do të thotë bllokimi i porteve iraniane nga ShBA-ja?

    Gjashtë javë pas fillimit të luftës me Iranin, presidenti Donald Trump i ka dhënë Marinës amerikane disa nga detyrat më të vështira të konfliktit: bllokimin e porteve iraniane dhe pastrimin e Ngushticës strategjike të Hormuzit nga minat iraniane.

    Një bllokadë konsiderohet një mjet i luftës ekonomike, sepse synon të dëmtojë ekonominë e kundërshtarit duke i ndaluar eksportet dhe importet. Sipas Manualit të Newportit mbi të Drejtën e Luftës Detare, bllokada përfshin kapjen ose shkatërrimin e mallrave dhe pronës së armikut në det, duke i mohuar atij të ardhura dhe furnizime që mbështesin luftën.

    Trafiku në Ngushticën e Hormuzit është ulur ndjeshëm për shkak të konfliktit midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit.

    Kjo rrugë detare, e cila më parë transportonte rreth 20% të naftës botërore, tani është pothuajse e bllokuar, me qindra anije që presin në të dy anët e ngushticës.

    Që një bllokadë të jetë e ligjshme, duhet ndjekur disa rregulla:

    – Duhet të shpallet dhe të njoftohet, që do të thotë se duhet të dërgohen paralajmërime për anijet që mund të preken prej saj.

    – Duhet të jetë efektive, që do të thotë se SHBA duhet të ketë anijet dhe avionët për ta zbatuar atë.

    – Duhet të jetë e paanshme, duke prekur anijet e çdo kombi.

    – Nuk mund të synojë vetëm popullsinë civile, por dëmi ndaj civilëve është i pranueshëm.

    – Nuk duhet të bllokojë aksesin në portet neutrale dhe nuk mund të bllokojë një ngushticë, si Hormuzi, të cilën Trump ka thënë se është e hapur për transport ndërkombëtar që nuk lidhet me Iranin.