ATV

Category: Lajme

  • Muharremi: Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë zbatimin e ligjit, madje edhe t’i nxjerrin nga zyrat kryeministrin dhe ministrat e betuar si deputetë

    Muharremi: Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë zbatimin e ligjit, madje edhe t’i nxjerrin nga zyrat kryeministrin dhe ministrat e betuar si deputetë

    Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike në vend, duke e cilësuar si të drejtë qytetare nxjerrjen nga zyrat e Qeverisë të kryeministrit dhe ministrave, të cilët, siç ka thënë ai, po qëndrojnë ilegalisht në zyrat e Qeverisë pasi kanë dhënë betimin si deputetë.

    Populli ka të drejtë të aktivizohet dhe t’i nxjerrë jashtë zyrës kryeministrin dhe ministrat që po qëndrojnë ilegalisht në zyrat e qeverisë, pasi që kanë dhënë betimin si deputetë. Sidomos pas vendimit të Gjykatës Supreme për këtë rast.

    Muharremi e ka theksuar edhe vendimin e Gjykatës Supreme, sipas të cilit nuk mund të jesh në të njejten kohë edhe deputet i betuar edhe kryeministër apo ministër.

    Ai tutje tha se qyetatrët kanë të drejt të kërkojnë zbatimin e ligjit.

    Postimi i plotë:

    “Populli ka të drejtë të aktivizohet dhe t’i nxjerrë jashtë zyrës kryeministrin dhe ministrat që po qëndrojnë ilegalisht në zyrat e qeverisë, pasi që kanë dhënë betimin si deputetë. Sidomos pas vendimit të Gjykatës Supreme për këtë rast.

    Nuk mundesh me qenë edhe deputet, edhe kryeministër, edhe ministër, edhe gjithçka. Kjo është e pamundur dhe e ndaluar me ligj. Vendimi i Gjykatës Supreme e ka bërë të qartë këtë gjithashtu.

    Ndaleni këtë çmenduri dhe kthehuni tek rendi dhe ligji, largohuni nga anarkia, uzurpimi i institucioneve, shkeljet kushtetuese dhe respektojini ligjet, rregulloret dhe vendimet e gjykatave.

    Konstituojeni Kuvendin dhe mundeni lirshëm me formu qeverinë e juaj, votat i keni, dhe me vazhdu punën, këtë jua ka dhënë populli në zgjedhjet e 7 qershorit. Por aktualisht, jeni uzurpatorë, jeni ilegalisht aty dhe po merrni vendime që mund t’ju çojnë në burg nëse lëviz sistemi i drejtësisë.

    Një parti, një vend, njerëzit që nuk respektojnë ligjet dhe rregullat demokratike, ata ose janë anarkistë ose komunistë e bolshevikë, vetëm demokratë e njerëz të civilizuar me kulturë e norma europiane nuk janë.

    Qytetarët dhe të gjithë kanë të drejtë absolute me kërku zbatimin e ligjit… por edhe në situata ekstreme kur nuk kuptoni, kanë të drejtë me ju nxjerrë jashtë zyrës së qeverisë.

    LVV mbetet ushtruese e detyrës në qeveri, por ata që janë deputetë e që veprojnë e vendosin si kryeministra e ministra duhet të dalin jashtë”

  • Frangu forcohet ndaj euros, ndërsa monedha Euro bie edhe nën 93 lekë

    Frangu forcohet ndaj euros, ndërsa monedha Euro bie edhe nën 93 lekë

    Frangu zviceran po vazhdon të ruajë një pozitë të fortë përballë euros. Aktualisht, 1 euro këmbehet me rreth 0.94 frang, duke treguar forcën e monedhës zvicerane në raport me atë evropiane.

    Kjo zhvillim është veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët dhe bizneset që kryejnë transaksione mes eurozonës dhe Zvicrës, pasi një euro sot vlen më pak se një frang në tregun valutor.

    Euroja bie nën 93 lekë në Shqipëri

    Dobësimi i euros po vërehet edhe në Shqipëri, ku monedha evropiane ka zbritur për herë të parë nën nivelin e 93 lekëve.

    Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer me 92.96 lekë, 0.11 lekë më pak se një ditë më parë.

    Vetëm gjatë muajit gusht, euroja është zhvlerësuar me 0.57 lekë, ndërsa krahasuar me fillimin e vitit, ajo këmbehet me rreth 3.8 lekë më pak, që përbën një rënie prej afërsisht 4 për qind.

    Sipas aktorëve të tregut valutor, një prej faktorëve kryesorë të kësaj rënieje janë prurjet e valutës gjatë sezonit turistik. Shqipëria priti mbi 12 milionë vizitorë ndërkombëtarë në vitin 2025, duke rritur ofertën e valutës në treg.

    Në krahasim me kulmin prej rreth 140 lekësh në vitin 2011, euroja sot këmbehet rreth 47.4 lekë më pak, ose rreth 34 për qind më poshtë.

    Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg duke blerë euro, në përpjekje për të zbutur rënien e monedhës evropiane. Sipas të dhënave të raportuara nga “Monitor”, nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, banka qendrore ka tërhequr nga tregu rreth 2.2 miliardë euro.

    Euroja nën presion edhe ndaj dollarit

    Në raport me dollarin amerikan, 1 euro këmbehet me rreth 1.15 dollarë.

    Lëvizja e kursit tregon se edhe përballë dollarit euroja vazhdon të jetë nën presion, ndonëse kursi i këmbimit ndërmjet dy monedhave ndikohet vazhdimisht nga zhvillimet në ekonominë globale dhe tregjet financiare.

    Dobësimi i euros në raport me frangun, lekun dhe lëvizjet e saj ndaj dollarit po e bëjnë kursin e monedhës evropiane një prej temave të rëndësishme të tregjeve valutore gjatë kësaj periudhe.

  • Izraeli: Nuk do të tërhiqemi nga Libani, Siria dhe Gaza

    Izraeli: Nuk do të tërhiqemi nga Libani, Siria dhe Gaza

    Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se Izraeli nuk planifikon të tërhiqet nga zonat që i konsideron “zona sigurie” në Liban, Siri dhe Gaza.

    “Ne nuk do të tërhiqemi – as nga Libani, as nga Siria dhe as nga Gaza – nga zonat e sigurisë. Kjo është politika jonë dhe do ta vazhdojmë atë”, tha ai.

    Katz e përshkroi praninë e forcave izraelite si pjesë të strategjisë së sigurisë së vendit, duke theksuar se ushtria duhet të qëndrojë në territoret përtej kufirit për të parandaluar kërcënimet ndaj Izraelit.

    “Ne jemi këtu lart, ata janë atje poshtë. Banorët janë jashtë, ushtarët janë brenda dhe shtëpitë janë shkatërruar”, deklaroi ministri izraelit.

    Ai ka përsëritur edhe më herët se Izraeli synon të mbajë trupat në zonat e sigurisë në Liban, Siri dhe Gaza, duke argumentuar se ato janë të nevojshme për mbrojtjen e kufijve dhe komuniteteve izraelite.

    Deklarata vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në rajon dhe ndërsa çështja e pranisë ushtarake izraelite në këto territore mbetet një nga pikat kryesore të përplasjes me aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë.

  • Musliu-Shoshi: Uzurpimi i institucioneve s’është qeverisje, është cenim i shtetit ligjor

    Musliu-Shoshi: Uzurpimi i institucioneve s’është qeverisje, është cenim i shtetit ligjor

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, u ka bërë të gjithëve që të mos zbatojnë vendimet e kundërligjshme që po merren nga qeveria, pasi kabineti i saj është betuar në cilësi të deputetit.

    Përmes një postimi në Facebook, Musliu-Shoshi tha se qeveria në detyrë po sillet sikur shteti të ishte pronë e saj, transmeton IndeksOnline.

    “U bëj thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publikë: mos zbatoni asnjë vendim që është nxjerr pa kompetencë ligjore. Besnikëria juaj është ndaj Kushtetutës dhe ligjit, jo ndaj pushtetit” shkroi ajo.

    Ky është postimi i plotë i saj:

    Vendimet e kundërligjshme nuk prodhojnë ligjshmëri andaj bëjë thirrje që askush të mos bëhet pjesë e zbatimit të tyre.

    Qeveria në detyrë po sillet sikur shteti të ishte pronë e saj: emëron, shpërndan para dhe merr vendime, pavarësisht kufizimeve ligjore dhe vendimeve të gjykatave.

    U bëj thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publikë: mos zbatoni asnjë vendim që është nxjerrë pa kompetencë ligjore. Besnikëria juaj është ndaj Kushtetutës dhe ligjit, jo ndaj pushtetit.

    Uzurpimi i institucioneve nuk është qeverisje. Është cenim i shtetit ligjor dhe duhet të ketë përgjegjësi.

  • Kanosje dhe sulm me thikë në Mitrovicë, shoqërohet në polici e dyshuara

    Kanosje dhe sulm me thikë në Mitrovicë, shoqërohet në polici e dyshuara

    Një incident me thikë ka ndodhur të mërkurën në Mitrovicë të Jugut, ku një grua dyshohet se ka kanosur me thikë një burrë dhe më pas e ka hedhur thikën, duke goditur një grua tjetër.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 12 gusht, rreth orës 13:40. E dyshuara është shoqëruar në stacionin policor, ndërsa viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, të përfshirët janë liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

    “Mitrovicë jug / 12.08.2026 – 13:40. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi që kishte kanosur me thikë viktimën mashkull kosovar, ndërsa më pas kishte hedhur thikë dhe me këtë rast kishte goditur viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”.

  • Adnan Rrustemi mohon lidhjet familjare me Skender Llugiqin

    Adnan Rrustemi mohon lidhjet familjare me Skender Llugiqin

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj deklaratave që, sipas tij, kanë për qëllim ta lidhin atë me një person të arrestuar, duke i cilësuar këto pretendime si të pabazuara dhe si përpjekje për goditje politike.

    Rrustemi ka dënuar fillimisht gjuhën e përdorur ndaj Ramush Haradinajt, duke thënë se ajo është e papranueshme dhe nuk mund të arsyetohet pavarësisht se nga kush vjen.

    “Së pari, gjuha e personit në fjalë ndaj Ramush Haradinajt është gjuhë e papranueshme e kësisoj e dënueshme. Ajo gjuhë nuk mund të justifikohet pavarësisht nga kush vjen.”

    Sipas tij, përplasjet politike nuk duhet të kalojnë në gjuhë fyese apo kërcënuese.

    “Sfera publike ka nevojë më shumë se kurrë për racionalitet. Dallimet në bindje politike nuk mund të rrëshqasin në gjuhë kërcënuese e fyese si kjo ndaj Ramush Haradinajt e ndaj askujt tjetër.”

    Ndërkohë, Rrustemi ka mohuar kategorikisht çdo lidhje familjare me personin për të cilin, sipas tij, janë bërë aludime.

    “Së dyti, aludimet për lidhje familjare me të arrestuarin janë krejtësisht të pabazuara.”

    Ai ka sqaruar se ka prejardhje familjare nga Dobraja e Madhe, por ka theksuar se personat e apostrofuar nuk janë pjesë e familjes së tij.

    “Nëna ime ka vetëm dy vllëzër, babai i nënës sime ka qenë djal i vetëm. Asnjëri nga të apostrofuarit nuk janë këta.”

    Rrustemi ka thënë se tentativat për ta lidhur emrin e tij me këta persona janë të motivuara politikisht.

    “Prandaj çfarëdo tendence për të lidhur emrin tim me këta emra, është veç një përpjekje për goditje politike, të cilat nuk e ndikojnë veprimtarinë time politike.”

    Në fund, deputeti i Vetëvendosjes ka kërkuar tërheqjen e pretendimeve dhe ka paralajmëruar padi.

    “Pres që ta tërheqin menjëherë shpifjen deputeti Burim Ramadani dhe mediat e caktuara, përndryshe për këtë rast do të ushtroj menjëherë padi.”

  • PDK i shkruan sërish letër Deharit, i kërkojnë ta thërrasë vazhdimin e seancës nesër në ora 11:00

    PDK i shkruan sërish letër Deharit, i kërkojnë ta thërrasë vazhdimin e seancës nesër në ora 11:00

    Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Vlora Çitaku, i ka shkruar sërish letër kryesuesit Astrit Dehari për t’i kërkuar që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për nesër në orën 11:00.

    PDK-ja kërkoi që Dehari ta përmbushë “obligimin kushtetues dhe procedural”.

    “I nderuar z. Dehari, Po ju shkruaj sërish, në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 të thirrni vazhdimin e seancës konstituive, ashtu siç kërkohet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

    Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, “tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan PDK-ja në letër. “Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, shtohet aty.

    PDK-ja thotë se Dehari duhet të ketë parasysh se “sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”.

    “Prandaj, duke e thirrur nesër vazhdimin e seancës konstituive, ju keni mundësinë dhe detyrimin që të parandaloni një shkelje të rëndë dhe të mundësoni vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet në letër.

    Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike, shkruan PDK-ja në letër, duke shtuar se “ato mund dhe duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë”.

    “Për këtë arsye, ju kërkojmë që, pa vonesa të mëtejshme, të thirrni për nesër, më 14 gusht 2026, në ora 11.00 vazhdimin e seancës konstituive dhe të mundësoni ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të letrës.

  • Deliu: Kuvendi është marrë peng nga LVV-ja, komunikata e djeshme ishte skandaloze

    Deliu: Kuvendi është marrë peng nga LVV-ja, komunikata e djeshme ishte skandaloze

    Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës thanë se do t’i adresohen sekretares së Kuvendit, pasi nga institucioni më i lartë ligjvënës doli dje një komunikatë, ku, ndër tjerash, shkruhej se “në ditën e tretë vizita e sallës plenare u ndërpre për disa minuta, pasi deputetë të PDK-së dhe të AAK-së kishin zënë sallën plenare në një kohë kur nuk ishte thirrur asnjë seancë”.

    Kjo komunikatë ishte “skandaloze”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

    “Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike e cila provon përmes diktatit ta nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit”, tha ajo.

    Deliu tha se “Kuvendi i Republikës nuk është i një partie politike”.

    “Nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit”, tha ajo.

    Deputeti tjetër i PDK-së, Artan Behrami, tha se para zyrës së mediave të Kuvendit të gjitha grupet parlamentare duhet të jenë të njëjtë.

  • Shtrenjtohet sërish nafta e benzina – këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

    Shtrenjtohet sërish nafta e benzina – këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar sërish çmimet maksimale të derivateve për datën 13 gusht.

    Sipas njoftimit, çmimi i naftës edhe për sot është 1.70 euro për litër, tre centë më shtrenjtë se të mërkurën.

    Po ashtu është shtrenjtuar edhe benzina. Sot çmimi i benzinës është 1.48 euro për litër, një cent më shtrenjtë se të mërkurën.

    Gazi vazhdon të jetë me të njëjtin çmim, 0.60 euro për litër.

    Çmimet e derivateve hyjnë në fuqi në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë.

  • Gruda: Avni Dehari të mos abuzojë me përparësinë teknike, kërkojmë seancë nesër

    Gruda: Avni Dehari të mos abuzojë me përparësinë teknike, kërkojmë seancë nesër

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, është nisur drejt sekretarit të Kuvendit për të paraqitur një kërkesë lidhur me mbajtjen e seancës konstituive.

    “Po shkojmë të deponojmë një kërkesë të re për Avni Deharin, kryesuesin sipas moshës, që ta mbajë seancën nesër, siç e kërkon Rregullorja e Punës. Avni Dehari është kryesues i seancës jo pse është burrë i mirë, apo pse është intelektual i dalluar, as politikan i përgjegjshëm. Është kryesues i seancës vetëm për një cilësi, për shkak të moshës.Dhe kërkoj të mos abuzohet me këtë përparësi teknike që e ka dhe të mos mbahet Kuvendi i bllokuar.Por po e dorëzojmë kërkesën dhe do të kemi një adresim për ju”, tha ai para mediave.