ATV

Category: Lajme

  • Tahiri: Situata është alarmante, të funksionalizohet Kuvendi

    Tahiri: Situata është alarmante, të funksionalizohet Kuvendi

    Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se situata aktuale politike është alarmante.

    Ai tha se po krijohet situatë anarkie në vend, teksa potencoi se PDK i është drejtuar me shkresë zyrtare kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari për vazhdimin e seancë konstituive.

    “Ne jemi bashkë me deputetë të PDK-së dhe Aleancës për të bërë punën tonë, ne mandatin na e ka dhënë populli dhe jo Kurti, andaj që me qëllimin që me mbrojtë kushtetutshmërinë, deputetët e PDK-së i janë drejtuar me shkresë zyrtare kryesuesit të seancës z.Dehari në mënyrë që të vazhdohet në Kuvend seanca dhe të funksionalizohet institucioni më i lartë i vendit. Përkundër kërkesës sonë nuk është thirrë vazhdimi i seancës andaj kemi ardhur këtu ku e kemi mandatin. Tash është kriju si shembull që realisht nëse ‘organizata baliteske’ nuk e respekton Kushtetutën atëherë pse një biznes privat atje duhet me pagu tatimin, ky po e shkel Kushtetutën, pse ai mos me shkel ligjin? Pra është më shumë se alarmante më shumë se shqetësuese”, tha ai.

  • Çitaku nga Kuvendi: Na obligon Kushtetuta të vijmë çdo 48 orë deri në konstituim, LVV e suspendoi demokracinë

    Çitaku nga Kuvendi: Na obligon Kushtetuta të vijmë çdo 48 orë deri në konstituim, LVV e suspendoi demokracinë

    Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Vlora Çitaku tha se futja në sallën kryesore të Kuvendit “nuk është aksion”.

    “Ne jemi në vendin tonë të punës – aty ku na ka sjellur qytetari i Republikës së Kosovës me votë. Ne na obligon Kushtetuta, ligjet, rregullorja e punës së Kuvendit që të jemi këtu çdo 48 orë deri në konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

    Çitaku tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari “nuk ka mandat të negociatorit, as të bëjë marrëveshje politike”.

    “Ai thjesht e ka për obligim që ta thërrasë seancën konstituive dhe ne këtu ta zgjedhim kryetarin dhe Kryesinë e re”, tha ajo.

    Çitaku tha “fatkeqësisht, kemi suspendim të Kushtetutës, kemi suspendim të ligjit dhe kemi suspendim të demokracisë”.

    Kjo që po ndodh tani në Kosovë, Çitaku tha se “është krizë politike, është krizë morale që vjen si rezultat i mosgatishmërisë i Lëvizjes Vetëvendosje për ta konstituuar Kuvendin dhe për të ecur përpara”.

  • Qorolli për deklarimet e PDK’së në Kuvend: Vetëm kur Dehari e vlerëson thirret seanca

    Qorolli për deklarimet e PDK’së në Kuvend: Vetëm kur Dehari e vlerëson thirret seanca

    Deputeti i Vetëvendosjes, Vigan Qorolli, shkoi në sallën e Kuvendit derisa në foltore para mediave po flisnin deputetë të PDK’së që po kërkonin thirrjen e seancës konstituive.

    Ai tha se aty u shkoi me disa kolegë të Vetëvendosjes për ditët e diasporës.

    Derisa po qëndronte i ulur te vendi i tij, Qorolli përsëriti qëndrimin e Vetëvendosjes për të mos thirrur seancë, ndërsa hodhi akuza për partitë tjera për veprimet e tyre të sotme në Kuvend.

    “Është çështje e shprehive të tyre politike për t’i kundërshtuar të gjitha institucionet, i takon me Kushtetutë dhe me rregulloren e Kuvendit vetëm zotit Dehari, në cilësinë e Kryesuesit si deputeti më i vjetër për ta thirrë dhe ne jemi të gatshëm të vijmë çdoherë kur ai ta vlerësojë të nevojshme dhe ne si Lëvizja Vetëvbendosje e kemi bërë të qartë se seanca do të thirret vetëm në momentin kur do të ketë marrëveshje politike. Thirrja e seancës pa marrëveshje nënkupton që Kosova shkon atuomatikisht në zgjedhje”.

    Më pas edhe Qorolli pretendoi se vetë aktgjykimet e Kushtetueses kërkojnë marrëveshje politike.

    “Margjinat kushtetuese tregojnë që në këtë rast duhet me pasë një marrëveshje politike”.

  • Haxhiu nis ta mbajë një konferencë, largohet pasi sheh deputetët e PDK-së, ata i thonë “thirre seancën”

    Haxhiu nis ta mbajë një konferencë, largohet pasi sheh deputetët e PDK-së, ata i thonë “thirre seancën”

    Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu u ndal në foltoren në hollin e Kuvendit, ndërsa deputetë të PDK-së dhe AAK-së shkuan aty për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.

    Me deputetë të PDK-së që u ndalën disa metra pranë foltores, Haxhiu tha se po i pamundësohej mbajtja e konferencës.

    “Ah, paska planifiku PDK-ja me mbajtë konferencë. Hajdeni. Vazhdoni”, tha ajo, duke iu drejtuar deputetes Ganimete Musliu.

    “Në momentin kur PDK-ja na e bën të mundur, na lejon të mbajmë konferencë, dal”, shtoi Haxhiu, duke u larguar më pas.

    Ndërsa po largohej, deputetë të PDK-së i thirrën asaj, duke i thënë “thirre seancën” dhe “mos ik”.

  • Çitaku përplaset verbalisht me Haxhiun: Do ta ndalim shkatërrimin e shtetit

    Çitaku përplaset verbalisht me Haxhiun: Do ta ndalim shkatërrimin e shtetit

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas përplasjes verbale me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

    Çitaku ka publikuar një video nga momenti i debatit në Kuvend, të cilës i ka bashkëngjitur edhe një mesazh kritikues për situatën institucionale në vend.

    “Do ta ndalim shkatërrimin e shtetit. Situata nuk është normale. Republikë – Kushtetutë”, ka shkruar Çitaku.

    Në videon e publikuar prej saj dëgjohet Çitaku duke kritikuar gjendjen institucionale në vend.

    “Që dy vite s’ka institucione, nuk është situata normale. Jeni duke e prishur shtetin”, është shprehur Çitaku.

    Ndërkohë, Haxhiu i është përgjigjur duke thënë se, për të situata është normale.

  • ​Kearns: Evropa t’i “luftojë” lidhjet Serbi-Rusi-Kinë, Britania qëndron krah Kosovës

    ​Kearns: Evropa t’i “luftojë” lidhjet Serbi-Rusi-Kinë, Britania qëndron krah Kosovës

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, nuk ka ngurruar t’i komentojë zhvillimet e fundit rreth Kosovës, pas deklaratave të presidentit serb Alleksandar Vuçiq për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër.

    Në një postim në “X”, ajo i është referuar shkurt e qartë reagimit të kryeministrit të Shqipërisë ndaj këtij plani të Serbisë: “Kjo është diplomaci”.

    Në këtë cilësinë e mbështetëses së Kosovës dhe, këmbëngulëses që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e rreptë ndaj Serbisë e cila, sipas saj, nuk resht së punuari për shfuqizimin e shtetit më të ri në Evropë, Kearns e dha këto ditë një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

    Në përgjigjet e dhëna me shkrim, deputetja që ishte ndër politikanët e parë ndërkombëtarë që ngriti zërin për armatosjen e serbëve në veri, shumë kohë para sulmit në Banjskë, flet për afrinë e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, për rrezikun nga krijimi i asociacionit të komunave më shumicë serbe, por edhe për raportin aktual të Kosovës me strukturat euro-atlantike, si edhe me vendet aleate.

    Poashtu, i komenton zhvillimet e fundit politike me ngërçin e krijuar nga moskontituimi i Kuvendit.

    Intervista e plotë me deputeten britanike, Alicia Kearns:

    Kosova po përballet me një ngërç të zgjatur politik dhe institucional pas zgjedhjeve, duke e bërë të vështirë krijimin e institucioneve të reja. Kryeministri Albin Kurti është akuzuar nga kundërshtarët politikë se ka kontribuar në këtë ngërç duke refuzuar kompromisin, ndërsa ai argumenton se po mbron parimet demokratike dhe sundimin e ligjit. Si e vlerësoni krizën aktuale politike dhe ku besoni se qëndron përgjegjësia kryesore?

    Kearns: Si mike dhe mbështetëse e Kosovës, do të doja ta shihja vendin duke i kapërcyer ngërçet politike, në mënyrë që të vazhdojë të zhvillohet dhe të përparojë. Demokracia dhe vetëvendosja janë të çmuara – diçka për të cilën kosovarët janë veçanërisht të vetëdijshëm, duke pasur parasysh historinë e vendit tuaj.

    Si mike, i dëshiroj Kosovës gjithë të mirat, por nuk do t’u them kosovarëve se si duhet të votojnë apo të qeverisin. Kjo u takon vetë kosovarëve ta vendosin. Politikanët në të gjitha vendet kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve që të veprojnë në interesin kombëtar dhe të sigurojnë që dallimet politike të mos e pengojnë qeverisjen e mirë.

    Kryeministri Kurti është vlerësuar për agjendën e tij kundër korrupsionit dhe përpjekjet për forcimin e sovranitetit të Kosovës, por është përballur edhe me kritika për marrëdhëniet e tij me aleatët tradicionalë të Kosovës dhe me akuza për përqendrim të tepërt të pushtetit politik. Në përgjithësi, si e vlerësoni udhëheqjen e tij, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare? A ka arritur ekuilibrin e duhur?

    Kearns: Korrupsioni është helm për çdo shoqëri dhe çdo përpjekje për ta çrrënjosur atë duhet përshëndetur. Komuniteti ndërkombëtar po përballet me një periudhë sfidash të thella, ku supozimet e vjetra janë rrëzuar, sundimi i ligjit është nën kërcënim dhe lufta është rikthyer në Evropë.

    Udhëheqësit në mbarë Evropën po përballen me këto sfida. Nuk ka përgjigje të lehta dhe të gjithë duhet të bëjmë më të mirën që mundemi për t’i përballuar ato.

    Kosova është vendi më i ri në Evropë, si për nga koha që nga shpallja e pavarësisë, ashtu edhe për nga popullsia e saj, ku 50% e qytetarëve janë nën moshën tridhjetëvjeçare. Sa herë që e vizitoj Kosovën, më bën përshtypje energjia dhe vullneti i kosovarëve për ta çuar vendin e tyre përpara. Ka jashtëzakonisht shumë mundësi dhe besoj me gjithë zemër se, kur kosovarët bashkohen, gjithçka është e arritshme.

    Shumë njerëz në Kosovë besojnë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe disa partnerë kyç evropianë janë përkeqësuar gjatë viteve të fundit. A e ndani këtë vlerësim? Në një kuptim më të gjerë, a ka zbatuar Bashkimi Evropian standarde të barabarta ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë duhet bërë për të rikthyer besimin strategjik ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj?

    Kearns: Mbretëria e Bashkuar ka ruajtur marrëdhënie pozitive me Kosovën gjatë kohës kur partia ime, Konservatorët, ishte në pushtet, si dhe që prej ardhjes së laburistëve në qeveri në vitin 2024. Si parlamentare, mund të them me bindje se Kosova gëzon mbështetje në të gjithë Parlamentin britanik. Kjo u dëshmua edhe me mbështetjen e pakushtëzuar të Britanisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, diçka për të cilën vazhdoj të bëj thirrje.

    Nuk besoj se komuniteti ndërkombëtar ka zbatuar standarde të barabarta ndaj Kosovës dhe Serbisë. Ende dua të shoh drejtësi për sulmin në Banjskë. Milan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe të deportohet në Kosovë për t’u gjykuar. Edhe pse heqja nga BE-ja e masave negative ndaj Kosovës ishte e mirëseardhur, ato nuk është dashur të vendoseshin kurrë.

    Dëshiroj gjithashtu ta vlerësoj ish-presidenten Osmani për arritjet e saj të rëndësishme në ndërtimin e marrëdhënieve të forta me vendet e tjera. Përpjekjet e saj kanë qenë shumë të rëndësishme për të siguruar që zëri i Kosovës të dëgjohet përtej kufijve të saj.

    Ndërsa është e rëndësishme që Kosova të punojë me partnerët dhe aleatët e saj, ekziston gjithashtu një përgjegjësi mbi ne, si aleatë të Kosovës, që të sigurojmë se dialogu Prishtinë–Beograd është i drejtë dhe i paanshëm.

    Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, duket se ka arritur në një ngërç. A besoni se procesi ka nevojë për një rifillim thelbësor? A duhet njohja e ndërsjellë të mbetet objektivi përfundimtar dhe si duhet të trajtohet çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?

    Kearns: Dialogu ka nevojë për një rifillim. Qëndrimet e mia për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe janë të njohura – unë nuk e mbështes këtë nismë. Serbët e Kosovës kanë të drejta konkrete dhe të përcaktuara qartë në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.

    Të gjithë i kemi parë përpjekjet e Milorad Dodikut për ta shpërbërë Bosnjën dhe Hercegovinën përmes Republika Srpskas dhe veprimet e partive si Lista Srpska në Kosovë sugjerojnë se e njëjta gjë mund të ndodhë nëse atyre u jepen kompetenca jashtë strukturës së përgjithshme shtetërore.

    Kam respektin më të madh për serbët e Kosovës që punojnë me shtetin e Kosovës në përpjekje për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë kosovarët. Megjithatë, dëshmitë janë të qarta – më së dukshmi përmes sulmit në Banjskë – se ka nga ata që do ta përdornin çdo entitet të ri për ta penguar dhe minuar shtetin.

    Derisa të ketë garanci se çdo Asociacion i ri do të funksionojë brenda shtetit të Kosovës dhe jo kundër tij, ky propozim nuk duhet të zbatohet.

    Politikat e qeverisë ndaj veriut të Kosovës kanë shkaktuar reagime të ndryshme. Mbështetësit argumentojnë se kryeministri Kurti ka forcuar sovranitetin e Kosovës dhe sundimin e ligjit, ndërsa kritikët thonë se qasja e tij ka rritur tensionet me komunitetin lokal serb dhe partnerët ndërkombëtarë. Si e vlerësoni politikën e tij ndaj veriut të Kosovës dhe cili duhet të jetë hapi i ardhshëm?

    Kearns: Gjatë viteve të fundit kemi parë bojkotim të zgjedhjeve, sulme ndaj paqeruajtësve të KFOR-it, kontrabandë armësh, kriminalitet dhe vrasjen e policit hero Afrim Bunjaku, të pasuar nga një përballje e armatosur në Banjskë.

    Ata serbë të guximshëm të Kosovës që përpiqen të punojnë me shtetin shpesh përballen me kërcënime ndaj vetes dhe familjeve të tyre. Stabiliteti dhe sundimi i ligjit janë jetike.

    Serbët e Kosovës, natyrisht, duhet të jenë në gjendje ta praktikojnë fenë e tyre, ta flasin gjuhën e tyre dhe ta ruajnë kulturën e tyre – siç përcaktohet në Kushtetutë. Është për të ardhur keq që dëshirat dhe nevojat e tyre shpesh keqpërdoren dhe përfshihen në narrativa më të gjera të irredentizmit serb.

    Duhet të krijohet hapësirë për politikanët lokalë që kanë në zemër interesat më të mira të komuniteteve të tyre dhe që mund t’i përfaqësojnë ato pa presion dhe kërcënime nga jashtë.

    Si e vlerësoni politikën e presidentit Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës dhe strategjinë e tij të balancimit të marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës? A besoni se udhëheqja aktuale e Serbisë është vërtet e gatshme të ecë drejt njohjes së Kosovës dhe a duhet që qeveritë perëndimore të mbajnë një qëndrim më të vendosur ndaj Beogradit?

    Kearns: Shpresoj sinqerisht se Serbia një ditë do ta njohë Kosovën. Fatkeqësisht, nuk kam parë asnjë dëshmi se qeveria aktuale do ta bëjë këtë. Komentet e fundit të ministrit serb Paunoviq, që promovojnë dhe glorifikojnë spastrimin etnik, dëshmojnë për një mendësi që vazhdon të ekzistojë te disa politikanë serbë.

    Do ta paralajmëroja çdo vend evropian kundër marrëdhënieve më të afërta me Partinë Komuniste të Kinës. Në fakt, rregullisht i bëj thirrje qeverisë sime të ndërmarrë veprime për t’iu kundërvënë veprimeve armiqësore nga Kina, përfshirë represionin transnacional, vjedhjen e pronësisë intelektuale, subvencionet shtetërore që shtrembërojnë tregun dhe madje spiunazhin në Parlamentin britanik.

    Çdo mbështetje apo bashkëpunim me Rusinë pas pushtimit të paligjshëm dhe brutal të Ukrainës duhet të dënohet pa asnjë hezitim.

    Kosova paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE në vitin 2022, por që atëherë është shënuar pak përparim, ndërsa vendi vazhdon të mbetet jashtë NATO-s pavarësisht orientimit të fuqishëm properëndimor. Çfarë duhet të bëjnë ndryshe Bashkimi Evropian dhe NATO-ja nëse vërtet duan ta ankorojnë Kosovën brenda komunitetit euroatlantik dhe çfarë mesazhi i dërgon ky ngërç aktual pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor?

    Kearns: Kosova është pjesë e komunitetit euroatlantik dhe vazhdon të bëjë hapa të mëdhenj në fusha të tilla si lufta kundër korrupsionit, modernizimi dhe sundimi i ligjit. Ishte për të ardhur shumë keq që Kosova nuk arriti të anëtarësohej në Këshillin e Evropës në vitin 2024, pavarësisht votës në favor të saj nga Asambleja. Mbretëria e Bashkuar atëherë ofroi mbështetje të plotë dhe tani duhet të punojë që anëtarësimi të bëhet realitet.

    E njëjta gjë vlen edhe për organizatat e tjera shumëpalëshe. Dua ta shoh Kosovën duke zënë vendin që i takon në komunitetin ndërkombëtar.

    Në fund, nëse do të mund t’i jepnit një këshillë kryeministrit Albin Kurti dhe një tjetër udhëheqjes më të gjerë politike të Kosovës, cilat do të ishin ato?

    Kearns: Kosova është një vend i ri dhe energjik, me një popullsi ambicioze dhe të talentuar. Ka jashtëzakonisht shumë mundësi dhe i takon klasës politike të sigurojë që ato të shfrytëzohen, duke i lënë mënjanë dallimet politike për të mirën e përgjithshme.

  • Tahiri: Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit janë shkelur

    Tahiri: Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit janë shkelur

    Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar si alarmante mungesën e transparencës dhe qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Tahiri ka thënë se shqetësues është edhe informacioni se mediat nuk janë lejuar të hyjnë brenda në Kuvend për ta përcjellë seancën.

    “Besoj që aktiviteti është publik dhe besoj që dikush edhe nga mediat…”, ka deklaruar Tahiri.

    Ai ka akuzuar pushtetin se ka shkelur kushtetutën, duke iu referuar nenit 66 të Kushtetutës, aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit.

    “Sot, dikush që di shkrim e lexim e ka të qartë që neni 66 i Kushtetutës është shkelur, flet për 30 ditë. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, respektivisht neni 140 që flet për këtë çështje, thotë se nuk trajtohet vetëm nisja si proces, por duhet të ndodhë konstituimi për 30 ditë”, ka thënë ai.

    Tahiri ka shtuar se është dashur të respektohej edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit, që seanca të ftohej brenda 48 orësh.

    “Këta e kanë shkelur rendin kushtetues me dy këmbët. Krejt kjo është me ble kohë. Po për çka po ju vlen koha, unë nuk e di”, është shprehur Tahiri.

    Ai ka paralajmëruar se situata politike mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar këtë si shqetësim serioz për funksionimin institucional të Kosovës.

  • Senatorja Ernst në Kosovë, Ambasada e SHBA: U potencua rëndësia për “marrëdhënie konstruktive SHBA-Kosovë”

    Senatorja Ernst në Kosovë, Ambasada e SHBA: U potencua rëndësia për “marrëdhënie konstruktive SHBA-Kosovë”

    Ambasada amerikane ka përmbledhur vizitën e senatores amerikane Joni Ernst në Kosovë, duke thënë se kjo i shërbeu për të kuptuar zhvillimet aktuale në vend.

    “Senatorja Joni Ernst përmbylli vizitën e saj në Kosovë pas takimeve me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, përshëndetjes së trupave nga Iowa në Kampin Film City, si dhe vizitës në Kampin Bondsteel dhe takimit me pjesëtarët e përkushtuar të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it dhe Grupit të Mbështetjes së Zonës – Ballkan”.

    Ambasada përmendi po ashtu edhe nderimin me Medaljen Presidenciale të Meritave që iu bë senatores.

    “Takimet produktive të senatores i ofruan asaj një pasqyrë të vlefshme dhe të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe theksuan rëndësinë e një marrëdhënieje konstruktive mes SHBA-së dhe Kosovës”.

  • Deputetët e PDK-së shkojnë në Kuvend, Behrami publikon fotografi: Jemi këtu

    Deputetët e PDK-së shkojnë në Kuvend, Behrami publikon fotografi: Jemi këtu

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar nga Kuvendi i Kosovës, duke akuzuar pushtetin për, siç tha ai, “tradhti ndaj shtetit” dhe për kontroll të institucioneve.

    “Ne jemi këtu, në Kuvend. Lërini instalacionet në hollin e Kuvendit, sepse nuk mundeni ta mbuloni tradhtinë që po ia bëni këtij shteti”, tha Behrami.

    Ai pretendoi gjithashtu se dyert e Kuvendit janë të mbyllura dhe se gazetarët nuk po lejohen të hyjnë brenda.

    “Këta i kanë okupuar të gjitha institucionet. Ka mbetur vetëm logon e Republikës ta zëvendësojnë me logon e VV-së. Por, ne nuk do ta lejojmë”, deklaroi deputeti i PDK-së.

  • 128 aksidente dhe 2301 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë

    128 aksidente dhe 2301 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 41 aksidente me të lënduar dhe 87 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2301 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 22 persona, 15 i ka dërguar në mbajtje.