ATV

Category: Lajme

  • PDK sërish ‘ia zë’ derën Kurtit para Qeverisë: Do të vazhdojmë deri në rikthimin e rendit kushtetues

    PDK sërish ‘ia zë’ derën Kurtit para Qeverisë: Do të vazhdojmë deri në rikthimin e rendit kushtetues

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë shkuar para objektit të Qeverisë së Kosovës.

    Sipas tyre, Kurti jashtëligjshëm po e ushtron detyrën e kryeministrit në detyrë të vendit pas betimit si deputet në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.

    “Edhe sot jemi para Qeverisë për t’i thënë Albin Kurtit dy gjëra:E para: në këtë ndërtesë je uzurpator. E dyta: eja në Kuvend që ta konstituojmë atë. Hape rrugën për funksionimin e institucioneve”, shkruhet në postimin e PDK-së.

  • NATO ngre avionët luftarakë pas hyrjes së një droni në hapësirën ajrore të Letonisë

    NATO ngre avionët luftarakë pas hyrjes së një droni në hapësirën ajrore të Letonisë

    Avionët luftarakë të NATO-s u ngritën në ajër mëngjesin e sotëm dhe rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Letonisë, njoftoi Forca Ajrore e vendit.

    Incidenti ndodhi pak orë pasi autoritetet ruse raportuan se një qendër e rëndësishme e eksportit të energjisë në rajonin e Leningradit, në veriperëndim të Rusisë, ishte vënë në shënjestër të një sulmi me dron gjatë natës.

    Ministria e Mbrojtjes e Letonisë deklaroi më vonë se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit “si rezultat i luftës elektronike ruse”, duke e lidhur incidentin me përdorimin e mundshëm të mjeteve të luftës elektronike nga Rusia.

    Ngjarja ka rritur shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të NATO-s, veçanërisht pasi Letonia kufizohet me Rusinë dhe është pjesë e aleancës ushtarake.

    Ndërkohë, Finlanda, e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe ndan kufi me Rusinë, mori masa paraprake pas incidentit. Autoritetet finlandeze kufizuan përkohësisht disa zona të trafikut ajror dhe detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, për shkak të frikës nga prania e mundshme e dronëve.

  • Behrami dyshon se Kurti ka plane për ta “paralizuar Kosovën” me 16 shtator kur Haga ta shpallë vendimin

    Behrami dyshon se Kurti ka plane për ta “paralizuar Kosovën” me 16 shtator kur Haga ta shpallë vendimin

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, është paraqitur para dyerve të Sallës së Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës, ku presidentja, në koordinim me kryeministrin, mund të shqyrtojë çështje që lidhen me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

    Behrami ka thënë se është tronditur nga deklaratat e analistit dhe ish-ambasadorit Lulzim Peci, të bëra një natë më parë në një studio televizive.

    “Sepse nëse Kurti në shtator shpall gjendje të jashtëzakonshme, kjo do të jetë fundi i Republikës sonë. Po ashtu, kjo do ta pamundësojë edhe festën për krerët e UÇK-së, por ndoshta edhe protestën në rast se shkon keq verdikti”, ka deklaruar Behrami.

    Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti mund të synojë ta “paralizojë Kosovën” më 16 shtator, në ditën kur pritet të merret një vendim në Hagë lidhur me rastin e krerëve të UÇK-së.

    “Prandaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të na bashkohen për t’i rezistuar këtij njeriu dhe për të parandaluar që Kosova të shndërrohet në një shtet autoritar”, ka thënë Behrami.

    Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi ish-ambasadori Lulzim Peci, në një studio televizive, ngriti shqetësime për zhvillimet që mund të pasojnë muajin shtator.

    “Unë, si qytetar i Kosovës, i frikohem një skenari të tmerrshëm që neve mundet me na pritë pas shtatorit, sepse e përmenda edhe një herë derdhjen e gjakut. Problemi është se ne mund të mbërrijmë në një situatë më të komplikuar, deri në atë pikë që zoti Kurti të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pa kurrfarë baze ligjore, pa parlament, pa kurgjo”, ka deklaruar Peci.

    Ai ka shtuar se një skenar i tillë, sipas tij, do të hapte rrugë për procese të ndryshme politike, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në raport me veriun dhe situatën e përgjithshme në Kosovë.

    Behrami, duke iu referuar këtyre deklaratave, ka shprehur frikën se Kurti mund të tejkalojë kompetencat e tij në rast të një situate të jashtëzakonshme.

  • Kërkohet paraburgimi ndaj dy të dyshuarve për vrasje në tentativë në Ferizaj

    Kërkohet paraburgimi ndaj dy të dyshuarve për vrasje në tentativë në Ferizaj

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve me inicialet D.A. dhe A.A., të dyshuar për veprën penale “Vrasja në tentativë”.

    Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në marketin e një pompe derivatesh “Hib Petrol” në Ferizaj, ku dy të pandehurit, në bashkëkryerje me një të mitur, dyshohet se kanë tentuar ta privojnë nga jeta personin me inicialet A.Sh.

    Sipas kërkesës për paraburgim, mes të pandehurit A.A. dhe të dëmtuarit A.Sh. kishte pasur një mosmarrëveshje rreth një vit më parë në Zvicër.

    Prokuroria dyshon se në ditën kritike, pasi e kishin takuar të dëmtuarin, të pandehurit e kishin përcjellë me veturë deri te një market i pompës së derivateve. Kur A.Sh. kishte hyrë në market, ata dyshohet se kishin dalë nga vetura dhe e kishin sulmuar.

    Sipas Prokurorisë, D.A. kishte nxjerrë një thikë dhe e kishte goditur të dëmtuarin një herë në pjesën e majtë të abdomenit, ndërsa A.A. dyshohet se e kishte goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

    Në sulm, sipas Prokurorisë, ishte përfshirë edhe një i mitur, i cili dyshohet se e kishte goditur A.Sh. me shkop druri në pjesë të ndryshme të trupit.

    I dëmtuari kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas ishte dërguar edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se (…) të pandehurit me dashje dhe në bashkëveprim, së bashku me të miturin, kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Dy të pandehurit janë ndaluar për 48 orë më 13 gusht, ndërsa Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

    Rasti po hetohet për veprën penale “Vrasja në tentativë”, në bashkëkryerje.

  • Rritet sërish çmimi i derivateve në Kosovë

    Rritet sërish çmimi i derivateve në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për sot, 14 gusht.

    Sipas vendimit, çmimi maksimal i naftës është 1.73 euro për litër, i benzinës 1.50 euro, ndërsa gazit 0.61 euro për litër.

    Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Diku 60 minuta e diku 40 – Ja sa janë pritjet në dalje të pikave kufitare të Kosovës

    Diku 60 minuta e diku 40 – Ja sa janë pritjet në dalje të pikave kufitare të Kosovës

    Kthimi i mërgimtarëve në vendet evropiane ka shtuar edhe kolonat në pikat kufitare dalëse të Kosovës.

    Kësisoj sot në shumë prej pikave kufitare në dalje ka kolona më të gjata.

    Në pikën kufitare Jarinje pritjet janë deri në 40 minuta, kurse në Merdare edhe më shumë deri në 60 minuta.

    Më pak pritje raportohet të ketë tek Dheu i Bardhë nga 10 deri në 20 minuta

    E pa kolonë nuk është as në Kullë dhe tek Hani i Elezit ku sipas informacioneve pritjet janë 10 minutëshe.

  • Bastiset shtëpia e të dyshuarit për spiunazh, sekuestrohen rreth 40 mijë euro

    Bastiset shtëpia e të dyshuarit për spiunazh, sekuestrohen rreth 40 mijë euro

    I arrestuari sot në pikën kufitare në Merdare, nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, F. S., me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.

    Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.

    Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale:

    para të gatshme në vlerë prej 39 mijë e 500 eurosh;

    para të gatshme në vlerë prej 500 dinarësh;

    katër (4) telefona celularë;

    dokumente të ndryshme relevante për rastin.

    Prokuroria, brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë mbeten të angazhuara për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore në lidhje me rastin.

  • PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Deharit: Seanca të mbahet nesër në 11:00

    PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Deharit: Seanca të mbahet nesër në 11:00

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet nesër në orën 11:00, duke i bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që ta thërrasë atë në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia e tij ka bërë kërkesë zyrtare që Dehari ta ushtrojë detyrën dhe ta thërrasë seancën.

    Ai tha se ftesë për të qenë nesër prezent në Kuvend në Kuvend u kanë bërë edhe partive të tjera.

    “Me bë ftesë publike, edhe kryesuesit e seancës: zotëri Dehari, mirëpo edhe partisë Vetvendosje, e cila është duke pengu konstituimin e parlamentit. Ne si Parti Demokratike e Kosovës i kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së parlamentit, ta respektojë ligjin, ta respektojë kushtetutën dhe ta thërret seancën në mënyrë që të konstituohet parlamenti, dhe të kemi normalitet dhe ekonomi Republikës së Kosovës të jetë funksional, gjithashtu edhe subjekteve të tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, i kemi dërgu ftesën që nesër në ora 11:00 të jenë prezent. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë prezent, aleanca është përgjigj pozitivisht dhe presim që do të përgjigjen edhe subjektet e tjera për shkak që është obligim kushtetues moral i secilit prej neve që të jemi në seancë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se situata aktuale paraqet, sipas tij, “emergjencë kombëtare” dhe tendencë për shkatërrimin e rendit kushtetues.

    “Rrethana të cilat jemi si Kosovë dhe rrethana në të cilat është sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, realisht tregojnë për një jo vetëm emergjencë kombëtare, mirëpo për një tendencë të shkatërrimit të rendit kushtetues, dhe njëkohësisht të pamundësimit të ushtrimit të funksionit të deputetit në Kuvendin e Kosovës aty ku na ka dhënë besimin sovrani, aty ku ne kemi vendin bazë të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sot ne kemi dërguar një kërkesë zyrtare si aleancë, por në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, kemi kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, zotin Dehari, në mënyrë që nesër, në orën 11:00, kur kalojnë 48-orëshi, në bazë të përcaktimit rregullores së Kuvendit, të ndodhë seanca. Nuk kemi pasur asnjë përgjigje, nuk kemi marrë asnjë koment, dhe asnjë konsiderim për me ndodhë Kuvendi”, tha ai.

    Tahiri tha se partitë opozitare fillimisht do të ndjekin rrugët institucionale, ndërsa paralajmëroi edhe veprime politike në rast se, siç tha ai, vazhdon pamundësimi i ushtrimit të mandatit të deputetëve.

    “Çka do të thotë kjo? Është shumë e thjeshtë. Kur neve na pamundësohet ushtrimi i funksionit tonë si deputet, dhe kur ne e shohim që ka nisur shpërbërja e institucioneve demokratike që fillojnë nga Kuvendi, dhe rrjedhimisht shkatërrimi i të arriturave të vendit tonë, nuk na mbetet tjetër veç t’i provojmë rrugë fillimisht institucionale, e pastaj t’i bëjmë veprimet tona politike në funksion të krijimit të rendit kushtetues në Kosovë. Ajo që na brengos shumë është se shkelja e Kushtetutës për vetë po ndodh vetëm në Kuvend, por po ndodh edhe në Qeveri. I kemi 17 ministra që shkojnë jashtëligjshëm në Qeveri, Prokuroria duhet të veproj”, tha ai.

  • Osmani: Jemi në mbrojtje të Kushtetutës, qëndrimet tona i bëjmë publike pas mbledhjes

    Osmani: Jemi në mbrojtje të Kushtetutës, qëndrimet tona i bëjmë publike pas mbledhjes

    Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të LDK-së është takim i rregullt, në të cilin do të diskutohen zhvillimet e fundit politike.

    Osmani tha se pas përfundimit të mbledhjes, deputetët e LDK-së do të dalin me një qëndrim të përbashkët.

    “Është takimi i grupit parlamentar, natyrisht për zhvillimet e fundit. Sapo të përfundojë takimi do të kemi deklaratë të përbashkët”, ka thënë Osmani.

    E pyetur lidhur me mungesën e deputetëve të LDK-së në seancën e djeshme, përkrah PDK-së dhe Aleancës, ajo tha se LDK-ja ka qenë në Kuvend dhe se qëndrimi i saj lidhet me mbrojtjen e Kushtetutës.

    “Çdo ditë jam në Kuvend. Çdo ditë jam në Kuvend. Edhe sot isha në Kuvend. Ne jemi në përkrahje të mbrojtjes së Kushtetutës”, është shprehur Osmani.

    Ajo shtoi se qëndrimet më të detajuara të LDK-së do të bëhen publike menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar.

  • I nxehti po merr jetë në Gjermani, 12 mijë e 500 vdekje këtë vit

    I nxehti po merr jetë në Gjermani, 12 mijë e 500 vdekje këtë vit

    Valët e të nxehtit në Gjermani gjatë këtij viti dyshohet se kanë shkaktuar rreth 12 mijë e 500 vdekje, shifër dukshëm më e lartë krahasuar me vitet e kaluara, ka njoftuar Instituti Robert Koch (RKI), autoriteti gjerman i shëndetit publik.

    Në raportin e fundit javor, janë bërë të ditur se numri i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta këtë vit është dukshëm më i madh krahasuar me mesataren e viteve të fundit.

    Sipas të dhënave të institutit, në vitin 2018 në Gjermani u regjistruan rreth 9 mijë e 400 vdekje të lidhura me të nxehtin, ndërsa në vitin 2019 rreth 7 mijë e 700 shkruan yaho.

    Vlerësimi i fundit përfshin periudhën nga 6 prilli deri më 2 gusht 2026.

    Instituti thekson se këto janë vlerësime konservatore dhe se numri real i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta mund të jetë edhe më i madh.

    Të dhënat e fundit vijnë në një kohë kur Gjermania, sikurse pjesë të tjera të Evropës, është përballur me periudha të gjata të temperaturave të larta gjatë verës,transmeton Sinjali.