ATV

Category: Lajme

  • Zbulohet skandali shëndetësor në një spital në Pakistan, mbi 300 fëmijë të infektuar me HIV nga shiringat e kontaminuara

    Zbulohet skandali shëndetësor në një spital në Pakistan, mbi 300 fëmijë të infektuar me HIV nga shiringat e kontaminuara

    Mund të jemi në shekullin e 21-të, por praktikat që të kujtojnë kohët e mëparshme duket se vazhdojnë të ekzistojnë në spitalet në Pakistan.

    Një hetim i fshehtë i BBC-së ka zbuluar parregullsi serioze në një spital qeveritar në epiqendrën e një shpërthimi të HIV-it që ka prekur më shumë se 300 fëmijë.

    Provat sugjerojnë se ripërdorimi i shiringave dhe shkeljet sistematike të rregullave të sigurisë luajtën një rol kyç në përhapjen e virusit brenda spitalit. Në të njëjtën kohë, kanë dalë pamje të pacientëve që marrin injeksione përmes rrobave të tyre.

    Studimi zbulon se të paktën 331 fëmijë rezultuan pozitivë për HIV në qytetin Taunsa, provinca Punjab, midis nëntorit 2024 dhe tetorit 2025. Shumë prej fëmijëve thuhet se u infektuan gjatë procedurave rutinë mjekësore në spitalin publik THQ Taunsa në Pakistan.

    Sipas të dhënave zyrtare, në më shumë se gjysmën e rasteve, shkaku i mundshëm i transmetimit të HIV është përdorimi i gjilpërave të kontaminuara, ndërsa transmetimi nga nëna tek fëmija u regjistrua në një pakicë rastesh.

    Edhe pse autoritetet njoftuan masa parandaluese në vitin 2025, hetimi – me më shumë se 32 orë regjistrim sekret – tregon se stafi mjekësor vazhdoi të ripërdorte shiringat dhe të trajtonte pajisjet në mënyrë të papërshtatshme.

    Në të paktën 10 raste, shiringat u ripërdorën në shishe me doza të shumëfishta , ndërsa në katër raste, ilaçet nga e njëjta enë iu dhanë disa fëmijëve. Përveç kësaj, u regjistruan dhjetëra incidente ku injeksionet u dhanë pa doreza sterile, si dhe trajtimi i mbetjeve mjekësore pa mbrojtje.

    Ekspertët paralajmërojnë se rreziku i transmetimit mbetet edhe nëse gjilpëra ndërrohet, për sa kohë që tyta e shiringës është e kontaminuar.

    Administrata e spitalit mohon vërtetësinë e të dhënave ose pretendon se ato janë nga një periudhë e mëparshme. Në të njëjtën kohë, autoritetet lokale deklarojnë se nuk ka prova të qarta epidemiologjike që e lidhin drejtpërdrejt spitalin me epideminë.

    Megjithatë, një raport inspektimi në prill 2025 nga një mision ndërkombëtar identifikoi të njëjtat probleme: injeksione të pasigurta, higjienë të dobët të duarve, ripërdorim të pajisjeve dhe kushte të papërshtatshme në repartet pediatrike.

    Ekspertët thonë se problemi nuk kufizohet vetëm në një spital të vetëm. Pakistani ka një nga normat më të larta të përdorimit të injeksioneve në botë, shumë prej të cilave konsiderohen të panevojshme.

    Presioni nga pacientët, i kombinuar me mungesat e burimeve dhe furnizimeve mjekësore, shpesh çon në praktika të rrezikshme siç është ripërdorimi i pajisjeve.

    Rasti i Taunsës nuk është i izoluar. Në vitin 2019, një shpërthim i ngjashëm në qytetin Rato Dero infektoi qindra fëmijë, me raste që pritet të arrijnë rreth 1,500 deri në vitin 2021. Incidente të ngjashme janë regjistruar edhe në Karaçi, ku ripërdorimi i shiringave u konfirmua si shkak i transmetimit.

    Pavarësisht garancive nga autoritetet, gjetjet tregojnë se praktikat e rrezikshme vazhdojnë. Rasti ngre pyetje kritike në lidhje me sigurinë e sistemit të kujdesit shëndetësor dhe përgjegjësinë e autoriteteve kompetente, me fëmijët që janë viktimat më të cenueshme.

  • Joseph: Kurti të heqë dorë nga populizmi përçarës dhe të përfitojë nga dobësimi i Vuçiqit

    Joseph: Kurti të heqë dorë nga populizmi përçarës dhe të përfitojë nga dobësimi i Vuçiqit

    Humbja e Viktor Orbanit në zgjedhjet në Hungari krijon një dritare të re mundësie për Kosovën, vlerëson Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve.

    Ai e përshkruan largimin e liderit hungarez pas 16 vjetësh në pushtet si një “goditje” për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se ai ka qenë një faktor kyç që i ka dhënë Beogradit hapësirë manovrimi brenda BE-së.

    Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta shfrytëzojë këtë “dobësim të Vuçiqit”, të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe ta pozicionojë Kosovën si faktor stabiliteti, duke i lënë pas qasjet përçarëse.

    “Ashtu siç administrata Trump nuk është e interesuar për lojërat e Vuçiqit, ajo nuk është e interesuar as për ato të Kurtit. Pezullimi i Dialogut Strategjik shtatorin e kaluar ishte dëshmi për këtë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.

    Joseph flet edhe për përplasjet mes SHBA-së dhe Evropës dhe ndikimin e tyre të mundshëm në Kosovë, në kohën kur në BE po shtohen thirrjet për më shumë autonomi në fushën e mbrojtjes.

    Megjithatë, sipas ekspertit amerikan, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar – si boshti kryesor i NATO-s dhe garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan.

  • Arrestohet për krime lufte ish-pjesëtari i MUP’it, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 15 civilëve shqiptarë në Skënderaj

    Arrestohet për krime lufte ish-pjesëtari i MUP’it, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 15 civilëve shqiptarë në Skënderaj

    Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës njofton se sot në fshatin Soqanicë të Leposaviçit ka arrestuar të dyshuarin mashkull shtetas kosovar të nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës Krime Lufte Kundër Popullatës Civile.

    Siç njofton policia “i dyshuari i lartcekur bazuar në hetimet e zhvilluara dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, i uniformuar dhe i armatosur, në mars të vitit 1999 në Skenderaj në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, të organizuar si grup, kanë marr pjesë në operacion policor-ushtarak, ku kanë bërë dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta pesëmbëdhjetë 15 civilë shqiptar, si dhe zhdukur gjashtëmbëdhjetë 16 civilë të tjerë në dy lokacione në Skënderaj”.

    Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prani të avoktatit sipas autorizimit dhe me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit 48-orë, njoftoi PK.

    Kossev raportoi se i arrestuari është D.P.

  • Të premten seancë plenare, këto janë pikat e rendit të ditës

    Të premten seancë plenare, këto janë pikat e rendit të ditës

    Të premten, më 17 prill, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancën e rregullt plenare të radhës.

    Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga nënkryetari Ardian Gola, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

    “Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe vendimin e Qeverisë se Republikës së Kosovës, nr. 07/07, datë 30.03.2026, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza”, thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se “pikë e fundit e rendit të ditës e kësaj seance do të jetë propozimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

    Në fund të njoftimit theksohet se “në mbledhjen e sotme Kryesia e Kuvendit ngarkoi administratën që të bëjë publikimin e konkursit për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”.

  • Kurti: Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, e Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve

    Kurti: Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, e Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e organizuar në shënim të Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës “Ma kthe dritën”, se kjo ditë është një thirrje për mbarë shoqërinë.

    Ai theksoi se heshtja dhe stigma që rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar, siç u shpreh, që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje.

    “Kjo ditë është edhe thirrje për mbarë shoqërinë, që të mbështesë edhe gratë e burrat e tjerë të mbijetuar që vazhdojnë të përballen me paragjykime, në kërkim të të drejtave që atyre u takojnë. Heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje”.

    “Kjo heshtje nuk duhet të jetë më barrë e juaja, ajo është përgjegjësi e jona si shoqëri për ta thyer atë. Është detyra jonë si shtet e shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale me empati dhe respekt të thellë njerëzor”, tha ai.

    Kurti u shpreh se derisa Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve.

    “Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, e Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimeve. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, e Kuvendi i Serbisë, pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krime lufte në Kosovë”, tha ai.

  • Delegacionet izraelite dhe libaneze nisin bisedimet në Uashington

    Delegacionet izraelite dhe libaneze nisin bisedimet në Uashington

    Delegacionet izraelite dhe libaneze sapo kanë hyrë në bisedime me dyer të mbyllura, së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio.

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të ndërmjetësojë bisedimet në Uashington mes ambasadorit izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, dhe ambasadores libaneze në SHBA, Nada Hamadeh Moaëad.

    Hezbollahu kundërshton bisedimet e drejtpërdrejta dhe nuk do të përfaqësohet. Ëafiq Safa, një anëtar i lartë i këshillit politik të grupit militant, i ka thënë Associated Press se grupi nuk do t’i përmbahet asnjë marrëveshjeje të arritur në bisedime.

  • Deputetët në Kuvend ndezin qirinj për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Deputetët në Kuvend ndezin qirinj për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Me qirinj të ndezur ka nisur seanca solemne në Kuvendin e Kosovës, me rastin e Ditës memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se secili deputet ka para vetes një qiri, i cili është kërkuar të ndizet në shenjë nderimi.

  • A gabojnë tregjet në vlerësimin e deklaratave të politikës?

    A gabojnë tregjet në vlerësimin e deklaratave të politikës?

    AKADEMIK ANASTAS ANGJELI

    Zhvillimet në tregjet financiare edhe gjatë javës që lamë pas u ndikuan nga zhvillimet e situatës në Lindjen e Mesme. Këto zhvillime kaluan momente të tensionimit të politikës ndërkombëtare, ku përplasja midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrezikon të kalojë në një përshkallëzim të hapur ushtarak. Shpallja e një armëpushimi të përkohshëm dyjavor nga Presidenti Trump dhe paraqitja e planit iranian me 10 pika shënuan një zhvillim që shkon përtej diplomacisë së zakonshme. Ky plan nuk është thjesht një propozim për ndalimin e luftimeve, por një përpjekje për të rinegociuar parametrat themelorë të rendit rajonal dhe ndoshta të vetë rendit ndërkombëtar. Ato u pasuan nga takimi i dy palëve në Islamabad, të cilat përfunduan pa një marrëveshje. Kjo e bën situatën të tensionuar dhe tregjet të tronditura. Por çfarë përfshin plani i Iranit me 10 pika, që u diskutua në fundjavë dhe nuk u dakordësua? Sipas informacionit të publikuar, plani përfshin këto elemente kryesore:

    Në thelb, këto pika nuk janë të pavarura nga njëra-tjetra. Ato përbëjnë një paketë koherente, që synon të transformojë Iranin nga një aktor i sanksionuar dhe i kufizuar në një fuqi të njohur dhe të integruar, në arkitekturën rajonale.

    TREGJET, “VIKTIMA” TË NAIVITETIT POLITIK?!

    Në sallat e zhurmshme të bursave të Londrës dhe Nju Jorkut, aty ku numrat nëpër ekrane lëvizin me shpejtësinë e dritës, ekziston një forcë që shpesh peshon më shumë se prodhimi fizik i fuçive të naftës: Fjala. Nuk po flasim për “fjalë dosido”, por për deklaratat që dalin nga zyrat e larta të diplomacisë botërore. Historia e tregjeve financiare është e mbushur me momente ku një fjali e vetme ka fshirë miliarda dollarë vlerë brenda minutave, ose ka fryrë flluska optimizmi që kanë plasur po aq shpejt sa u krijuan. Pyetja që shtrohet sot, në një botë të paqëndrueshme gjeopolitike, është: A po bëhen tregjet gjithnjë e më shumë “viktima” të naivitetit politik?

    Le te shohim pak më nga afër faktorët e këtij fenomeni. Kur shpresa mposht logjikën, jemi në fazën e parë të funksionimit të këtij fenomeni. Imagjinoni një skenë ku çmimi i naftës bruto ka kapur majat, duke kërcënuar stabilitetin ekonomik të kontinenteve të tëra. Tensioni është i prekshëm. Papritur, nëpër kanalet e lajmeve shpërthen një titull: “Palët bien dakord për nisjen e negociatave”. Në atë sekondë, psikologjia e tregut ndryshon rrënjësisht. Algoritmet e tregtimit dhe investitorët njerëzorë reagojnë instinktivisht. Brenda pak orësh, çmimi i naftës pëson një rënie drastike, duke u zhytur poshtë niveleve të frikshme, sikur paqja të ishte tashmë e nënshkruar dhe furnizimi të ishte siguruar përgjithmonë. Ky reagim zinxhir ngjan me një frymëmarrje të thellë lehtësimi, por shpesh është një frymëmarrje e parakohshme. Tregu, në nxitimin e tij për të paraprirë të ardhmen, shpesh e ngatërron dëshirën për zgjidhje me zgjidhjen reale. Në këtë fazë, euforia e negociatave uli çmimin me një shpejtësi marramendëse, duke krijuar përshtypjen se politika e kishte thyer ciklin e rritjes. Por, a ishte ky një vlerësim racional i bazuar në shifra, apo një reagim emocional ndaj një premtimi politik?

    Shumë shpejt ndodhi ajo që shumë e quajtën kthimi i dhimbshëm te realiteti. Megjithatë, ndërsa jehona e deklaratave të para fillon të bjerë, realiteti i ftohtë i terrenit fillon të rishfaqet. Negociatat rezultojnë të vështira, procesi bllokohet dhe retorika e paqes zëvendësohet sërish nga zhurma e makinerive të luftës ose kufizimet e prodhimit. Këtu ndodh kthesa e madhe narrative. Ai çmim që ra me aq vrull, fillon të zvarritet përpjetë, derisa prek sërish barrierën psikologjike prej mbi 100 dollarësh për fuçi. Ky rikthim nuk është thjesht një korrigjim çmimi por, është një dëshmi e “pendesës” së tregjeve dhe ngutjes së agjentëve që e vënë në funksionim ato. Investitorët kuptojnë se u mjaftuan me një deklaratë sipërfaqësore, duke injoruar faktin se nafta nuk lëviz vetëm me fjalë, por me tubacione, anije dhe politika afatgjata. Kur barriera e 100 dollarëve thyhet sërish, mesazhi është i qartë: besimi te politika është thyer dhe tregu po kërkon tashmë prova, jo premtime. Ky cikël i rënies euforike dhe ngritjes së dhimbshme na tregon se tregjet, pavarësisht teknologjisë, mbeten thellësisht njerëzore në gabimet e tyre të vlerësimit.

    MIDIS PROFITIT DHE PROFECISË, JA NEGOCIATAT DHE NJERËZIT QË I BËJNË ATO

    Kjo është një skicë narrative që portretizon protagonistët e këtij teatri gjeopolitik, ku interesat e pragmatizmit tregtar gërshetohen me idealizmin antiluftë dhe mbijetesën e një regjimi teokratik. Në tavolinat e rënda të lisit, ku fatet e kombeve vulosen shpesh me një shtrëngim duarsh të sforcuar, njerëzit që ulen përballë njëri-tjetrit janë po aq të rëndësishëm sa pikat e traktatit. Negociatat e reja mes SHBA-së dhe Iranit nuk i ngjajnë diplomacisë klasike. Ato janë një përzierje e rrallë e hijeve të inteligjencës, oreksit të kapitalit dhe dogmës fetare. Nga ana amerikane, arkitektura e delegacionit ka në krye zëvendëspresidentin amerikan JD.Vance. Ai duke u pozicionuar disi kundër luftës, jep një profil me “ndjesinë paqësore” dhe u jep negociatave një ngjyrim moral, një lloj garancie se Uashingtoni këtë herë po kërkon një rrugëdalje, jo një fushëbetejë. Por, pas tij, qëndrojnë dy biznesmenë të fuqishëm, emrat e të cilëve nuk gjenden në librat e historisë, por në listat e “Forbes”. Ata nuk ishin aty për parime gjeopolitike, por për gjeometrinë e tregut. Vizioni i tyre është i guximshëm. Ata synojnë një menaxhim të përbashkët të Ngushticës së Hormuzit. Për këta pragmatistë, ky rrip i ngushtë uji ku kalon gjaku i ekonomisë botërore (nafta), nuk duhet të jetë një pikë fërkimi, por një korporatë e përbashkët. Ata e shohin politikën si një mjet për të siguruar që anijet të lundrojnë lirshëm, duke e kthyer një zonë lufte, në një zonë administrimi dypalësh. Përballë tyre u ul delegacioni iranian, një grup që duhet të balancojë mbijetesën ekonomike me “nderin” revolucionar. Ai përbëhet nga diplomatë të vjetër, të shkolluar në perëndim, por të kalitur në zjarrin e sanksioneve. Kryenegociatori është një figurë enigmatike, një njeri që flet gjuhën e lartë të Vjenës dhe Gjenevës, por që çdo fjalë e peshon me filtrin e Liderit Suprem. Krahas tij qëndrojnë strategët e Gardës Revolucionare, të cilët kanë kuptuar se fuqia ushtarake ka arritur kufijtë e saj dhe se tani i duhet lënë vendi “xhudos diplomatike”. Ata nuk vijnë me dorën e shtrirë, por me vetëdijen se zotërojnë çelësin e portës së Hormuzit. Për iranianët, këto negociata nuk janë për liri, por për njohjen e tyre si bashkëzotërues të rajonit. Ata shohin te biznesmenët amerikanë një mundësi për të thyer izolimin përmes interesit financiar, duke shpresuar se lakmia për naftë do të mundë ideologjinë e konfrontimit.

    Ky nuk është një takim mes armiqve që duan të bëhen miq, por mes kundërshtarëve që duan të bëhen ortakë. Ata e dinë se nëse kjo marrëveshje arrihet, harta e Lindjes së Mesme ndryshon përgjithmonë. Janë pikërisht këta njerëz, ata që do të vendosin nëse nafta do të vazhdojë të rrjedhë lirshëm, apo do të kthehet në një zjarr që përvëlon sërish tregjet globale. Ndërkaq, përtej dritave të vjetra të sallës së negociatave, bota qëndron në ankth. Nëse tryeza e bisedimeve është qendra e ciklonit, jashtë saj fryjnë erërat e interesave globale që nuk njohin diplomaci, por vetëm nevojë për naftë dhe fuqi. Ky është teatri i vërtetë, ku Europa, Kina dhe Rusia luajnë një lojë shahu me shumë dimensione, ndërkohë që gjigantët e industrisë së energjisë bëjnë rojën e parimeve të vjetra të detit. Për Europën, këto negociata nuk janë thjesht një çështje politike, ato janë një çështje mbijetese industriale. Kontinenti i vjetër, i gjendur në mes të një tranzicioni energjetik të vështirë dhe i shkëputur nga varësia ruse, e sheh Ngushticën e Hormuzit si një arterie jetësore. Sytë e Brukselit dhe Berlinit janë të fiksuar te çdo lëvizje e buzëve të negociatorëve. Çdo dështim për të garantuar rrjedhën e lirë të naftës përkthehet në fatura të larta për qytetarët dhe një rënie të konkurrueshmërisë së fabrikave të tyre. Europa kërkon naftë, por mbi të gjitha kërkon parashikueshmëri. Në anën tjetër të globit, Kina luan një lojë më komplekse. Pekini nuk kërkon vetëm naftë për të ushqyer makinerinë e tij gjigante prodhuese por, ai kërkon pushtet strategjik. Për Kinën, suksesi i negociatave do të thotë stabilitet, por një menaxhim i përbashkët SHBA-Iran mund të jetë një thikë me dy prerje. Kina do që nafta të rrjedhë, por nuk do që çelësi i kësaj porte të mbetet vetëm në duart e Uashingtonit. Ata janë spektatori që paguan biletën më të shtrenjtë, duke shpresuar që në fund të shfaqjes, të jetë pikërisht ndikimi i tyre ai që do të peshojë më shumë në ekuilibrat e rinj të Lindjes së Mesme. Në këtë skenë, Rusia shfaqet si “antagonisti” i heshtur. Për Moskën, suksesi i negociatave dhe ulja e tensioneve janë lajme të këqija. Kremlinit i duhet një naftë e shtrenjtë, mundësisht mbi 100 dollarë, për të financuar makinerinë e saj të luftës dhe për të mbajtur në këmbë një ekonomi nën rrethim. Çdo herë që diplomacia dështon dhe tensioni në Hormuz rritet, arka e Rusisë mbushet. Për ta, paqja në këtë ngushticë është një luks që nuk mund t’ia lejojnë vetes, ndaj nga larg, ata shpresojnë që tryeza të thyhet dhe bota të mbetet sërish në ethet e pasigurisë. Ndërkohë, sipër kësaj loje gjeopolitike qëndron zëri i korporatave të naftës dhe gazit. Për këta gjigantë, Ngushtica e Hormuzit nuk duhet t’i përkasë askujt, sepse ajo u përket të gjithëve. Logjika e tyre është e thjeshtë dhe e prerë: e drejta ndërkombëtare garanton lundrimin e lirë. Ata kundërshtojnë me forcë çdo ide ku Ngushtica mund të kushtëzohet apo të sundohet nga një pakt dypalësh. Për kompanitë e naftës, ky ujë është një “rrugë publike” globale. Ato e shohin me dyshim tentativën për ta kthyer menaxhimin e saj në një mjet politik. Mesazhi i tyre është i qartë: askush nuk ka të drejtë të vendosë postblloqe në arterien kryesore të botës. Ato kërkojnë rikthimin te status-quoja, ku tregtia dominon mbi inatet politike dhe ku anijet mund të kalojnë pa pasur frikë se do të kthehen në monedhë këmbimi mes fuqive të mëdha. Në fund, kjo tryezë nuk është vetëm mes dy shteteve, por një fushëbetejë ku përplasen nevoja e Europës, ambicia e Kinës, dëshpërimi i Rusisë dhe pragmatizmi i tregtisë globale. Kur dora enegociatorit zgjatet drejt marrëveshjes, ajo mban peshën e të gjithë këtyre aktorëve që presin në hije.

    “MURI DETAR” DHE KOLAPSI I DIPLOMACISË KUR NAFTA KTHEHET NË ARMË

    Nëse javën e kaluar korridoret e hotelit “Serena” në Islamabad gumëzhinin nga optimizmi i kujdesshëm i diplomatëve, agimi i kësaj të hëne, 13 prill 2026, solli një heshtje vdekjeprurëse. Ndërprerja e menjëhershme e bisedimeve nuk ishte thjesht një dështim burokratik, por ishte sinjali i parë i një stuhie që po zhvendosej nga tryezat e bisedimeve drejt ujërave të kripura të Gjirit Oman. Kur Uashingtoni lëshoi deklaratën zyrtare se “asnjë pikë nafte nuk do të kalojë Ngushticën e Hormuzit pa u kontrolluar apo ndaluar”, tregjet financiare pësuan një goditje elektrike që fshiu brenda pak minutash miliarda dollarë vlerë tregtare. Ky moment shënoi fundin e “spekulimit të heshtjes”. Specialistët e Goldman Sachs, të cilët parashikonin një “ecje mbi thëngjij” në brezin $90-$95, u detyruan të grisin raportet e tyre. Nafta nuk po tregtohet më në bazë të vlerës së saj si lëndë djegëse, por si një certifikatë mbijetese gjeopolitike. Kanali i Hormuzit u shndërrua nga një “arterie të bllokuar” në një “vijë të kuqe ushtarake”. Në horizont u duk shënjestra e re, ajo që shumë e quajnë “Përplasja Titanike” me Kinën, pasi janë vënë në shënjestër edhe anijet e transportit që furnizojnë Pekinin, fuqinë e dytë ekonomike në botë. Në bursat e Azisë, kjo u përkthye në një të “hënë të përgjakshme”. Hapja e bursës së Hong Kongut dhe Shangait ishte një dëshmi e panikut të pastër. Me një rënie drastike prej mbi 1.5% në indekset kryesore si Hang Seng dhe Nikkei, investitorët po sinjalizojnë se një luftë ekonomike SHBA-Kinë në mes të një krize energjetike është “skenari i ferrit”. Sot, në faqet e para të “Financial Times” dhe “Wall Street Journal”, fjala “armëpushim” është zëvendësuar me “bllokadë”. Strategët e “Deutsche Bank” theksojnë se pyetja e javës së kaluar “sa anije do të kalojnë” tashmë e ka marrë përgjigjen: asnjë. Kjo ka krijuar një boshllëk fizik në ofertë, që asnjë rezervë strategjike nuk mund ta plotësojë. Nëse në fillim të prillit mjaftonte një njoftim për diplomaci që çmimi të binte, tani po ndodh e kundërta. Tregu është bërë imun ndaj çdo deklarate qetësuese që nuk shoqërohet me pamje satelitore të anijeve që lëvizin lirshëm. Kostoja e sigurimeve detare ka arritur nivele absurde, ku kompanitë e mëdha si Maersk dhe MSC kanë urdhëruar anijet e tyre të kthehen mbrapsht ose të ankorohen në porte të sigurta deri në një njoftim të dytë. Kjo do të thotë se “boshllëku fizik” prej 10 milionë fuçive në ditë po zgjerohet, duke e lënë botën pa karburantin bazë për industrinë.

    Specialistët e Rystad Energy paralajmërojnë se po hyjmë në një fazë ku “logjistika e konfliktit” po mbyt “arsyen tregtare”. Në këtë narrativë të re, nafta po sillet si një “mall lufte”. Kur SHBA-ja deklaron se do të ndalojë furnizimin e Kinës, ajo po godet drejtpërdrejt zinxhirin e prodhimit të gjithçkaje, nga mikroçipet te makinat elektrike. Ky është momenti ku gjeopolitika takon inflacionin në mënyrën më brutale të mundshme. Bursat e Azisë nuk po reagojnë vetëm ndaj mungesës së naftës, por ndaj fundit të rendit tregtar global siç e njohim. Nëse Hormuzi mbyllet për anijet kineze, atëherë e gjithë struktura e globalizmit po shpërbëhet para syve tanë. Nafta $105 është vetëm maja e ajsbergut, sepse ajo që fshihet poshtë është një riorganizim i ri i aleancave botërore.

    Pra, duket qartë se tregjet nuk ishin “nxënës të dobët të diplomacisë”, por parashikues të saktë të një konflikti që po vinte. Ata që blenë naftë kur çmimi ra në $85 gjatë “fotove të Islamabadit”, sot po korrin fitime, por bota po paguan koston e një krize që nuk ka më kufij. Ngushtica e Hormuzit nuk është më thjesht një korridor ujor, por është shndërruar në një “lak” që po shtrëngohet rreth fytit të ekonomisë globale. Ndërsa dielli perëndon mbi bursat e mbyllura në të kuqe të Azisë, pyetja që rëndon mbi çdo investitor nuk është më “sa do të kushtojë fuçia”, por “a do të ketë fuçi për të blerë”. Në këtë lojë me aksione kaq të larta, fitorja nuk matet më me protokolle bashkëpunimi, por me aftësinë e fuqive të mëdha për të mos e kthyer këtë bllokadë ekonomike në një përplasje të hapur ushtarake. Historia na ka mësuar se kur arteriet bllokohen, kolapsi i gjithë organizmit është vetëm çështje kohe.

  • Rruga Pejë–Rozhajë mbyllet për kamionë deri më 17 prill

    Rruga Pejë–Rozhajë mbyllet për kamionë deri më 17 prill

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se nga sot, 14.04.2026 në ora 10:00, do të bllokohet për qarkullim rruga Pejë–Rozhajë, por vetëm për kamionë.

    Njoftimi është bërë i ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku thuhet se masa është e përkohshme dhe lidhet me kufizimet e shoferëve të kamionëve në Bashkimin Evropian, si dhe me disa kërkesa të tyre të brendshme.

    Sipas njoftimit, bllokimi do të zgjasë deri më 17.04.2026 në ora 10:00, ndërsa për automjetet e vogla rruga do të mbetet e hapur.

    “Ju njoftojmë se në komunikim me Policinë e Malit të Zi, kemi pranuar informatën se rruga Pejë–Rozhajë, saktësisht në vendin Dacaj në territorin e Malit të Zi, do të bllokohet nga sot datë, 14.04.2026 prej orës 10:00 deri më datë, 17.04.2026 në ora 10:00. Bllokimi i rrugës është vetëm për kamionë dhe ka të bëjë me kufizimet e shoferëve të kamionëve në Bashkimin Evropian, si dhe me disa kërkesa të brendshme të tyre. Për automjete të vogla rruga do të jetë e hapur”, thuhet në njoftim.

  • 96 gjoba dhe 48 motoçikleta të konfiskuara brenda 13 ditësh në Ferizaj

    96 gjoba dhe 48 motoçikleta të konfiskuara brenda 13 ditësh në Ferizaj

    Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar kontrollet në trafik gjatë periudhës 1–13 prill 2026, duke u fokusuar veçanërisht tek drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve. Si rezultat i këtyre aktiviteteve, janë shqiptuar gjithsej 96 gjoba ndaj drejtuesve që kanë shkelur rregullat e komunikacionit rrugor.

    Sipas njoftimit policor, gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar edhe 48 motoçikleta, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.

    Kontrollet janë realizuar në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe skuterëve”, i cili synon rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.

    Llojet e kundërvajtjeve të evidentuara:

    • 50 gjoba për drejtim të motoçikletës pa patentë shoferi
    • 43 gjoba për drejtim pa regjistrim
    • 3 gjoba për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse
    • 48 motoçikleta të konfiskuara

    Policia u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut, duke theksuar se ngasja e papërgjegjshme rrezikon jetën e drejtuesve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

    “Respektoni kufizimet e shpejtësisë, përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës dhe gjithmonë vendosni helmetën mbrojtëse. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën,” thuhet në apel.

    Policia ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ndërkohë, qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose përmes numrave 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, duke garantuar ruajtjen e plotë të konfidencialitetit.