ATV

Category: Lajme

  • I akuzuari për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti pranon fajësinë

    I akuzuari për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti pranon fajësinë

    I akuzuari Liman Berisha, për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti, ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar.

    Këtë deklarim ai e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arian Frrokaj.

    I akuzuari Berisha deklaroi se ndihet fajtor dhe shprehu pendesë për rastin e ndodhur, duke theksuar se nga ai incizim nuk ka pasur asgjë kundër të dëmtuarit Alaudin Hamiti. Ai kërkoi falje ndaj tij dhe familjes së tij, si dhe i propozoi gjykatës që gjatë matjes së dënimit t’i shqiptohet një dënim sa më i butë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gojart Zymberi, deklaroi se e mbështet deklarimin e klientit të tij, duke shtuar se ai nuk ka pasur ndonjë qëllim për rrezik real apo serioz ndaj të dëmtuarit, dhe se nga deklarimi i tij vërehet se bëhet fjalë për një reagim emocional.

    Po ashtu, ai i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë dhe të shqiptojë një dënim sa më të butë, si dhe të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak për të mbrojturin e tij.

    Prokurori i shtetit, Arian Frrokaj, nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë, duke theksuar se ai mbështetet në dispozitat ligjore në fuqi dhe se gjatë caktimit të dënimit duhet të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

    Ndërkaq, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Blinera Osmani, tha se e mbështet në tërësi qëndrimin e prokurorit, duke theksuar se si pasojë e kërcënimit serioz, i dëmtuari ka përjetuar ndjenjë të vazhdueshme pasigurie për jetën dhe integritetin e tij personal. Sipas saj, kjo gjendje ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të tij, duke i shkaktuar ankth, stres të vazhdueshëm dhe çrregullim në jetën e përditshme. Ajo propozoi që gjykata t’i shqiptojë të akuzuarit dënimin në përputhje me kërkesën e prokurorisë.

    Pala e dëmtuar, Alaudin Hamiti, tha se e mbështet përfaqësuesen e tij dhe shtoi se dëshiron të dijë arsyet e kërcënimit, pasi që nuk e njeh të akuzuarin dhe nuk ka kërcënuar askënd.

    Pranimi i fajësisë u aprovua nga gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, i cili tha se lidhur me masën e arrestit shtëpiak do të vendoset me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 19 mars 2026, më 26 nëntor 2024, rreth orës 14:30, në Facebook, në adresën e Klan Kosovës, i pandehuri Liman Berisha, në formë shkrimi dhe mesazhesh zanore, ka dërguar porosi kërcënuese ndaj moderatorit Alaudin Hamiti, duke shkruar: “Edi (ish-banor i programit) është nipi jem, atë fjalë që ia ke thanë, Alaudin, besom ka me pagu me jetë, dhe po e rrite atë ton, ka me hanger plumbin shpejt”.

    Sipas aktakuzës, me këtë veprim i dëmtuari ka ndjerë frikë dhe pasiguri.

    Prandaj, Berisha ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Gola: Në seancën e së premtes në rend dite do të jetë edhe Projektligji për Byronë

    Gola: Në seancën e së premtes në rend dite do të jetë edhe Projektligji për Byronë

    Nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, tha se pati pajtim nga kryesia e Kuvendit qe në seancën e së premtes në rend të ditës të futet Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Ekonomia Online.

    “Sot nuk patëm diçka shumë specifike, përjashtimisht faktit që seancën e kemi caktuar të premten në ora 10:00. Arsyeja pse nuk u vendos për të enjten, që është rëndom praktikë parlamentare, konsiston në faktin që ishim një ditë me vonesë në mbajtjen e mbledhjes së kryesisë dhe për shkak se rregullorja në mënyrë shprehimore e përcakton afatin dyditor prej mbledhjes së kryesisë, respektivisht prej ndarjes së materialeve për deputetët e deri te seanca plenare e radhës, u deshëm që të shtyjmë për të premten ose të shkojmë me seancë të jashtëzakonshme. Po, patëm dakordim edhe me nënkryetarët e grupeve parlamentare dhe të premten në orën 10:00 do të kemi seancën plenare të radhës, ku si pika më të veçanta janë projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, edhe vendimin e Qeverisë për dërgimin e forcave të sigurisë në Gaza. Pikat tjera janë çështje më shumë të brendshme të Kuvendit, nuk ka diçka tjetër specifike”, tha ai.

  • Kusari: Tronditëse ajo që ndodhi në komisionin për përzgjedhjen e anëtarëve të RTK-së

    Kusari: Tronditëse ajo që ndodhi në komisionin për përzgjedhjen e anëtarëve të RTK-së

    Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar lidhur me zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar ato si të paprecedenta.

    Përmes një postimi, Kusari tha se ajo që ka ndodhur gjatë mbledhjes përgatitore të Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Radio Televizioni i Kosovës është, sipas saj, “më së paku me thënë, tronditëse”.

    Ajo theksoi se e monitoron punën e Kuvendi i Kosovës që nga viti 2012–2013, por nuk ka parë më herët situata të ngjashme.

    Postimi i plotë:

    Ajo që ka ndodhur sot në parlament në mbledhjen përgatitore të Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të RTK-së është, më së paku me thënë, tronditëse.

    Unë e monitoroj Kuvendin pak a shumë që nga viti 2012–2013. Kurrë nuk kam parë diçka të tillë.

    Detajet më vonë ose nesër, pasi të përfundon edhe mbledhja për anëtarët e KPM-së e cila mbahet sot në orën 14:00.

  • “Kemi kërkuar letër nga Kurti”, Çitaku flet për zgjedhjen e presidentit

    “Kemi kërkuar letër nga Kurti”, Çitaku flet për zgjedhjen e presidentit

    Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka theksuar se zgjedhja e presidentit të vendit është një moment shumë i rëndësishëm për demokracinë parlamentare.

    Çitaku theksoi se PDK-ja ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta formalizojë kërkesën e tij ndaj kësaj partie përmes një letre, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    “Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë, ndërsa PDK-ja ka vetëm 22 deputetë. Nëse shumica parlamentare është e interesuar për të zgjedhur presidentin, nuk e ka opsion vetëm bashkëbisedimin me PDK-në, por ka edhe mundësi të tjera”, tha Çitaku para mediave pas mbledhjes së Kryesisë.

    “Deri tani, një letër e tillë nuk ka mbërritur në adresën e PDK-së”.

    Ndër të tjera, deputetja njoftoi se mbledhja e grupit parlamentar të PDK-së do të mbahet nesër.

  • Nga një vit e gjashtë muaj burgim për deputetin Egzon Azemi dhe zëdhënësin e VV-së, Arlinda Manxhuka për nxitje të përçarjes

    Nga një vit e gjashtë muaj burgim për deputetin Egzon Azemi dhe zëdhënësin e VV-së, Arlinda Manxhuka për nxitje të përçarjes

    Deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi dhe zëdhënësi i Lëvizjes VV-së, Arlind Manxhuka u shpallën fajtorë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, duke u dënuar secili veç e veç me nga një vit e gjashtë muaj burgim.

    Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj u shpallën fajtorë për veprën penale “kanosje”, dhe u dënuan secili veç e veç me nga gjashtë muaj burgim.

    Shpallja e aktgjykimit u bë nga trupi gjykues në përbërje: Kushtrim Shyti, kryetar i kolegjit, si dhe anëtarët Violeta Namani dhe Avi Syla.

    Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në shpallje ishte i pranishëm Edi Zenelaj, si dhe mbrojtëset: avokatja Teutë Xhema, për Egzon Azemin, dhe avokatja Valentina Shabani, për Arlind Manxhukën.

    Ndërkaq, munguan të akuzuarit Egzon Azemi, Arlind Manxhuka dhe Qerim Elshani, si dhe prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 mars 2025, kishte shpallur aktgjykim me të cilin kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim. Por, Gjykata e Apelit më 27 tetor 2025 e ktheu rastin në rigjykim.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.

    Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

    “I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.

    Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

    Me këtë, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.

    “I pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehuri Zenelaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet në aktakuzë.

    Me këtë, secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale të kanosjes nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

  • Balla: Kur vjen puna për çështje kombëtare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë

    Balla: Kur vjen puna për çështje kombëtare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë

    Shefi i Socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla, në Samitin e Diasporës që po zhvillohet në Tiranë, foli sot edhe për përfaqësimin e shqiptarëve.

    Balla tha se mesazhi i samiteve të tilla është që të shqiptarët të bëhen bashkë, sepse vetëm kështu mund të jenë të fuqishëm.

    “Ne shqiptarët nganjëherë nuk dimë t’kuptojmë që kur të vjen puna për çështje kombëtare, duhet të bëhemi bashkë. Prandaj mendoj që ka ardhur koha që të mendojmë edhe në vendet tjera ku garojmë.

    Duhet të kujtojmë mësimin e Skënderbeut, se bashkimi bën fuqi. Mesazhi i këtyre samiteve është për t’u bërë bashkë.”

    Kësisoj, Balla shtoi se duhet të ketë më shumë përfaqësues në Parlamentin Shqiptar, por edhe kudo ku shqiptarët garojnë, duhet ta kenë mbështetjen e të gjithëve.

    “Unë jam shumë krenar si pjesë e shumicës parlamentare, që brenda grupit tim parlamentar të kem prej atyre që erdhën nga diaspora, konkurruan, fituan dhe janë anëtarë të Parlamentit Shqiptar. Por më shumë duhen përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë, sikurse duhet t’i mbështesim kudo që jetojnë. “

  • Kryeprokurori i Prizrenit priti në takim përfaqësues të OSBE-së

    Kryeprokurori i Prizrenit priti në takim përfaqësues të OSBE-së

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në një takim pune përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Kosovë, përkatësisht Menaxherin e projektit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Kahramon Sanginov, si dhe zyrtaren për monitorimin e proceseve gjyqësore, znj. Etleva Kelmendi – Shabani.

    Gjatë këtij takimi u diskutua për çështje të rëndësishme që lidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve të korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe forcimin e llogaridhënies.

    Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe mbështetjen që OSBE-ja ofron në ngritjen e kapaciteteve profesionale, monitorimin dhe avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

    Kryeprokurori Kryeziu, falenderoi përfaqësuesit e OSBE-së për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në funksion të rritjes së efikasitetit në trajtimin e rasteve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

    Nga ana e tyre, përfaqësuesit e OSBE-së vlerësuan angazhimin e Prokurorisë së Prizrenit në adresimin e rasteve të korrupsionit dhe shprehën përkushtimin për të vazhduar mbështetjen në këtë drejtim.

    Takimi përfundoi me dakordim për vazhdimin e koordinimit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

  • Të premten seanca e re e Kuvendit

    Të premten seanca e re e Kuvendit

    Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka njoftuar se seanca e re e Kuvendit të Kosovës, do të mbahet të premten.

    Pas mbledhjes së Kryesisë, para mediave ajo tha se seanca nis në orën 10:00 dhe pos deklarimeve të jashtë rendit të ditës dhe pikave të zakonshme, do të trajtohen edhe dy vendime.

    “Projektligji për Byronë si dhe vendimi i Qeverisë për dërgimin e FSK-së në Gaza”, tha Nagavci.

  • Çështja e presidentit, Nagavci: Kurti po vazhdon angazhimet – zgjedhjet janë të panevojshme

    Çështja e presidentit, Nagavci: Kurti po vazhdon angazhimet – zgjedhjet janë të panevojshme

    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka folur për çështjen e presidentit pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Ajo tha se kryeministri Albin Kurti po vazhdon angazhimet e tij sa i përket kësaj çështjeje, derisa theksoi se shpreson që do të ketë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.

    “Kurti po vazhdon angazhimet e tij dhe besoj që në ditët e mbetura, të arrijmë një pajtueshmëri dhe një mbështetje, gjegjësisht propozime konkrete dhe të gjejmë zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”.

    “Pres dhe besoj që jo vetëm ne si deputetë të grupit tonë parlamentar, por edhe qytetarët presin që të gjejmë një zgjidhje, propozime konkrete dhe të votohet presidenti në kuvend sepse e kemi thënë disa herë, që një palë zgjedhje të reja janë të panevojshme dhe të padrejta”, deklaroi Nagavci para mediave.

  • Vrau fqinjin me çekiç, Apeli dënon me burgim të përjetshëm autorin

    Vrau fqinjin me çekiç, Apeli dënon me burgim të përjetshëm autorin

    Gjykata e Apelit ka dënuar me burgim të përjetshëm I.H.

    Ai u cilësua fajtor për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen e Xhemal Metës, fqinj i tij të cilin e goditi me çekiç.

    Trupa gjykuese e cilësoi I.H-në fajtor për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen e Xhemal Metës, fqinji të cilin e goditi me çekiç.

    Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 janar të vitit 2025, ku 64-vjeçari goditi me çekiç fqinjin e tij Xhemal Meta, në oborrin e shtëpisë së viktimës.

    Pas ngjarjes ai i mori edhe rreth 200 mijë lekë që Meta i mbante me vete.

    Ai kishte akumuluar mllef ndaj Metës prej kohësh pasi viktima i thoshte shpesh se nuk ishte burrë pasi rrinte 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi dhe nuk e dinte çfarë bëhej me gruan e tij.