ATV

Category: Lajme

  • Japonia ndryshon rregullat e eksportit të armëve – hap rrugën për shitjet e armëve vdekjeprurëse jashtë vendit

    Japonia ndryshon rregullat e eksportit të armëve – hap rrugën për shitjet e armëve vdekjeprurëse jashtë vendit

    Japonia do të lehtësojë rregullat e eksportit të armëve, tha të martën zëdhënësi kryesor i qeverisë, Minoru Kihara, një ndryshim politikash që hap rrugën për shitjen e armëve vdekjeprurëse jashtë vendit.

    Rregullat e reja i japin fund kufizimeve të vetë-imponuara të Japonisë për shitjen e armëve vdekjeprurëse, ndërsa Tokio kërkon të hyjë në tregun ndërkombëtar të armëve, duke shpresuar të forcojë mbrojtjen kombëtare dhe të nxisë rritjen ekonomike, shkruajnë mediat e huaja.

    Kjo vjen ndërsa ankthi rritet për aktivitetin ushtarak në rritje të Kinës në rajon, si dhe kërcënimet e vazhdueshme të sigurisë nga Koreja e Veriut dhe Rusia.

    “Këto vendime janë marrë në një kohë kur ndryshimet në mjedisin e sigurisë që rrethon vendin tonë po ndodhin me një ritëm të përshpejtuar dhe ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e Japonisë, duke kontribuar edhe më shumë në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Kihara në një konferencë për shtyp.

    Sipas tij, “sot, asnjë komb nuk mund të mbrojë paqen dhe sigurinë e vet i vetëm”.

    Eksportet më parë ishin të kufizuara në pajisje të klasifikuara në pesë kategori: kërkim-shpëtim, transport, paralajmërim, mbikëqyrje dhe pastrim nga minat.

    Megjithatë, kryeministri Sanae Takaichi postoi në X duke thënë se “me këtë ndryshim, transferimet e të gjitha pajisjeve të mbrojtjes në parim do të bëhen të mundura”.

    Mbështetësit e ndryshimit të politikës argumentojnë se ndryshimi duhet ta integrojë më tej Tokion në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit të mbrojtjes, duke thelluar lidhjet e mbrojtjes, diplomatike dhe ekonomike me vendet partnere, ndërsa paqëndrueshmëria rajonale rritet.

    Por vendimi ka shkaktuar shqetësim midis disa anëtarëve të publikut japonez, me kritikët që akuzojnë Takaichi-n për “lëndimin e historisë krenare të pacifizmit të palëkundur të vendit”.

    Ndryshimi i politikës është miratuar nga Kabineti dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, tha Kihara.

    Heigo Sato, një ekspert për çështjet e mbrojtjes dhe kontrollin e armëve në Universitetin Takushoku, tha se Japonia duhet ta përdorë këtë kohë paqeje për të siguruar gatishmëri luftarake duke krijuar “një sistem që siguron shkëmbimin e qetë të armëve dhe municioneve” midis aleatëve.

  • Teherani kërkon lirimin e anijes së mallrave dhe ekuipazhit të kapur nga SHBA-të

    Teherani kërkon lirimin e anijes së mallrave dhe ekuipazhit të kapur nga SHBA-të

    Ministria e Jashtme e Iranit dënoi sekuestrimin e anijes iraniane të mallrave Touska nga forcat amerikane dhe bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm të anijes iraniane, marinarëve të saj, ekuipazhit dhe familjeve të tyre”, në një deklaratë të publikuar të martën.

    Marina Amerikane qëlloi dhe sekuestroi anijen me flamur iranian të dielën, pasi ajo u përpoq të kalonte bllokadën detare amerikane në Gjirin e Omanit, sipas presidentit Donald Trump.

    Pamjet e publikuara nga ushtria treguan një shkatërrues me raketa të drejtuara duke qëlluar mbi anijen dhe marinsat që zbrisnin nga helikopterët në kuvertën e saj.

    Irani më parë u zotua të hakmerrej për sekuestrimin e anijes, të cilën Ministria e Jashtme e quajti “jashtëzakonisht të rrezikshme” dhe “kriminale” në deklaratën e saj të së martës.

    “Nuk ka dyshim se Republika Islamike e Iranit do të përdorë të gjitha kapacitetet e saj për të mbrojtur interesat dhe sigurinë kombëtare të Iranit, dhe për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve të saj”, tha deklarata.

    “ Është gjithashtu e qartë se përgjegjësia e plotë për çdo përshkallëzim të mëtejshëm në rajon i takon Shteteve të Bashkuara”, u tha ndër tjera.

    Nuk është e qartë se sa njerëz ishin në bordin e anijes dhe nëse ata janë iranianë. Analistët thonë se ajo që i ndodh ekuipazhit varet nga kombësia e tyre.

  • Çfarë thuhet në raportin e Amnesty International për Kosovën?

    Çfarë thuhet në raportin e Amnesty International për Kosovën?

    Dhuna me bazë gjinore, thirrjet raciste, sulmet ndaj gazetarëve dhe mungesa e ligjit për bashkësi civil mes personave të gjinisë të njëjtë vlerësohen si ngecjet për Kosovën në raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut të organizatës Amnesty International të publikuar më 21 prill. Ndërkaq, zhvillim pozitiv është vlerësuar shfuqizimin i një ligji për rregullatorin e mediave.

    Në raportin vjetor, kjo organizatë për të drejtat e njeriut tha se bota është në prag të një epoke të re të rrezikshme, e nxitur nga sulmet e shteteve të fuqishme dhe lëvizjeve kundër të drejtave të njeriut, ndaj multilateralizmit, ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut.

    Shtetet, institucionet ndërkombëtare dhe shoqëria civile “duhet të refuzojnë politikën e pajtimit dhe të rezistojnë kolektivisht ndaj këtyre sulmeve për të parandaluar që ky rend i ri të zërë vend”, tha organizata në raportin e saj mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në 144 vende.

    Sa i përket dhunës me bazë gjinore në Kosovë, Amnesty përmend një raport të Komisionit Evropian të publikuar në nëntor ku thuhet se dhuna me bazë gjinore është në nivel të lartë, veçmas dhuna në familje, shkruan Evropa e Lirë.

    “Aty pranohet se janë bërë përpjekje për të rritur vetëdijen për këtë çështje dhe për të adresuar ngecjet sa i përket mbrojtjes institucionale dhe ligjore për gratë. Megjithatë, raporti gjeti se këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të luftuar në mënyrë efektive dhunën me bazë gjinore”, tha Amnesty International.

    Shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra, sipas autoriteteve.

    Po ashtu, nga viti 2010 e deri më tani afër 60 gra janë vrarë në Kosovë.

    Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

    Në seksionin për të drejtat e grave dhe diskriminimin po ashtu përmendet edhe vendimi i Gjykatës Supreme për të mbajtur në fuqi e një udhëzim administrativ të vitit 2014 që ndalon veshjet fetare në shkolla, që sipas Amnesty International, “kufizon qasjen e vajzave që mbajnë shami në edukim”.

    Tetorin e vitit të kaluar, Supremja hodhi poshtë padinë e ngritur nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, që kërkonte lejimin e bartjes së shamisë islame. Ky rrjet kishte kërkuar që të shpallej i paligjshëm një udhëzim i Ministrisë së Arsimit, lidhur me rregullat e veshjes së nxënësve në shkolla, duke argumentuar se ndalimi i shamisë cenon të drejtat kushtetuese për lirinë e besimit.

    Si zhvillim pozitiv, Amnesty International vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese të majit të vitit 2025 që shfuqizoi ligjin për të zgjeruar fuqitë e Komisionit të Pavarur të Mediave.

    “Organizatat e shoqërisë civile e vlerësuan ligjin si jokushtetues, duke thënë se kërcënon lirinë e medias dhe pavarësinë”, u tha në raport.

    Sa i përket mediave, Amnesty tha se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë vitit 2025 – deri në nëntor – raportoi për 63 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

    Të drejtat e komunitetit LGBTI+ dhe të komuniteteve joshumicë

    Sikurse edhe në raportin e kaluar, edhe në raportin e ri, Amnesty International përmend mosmiratimin e një ligji që do të mundësonte regjistrimin e bashkësive civile mes personave të gjinisë së njëjtë. Në raport u tha se në këtë drejtim “nuk është bërë përparim” dhe legjislacioni nuk është çuar përpara gjatë krizës politike.

    Organizata po ashtu përsëriti se për pjesëtarët e komunitetit LBTI+ (lesbikë, gej, biseksual, transgjinorë, ndërgjinorë, etj) ende nuk është hapur një strehimore e specializuar, ku do të qëndronin anëtarët e komunitetit që përballen me dhunë.

    Ndërkaq, në seksionin e të drejtave për komunitetin rom dhe ashkali, Amnesty tha se familjet rome përballen me frikë nga dëbimi nga vendbanimet joformale, për shkak se nuk kanë dokumente zyrtare. Mungesa e dokumenteve, sipas raportit, është për shkak të kostos dhe pengesave burokratike.

    Po ashtu, përmendet rasti i futbollistit nga komunitetit ashkali, Belgin Jashari, 15 vjeç, i cili u përball me dhunë fizike gjatë një ndeshjeje.

    “Ai më pas tha se ishte përballur shpesh me ofendime raciste, drejt tij janë hedhur shishe dhe është përballur me dhunë gjatë ndeshjeve”, duke shtuar se Policia e Kosovës e arrestoi të dyshuarin dhe ndaj tij është ngritur akuzë për sulm.

    Dënimet për përdhunimet gjatë luftës

    Raporti i organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International po ashtu adreson edhe çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës. Këtu përmendet rasti i Ramadan Nishorit, i cili në prill të vitit të kaluar u bë burri i parë që publikisht pranoi se është i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës dhe foli publikisht për përvojën e tij.

    Sa i përket veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës, raporti kujton se në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Zhivojin Neshiqin, ish-pjesëtar i policisë serbe dhe forcave ushtarake, me 15 vjet burgim për krime të luftës të kryera më 1999, përfshirë përdhunim.

    Amnesty International kujton po ashtu se në korrik, në një gjykim të mbajtur në mungesë, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Dragan Deniqin dhe Ivica Rajkoviqin me nga 15 vjet burgim për përdhunimin e një gruaje shqiptare gjatë luftës më 1998-1999.

    Raporti po ashtu përmend ngritjen e aktakuzës në gusht nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 21 personave në mungesë për dëbimin e 800.000 shqiptarëve civilë gjatë luftës.

    Kur flitet për akuza për krime lufte, Amnesty përmend edhe proceset gjyqësore që janë zhvilluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

    “Në maj, Qeveria [e Kosovës] u patua që të pranonte pretendime për kompensim nga viktimat e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u gjetën fajtorë në Dhomat e Specializuara në Hagë”, u tha në raport.

    Ish-komandanti i UÇK-së, Sali Mustafa, është dënuar për krime lufte dhe gjykata ka urdhëruar që ai të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktimat në procesin ndaj tij. Megjithatë, Mustafa ka deklaruar se nuk ka mjete që të paguajë zhdëmtimin.

    Amnesty po ashtu përmend edhe njoftimin nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se në mars të vitit të kaluar u identifikuan edhe 11 persona të zhdukur, teksa shtoi se që nga lufta janë afër 1.600 persona që vazhdojnë të jenë të zhdukur.

    Në raportin vjetor vihet në pah edhe kriza politike, pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, kur deputetët dështuan të konstituonin Kuvendin dhe Kosova mbajti sërish zgjedhje të reja parlamentare më 28 dhjetor. Po ashtu, theksohet se Kosova ka pranuar migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, teksa vendi ka njoftuar për negociata me Mbretërinë e Bashkuar për ndërtimin e një qendre për ndalimin e azilkërkuesve, aplikimet e të cilëve refuzohen nga Britania.

  • Rama pritet të vizitojë Greqinë këtë javë

    Rama pritet të vizitojë Greqinë këtë javë

    Mediat helene shkruajnë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të nisë një vizitë disa-ditore në Greqi, ku do të marrë pjesë në aktivitetet e Forumit Ekonomik të Delphi-t, një forum i rëndësishëm ndërkombëtar që mbledh liderë politikë, ekonomikë dhe ekspertë nga vende të ndryshme për të diskutuar zhvillimet globale dhe rajonale.

    Në kuadër të kësaj vizite, po zhvillohen kontakte intensive diplomatike mes Tiranës dhe Athinës për të mundësuar një takim mes Ramës dhe kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, shkruan Tv.Klan.

    Sipas raportimeve, gjatë 24 orëve të fundit palët kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm për të përcaktuar nëse agjenda e Mitsotakis lejon zhvillimin e një takimi zyrtar, pas kërkesës së paraqitur nga pala shqiptare.

  • Ish-ushtaraku serb: E pamundur që Vuçiqi të mos ketë ditur – hedh dyshime për përfshirje të strukturave shtetërore në Banjskë

    Ish-ushtaraku serb: E pamundur që Vuçiqi të mos ketë ditur – hedh dyshime për përfshirje të strukturave shtetërore në Banjskë

    Deputeti serb dhe ish-pjesëtari i ushtrisë serbe, Petar Boshkoviq, ka deklaruar se udhëheqja shtetërore e Serbia nuk mund të ketë qenë jashtë dijenisë për sulmin në Banjskë, duke ngritur dyshime serioze për përfshirje institucionale.

    Sipas tij, është e pabesueshme që presidenti Aleksandar Vuciq dhe drejtuesit kryesorë të sigurisë e ushtrisë të mos kenë pasur informacion për përgatitjet dhe zhvillimin e ngjarjes.

    “Është e pamundur që një njeri që e quan veten komandant suprem të mos e ketë ditur këtë,” tha Boshkoviq, duke shtuar se “është po aq e pamundur që këtë të mos e kenë ditur edhe drejtuesit e shërbimeve dhe strukturave ushtarake.”

    Ai përmendi konkretisht edhe zyrtarë të lartë të asaj kohe, përfshirë Aleksandar Vulin, Bratislav Gashiq dhe gjeneralin Milan Mojsiloviq, për të cilët beson se nuk mund të kenë qenë të painformuar.

    Boshkoviq theksoi se ekzistojnë indicie për një përfshirje më të gjerë, duke përmendur edhe rolin e strukturave ushtarake: “Tani e dimë që Mojsiloviq madje mori pjesë në disa ushtrime, pasi njerëzit e Radoiçiq-it i kanë filmuar me dron. Pra, ushtria ka shërbyer si logjistikë.”

    Ai rikujtoi gjithashtu se i dyshuari kryesor, Milan Radoičiq, u arrestua dhe më pas u lirua për t’u mbrojtur në liri, duke e cilësuar këtë si një tregues të fortë për përfshirje politike.

    “Nuk keni nevojë për shumë prova që njerëz nga SNS kanë qenë absolutisht të përfshirë në këtë,” u shpreh ai.

    Duke komentuar vetë aksionin, Boshkoviq shtoi: “Ata madje njoftuan paraprakisht çfarë do të ndodhte. Në fund, Radoiciq la dokumentet personale dhe braktisi të plagosurit – diçka që nuk ndodh kurrë në një operacion. Ky është një ‘dizajn’ i dështuar që nuk solli asgjë përveç pasojave. /N1

  • Mblidhen disa komisione parlamentare, disa projektligje në shqyrtim

    Mblidhen disa komisione parlamentare, disa projektligje në shqyrtim

    Disa komisione parlamentare të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot, më 21 prill 2026, mbledhjet e radhës, ku pritet të shqyrtohen një sërë projektligjesh dhe çështjesh të rëndësishme.

    Duke filluar nga ora 09:00, Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal do të shqyrtojë draft-planin e punës për sesionin pranveror 2026.

    Në të njëjtën kohë, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit do të trajtojë një numër të madh raportesh me amendamente për projektligje të ndryshme, përfshirë ato për Shtetësinë e Kosovës, Shërbimet e Pagesave dhe Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, raporton RTKlive.

    Ndërkaq, nga ora 10:00, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim do të shqyrtojë disa projektligje, si ai për banim social dhe të përballueshëm, si dhe projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore.

    Edhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në orën 10:30, do të zhvillojë diskutim me Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me arritjet dhe sfidat e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve për organizatat buxhetore.

    Po ashtu, gjatë ditës së sotme pritet të mblidhet edhe Komisioni për Integrime Evropiane, i cili në rend dite ka shqyrtimin e një sërë projektligjesh nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

    Ndërkohë, Komisioni për Buxhet, nga ora 13:00, do të shqyrtojë disa projektligje nga aspekti i ndikimit financiar, përfshirë ato për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe masat e përkohshme për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut.

  • Nën 15 vjeç s’do të ketë rrjete sociale në Turqi, Erdogan jep lajmin e fundit

    Nën 15 vjeç s’do të ketë rrjete sociale në Turqi, Erdogan jep lajmin e fundit

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi se qeveria do të ashpërsojë ligjet për armët pas një serie sulmesh në shkollat e vendit.

    Erdogan theksoi se do të rriten dënimet për pronarët e armëve që ua vënë ato në dispozicion fëmijëve, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë masa më të rrepta për kontrollin e armëmbajtjes.

    Ngjarjet e fundit kanë tronditur vendin. Të martën e kaluar, në Sanliurfa, një ish-nxënës 19-vjeçar hapi zjarr në një shkollë të mesme, duke plagosur 16 persona, përpara se të vetëvritej.

    Një ditë më pas, në Kahramanmaraş, një 14-vjeçar vrau tetë nxënës dhe një mësues në një shkollë, duke përdorur një armë që i përkiste babait të tij. Autori u gjet më pas i vdekur në vendngjarje.

    Presidenti turk shtoi gjithashtu se qeveria po shqyrton kufizime shtesë për aksesin e të miturve në platformat e mediave sociale.

    “Në periudhën e ardhshme, ne do të sjellim përgjegjësinë e verifikimit të identitetit dhe ndarjes së informacionit në platformat e rrjeteve sociale.
    Unë besoj se zbatimi i rregullores që kufizon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, e cila po diskutohet në parlamentin tonë, do të mbushë një boshllëk të rëndësishëm”, ka shkruar Erdogan.

  • Protestë në Jarinje, QKMK paralajmëron për bllokimin e një pjese të autostradës drejt Kosovës

    Protestë në Jarinje, QKMK paralajmëron për bllokimin e një pjese të autostradës drejt Kosovës

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se sot pritet të mbahet një protestë në Jarinje dhe se do të bllokohet një pjesë e autostradës në territorin e Serbisë.

    Sipas njoftimit, protesta pritet të mbahet nga ora 12:00 deri në orën 18:00.

    “Ju njoftojmë, se sipas burimeve të hapura dhe ende të paverifikuara, pritet të mbahet një protestë në Jarinjë dhe bllokim i një pjese të autostradës drejt RKS-së në territorin e Serbisë nga ora 12:00 deri në ora 18:00. Për çdo zhvillim të mëtejmë do t’u njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.

    “Për informata shtesë ju lutem kontaktoniQKMK, në numrat e mëposhtëm: +38345198000, +38345198606 dhe në numrin pa pagesë 080050095”, përfundon njoftimi.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, sot shpallet aktgjykimi

    Vrasja e Liridona Ademajt, sot shpallet aktgjykimi

    Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me fillim nga ora 13:30, do të shpallet aktgjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Fjalët përfundimtare në këtë rast janë paraqitur të premten, ku palët kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve.

    Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar.

    Edhe familja e Liridonës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.

    Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesë të provave direkte dhe duke kërkuar vendim të bazuar vetëm në prova.

    Liridona Ademj u vra më në nëntor të vitit 2023, në një rrugë në fshatin Bërrnicë të Prishtinës.

    Ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli akuzohet për planifikimin e vrasjes, Plava akuzohet se e ka kryer vrasjen, ndërkaq Kushtrim Kokalla akuzohet se e ka njoftuar dorasin e dyshuar me Murselin.

    Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.

    Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.

  • Britania e Madhe i ndalon hyrjen influencueses që dogji Kuranin

    Britania e Madhe i ndalon hyrjen influencueses që dogji Kuranin

    Një influencuese anti-islame me bazë në SHBA, e cila ishte autorizuar të merrte pjesë në një tubim të ekstremit të djathtë në Londër, është bllokuar nga hyrja në Mbretërinë e Bashkuar nga sekretari i Brendshëm.

    Valentina Gomez, një influencuese e vetëshpallur e Maga-s, iu dha leja javën e kaluar për të hyrë nëpërmjet një autorizimi elektronik udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar (ETA).

    Ajo duhej të fliste në tubimin “Unite the Kingdom” më 16 maj të organizuar nga Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon.

    The Guardian kupton se Shabana Mahmood ka ndërhyrë për të tërhequr autorizimin me arsyetimin se prania e Gomez “nuk do të ishte e favorshme për të mirën publike”.

    Qeveria dha të njëjtën arsye kur refuzoi lejen për reperin Kanye West, tani i njohur si Ye, për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të këtij muaji.

    ETA e tij u tërhoq pas shqetësimeve për një sërë komentesh antisemite, raciste dhe pro-naziste. West më pas kërkoi falje për komentet e tij dhe ia fajësoi ato çrregullimit të tij bipolar.

    Gomez, 26 vjeç, mori pjesë në tubimin e parë “Unite the Kingdom” në shtator së bashku me Yaxley-Lennon dhe paralajmëroi nga skena se “myslimanët përdhunues” po “pushtonin” Mbretërinë e Bashkuar.

    “Angli, ata ju morën armët, ju morën shpatat dhe ju përdhunuan gratë. Nuk keni asgjë tjetër për të humbur, por ka ende shpresë. Ju jeni ende shumica. Pra, ose luftoni për këtë komb ose i lini të gjithë këta myslimanë përdhunues dhe politikanë të korruptuar të marrin kontrollin”, tha ajo.

    Ajo gjithashtu iu drejtua oficerëve të policisë, duke u thënë atyre: “Dua që të ndaloni së ndjekuri urdhrat sepse e dini që po ju thuhet të shikoni anën tjetër ndërsa vendi juaj po përdhunohet deri në nënshtrim”.

    Rreth 100,000 njerëz morën pjesë në këtë ngjarje, që mendohet të jetë tubimi më i madh i ekstremit të djathtë i këtij lloji në historinë britanike.

    Përveç një sërë folësish ekstremistë që u shfaqën në skenë, eventi u drejtua nga distanca nga Elon Musk, të cilin Downing Street e dënoi për përdorimin e gjuhës “të rrezikshme dhe nxitëse”.

    Mahmood ka fuqinë të anulojë lejen e një personi për të hyrë ose qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.

    Një burim pranë sekretarit të brendshëm tha: “Ndërsa ne e njohim të drejtën demokratike që njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehin në mënyrë paqësore pikëpamjet e tyre, kjo nuk përfshin promovimin e urrejtjes dhe pikëpamjeve ekstremiste”.

    Mahmood ishte përballur me presion për të ndaluar Gomez të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar.

    Gomez, një e krishterë e lindur në Kolumbi, fitoi famë përmes një sërë marifetesh anti-islame. Në gusht të vitit të kaluar, ajo dogji një kopje të Kuranit dhe u zotua se do ta zhdukte Teksasin nga feja nëse zgjidhej në Kongres.

    Në një video të postuar në mediat sociale ndërsa po kandidonte pa sukses për një nominim republikan në Kongres, ajo tha se qëllimi i saj ishte “t’i jepte fund Islamit në Teksas”.

    Ajo u kërkoi myslimanëve të largoheshin nga shteti, duke thënë: “Myslimanët mund të shkojnë në çdo vend mysliman”.