ATV

Category: Lajme

  • Mushkolaj: Zgjedhjet mund t’i konvenojnë vetëm LDK-së, do të ishin shpëtim për Abdixhikun dhe Osmanin

    Mushkolaj: Zgjedhjet mund t’i konvenojnë vetëm LDK-së, do të ishin shpëtim për Abdixhikun dhe Osmanin

    Zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme në Kosovë, në mungesë të një marrëveshjeje për presidentin, po shihen gjithnjë e më shumë si një skenar i pashmangshëm.

    Në “Përballje Podcast”, analisti politik Imer Mushkolaj vlerësoi se, nga konfigurimi aktual politik, zgjedhjet mund t’i përshtaten më së shumti Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Sipas tij, një skenar i tillë lidhet edhe me zhvillimet brenda LDK-së dhe mundësinë e një konfigurimi të ri politik, ku përmendet edhe përfshirja e ish-presidentes Vjosa Osmani në një listë të përbashkët, përkrah liderit të partisë, Lumir Abdixhiku.

    “Unë mendoj që aktualisht, me idenë që mbase zonja Osmani do t’i bashkohet LDK-së, përkatësisht do të mund t’i printe ndonjë liste të përbashkët me ndonjë parti tjetër më të vogël, zgjedhjet mund t’i konvenojnë vetëm z. Abdixhiku, aktualisht po flas nëse po krijohet një momentum. Po të mos ishte Vjosa Osmani, as LDK-së nuk do t’i përshtateshin zgjedhjet,” u shpreh Mushkolaj gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

  • Presidenti Trump i shkruan Vjosa Osmanit: Mezi pres ta vazhdoj bashkëpunimin me ju në vitet në vijim

    Presidenti Trump i shkruan Vjosa Osmanit: Mezi pres ta vazhdoj bashkëpunimin me ju në vitet në vijim

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se mbrëmë ka pranuar një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në përfundim të mandatit të saj.

    Osmani ka theksuar se letra përmban vlerësim për punën dhe lidershipin e saj gjatë kohës në detyrë, si dhe një mesazh të qartë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

    Në letrën e tij, Presidenti Trump shpreh mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm dhe nënvizon se pret me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në vitet në vijim. Ai vlerëson rolin e Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe partneritetin e qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara.

    Osmani, nga ana e saj, ka falënderuar Presidentin amerikan për letrën dhe mbështetjen, duke ritheksuar se lidhja ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve mbetet e fortë dhe e qëndrueshme.

    “Lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

    Letra e plotë e publikuar nga Osmani:

    Faleminderit për letrën tuaj shumë dashamirëse. Vazhdon të admiroj lidershipin tuaj të guximshëm dhe vendimtar në emër të popullit të Kosovës.

    Kemi arritur shumë së bashku në një periudhë të shkurtër kohore—veçanërisht bashkëpunimin tonë në kuadër të Bordit të Paqes. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë të re premtuese do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e konflikteve në mbarë botën, duke promovuar njëkohësisht lirinë dhe mirëqenien për të dy popujt tanë.

    Ndërsa së shpejti do të largoheni nga detyra, ju do të lini pas një trashëgimi të rëndësishme që do të formësojë të ardhmen e vendit tuaj, rajonit të Ballkanit, dhe gjithë Evropës. Ju keni qenë gjithmonë një mike dhe partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara, dhe mezi pres vazhdimin e bashkëpunimit tonë në vitet në vijim.

    Zonja e Parë më bashkohet në përcjelljen e urimeve tona më të mira për suksesin tuaj të mëtejshëm.

    Sinqerisht,

    Donald J. Trump
    President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

  • Policia njofton se një person është dërguar pa shenja jete në QKMF në Suharekë

    Policia njofton se një person është dërguar pa shenja jete në QKMF në Suharekë

    Një person është dërguar pa shenja jete në QKMF në Mushtisht të Suharekës.

    Policia përmes raportit 24 orësh njofton se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    Ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Njoftimi i plotë:

    Fsh. Mushtisht, Suharekë 20.04.2026-12:20. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, është sjellë pa shenja jete në QKMF Suharekë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet.

  • Babai vrau tetë fëmijë – një grua dhe një fëmijë thuhet se kërcyen nga çatia për t’i shpëtuar të shtënave vdekjeprurëse në Luiziana

    Babai vrau tetë fëmijë – një grua dhe një fëmijë thuhet se kërcyen nga çatia për t’i shpëtuar të shtënave vdekjeprurëse në Luiziana

    Një grua dhe një fëmijë kanë kërcyer nga çatia e një shtëpie për t’i shpëtuar të shtënave masive në Shreveport, Luiziana, ku autoritetet thonë se një baba qëlloi për vdekje tetë fëmijë, përfshirë shtatë të tijtë.

    Zyrtarët thanë se u njoftuan për herë të parë për sulmin me armë në një telefonatë emergjente në orën 05:55 të dielën.

    Telefonuesi raportoi se ishte “mbi shtëpi” ndërsa i dyshuari mbeti brenda, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Policia nuk identifikoi të mbijetuarit, as nuk zbuloi lidhjen e tyre me sulmuesin, por tha se të dy ishin në gjendje të qëndrueshme.

    I dyshuari vdiq pas një shkëmbimi zjarri me oficerët, megjithëse mbetet e paqartë nëse ai i mori jetën vetes apo u vra nga policia.

    Dy gra të rritura, përfshirë nënën e fëmijëve, u plagosën gjithashtu nga të shtënat me armë zjarri, dhe të dyja po shërohen në spital, ka bërë të ditur policia.

    Një fëmijë i nëntë u dërgua në spital pasi kërceu nga çatia e shtëpisë ndërsa po arratisej.

    Midis tetë fëmijëve të vrarë në të shtënat – vëllezër e motra dhe një kushëri – ishin tre djem dhe pesë vajza.

    Ata ishin të moshës nga 3 deri në 11 vjeç, sipas zyrës së mjekut ligjor të Qarkut Caddo.

    Tetë fëmijë të vrarë nga të shtënat masive në Luiziana – vijnë detajet e para

    Duke kujtuar zinxhirin e ngjarjeve të hënën, Shefi i Policisë së Shreveport, Wayne Smith, tha se brenda pak minutash nga telefonata fillestare e emergjencës, telefonuesi në çati raportoi se “ajo dhe fëmijët e saj kishin ikur nga çatia dhe tani ishin në oborrin e shtëpisë”.

    Pak minuta më vonë, personi i armatosur sulmoi një shtëpi tjetër, ku një telefonues tjetër i emergjencës i tha policisë “se i dashuri i saj e kishte qëlluar, i kishte marrë tre fëmijët dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes”.

    Menjëherë pas telefonatës, policia mori një raport për një vjedhje makine dhe informacione që i bënë ata të besonin se fëmijët e marrë nga banesa e dytë mund të ishin brenda atij automjeti.

    Kështu, rreth orës 06:29, oficerët e gjetën të dyshuarin dhe shkëmbyen të shtëna me të.

    I dyshuari u gjet i vdekur në vendngjarje, pa fëmijë brenda makinës.

    Policia ende nuk ka përcaktuar ndonjë motiv të mundshëm, megjithëse shefi Smith tha se i dyshuari, i identifikuar si Shamar Elkins, kishte një të kaluar kriminale, por nuk dha detaje të mëtejshme.

    “Të gjitha provat dhe indikacionet janë se kjo shpërtheu si një mosmarrëveshje familjare”, tha ai, duke shtuar se arma e përdorur u përshkrua si “një armë sulmi”. Ende nuk dihet se si është siguruar. /Telegrafi/

  • Doktori dhe infermierë kanosen në Podujevë

    Doktori dhe infermierë kanosen në Podujevë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të kanosjes në Podujevë.

    Rasti ka ndodhur të hënën, në ora 20:10.

    “Tre ankues meshkuj kosovarë (doktor/infermier), kanë raportuar se janë kanosur përmes telefonit nga i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në raport.

    I dyshuari është intervistuar nga policia dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

     

  • Zyrtari i lartë amerikan viziton Kosovën, policia me njoftim për qarkullimin rrugor

    Zyrtari i lartë amerikan viziton Kosovën, policia me njoftim për qarkullimin rrugor

    Gjatë ditës së sotme dhe nesër në vendin tonë do të qëndrojë për vizitë zyrtare Ambasadori i SHBA-së në NATO,  Matthew Whitaker.

    Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

  • Arrestohen dy shtetas serb, tentuan të futen ilegalisht në Kosovë

    Arrestohen dy shtetas serb, tentuan të futen ilegalisht në Kosovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas serb.

    Ata kishin hyrë në Kosovë nëpërmjet rrugëve ilegale.

    Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.

    Rasti ka ndodhur në fshatin Vracevo të Leposaviqit.

  • Rrahje mes disa të miturve në Prishtinë, njëri përfundon në spital

    Rrahje mes disa të miturve në Prishtinë, njëri përfundon në spital

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rrahje mes disa të miturve në Prishtinë.

    Sipas raportit zyrtar, rasti ka ndodhur më 19 prill, ndërsa një ditë më vonë janë arrestuar dy të mitur të cilët janë dërguar në mbajtje për 24 orë.

    “Është raportuar se ka ndodhur një rrahje në mes të disa personave të mitur ku një prej tyre ka pranuar tretman mjekësor. Me 20.04.2026 janë arrestuar dy të dyshuar, po ashtu të mitur dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 24 orë”, thuhet në raportin e policisë.

  • Cakolli: “Diskutimet” për çështjen e Presidentit parapërgatitje për fushatën e 7 qershorit

    Cakolli: “Diskutimet” për çështjen e Presidentit parapërgatitje për fushatën e 7 qershorit

    Eugen Cakolli nga KDI ka deklaruar se periudha e fundit e “diskutimeve” për çështjen e Presidentit ka qenë parapërgatitje për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

    Sipas tij, synimi nuk ka qenë vetë zgjedhja e Presidentit, por arkivimi i refuzimeve dhe arsyetimi publik i dështimit, të cilat, siç thotë, tashmë kanë nisur të shfaqen dhe pritet të intensifikohen në ditët dhe javët në vijim.

    Postimi i tij i plotë:

    Krejt periudha e fundit e “diskutimeve” për çështjen e Presidentit ka qenë thjesht parapërgatitje për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

    Më shumë sesa vet zgjedhja e Presidentit, synimi po duket të ketë qenë arkivimi i refuzimeve dhe arsyetimit publik të dështimit, të cilat filluam t’i shohim sot e që do të na intensifikohen ditet dhe javët në vijim.

    Përndryshe, qysh spjegohet fakti që u përmendke para disa kohe, një prag prej 84-85 deputetësh për çështjen e Presidentit, e tash edhe ofertë (plus) për çerekun e qeverisë, edhe prapë te një maksimum prej 80-81 votash – që edhe ato janë tepër diskutabile?!

    Ose që, u ofrua lehtësisht në ‘negocim’ pozita për të cilën vendi u mbajt në krizë (kinse) për gati një vit?

  • Muhamet Gashi, i kërkuar për vrasje të rëndë, arrestohet pas katër vitesh – dyshohet se punonte si shofer i nxënësve me identitet të rremë

    Muhamet Gashi, i kërkuar për vrasje të rëndë, arrestohet pas katër vitesh – dyshohet se punonte si shofer i nxënësve me identitet të rremë

    Muhamet Gashi, i kërkuar për afër 4 vjet për vrasjen e 22-vjeçarit në Lipjan është arrestuar më 16 prill 2026.

    Por, gjatë kohës sa ai ishte në kërkim, duke përdorur identitet të rrejshëm, dhe nga informatat që ka Betimi për Drejtësi, ai dyshohet se për muaj me radhë kishte punuar si shofer dhe transportuar fëmijët në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë.

    “Betimi për Drejtësi”, që na shkurti 2026, kishte këto informata dhe intervistuar edhe prindërit, po kishte vendosur mos t’i publikonte me qëllim të mos prishjes se hetimeve të Prokurorisë deri në lokalizimin dhe arrestimin e tij.

    Prokurori i rastit, Arben Hoti tregon se çka rezultoi nga hetimet deri në arrestimin e tij.

    Pas katër viteve në arrati, të premten u mbajt seanca ku të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit.

    “Falë një pune intensive, të mirë organizuar edhe me Policinë e Kosovës, Njësitin e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, aplikimin e masave të veçanta hetimore dhe një hetimi intensiv të pandërprerë për disa muaj, kemi arritur që përfundimisht me 15.04 mes datës 16 kemi arritur që ta lokalizojmë dhe arrestojmë të pandehurin Muhamet i cili dyshohet për veprat penale “vrasje e rëndë”, “armëmbajtje pa leje”, në ndërkohë gjatë arratisjes se tij është vërtetuar dhe prova se ka kryer edhe vepra të tjera penale për të cilat Prokuroria ka marr aktvendim për zgjerim të hetimeve”, ka thënë ai.

    Sipas tij, ai është i përfshirë edhe në vepra tjera penale.

    Ka të bëjë me falsifikim të dokumenteve, ka të bëjë me vjedhje të identiteteve, ka të bëjë me mbajtje në posedim me qëllim të shitjes së substancave narkotike, me armëmbajtje të tjera përveç asaj që me të cilën ka kryer veprën penale të vrasjes.

    Prokurori Hoti, thotë se gjatë kohës sa ai ishte në arrati, ai po qëndronte mes Serbisë dhe Kosovës.

    “Unë si prokuror i çështjes këtë rast konkret e kam pranuar në fundin e vitit 2025. Për kohën prej 2022 derisa unë jam pajisur me lëndën nuk mund të di apo nuk kam njohuri për vendndodhjen apo strehimin e tij mirëpo ë për aq sa di është se nga momenti kur unë jam pajisur me lëndë e tutje i njëjti kryesisht është strehuar në zonën e pjesës jugore të Serbisë, përkatësisht zonën e Bujanovcit, Preshevës, ka pasur lëvizje të kohëpaskohshme edhe në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

    Mirëpo, sipas tij, ai qenë shumë i mirë organizuar në shmangiet të arrestimit.

    “Saqë në shkresat e lëndës ekziston edhe një raport i një zyrtarit policor i pikëkalimit i zonës kufitare të Gjilanit, ku ka arritur t’i shmanget qysh në vitin 2022 nga vetura, domethënë është ndalë në një pikë kontrolli, ka qenë brenda veturës dhe gjatë verifikimit që ka bërë zyrtari policor sipas procedurave operative që i kanë, i njëjti duke e ditur se do të rezultojë me arrestimin e tij për shkak të se ishte në kërkim për vrasjet e rëndë, ka arritur t’i ikë nga ai vend i ngjarjes dhe ka qenë i paarritshëm”, ka shtuar ai.

    Lidhur me dyshimet se ai kishte punuar si shofer i nxënësve, prokurori thotë se janë duke i hetuar të gjitha informatat.

    “Si informacion e kemi pranuar gjatë fazës së trajtimit të çështjes. Ka pasur informacione por diçka më konkrete për momentin nuk mund të ndajmë me opinionin sepse jemi në proces edhe të verifikimit të disa veprimeve të tjera që mund t’i ketë ndërmarrë ky person i pandehur gjatë kësaj kohe. Si informacion ka ekzistuar që ka qenë vozitës i një veture me të cilën ka transportuar fëmijët në një shkollë këtu në lagje të Prishtinës”, ka thënë ai.

    Nga informatat që Betimi për Drejtësi ka, i dyshuari Muhamet Gashi prindërve dhe fëmijëve iu është prezantuar si Albin Behrami. Kurse, një punëtor i ri që do niste punën si shofer, atij i është prezantuar se është shefi i Kompanisë.

    Punëtori i ri, në shkurt 2025, kishte bërë një njoftim në grupin e prindërve, ku tregonte se nuk do ketë me transport për nxënës pasi pronari i autobusit po kërkohet nga Policia.

    “Ai pronari ka pas diçka problem me shtet diçka edhe tani s’është tu u lajmeru mo. Ai u prezantu me emër Albin Behrami”,ka thënë ai.

    Sipas tij, Muhamet Gashi i prezantuar si Albin, kishte bartur nxënësit rreth 3 muaj.

    “E di që nja 3 muaj po, veç se di saktë. Pronar de pronar, unë që dy jave ja kom nisë aty”, ka shtuar ai.

    Ai thoshte, se nuk e dinte se për çfarë po e kërkonte Policia.

    “ Vallahin nuk e di, hiç nuk e di, për diçka të madhe po, veç për çka nuk e di. Se nuk me ka njofu Policia për çka as qysh veç erdhën aty e lypen, ke tu me dal problem edhe mu për qata e lash edhe punën”, ka thënë shoferi i ri.

    “Betimi për Drejtësi”, kishte biseduar edhe me disa prindër, të cilët thonë se e njihnin me emrin Albin, ndërsa e përshkruanin si njeri të sjellshëm.

    G, prind
    “Tash me ka bo me u tut, mu tut edhe mu si prind se i kam pas 3 çikat e mija, 2 fëmijë të vëllaut d.m.th. janë kanë me to ama sjelljen e ka pas shumë të mirë kështu, qatu në lagje dikun ka banu po tash se kam ditë për”, ishte shprehur prindi V.G më 16 shkurt 2026.

    Ky prind, thotë si kishte lejen që të futej edhe në oborrin e shkollës. Ndërsa, edhe atij i është prezantuar si pronar i Kompanisë.

    “Po, po e patëm nxjerrë lejen e patëm bo një… me hi në oborr, mos me i lanë fëmijët me kapërcye rrugën, me shku në lloq me hi sidomos pasdite që janë kanë fëmija e vogël klasa e 2-3 ka pasur leje prej drejtorit me hi me u parku deri të dalin fëmija krejt. Ai është prezantu si pronar i Kompanisë”, ka shtuar ai,

    V.A, gjithashtu prind ka thënë se ai si shofer i fëmijëve kishte punuar rreth 4 muaj apo më shumë.

    Ndërsa, H.E, thotë se atë e njeh si person të mirë.

    “Se di, ai u kane shumë njeri i mirë, unë kam udhetuar me te, ishte hoxhë, ky që them unë. Se në fillim me ra ishte shumë njeri i mirë, tash me çuditët”, ka thënë ajo.

    Disa prej prindërve, në bazë të fotografiës, për Betimi për Drejtësi, kishin identifikuar se bëhej fjalë për të njëjtin person.

    Prokurori Hoti, thotë se Muhamet Gashi, duke vjedhur identitetin e dikujt tjetër, ai ka arritur edhe të krijoj raporte juridike.

    “Me rastin e arrestimit të tij tek i njëjti janë gjetur dokumente identifikuese me identitete të rrejshme. Domethënë i njëjti ka arritur të bëjë falsifikimin e dokumenteve zyrtare, letërnjoftimeve të lëshuara kinëse nga Autoritetet e Republikës së Kosovës. Ka arritur të bëjë vjedhje të identitetit të personave të cilët jemi në proces të identifikimit dhe verifikimit dhe të paraqitjes së tyre si palë ankuese. Dhe përmes këtyre dokumenteve ka arritur të krijojë edhe raporte juridiko civile apo edhe raporte të tjera që mund të ketë krijuar nëpër institucione ose kompani apo çkado koftë”, ka thënë prokurori.

    Prokurori vlerëson se i pandehuri Gashi ishte person me rrezikshmëri të lartë dhe në momentin e arrestimit të tij ai kishte edhe armë.

    “Po ne kemi pas informacione se i njëjti është edhe me shkallë të konsiderueshme të rrezikshmërisë. të paktën është vlerësuar si rrezikshmëri e lartë.Ne kemi kërkuar asistencë edhe nga njësitë e specializuara të policisë përkatësisht njësia e FIT, apo njësia e ndërhyrjeve të specializuara tani si quhen ato dhe të njëjtit me rastin e intervenimit kanë hasur në të i cili në momentin e parë në dorën e tij ka pasur armë ndërsa me rastin e këqyrjes së mëtejshme nga ana e Njësitit të Forenzikës apo krimteknikës së policisë ka rezultuar se në atë armë ka pas edhe municion përkatësisht se fisheku ka qenë në tytën e armës”, ka thënë Hoti,

    Bashkë me Muhamet Gashin është arrestuar edhe Gentian Gashi, i cili dyshohet për dhënien e ndihmës pas kryerjes se veprës penale.

    “Nga provat që i kemi grumbulluar deri në këtë fazë kemi arritur të sigurojmë prova për të vërtetuar faktin se ky person përmes veprimeve të tij me dijeni i ka ofruar strehim dhe shmangie nga arrestimi i personit në kërkim Muhamet Gashit duke e strehuar në një në njërën nga njësitë banesore ku ka banuar edhe vetë personalisht me familje”, ka thënë prokurori.

    Prokurori Arben Hoti, ka vlerësuar edhe bashkëpunimin e Betimi për Drejtësi, për arrestimin e të dyshuarit.

    “Unë kam pranuar kërkesë nga “Betimi për Drejtësi për ndarjen e disa informacioneve që ata kanë poseduar lidhur me këtë çështje dhe meqenëse në atë fazë kemi qenë në një hetim intensiv, unë kam kërkuar që çështjet e ndarjes në opinion publik të këtyre informacioneve të jenë të kufizuara për shkak të cenimit të hetimit, përkatësisht rrezikimit që mund të na bëhej për lokalizimin e të pandehurit”.

    “Duke pasur parasysh se nga provat që ne posedonim kishim informacion se i panehuri është shumë mirë i organizuar, arrin shumë mirë që t’i shmanget legjitimimit edhe arrestimit kështu që nga ana e betimit kemi pranu domethënë kërkesën tonë për kufizimin e ndarjes së apo shpërndarjes së këtij informacioni në publik dhe bashkëpunimi ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm. Po ashtu përveç betimit për drejtësi unë dua të shfrytëzoj rastin të falenderoj edhe ata qytetarë të cilët pa asnjë dyshje, pa asnjë hezitim, në çdo kohë, gjatë kësaj periudhe kohore na kanë ofruar informacione për aq sa ata kanë pas njo dhe asnjëherë nuk janë shmangur kërkesave të organeve të policisë apo prokurorisë”, ka shtuar ai.

    Sipas tij, ndonjëherë ndarja e një informacioni për nevoja mediale mund të jetë e nevojshme, e, mirëpo mund të paraqet edhe ndonjë rrezik shumë më të lartë.

    “Kështu që një koordinim paraprak para se të ndahej një informacion i tillë gjithmonë do të ishte i vlefshëm dhe i arsyeshëm për të vlerësuar cenimin apo rrezikshmërinë që do të përbënte ndarja e atij informacioni në atë kohë”, ka thënë Hoti.

    “Unë për hir të korrektësisë, sapo kemi përfunduar procesin e arrestimit të tij dhe sapo na janë krijuar kushtet për të vepruar kam dhënë informacionin përmes zyrës për komunikim me media edhe për Betimin për Drejtësi duke informuar se kemi arritur ta lokalizojmë dhe arrestojmë të kërkuarin Muhamed Gashi për të cilin betimi për drejtësi ka pasur informacion paraprak që ka dashur ta ndajë me ne në atë kohë”, ka përfunduar ai.

    Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten e 17 prillit, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit prej një muaj, ndaj të dyshuarve.