ATV

Category: Lajme

  • IEA paralajmëron: Lufta në Iran po krijon krizën më të madhe energjetike në histori

    IEA paralajmëron: Lufta në Iran po krijon krizën më të madhe energjetike në histori

    Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar se lufta me Iranin ka krijuar krizën më të keqe globale energjetike ndonjëherë.

    “Kjo është me të vërtetë kriza më e madhe në histori. Nëse e kombinoni këtë krizë nafte me krizën e gazit që përfshin Rusinë, është tashmë një krizë e madhe, por nuk është vetëm nafta dhe gazi; janë gjithashtu plehrat, petrokimikatet, squfuri të gjitha këto produkte që do të jenë në mungesë, duke nxitur inflacionin në të gjithë botën, veçanërisht në vendet në zhvillim dhe në zhvillim, dhe kjo do të ngadalësojë rritjen”, i tha radios France Inter kreu i IEA, Fatih Birol.

    Birol nuk është i pari që jep këtë paralajmërim. Shefi i Saudi Aramco, Amin Nasser, u tha më parë gazetarëve se industria e energjisë në Lindjen e Mesme po përballet me krizën më të keqe në historinë e saj gjatë luftës së Iranit.

    Më herët këtë muaj, Birol tha se situata globale e energjisë ishte më e keqe se krizat e mëparshme në vitet 1973, 1979 dhe 2022 të kombinuara.

    Në mars, IEA gjithashtu ra dakord të lirojë një sasi rekord prej 400 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike për të luftuar rritjen e çmimeve të naftës.

  • Fotoja që ngjalli zemërim, ushtari izraelit shkatërron statujën e Jezusit

    Fotoja që ngjalli zemërim, ushtari izraelit shkatërron statujën e Jezusit

    Një foto që po qarkullon në rrjetet sociale, ku një ushtar izraelit shihet duke goditur me çekan një statujë të Jezusit në jug të Libanit, ka shkaktuar reagime të shumta nga figura politike dhe fetare ndërkombëtare. Autoritetet izraelite dhe ushtria kanë pranuar autenticitetin e pamjes dhe kanë deklaruar se rasti është duke u hetuar.

    Sipas banorëve lokalë, statuja ndodhej mbi një kryq jashtë një shtëpie familjare në periferi të fshatit Debel, një nga zonat ku ende jetojnë civilë, pavarësisht luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut. Kryetari i komunitetit lokal, prifti Fadi Flaifel, e ka cilësuar aktin si të papranueshëm dhe si një shkelje të rëndë të simboleve fetare, duke theksuar se veprime të tilla kanë ndodhur edhe më parë në zonë.

    Ai ka deklaruar se “dëmtimi i kryqit dhe i simboleve të shenjta bie ndesh me parimet e të drejtave të njeriut dhe nuk përfaqëson qytetërimin”. Këto deklarata janë shoqëruar me thirrje për respekt të ndërsjellë ndërfetar në një rajon tashmë të tensionuar.

    Ushtria izraelite (IDF) ka konfirmuar se po heton incidentin dhe ka thënë se sjellja e ushtarit është “plotësisht në kundërshtim me vlerat dhe standardet e pritura nga forcat e saj”. Sipas deklaratës zyrtare, do të merren masa disiplinore ndaj personave të përfshirë dhe po punohet gjithashtu me komunitetin e krishterë për restaurimin e statujës.

    Ngjarja ka nxitur reagime edhe në nivel ndërkombëtar. Zyrtarë amerikanë dhe analistë politikë kanë kërkuar masa ndaj incidentit, duke e cilësuar atë si të papranueshëm. Debati është zgjeruar më tej në SHBA, ku disa figura politike kanë kritikuar aleancën me Izraelin.

    Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar duke shprehur tronditje dhe keqardhje për ngjarjen, ndërsa ministri i jashtëm Gideon Saar ka kërkuar falje për ndjesitë e lënduara të komunitetit të krishterë. Ai theksoi se Izraeli respekton lirinë e fesë dhe nuk e toleron këtë lloj sjelljeje.

    Incidenti ndodh në një periudhë tensioni të lartë në kufirin jugor të Libanit, ku përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vijuar prej muajsh, duke shkaktuar viktima dhe zhvendosje të mëdha të popullsisë. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të armëpushimit dhe për përshkallëzim të situatës.

    Ndërkohë, organizata ndërfetare dhe studiues të marrëdhënieve fetare në rajon kanë paralajmëruar për një rritje të tensioneve dhe të qëndrimeve ekstremiste, duke theksuar nevojën për mbrojtje më të fortë të vendeve dhe simboleve fetare.

  • Përparim Rama ia kthen qytetares që iu ankua për papastërtinë: S’mundemi edhe kurse të sjelljes në qytet me mbajtë

    Përparim Rama ia kthen qytetares që iu ankua për papastërtinë: S’mundemi edhe kurse të sjelljes në qytet me mbajtë

    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, i është përgjigjur një komenti të një qytetareje e cila është ankuar për gjendjen e ambientit në kryeqytet.

    Rama i është përgjigjur duke i treguar se kanë caktuar vendin për hedhjen e mbeturinave, përfshirë për ato të ngurta dhe gjithashtu është vendosur numri në dispozicion për të bërë bartjen e tyre.

    Kreu i Prishtinës ka thënë se nuk mund të mbajnë edhe kurse për atë se si duhet të sillen qytetarët.

    “Ne po mundohemi me kriju lehtesira dhe siguri per investitore. Po mundohemi me i pastru edhe deponite ilegale qe po krijohen nga qytetaret. Kemi caktuar vendin ku duhet te hidhen (dysheke e joga) pervec tjerave. Kemi treguar edhe kend duhet me thirr per me bo bartjen e tyre!!!Per bese, kurse te sjelljes ne qytet nuk po mundemi me mbajt!!”, ka shkruar Rama në koment.

  • Formohet grupi punues për projektligjin për Byronë Shtetërore

    Formohet grupi punues për projektligjin për Byronë Shtetërore

    Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion është formuar grupi punues për projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Kryesues i këtij komisioni është zgjedhur deputeti i VV-së, Vigan Qorrolli.

    Ndërsa, anëtar të grupit punues janë: Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve, Adnan Rrustemi nga LVV, Përparim Gruda nga PDK dhe Besnik Tahiri nga AAK.

  • Zyra e kryeministrit nënshkruan tenderin për shërbime të përkthimit, kaq është vlera

    Zyra e kryeministrit nënshkruan tenderin për shërbime të përkthimit, kaq është vlera

    Zyra e kryeministrit të vendit ditë më parë ka arritur të finalizojë tenderin e radhës me kontratë.

    Këtë herë, është arritur të nënshkruhet kontratë për shërbime të përkthimit.

    Për tenderin në fjalë, fillimisht janë ndarë 124 mijë euro, ndërkaq ai i finalizuari kap shifren jo më shumë se 84 mijë euro.

    Në faqen e E-prokurimit, bëhet me dije se në procesin e tenderimit kanë marrë pjesë 5 kompani, derisa 4 prej tyre janë vlerësuar si të përgjegjshme.

    Kësisoji, tenderin për shërbime të përkthimit në divizionin gjuhësor të kryeministrit e ka fituar kompania “Finart Sh.P.K”.

    Tutje, bëhet me dije se kohëzgjatja e kontratës është për 24 muaj./IndeksOnline/

  • Çollaku: Kurti e la qëllimisht në fund çështjen e presidentit, ka menduar për pazare të orëve të fundit

    Çollaku: Kurti e la qëllimisht në fund çështjen e presidentit, ka menduar për pazare të orëve të fundit

    Kosova ka hyrë në javën e fundit kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa dështimi për të arritur një marrëveshje rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

    Në ditët e fundit, kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka ofruar dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, poste në qeveri dhe pozitën e kryetarit të Kuvendit, duke këmbëngulur që posti i Presidentit të mbetet në duart e VV-së. Megjithatë, ofertat janë refuzuar nga opozita.

    Bekim Çollaku, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës tha në një intervistë për Euronews Albania se Kurti nuk pasur asnjëherë qëllim të përfshihet në negociata serioze me opozitën.

    Sipas tij, qëllimisht e ka lënë çështjen e presidentit për në fund pas votoi qeverinë, me shpresën për të arritur ndonjë “pazar me opozitën”.

    “Ka qenë qëllim strategjik i Kurtit që të arrijnë në këtë situatë dhe ka pasur mungesë vullneti politik nga Kurti për të bërë marrëveshje të mirëfilltë politike me ndonjë nga subjektet politike. Sikur të kishte një vullnet minimal për partner qeverisës menjëherë pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, duhet të kishte ftuar në biseda serioze një nga subjektet dhe të bisedonin për ndarje të qeverisjes. Ai ka thënë që nuk ka nevojë për partner qeverisjeje, ka votuar qeverinë dhe e ka lënë çështjen e presidentit qëllimisht në fund, ndoshta me mendimin që partitë opozitare nuk do kenë zgjidhje tjetër përveçse të pranojnë ndonjë ofertë të pazareve të orëve të fundit, por llogaritë i kanë dalë keq”, tha Çollaku.

  • Debat mes pozitës dhe opozitës për shkarkimin e komisionit për provimin e jurisprudencës

    Debat mes pozitës dhe opozitës për shkarkimin e komisionit për provimin e jurisprudencës

    Vendimi i Qeverisë për shkarkimin e komisionit për provimin e jurisprudencës ka shkaktuar debat në Komisionin për Legjislacion mes pozitës dhe opozitës, raporton Ekonomia Online.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli ka propozuar që të futet në rend dite shkarkimi i komisionit që mban provimin e jurisprudencës duke thënë se ka shumë kandidatë që presin dhe se brenda një viti asnjë provim s’është mbajtur.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovua dy pika në këtë seancë të Kuvendit, që lidhen me komisionin e ri për kalimin e provimit të jurisprudencës. Dhe e dyta, që në këtë rast pika e 15-të që ka të bëjë me dëgjimin publik të projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Sepse ne mendojmë që duhet të formohet vetëm një grup pune dhe nuk ka nevojë për dëgjim publik. Ndërkohë që shtesa tjetër është vetëm për çështjen e komisionit për kalimin e provimit të jurisprudencës”, tha Qorrolli.

    Ndërsa, Besnik Tahiri anëtar i komisionit nga radhët e AAK-së, tha se duhet të ketë arsyetim pse ndodhi shkarkimi i një komisioni që është ende i mandatuar.

    “Unë mendoj që përderisa ekziston komisioni i ri i cili ka mandat, i cili është në punë, s’ka logjikë me pasë një komision të ri të jurisprudencës kur ekziston një komision i cili ka mandat, është në punë, e ka funksionin e vet. Kjo është për mu një absurd i jashtëzakonshëm.

    Çështja e dytë është kur ka një këtillë dilemë. Pra kur kemi një dilemë juridike, paramendoni jemi ka dojmë me kriju një komision të ri për me emërua komisionin e ri të jurisprudencës”, tha Tahiri.

    Përparim Gruda kryetar i komisionit nga PDK-ja, tha se vetëm në diktaturë ndodh që të shkarkohet komisioni i mandatuar për provim të jurisprudencës pa një arsye individuale sepse nuk ka arsyetim kolektiv.

    Shkarkimi komisionit për provim të jurisprudencës nuk arriti të futej si pikë në rendin e  ditës në këtë komision pasi opozita nuk mori pjesë në votim.

  • Rama: Kosova, shteti i 100-të që mirëpret gjigantin e hotelerisë “Hilton”

    Rama: Kosova, shteti i 100-të që mirëpret gjigantin e hotelerisë “Hilton”

    Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se rrjeti i hoteleve Hilton po vjen në Prishtinë, dhe këtë prurje e ka vlerësuar si horizont i ri për turizmin e Kosovës.

    Postimi i plotë:

    Hilton n’Kryeqytet! 🌍✨
    Kosova hyn fuqishëm në hartën botërore të turizmit, duke u bërë shteti i 100-të që mirëpret këtë gjigant global të hotelerisë.

    Me ardhjen e Hilton, hapen horizonte të reja për turizmin, ekonominë dhe punësimin, duke sjellë standarde elitare ndërkombëtare dhe duke e kthyer Kryeqytetin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorë nga e gjithë bota.

    Ky zhvillim është një dëshmi e fuqishme se Kryeqyteti Prishtina nuk është më në pritje të mundësive, ai po i krijon vetë ato. Prishtina po shndërrohet në një qendër dinamike, moderne dhe me potencial të jashtëzakonshëm për t’u pozicionuar denjësisht në skenën globale. 🚀

  • Komisioni për Legjislacion miraton projektligjin për “çmimet tavan”

    Komisioni për Legjislacion miraton projektligjin për “çmimet tavan”

    Komisioni për Legjislacion ka miratuar raportin me amendamente të Komisionit Funksional për projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

    Ky projektligj është miratuar me 5 vota për dhe 2 abstenime.

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan pro këtij projektligji, ndërsa Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Përparim Gruda nga Partia Demokratike abstenuan këtë votim.

  • “Keni synuar të ndërhyni në punën tonë, s’ju lejuam”, Kryetari i Supremes kundërshton vendimin e qeverisë për Komisionin e Jurisprudencës

    “Keni synuar të ndërhyni në punën tonë, s’ju lejuam”, Kryetari i Supremes kundërshton vendimin e qeverisë për Komisionin e Jurisprudencës

    Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për formimin e një Komisioni të ri për Provimin e Jurisprudencës, duke e cilësuar të pabazuar në fakte dhe procedura ligjore, shkruan Reporteri.net.

    Rexhepi theksoi se përgjegjësia për organizimin e provimit i takon Ministrisë së Drejtësisë, e cila sipas tij ka dështuar në përmbushjen e obligimeve.

    Ai e quajti vendimin joligjor dhe kundërkushtetues, duke kundërshtuar pretendimet për mungesë transparence dhe duke mohuar ndërhyrje në vlerësimin e kandidatëve.

    Sipas tij, emërimi i një komisioni të ri pa përfunduar mandati i atij aktual përbën ndërhyrje në institucionet e pavarura dhe në sistemin e drejtësisë.

    Reagimi:

    Reagim lidhur me vendimin e Qeverisë për Komisionin për dhënien e Provimit të Jurisprudencës

    Prishtinë, 21 prill 2026 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e tij, lidhur me vendimin 24/11, të datës 20.04.2026, të marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë, për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, të arsyetuar me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj Komisionit të deritanishëm.

    Së pari, si kryetar i Komisionit të deritanishëm, vlerësoj se është e domosdoshme që çdo vendimmarrje institucionale të bazohet në fakte të verifikuara, procedura të rregullta dhe në respekt të plotë të kompetencave ligjore të secilit institucion. Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e papranueshme që përgjegjësia për një proces tërësisht administrativ dhe organizativ të zhvendoset në mënyrë të tërthortë tek Komisioni, në një kohë kur vetë Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë obligimet e saj të qarta ligjore për organizimin e provimit.

    Tendencat ndaj komisionit kanë filluar para një viti, arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë, për të emëruar komisionin në përbërje të re, janë absurde dhe jo të vërteta, dhe vendimi si i tillë është jo ligjor dhe kundërkushtetues.

    E vërteta e vetme në këtë mes është se unë si kryetar i Komisionit dhe anëtarët e Komisionit, nuk kemi lejuar ndërhyrje në punën e Komisionit sa i përket vlerësimit të kandidatëve, pasi kjo është në kompetencë të Komisionit. Puna e Komisionit është bazuar në dispozitat e ligjit, dhe për këtë ka pasur transparencë të plotë, ankesa e vetme nga Ministria e Drejtësisë në raport me Komisionin që na është thënë, ka qenë kalueshmëria e ulët. Për ne ka qenë e papranueshme që të ulen kriteret e vlerësimit dhe Komisioni të luajë rolin e një instrumenti në dorën e Ministrisë së Drejtësisë.

    Andaj, emërimi i një Komisioni në përbërje të re, pa i kaluar mandati Komisionit të deritanishëm, nuk shpjegohet ndryshe përveç ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, dhe kjo në vazhdën e ndërhyrjeve të vazhdueshme që Qeveria i bënë edhe në raport me Sistemin e Drejtësisë.

    Për mua personalisht dhe për anëtarët e Komisionit integriteti dhe pavarësia në ushtrimin e profesionit edhe si anëtar i Komisionit, nuk janë parime që shkruhen vetëm në letër, por janë parime që duhet t’i ushtrojmë në çdo veprim tonin.

    Ne mbetemi të përkushtuar për sundimin e ligjit, funksionimin e pavarur të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik.