ATV

Category: Lajme

  • Sulm i ri me dronë ukrainas shkakton zjarr të madh në rafinerinë ruse të naftës Tuapse

    Sulm i ri me dronë ukrainas shkakton zjarr të madh në rafinerinë ruse të naftës Tuapse

    Dronët sulmuan një rafineri nafte në qytetin rus Tuapse në Krai Krasnodar natën e 27-28 prillit.

    “Këtë natë, forcat ukrainase po sulmojnë përsëri Tuapsen. Shpërthime po dëgjohen mbi qytet dhe sistemet e mbrojtjes ajrore po përgjigjen. Dëshmitarët okularë raportuan një zjarr në një nga qarqet”, u tha nga autoritetet e atjeshme.

    Banorët raportuan dhjetëra shpërthimesh të forta gjatë dy orëve. Grupe dronësh po afroheshin nga deti në lartësi të ulët, transmeton Telegrafi.

    Një zjarr shpërtheu në vendin e ngjarjes ku mbetjet e dronit ranë në një nga qarqet, me flakë dhe tym të dukshëm.

    Sipas kanaleve Telegram, një terminal detar dhe rafineria e naftës u shënjestruan në sulm.

    Nuk është raportuar asnjë informacion zyrtar në lidhje me pasojat e sulmit.

    Një paralajmërim për sulm ajror ishte lëshuar më parë në rajon dhe kufizimet për mbërritjet dhe nisjet e avionëve u futën në aeroportet në Krasnodar, Gelendzhik dhe Sochi. /Telegrafi/

  • Çka thotë Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit

    Çka thotë Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit

    Sot është dita e fundit e afatit kushtetues që Kuvendi ta zgjedhë presidentin. Në rast se dështon edhe sot deri në mesnatë, Kosova përballet me zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

    Të hënën, në votimin e parë morën pjesë më pak se 80 deputetë. Kjo nga opozita dhe organizata të shoqërisë civile u konsiderua si shkelje kushtetuese.

    Zgjedhja e presidentit rregullohet me nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës.
    Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]

    1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

    2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

    3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.

    4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

    5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

    6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

    Edhe në aktgjykimin e fundit për “vlerësim të kushtetutshmërisë për procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se:

    (i) Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi i Kosovës, në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 86 të Kushtetutës;

    (ii) zgjedhja e Presidentit zhvillohet në 3 (tri) raunde të votimit, ku në 2 (dy) raundet e para kërkohen votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, ndërsa në raundin e tretë kërkohet shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit;

    (iii) Në mënyrë që 2 (dy) raundet e para të jenë të vlefshme në procedurën për zgjedhjen e Presidentit, kërkohet që të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Ndërsa për raundin e 3-të (tretë) kërkohet të paktën prania dhe votimi i shumicës të të gjithë deputetëve; dhe

    (iv) votimi për zgjedhjen e Presidentit zhvillohet me votim të fshehtë.

  • LDK s’merr pjesë në seancën e sotme për presidentin

    LDK s’merr pjesë në seancën e sotme për presidentin

    Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë as sot në seancën e thirrur për presidentin nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Këtë e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

    Ai u përgjigj shkurt për mediat, duke thënë: “Jo, në këtë seancë jo”.

    Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar dje se nuk do të marrë pjesë në seancë. Opozita e ka akuzuar partinë në pushtet për “puç kushtetues”.

  • Rizvanolli njofton se nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike

    Rizvanolli njofton se nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rivanolli ka njoftuar se KEK dhe KESKO kanë arritur marrëveshje sipas së cilës nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike.Rizvanolli në një videomesazh të publikuar në Facebook ka thënë se Qeveria e Kosovës mirëpret këtë marrëveshje.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret marrëveshjen mes KEK dhe KESCO e cila do të mundësoi që sipas raportit konsultativ të ZRrE-së të mos kemi rritje të tarifave të energjisë elektrike”, ka thënë ajo.

    Rizvanolli poashtu ka thënë se falënderon të gjitha palët që janë angazhuar që sivjet investimet në KEK të vazhdojnë në të dy termocentralet “për të rritur prodhimin e tyre dhe jetëgjatësinë, ndërkohë që ruhet përballushmëria e çmimeve për qytetarët dhe bizneset tona”.

  • Pas pak seanca për presidentin, Berisha: S’ka rregulla e as besim, ligji nuk po respektohet

    Pas pak seanca për presidentin, Berisha: S’ka rregulla e as besim, ligji nuk po respektohet

    Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha është deklaruar para vazhdimit të seancës për presidentin.

    Sipas tij, nuk ka rregulla e as besim, madje as ligji nuk po respektohet.

    “Me zgjedh një kandidat opozita tha 3 i ka, kur erdhëm ishin dy gra, gra të Kosovës të respektuara, por ndryshuan fjalët për 15 minuta. Besim nuk ka, rregulla nuk ka, ligji nuk po respektohet, tash erdhëm këtu me këqyrë çka”, u shpreh Berisha.

  • Ironizon Miftaraj: Deputeti Bardiqi të kërkojë nga Kushtetuesja që kamerat të largohen nga Kuvendi

    Ironizon Miftaraj: Deputeti Bardiqi të kërkojë nga Kushtetuesja që kamerat të largohen nga Kuvendi

    Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi duke ironizuar ka kërkuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Naim Bardiqi që sot të inicojë rast në Kushtetuese me kërkesë që të largohen të gjitha kamerat nga Kuvendi dhe ky i fundit të ketë mundësi të luaj “karate” me fatin e Republikës.

    Kjo kërkesë e Miftarajt është bërë pasi mbrëmë u publikua një fotografi të deputetit Bardiqi, i cili shihet duke shkruar me dikënd në seancën e zgjedhjes së presidentit e në mesazhin e tij thuhet “po e zgjedhim ‘karate’, pastaj të shohim çka thotë Kushtetuesja”.

    “Deputet Bardiqi kurgju puna jote nese sot nuk inicon rast ne Gjykate Kushtetuese me kerkese qe te largohen krejte kamerat nga Kuvendi i Kosoves ne menyre qe ti me pas mundesi me lu karate me fatin e Republikes dhe ne te njejten kohe me tu ru pavaresia.

    P.S. Kjo keshilla ime per Brus Lee deputetin me iu drejtu Gjykates Kushteteuse eshte pjese e lojes karate me te”, shkruan ai.

  • Çfarë përmban propozimi i fundit i Iranit?

    Çfarë përmban propozimi i fundit i Iranit?

    Zyrtarët iranianë zbuluan të hënën se çfarë përmban marrëveshja me faza që Teherani me sa duket i ka ofruar Uashingtonit.

    Ideja themelore është që së pari të negociohet hapja e Ngushticës së Hormuzit dhe më pas të merret çështja më e vështirë e pasurimit bërthamor të Iranit.

    Sipas Reuters, propozimi është strukturuar si më poshtë:

    Si hap i parë, SHBA-të dhe Izraeli do ta përfundojnë sulmet e tyre dhe do të garantojnë se ai nuk do të rifillojë;

    Së dyti, të dyja palët do të heqin bllokadat e tyre të Ngushticës së Hormuzit, e cila ka penguar tregtinë përmes një prej korridoreve kryesore të transportit detar në botë dhe të cilën Irani dëshiron ta rihapë nën kontrollin e tij;

    Së fundmi, do të ketë negociata mbi programin bërthamor të Iranit, me Teheranin që kërkon njohjen e të drejtës së SHBA-së për të pasuruar uranium.

    Këto detaje vijnë pasi është raportuar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i pakënaqur me propozimin e Iranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund luftës SHBA-Izrael me Iranin.

    Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Trump u informua për planin e Teheranit, i cili përfshin gjithashtu përfundimin e bllokadës së SHBA-së në rrugën ujore kritike, gjatë një takimi në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë të hënën, raportoi The New York Times, duke cituar burime anonime të informuara mbi diskutimin.

    Nuk është e qartë se me çfarë saktësisht ka qenë i pakënaqur Trump, por ai ka këmbëngulur prej kohësh në të dyja kërkesat bërthamore, shkruajnë më tej mediat e huaja.

    “Shtetet e Bashkuara nuk do të negociojnë përmes shtypit – ne kemi qenë të qartë për vijat tona të kuqe dhe presidenti do të bëjë vetëm një marrëveshje që është e mirë për popullin amerikan dhe botën”, citohet të ketë thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, për Times.

  • Krejt çka ndodhi në seancën e mbrëmshme për presidentin

    Krejt çka ndodhi në seancën e mbrëmshme për presidentin

    Tensione të larta politike dhe paqartësi kushtetuese kanë shoqëruar procesin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar procedurat në mungesë të opozitës, duke thelluar kësisoj përplasjet mbi ligjshmërinë e votimit dhe kuorumin në Kuvend.

    Pa praninë e partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka proceduar me votimin e dy kandidaturave të reja për presidente të Kosovës, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, gjatë një seance të mbajtur të hënën në mbrëmje, pas orës 21:00.

    Kjo seancë u thirr më pak se një orë pas përfundimit të një tjetër seance për të njëjtën çështje, e cila gjithashtu u bojkotua nga opozita. Në rundin e parë të votimit të fshehtë, Rushiti mori 63 vota, një votë rezultoi e pavlefshme, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë.

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca do të vazhdojë të martën në orën 10:00.

    Procesi është shoqëruar me reagime të ashpra nga opozita. Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi zhvillimin si “puç kushtetues”, duke argumentuar se rundi i parë nuk mund të konsiderohet i vlefshëm për shkak të mungesës së kuorumit.

    Në të njëjtën linjë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, akuzoi LVV-në për “përmbysje të rendit kushtetues”.

    Edhe nga shoqëria civile ka pasur kritika. Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, deklaroi se veprimet e ndërmarra përbëjnë shkelje të hapur të Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, për të proceduar me zgjedhjen e presidentit, në sallë duhet të jenë të paktën 80 deputetë.

    “Mungesa e kësaj shumice tregon për qëllime jo të mira të partisë në pushtet,” tha ai, duke shtuar se edhe tërheqja e kandidaturave të mëparshme dhe nënshkrimeve përkatëse ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.

    Në seancën paraprake, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga LVV kishin tërhequr kandidaturat e mëparshme për presidente.

    Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse kjo nuk ndodh, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

  • Ymeri: Seanca e mbrëmshme, testim që të vendoset Republika e Kurtit

    Ymeri: Seanca e mbrëmshme, testim që të vendoset Republika e Kurtit

    Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri e ka quajtur ofendim për sportin luftarak të karatesë, seancën e mbrëmshme për presidentin e Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Ymeri tha se nata e mbrëmshme ishte testim për mundësinë, siç tha ajo, “që të vendoset Republika e Kurtit e që nëse lejohet, të vendoset sistem paralel partiak për Gjyqësor e për çdo gjë që nuk e ka kap ende kopja e zbehtë e Xhaxhit”.

    “Mbramë nuk ka qenë karate, është ofendim për sportin për një fushë të cilën rrufitën premtime e para pa punë. Karate ka rregullat e veta. Jeni në Republikën e Kosovës edhe koha e xhaxhit është varrosur”, ka shkruar deputetja.

    Kujtojmë se mbrëmë gjatë seancës së jashtëzakonshme për çështjen e presidentit u zbulua një fotografi.

    Një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka dërguar mesazh me mbishkrimin “po e zgjedhim sot karate”, shihet në fotografi.

  • Ukraina thërret ambasadorin e Izraelit për shkak të grurit të vjedhur që dyshohet se është dërguar në Haifa

    Ukraina thërret ambasadorin e Izraelit për shkak të grurit të vjedhur që dyshohet se është dërguar në Haifa

    Tensionet midis Ukrainës dhe Izraelit janë rritur, ndërsa Kievi kërkon të parandalojë ankorimin dhe shkarkimin e një anijeje që transportonte drithëra, të dyshuara si të vjedhura nga zonat e pushtuara nga Rusia, në portin e Haifës.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha se Kievi kishte lëshuar një thirrje për ambasadorin e Izraelit që të paraqitej të martën në mëngjes, për të paraqitur një notë proteste dhe për të kërkuar veprime të përshtatshme.

    Andrii Sybiha tha se “marrëdhëniet miqësore ukrainaso-izraelite kanë potencialin t’u sjellin dobi të dy vendeve” dhe përsëriti se “tregtia e paligjshme e Rusisë me drithëra të vjedhura ukrainase nuk duhet t’i dëmtojë ato”.

    “Është e vështirë të kuptohet mungesa e përgjigjes së duhur të Izraelit ndaj kërkesës legjitime të Ukrainës, në lidhje me anijen e mëparshme që dorëzoi mallra të vjedhura në Haifa”, shtoi ai.

    “Tani që një anije tjetër e tillë ka mbërritur në Haifa, ne e paralajmërojmë përsëri Izraelin kundër pranimit të drithërave të vjedhura dhe dëmtimit të marrëdhënieve tona”, tha Sybiha.

    Ministri i Jashtëm i Izraelit iu përgjigj postimit të Sybihës në X të hënën në mbrëmje, duke i bërë thirrje Kievit të përmbahet nga kryerja e marrëdhënieve diplomatike në X ose në media.

    Gideon Sa’ar këmbënguli se “provat që mbështesin akuzat ende nuk janë ofruar”.

    Sa’ar tha gjithashtu se Kievi “as nuk paraqiti një kërkesë për ndihmë ligjore përpara se t’i drejtohej medias dhe rrjeteve sociale”.

    “Çështja do të shqyrtohet. Izraeli është një shtet që i përmbahet sundimit të ligjit me autoritete të pavarura të zbatimit të ligjit. Të gjitha autoritetet izraelite do të veprojnë në përputhje me ligjin”, shtoi ai.

    Burime të Euronews në Kiev konfirmuan raportet fillestare se zyrtarët ukrainas sugjeruan se nëse Izraeli nuk e refuzonte ngarkesën, kjo mund të çonte në pasoja të rëndësishme diplomatike.

    Anija në fjalë është Panormitis me flamur të Panamasë, e cila ka arritur në ujërat afër Haifës, sipas shërbimeve të monitorimit të trafikut detar.

    Panormitis dyshohet se mban mbi 6,200 ton grurë dhe 19,000 ton elb.

    Sipas gazetares investigative ukrainase Kateryna Yaresko nga projekti SeaKrime, e cila e publikoi e para historinë, Panormitis ishte ngarkuar me drithëra nga territoret e pushtuara ukrainase nëpërmjet transferimeve nga anije të tjera dhe u nis nga Porti i Kavkazit në rajonin Krasnodar të Rusisë.

    Sipas raportit, një pjesë e madhe e ngarkesës u transferua nga qyteti i pushtuar ukrainas i Berdyansk në bregdetin e Detit të Azov.

    Kiev thuhet se po gjurmon Panormitis, dhe zyrtarët thanë se nuk ishin të gatshëm ta “lënë këtë të kalojë”, sipas raporteve të medias amerikane të konfirmuara nga Euronews.

    Një burim diplomatik ukrainas i tha Axios se Izraeli “në thelb i ka shpërfillur” kërkesat e Kievit në lidhje me anijen e mëparshme që shkarkoi grurin e vjedhur në portin e Haifës.

    “Sinqerisht, kjo ndihet si një shuplakë në fytyrë duke pasur parasysh vullnetin e mirë strategjik që Ukraina ka ofruar – nga përcaktimi i IRGC-së si terroristë deri te kriminalizimi i antisemitizmit”, tha një burim diplomatik ukrainas.

    Më parë në prill, transportuesi rus i mallrave Abinsk dorëzoi gati 44,000 ton grurë të vjedhur ukrainas në Izrael, duke shkaktuar një përgjigje të ashpër diplomatike nga Kievi.

    Ministria e Jashtme e Ukrainës lëshoi një deklaratë zyrtare, duke thënë se kishte paralajmëruar zyrtarët izraelitë për origjinën e mundshme të ngarkesës nga territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës në bordin e Abinsk dhe gjithashtu theksoi “papranueshmërinë e operacioneve të importit me produkte të tilla”.

    “U morën garanci në lidhje me një përgjigje të përshtatshme”, tha ministria e jashtme e Ukrainës, ndërsa pranoi se “pavarësisht informacionit të dhënë dhe kontakteve midis palëve, anija u lejua të shkarkohej në portin e Haifës më 12-14 prill”, tha deklarata.

    “Pala ukrainase e konsideron anijen Abinsk si një që mund të jetë e përfshirë në aktivitetet e ‘flotës në hije’, të cilën shteti agresor e përdor për të eksportuar, transportuar dhe shitur ilegalisht drithëra të vjedhura ukrainase nga territoret e pushtuara përkohësisht dhe, në fund të fundit, për të financuar luftën kundër Ukrainës”, u tha ndër tjera.

    Një hetim nga agjencia izraelite e lajmeve Haaretz zbuloi se të paktën katër dërgesa me drithëra të vjedhura ukrainase janë shkarkuar tashmë në Izrael këtë vit.