ATV

Category: Lajme

  • Krejt çka ndodhi në seancën e mbrëmshme për presidentin

    Krejt çka ndodhi në seancën e mbrëmshme për presidentin

    Tensione të larta politike dhe paqartësi kushtetuese kanë shoqëruar procesin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar procedurat në mungesë të opozitës, duke thelluar kësisoj përplasjet mbi ligjshmërinë e votimit dhe kuorumin në Kuvend.

    Pa praninë e partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka proceduar me votimin e dy kandidaturave të reja për presidente të Kosovës, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, gjatë një seance të mbajtur të hënën në mbrëmje, pas orës 21:00.

    Kjo seancë u thirr më pak se një orë pas përfundimit të një tjetër seance për të njëjtën çështje, e cila gjithashtu u bojkotua nga opozita. Në rundin e parë të votimit të fshehtë, Rushiti mori 63 vota, një votë rezultoi e pavlefshme, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë.

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca do të vazhdojë të martën në orën 10:00.

    Procesi është shoqëruar me reagime të ashpra nga opozita. Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi zhvillimin si “puç kushtetues”, duke argumentuar se rundi i parë nuk mund të konsiderohet i vlefshëm për shkak të mungesës së kuorumit.

    Në të njëjtën linjë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, akuzoi LVV-në për “përmbysje të rendit kushtetues”.

    Edhe nga shoqëria civile ka pasur kritika. Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, deklaroi se veprimet e ndërmarra përbëjnë shkelje të hapur të Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, për të proceduar me zgjedhjen e presidentit, në sallë duhet të jenë të paktën 80 deputetë.

    “Mungesa e kësaj shumice tregon për qëllime jo të mira të partisë në pushtet,” tha ai, duke shtuar se edhe tërheqja e kandidaturave të mëparshme dhe nënshkrimeve përkatëse ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.

    Në seancën paraprake, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga LVV kishin tërhequr kandidaturat e mëparshme për presidente.

    Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse kjo nuk ndodh, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

  • Ymeri: Seanca e mbrëmshme, testim që të vendoset Republika e Kurtit

    Ymeri: Seanca e mbrëmshme, testim që të vendoset Republika e Kurtit

    Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri e ka quajtur ofendim për sportin luftarak të karatesë, seancën e mbrëmshme për presidentin e Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Ymeri tha se nata e mbrëmshme ishte testim për mundësinë, siç tha ajo, “që të vendoset Republika e Kurtit e që nëse lejohet, të vendoset sistem paralel partiak për Gjyqësor e për çdo gjë që nuk e ka kap ende kopja e zbehtë e Xhaxhit”.

    “Mbramë nuk ka qenë karate, është ofendim për sportin për një fushë të cilën rrufitën premtime e para pa punë. Karate ka rregullat e veta. Jeni në Republikën e Kosovës edhe koha e xhaxhit është varrosur”, ka shkruar deputetja.

    Kujtojmë se mbrëmë gjatë seancës së jashtëzakonshme për çështjen e presidentit u zbulua një fotografi.

    Një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka dërguar mesazh me mbishkrimin “po e zgjedhim sot karate”, shihet në fotografi.

  • Ukraina thërret ambasadorin e Izraelit për shkak të grurit të vjedhur që dyshohet se është dërguar në Haifa

    Ukraina thërret ambasadorin e Izraelit për shkak të grurit të vjedhur që dyshohet se është dërguar në Haifa

    Tensionet midis Ukrainës dhe Izraelit janë rritur, ndërsa Kievi kërkon të parandalojë ankorimin dhe shkarkimin e një anijeje që transportonte drithëra, të dyshuara si të vjedhura nga zonat e pushtuara nga Rusia, në portin e Haifës.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha se Kievi kishte lëshuar një thirrje për ambasadorin e Izraelit që të paraqitej të martën në mëngjes, për të paraqitur një notë proteste dhe për të kërkuar veprime të përshtatshme.

    Andrii Sybiha tha se “marrëdhëniet miqësore ukrainaso-izraelite kanë potencialin t’u sjellin dobi të dy vendeve” dhe përsëriti se “tregtia e paligjshme e Rusisë me drithëra të vjedhura ukrainase nuk duhet t’i dëmtojë ato”.

    “Është e vështirë të kuptohet mungesa e përgjigjes së duhur të Izraelit ndaj kërkesës legjitime të Ukrainës, në lidhje me anijen e mëparshme që dorëzoi mallra të vjedhura në Haifa”, shtoi ai.

    “Tani që një anije tjetër e tillë ka mbërritur në Haifa, ne e paralajmërojmë përsëri Izraelin kundër pranimit të drithërave të vjedhura dhe dëmtimit të marrëdhënieve tona”, tha Sybiha.

    Ministri i Jashtëm i Izraelit iu përgjigj postimit të Sybihës në X të hënën në mbrëmje, duke i bërë thirrje Kievit të përmbahet nga kryerja e marrëdhënieve diplomatike në X ose në media.

    Gideon Sa’ar këmbënguli se “provat që mbështesin akuzat ende nuk janë ofruar”.

    Sa’ar tha gjithashtu se Kievi “as nuk paraqiti një kërkesë për ndihmë ligjore përpara se t’i drejtohej medias dhe rrjeteve sociale”.

    “Çështja do të shqyrtohet. Izraeli është një shtet që i përmbahet sundimit të ligjit me autoritete të pavarura të zbatimit të ligjit. Të gjitha autoritetet izraelite do të veprojnë në përputhje me ligjin”, shtoi ai.

    Burime të Euronews në Kiev konfirmuan raportet fillestare se zyrtarët ukrainas sugjeruan se nëse Izraeli nuk e refuzonte ngarkesën, kjo mund të çonte në pasoja të rëndësishme diplomatike.

    Anija në fjalë është Panormitis me flamur të Panamasë, e cila ka arritur në ujërat afër Haifës, sipas shërbimeve të monitorimit të trafikut detar.

    Panormitis dyshohet se mban mbi 6,200 ton grurë dhe 19,000 ton elb.

    Sipas gazetares investigative ukrainase Kateryna Yaresko nga projekti SeaKrime, e cila e publikoi e para historinë, Panormitis ishte ngarkuar me drithëra nga territoret e pushtuara ukrainase nëpërmjet transferimeve nga anije të tjera dhe u nis nga Porti i Kavkazit në rajonin Krasnodar të Rusisë.

    Sipas raportit, një pjesë e madhe e ngarkesës u transferua nga qyteti i pushtuar ukrainas i Berdyansk në bregdetin e Detit të Azov.

    Kiev thuhet se po gjurmon Panormitis, dhe zyrtarët thanë se nuk ishin të gatshëm ta “lënë këtë të kalojë”, sipas raporteve të medias amerikane të konfirmuara nga Euronews.

    Një burim diplomatik ukrainas i tha Axios se Izraeli “në thelb i ka shpërfillur” kërkesat e Kievit në lidhje me anijen e mëparshme që shkarkoi grurin e vjedhur në portin e Haifës.

    “Sinqerisht, kjo ndihet si një shuplakë në fytyrë duke pasur parasysh vullnetin e mirë strategjik që Ukraina ka ofruar – nga përcaktimi i IRGC-së si terroristë deri te kriminalizimi i antisemitizmit”, tha një burim diplomatik ukrainas.

    Më parë në prill, transportuesi rus i mallrave Abinsk dorëzoi gati 44,000 ton grurë të vjedhur ukrainas në Izrael, duke shkaktuar një përgjigje të ashpër diplomatike nga Kievi.

    Ministria e Jashtme e Ukrainës lëshoi një deklaratë zyrtare, duke thënë se kishte paralajmëruar zyrtarët izraelitë për origjinën e mundshme të ngarkesës nga territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës në bordin e Abinsk dhe gjithashtu theksoi “papranueshmërinë e operacioneve të importit me produkte të tilla”.

    “U morën garanci në lidhje me një përgjigje të përshtatshme”, tha ministria e jashtme e Ukrainës, ndërsa pranoi se “pavarësisht informacionit të dhënë dhe kontakteve midis palëve, anija u lejua të shkarkohej në portin e Haifës më 12-14 prill”, tha deklarata.

    “Pala ukrainase e konsideron anijen Abinsk si një që mund të jetë e përfshirë në aktivitetet e ‘flotës në hije’, të cilën shteti agresor e përdor për të eksportuar, transportuar dhe shitur ilegalisht drithëra të vjedhura ukrainase nga territoret e pushtuara përkohësisht dhe, në fund të fundit, për të financuar luftën kundër Ukrainës”, u tha ndër tjera.

    Një hetim nga agjencia izraelite e lajmeve Haaretz zbuloi se të paktën katër dërgesa me drithëra të vjedhura ukrainase janë shkarkuar tashmë në Izrael këtë vit.

  • “Më është cenuar privatësia, është nxjerr nga konteksti pasi ka komunikim para dhe pas”, deputeti Bardiqi sqarohet për mesazhin

    “Më është cenuar privatësia, është nxjerr nga konteksti pasi ka komunikim para dhe pas”, deputeti Bardiqi sqarohet për mesazhin

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, ka komentuar mesazhin e tij në telefon që u publikua nga mediat, mesazh ky që qarkulloi gjatë seancës të së hënës në mbrëmje për president.

    Bardiqi në një paraqitje në Debat Plus ka thënë se me publikimin e mesazhit i është shkelur privatësia.

    “Po e zgjedhim [Presidentin] karate, pastaj të shofim çfarë thotë Kushtetusja”, ishte mesazhi i Bardiqit.

    E deputeti i LVV ka reaguar mbrëmë duke thënë se është nxjerrë nga konteksti dhe i është cenuar privatësia.

    Ai tutje thekson se ndonëse është person publik biseda ka qenë private.

    Mesazhi theksoi se është i nxjerr nga konteksti, pasi ka komunikim para asaj pjese dhe pas asaj pjesë.

  • Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për rrahje e shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

    Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për rrahje e shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

    Një i dyshuar është vetëdorëzur në Polici pasi dyshohet për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti kishte ndodhur më 15 shkurt në Milloshevë të Obiliqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Fsh. Milloshevë, Obiliq / 15.02.2026 – 18:00. Më 27.04.2026 lidhur me rastin është paraqitur në stacion policor i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Arrestohet i mituri nën dyshimin për shpërndarje të materialeve me përmbajtje të keqpërdorimit seksual të fëmijëve

    Arrestohet i mituri nën dyshimin për shpërndarje të materialeve me përmbajtje të keqpërdorimit seksual të fëmijëve

    Një i mitur është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Shpërndarje e materialeve me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve”.

    Sipas Policisë, i dyshuari u arrestua nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme (NjHP) në Prishtinë.

    “Rasti është raportuar në fillim të muajit prill në stacionin policor në Drenas. Menjëherë janë angazhuar hetuesit e NjHP-së , respektivisht ekipi për hetimin e krimeve kibernetike, të cilët kanë ndërmarrë veprime hetimore, që kanë rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar (i mitur). Personi i arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 24 orë”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

  • “Ke bërë shkelje të madhe”- Besnik Tahiri i kthehet ashpër Albulena Haxhiut pasi ajo e ndërpreu gjatë deklaratës

    “Ke bërë shkelje të madhe”- Besnik Tahiri i kthehet ashpër Albulena Haxhiut pasi ajo e ndërpreu gjatë deklaratës

    Gjatë deklarimit të tij, pas përfundimit të mbrëmshën së seancës për zgjedhjen e presidentit, deputeti i AAK-së Besnik Tahiri u përball nga një ndërprerje e kryeparlamentares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Derisa Tahiri po fliste, afër tij kaloi Haxhiu e cila e preku atë në krah dhe i tregoi se ka seancës në orën 10:00.

    “Seancë nesër në 10:00”, iu drejtua Haxhiu.

    E kjo ndërprerje nuk kaloi pa u komentuar nga Tahiri.

    “Jo, ke bo një shkelje të madhe kushtetuese”, ia ktheu ai.

  • Delegacioni i Komitetit Ushtarak të NATO-s po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, policia me njoftim për qarkullimin rrugor

    Delegacioni i Komitetit Ushtarak të NATO-s po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, policia me njoftim për qarkullimin rrugor

    Një delegacion i Komitetit Ushtarak të NATO-s, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Veturat e delegacionit janë parë edhe afër ndërtesës së Qeverisë.

    Për vizitën e këtij delegacioni ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media.

    “Me këtë rast Policia e Kosovës,  gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut,  gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Njoftimi i plotë:

    Njoftim për vizitën në RKS të Komitetit Ushtarak të NATO-s

    Prishtinë, më 27 prill 2026

    Me datën 27 dhe 28 prill 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare një delegacion i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

    Me këtë rast Policia e Kosovës,  gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut,  gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

    Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

  • GLPS: Votimi i mundshëm i Presidentit/es pa kuroumin e nevojshëm përbën shkelje flagrante të Kushtetutës

    GLPS: Votimi i mundshëm i Presidentit/es pa kuroumin e nevojshëm përbën shkelje flagrante të Kushtetutës

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpreh shqetësimin serioz lidhur me mënyrën e zhvillimit të seancës së mbrëmshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit/es e cila u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e kthyer një ndër proceset më të rëndësishme shtetërore në një lojë politike.

    Përmes, një komunikate për media GLPS thekson se Gjykata Kushtetuese, në Aktgjykimet e rasteve Nr. KO 29/11, KO47/16 dhe KO68/26 ka qenë e qartë se për zhvillimin e votimit të Presidentit/es kërkohet prania e 2/3 të të gjithë deputetëve. Çdo procedim përtej kësaj nuk është çështje interpretimi, por shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues. Thënë këtë, përveç se janë ‘nule’ të gjitha veprimet e ndërmarra në seancën  e mbrëmshme, GLPS vlerëson se thirrja për vazhdimin e saj sot në të njëjtën formë përbëjnë cenim serioz dhe të papranueshëm të Kushtetutës.

    Veprimet që injorojnë këtë rregullim nuk mund të justifikohen as me nevojën për funksionalitet institucional, sepse funksionaliteti nuk mund të ndërtohet mbi shkelje të Kushtetutës. GLPS rikujton se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lejon interpretime politike të përshtatura sipas interesit të momentit, por imponon detyrime të qarta dhe të padiskutueshme. Çdo tentativë për ta relativizuar këtë kërkesë, qoftë përmes interpretimeve procedurale të zgjeruara apo përmes vazhdimit të seancave pa përmbushjen e këtij kushti, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës. Një qasje e tillë nuk është vetëm e papërgjegjshme por e rrezikshme për rendin demokratik, sepse normalizon shkeljen dhe e vendos vendin në një trajektore ku normat kushtetuese zëvendësohen nga arbitrariteti politik.

    Në këtë drejtim, GLPS i bën thirrje deputetëve që të ndalin menjëherë këto veprime të paligjshme dhe të rrezikshme dhe thekson që vazhdimi i kësaj qasjeje përbën veprim të drejtpërdrejtë kundër interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është abuzim i pastër me mandatin publik.

    Përgjegjësia për këtë degradim bie plotësisht mbi ata që, me vetëdije, zgjedhin të shkelin Kushtetutën. Personat që shkelin Kushtetutën duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë publike dhe institucionale për veprimet e tyre. Shkelja e rendit kushtetues nuk është çështje politike që mund të relativizohet apo të justifikohet sipas rrethanave, por një devijim serioz nga detyrimi themelor ndaj interesit të shtetit dhe qytetarëve.

  • Katër raste të dhunës në familje të raportuara brenda 24-orëve

    Katër raste të dhunës në familje të raportuara brenda 24-orëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar për katë raste të dhunës në familje, të raportuara gjatë 24-orëve të fundit në disa qytete të vendit.

    Në Prishtinë, një grua dyshohet se ka sulmuar një grua tjetër. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

    Në Pejë, një burrë ka pranuar trajtim mjekësor pasi dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një burrë tjetër. Të dyja palët janë intervistuar në stacion policor dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

    Në Deçan, është raportuar një tjetër rast dhune në familje ku një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje tjetër. Pas intervistimit, e dyshuara është dërguar për trajtim mjekësor.

    Ndërkohë, në Mitrovicë të Veriut, një grua ka raportuar se ka pranuar mesazhe kërcënuese nga një shtetas i Serbisë. Rasti është iniciuar dhe po hetohet në konsultim me prokurorin e shtetit.

    Policia ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar nga njësitet kompetente.