ATV

Category: Lajme

  • Mosmarrëveshje mes dy personave në Prishtinë, sekuestrohen dy armë dhe 60 fishekë

    Mosmarrëveshje mes dy personave në Prishtinë, sekuestrohen dy armë dhe 60 fishekë

    Policia ka njoftuar se dy persona në Prishtinë kanë pasur mosmarrëveshje mes vete.

    Sipas Policisë, të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, nga i dyshuari janë sekuestruar dy armë me leje dhe 60 copë fishekë.

    Njoftimi i plotë:

    Fsh. Besi, Prishtinë / 23-27.04.2026 – NN. Është raportuar se  viktima mashkull kosovar ka pasur mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit,  nga i dyshuari janë sekuestruar dy armë me leje përkatëse dhe  60 copë fishekë. Rasti  vazhdon në procedurë të rregullte hetimore.

  • Refuzoi pozitën dhe pagën e lartë për shëndetin mendor – rrëfimi i Naile Demës që prek shumë njerëz

    Refuzoi pozitën dhe pagën e lartë për shëndetin mendor – rrëfimi i Naile Demës që prek shumë njerëz

    Naile Dema Selmani ka marrë një vendim të guximshëm: i tha “jo” një pozite të rëndësishme dhe me pagë të lartë, duke zgjedhur veten dhe shëndetin e saj mendor.

    Për herë të parë, në emisionin “LIBERO”, ajo foli hapur për presionin që shoqëria sipas saj ua vendos (sidomos) grave – për të qenë gjithmonë të forta, të palodhura dhe pa ankesa.

    “…Jemi një pjesë shumë e madhe e njerëzve, sidomos e grave, prej të cilave pritjet janë me qenë të forta, të pa za… mendova që ka ardhë momenti me i thanë stop kësaj mendësie, sepse po na dëmton jashtëzakonisht shumë në shëndetin mendor…”, u shpreh ajo.

    Selmani tregoi se kishte arritur në një pikë ku trupi i saj nisi të reagojë, duke e detyruar të ndalet. Ajo përmendi edhe disa analiza shëndetësore, përfshirë gjendje prediabeti, që i konfirmuan se duhej të ndryshonte ritmin e jetës.

    “…Kur nuk e dëgjon trurin, fillon me të fol trupi…”, theksoi ajo.

    Si pjesë e këtij vendimi, ajo zbuloi se ka lënë punën në Radio Dukagjin, ku për një vit kishte mbajtur pozitën e drejtoreshës së informimit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Naile Dema Selmanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Tragjedi në Indonezi: Dy trena përplasen mes vete, 14 viktima dhe mbi 80 të lënduar

    Tragjedi në Indonezi: Dy trena përplasen mes vete, 14 viktima dhe mbi 80 të lënduar

    Operacionet e shpëtimit vazhdojnë pranë kryeqytetit indonezian të Xhakartës, pasi dy trena pasagjerësh u përplasën, duke vrarë të paktën 14 persona dhe duke plagosur mbi 81 të tjerë, sipas përditësimeve të fundit të autoriteteve.

    Dy persona, ende gjallë, mbeten të bllokuar në fletët metalike të deformuara të një vagoni, sipas Anna Purba, një zëdhënëse e kompanisë shtetërore hekurudhore të Indonezisë KAI.

    Aksidenti ndodhi pranë stacionit të trenit Bekasi Timur, rreth 25 kilometra në lindje të kryeqytetit indonezian, shkruan TopChannel.

    Shefi i policisë së Xhakartës, Asep Edi Suheri, tha se një tren i distancave të gjata ishte përplasur me vagonin e fundit të një treni periferik vetëm për gra, i cili nuk po lëvizte.

  • I dyshuari për sulmin në Uashington akuzohet për tentativë atentati ndaj Trumpit

    I dyshuari për sulmin në Uashington akuzohet për tentativë atentati ndaj Trumpit

    I dyshuari për të shtënat në një ceremoni në Uashington, ku do të fliste edhe presidenti amerikan, Donald Trump, u akuzua për tentativë për atentat, si dhe për një komplot më të gjerë që synonte zyrtarë të lartë qeveritarë.

    Prokurorja federale për Distriktin e Kolumbisë, Jeanine Pirro, i bëri publike akuzat në një konferencë për media më 27 prill – dy ditë pas sulmit në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

    Ajo tha se i dyshuari, Cole Tomas Allen, pritet të përballet edhe me akuza të tjera, ndërsa hetimet vazhdojnë.

    “Ato janë vetëm tri akuza të përfshira në kallëzim… do të ketë akuza të tjera, ndërsa hetimet zhvillohen”, tha Pirro.

    “Por, të mos ketë asnjë dyshim, kjo ishte një tentativë për atentat ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.

    Më 25 prill, Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, hapi zjarr me një armë gjahu ndaj personelit të sigurisë, duke shkaktuar panik, ndërsa presidenti Trump dhe zonja e parë, Melania Trump, u larguan me shpejtësi nga një sallë pranë, pa u lënduar.

    Zyrtarët thanë se një pjesëtar i sigurisë u qëllua, teksa Allen tentoi të kalonte një pikë kontrolli, por nuk pësoi lëndime serioze, pasi mbante jelek antiplumb.

    Sipas prokurores Pirro, hetuesit besojnë se ai synonte të “qëllonte sa më shumë zyrtarë të lartë të Qeverisë”.

    Në të njëjtën konferencë, ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Todd Blanche, tha se autoritetet kanë siguruar një manifest, që i dyshuari besohet se ua kishte dërguar familjarëve të tij.

    Sipas tij, është e qartë se objektivi kryesor ishte presidenti Trump, ndërsa motivet e tjera po hetohen nga FBI-ja dhe agjencitë e rendit.

    Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Allen kishte rezervuar më 6 prill një dhomë në hotelin ku mbahej darka dhe kishte udhëtuar nga Kalifornia drejt Uashingtonit me tren.

    Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu, ishte i pranishëm në ceromoni, kur ndodhën të shtënat.

    “Ishte tronditëse. Të gjithë po kërkonin mundësi strehimi”, tha Raufoglu, duke kujtuar momentet e para.

    “Padyshim, disa filluan të fshiheshin menjëherë nën tavolinë. Gazetarët menjëherë filluan të dokumentonin, duke kërkuar informacione. Papritur u shfaq Shërbimi Sekret dhe e shoqëroi presidentin jashtë”, shtoi ai.

  • Vrasja e çiftit në Lezhë, Karamuço: Autorët dyshohet se janë larguar drejt Kosovës

    Vrasja e çiftit në Lezhë, Karamuço: Autorët dyshohet se janë larguar drejt Kosovës

    Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se në qarkun e Lezhës janë 306 familje të ngujuara për shkak të gjakmarrjes.

    Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Karamuço u shpreh se Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortes së tij Gentjana Mujeci në Balldren është ngjarje e rëndë, teksa dyshohet se autorët janë larguar drejt Kosovës.

    “Janë 306 familje të ngujuara. Kjo ngjarje, ishte vijim i një ngjarjeje që ka ndodhur në 2016. Është marrë vendim që ky person do vritet. Asnjë lloj kanuni, nuk parashikon vrasjen e grave. Gjakmarrja do shtrihet edhe në familjen e gruas. Kjo plagë krijon plagë të tjera. Nuk di nëse e kanë llogaritur autorët që duhet të vrisnin edhe bashkëshorten. Asgjë nuk e justifikon humbjen e jetës së të dyve, por flas për bashkëshorten e tij.

    Vrasja për gjakmarrje dëbohet me burgim të përjetshëm. Mendohet se autorët janë larguar drejt Kosovës”, theksoi ai.

  • Publikohet çmimi i naftës për sot

    Publikohet çmimi i naftës për sot

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.67 euro për litër, një cent më shtrenjtë krahasuar me dje.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.44 euro për një litër, ndërsa gazi 0.86 euro.

  • Çitaku: Për keqardhje që dy gra pranuan huazimin e emrave të tyre për një maskaradë të Albin Kurtit

    Çitaku: Për keqardhje që dy gra pranuan huazimin e emrave të tyre për një maskaradë të Albin Kurtit

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet politike rreth procesit për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke e cilësuar atë si shkelje të Kushtetutës dhe veprim të qëllimshëm politik.

    Çitaku ka thënë se “vetë ideja që, me vetëdije, i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurti.”

    Ajo ka kritikuar gjithashtu përfshirjen e dy grave në këtë proces, duke u shprehur se “është për keqardhje që dy gra kanë pranuar të huazojnë emrin e tyre në një maskaradë të rrezikshme dhe antikushtetuese.”

    “Kosova është ndërtuar mbi sakrifica të mëdha dhe se institucionet nuk duhet të cenohen. Ky popull ka sakrifikuar shumë për të pasur liri, pavarësi dhe institucione. Dhe nuk do të lejojmë përmbysjen dhe rrënimin e gjithçkaje që është ndërtuar me aq shumë mund,” u shpreh ajo.

    Deputetja e PDK-së iu referua një shprehjeje popullore duke thënë: “Zullumi këputet prej së trashi.”

  • Një burrë gjendet i vdekur në Prizren

    Një burrë gjendet i vdekur në Prizren

    Një burrë është gjetur pa shenja jete të hënën në Prizren.

    Policia bën të ditur përmes raportit se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

  • Deliu-Kodra: Sot vazhdon “karateja” për zgjedhje të presidentit

    Deliu-Kodra: Sot vazhdon “karateja” për zgjedhje të presidentit

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka deklaruar se sot do të vazhdojë “karateja” për zgjedhje të presidentit.

    Përmes një postimi në Facebook, deputetja akuzoi VV-në se fillimisht e godet rendin kushtetues, duke shtuar se pastaj pyesin a ishte e ligjshme.

    “Prej orës 10:00 vazhdon “karateja” për zgjedhje të presidentit. Fillimisht e godasin rendin kushtetues, pastaj pyesin a ishte e ligjshme?!”, ka shkruar ajo.

    PDK-ja ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme.

  • Mbyllet pjesërisht një rrugë në Malishevë nga 28 prilli deri më 1 maj

    Mbyllet pjesërisht një rrugë në Malishevë nga 28 prilli deri më 1 maj

    Komuna e Malishevës ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugën “Medlin Ollbrajt”, për shkak të punimeve që po zhvillohen në këtë segment.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë së Urbanizmit, nga data 28.04.2026 deri më 01.05.2026 një pjesë e rrugës do të jetë e mbyllur për qarkullim, ndërsa për të mundësuar lëvizjen, një krah i rrugës do të mbetet i hapur.

    “Për shkak të punimeve në rrugën ‘Medlin Ollbrajt’, duke filluar nga data 28.04.2026 deri më 01.05.2026, një pjesë e rrugës do të jetë e mbyllur për qarkullim”, thuhet në njoftim.

    Nga komuna është bërë e ditur se banorëve që jetojnë në këtë rrugë do t’u sigurohet qarkullim i pandërprerë.

    Sipas njoftimit, ndërprerja e përkohshme e qarkullimit bëhet si pasojë e punimeve për vendosjen e gypave të kanalizimit fekal dhe atmosferik në këtë segment rrugor.