ATV

Category: Lajme

  • Vazhdon beteja e Spiropalit me Edi Ramën: Më përjashto!

    Vazhdon beteja e Spiropalit me Edi Ramën: Më përjashto!

    Elisa Spiropali ka reaguar sërish publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, duke vijuar përplasjen verbale me Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë.

    Në reagimin e saj, Spiropali thekson se debatet e brendshme nuk duhet të kthehen në “spektakël ndëshkimor publik”, duke paralajmëruar se një qasje e tillë tregon frikë nga mendimi ndryshe.

    Ajo shprehet e vendosur se nuk do të tërhiqet nga kritikat e saj ndaj mënyrës së funksionimit të partisë, qeverisë dhe shtetit.

    Sipas Spiropalit, problemi nuk qëndron te zëri kritik, por te një sistem që nuk e toleron atë. Ajo thekson se nuk ka sulmuar Partinë Socialiste, por ka ngritur shqetësime për modele që, sipas saj, po e dëmtojnë atë.

    Spiropali thekson se mospajtimi nuk është tradhti, por forma më e lartë e besnikërisë në politikë. Ajo kundërshton idenë e bindjes së verbër dhe paralajmëron për rrezikun e një modeli që kërkon nënshtrim në vend të debatit.

    Në fund të reagimit, ajo rikthen edhe një herë sfidën e saj të drejtpërdrejtë: “Nëse nuk respektohet e drejta për të folur, zgjidhja është një: më përjashto.”

  • Policia konfiskon tri armë në rajonin e Mitrovicës

    Policia konfiskon tri armë në rajonin e Mitrovicës

    Njësitet policore në rajonin e Mitrovicës së Jugut, gjatë dy ditëve të fundit në kohë dhe lokacione të ndryshme, kanë konfiskuar tri armë.

    Në njoftim thuhet se një armë e gjatë është konfiskuar në zonën e Mitrovicës, ku arma ishte gjetur në automjetin e personit të dyshuar.

    Një armë tjetër e gjatë është konfiskuar në zonën e Vushtrrisë, pasi që personi i dyshuar kishte publikuar një video incizim duke shtënë me armë zjarri.

    “Policia ka identifikuar personin dhe lokacionin dhe pas reagimit të policisë, është konfiskuar arma me të cilën i dyshuari kishte shtënë gjatë një ahengu familjar”, thuhet në njoftim.

    Arma e tretë është konfiskuar në zonën e Skenderajt, pasi që ishte pranuar informata se ishin dëgjuar të shtëna në një rrugë malore.

    “Policia ka intervenuar dhe kanë hasur personin e dyshuar dhe pas kontrollit i kishin gjetur një armë e shkurtër në brez. Armët janë konfiskuar dhe janë proceduar në cilësinë e provave material”, njoftoi policia.

    Në njoftim thuhet gjithashtu se tre personat e dyshuar, pas intervistimit dhe procedurave tjera, me udhëzim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ndaj të treve janë iniciuar raste penale për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës./

  • Vendosen masa të reja për kategorizimin e produkteve të qumështit

    Vendosen masa të reja për kategorizimin e produkteve të qumështit

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka njoftuar për vendosjen e masave të reja për kategorizimin e produkteve të qumështit në tregun e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, Muja bëri të ditur se qëllimi kryesor është mbrojtja e konsumatorit dhe prodhuesve vendas.

    Ministri theksoi se nga tani e tutje, secili produkt i qumështit duhet të kategorizohet drejt dhe nuk do të lejohet më përzierja e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë pluhur apo vaj palme.

    “Zbatimi i masave: Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është autorizuar që t’i zbatojë këto masa në mënyrë të rreptë dhe proporcionale.

    Afati kohor: Këto masa do të jenë në fuqi për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, me mundësi vazhdimi.

    Sipas Mujës, këto vendime janë në interes të mbrojtjes së qumështit të freskët dhe ekonomive familjare në Kosovë”.

    Ministri Muja u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë në të gjithë territorin e Kosovës që t’i përmbahen me përpikëri dispozitave të reja.

    Ai gjithashtu falënderoi mediat për ngritjen e kësaj çështjeje, duke kërkuar ndihmën e tyre në shpërndarjen e këtij mesazhi te qytetarët.

    “Është në interes të mbrojtjes së konsumatorit dhe qumështit të freskët,” përfundoi Muja.

  • 89-vjeçari shkakton terror në Greqi, plagos 5 persona në zyrën e sigurimeve dhe në një gjykatë, mbetet në arrati

    89-vjeçari shkakton terror në Greqi, plagos 5 persona në zyrën e sigurimeve dhe në një gjykatë, mbetet në arrati

    Një i moshuar 89-vjeçar kreu një sulm më armë në Entin e Sigurimeve Kombëtare Shoqërore të Greqisë në Kerameikos me një pushkë gjahu, duke plagosur një punonjës dhe më pas mori një taksi duke fshehur armën, mbërriti në Gjykatën e Apelit në Loukareos, qëlloi dhe plagosi katër nëpunëse të tjera femra të Gjykatës së Shkallës së Parë.

    Dhe pas të gjitha këtyre, ai mbetet i arratisur. Më konkretisht, 89-vjeçari, i cili thuhet se është mbledhës mbeturinash dhe vuan nga probleme psikologjike, më parë hyri me forcë në një ndërtesë të EFKA-së në Kerameikos, u ngjit në katin e katërt dhe qëlloi një punonjës në këmbë.

    Më pas ai shkoi në Gjykatën e Apelit të Athinës, ku qëlloi dhe plagosi katër gra. Kjo është një distancë prej afërsisht pesë kilometrash, të cilën, sipas informacioneve fillestare, ai e përshkroi me taksi, duke e fshehur pushkën në xhaketë.

    Pasi qëlloi, ai e la armën në një fotokopjues dhe u zhduk. Në vendngjarje u thirr një ambulancë dhe dy motorë EKAB, të cilët transportuan të gjithë të plagosurit në urgjencë.

    “Sapo po dilja nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe pashë shumë kolegë duke vrapuar. Një koleg doli dhe na paralajmëroi se kishte një armë dhe se po qëlloheshin të shtëna. Ajo që ndodhi ishte se një burrë i moshuar me një pallto blu hyri në zyrën 23, qëlloi tre herë në dysheme, e la pushkën në fotokopjues dhe u zhduk”, tha një avokat praktikant./TCH/

  • Meliza Haradinaj shpërthen ndaj podcastit britanik që ia dha platformën Vuçiqit

    Meliza Haradinaj shpërthen ndaj podcastit britanik që ia dha platformën Vuçiqit

    Një deklaratë e fortë nga ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, ka shkaktuar jehonë të gjerë në hapësirën politike dhe mediatike rajonale, pas një reagimi të saj në platformën X (ish-Twitter), ku ajo kritikoi ashpër intervistën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në podcastin e njohur britanik ‘Rest is Politics’ të drejtuar nga Alastair Campbell dhe Rory Stewart.

    Në postimin e saj, Haradinaj ngriti akuza të rënda ndaj mënyrës se si, sipas saj, u trajtua narrativa mbi luftën në Kosovë gjatë intervistës, duke pretenduar se nuk u adresuan pyetje kyçe mbi krimet e luftës dhe fatin e personave të zhdukur gjatë konfliktit të vitit 1999.

    Ajo shkroi se moderatorët “anashkaluan pyetjen thelbësore” dhe akuzoi palën serbe për, siç pretendon ajo, fshehjen e informacioneve mbi varreza masive dhe mohimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Në të njëjtin reagim, ajo e lidhi këtë narrativë me trashëgiminë politike të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

    Deklaratat e saj kanë ndezur reagime të ndryshme në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje debatin e gjatë dhe ende të pazgjidhur mbi përgjegjësinë e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, si dhe mënyrën se si këto tema trajtohen në media ndërkombëtare.

    Nga ana tjetër, intervista e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në podcastin britanik është parë nga disa si një përpjekje për të paraqitur propagandën e Serbisë në një audiencë perëndimore, ndërsa kritikët e kanë cilësuar si një platformë ku nuk u sfiduan aspak narrativat propaganduese të Vuçiqit.

  • Murati thotë se është opozita ajo që po e shkel Kushtetutën: Pse me çdo kusht po duan ta dërgojë përsëri vendin në zgjedhje?

    Murati thotë se është opozita ajo që po e shkel Kushtetutën: Pse me çdo kusht po duan ta dërgojë përsëri vendin në zgjedhje?

    Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati thotë se të vetmit që po e shkelin Kushtetutën janë deputetët e opozitës që nuk po marrin pjesë në seancën e zgjidhjes së Presidentit.

    “Kërkuan që një subjekt politik të mos i ketë të tri pozitat e larta shtetërore. Ua ofruam Kryetarin e Kuvendit, nuk e pranuan. Ua ofruam që t’i sjellin 3 propozime konsensuale, nuk e sollën asnjë emër”, ka thënë Murati.

    Sipas tij, VV propozoi Feride Rushitin, të cuilën e quan një profesioniste e shquar dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht, e cila do t’i bënte nder vendit si Presidente, dhe opozita përsëri nuk merr pjesë.

    “Pse me çdo kusht opozita po dëshiron ta dërgojë përsëri vendin në zgjedhje?”, ka shkruar ai.

  • Kapen para të dyshuara fals në Bërnjak, ndalohet një shtetas i Serbisë

    Kapen para të dyshuara fals në Bërnjak, ndalohet një shtetas i Serbisë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 28 prill 2026, gjatë kontrollit kufitar në pikëkalimin kufitar Bërnjak, është zbuluar një rast i dyshuar i falsifikimit të parasë.

    Sipas policisë, gjatë kontrollit në vijën e dytë të një automjeti me targa të Serbisë, janë gjetur katër kartëmonedha nga 200 euro. Pas verifikimit fillestar dhe ekzaminimit me pajisje të avancuara, ato dyshohet se janë të falsifikuara.

    Me autorizim të prokurorit kompetent, i dyshuari – shtetas i Serbisë – së bashku me kartëmonedhat e sekuestruara, i është dorëzuar zyrtarëve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në kuadër të policisë në Mitrovicë të Veriut.

    Rasti është duke u trajtuar sipas procedurave ligjore në fuqi.

  • PDK i bën thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga gara për Presidente

    PDK i bën thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga gara për Presidente

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kritikuar ashpër procesin për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar atë si të dëmshëm dhe në kundërshtim me rendin kushtetues.

    Në një konferencë për media nga holli i Kuvendit, ajo shpalosi qëndrimet e PDK-së, duke i bërë thirrje partisë në pushtet të ndalë, veprimet antikushtetuese.

    “Dua të apeloj tek partia në pushtet që t’i ndërpresë këto veprime ‘karateje’ të dhunës politike, sepse ky nuk është Kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit”, tha Çitaku.

    Ajo i është drejtuar edhe kandidates për presidente, duke i kërkuar të tërhiqet nga gara.

    “Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti që të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurti, që është e dëmshme për shtetin dhe atë vet”, u shpreh ajo.

    Çitaku ka shprehur keqardhje për përfshirjen e saj në këtë proces.

    “Sinqerisht më vjen keq që ka pranuar të huazojë politikisht emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike”, deklaroi ajo.

    Në fund, ajo theksoi se vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por i bëri sërish thirrje të tërhiqet.

    “Si PDK e çmojmë angazhimin e saj në shoqërinë civile, por puna më e rëndësishme që mund t’i bëjë vetes dhe nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit është të largohet nga kjo garë”, tha Çitaku.

    Ajo ka thënë se zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe përbëjnë rrezik për rendin kushtetues.

    “Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe këtë nuk do ta lejojmë dhe së bashku me qytetarët do ta ndalojmë”, ka deklaruar Çitaku.

    Ajo ka bërë thirrje për ndaljen e menjëhershme të tensioneve në Kuvend.

    “Stop dhunës politike në Kuvend, stop veprimeve antikushtetuese”, ka theksuar ajo.

  • Ushtarët ukrainas shpëtojnë me robot të moshuarën që mezi ecte në paterica derisa po ikte nga bombardimet ruse

    Ushtarët ukrainas shpëtojnë me robot të moshuarën që mezi ecte në paterica derisa po ikte nga bombardimet ruse

    Një pensioniste ukrainase është shpëtuar nga një robot pasi u pa duke ikur nga artileria ruse me patericat e saj të ecjes.

    Pamjet e dronit treguan robotin, i cili i përkiste Brigadës së 60-të të Mekanizuar, duke mbajtur 77-vjeçaren, transmeton Telegrafi.

    Ajo u pa duke u përpjekur të ecte në rrugën e rrëshqitshme pranë qytetit të Lyman në rajonin e Donetskut, ndërsa i shpëtonte bombardimeve nga forcat e Putinit.

    Një luftëtar tha, ndërsa shikonin transmetimin e drejtpërdrejtë të gruas së moshuar që ecte ngadalë me asgjë tjetër përveç rrobave në shpinë dhe një palë paterica ecjeje: “Duket sikur po i vjen gulçim ose diçka e tillë”.

    Brigada më pas vendosi ta dërgonte robotin me një batanije dhe një shënim që shkruante: “Gjyshe, hip lart”.

    Ndërsa ajo hipi në robot, luftëtarët mund të dëgjoheshin duke thënë: “Hajde, hajde, kaq ishte”.

    Ajo hipi mbi robot për disa orë. Ndërsa u ndihmua të hipte në pjesën e pasme të një automjeti ushtarak, një ushtar u dëgjua duke marrë një psherëtimë lehtësimi: “Kaq ishte, më në fund të gjithë mund të marrim frymë… falë Zotit”.

    Ushtria ukrainase tha se gruaja e moshuar kishte jetuar në shtëpinë e saj tani të shkatërruar në një fshat pranë qytetit të Lyman.

    Ushtria u bëri thirrje njerëzve të “evakuohen paraprakisht për të ruajtur atë që ka më shumë rëndësi – jetën”.

    Kjo vjen ndërsa një sulm me dron rus para agimit në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, plagosi 14 persona, përfshirë dy fëmijë, thanë autoritetet të hënën, në breshërinë e fundit të zonave civile që kanë qenë një shenjë dalluese e pushtimit në shkallë të plotë të Moskës.

  • Deputetja e LVV-së: Po shihet kush është bllokuesi dhe kush po do ta çojë vendin në zgjedhje

    Deputetja e LVV-së: Po shihet kush është bllokuesi dhe kush po do ta çojë vendin në zgjedhje

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, para seancës së Kuvendit ka deklaruar se kandidatja për presidente, Feride Rushiti, tashmë i ka votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post, raporton Ekonomia Online.

    Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të partive opozitare që të jenë të pranishëm në seancë dhe të marrin pjesë në raundin e dytë të votimit.

    “E vërtetë është që zonja Feride Rushiti tashmë i ka votat për t’u zgjedhur presidente, prandaj unë po e shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve të partive opozitare që ndryshe prej mbrëmë, sot të jenë prezent në sallë dhe t’i bashkohen raundit të dytë të votimit, sepse besoj që nëse duam zgjidhje, e kemi rastin të votojmë zonjën Feride. Nëse jo, atëherë besoj po shihet qartazi kush është bllokuesi dhe kush po do ta çojë vendin në zgjedhje të reja”, tha Kryeziu-Hyseni.

    Sipas saj, pjesëmarrja në votim është kyçe për të shmangur një krizë të re politike dhe për të siguruar funksionalitetin institucional të vendit.