ATV

Category: Lajme

  • PDK mbledh Kryesinë, thonë se po rrezikohet rendi kushtetues

    PDK mbledh Kryesinë, thonë se po rrezikohet rendi kushtetues

    Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka mbajtur një mbledhje të Kryesisë ku thanë se i kanë “dënuar ashpër, përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës”.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha ka tendenca për shtyrje të vendit drejt një “anarkie politike” duke iu referuar seancës së djeshme të Kuvendit ku partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje votoi për zgjedhjen e presidentit pa pasur kuorumin e kërkuar në Kushtetutë.

    “Pushteti politik nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet tona. Ky është cenim i rendit kushtetues. Këtë nuk do ta lejojmë dhe do ta ndalojmë”, u shpreh Hamza.

    Pa specifikuar veprimet e planifikuara, PDK njoftoi se “do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme politike dhe institucionale për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit demokratik dhe të ardhmes së vendit”./REL

  • Dogana e Kosovës: Sulm kibernetik ndaj platformës Schwacke

    Dogana e Kosovës: Sulm kibernetik ndaj platformës Schwacke

    Dogana e Kosovës ka njoftuar publikun dhe palët e interesuara se platforma Schwacke, e cila është përdorur deri më tani për vlerësimin doganor të automjeteve të përdorura, ka qenë objekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar ndërprerjen e qasjes në këtë shërbim.

    Sipas njoftimit, si pasojë e sulmit, qasja në platformën Schwacke është ndërprerë “në nivel evropian dhe më gjerë”, çka e bën të pamundur përdorimin e saj për një periudhë të caktuar kohore.

    “Si pasojë e këtij sulmi, qasja në këtë platformë është ndërprerë në nivel evropian dhe më gjerë, duke e bërë të pamundur përdorimin e saj për një periudhë të caktuar kohore”, thuhet në njoftimin e Doganës.

    Për të siguruar vijimësinë e procedurave doganore dhe për të shmangur vonesat në zhdoganimin e automjeteve, Dogana ka bërë të ditur se ka kaluar në përdorimin e platformës DAT (Deutsche Automobil Treuhand).

    “Në këto rrethana… Dogana e Kosovës ka kaluar në përdorimin e platformës DAT (Deutsche Automobil Treuhand), e cila operon me standarde të njëjta profesionale dhe ofron të dhëna të besueshme për vlerësimin e automjeteve”, thuhet më tej.

    Dogana e Kosovës ka theksuar se veprimet e ndërmarra synojnë lehtësimin e tregtisë, evitimin e pritjeve dhe mbrojtjen e interesit publik.

    “Dogana e Kosovës siguron se të gjitha veprimet e ndërmarra janë në funksion të lehtësimit të tregtisë, evitimit të pritjeve dhe mbrojtjes së interesit publik”, thuhet në njoftim.

    Nga Dogana kanë bërë të ditur se për çdo ndryshim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë.

  • Haxhiu i kërkon opozitës të mos u bëjë presion kandidateve për presidente

    Haxhiu i kërkon opozitës të mos u bëjë presion kandidateve për presidente

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka kërkuar partive opozitare që të mos u bëjnë presion kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, për t’u tërhequr nga gara.

    “Në vend që të bëjnë presion dhe të japin deklarata që i shtyjnë kandidatet të tërhiqen nga gara, i ftoj ata [deputetët e partive opozitare] që të vijnë [në seancë]”, deklaroi Haxhiu në vazhdimin e dytë të seancës, e cila u ndërpre pak minuta pasi nisi.

    “Këtu është vendi ku flasim dhe argumentojmë, edhe juridikisht, edhe politikisht”, tha ajo.

    Paraprakisht, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i bënë thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga gara.

  • Shpenzimet ushtarake globale arritën një rekord në vitin 2025

    Shpenzimet ushtarake globale arritën një rekord në vitin 2025

    Shpenzimet ushtarake globale arritën gati 2.9 trilionë dollarë (rreth 2.67 trilionë euro) në vitin 2025, duke shënuar një vit të 11-të radhazi rritjeje, thanë studiuesit të hënën, pasi pasiguria dhe riarmatimi nxitën buxhetet e mbrojtjes.

    Tre shpenzuesit kryesorë – Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia – shpenzuan një total të kombinuar prej 1.48 trilion dollarësh (rreth 1.36 trilion euro), pak më shumë se gjysma e shpenzimeve globale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Shpenzimet u rritën me 2.9 përqind krahasuar me vitin 2024, pavarësisht një reduktimi nga SHBA-të, shpenzuesi më i madh në botë, sipas një raporti nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

    Hulumtuesi Lorenzo Scarazzato i tha AFP-së se rënia nga SHBA-të u kompensua më shumë nga rritjet në Evropë dhe Azi, pasi bota shënoi “një vit tjetër luftërash dhe tensionesh në rritje”.

    Scarazzato tha se kjo reflektohej edhe në “barrën ushtarake” globale – pjesën e PBB-së botërore të dedikuar për shpenzimet ushtarake – e cila arriti nivelin e saj më të lartë që nga viti 2009.

    “Gjithçka tregon për një botë që ndihet më pak e sigurt dhe po shpenzon për ushtrinë e saj për të kompensuar peizazhin global”, tha ai.

    SHBA-të shpenzuan 954 miliardë dollarë (rreth 878 miliardë euro), 7.5 përqind më pak se në vitin 2024, kryesisht sepse nuk u miratua asnjë ndihmë e re financiare ushtarake për Ukrainën.

    Në të kundërt, Uashingtoni premtoi një total prej 127 miliardë dollarësh (rreth 117 miliardë euro) për Kievin gjatë tre viteve të mëparshme.

    Por rënia pritet të jetë jetëshkurtër pasi Kongresi Amerikan ka miratuar shpenzime prej mbi 1 trilion dollarësh (rreth 920 miliardë euro) për vitin 2026, të cilat mund të rriten në 1.5 trilion dollarë (rreth 1.38 trilionë euro) në vitin 2027 nëse miratohet propozimi i buxhetit të presidentit amerikan Donald Trump.

    Shtytësi kryesor i rritjes globale ishte Evropa – përfshirë Rusinë dhe Ukrainën – ku shpenzimet u rritën me 14 përqind në 864 miliardë dollarë (rreth 795 miliardë euro).

    “Kjo nxitet nga dy faktorë kryesorë. Njëri është lufta e vazhdueshme në Ukrainë dhe tjetri është angazhimi i zvogëluar i SHBA-së me Evropën”, thotë Scarazzato.

    Ai shpjegoi se SHBA-të po “shtyjnë që Evropa të kujdeset më shumë për mbrojtjen e saj”.

    Gjermania, shpenzuesja e katërt më e madhe, rriti shpenzimet me 24 përqind në vitin 2025 në 114 miliardë dollarë (rreth 105 miliardë euro).

    Spanja gjithashtu regjistroi një rritje prej 50 përqind në 40.2 miliardë dollarë (rreth 37 miliardë euro), duke i çuar shpenzimet ushtarake mbi dy përqind të PBB-së për herë të parë që nga viti 1994.

    Siç theksohet më tej, lufta e vazhdueshme në Ukrainë pa si Rusinë ashtu edhe Ukrainën të rrisnin shpenzimet e tyre ushtarake, me secilën që regjistroi pjesën më të lartë të shpenzimeve qeveritare të alokuara për ushtrinë.

    Shpenzimet e Rusisë u rritën me 5.9 përqind në 190 miliardë dollarë (rreth 175 miliardë euro), ekuivalente me 7.5 përqind të PBB-së.

    Ndërkohë, Ukraina rriti shpenzimet me 20 përqind në 84.1 miliardë dollarë (rreth 77 miliardë euro) – një shifër marramendëse prej 40 përqind të PBB-së.

    Por, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, shpenzimet në rajon u rritën vetëm pak, me 0.1 përqind, në 218 miliardë dollarë (rreth 200 miliardë euro).

    Ndërsa shumica e vendeve në rajon rritën shpenzimet, Izraeli dhe Irani në fakt shënuan rënie.

    Në Iran, ato ranë me 5.6 përqind në 7.4 miliardë dollarë (rreth 6.8 miliardë euro), por kjo ndodhi kryesisht për shkak të inflacionit të lartë vjetor prej 42 përqind. Në terma nominalë, shpenzimet në fakt u rritën.

    E rënia prej 4.9 përqind e Izraelit në 48.3 miliardë dollarë (rreth 44.4 miliardë euro) pasqyroi një intensitet të reduktuar në luftën e Gazës pas një marrëveshjeje armëpushimi të janarit 2025, shpjeguan studiuesit, ndërsa vunë në dukje se shpenzimet izraelite ishin ende 97 përqind më të larta se në vitin 2022.

    Ndërkohë, në Azi dhe Oqeani, shpenzimet arritën në 681 miliardë dollarë (rreth 626 miliardë euro), një rritje prej 8.5 përqind nga viti 2024 – rritja më e madhe vjetore e rajonit që nga viti 2009.

    Scarazzato tha se “lojtari kryesor” në rajon ishte Kina, e cila ka rritur shpenzimet çdo vit për tre dekadat e fundit dhe shpenzoi rreth 336 miliardë dollarë (rreth 309 miliardë euro) në vitin 2025.

    “Por ndoshta ajo që është interesante është reagimi i disa shteteve të tjera, si Koreja e Jugut, Japonia dhe Tajvani, duke reaguar ndaj perceptimit të kërcënimit”, tha ai.

    Japonia rriti shpenzimet ushtarake me 9.7 përqind, në 62.2 miliardë dollarë (rreth 57 miliardë euro) në vitin 2025, ekuivalente me 1.4 përqind të PBB-së – pjesa e saj më e lartë që nga viti 1958 – ndërsa Tajvani rriti shpenzimet e saj me 14 përqind në 18.2 miliardë dollarë (rreth 16.7 miliardë euro). /Telegrafi/

     

  • Zelensky akuzon Izraelin se po pranon anije me grurë ukrainas “të vjedhur nga Rusia”

    Zelensky akuzon Izraelin se po pranon anije me grurë ukrainas “të vjedhur nga Rusia”

    Një debat diplomatik ka shpërthyer rreth akuzave se Izraeli po merr dërgesa gruri nga Ukraina e pushtuar nga Rusia.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “një tjetër anije” që transportonte grurë “të vjedhur nga Rusia” kishte mbërritur në një port në Izrael dhe po përgatitej të shkarkohej.

    Ai ka thënë se autoritetet izraelite “nuk mund të jenë të pavetëdijshme” për ngarkesën që ndodhej brenda anijeve që mbërrinin në portet e vendit të tyre dhe paralajmëroi se dështimi i tyre për të parandaluar dërgesat e grurit po dëmtonte marrëdhëniet dypalëshe.

    Më parë, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka kritikuar Ukrainën për bërjen e akuzave të tilla në publik, duke këmbëngulur se ato “nuk ishin prova”, por se çështja do të shqyrtohej.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve se ai “do të preferonte të mos komentonte për këtë në asnjë mënyrë ose të përfshihej në këtë çështje”.

    Rusia më parë ka mohuar se po vjedh grurë ukrainas.

  • Kryeministri Albin Kurti mban konferencë për media

    Kryeministri Albin Kurti mban konferencë për media

    Kryeministri i Republika e Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë sot një konferencë për media në ndërtesën e Qeverisë, duke filluar nga ora 16:30.

    Kjo konferencë zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik, pasi përkon me ditën e fundit të vazhdimit të seancës për zgjedhjen e presidentit të vendit, kjo pasi sot përfundon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.

    Pritet që kryeministri Kurti të adresojë zhvillimet e fundit politike, ecurinë e seancës parlamentare dhe qëndrimet e Qeverisë në lidhje me situatën aktuale institucionale.

  • ‘‘Keqpërdorim seksual i fëmijëve’’, Arrestohen dy persona në Prishtinë, prokuroria jep detaje

    ‘‘Keqpërdorim seksual i fëmijëve’’, Arrestohen dy persona në Prishtinë, prokuroria jep detaje

    Policia e Kosovë, ka njoftuar se janë arrestuar dy persona, në dyshimet për veprën ‘’Matrialet me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve’’.

    Në njoftim shtohet se, në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar pajisje elektronike, të cilat do të shërbejnë si prova matriale në këtë procedurë penale.

    Komunikata:

    Komunikatë e përbashkët për media nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë

    Prishtinë, 28 prill 2026– Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy (2) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘’Matrialet me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve’’, nga neni 227/I sipas Ligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.06/L- 074 Penal të Republikës së Kosovës.

    Si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Prishtinë, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarve, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Materialet me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve’’, nga neni 277/I sipas Ligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, në kuadër të këtyre hetimeve, janë sekuestruar pajisje elektronike, të cilat do të shërbejnë si prova matriale në këtë procedurë penale.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin dhe trajtimin e këtyre veprave penale.

  • Edhe AAK kërkon që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për presidente

    Edhe AAK kërkon që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për presidente

    Pas PDK-së, edhe AAK-ja ka kërkuar që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për presidente.

    Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se kandidatja e VV-së për shefe të shtetit, po bëhet pjesë e një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues.

    “Nuk do të lejojmë që të dëmtohet më tej rendi kushtetues, nuk mund dhe nuk duhet të legjitimohet logjika parti-shtet për shkak se ne nuk jemi në një shtet monist, një partiak. Demokracia nuk funksionon mbi imponim, por mbi marrëveshje e kompromis dhe respekt njëri ndaj tjetrit. Dje, Kurti foli gjatë e përdori foltoren e kuvendit për një diskutim politik brenda partiak, ai foli edhe për 3 emra të cilët do të ishin unifikues, megjithatë, qytetarët e panë qartë se ai nuk u konsultua me partitë të cilat i thërriste për diskutim, por në mënyrë arbitrare i solli në kuvend dy emra të tjerë. Kjo vetëm unifikuese nuk është por përjashtuese”, deklaroi Tahiri.

    “Ne si AAK besojmë se Kosova meriton më shumë, propozimi ynë i parë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për shkak se po bëhet pjesë e një procesi politik, i një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues. Në rrethana tepër të vështira nuk kemi të bëjmë as me unifikim as diskutim, por përjashtim”, theksoi ai.

  • Ambasada gjermane: Po e përcjellim Kuvendin, presim që palët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën

    Ambasada gjermane: Po e përcjellim Kuvendin, presim që palët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën

    Zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Catalina Heine, e pyetur lidhur me situatën në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Berlini zyrtar kërkon që të gjitha palët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Heine ka thënë se janë duke e ndjekur procesin që po vazhdon.

    “Ne po ndjekim procesin në vazhdim dhe presim që të gjitha palët e interesuara të veprojnë në përputhje me kushtetutën”, ka thënë Heine për Express.

    Në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar për të dytën herë seanca e nisur të hënën nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Ndonëse pa praninë e 2/3 e deputetëve, Haxhiu ka lejuar që të zhvillohet raundi i parë i votimit ku kanë marrë pjesë vetëm 64 deputetë.

    Nga 64 deputetë sa kanë marrë pjesë në votim, 63 vota kanë qenë për kandidaturën e Feride Rushitit dhe një votë e pavlefshme.

    Sonte është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, bazuar në vendimin e fundit të Kushtetueses.

  • Musliu: Kosova s’ka nevojë për Feride që heshtin përballë shkeljeve, por presidente që mbron Kushtetutën

    Musliu: Kosova s’ka nevojë për Feride që heshtin përballë shkeljeve, por presidente që mbron Kushtetutën

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për Feride Rushitin e cila siç thotë ajo hesht përballë shkeljeve, por për një presidente që mbron Kushtetutën dhe Republikën pa kompromis.

    Ajo shtoi se kush pranon të jetë pjesë e një procesi jokushtetues humb të drejtën morale dhe ligjore për të folur për drejtësi dhe demokraci.

    “Kosova nuk ka nevojë për FERIDE që heshtin përballë shkeljeve, por për PRESIDENTE që mbronë Kushtetutën dhe Republikën e Kosovës pa kompromis.

    Kush pranon të bëhet pjesë e një procesi jokushtetues, e humb të drejtën morale e ligjore të flasë për drejtësi dhe demokraci. Republika nuk ndërtohet mbi bindje partiake, por mbi respektimin e rregullave që na mbajnë shtet”, ka shkruar Musliu.