ATV

Category: Lajme

  • Vazhdon seanca për zgjedhjen e Presidentit, opozita e bojkoton

    Vazhdon seanca për zgjedhjen e Presidentit, opozita e bojkoton

    Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon seanca për zgjedhjen e Presidentit, e nisur që nga mbrëmë.

    Deputetët e opozitës po e bojkotojnë edhe këtë seancë.

    Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu që në nisje të seancës ftoi opozitën që të merr pjesë në seancë.

    Edhe Kryeministri Albin Kurti bëri ftesë të njëjtë, duke thënë se vendi i deputetëve është Kuvendi.

    “Në seancën e orës 19:00, presim edhe deputetët e opozitës, të cilët e kanë vendin në Kuvend”, tha Kurti.

    Në seancën që nisi mbrëmë, u bë edhe një votim jokushtetues, me veç 64 deputetë në sallë.

    63 vota ishin për kandidaten Feride Rushiti, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.

    Edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, nevojiten 80 deputetë në sallë që të fillojë raundi i parë i votimit.

    Votimi për president bëhet me votim të fshehtë.

    Në rundin e parë dhe të dytë kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq në rundin e tretë kërkohen 61 vota për president.

    Sonte në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Në rast se nuk zgjedhet Presidenti, vendi shkon në zgjedhje.

  • Abdixhiku para seancës: Nuk marrim pjesë në këtë shou politik, Kurti do të zgjedhë presidentin karate – Osmanin do ta zgjedhë populli

    Abdixhiku para seancës: Nuk marrim pjesë në këtë shou politik, Kurti do të zgjedhë presidentin karate – Osmanin do ta zgjedhë populli

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para nisjes së seancës për presidentin, deklaroi se “LDK-ja e konsideron që ky është shou njëpartak që nuk i shërben interesave të Republikës dhe nuk marrim pjesë në një shou të tillë, tha ai”.

    Abdixhiku tha se nënshkrimet nuk dorëzohen te LVV-ja, por shtoi se Kurti do kuorum që të zgjedhë presidentin karate.

    Ai tha se LDK i ka 15 nënshkrime për kandidatin e LDK-së.

    “Tani i kuptojmë këto përpjekje që dëshirojnë të krijojnë rast në Gjykatë Kushtetuese, konsiderojmë që është kosto shumë e madhe të luhet kaq shtrenjtë me fatin e Republikës për me dal në zgjedhje. Shteti nuk është hajgare”, tha Abdixhku para mediave, transmeton Express.

    Sipas tij, vendi po shkon drejt zgjedhjeve.

    Ai tha pse Kurtit po i pengon Vjosa Osmani, duke u shprehur “ndoshta Kurti nuk do me zgjedhë, por ja që jam i bindur që populli i Kosovës ka me zgjedhë”.

  • Haradinaj: Nuk jemi pjesë e seancës, lëvizje pa konsultë

    Haradinaj: Nuk jemi pjesë e seancës, lëvizje pa konsultë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e presidentit e cila pritet të nis në orën 19:00.

    Haradinaj para gazetarëve deklaroi se si parti janë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur zgjidhje në këtë drejtim.

    “Ne realisht na kanë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur një zgjidhje. Ndoshta sikur të kishim qenë pjesë e procesit nga fillimi ndoshta kishim mundur me i ndihmuar, ajo që është me rëndësi është të mos vazhdohet me shkelje të Kushtetutës e votimit pa kuorum, sepse e çon vendin në drejtim të rrezikshëm…. Nuk jemi pjesë e seancës. Kjo është lëvizje pa konsultë, pa dakordim, pa marrëveshje”, tha ai.

    I pyetur se a i dëgjoi kritikat e kryeministrit, Albin Kurti që i drejtoi opozitës gjatë një konference për medie që ai mbajti sot, kreu i AAK-së tha se ka kohë që nuk i sheh fjalimet e shefit të ekzekutivit kosovar.

    Edhe 5 orë kalon afati kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të vendit. Nëse nuk ka zgjidhje të kësaj çështjeje vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kandidate për presidente janë Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha./KP

  • Ministri Armend Muja merr vendim për paketë masash për mbrojtjen e tregut të qumështit dhe prodhimit vendor

    Ministri Armend Muja merr vendim për paketë masash për mbrojtjen e tregut të qumështit dhe prodhimit vendor

    Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka njoftuar se ka marr një vendim për zbatimin e një pakete të gjerë masash në tregun e qumështit në Kosovë, të cilat synojnë garantimin e cilësisë së produkteve, mbrojtjen e konsumatorëve dhe fuqizimin e prodhuesve vendorë.

    Disa nga masat e marra në këtë vendim, siç njoftohet janë; Kategorizimi i detyrueshëm i produkteve të qumështit, nuk do të lejohet përzierja e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme, do të ketë kontrolle të shtuara kufitare, ku çdo produkt i qumështit që hyn në Kosovë do t’i nënshtrohet analizave laboratorike për verifikimin e përbërjes, dhe, vendosja e akcizës për qumështin pluhur.

    Njoftimi:

    Ministri Armend Muja merr vendim për paketë masash për mbrojtjen e tregut të qumështit dhe prodhimit vendor

    Prishtinë, 28 prill 2026 – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, gjatë një konference për media, ka njoftuar marrjen e një vendimi për zbatimin e një pakete të gjerë masash në tregun e qumështit në Kosovë. Këto masa synojnë garantimin e cilësisë së produkteve, mbrojtjen e konsumatorëve dhe fuqizimin e prodhuesve vendorë.

    Me këtë rast, ministri Muja prezantoi masat kryesore që do të zbatohen për mbrojtjen dhe rregullimin e këtij sektori.

    “Kategorizimi i detyrueshëm i produkteve të qumështit – çdo produkt në treg do të duhet të etiketohet dhe kategorizohet qartë. Nuk do të lejohet përzierja e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme. Do të ketë kontrolle të shtuara kufitare, ku çdo produkt i qumështit që hyn në Kosovë do t’i nënshtrohet analizave laboratorike për verifikimin e përbërjes. Krahas kësaj, kemi marrë masë për vendosjen e akcizës për qumështin pluhur. Me propozim të MBPZhR-së, të dërguar në Ministrinë e Financave, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për akcizën ndaj qumështit pluhur, i cili hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Po ashtu, do të ketë mbikëqyrje të shtuar të tregut të brendshëm, ku do të forcohen kontrollet për të parandaluar keq-deklarimin dhe përzierjen e produkteve”, ka thënë ministri Muja.

    Vendimi për marrjen e këtyre masave, sipas ministrit, vjen pas analizave të detajuara të realizuara nga Ministria, në bashkëpunim me institucionet relevante, të cilat kanë evidentuar rritje të presionit nga produktet e importuara dhe zëvendësuese në tregun vendor të qumështit.

    Gjatë konferencës, ministri theksoi se prodhimi vendor i qumështit të freskët po përballet me ndikim të drejtpërdrejtë nga rritja e importeve, veçanërisht e qumështit pluhur, si dhe nga produktet që përmbajnë vaj palme.

    “Analizat tona tregojnë një rritje të ndjeshme të importit të qumështit pluhur dhe një presion në rritje ndaj qumështit të freskët vendor, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonomitë rurale”, theksoi ministri Muja.

    Zbatimi i këtyre masave i është besuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e cila është autorizuar të veprojë në mënyrë të rreptë dhe proporcionale.

    Masat do të jenë në fuqi për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, me mundësi vazhdimi, në varësi të zhvillimeve në treg.

    Ministri theksoi gjithashtu se situata ndikohet edhe nga faktorët sezonalë, ku rritja e prodhimit vendor shoqërohet me rritje të presionit nga importet, duke krijuar vështirësi për plasimin e qumështit të freskët në treg.

    “Këto masa janë në interes të mbrojtjes së konsumatorit, garantimit të cilësisë dhe mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe ekonomive familjare,” u shpreh ai.

    Në përfundim, ministri Muja u bëri thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë me përpikëri dispozitat e reja, ndërsa falënderoi mediat për rolin e tyre në informimin e drejtë të qytetarëve.

  • IPK rekomandon suspendimin e dy policëve: U përfshinë në një rast me të shtëna, u përdor arma zyrtare

    IPK rekomandon suspendimin e dy policëve: U përfshinë në një rast me të shtëna, u përdor arma zyrtare

    Inspektorati Policor i Kosovës, ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë.

    IPK njofton se kjo është bërë për arsye se, policët, dyshohet se janë përfshirë në një rast me të shtëna që ka ndodhur në fshatin Mramor në Prishtinë.

    Komunikata:

    Hajvali, Prishtinë/, 28 prill 2026

    Me datën 27.04.2026, IPK ka pranuar informata nga Policia e Kosovës se në fshatin Mramor, Komuna e Prishtinës, ka pas të shtëna me armë dhe se personat e involvuar në këtë vepër penale janë zyrtarë policor, jashtë detyrës zyrtare, ndërsa vepra penale dyshohet është kryer me armën zyrtare të policisë.

    IPK ka zhvilluar menjëherë veprime hetimore fillestare ndaj dy zyrtarëve policor nga Stacioni Policor “Veriu” Prishtinë, Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, të cilët janë të dyshuar vepër penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe IPK ka rekomanduar suspendimin tyre.

  • Haziri – Kurtit: E kemi bërë të qartë se Vjosa Osmani mund të jetë kandidate

    Haziri – Kurtit: E kemi bërë të qartë se Vjosa Osmani mund të jetë kandidate

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në DPT te Fidani në Klan Kosova, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili pati dyshime për nënshkrimet e LDK-së për president.

    Kurti tha në një konferencë për media se LDK-ja mbrëmë (e hënë, 27 prill) prezantoi një dokument me 15 nënshkrime të grupit të tyre parlamentar, i cili, sipas tij, mbante datën 25 prill dhe nuk tregonte se për çka janë ato nënshkrime.

    E Haziri, në prononcimin e tij në Klan Kosova, tha se nënshkrimet janë dhënë për çështjen e presidentit, duke mos specifikuar se a kanë qenë për ndonjë emër të përveçëm apo jo.

    “Nënshkrimet a janë për Osmanin apo dikë tjetër, ne përmes kryetarit Abdihxiku e kemi bërë të qartë se edhe Osmani mund të jetë kandidate, mund të jetë, por kandidati në emër të LDK-së duhet të diskutohet brenda LDK-së. Ne kemi qenë të gatshëm, kemi pasë vullnet të mirë, kemi pas qasje pozitive me i dhënë vendit president. Ne jemi të vetëdijshëm që zonja Osmani, përkundër që me emër të saj është bërë gara e 28 dhjetorit dhe për të është garuar dhe janë mbledh vota nga eksponentë dhe lista e LVV dhe pjesën e partive tjera, ka qenë e pritur, por Kurti vendosi që pas 28 dhjetorit të bëjë konstituimin e Kuvendit, me zgjedh qeverinë, me miratu buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat ne i kemi votu, nuk e kemi blloku. Cila është arsyeja me na thënë sot po e pengoni zgjehdjen e Presidentit? Nuk ka”.

    “Ne jemi zgjidhja e çdo lloj problemi, por jo me na trajtu si shtesë, si pjesë të qeverisjes së tretë, apo vetëm si objekt në të cilin mundet me gjete faj e fajtor”, shtoi ai. .

    Tutje, ai tha se LDK-ja ka qenë e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit, por theksoi se Kurti gjithmonë “i gjen behane LDK-së”.

    “E para dhe më e rëndësishmja, [jemi taku] me i dhënë mundësi edhe arritjes se një marrëveshje dhe ndërtimit të besimit. Me këtë lloj energjie çfarë po jepet e kundërta, me arsyetu, me kundërshtu me repliku, me gjet, behane, ishte arritur qëllimi menjëherë, në fund të janarit ishin kry pjesa më e madhe e punëve. Por e ka bërë një renditje të pesë hapave gabim, ka deshmu që LDK-ja me konstruktivitet me bashkëpunim dhe pragmatizëm, ka zbatu dhe pranu rezultatin e zgjedhjeve. Ne kemi marrë pjesë në të gjitha takimet dhe kemi dashtë me arrit një marrëveshje për president dhe kemi përfundu me ofertë për kuvend ose për qeveri. Kjo është ajo që zotëri Kurti kur e sheh LDK-në, thotë ‘Nusja e mirë por syri qorr’. Behanen e gjen gjithmonë, çdo lloj veprimi që ne kemi bërë, behanen e ka gjete, sikur edhe mbrëmë”.

    “Lumir Abdixhiku e ka pas Grupin Parlamentar në mbështetje të plotë, që nga takimi i parë me Kurtin. I ka dhënë mbështetje për arritjen e një marrëveshjeje për president. Çështja e emrit natyrisht është diskutu mes palëve, por pas një vendimi të LDK-së. Abdixhiku e ka bërë me dije që LDK-ja duhet me u dëgju dhe me vendos, por jo LDK-ja më u thirr për me bo kuorum dhe LDK-ja me u thirr më u tregu se a po i pëlqejnë emrat e propozuar”, ka thënë Haziri.

  • Paralajmëron Hamza: Nëse zgjedhet Presidenti antikushtetues do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar

    Paralajmëron Hamza: Nëse zgjedhet Presidenti antikushtetues do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar

    Pas mbledhjes së Kryesisë, Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot edhe kryetarët e degëve të saj, duke kërkuar mobilizim të plotë të strukturave partiake në të gjithë vendin.

    Në njoftim PDK ka ritheksuar se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën dhe rendin juridik, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e tyre.

    “Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, ka deklaruar Hamza.

    PDK ka theksuar se do të jetë në ballë të përpjekjeve politike dhe qytetare për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Republikës, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike për të ndalur përmbysjen e rendit kushtetues.

  • Deputeti i VV-së para seancës për presidentin: Askush s’po e shkel Kushtetutën

    Deputeti i VV-së para seancës për presidentin: Askush s’po e shkel Kushtetutën

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli sërish ka ftuar partitë opozitare që të marrin pjesë ne seancën e orëve të fundit për zgjedhjen e presidentit.

    Pak minuta para se të mbahet seanca e thirrur për në orën 19:00, ai ka thënë se vendi duhet të bëhet me president, duke thënë se shumica parlamentar i jep mbështetje të plotë kandidates, Feride Rushiti.

    Dugolli u është përgjigjur akuzave të partive opozitare për shkelje të Kushtetutës, duke mohuar se partia e tij po vepron në kundërshtim me aktin më të lartë juridik në vend.

    “Askush nuk po e shkel Kushtetutën e as rregullat, kjo akuzë është e pabazë. Partitë ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, ato duhet ta dinë se nuk mund ta rrëzojnë Qeverinë Kurti.”, ka thënë Dugolli para nisjes së seancës.

  • Çitaku – Kurtit: Ti s’e njeh bashkëpunimin, as kompromisin – PDK s’nënshtrohet

    Çitaku – Kurtit: Ti s’e njeh bashkëpunimin, as kompromisin – PDK s’nënshtrohet

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një postimi në Facebook i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se 51% e votave nuk janë 100%.

    Ajo ka shkruar se Kurti nuk njeh bashkëpunim e as kompromis, por sipas saj kërkon nënshtrim.

    Çitaku tutje ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk nënshtrohet.

    Madje, deputetja e PDK-së e ka quajtur Kurtin shkelës serik të Kushtetutës, duke shtuar se ai nuk e ka problem ta përmbysë edhe rendin kushtetues.

    Postimi i plotë:

    Albin,

    Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%.

    Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme.

    Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar.

    Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet.

    Si shkelës serik i Kushtetutës, nuk e ke problem ta përmbysësh edhe rendin Kushtetues. Por këtë nuk do ta lejojmë.

    Ky vend dhe kjo Republikë janë ndërtuar me mund e me gjak. Dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen.

  • Kurti: Opozita ka qëllim vetëm bllokimin

    Kurti: Opozita ka qëllim vetëm bllokimin

    Kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i LVV-së, Albin Kurti, akuzoi partitë opozitare se me mospjesëmarrje në seancën për zgjedhjen e presidentit po tregojnë se “nuk kanë qëllim tjetër përveç se bllokimit”.

    Ai e akuzoi opozitën për veprime joshtetërore dhe sipas Kurtit partitë opozitare duan vetëm të bllokojnë qeverisjen e tij.

    “Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë nuk mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor e shprehur qartë më 28 dhjetor”, tha Kurti, duke shtuar se në këto zgjedhje partia e tij fitoi 51.1 për qind të votave.

    Ai sërish përmendi ofertat që i ka bërë PDK-së dhe LDK-së për çështjen e presidentit, të cilat janë refuzuar, duke thënë se ai ka bërë propozime konkrete, por është përballur me refuzime.

    “Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të përsëritura dhe të panevojshme”, tha Kurti në nisje të konferencës për media./REL