ATV

Category: LAJME

  • Orteku në Alpet Franceze lë të vdekur gjashtë persona

    Orteku në Alpet Franceze lë të vdekur gjashtë persona

    Numri i të vdekurve nga orteku i së dielës në Alpet Franceze u rrit në gjashtë, përfshirë dy udhërrëfyes malorë, thanë autoritetet lokale të hënën.

    Zyra e prokurorit në Bonneville, në rajonin Haute-Savoie, tha se trupi i një personi të gjashtë është gjetur pasi kërkimet rifilluan të hënën në mëngjes.

    Prefektura e Haute-Savoie tha se një person u dërgua në spital me lëndime të lehta.

    Tetë persona të tjerë u gjetën të padëmtuar.

    Nuk janë dhënë detaje për identitetin e viktimave.

    Orteku të dielën u rrëzua nga akullnaja Armancette në Contamines-Montjoie, në rajonin Haute-Savoie, rreth 30 kilometra në jugperëndim të Chamonix.

    Alpet janë një vend kryesor pushimesh gjatë fundjavës së gjatë të Pashkëve të Francës.

    Stacioni lokal i radios France-Bleu e vuri në dukje madhësinë e ortekut në 1000 metra të gjatë dhe 100 metra të gjerë.

    Agjencia kombëtare e motit Meteo France nuk kishte lëshuar një paralajmërim specifik për ortekët për të dielën, duke e vlerësuar rrezikun si “të kufizuar”./REL/

  • Hasaj: Trusti po funksionon pa një mur mbrojtës ndaj goditjeve

    Hasaj: Trusti po funksionon pa një mur mbrojtës ndaj goditjeve

    Blendi Hasaj nga instituti GAP ka reaguar në lidhje me konkursin e fundit për anëtarët e bordit të Trustit.

    Sipas tij, ky konkurs është shpallur vetëm në uebfaqen e Trustit dhe në një portal anonim.

    Tutje, ai ka thënë se për gjashtë pozita në të cilat zakonisht emërohen shtetas të Kosovës, janë pranuar vetëm 21 aplikime; nga të cilat 5 ose 6 kanë qenë të vetë anëtarëve të bordit të fundit.

    Në anën tjetër, shkruan Hasaj në Facebook, anëtarët e komisionit që e përzgjedhin bordin e Trustit pensional, ndonëse i mbanin tri pozita kyçe në vend, e kanë shpërfillur për mbi një vit plotësimin e bordit të Trustit.

    Sipas tij, ata nuk e kanë marrë mundin as të komunikojnë rregullisht mes vete dhe të sigurohen që konkursi i fundit (që përfshinte të gjithë bordin vendimmarrës, 7 pozita) të shpallet në dakordim me britanikët, të plasohet siç duhet, të hapen aplikimet e pranuara pa humbur kohë, të njoftohet Kuvendi për zhvillimet rreth këtij procesi, etj.

    “Aktualisht, Trusti po funksionon pa një mur mbrojtës ndaj goditjeve (në investime)”, përfundon ai.

  • Haradinaj bën homazhe në Bllacë: Eksodi i 1999-ës do të mbahet mend gjatë

    Haradinaj bën homazhe në Bllacë: Eksodi i 1999-ës do të mbahet mend gjatë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vendosur lule në Memorialin përkujtimor “Bllaca 99” me rastin e 24-vjetorit të eksodit masiv të popullatës shqiptare.

    Nga aty, Haradinaj tha se eksodi i vitit 1999, do të mbahet mend gjatë në memorien e tyre.

    “Jemi këtu për t’i përkujtuar shqiptarët e Kosovës, të civilëve të zhvendosur me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe pa pas mundësi me marrë asgjë me vete por vetëm me shpëtua jetën. Kjo zhvendosje nuk ka qenë aq e thjeshtë, këtu janë mbajtë me javë të tëra pra burra, gra e fëmijë e pleqtë dhe siç e dimë numri i tyre është mbi një milion e gjysmë”, deklaroi Haradinaj.

    Llogaritet se rreth 440 mijë refugjatë shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe, pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës, raporton Ekonomia Online.

    “Liria e Kosovës ka në themelet e veta edhe ata që dhunshëm u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Ata u bënë imazhi i Kosovës që kërkonte të drejtën e vet”.

    “Falënderim përjetë për gjithë shqiptarët që hapen dyert për motrat dhe vëllezërit e tyre, që ofruan bukën, strehën por edhe shpresën!”.

    “Falënderues përjetë botës së qytetëruar, udhëheqësve të asaj kohe; Bill Clinton, Madeleine Albright dhe Tony Blair!”, shkroi në Facebook Haradinaj.

     

  • Në Kosovë rreth 33 për qind e qytetarëve janë duhanpirës

    Në Kosovë rreth 33 për qind e qytetarëve janë duhanpirës

    Inspektorati Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka thënë për Radio Kosovën se ligji kundër duhanit është zbatuar që nga miratimi i tij, por sfiduese për ta ka qenë pasi që inspektoratet e tjera nuk u kanë ndihmuar që ta bëjnë zbatimin e këtij ligji.

    Ndërsa nga zyra e OBSH-së në Kosovë kanë thënë për Radio Kosovën se fillimi i zbatimit të ligjit është një hap pozitiv për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës.

    Në Kosovë rreth 33 për qind e qytetareve janë duhanpirës, dhe ajo çka është me shqetësuese është sepse pirja e duhanit nga gjinia femërore është rritur kohët e fundit në krahasim me të kaluarën. Ndërsa fillimi i konsumit të duhanit fillon nga të rinjtë e moshës 17 vjeçare dhe me theks të veçanet niset nga femrat dhe kjo, është tejet shqetësuese, ka thënë për Radio Kosovën kryeinspektori Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku. Ai thotë se Ligji për Kontrollin e Duhanit, është zbatuar në maksimum, por që nuk patën përkrahjen e inspektorateve të tjera.

    “Por një ndër sfidat më të mëdha është kur mbetesh vetëm. Është jashtëzakonisht problematike, sepse inspektoratet e tjera nuk na ndihmuan që ta zbatojmë këtë ligj dhe ta fuqizojmë. Ta rrisim vetëdijen shoqërore të kësaj shoqërie duke pasur për bazë edukimin bazik shëndetësor i cili është parametri kryesor për ta funksionalizuar një ligj”, ka thënë Tershnjaku.

    Tershnjaku, tutje thotë se aktualisht i ka 49 inspektorë aktivë në gjithë territorin e Kosovës, dhe se kanë bërë kërkesë për rritjen e inspektorëve sepse janë në mungesë të tyre. Ndërsa Oleksandr Martynenko, udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë për Radio Kosovën se Kosova duhet ta zbatojë ligjin kundër duhanit në hapësira publike, në mënyrë që të mos ketë pasoja shëndetësore për qytetarët.

    “Një zhvillim tjetër pozitiv që ka ndodhur rishtazi është fillimi i zbatimit të ligjit për parandalimin e duhanit në hapësira publike. Ky ligj ekziston që 10 vite. Ky ligj është shumë i rëndësishëm që të zbatohet dhe të mos pihet duhani në hapësirat publike, në mënyrë që të mos ketë pasoja shëndetësore si për ata që e pinë duhanin, po ashtu edhe për ata që nuk janë konsumues të tij, që të mos sëmurën nga kanceri dhe të kenë një jetë të shëndetshme”, ka thënë Martynenko.

    Sipas Ligjit kundër duhanit, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.

  • “The Guardian”: Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do ta rishkruajë historinë

    “The Guardian”: Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do ta rishkruajë historinë

    Mediumi prestigjioz britanik “The Guardian”, ka publikuar sot një artikull për gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

    Në këtë artikull është thënë se gjyqi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve do ta rishkruajë historinë e luftës.

    Ndër të tjera, Thaçi është vlerësuar si politikani më i shquar i Kosovës.

    Në artikull është treguar kronologjia e gjykimit të katërshes që nga arrestimi i tyre para më shumë se dy vjetëve, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte.

    Më tej është thënë se ky gjyq pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet.

    “Gjyqi, i cili u hap dy vjet pasi burrat u dorëzuan në juridiksionin e gjykatës dhe pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet, tashmë duket i sigurt se do ta rishkruajë historinë e konfliktit”, thuhet në artikull.

     

  • Pavarësisht krizës energjetike, Gjermania mbyll tri centrale bërthamore

    Pavarësisht krizës energjetike, Gjermania mbyll tri centrale bërthamore

    Gjermania mbyll tre centralet e saj të fundit bërthamore. Për të Gjelbrit është një ëndërr e realizuar. Në Azi, energjia bërthamore po përjeton një rilindje.

    Në fund të marsit, në Berlin, ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke (Të Gjelbrit) i dha fund me pak fjalë një grindjeje që e kishte mbajtur vendin në pezull për shumë vite: “Rreziqet e energjisë bërthamore në fund të fundit nuk janë të kontrollueshme dhe kjo është arsyeja pse braktisja graduale e energjisë bërthamore e bën vendin tonë më të sigurt dhe shmang mbetjet e reja bërthamore”.

    Një tjetër zgjatje e shkurtër e mbajtjes së centraleve bërthamore

    Më parë, energjia bërthamore u bë edhe njëherë objekt mosmarrëveshjeje. Në fakt, koalicioni qeveritar i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP kishte rënë dakord të respektonte braktisjen e energjisë bërthamore në Gjermani, të vendosur në vitin 2011. Termocentralet e fundit bërthamore do të mbylleshin në fund të vitit 2022. Por lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka, pasi furnizimet me gaz rus në Gjermani u ndërprenë dhe ekzistonte frika e mungesës së energjisë. Kancelari Olaf Scholz e imponoi vendimin e tij: Zgjatje e periudhës së funksionimit të centraleve bërthamore deri në mes të prillit 2023.

    Një mosmarrëveshje që ka zgjatur me dekada

    Pak mosmarrëveshje i kanë polarizuar njerëzit, veçanërisht në Gjermaninë Perëndimore, për shumë dekada sa ajo për energjinë bërthamore. Më 17 qershor 1961, një central bërthamor gjerman, Kahl në Bavari, furnizoi për herë të parë me energji rrjetin publik. Sot, tre termocentralet e fundit gjermane ende në shërbim, e ndërpresin përfundimisht furnizimin për rrjetin më 15 prill. Midis këtyre dy datave kanë kaluar 22596 ditë dhe shumë debate të gjalla. Ndërkohë, 19 blloqe centralesh bërthamore gjermane kanë furnizuar deri në një të tretën e energjisë elektrike të vendit, herën e fundit rreth 20 vjet më parë.

    Në Republikën e vjetër Federale Gjermane, përpara bashkimit gjerman, kundërshtimi i energjisë bërthamore nxori në rrugë qindra mijëra të rinj, kryesisht në vitet 1970 dhe 1980. Fatkeqësia e Çernobilit në Bashkimin Sovjetik dukej se konfirmonte paralajmërimet për rreziqet e energjisë bërthamore. Por partitë politike në pushtet (CDU, CSU, SPD ose FDP) kanë mbështetur fuqimisht përdorimin e energjisë bërthamore për shumë dekada.

    Energjia bërthamore në Evropë

    Vendet e tjera evropiane kanë qenë më të shpejtë për të braktisur gradualisht energjinë bërthamore. Suedia ishte e para që vendosi t’i jepte fund energjisë bërthamore menjëherë pas Çernobilit. Italia gjithashtu vendosi në atë kohë të mbyllte dy termocentralet e saj të fundit bërthamore. Italia iu përmbajt vendimit të saj, ndërsa Suedia e anuloi vendimin e saj në vitin 1996. Sot, atje gjashtë termocentrale bërthamore prodhojnë rreth 30 për qind të nevojave për energji elektrike.

    Vende të tjera evropiane si Holanda ose Polonia po planifikojnë një zgjerim të furnizimit me energji bërthamore, Belgjika po e shtyn mbylljen e planifikuar. Me 57 reaktorë bërthamorë, Franca ka qenë gjithmonë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike bërthamore dhe kështu do të mbetet. 13 nga 27 vendet e BE-së duan të përdorin energjinë bërthamore në vitet e ardhshme apo edhe të rrisin kapacitetin. Por shumë ekspertë dyshojnë se kjo do të ndodhë.

    Braktisja e parë gjermane në vitin 2002

    Në Gjermani, Jürgen Trittin, asokohe ministri i Mjedisit i të Gjelbërve, e imponoi vendimin e parë për të hequr dorë nga energjia bërthamore në vitin 2002. Ky vendim u zbut më vonë nga qeveritë pasuese, por fatkeqësia e tmerrshme bërthamore në Fukushima në Japoni në 2011 vulosi përfundimisht fatin e centraleve bërthamore gjermane. Kancelarja e asaj kohe, Angela Merkel (CDU), vendosi fundin e energjisë bërthamore në Gjermani. Trittini është edhe sot deputet i të Gjelbërve në Bundestag, dhe në një intervistë për DË për datën aktuale të mbylljes përfundimtare thotë: “Po, është një ditë e rëndësishme, sepse shënon fundin e një historie, atë të përdorimit civil të energjisë bërthamore. Por ky nuk është fundi i energjisë bërthamore në Gjermani, ne kemi të bëjmë akoma me mbetjet më të rrezikshme të botës, që do të na duhet t’i ruajmë në mënyrë të sigurt për një milionë vjet”.

    Çfarë thonë mbështetësit e energjisë bërthamore?

    A është vërtet ky fundi i energjisë bërthamore në Gjermani? I pyetur nga DË, grupi gjerman i interesit për teknologjinë bërthamore “KernD” tha se heqja e energjisë bërthamore në tërësi nuk ishte një ide e mirë për shkak të krizës energjetike: ” Edhe në funksion të politikës klimatike dhe evolucionit shumë të pafavorshëm të prodhimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, për shkak të rritjes së mprehtë të prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri, mbyllja e tre termocentraleve bërthamore në punë që prodhojnë pak gazra të efektit serë, nuk është i kuptueshëm”. Dhe shtojnë: “Po të marrim parasysh sigurinë e furnizimit, mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, si dhe konkurrencën së bashku, do të ishte më e mençur të prodhohej më shumë energji elektrike nga burimet bërthamore sesa aspak.”

    Energjia bërthamore në botë sot

    Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), në mbarë botën janë aktualisht në punë 422 reaktorë bërthamorë, me një moshë mesatare rreth 31 vjeçare. Një raport i fundit i IAEA-s, megjithatë, pohon se nuk mund të flasim për një rilindje të energjisë bërthamore. Për prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet bërthamore në botë, mund të lexojmë: “Në vitin 1996 u arrit maksimumin me 17,5 për qind, por në vitin 2021 kjo vlerë ra nën dhjetë për qind, për herë të parë në katër dekada”. Dhe Jürgen Trittin thekson se askush nuk dëshiron të investojë në një shkallë të madhe “në energjinë bërthamore, sepse energjia bërthamore nuk është konkurruese”. Ndërtimi i centraleve të reja bërthamore është shumë i shtrenjtë; shpesh ato janë të bashkëfinancuara nga taksat. Vonesat dhe kundërshtimet ndaj projekteve të reja janë të përsëritura.

    Japonia i kthehet energjisë bërthamore pavarësisht Fukushimës

    Megjithatë, janë kryesisht Kina, Rusia dhe India që duan të ndërtojnë centrale të reja bërthamore. Kina, ku praktikisht nuk ka shoqëri civile që kundërshton projektet e reja, dëshiron të ndërtojë 47 objekte të tjera. Tashmë sot, Kina prodhon më shumë energji bërthamore sesa Franca. Edhe Rusia dhe India udhëheqin me planet e tyre të zgjerimit. Është argumentuar rregullisht se zhvillimi i energjisë elektrike bërthamore mbron klimën, sepse prodhimi praktikisht nuk gjeneron dioksid karboni.

    Edhe Japonia dëshiron t’i kthehet energjisë bërthamore, pavarësisht nga tërmeti i vitit 2001, i cili shpërtheu disa reaktorë bërthamorë njëri pas tjetrit. Në atë kohë, të gjitha termocentralet bërthamore u mbyllën. Por pak nga pak, disa reaktorë u rikthyen në shërbim. Qeveria japoneze ka marrë tani një vendim: Japonia, e varfër në lëndë të para, dëshiron të ndërtojë reaktorë të rinj dhe t’i lërë të vjetrit të funksionojnë deri në 70 vjet. “Ne duhet të shfrytëzojmë plotësisht energjinë bërthamore”, tha si moto kryeministri Fumio Kishida. Në sondazhe, ai gëzon mbështetje në rritje të publikut pas periudhave të gjata në opozitë. /DW

  • Simboli i eksodit gjatë luftës, si duken sot nëna me foshnjën në gji

    Simboli i eksodit gjatë luftës, si duken sot nëna me foshnjën në gji

    Fotografia e nënës nga Kosova, me foshnjën në duar, e shkrepur në vitin 1999 gjatë rrugëtimit të kolonave me njerëz drejt kampit të Bllacës në Luftën e Kosovës, bëri bujë në mediat më të mëdha botërore të asaj kohe. Nëna me vajzën ‘e vdekur’ në gji, u shndërruan në simbol të luftës dhe sakrificës.

    Fotografia e famshme u shkrep nga një korrespondente e gazetës ‘Time’ në fshatin Ivajë të Kaçanikut, në hyrje të Maqedonisë më 3 shtator 1998. Gjatë kësaj periudhe, lufta në Kosovë kishte marrë përmasa të mëdha pas ngjarjes së Prekazit dhe luftimet në front të UÇK-së kundër ushtrisë serbe sa vinin e shtoheshin.

    Një pjesë e madhe e burrave i ishin bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë bashkëshortet e tyre me të moshuarit dhe fëmijët. Ndër to ishte dhe Sherife Luta, në atë kohë vetëm 22 vjeçe, shtatzënë, vetëm pak javë para lindjes.

    Sherife Luta nuk di ta thotë me saktësi datën, se kur u shkrep fotografia që e shndërroi atë dhe të bijën, Besën, në simbolin e eksodit të refugjatëve kosovarë të luftës që u strehuan në Maqedoni në kampin e Bllacës.

    ‘Nuk e mbaj mend nëse ka qenë data 3 apo 4 prill i vitit 1999. Por momentin e shkrepjes së fotografisë e kam të freskët si të ishte sot. Atë ditë kishte shumë kameramanë dhe fotografë. Madje më kërkuan që edhe të jepja intervistë, por nuk pranova pasi isha shumë e lodhur’, rrëfen Sherife Luta për Deutsche Welle.

    Vite më pas, gjërat kanë ndryshuar shumë për Kosovën. Tashmë prej 11 vitesh Kosova është e pavarur nga Serbia. Ndërkohë Besa Luta, e cila gjatë eksodit të madh në kohën e luftës së Kosovës ishte vetëm një foshnje, tashmë është një 20 vjeçare, studente e Shkencave Politike dhe jeton në një Kosovë të pavarur.

    Nëse lindjen dhe fëmijërinë i ka dëgjuar si histori të rrëfyera nga mamaja e saj, sot Besa rininë e saj po e kalon në Kosovën e lirë.

    ‘Kosova sot ka shumë probleme, por më e rëndësishme është se tashmë ajo është e pavarur dhe shpresoj që gjërat që për momentin nuk funksionojnë, të përmirësohen me kalimin e kohës’, thotë Besa Luta, e cila kur ishte foshnje, fotoja e nënës së saj Sherifes me të në krahë duke e ushqyer me gji, bëri xhiron e botës, duke u bërë simbol i kalvarit të refugjatëve gjatë luftës së Kosovës.

  • Nesër nis dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Nesër nis dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë bërë të ditur se në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nesër më 11 prill fillon procesi i paraqitjes së provave nga ana e Zyrës së Prokurorisë Speciale, respektivisht me dëgjimin e dëshmitarëve.

    Të gjitha këto seanca pritet të fillojnë në orën 9:30, por se do të transmetohen me 45 minuta vonesë për publikun.

    Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

    Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

    Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

    Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

    Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

    Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

  • Punëtorët e shtetit pushojnë sot e nesër, sepse dje e pardje ishte festë

    Punëtorët e shtetit pushojnë sot e nesër, sepse dje e pardje ishte festë

    Sot e nesër, punëtorët e shtetit do ta kenë pushim. Kjo pasi që ata do të përfitojnë nga dy data të festave zyrtare të cilat ranë në vikend, mirëpo sipas Ligjit të Festave zyrtare, për to pushohet në një ditë pune.

    Kësisoj, sot, punëtorët e sektorit publik pushojnë për shkak se të shtunën ishte Dita e Kushtetutës.

    Teksa, nesër, të njëjtit nuk dalin në punë pasi që dje ishin pashkët katolike.

  • ​Gërvalla mohon problemet me Kurtin, thotë se ka përpjekje për t’i përçarë

    ​Gërvalla mohon problemet me Kurtin, thotë se ka përpjekje për t’i përçarë

    Bashkëkryetarja e Listës Guxo, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mohon se ka probleme me kryeministrin Albin Kurti. Ajo thekson se koalicioni qeverisës është stabil, derisa thotë se të gjitha përpjekjet për t’i përçarë dhe paraqitur kinse ka qëndrime të ndryshme në kabinetin qeveritar, janë naive.

    Kryediplomatja kosovare thotë për KosovaPress se është në linjë të njëjtë me kryeministrin Kurti për marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të ujdisë.

    Duke nënvizur përkrahjen ndaj Kurtit në strategjinë që ka zgjedhur në këtë proces, Gërvalla shton se ka takime të rregullta ndërmjet krerëve institucionalë, në të cilët është gjithmonë e pranishme.

    “Të gjitha hapat që i bëjmë edhe në raport me (marrëveshjen) e Brukselit dhe atë të Ohrit dhe në raport me gjitha vendimet që marrim, nuk është sekret që ne kemi një takim të rregullt të udhëheqësve të institucioneve më të larta të shtetit. Pra, kryetarit të Kuvendit, presidencës dhe kryeministrit, në të cilat gjithmonë jam e pranishme edhe unë. Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur”, thotë Gërvalla.

    Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi thotë se kryeministri Albin Kurti po e shpërfillë vazhdimisht ministren Gërvalla.

    Ajo ngrit dyshime se ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës ka mospajtime të mëdha, sidomos për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Unë jam thellë e bindur se zotëri Kurti e ka kuptuar se zonja Gërvalla nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme. E kemi pa se nuk është pjesë as e delegacionit në dialog dhe nuk ka informata sa i përket vendimeve që i merr qoftë presidentja apo kryeministri. Nuk është pjesë e asnjë takimi formal të presidentes dhe kryeministrit. Vet kjo pasqyrë të jep idenë të kuptosh se nuk është pjesë e formës së zhvillimit të politikës së jashtme”, deklaron ajo.

    Gërvalla, por edhe deputetët e Partisë Guxo që janë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë më të heshtur pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar të njëjtën.

    Kjo ka nxitur raportimet për mospajtime brenda kabinetit qeveritar.

    Partia Guxo, bashkëkryesohet prej Donika Gërvallës dhe Faton Pecit, i cili është edhe ministër i Bujqëisë në kabinetin qeveritar të kryeministrit Albin Kurti.

    Lista Guxo më parë është udhëheur nga presidentja Vjosa Osmani, e cila pas marrjes së postit të parës së shtetit, ka dhënë dorëheqje nga obligimet partiake

    Në zgjedhjet e vitit 2021, Guxo ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje./kp