ATV

Category: LAJME

  • 14 prilli caktohet Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

    14 prilli caktohet Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Me propozim të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbledhjen e 138-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Presidentja Osmani, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

    “Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.

  • 8-vjeçari humb jetën pasi u sulmua nga qeni

    8-vjeçari humb jetën pasi u sulmua nga qeni

    Një 8-vjeçar ka ndërruar jetë pasi është sulmuar nga një qen në lagjen “Pintija” në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

    Tragjedia ka ndodhur pasi fëmija është afruar në oborrin ku mbahej qeni, e më pas është sulmuar, shkruan Alsat.

    Fëmija me plagë të rënda është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit, ku ka ndërruar jetë.

    “Dje në orën 18:25 nga spitalin “Shën Naum i Ohrit” është raportuar se tek ta është sjellë një i mitur nga Shkupi, i cili edhe përkundur intervenimit të mjekëve u është nënshtruar plagëve. Për këtë rast është njoftuar prokurori publik, me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dorëzuar për autopsi. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga Ministria për Punë të Brendshme.

  • Javë me diell apo shi? Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Javë me diell apo shi? Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë mot kryesisht me vranësira të shpërndara dhe me reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Prishtina me 3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 16 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 6 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 21 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • ​Qeveria e Kosovës miratoi marrëveshjen për programin IPA 2022

    ​Qeveria e Kosovës miratoi marrëveshjen për programin IPA 2022

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh.

    Ekzekutivi i dha dritë të gjelbër Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së për programin IPA 2022.

    Miratoi udhëzimin për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

    Ndërkohë caktoi 14 prillin si Ditë Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës se fundit në Kosovë.

    Krahas kësaj, u ndan 287 mijë euro për kompensimin financiar njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

  • Kurti: Sulmi ndaj Valon Sylës i patolerueshëm, autorët sa më parë të vihen para drejtësisë

    Kurti: Sulmi ndaj Valon Sylës i patolerueshëm, autorët sa më parë të vihen para drejtësisë

    Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 138 të Qeverisë e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike, duke e cilësuar sulmin si të patolerueshëm dhe të papranueshëm.

    Ai tutje tha se në një shoqëri demokratike nuk duhet lejuar asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë se liria e fjalës.

    Kreu i Qeverisë ka kërkuar nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast seriozisht që autorët të vihen para drejtësisë sa më parë.

    “Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.

    “Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e vendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, tha Kurti.

    “Komision Ad-hoc javën e kaluar përmbylli drafti ligjin për zgjedhje. Ky draft ka të bëjë më mundësimin e mergatës në votim, ky draft ka ndalur padrejtësinë që ju është bërë mërgimtareve”.

    “Konsullatat dhe ambasadtdt do të shndërrohen në vendvotime. Uroj që ky projektligj të kaloj të gjitha procedurat e parapara. Sot para vetës kemi disa pika të rëndësishme, është ai i IP, një projektligj tjetër është ai për arbitrazhin”, tha ai.

    Syla është sulmuar fizikisht nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë.

    Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë.

  • ​Kurti: Drafti për reformë zgjedhore shqyrtohet së shpejti në ekzekutiv

    ​Kurti: Drafti për reformë zgjedhore shqyrtohet së shpejti në ekzekutiv

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se drafti për reformën zgjedhore së shpejti do të trajtohet në ekzekutiv. Sipas tij, ai i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës.

    Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri ka thënë se dokumenti parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit politik derisa ambasadat dhe konsullatat e Kosovës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.

    “Javën e kaluar Komisioni ad hoc për reformë zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Republikës përmbylli punën e tij duke hartuar draftin e ri të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtë draft së shpejti do ta kemi për trajtim edhe në Qeveri, për të dhënë opinionin dhe komentet tona. Megjithatë, sot para jush dua ta shpalos një dimension të veçantë të tij, e që ka të bëjë me votimin e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë. Në esencë, ky draft ligj i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit”, ka thënë Kurti, transmeton KP.

    Kurti ka thënë se sipas draft-ligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mërgata do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike.

    Ai ka thënë se regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet online ndërsa ka bërë të ditur se për hedhjen e fletëvotimeve, ata do të kenë tri opsione.

    “I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat e Republikës së Kosovës. Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Kjo do t’i kursejë bashkatdhetarëve tanë buxhet dhe kohë dhe do të mundësojë që fletëvotimet të arrijnë shpejt e sigurt, si dhe opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende”, ka shtuar Kurti.

    Gjatë adresimit të tij, Kurti ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe ka kërkuar që autorët të vihen sa më parë para drejtësisë.

  • ​Xhaçka takon Escobar, në fokus forcimi i mëtejshëm i qëndrueshmërisë në rajon

    ​Xhaçka takon Escobar, në fokus forcimi i mëtejshëm i qëndrueshmërisë në rajon

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka zhvilloi një takim me zv.ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Dy zyrtarët vlerësuan partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, teksa në fokus të bisedës ishte edhe forcimi i mëtejshëm i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon, në kontekstin e situatës së sigurisë në Evropë.

    Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohjen ndaj Gabriel Escobar për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    “Mirënjohje për zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit Escobar për përfshirjen e tij personale dhe të SHBA në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. E sigurova atë për përkushtimin e Shqipërisë për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA dhe për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal”, shkroi Xhaçka në rrjete sociale.

  • Qeveria vendos sot për kompensimin e delegatëve të Kuvendit të Kaçanikut

    Qeveria vendos sot për kompensimin e delegatëve të Kuvendit të Kaçanikut

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati do të paraqesë sot propozimin për miratimin e vendimit për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

    Propozimi është vendosur në rendin e ditës të mbledhjes së kabinetit qeveritar të mërkurën.

    Sipas pikës 9 të rendit të ditës, qeveria pritet të miratojë sot kompensimin financiar të deputetëve të legjislaturës së viteve 90′.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, mbledhja do të fillojë në ora 11:00.

    Në rend të ditës janë 15 pika.

  • Plagosja e qytetarit serb në veri, Rohde: Një tjetër incident shqetësues sigurie

    Plagosja e qytetarit serb në veri, Rohde: Një tjetër incident shqetësues sigurie

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka reaguar pas incidentit në Veri të vendit, ku një qytetar serb mbeti i plagosur të hënën mbrëma te Ura e Bistricës në afërsi të Zveçanit.

    Rohde në rrjetin social Twitter ka shpërndarë reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke thënë se është një tjetër incident shqetësues sigurie.

    ”Jam plotësisht dakord. Një tjetër incident shqetësues sigurie. Është mirë ta shohësh atë se Policia e Kosovës ka reaguar duke hetuar gjerësisht rastin. Sjellja e mundshme e keqe nga policia duhet të shqyrtohet si çdo tjetër. Viktimës i uroj shërim të shpejtë“, ka shkruar ambasadori gjerman mbrëmë.

    Për incidentin në veri, ka reaguar edhe ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Ai thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara që fillimisht u mohua krimi, teksa kërkojnë hetim të plotë nga policia për këtë rast.

    Hovenier, mes tjerash, tha se mbështetja e Amerikës për Kosovën do të vazhdojë veçse ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi.

  • Vuçiq: Serbia nuk i ka shitur armë Ukrainës dhe Rusisë

    Vuçiq: Serbia nuk i ka shitur armë Ukrainës dhe Rusisë

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 5 mars ka deklaruar se asnjë armë, pajisje apo municion serb nuk i është shitur Rusisë apo Ukrainës dhe se ata që pretendojnë të kundërtën janë “gënjeshtarë, sinjalizues dhe duhet të kenë turp, sepse po i sjellin dëme Serbisë”.

    “Për Serbinë, në përputhje me ligjet ndërkombëtare, ekzistojnë të ashtuquajturit përdorues të lejuar dhe Serbia mund të eksportojë vetëm në vende të tilla. Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me ligjin, jemi të pastër si loti”, tha Vuçiq në Doha, ku po merr pjesë në një konferencë të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

    Në fund të shkurtit, disa media ruse njoftuan se 3.500 raketa nga fabrika serbe “Krushik” iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës, përmes Turqisë dhe Sllovakisë, ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se ky informacion shkakton “shqetësim të thellë”.

    Më herët, demanti ka ardhur nga “Krushik” dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

    Lidhur me pretendimin se armët janë eksportuar në Ukrainë nga Serbia, përmes Turqisë, Vuçiq tha se Serbia “e ka mbrojtur veten në mënyrë shtesë” duke ditur se ekziston mundësia që një pjesë e mallit të përfundojë diku tjetër.

    “Ne theksuam se është e pamundur që pa pëlqimin tonë të eksportohen municionet që i kemi dhënë Turqisë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia “nuk e ka detyruar askënd të luftojë”.

    Portali rus “Mash” njoftoi mbi dyshimet se 3.500 copë raketa “M-21 GRAD” 122 milimetra të Krushikut iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës.

    Portali publikoi dokumente, autenticitetin e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë, të cilat pretendohet se tregojnë që kompania kanadeze “JNJ Export Import” ka porositur raketa nga “Krushik”.

    Media ruse ka pohuan se arkat kanë fluturuar nga Serbia në Turqi, ku si ndërmjetës ka kryer transitin kompania turke “Arca Savunma Sanayi Ticaret”, përmes së cilës ngarkesa ka shkuar në Sllovaki, e më pas në Ukrainë.

    Kompania “Krushik” nga Valeva, në perëndim të Serbisë, më 28 shkurt ka njoftuar se nuk ka pasur shitje të raketave në këtë treg dhe as nuk ka pasur kontrata për sasitë dhe shenjat e specifikuara.

    Në deklaratë thuhet se “i gjithë ‘rasti’ mediatik bazohet në shfrytëzimin e informacioneve jo të plota dhe të pandërlidhura”, të cilat, siç thuhet, janë vendosur “në një kontekst negativ”.

    Paraprakisht, më 27 shkurt, reagoi ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili mohoi se Serbia eksporton armë në Ukrainë.

    Kjo nuk është afera e parë, në të cilën Serbia akuzohet për shitjen e armëve në luftën ruse-ukrainase.

    Më 16 korrik 2021, në veri të Greqisë u rrëzua një aeroplan ukrainas dhe u konstatua se po transportonte për në Bangladesh mina për stërvitje, të cilat kompania serbe “Valir” i bleu nga fabrika shtetërore “Krushik”.

    Në mars të vitit 2022, në portalet dhe rrjetet sociale ruse u publikua një fotografia e një ushtari të të ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut”, i cili në duar po mbante një minë të pashpërthyer.

    Në bazë të shenjave që ndodheshin në minë, Radio Evropa e Lirë konstatoi se është prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2016. Mina të tilla prodhohen nga fabrika shtetërore serbe e armëve “Krushik”. /REL