ATV

Category: LAJME

  • Politikani serb shkon te postblloku dhe provokon Njësinë Speciale në Veri të Kosovës

    Politikani serb shkon te postblloku dhe provokon Njësinë Speciale në Veri të Kosovës

    Si shkak i një incidenti të ndodhur të hënën në mbrëmje në veri të vendit, reagime të shumta pati në drejtim të Policisë së Kosovës.

    Një qytetar serb është raportuar të jetë plagosur, ndërsa më vonë është thënë se dyshohet që personi që ka plagosur atë është një zyrtar policorë i Kosovës.

    Kurse sot një politikan serb, lideri i iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe”, Aleksandër Arsenijeviq, zgjodhi që t’i provokojë zyrtarët policorë të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës të cilët gjenden në pikat kufitare në veri.

    I njëjti u afrua aty duke xhiruar, ndërsa të njëjtit i është kërkuar të largohet telefoni.

    Ndër të tjerash ai flet vazhdimisht në gjuhën serbe, derisa mohon ta kuptojë gjuhën shqipe.

    “Nuk po kuptoj”, thotë ai teksa vazhdon të flasë në gjuhën serbe.

    Ndërsa njëra prej zyrtareve policore theksoi se ai thotë se ka ardhur që të “incizojë në pikën e kontrollit”.

    Zyrtarët policorë i kanë kërkuar që ai të largohet nga aty.

    “Je i lirë me shku kah të duash, ndesh përpjet ndesh te poshtë por jo qetu. Këtu mos më pengo në punë”,dëgjohet teksa thotë zyrtari policorë në drejtim të tij.

    Arsenijeviq ka vazhduar të provokojë zyrtarët policorë duke tentuar gjithsesi të futet brenda pikës kufitare.

    Disa qindra serbë janë duke protestuar në veri të vendit. Kjo thirrje për protestë u bë me thirrje nga Marina Jovanoviq, bashkëshortja e Milan Jovanoviqit i cili është plagosur dje.

    Protestuesit kanë lëvizur në rrugën kryesore të Zveçan derisa mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Largohuni nga këtu, Evropa po gjuan kundër nesh”. “Ti nuk takon këtu” e të tjera, transmeton lajmi.net.

    Të njëjtit po shkojnë në drejtim të urës së Bitricës, ku edhe thuhet se ndodhi plagosja.

    Nga Ministria e Brendshme dje është thënë se i dyshuari nuk kishte ndaluar dhe me këtë rast është shtënë me armë zjarri ndaj tij, ndërsa janë duke u kryer të gjitha hetimet në lidhje me këtë situatë.

  • Osmani takon kryetarin e Kalabrisë së Italisë, bisedojnë për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve

    Osmani takon kryetarin e Kalabrisë së Italisë, bisedojnë për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës në Kalabri, u takua me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë.

    Presidentja theksoi se lidhjet mes vendit tonë dhe Rajonit të Kalabrisë janë të hershme dhe janë të mbështetura në trashëgiminë historike e kulturore. Komuniteti i arbëreshëve, i cili prej shekujsh jeton në disa rajone të Italisë, përfshirë Kalabrinë, përbën pjesë të rëndësishme të diversitetit etnik, gjuhësor e kulturor të Italisë dhe pjesë të rëndësishme të saj.

    Presidentja theksoi se kujdesi ndaj të drejtave të bashkësive etnike kontribuon në mënyrë aktive edhe në zhvillimin ekonomik të Italisë. Ajo e falënderoi kryetarin Occhiuto për kujdesin ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar të arbëreshëve dhe theksoi se integrimi i plotë dhe kontributi i tyre në jetën socio-ekonomike, u japin marrëdhënieve një dimension tjetër dhe të veçantë. Ajo shpalosi shembullin e Kosovës për mbrojtjen e pakicave dhe theksoi se sa më shumë që përkrahet komuniteti arbëresh në ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor, aq më shumë do të kontribuojë ky komunitet edhe në zhvillimet e raporteve ndërmjet Italisë dhe hapësirave shqiptare.

    “Jemi të bindur se mund të ndiqen politika aktive për respektimin e gjuhëve të pakicave, për të mbrojtur dhe përmirësuar gjuhën dhe trashëgimin kulturore të pakicave gjuhësore dhe historike të Kalabrisë, përfshirë bashkësinë arbëreshe. Përmirësimi i mëtejmë i politikave për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e të traditave është e ndërlidhur me politikat e shkollimit në gjuhën e pakicave”, tha Presidentja Osmani.

    Presidentja theksoi se në Rajonin e Kalabrisë është kultivuar tradicionalisht një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, përfshirë atë letrare, që gjendet në dokumente e revista shumë të rëndësishme për popullin shqiptar, të cilat duhen ruajtur dhe digjitalizuar, në mënyrë që të shpërndahen më lehtë tek të rinjtë dhe brezat e ardhshëm.

    Presidentja dhe kryetari Occhiuto diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Italisë, përfshirë rajonin e Kalabrisë. Presidentja i ftoi ndërmarrjet, bizneset dhe investitorët italianë që të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit.

    “Ne duhet t’i afrojmë edhe më tej operatorët tanë ekonomikë e turistikë, në mënyrë që të krijohen itinerare të përbashkëta turistike nga Kalabria për në Kosovë dhe anasjelltas”, tha Presidentja Osmani. Hapja e linjave të drejtpërdrejta të fluturimit mes aeroporteve tona e ndihmon turizmin e ndërsjellë dhe thellimit të lidhjeve me Kalabrinë dhe qytetarët e rajonit.

    Po ashtu, në takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në bujqësi, duke qenë se të dyja vendet kanë potencial të madh zhvillimi në këtë fushë.

    Presidentja Osmani dhe kryetari Okiuto diskutuan edhe për përafrimin e mëtejmë i të të rinjve me kulturën e njëri-tjetrit dhe rritjen e komunikimit ndërmjet dy vendeve tona, sidomos të të rinjve tanë.

    “Intensifikimi i bashkëpunimit të të rinjve tanë mund të arrihet më së miri nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve akademike, bursave të studimit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar”, tha Presidentja Osmani.

  • Totaj bën homazhe në Lubizhdë të Hasit

    Totaj bën homazhe në Lubizhdë të Hasit

    Kryetari Shaqir Totaj, së bashku me familjarët e dëshmorëve e të martirëve dhe me zyrtarë të ekzekutivit, bënë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Lubizhdë të Hasit dhe kujtuan ngjarjen e 12 prillit 1999 që është ndër më të dhimbshmet të historisë sonë.

    “Falë sakrificës së popullit e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e gëzojmë sot lirinë dhe shtetin sovran. Lavdi dëshmorëve, martirëve dhe heronjve të gjallë!” – u shpreh Totaj.

  • Disa qytetarë në veri të Mitrovicës protestojnë kundër Policisë së Kosovës

    Disa qytetarë në veri të Mitrovicës protestojnë kundër Policisë së Kosovës

    Disa qytetarë nga Zveçani dhe Mitrovica e Veriut e nisën një marsh të thirrur nga Marina Jovanoviq, bashkëshortja e Millanit që u qëllua me armë zjarri nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

    Ata ecën përgjatë rrugës kryesore Zveçan-Rashkë dhe mbajtën pankarta ku shkruhej “Largohu nga këtu”, “Evropa po gjuan kundër nesh”, e të tjera.

    Protestuesit po lëvizin drejt urës së Bristricës ku mbeti i plagosur qytetari Millan Jovanoviq, raporton Kosovo-Online.

  • Për herë të parë hapet dyqani GANT në Albi Mall

    Për herë të parë hapet dyqani GANT në Albi Mall

    Brendi i njohur botëror që u krijua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, GANT, po hap dyqanin e parë në Albi Mall.

    I njohur për stilet moderne dhe shumë trendi, Gant është i pranishëm në 70 tregje botërore, në më shumë se 4000 lokale duke u bërë kështu një nga brendet me ndikimin më masiv në tregun e veshjeve.

    Me më shumë se 70 vjet histori në industrinë e modës, Gant është lider për veshje kualitative për grupmosha të ndryshme, që tashmë ka arritur ambicien e shndërrimit në brend të vërtetë të stilit të jetesës.

    Të premten, më 14 Prill, nga ora 20:30, Gant hap dyqanin mbresëlënës dhe ekskluziv në Albi Mall për të gjithë adhuruesit e modës.

    Ju presim në hapjen e madhe!

  • PSD-ja kundërshton gjobën nga AIP, e quan institucion të kapur nga VV-ja

    PSD-ja kundërshton gjobën nga AIP, e quan institucion të kapur nga VV-ja

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik para Agjencionit për Informim dhe Privatësi. Arsye e këtij aksioni, ishte gjoba prej 20 mijë eurosh dhënë nga ky institucion ndaj PSD-së, raporton Ekonomia Online.

    Dënimi prej 20 mijë euro ka qenë për shkak të publikimit të peticionit me emra kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë për gazetarëve se gjoba ka marrë edhe nga Policia e Kosovës.

    Molliqaj ka thënë se Komisionerja Krenare Sogojeva-Dermaku është militante e VV-së.

    “Arsyeja e këtij aktiviteti është një gjobë prej 20 mijë eurove që Agjencioni për Privatësi ka shqiptuar ndaj Partisë Socialdemokrate. Më lejoni t’i them disa gjëra; kapja e institucioneve  të pavarura tashmë është shndërruar në instrumente vepruese. Ky institucion siç mund ta dini drejtoresha e këtij institucioni është një militante politike e Vetëvendosjes, e cila është emëruar nga kjo Qeveri”, u shpreh Molliqaj.

    Fajtor për këtë gjobë, Molliqaj e ka bërë ministrin e Financave, Hekuran Murati.

    “Tani këta nën presionin e Qeverisë të Republikës së Kosovës, informata të sigurta të brendshme 100 për qind, një prej emrave që ka bërë presion është ministri Murati, Hekuran Murati e ka nxitur këtë Agjencion që të marrë vendim të jashtëligjshëm, për ta penguar veprimtarinë e Partisë Socialdemokrate. Duke parë që arrestimet, dënimet individuale nuk mund të ndalin, kanë filluar që të japin gjoba marramendëse nën pretendimin për shkelje të privatësisë”.

    Molliqaj ka ankesa edhe sa i përket procedurave që janë marrë me këtë rast. Ai u shpreh se ky institucion nuk i ka lënë hapësirë as për ankesë, duke e dërguar menjëherë lëndën tek përmbaruesi.

    “Nuk na kanë lënë të drejtë për ankesë, e kanë çuar që pas 30 ditësh përmbaruesi me marrë fondet nga Partia Socialdemokrate. Duke qenë të vetëdijshëm që partia jonë nuk ka të hyra nga institucionet e shtetit dhe mbijeton me shuma shumë modeste, ata kanë tentuar të na bëjnë dëm. Sigurisht që ne do ta çojmë në Gjykatë Civile këtë çështje dhe do të kërkojmë masë për parandalimin e saj, por ajo që dihet qartë është që ka vendim selektiv, për të njëjtin material, nga e njëjta parti, nga i njëjti institucion, nga i njëjti drejtim, kanë marrë vendime të ndryshme. Tashmë kemi informatë që edhe për protestën e fundit që patëm kundër ‘Zajednicës’, Policia e Kosovës ka shqiptuar një dënim për partinë politike. Neve Policia e Kosovës na dënon individualisht për përfshirje në aktivitete politike, ku sipas tyre pretendohet që kemi shkelur ligjin qoftë për kundërvajtje ose diçka tjetër”, u shpreh tutje Molliqaj.

  • BE: Do të monitorohet qartë niveli i zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

    BE: Do të monitorohet qartë niveli i zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

    Bashkimi Evropian është duke insistuar që Kosova dhe Serbia e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

    “Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“ ka thënë ai.

    Sipas tij, zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare.

    Mes tjerash, Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

    Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve më 27 shkurt dhe për planin e zbatimit më 18 mars.

    Ndonëse ato nuk i kanë nënshkruar dokumentet, BE-ja ka thënë se marrëveshjet janë ligjërisht obliguese.

    Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

  • Meta takohet me Escobarin: Angazhimi i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi garanton përfundim të suksesshëm

    Meta takohet me Escobarin: Angazhimi i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi garanton përfundim të suksesshëm

    Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është takuar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Me të tha se pati komunikim të hapur.

    Mdër tjerash, Meta dhe Escobar kanë folur edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Vlerësova se angazhimi i SHBA-së në procesin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garanton përfundimin e suksesshëm të dialogut mes dy vendeve”, shkroi Meta në Twitter.

    Për Shqipërinë, kryetari i Partisë së Lirisë tha se “aleanca me SHBA-në është thelbësore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit”.

    “Falënderova zotin Escobar për mbështetjen e projektit të bazës së NATO-s në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse lidhur me sigurinë kibernetike”, shkroi ndër tjerash Meta.

  • Ministrja Hajdari: Çmimet e naftës po ulen, pritet të ketë zbritje edhe te produktet bazë

    Ministrja Hajdari: Çmimet e naftës po ulen, pritet të ketë zbritje edhe te produktet bazë

    Ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se pas uljes së çmimit të naftës do të ketë edhe zbritje të çmimeve të produkteve bazë.

    Ajo në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë ka kërkuar që sa më shpejtë të miratohen Ligjin për investimet të qëndrueshme dhe Ligjin për parqet industriale.

    “Ligjin për investimet të qëndrueshme dhe Ligjin për parqet industriale, sa më shpjet që të votohen këto ligje do të kenë ndikime. Çmimet në treg janë breng për qytetarët, dua të ndaj një lajm të mirë me ju se çmimet e naftës janë në ulje e sipër dhe pres që të tjerat çmime dhe të produkteve bazë të ulen”, tha ajo.

    Ministrja Rozeta Hajdari, tha se janë njoftuar që për Kompaninë “Vita”, është bllokuar eksporti në Bosnje e Hercegovinë me anë të barrierave jo-tarifore.

    Sipas saj, më këtë çështje është duke u marr Agjencia e Ushqimit.

    “Po jemi njoftuar jemi nga Oda e Afarizmit, jemi kontakt me Agjencinë e Ushqimit e cila është ne kontakt me autoritete e Bosnjës dhe presim sa më shpejt të kthehet përgjigjja. Nuk është e drejte ajo që është duke i ndodhur kompanisë, por ka edhe shumë kompani të tjera që po sfidohen por ne po i adresojmë përmes institucioneve përgjegjëse”, tha ajo.

  • Haxhiu: Besojmë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, 18 milionë € janë paguar për ekipet mbrojtëse

    Haxhiu: Besojmë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, 18 milionë € janë paguar për ekipet mbrojtëse

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se si institucione besojnë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Sipas saj, deri tani qeveria e Kosovës ka paguar rreth 18 milionë euro për ekipet mbrojtëse.

    “Sa i përket Gjykatës Speciale besoj që të gjithë e dini qëndrimin tonë e dini. Edhe aso kohe kemi kërkuar që të fuqizohen institucionet e drejtësisë. Argumentet tona nuk janë marr parasysh, i kemi dërguar deri në Gjykatën Kushtetuese siç e dini, por nuk kemi arritur që t’i largojmë”.

    “Sikur të kishte përpjekje që të fuqizoheshin institucionet do të ishim në një situatë të re. Tani që gjykimi ka nisur, institucionet duhet që të jenë të të kujdesshme nga deklarimet tona, kjo është sepse po e shohim atë që po e bëjnë televizionet tona pasi ka filluar gjykimi”.

    “Ne besojmë në pafajësinë e tyre dhe shpresojmë që sa më parë ata të kthehen. Lufta jonë ka qenë e drejtë për çlirim. Deri tani janë 18 milionë euro që Qeveria e Kosovës ka dhënë për mbrojtjen e tyre”, tha ajo.