ATV

Category: LAJME

  • ​“Tash do ta bëjmë operacion në fyt”, rrëfen e moshuara nga Izbica për vrasjen e burrit të saj

    ​“Tash do ta bëjmë operacion në fyt”, rrëfen e moshuara nga Izbica për vrasjen e burrit të saj

    “Tash do ta bëjmë operacion në fyt”, kështu rrëfen nënë Eminja e cila kujton mirë ditën e ftohtë të 28 marsit, kur pa për herë të fundit bashkëshortin e saj.

    E moshuara nga Izbica tregon për rezistencën para ushtrisë e policisë serbe që bashkëshorti i saj mos të ndahet nga kolona. Ajo po jeton me pamjet e tmerrshme dhe zërat që i përsëriten në kokë të kërcitjeve të armëve që nuk u ndalën për më shumë se 20 minuta.

    Për rreth 12 muaj, Emine Dajaku bashkë me fëmijët po strehoheshin kudo, pas djegies së shtëpisë. Ajo tregon për KosovaPress se si në Izbicë ranë në tytat e armikut, ku vet u plagos e burrin ia vranë.

    “Burri mu ka vra këtu në Izbicë, në opqinë jena ardh, se në ’98 na janë djegur shtëpia, tani një vit nëpër dynja duke ndejt. Burri tha duam të shkojmë në Izbicë, jena ardh. Burri ka qenë ulur në traktor na ka sjell mua, fëmijët e djalit, renë, fëmijët e mi, tha shkau shqip foli ‘qu shqiptare, çfarë po pret’. Jam quar unë, i thash çfarë të kesh punë me burrë unë jepi përgjegjësi se është i bërë operacion në kry. Tha ‘tash do ta bëjmë operacion në fyt’. Kom piskat ‘kuku’, e kam kap burrin për krahu, ma ka kërsit një shkelëm në shpinë, më ka hedhur fluturim në lloq (baltë), më ka humb vetëdija, kur u qova, piskatën rejat, çikat, u qova. Burri nuk është. Nuk ka shkuar dy minuta, kanë kërsit pushkët ‘grrr’, 20 minuta edhe më shumë pa ndalë”, rrëfen ajo për KosovaPress.

    Ajo thotë se nga ajo ditë nuk e ka parë më të gjallë bashkëshortin, e bashkë me fëmijë janë nisur për Shqipëri. Gruaja e të vrarit rrëfen se policia serbe kishte hedhur tri granate në drejtim të kolonës.

    “Unë jam plagosur, çika jem edhe djali i djalit. Edhe unë jam mbetur aty, çika 10 vjet më është ndarë e plaguar. Neve na kanë dërguar për Shqipëri, tri ditë e tri net duke piskatur fëmija pa hëngër e pa pi, fëmijët në shpinë deri në Shqipëri. Pak pa shkuar në Shqipëri, djali i djalit dy vjeç e kam kapur prej qafës, thash ta shoh a është i gjallë apo i vdekur, ish ngri”, shton ajo mes emocioneve.

    Një grusht eshtra, siç tregon ajo, gjetën nga trupi i bashkëshortit, pesë vjet pas përfundimit të luftës.

    “Nuk e kemi ditë, pesë vjet nuk e kanë gjet kufomën, duke i kërkuar. Derisa është shkuar djali i vogël në Prizren, dy herë kam shkuar edhe unë në Prizren me kërkua në bazë të rrobave, por pesë vjet. Deri në vitin 2005 i kemi gjetur një grusht eshtra”, përfundon Dajaku.

    Nënë Eminja lutet edhe për ish-luftëtarët e UÇK-së, që tash e tri vjet po mbahen në Hagë. Për të njëjtit thotë se po gjykohen padrejtësisht dhe se të njëjtit dikur i mbronin popullatën civile. /kp

  • Hoxha: Marshi s’është politik por mbështetje për krerët në Hagë, vendimet mund ta prekin të ardhmen e Kosovës

    Hoxha: Marshi s’është politik por mbështetje për krerët në Hagë, vendimet mund ta prekin të ardhmen e Kosovës

    Gjatë fundjavës në Prishtinë do të mbahet marshi për drejtësi në mbështetje të ish- krerëve të UÇK-së që janë duke u gjykuar në Hagë, organizuar nga platforma “Liria ka emër”. Në lidhje më këtë, ideatorja e kësaj platformë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se përgatitjet për këtë marsh kanë filluar dhe se ftesa për pjesëmarrje është e hapur për të gjithë.

    Sipas saj ky marsh është pa ngjyrime politike, shoqërore apo religjioze dhe se ky do të jetë vetëm një marsh solidarizimi e mbështetje për ata që janë në Hagë dhe se pjesëmarrja e gjithsecilit është e domosdoshme pasi sipas saj vendimet që do të merren në Hagë mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës.

    Hoxha ka thënë se janë duke u marr me përgatitje dhe se i falënderon të gjithë përkrahësit që janë duke mundësuar që ky marsh të jetë me i lehtë për t’u organizuar.

    “Përgatitej veç ka nisur, këtë fillim jave jemi duke diskutuar se si ato do të distribuohen në nivel lokal sepse megjithatë ka plotë kategori shoqërore që shprehin dëshirën me ardhë por normalisht nuk kanë mundësi ose financiare ose të transportit me ardhë. Kjo është një pjesë e punës me të cilën është duke punuara një pjesë e ekipit. Në anën tjetër një falënderim special për gjithë përkrahësit qofshin edhe bizneset që në forma të ndryshme, për shembull dikush me ofrimin e shërbimeve të transportit, ose shërbimeve të tjera kanë mundësuar që ky marsh të jetë me i lehtë për tu organizuar”, tha ajo.

    Ajo tha se nuk i kanë dërguar ftesa zyrtare partive tjera politike që të marrin pjesë, pasi sipas saj ftesa ka qenë e hapur, por nëse do të duhet ajo tha se do të dërgojnë edhe shkresa zyrtare që ti ftojnë partit politike që të marrin pjesë.

    Hoxhaj theksoi se marshi nuk është politik, por është demonstrim i solidarizimi dhe mbështetjes për ata që janë në Hagë, pasi sipas saj vendimet që do të merren atje mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës dhe të ardhme e atyre që do të lindin në një kohë tjetër.

    “E treta që është po aq me rëndësi është që ne ftes zyrtare ose takim zyrtar me partitë politike nuk kemi pasur, ka qenë ftesë e hapur për të gjithë akterët dhe deri tani, është bashkangjitur edhe Partia Lëvizja për Bashkim. Dhe nëse këto ditë nuk ndodh unë besoj që do ta dërgojmë një shkresë formale, me qenë se nuk do të ishte dashur që të presim nga partitë politike, sidomos këto që janë pjesë e pushtetit dhe vendimmarrjes që të jenë pjesë e një marrshi të tillë. Sepse marshi nuk është politik, është demonstrim i solidarizimi dhe mbështetjes për ata që janë në Hagë, atje ku në fund fare nuk diskutohet vetëm e kaluara por vendimet që do të merren mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës por edhe atyre që do të lindin në një kohë tjetër”.

    “Mendoj pa ngjyrim partie, pa ngjyrim shoqëror dhe pa ngjyrim religjioz nuk ishte dashur që sot me mëndu se a duhet që të jemi pjesë e marshit apo jo. Atë ditë nuk do të demonstrojmë kundër as kujt, atë ditë do të marshojmë për të thirrur për një proces të drejt dhe fer, kjo është ajo ombrella që do të ishte dashur ti për bashkojë të gjithë pa dallim partie, ngjyre përcaktimi, përkatësie ose ideologjie. Kjo është ftesa jonë dhe ftesa është e hapur është publike për të gjithë akterët. Nismës i janë bashkuar tekë platforma “Liria ka Emër” plotë akterë, edhe të skenës kulturore edhe të skenës biznesore edhe të spektrit politik. Nëse është e domosdoshme që të ju dërgojmë një ftesë zyrtare edhe partive të tjera edhe atë besoj që do ta bëjmë”, tha ajo.

    Ajo tha se me këtë marsh nuk e kanë për qellim që të ndikojnë në proces por që me këtë do të tregojnë një dashamirësi dhe një mbështetje morale për krerët që janë duke u gjykuar në Hagë.

    “Unë nuk jam dikush që mund të kalkuloj, sepse ndonjëherë përkrahja që e marrim në media ose në media sociale mundet mos me u përputh më prezencën fizike, por që unë e shohë si një moment kyç atë ditë ne nuk do të mund as ta ndikojmë procesin, as nuk dëshirojmë që ta ndikojmë procesin, atë ditë mundemi vetëm me tregu një dashamirësi dhe një mbështetje morale për ata që janë atje që nuk i ka harruar Kosova, që Kosova i mbështet në krejt sfidën që po i kalojnë dhe nëse koritemi, koritemi ne me vetën dhe koritemi me Kosovën edhe me ata atje”, tha ajo për EO.

    Marshi do të mbahet të dielën, më 2 prill, në Prishtinë në ora 14:00 . Marshi do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

  • Granit Xhaka shkëlqen në Serbi, Zvicra e mposhti Bjellorusinë 5:0

    Granit Xhaka shkëlqen në Serbi, Zvicra e mposhti Bjellorusinë 5:0

    Zvicra e ka nisur me fitore ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

    Të përzgjedhurit e Murat Yakin shënuan fitore ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e parë të tyre në Grupin I, shkruan Express.

    Kjo ndeshje u zhvillua në stadiumin “Karadorde” të Novi Sadit, teksa u mbyll me rezultatin 0:5.

    Granit Xhaka ishte i vetmi shqiptar që u paraqit sonte, pasi Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri mungojnë shkaku i lëndimeve.

    Mesfushori i Arsenalit la gjurmë në këtë ndeshje me një gol dhe asistim. Ai shënoi gol të bukur në minutën e 62-të, teksa asistoi pas tre minutave te goli i Zeki Amdouni.

    Kapiteni i “Helvetikëve” në këtë ndeshje luajti për 66 minuta.

    Tre golat tjerë u shënuan nga Renato Steffen, në minutat 4’, 17’ dhe 29’.

    Zvicra tani me tre pikë prin në grup, teksa ndeshjen e radhës e luan kundër Izraelit, më 28 mars.

  • Haxhiu për rastet e dhunës në familje: Së shpejti parashihen dënime plotësuese për dhunuesit

    Haxhiu për rastet e dhunës në familje: Së shpejti parashihen dënime plotësuese për dhunuesit

    Rastet e dhunës në familje, konkretisht ndaj grave në Kosovë, viteve të fundit kanë shënuar rritje. Në periudhën janar – nëntor të vitit 2022, sipas statistikave të Policisë së Kosovës janë raportuar 2471 raste të dhunës në familje.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të premten ishte e ftuar në emisionin “LIBERO”, ku tha se është shqetësuese rritja e numrit të dhunës ndaj grave dhe vrasjeve të tyre, për të cilën gjë tha se janë duke punuar që të ketë dënime plotësuese për dhunuesit.

    “…Është hera e parë që një qeveri e ka vendosur si prioritet adresimin e dhunës në familje… Të kthehemi pas dhe të kujtojmë se a ka pasur ndonjë ministër që ka folur më shumë për dhunën në familje, madje unë mendoj se asnjëherë nuk kanë folur, sepse kishte një përpjekje që të mos flitet për këtë për shkak të mentalitetit patriarkal, sepse e kanë konsideruar dhunën në familje si çështje private që ndodhë në mes të bashkëshortëve…”, deklaroi Haxhiu.

    Për ta ndryshuar këtë mentalitet, ajo konsideron se duhet një bashkëpunim shumë i madh institucional dhe shoqëror dhe bashkim forcash për të fituar betejën me femicidin.

    Haxhiu konsideron se nuk mund ta zhdukim dhunën, por qëllimi i saj gjatë mandatit është që ta minimizojë këtë dukuri.

    “…Çdo ditë e imja në mandatin e ministres do të jetë në shërbim të adresimit të këtij fenomeni dhe në shërbim të drejtësisë po ashtu, sepse ne hartojmë shumë politika që kanë të bëjnë me adresimin e dhunës në familje, madje së fundi kemi dërguar  në Kuvendin e Kosovës disa ndryshime edhe në kodin penal, ku parashihen dënime plotësuese për ata që ushtrojnë dhunë fizike edhe seksuale…”, theksoi ajo.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Albulena Haxhiut, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ministrja Haxhiu inkurajon opozitën që të hedhin gaz lotsjellës nëse bëhet Asociacioni një etnik

    Ministrja Haxhiu inkurajon opozitën që të hedhin gaz lotsjellës nëse bëhet Asociacioni një etnik

    Derisa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, si masë kundërshtimi ndaj ngjarjeve të ndryshme që ndodhnin në vend, kanë përdorur edhe të tjera forma, krahas fjalimeve, njëra nga to ishte (edhe) hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend.

    Në një intervistë ekskluzive për emisionin “LIBERO”, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, periudhën e gazit lotsjellës në Kuvend e cilësoi si një nga momentet më të vështira në politikë.

    “…Edhe unë sikurse deputetet e tjera gra, kemi qenë pjesë e aksioneve në Kuvendin e Kosovës sepse besonim se sikurse burrat deputetë ashtu edhe gratë deputete duhet të jemi bashkë në një qëllim të caktuar – qëllimi ishte që t’i ndalnim dy marrëveshje (sot e kësaj dite diskutohet për njërën). Unë jam e bindur se po të mos ishin ato metoda që i kemi përdorur, sot do t’i vuanim pasojat e Zajednicës… Konsideroj se ka qenë një prej periudhave të mia më të vështira…”, deklaroi Haxhiu.

    Ajo befasoi derisa tha se e inkurajon opozitën që t’i përdorin të njëjtat metoda sikurse ata.

    “…I inkurajoj ata se në qoftë se kanë një Qeveri (Qeverinë tonë), e cila përpiqet që të themelojë një Zajednicë me kompetenca ekzekutive, një Zajednicë etnike (apo siç e përmendi Kryeministri, mono etnike), atëherë le ta bëjnë këtë… Mund edhe t’iu tregojmë mënyra se si e kemi gjetur gazin lotsjellës (sepse ka qenë sekret)… E kanë të gatshëm modelin…”, theksoi ajo.

    Kujtojmë se më 19 prill 2013, u nënshkrua marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, që parashihte themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e që më vonë u quajt “Zajednicë”.

    Që nga ajo kohë e deri më sot, kjo temë vazhdon të diskutohet në vazhdimësi, duke i bërë partitë politike të kenë përplasje të vazhdueshme njëra me tjetrën.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Albulena Haxhiut, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kolegji AAB, lider i arsimit privat në Kosovë dhe rajon

    Kolegji AAB, lider i arsimit privat në Kosovë dhe rajon

    Kolegji AAB, i themeluar në vitin 2000 në Prishtinë, është institucioni i parë jopublik i arsimit të lartë në Kosovë. Gjatë dy dekadave të ekzistencës së tij, Kolegji AAB ka shënuar një rritje të konsiderueshme dhe ka fituar respektin e komunitetit akademik dhe shoqëror, duke luajtur një rol kyç në zhvillimin e arsimit të lartë dhe promovimin e përparimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, veçanërisht pas periudhës së pasluftës.

    Oferta Akademike dhe Standardet e Cilësisë

    Kolegji AAB ofron një gamë të gjerë programesh studimi në fusha të ndryshme akademike, përfshirë shkencat sociale, ekonominë, gjuhët e huaja, drejtësinë, teknologjinë e informacionit, inxhinierinë, shkencat mjekësore, artin dhe komunikimin masiv. Me synimin për t’u ofruar mundësi për zhvillim akademik dhe praktik, Kolegji përgatit studentë nga profile të ndryshme dhe ndihmon në krijimin e një baze të fortë edukative që është në përputhje me standardet ndërkombëtare.

    Kurrikulat janë të dizajnuara sipas kornizës së Procesit të Bolonjës, duke garantuar përputhshmëri me standardet evropiane dhe mundësi lëvizjeje për studentët brenda dhe jashtë Kosovës. Metodat moderne të mësimdhënies, siç janë ligjëratat interaktive, raste studimi si dhe përdorimi i teknologjisë, janë krijuar për t’i përgatitur studentët për tregun global të punës.

    Infrastruktura dhe Mjedisi Akademik

    Kolegji AAB ka investuar në një kampus modern në Prishtinë, i cili ofron një ambient të pasur për zhvillimin akademik dhe social të studentëve. Kampusi përfshin gjashtë objekte të pajisura me teknologji bashkëkohore, laboratorë, biblioteka të pasura dhe hapësira për aktivitete shkencore dhe jashtëkurrikulare. Infrastruktura sportive përfshin pishina, fusha për futboll, volejboll dhe tenis, si dhe një palestër për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe sociale.

    Kërkimi Shkencor dhe Inovacioni: Prioritet i Kolegjit AAB

    Kolegji AAB ka një fokus të veçantë në forcimin e kërkimit shkencor, duke siguruar mbështetje institucionale për projekte kërkimore dhe duke inkurajuar zhvillimin e kërkimeve ndërdisiplinore. Përmes një zyre të posaçme për kërkim dhe partneriteteve me institucione akademike dhe kërkimore ndërkombëtare, Kolegji AAB është pjesëmarrës aktiv në programe evropiane si Erasmus+ dhe Horizon Europe.

    Bashkëpunimi Ndërkombëtar

    Kolegji AAB është anëtar i organizatave ndërkombëtare të arsimit të lartë, duke përfshirë European University Association (EUA), dhe ka krijuar marrëdhënie të ngushta me universitete të tjera evropiane përmes programeve të shkëmbimit dhe bashkëpunimit. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kolegji bashkëpunon me institucione akademike dhe agjenci akreditimi si Agjencia Kosovare e Akreditimit (KAA) për të kontribuar në përmirësimin dhe reformimin e arsimit të lartë.

    Organizimi dhe Menaxhimi i Institucionit

    Kolegji AAB udhëhiqet nga një Këshill Drejtues që siguron mbikëqyrje strategjike dhe respekton politikat ligjore dhe financiare. Menaxhimi i përditshëm kryhet nga Rektori, i cili ndihmohet nga Prorektorët përgjegjës për çështjet akademike, bashkëpunimin ndërkombëtar, kërkimin shkencor dhe financat. Fakultetet, të drejtuara nga dekanët, menaxhojnë zhvillimin akademik dhe cilësinë e programeve.

    Jeta studentore dhe Shërbimet për Mbështetje Akademike

    Kolegji AAB ofron një ambient të pasur jashtëkurrikular, duke përfshirë klube studentore, evente kulturore dhe mundësi për aktivitete sportive dhe vullnetarizëm. Unioni Studentor, një organ i zgjedhur nga vetë studentët, përfaqëson interesat e studentëve dhe ndihmon në zhvillimin e jetës akademike dhe sociale. Qendra për karrierë asiston studentët në lidhjen me mundësi punësimi, praktika dhe trajnime profesionale.

    Procesi i Pranimit dhe Mësimdhënia

    Kolegji AAB ka një proces pranimi transparent, që siguron kushte të barabarta për të gjithë kandidatët. Mësimdhënia është e orientuar nga praktikat dhe kërkesat aktuale të tregut global, duke përfshirë kombinimin e teorisë me praktikën dhe përdorimin e metodave të avancuara arsimore. Profesorët janë profesionistë të kualifikuar dhe me përvojë të gjerë profesionale.

    Ceremonitë, Publikimet dhe Çmimet Akademike

    Ceremonitë e diplomimit organizohen çdo vit, duke përshëndetur arritjet e studentëve dhe promovuar angazhimin e tyre në procesin akademik. Kolegji AAB boton revistën shkencore dy-javore THESIS, që ndihmon në promovimin e kërkimit shkencor dhe publikimeve të studimeve të ndryshme. Po ashtu, organizohen çmime për arritjet akademike dhe kontributet e stafit dhe studentëve në zhvillimin e institucioneve dhe mjedisit akademik.

    Reputacioni dhe Ndikimi Rajonal

    Kolegji AAB është njohur si një nga institucionet më të respektuara dhe të rëndësishme në arsimin privat në Kosovë dhe rajon. Vlerësimet ndërkombëtare dhe bashkëpunimet e shumta me universitete dhe institucione të tjera të arsimit të lartë kanë konsoliduar statusin e Kolegjit AAB si një aktor kyç në avancimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në nivel rajonal.

    Rrjeti i Alumni dhe Angazhimi Profesional

    Kolegji AAB ka një rrjet të fuqishëm alumni, që përfshin profesionistë të suksesshëm në fusha të ndryshme si administrata publike, gjyqësia, ekonomia, teknologjia dhe shëndetësia. Ky rrjet është një dëshmi e suksesit të institucioneve dhe përpjekjeve për të ofruar arsim cilësor dhe mundësi zhvillimi të mëtejshëm për studentët dhe të diplomuarit.

    Kolegji AAB vazhdon të mbetet një lider në fushën e arsimit të lartë, duke e ndihmuar Kosovën dhe rajonin të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të avancuar.