ATV

Category: LAJME

  • Real Madridi shënon fitore në Bernabeu

    Real Madridi shënon fitore në Bernabeu

    Real Madridi e ka fituar përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur Chelsean në “Santiago Bernabeu” me rezultat 2-0.

    Nga një gol në secilën pjesë i mjaftuan skuadrës së Carlo Ancelotti për ta bërë një hap të madh drejt gjysmëfinales së këtij kompeticioni.

    Golin e parë e realizoi sulmuesi francez Karim Benzema në minutën e 22-të, për të shkuar në pushim me qetësi më të madhe.

    Pjesa e dytë nisi edhe më keq për Chelsean që mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi në minutën e 59’ me karton të kuq u përjashtua Ben Chilwell.

    Epërsinë numerike vendasit e shfrytëzuan mjaftë mirë duke realizuar edhe golin e dytë përmes Marco Asension në minutën e 74’.

    Ndeshja e kthimit zhvillohet javën e ardhshme në “Stamford Bridge”.

  • Hamdi: Ky vit është zgjedhor

    Hamdi: Ky vit është zgjedhor

    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, ka thënë se ky vit do të jetë vit zgjedhor në Kosovë.

    Pasi asnjë Qeveri nuk ka arritur ta përfundojë mandatin katër vjeçar, e njëjta sipas tij, do të ndodh edhe me Qeverinë Kurti.

    “Asnjë Qeveri nuk ka arritur ta kryejë mandatin katër vjeçar. Edhe kjo Qevera Kurti, besoj se po hyjmë në vitin e tretë dhe sipas mendimit tim, do të jetë vit zgjedhor”, tha Hamidi.

    Sipas tij, me ligjin e ri për zgjedhjet, mërgata do të përballet me probleme që të votojë për zgjedhjet që do të mbahen në Kosove.

    “E lexova projektligjin që e siguroi ATV dhe u konsultova edhe me ekspertë zgjedhor, por po ndalem te kjo pjesa e mërgatës. Kryeministri Kurti ka thënë se projektligjin e parë që do ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës do të jetë pikërisht ky ligj. Por, ky ligj nuk do t’i garantojë gjithë diasporës që do të votojnë në ambasada dhe konsullata. Vetëm një pjesë e vogël e tyre, një numër i caktuar do të mund të votojnë”, tha Hamidi. /atvlive.tv

  • Tre sulmuesit e Valon Sylës u identifikuan nga Drejtoria e Terrorizmit, Prokuroria Speciale i ngarkon me këtë vepër penale

    Tre sulmuesit e Valon Sylës u identifikuan nga Drejtoria e Terrorizmit, Prokuroria Speciale i ngarkon me këtë vepër penale

    Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë dalë me komunikatë të përbashkët lidhur me rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla. Aty bëhet e ditur se ndaj tri personave që janë të dyshuar për sulmin, rëndohet akuza e kryerjes së veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” si dhe ceket fakti se rasti po hetohet nga Drejtoria Kundër Terrorizmit.

    Kjo është komunikata e përbashkët:

    KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA PROKURORIA SPECIALE DHE POLICIA E KOSOVËS

    Arrestohen tre persona të dyshuar për sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla

    Prishtinë, 12 prill 2023 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona të cilët kanë sulmuar gazetarin, Valon Syla.

    Prokuroria Speciale njofton se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre (3) të dyshuarit, për rastin e sulmit fizik të datës 11.04.2023, ndaj gazetarit Valon Syla, arrestimi i të cilëve është realizuar sot me datë 12.04.2023.

    Të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.

    Tre të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje, si dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

  • Arrestohen tre personat që sulmuan Valon Sylën

    Arrestohen tre personat që sulmuan Valon Sylën

    Ministri i brendshëm i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se tre të dyshuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit dhe analistit Valon Syla, janë arrestuar sot.

    Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës, siç ka shkruar ai për profesionalizimin garanton siguri për të gjithë.

    “Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”, ka shkruar Sveçla.

    Syla është sulmuar dje pas emisionit Pressing, ku është analist i përhershëm. Si pasojë e sulmit, ai ka pësuar lëndime në kokë, të cilat i ka trajtuar në QKUK gjatë natës së mbrëmshme.

  • Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet edhe nesër

    Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet edhe nesër

    Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dëgjohet edhe të enjten në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Të martën dhe të mërkurën ajo ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe intervistimi i saj është bërë tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.

    Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së, dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Përveç Thaçit, në gjykatore në Hagë janë parë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët kanë marrë pjesë fizikisht në procesin gjyqësor ndaj tyre.

    Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • ‘Serbët jolojalë’ mbesin pa paga nga Serbia

    ‘Serbët jolojalë’ mbesin pa paga nga Serbia

    Pesë muaj pasi kanë dorëzuar dorëheqjet në institucionet e Kosovës në veri të vendit, kjo nuk është dëshmuar si zgjidhje e mirë për disa qytetarët nga komuniteti serb. Ata pretendojnë se Lista Serbe, e cila kërkonte dorëheqjen e tyre dhe u ofronte zgjidhje të përkohshme, tani po i sanksionon dhe shantazhon nëse nuk e përkrahin politikën e kësaj partie të afërt me Beogradin.

    “Dorëheqjet që dhamë nuk rezultuan për të mirë”.

    Me këto fjalë, Millosh Delliq nga Leposaviqi, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, shpjegon situatën në të cilën gjendet dhe faktin se nuk ka marrë pagë për muajin mars.

    Ai është njëri nga disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb që u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, në fillim të nëntorit të vitit 2022, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve me targa serbe në ato të Kosovës.

    Asokohe, dorëheqje dhanë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve nga radhët e Listës Serbe, parti kjo që gëzon mbështetjen e Beogradit. Serbia, e drejtuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq, e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata, në bazë të së cilave do të duhej të merrnin pagë.

    Mirëpo, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë (REL)”, Delliq thekson se janë “mashtruar” dhe u është “luajtur loja”, sepse, siç beson ai, Lista Serbe tani po “qëron hesapet” me individët që nuk e mbështesin politikën e tyre.

    “Në atë kontratë thotë se ne punojmë për komunitetin serb. Kjo është me pikëpyetje për mua, çfarë do të thotë kjo”, pyet Delliq, duke theksuar se tash Lista Serbe do t’u bëjë shantazh me kontrata dhe paga.

    Millosh Delliq, me profesion stomatolog, punoi rreth pesë vjet në sistemin e Kosovës, në fushën e gjerontologjisë. Gjeronto-nikoqir/nikoqire është një program për ndihmë ndaj personave të moshuar, i cili kryesisht realizohet përmes vetëqeverisjes lokale.

    Ky bashkëbisedues i “REL”-it thotë se i është dashur të japë dorëheqje, sepse ndaj tij ka pasur “shantazh dhe kërcënime”.

    A ka raste të tjera të ngjashme?

    Në një situatë thuajse identike sikurse të Delliqit, u gjend edhe kolegia e tij, Suzana Millunoviq, e cila për një gjë të tillë e fajëson Listën Serbe.

    “Lista Serbe është një listë që ka vite që i bën shantazh popullit. Ne jetojmë këtu nën shantazh dhe presion. Ne shqetësohemi për familjet tona. Nëse nuk shkojmë në barrikada, na heqin menjëherë nga lista e pagave”, thotë Millunoviq.

    Në veri të Kosovës, barrikadat ngrihen si formë e “rezistencës” ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq Lista Serbe gjithmonë i ka përkrahur publikisht.

    Edhe më parë, qytetarë të caktuar kanë deklaruar se janë “të detyruar” të shkojnë në barrikada me turne, por Lista Serbe theksoi se bëhej fjalë vetëm për vullnetin e popullit.

    Delliq dhe Millunoviq theksojnë se ende shkojnë në punë, për të cilën janë paguar nga Serbia që prej dorëheqjes nga institucionet e Kosovës, por deklarojnë se nuk e kanë marrë pagën për muajin mars. Shërbimet në veri të Kosovës, të cilat u përkasin institucioneve lokale, shpesh janë të ndërthurura në mes të sistemit kosovar dhe atij serb.

    Në mjediset e banuara me serbë në Kosovë funksionojnë Organet e përkohshme komunale, të cilat financohen nga buxheti i Qeverisë së Serbisë. Gjithashtu, institucionet shëndetësore dhe arsimore, në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, punojnë në kuadër të sistemit të Serbisë. Megjithatë, ndodh punëtorët të punësohen në sistemin e Kosovës dhe më pas të angazhohen në institucionet serbe.

    Një shembull i tillë është Ivana Ignjatoviq, e cila punon si mësuese në një institucion parashkollor në territorin e Komunës së Leposaviqit. As ajo nuk e ka marrë pagën e muajit mars, sipas kontratës që i ka dhënë Serbia, pasi kishte dhënë dorëheqje nga sistemi i Kosovës.

    Duke folur për “REL”-in, ajo shpreh bindjen se po e “sanksionon” Lista Serbe, sepse nuk e përkrah politikën e tyre.

    Ignjatoviq thekson se gjashtë vjet më parë edhe bashkëshorti i saj ishte shkarkuar “për arsye politike” në Komunën e Leposaviqit, që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Më pas, ai e fitoi rastin në gjykatë, por megjithatë, nuk u rikthye në punë.

    “Tani ma kanë ndërprerë edhe pagën. Përfundimisht, kjo ndikon që populli të zhvendoset në mënyrë masive nga këtu. Siç thashë, nuk ka dyer në të cilat mund të trokasim për të marrë një zgjidhje pozitive”, thotë ajo.

    A mbetën pa paga politikanët nga Lista Serbe?

    “Radio Evropa e Lirë” i është drejtuar Listës Serbe me kërkesën për të komentuar akuzat e banorëve të caktuar të Leposaviqit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka arritur ndonjë përgjigje.

    Përgjigje nuk ka dhënë as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

    Përveç punëtorëve në institucionet e Kosovës, vitin e kaluar dorëheqje kanë dhënë edhe politikanët e Listës Serbe, në nivel lokal dhe qendror.

    Megjithatë, shumica prej tyre tashmë kishin një pagë të dytë në sistemin serb, për të cilën gjë, REL-i raportoi në disa raste.

    Po ashtu, dhjetë deputetë nga Lista Serbe, disa ditë pas dorëheqjes së tyre, janë zëvendësuar me nëntë deputetë të tjerë nga kjo parti, të cilët kanë dhënë betimin në Kuvendin e Kosovës.

    Shpjegimi i tyre ishte se nuk donin t’i humbnin mandatet e rezervuara për komunitetin serb. Ndonëse ata nuk marrin pjesë në seancat parlamentare, marrin paga çdo muaj.

  • Syla reagon me një status: S’e di nëse ishte e porositur, kam pësuar lëndime të rënda në kokë dhe në dorë

    Syla reagon me një status: S’e di nëse ishte e porositur, kam pësuar lëndime të rënda në kokë dhe në dorë

    Gazetari Valon Syla ka reaguar pas sulmit ndaj tij, ku ka konfirmuar se pësoi lëndime të rënda në kokë dhe në dorën e majtë.

    Syla përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se është mirë, derisa ka falenderuar miqtë, institucionet dhe kolegët gazetarë për mbështetjen.

    Ai tutje në shkrimin e tij ka treguar edhe se si ndodhi rasti.

    “Ishim në debat te Lleo në Pressing, dhe sulmuesit na kishin percjellur prej se kemi dale nga ndertesa e T7 duke na u percjedhur me veturë nga pas, deri te vendi ku jemi ndalur, une Ilir Mirena dhe Leonard Kerquki per takim edhe me disa gazetare te tjere pas debatit. Kete here e kishim zgjedhur kafiterinë Image në Breg të Diellit per tu takuar. Dhe pikërisht para shkalleve duke hy ne lokal u sulmova nga 3 persona, në dukje islamik fanatik.” – ka thënë ai.

    Syla tutje, ka shkruar se me gjasë, sulmi ka të bëjë me reagimin e tij pasi një hoxhe iu bë dhuratë një veturë e tipit Mercedes.

    “Nuk e di a i ka porositur ndokush, por kjo mjaftoi qe te pësoj lendime të rënda në kokë, dhe në dorën e majtë.” – tha ai.

    Gazetari tutje ka thënë se reagimet e tij në këtë rast, përpos që ishin të faktuara, kishin edhe doza të humorit dhe kjo nuk po pranohet nga “një komunitet islamik me tipare mesjetare”.

    “Poashtu tendenca e tyre që dhunshëm të imponohen që të arrijë objektiva të errta dhe fanatike deri në shkeljen e të drejtave më bazike të njeriut, tregon taktikën e tyre kryesore që është frikësimi i masave dhe me sulme sikur ndaj tipave si unë, mundohen ti frikësojnë të gjithë ata që janë në dy mendje. Kjo tregon se keta predikues fetarë, e hoxhallarë që nxisin dhunë e prodhojnë kesi militantizmi shpërblehen me mercedesa, nga shefat e Bashkësive Fetare, dhe duke i shpërblyer pregaditen të ushtrojnë dhunë dhe frikësim te të gjithë ata që nuk i përcjellin dogmat e tyre.” – tha ai.

    Sula tutje në shkrimin e tij ka deklaruar si vijon: “Feja është e rendësishme dhe njerëzimi nuk kishte me arritë këtu ku është pa të mirat e fesë. Poashtu Islami thuhet se nëkupton paqe. Por jo edhe liri”.

    “Unë jam Valon Syla dhe jam libertarian me bindje. Mua dhe kosovarëve si unë nuk ju nevojitet paqja, pa liri. Kosova është e lirë. Fjala është e lirë. Frikësimi i masave, dhuna dhe të gjithë ata që predikojnë kundër lirive dhe veprojnë si përcjellës të kësaj fryme fanatike, nuk janë as për paqe dhe as për liri. Ky është rreziku që po na kanoset të gjithëve si kosovarë. Andaj flisni dhe mbrone lirinë. Por mos e harroni as sensin e humorit. Faleminderit edhe një herë.” – ka thënë ai në fund.

  • Gjykata dënon dy të akuzuar për dhunim: Njërin me tetë vite burgim e tjetrin me gjashtë

    Gjykata dënon dy të akuzuar për dhunim: Njërin me tetë vite burgim e tjetrin me gjashtë

    Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka dënuar dy persona për veprën penale të dhunimit me 8 dhe 6 vite burgim.

    I akuzuari A.O është dënuar me 8 vite burgim që do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqisë së aktgjykimit, ndërsa i dyshuari D.RR është dënuar me 6 vite burgim.

    Njoftimi i plotë:

    Gjykata ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve A.O dhe D.RR për veprën penale të Dhunimit

    Prishtinë 12 Prill 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve A.O dhe D.RR për shkak të veprës penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 pika 4.7 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I akuzuari A.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    I akuzuari D.RR është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Të pandehurve A.O dhe D.RR iu vazhdohet masa e paraburgimit nga data 12.04.2023 e deri sa ky aktgjykimi të merr formë të prerë, por jo më gjatë se koha e dënimit me burgim të shqiptuar në aktgjykim, ndërsa iu llogaritet masa e paraburgimit në dënimet e shqiptuara.

    Të pandehurit A.O dhe D.RR obligohen që t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind (100) euro secili veç e veç, kurse në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro secili veç e veç, në emër të ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike shumën prej katërqind e pesëdhjetë (450) euro në mënyrë solidare, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    E dëmtuara udhëzohet që kërkesën pasurore juridike ta paraqesin në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.

  • Meloni masa radikale për emigrantët, Italia shpall gjendjen e jashtëzakonshme

    Meloni masa radikale për emigrantët, Italia shpall gjendjen e jashtëzakonshme

    Qeveria italiane ka shpallë gjashtë muaj gjendje të jashtëzakonshme për t’iu përgjigjur krizës në rritje të emigrantëve që kalojnë Mesdheun nga Afrika e Veriut.

    Vendimi i ekzekutivit zhbllokon 5 milionë euro fonde dhe përkon me mbërritjen e 3 mijë emigrantëve në vetëm tre ditë.

    Një numër varkash kanë zbarkuar në ishullin italian të Lampeduzës dhe roja bregdetare ka shpëtuar rreth 2 mijë persona që prej së premtes.

    Mbërritjet e emigrantëve në Itali janë rritur ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pavarësisht përpjekjeve të koalicionit qeverisës për të frenuar fenomenin.

    Ministri për Mbrojtjen Civile, Nello Musumeci foli për një rritje prej 300 për qind dhe tha se bëhet fjalë për një emergjencë që e ka vënë infrastrukturën e Italisë në rrezik.

    “Po flasim për një fenomen të pakonstatuar më parë. Vetëm ishujt nuk mund të përballen me këtë lloj emergjence”, deklaroi ministri.

    Ai theksoi më tej se, gjendja e jashtëzakonshme nuk pritet ta zgjidhë problemin, duke shtuar se për ta arritur këtë duhet një përgjigje në nivel evropian.

    Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve të emigrantëve që prej vitit 2017.

    Agjencia e posaçme për Emigracionin deklaroi se 441 vdekje janë regjistruar në qendër të Mesdheut në tre muajt e parë të 2023-shit. Ajo paralajmëroi se vonesat e shteteve në reagimin e tyre për të shpëtuar emigrantët bënë që 127 prej tyre të vdisnin.

    Vetëm të shtunën, të paktën 4 persona humbën jetën dhe mbi 20 të tjerë u shpallën të humbur kur dy varka me emigrantë u fundosën në brigjet e Tunizisë.

    Tunizia është kthyer në pikën kryesore të nisjes së emigrantëve në muajt e fundit dhe incidenti i së shtunës ishte vetëm i fundit i një seri incidentesh në brigjet e saj./Euronews/

  • KFOR-i dënon incidentin në veri: Përgjegjësit të sillen para drejtësisë

    KFOR-i dënon incidentin në veri: Përgjegjësit të sillen para drejtësisë

    Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënoi incidentin e së hënës mbrëma, ku një serb i Kosovës u plagos me armë zjarri në komunën e Zveçanit.

    KFOR-i potencoi përmes një komunikate se pret që institucionet në Kosovë të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjeve dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit.

    KFOR-i bëri të ditur se progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

    “KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja të arritura në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë e të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.”, u bë e ditur në komunikatë.