ATV

Category: LAJME

  • Pavarësisht rënies, inflacioni në Hungari mbetet në 25.2%

    Pavarësisht rënies, inflacioni në Hungari mbetet në 25.2%

    Inflacioni i çmimeve të konsumit në Hungari shënoi një rënie të lehtë për të dytin muaj radhazi, në mars, megjithëse mbeti i fortë në përgjithësi, sipas të dhënave nga Zyra Qendrore e Statistikave Hungareze.

    Indeksi i çmimeve të konsumit, ose CPI, u rrit 25,2% në terma vjetore, në mars pas një rritjeje prej 25,4% në shkurt.

    Ekonomistët kishin parashikuar një ulje të inflacionit deri në 24,7%.

    Ndërkohë, inflacioni bazë u rrit në 25,7% nga 25,2% që ishte një muaj më parë.

    Norma e inflacionit pritej të ishte 24,7%.

    Inflacioni i çmimeve të ushqimeve u ul në 42,6% nga 43,3% që ishte në shkurt.

    Rritja vjetore e çmimeve të energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse u ul në 43,1% nga 49,0%.

    Çmimet për produktet e konsumit dhe pijeve alkoolike dhe duhanit u rritën përkatësisht me 11,2% dhe 19,7%, shkruan ATSh.

    Tarifat e shërbimit u rritën me 13,0%.

    Në baza mujore, çmimet e konsumit u rritën me një normë të qëndrueshme prej 0, 8% në muajin mars.

  • Një burrë ngacmohet seksualisht nga një burrë tjetër në Obiliq

    Një burrë ngacmohet seksualisht nga një burrë tjetër në Obiliq

    Viktima mashkull ka raportuar se një i dyshuari e ka ngacmuar seksualisht.

    I njëjti ka njoftuar se i dyshuari përmes rrjeteve sociale i ka shkruar mesazhe me përmbajtje erotike.

    Nuk raportohet për të arrestuar, rasti është duke u hetuar.

    Rasti në fjalë raportohet të ketë ndodhur në Obiliq.

  • Abazoviq nesër viziton Kosovën

    Abazoviq nesër viziton Kosovën

    Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do ta vizitojë të premten Kosovën. Abazoviq e viziton Kosovën me ftesë të kryetarit të Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB).

    Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në ora 10:00, mban konferencë për media ku do të shpaloset vizita e tij.

    “Aleanca Kosovare e Bizneseve, ju fton të enjten me 13 prill në orën 10:00 në zyrat e AKB-së në konferencën për media ku do të shpaloset vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq në Kosovë. Kjo vizitë realizohet me ftesë të kryetarit të AKB-së, Agim Shahini dhe bizneseve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e AKB-së.

  • Michael Steiner: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale

    Michael Steiner: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale

    Krimet serbe në Kosovë kanë ndodhur dhe ballafaqimi i Serbisë me të kaluarën e saj është në radhë të parë në interesin e vetë Serbisë. Kështu thotë në një intervistë ekskluzive diplomati Michael Steiner, ish shef i UNMIK-ut dhe ish këshilltar i kancelarit gjerman Gerhard Schröder.

    “Për sa kohë që Serbia nuk e bënë këtë, do të sorollatet si një zombi në historinë e saj”, nënvizon Steiner, teksa thekson se “pavarësia e Kosovës është fakt dhe realitet dhe nëse Serbia refuzon ta njohë këtë realitet, ky nuk është më problem për Kosovën, por për vetë Serbinë”, thekson Steiner.

    Radio Kosova: Zoti Steiner, që nga koha kur ju keni lënë Kosovën, pasi ju përfunduat mandatin e Shefit të UNMIK-ut, ka kaluar një kohë e gjatë. Kosova ka 15 vite që është e pavarur. Si i keni parë zhvillimet në Kosovë, sidomos pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, e këndej?

    Steiner: Së pari, zoti Gashi, është gjë e bukur që mund të bashkëbisedojmë. Kosova në këto vite ka lënë prapa një rrugë të gjatë enorme. Gjatë kësaj kohe kemi parë ndërrim demokratik të qeverive dhe pushteteve, ndërsa janë zhvilluar mirë institucionet shtetërore. Gjithashtu, mund të shihet se ka pasur edhe një zhvillim politik të shoqërisë civile e cila ka evoluar nga një shoqëri e dalë prej dhunës dhe luftës, në një shoqëri civile gjithnjë e më stabile. Natyrisht, edhe më tej ka probleme për sa i përket luftimit të korrupsionit, pastaj probleme të zhvillimit ekonomik, por parë në tërësi, kam një ndjenjë të mirë për arritjet e shënuara.

    Radio Kosova: Vetëm 5 vjet pas shpalljes së pavarësisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2013 kanë filluar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Janë arritur shumë marrëveshje, por një pjesë e madhe e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia. Tani kemi një marrëveshje, e cila nuk është nënshkruar nga palët, por është pranuar? A besoni se Serbia do ta njohë një ditë pavarësinë e Kosovës?

    Steiner: E para, Kosova tashmë është shtet sovran! Ky është fakt! Është fakt, realitet objektiv! Pyetja nëse Serbia e njeh këtë realitet, apo e refuzon, ky nuk është problem për Kosovën, por është problem për Serbinë, e cila po bllokon vetveten. Për Kosovën, ç’është e vërteta, është me shumë rëndësi që për sa kohë ekziston ky realitet refuzues nga ana e Serbisë, Kosova të mos ketë disavantazhe praktike nga kjo gjendje. P.sh. të mos ketë pengesa gjatë anëtarësimit në organizata dhe institucione ndërkombëtare, pastaj të mos ketë pengesa në aspektin e zhvillimit ekonomik, sigurisë, udhëtimit të lirë etj. Natyrisht, kjo do të duhej të vlente për të dyja vendet dhe kjo është vendimtare, prandaj kjo është edhe ideja bazike e Planit gjermano-francez për Normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Radio Kosova: Gjermania sot është një nga aleatët kryesor të Kosovës, ndërsa bashkë me Francën janë edhe autorë të planit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ju e përmendet. Si e vlerësoni rolin e Gjermanisë dhe BE-së në procesin e dialogut, që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë mendimi keni për planin gjermano – francez?
    Steiner: Fakti që Gjermania së bashku me partnerët e saj dhe Bashkimin Evropian është e angazhuar për arritjen e një marrëveshje ndërmjet dy vendeve, është një gjë vërtet shumë e mirë. Gjermania ka përvojë, madje përvojë shumë të mirë, për sa i përket qasjes së normalizimit. Për më tepër kjo është qasja e vetme reale dhe e duhur që bazohet në normat faktike, gjendjen faktike, që njëkohësisht adreson interesat e vërteta dhe reale ekzistuese. Dhe kjo është rruga e vetme e drejtë nga duhet shkuar dhe unë gëzohem që Gjermania bashkë me partnerët e saj në BE është angazhuar në këtë drejtim.

    Radio Kosova: Po bëhen 24 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe Serbia nuk po kërkon falje për krimet e kryera. Përveç kësaj krerët e shtetit serb kanë mohuar edhe masakrat e kryera prej ushtrisë së tyre në Kosovë, si ajo e Reçakut që kishte ndodhur në janar të vitit 1999.

    Steiner: Shihni! Objektivisht kjo çështje është sqaruar. Krimet serbe në Kosovë kanë ndodhur dhe për këtë organizatat ndërkombëtare kanë dhënë qëndrimin e tyre. Që Serbia të ballafaqohet dhe ta shohë këtë të vërtetë me sytë e saj dhe të marrë qëndrim për këtë realitet që ka ndodhur, është në radhë të parë në interesin e vetë Serbisë. Po e them këtë si gjerman, duke u nisur nga historia jonë gjermane. Je vërtet i lirë të ndërtosh dhe formësosh të plotë të ardhmen tënde, vetëm atëherë kur gjen forcë për të njohur anën negative të së kaluarës tënde. Për sa kohë që nuk e bën këtë, atëherë do të sorollatësh si një zombi në historinë tënde dhe kjo mund të shihet tek ata, që gjërat e pakëndshme përpiqen t’i fshehin nën tepih. Sido që të jetë, e rëndësishme është që objektivisht gjërat janë të qarta, janë sqaruar dhe është thellësisht e domosdoshme që Serbia të konfrontohet me të kaluarën e saj kriminale, për të çliruar vetveten, në mënyrë që të mund të punojë me gjithë forcën drejt së ardhmes.

    Radio Kosova: Ka një temë për të cilën po thyhen shtizat. Fjala është për Asociacionin e Komunave Serbe. Serbia po kërkon kompetenca ekzekutive, ndërsa bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës thonë se nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive? Si e shihni ju Asociacionin e Komunave serbe?

    Steiner: Për këtë temë nuk dua të deklarohem në hollësi, por ajo që mund të them është se nisur nga forma si është bërë në Propozimin evropian, nuk shoh as një rrezik për Kosovën nga Asociacioni.

    Radio Kosova: Në Hagë këto ditë ka filluar gjykimi i ish krerëve të UÇK-së. Në mesin e të akuzuarve është edhe ish kryeministri dhe ish presidenti Hashim Thaçi, të cilin ju kur ishit shef i UNMIK-ut e keni njohur personalisht. Si e vlerësoni formimin e Dhomave të Specializuara?

    Steiner: Edhe për këtë çështje nuk mund dhe nuk do të ishte serioze të deklarohem!

    Radio Kosova: Qeveria e Kosovës, sot udhëhiqet nga Albin Kurti, lider i një parti që ka dalë në skenën politike në Kosovë disa vite më vonë kur ju e keni lënë Kosovën. Si do vlerësonit sot qeverisjen në Kosovë nga qeveria aktuale?

    Steiner: Për çështje të brendshme, natyrisht nuk kisha dashur të deklarohem! Por ajo që mund të them është se unë shoh vullnetin e kosovarëve që të ndërtojnë në mënyrë demokratike vendin e tyre, Kosovën, dhe të bëhen pjesë e familjes evropiane, atje ku e kanë vendin. Kosova ka një potencial enorm si dje ashtu dhe sot, si vendi me popullatën më të re në Evropë, dhe ajo që vërehet është se kjo gjeneratë e re politikanësh, është tani në pozita dhe vendet kyçe dhe kjo gjeneratë e re është e hapur, ka energji shumë të madhe dhe mendoj se është shumë me rëndësi që ky potencial ekzistues kosovar të shfrytëzohet maksimalisht. Kur isha shef i UNMIK-ut në Kosovë, vendet që vizitoja më me dëshirë ishin shkollat, sepse aty unë shihja të ardhmen e vendit tuaj.

    Radio Kosova: Zoti Steiner, edhe një pyetje: Si e shihni të ardhmen, përkatësisht perspektivën evropian dhe atlantike të Kosovës?

    Steiner: Nuk kam as një dyshim, sepse tashmë rruga për integrime euro-atlantike është e trasuar. Kosova është një vend evropian dhe i përket familjes evropiane ku e ka vendin dhe duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. E di që kjo rrugë ka zgjatur shumë dhe është e gjatë, aq sa nganjëherë më iriton edhe mua pse funksion disi ngadalë. Sidoqoftë, perspektiva evropiane e Kosovës është qartë e siguruar. Nuk e di se kur kjo ditë do të vijë, por e di që kjo ditë do të vijë !

  • Shefja e UNMIK-ut dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Syla

    Shefja e UNMIK-ut dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Syla

    Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh dënoi sulmin fizik të raportuar ndaj gazetarit Valon Syla nga persona të panjohur deri më tani në orët e vona të së martës.

    UNMIK-u njofton se çdo sulm ndaj lirisë së fjalës së lirë është i papranueshëm.

    “PSSP Ziadeh pret një hetim të plotë dhe të drejtë për t’i sjellë autorët para drejtësisë dhe për të siguruar që të drejtat e njeriut mbrohen. Sulmi ndodhi vetëm një javë pas vizitës së Raportueses Speciale të OKB-së për Lirinë e Opinionit dhe Shprehjes, Irene Khan, e cila u kërkoi autoriteteve të Kosovës t’i japin përparësi hetimeve dhe ndjekjeve penale të sulmeve kundër gazetarëve. PSSP Ziadeh i uron gazetarit të lënduar shërim të shpejtë”, thuhet në komunikatën e UNMIK-ut.

  • Raporti i FMN-së: Kosova dhe Shqipëria, më të varfrat në Evropë edhe në 2023

    Raporti i FMN-së: Kosova dhe Shqipëria, më të varfrat në Evropë edhe në 2023

    Shqipëria dhe Kosova janë renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shtetet më të varfra të Evropës në vitin 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.

    PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse (PPP), është produkti i brendshëm bruto i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse.

    Një dollar ndërkombëtar ka të njëjtën fuqi blerëse mbi PBB-në si dollari amerikan në Shtetet e Bashkuara.Sipas të dhënave të përditësuara të FMN-së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, dhe të përpunuara nga “Monitor”, Shqipëria renditet e parafundit në Europë me të ardhurat për frymë prej 19 mijë dollarë ndërkombëtar.

    Pas Shqipërisë renditet Kosova, që e ka këtë tregues akoma dhe më të ulët, në 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.Bosnjë Hercegovina ka të ardhura për frymë pak më të larta se Shqipëria, në 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.Mesatarja e Europës është gati 50 mijë, ndërkohë që Shqipëria i ka të ardhurat për frymë të matura sipas fuqisë blerëse gati sa gjysma e Europës Lindore.

    Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Shqipëria ashtu dhe Kosova vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfrat e Europës.Edhe në treguesin tjetër direkt, atë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, që për Shqipërinë ka arritur në 7 mijë dollarë, sërish vlerësohemi nga FMN të fundit për vitin 2023, së bashku me Kosovën, që është në nivelin e 5,600 dollarëve.Të dhënat e tjera të publikuara nga Eurostat më herët (ku nuk përfshihet Kosova) tregojnë se Shqipëria ka mbetur pas në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që nënkupton rritje me ritme më të shpejta se vendet e zhvilluara të Europës në mënyrë që të kapet mesatarja e Europës për një periudhë kohore të caktuar.

    Rritja e viteve të fundit, ndonëse në nivele të ngjashme me vende të rajonit, nuk ka arritur të shtojë mirëqenien e qytetarëve, duke u bërë dhe një faktor për ritmet e larta të emigracionit.

    Sipas Eurostat, në vitin 2021, vendi ynë kishte Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, të shprehur në barazinë e fuqisë blerëse, sa 32% e mesatares së Bashkimit Europian.Në treguesin tjetër, atë të Konsumit Individual për Frymë (AIC) që mat konsumin sipas barazisë së fuqisë blerëse dhe nivelit të çmimeve, Shqipëria renditet po e fundit, me 39% të mesatares së Bashkimit Europian, njësoj me vitin e kaluar dhe shumë më e ulët se mesatarja prej 48% e vendeve kandidate (përjashtuar Turqinë).Ndërsa për treguesin e të ardhurave për frymë, diferenca me shtetet e rajonit nuk është shumë e lartë, në treguesin e konsumit individual ajo thellohet, duke reflektuar aftësinë e ulët të fuqisë blerëse të shtetasve shqiptarë për të ardhurat që kanë, e lidhur me çmimet relativisht të larta në vend.

  • Dhunohet seksualisht një 15-vjeçare në Prishtinë, gjendet në bagazhin e veturës ku ndodheshin 7 persona

    Dhunohet seksualisht një 15-vjeçare në Prishtinë, gjendet në bagazhin e veturës ku ndodheshin 7 persona

    Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e shpesh të dyshuar, janë persona të njohur të tyre të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht, raporton Gazeta Sinjali.

    Një ngjarje e tillë ka ndodhur së fundi në Prishtinë, ku një vajzë e mitur dyshohet se është dhunuar nga një person i moshës madhore.

    Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja është zbuluar në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, ku një njësi policore që po patrullonte, ka ndalur për kontroll një veturë.

    Gjatë kontrollit është vërejtur se brenda veturës janë shtatë persona, ku dy nga ta, përfshirë viktimën, ishin të shtrira në bagazhin e veturës.

    Shtatë personat që ndodheshin brenda automjetit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. 15-vjeçarja që ndodhej në bagazh ka deklaruar para hetuesve policorë që ka kryer marrëdhënie seksuale me njërin prej të dyshuarve.

    Bazuar në dëshminë e saj, ngjarja ka ndodhur në një motel në dalje të Prishtinës. Në kuadër të veprimeve hetimore, viktima është dërguar për ekzaminime gjinekologjike.

    Ndërkohë është intervistuar edhe 22-vjeçari, i cili ka pranuar se ka qëndruar në motel me vajzën e mitur.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

  • Arrestohet një burrë në Klinë, dyshohet se nën ndikimin e alkoolit sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij

    Arrestohet një burrë në Klinë, dyshohet se nën ndikimin e alkoolit sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij

    Një person është arrestuar dje në Klinë, pasi dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten.

    “Klinë 12.04.2023-00:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, bëhet e ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./atvlive.tv./

    LEXONI EDHE:

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Komunën e Prishtinës

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Komunën e Prishtinës

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Komunën e Prishtinës

    Policia e Kosovës njoftoi se dje rreth orës 09:30 është raportuar se në objektin e Komunës së Prishtinës, një burrë është gjetur pa shenja jete.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion./atvlive.tv.

     

  • Lëkundje tërmeti në Shqipëri

    Lëkundje tërmeti në Shqipëri

    Lëkundje tërmeti janë ndjerë mbrëmë në Shqipëri.

    Mediat shqiptare bëjnë të ditur se dridhjet e tokës janë ndjerë në Librazhd dhe Elbasan.

    Epiqendra e tërmetit është regjistruar në Mirakë të qarkut të Elbasanit.

    Lëkundjet janë regjistruar me magnitudë 3.6, ndërsa thellësia ka qenë vetëm dy kilometra.