ATV

Category: LAJME

  • Bie çmimi i miellit, e buka pritet të shtrenjtohet për shkak të rrymës

    Bie çmimi i miellit, e buka pritet të shtrenjtohet për shkak të rrymës

    Çmimi për një ton miell ka rënë për 30 për qind, nga 550 euro sa ishte toni, tani është 420 euro.

    Megjithatë, rënie nuk ka pësuar edhe çmimi i bukës. Buka aktualisht në furrat e Kosovës kushton 0.50 euro, por ky çmim nuk do të jetë për shumë kohë, pasi që çmimi i bukës pritet të rritet së shpejti edhe më shumë.

    Shtrenjtimi i bukës pritet të ndodhë pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila rriti çmimin e energjisë elektrike në masë prej 15.4 për qind nga 1 prilli.

    Për rritjen e tarifave të rrymës, kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu thotë se do të ketë një ndikim negativ tek furrtarët, ngase sipas tij kjo ndikon në koston e përpunimit dhe sjellë efekte negative.

    Ndërsa, Zjenullahu shton se pas zbritjes së çmimit të miellit, duhet të reflektojnë çmimet edhe në rënien e çmimit të bukës.

    “Produktet e grurit kanë pësuar rënie kohëve te fundit, rënie e cila ka reflektuar edhe në çmimin e miellit (çmimi aktual nga 420-460€) për ton, ndërsa vendi ynë ka një qëndrueshmëri të sasive të grurit….Nuk mendoj që do rritet, përkundrazi presim një rënie te çmimit të bukës duke pasur parasysh çmimin e miellit i cili ka pësuar rënie prej afro 30%, ky çmim duhet te reflektojë edhe në rënie të çmimit të bukës”, është përgjigjur Zejnullahu.

    E vendimin për rritje të çmimit të bukës, nuk e mirëpriten as qytetarët. Ata thanë se në krizën financiare në të cilën janë, nuk duhet të ndodhë një rritje e tillë.

    Qytetari Vesel Veseli, thotë se një vendim i tillë për rritje të çmimit të bukës është i papërshtatshëm, marrë parasysh buxhetin e familjeve, gjersa shton se Qeveria duhet të marrë masa parandaluese për një rritje të tillë.

    “Ky është vendim i papërshtatshëm për shumicën e popullatës tonë, duke marrë parasysh se çfarë buxheti familjarë kanë, andaj Qeveria duhet të marrë masa që t’i shtojnë ndihmat sociale, pensionet, pagat e punëtorëve që janë duke punuar, shërbyeseve civilë dhe jo vetëm të ngritën çmimet e artikujve ushqimorë dhe pagat të mos rriten, nuk është e arsyeshme…Furrtarëve po i’u kushton rryma, që i pjekun ato (bukët) dhe ndikon që ata ta ngrisin çmimin…Sikur mos të kishte qenë rryma me çmim të lartë dhe ata krahas miellit, do ta kishin bërë dhe çmimin e bukës… Mua nuk më pengon, sepse kam të hyra financiare, mirëpo bazohen në shumicën e popullatës, se në çfarë gjendje janë”, u shpreh ai.

    Ilmi Beqiri, thotë se kjo rritje e çmimit është interes i furrtarëve, gjersa shton se një ngritje e çmimit të bukës, është e papërballueshme.

    “Nuk mundemi ta përballojmë, jo vetëm ne por askush. Po flitet që do të rritet çmimi i bukës dhe i gjërave ushqimore. Nuk e di si do ta përballojë populli, këta janë duke luajtur me popull… Sigurisht kanë diçka interesa të tyre”, tha ai.

    Me pagat e dobëta, rritja e çmimeve është e papërballueshme për qytetarët, tha vet qytetari, Bislim Ademi.

    “Nuk është e arsyeshme. Pensionet dhe pagat, të gjitha të dobëta…Është e papërballueshme, jo vetëm buka por edhe shumë artikuj ushqimorë”, theksoi ai.

    Situata me ngritjen e çmimeve, i duket normale, qytetarit Hashim Thaqi. I kanë shtrenjtuar të gjitha edhe bukën ta ngrisin, veç edhe shpirtin të na marrin dhe nuk ka tjetër, tha ai.

    “Tash çdo gjë po më duket normale. I kanë shtrenjtuar të gjitha edhe bukën ta ngrisin, veç edhe shpirtin të na marrin dhe nuk ka tjetër. Shumë normale është kjo për ne, për Kosovën. Çfarë të na bën Qeveria, ashtu është. Këtë qeveri e kemi kërkuar, 51% e kemi votuar dhe duhet të bëjmë siç thonë”, u shpreh ai.

    Kosova është përballur me rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia Covid-19 dhe invazioni rus në Ukrainë. /kp

  • ​Banorët nga Malisheva e Klina protestojnë para Qeverisë kundër devijimit të autostradës

    ​Banorët nga Malisheva e Klina protestojnë para Qeverisë kundër devijimit të autostradës

    Qytetarët nga Komuna e Malishevës dhe ajo e Klinës kanë protestuar të enjten para Qeverisë, kundër devijimit të autostradës Prishtinë-Pejë.

    Kërkesa e këtyre banorëve, kryesisht të fshatrave Stapanicë, Rixhevë e Gllarevë, kanë dalë për të shprehur pakënaqësitë e tyre për devijimin te segmenti Kijevë-Dollc.

    Ndërkaq, disa nga përfaqësuesit e protestës, janë pritur në qeveri nga sekretari i Zyrës së Kryeministrit, Arben Kransiqi për të diskutuar në lidhje me këtë çështje.

    Mirëpo, të njëjtit pas këtij takimi deklaruan që sekretari nuk ishte në dijeni për këtë problem, dhe pas kësaj i ka adresuar për një takim me ministrin e infrastrukturës, Liburn Aliu.

    Një nga organizatorët e kësaj proteste, Sheremet Pantina, tha nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga sekretari nëse kryeministri, Albin Kurti i ka shqyrtuar kërkesat e tyre për kundërshtimin e devijimit të rrugës.

    “Ne ishim pesë përfaqësues te kësaj proteste tek sekretari i kryeministrit, Arben Krasniqi. Biseduam me të, mirëpo është një çudi e veçantë që sekretari nuk ka njohuri për punën që kemi ardhur na dhe për rrugën ka do të shkojë. Disa kërkesa që janë bërë më herët i ka dërguar tek kryeministri dhe nuk ka përgjigje nëse i ka marrë për shqyrtim ose jo. Na beri një takim me ministrin e infrastrukturës dhe po shkojmë atje që të na tregojnë detajisht për rrugën ka do të shkojë. Pasi ne insistuam të kemi takim me atë që e njohin problemin dhe na mundësuan”, tha Pantina.

    Ardian Zogaj, përfaqësues i bizneseve nw atw anw, thotë se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre nuk do të ndalen së protestuari.

    “Jemi dalë kundër devijimit të rrugës, sepse na kanë premtuar se nuk do të ketë devijim…Kemi dërguar ankesa para dy jave e përditë, por nuk i merr askush parasysh…Nëse nuk merren parasysh këto, ne do të vazhdojmë me protesta në fshat çdo ditë, derisa të bëhet diçka”, tha

    Fadil Morina, banor nga fshati Rixhevë thotë se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, nuk mbetet zgjidhje tjetër veçse ta braktisë Kosovën.

    “Kemi dalë këtu për devijimin e rrugës, kalon tre apo katër fshatra dhe i merr tokat e punës dhe na mbyll bizneset. Si punëtor nuk e di ka të ja mbaj nëse mbyllen këto biznese, jo që nuk kam ku të shkoj por kam bërë disa vjet dhe nuk kam ku të shkoj diku tjetër, pasi punoj tek disa të afërm…Nëse nuk merren parasysh, e kam qit një djalë 6 mijë euro e më pas edhe vet e kam nijet me dalë”, tha Morina.

    Banori, Isuf Morina thotë se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, me të gjitha mundësitë që kanë do e bllokojnë rrugën.

    “Arsyeja pse kemi ardhur të protestojmë është devijimi i rrugës…Kemi dalë në protesta që tre apo katër herë, kemi dorëzuar peticion dhe dokumentet që na kanë kërkuar në ministrinë përkatëse. Para dhjetë ditëve kemi ardhur të dorëzojmë një kërkesë tek kryeministri dhe na ka prit sekretari i tij dhe na ka thënë se do të na njoftojnë ose do të na thërrasin, mirëpo nuk ka pas kurrfar lajmërimi…Nëse edhe këtë herë nuk merren parasysh kërkesat tona, prej Gjergjoviku deri në Stapanicë do ta bllokojmë rrugën, tjetër zgjidhje nuk ka mbetet neve”, theksoi ai.

    Edhe qytetari, Zenel Balaj ka shprehur pakënaqësi në lidhje me devijimin e rrugës. Sipas tij, nuk ka mbetur asgjë tjetër për rininë veçse ta lëshojë Kosovën.

    “Donë me na marr tokën e bukës e me na mbyll, na veç kem me lëshua Kosovën se nuk e dimë ku të shkojmë. Bizneset që janë t’u punua, rinia, ata duhet ta ndërprenë atë punë dhe ta kapin strajcën të dalin jashtë. Ne po themi që rinia të qëndrojnë e të punojnë këtu, por po na mbyllni. Ata që e kanë bërë atë projekt, është fajtor i madh, sepse rruga kryesore që ka qenë është e paguar, tash pse të paguajë shteti arat edhe njëherë, nuk është nevoja. Nuk do të ndalemi deri të kryhet kjo”, tha Balaj./KP

  • Avokati Yll Zekaj ngre shqetësimin e madh, sulmet ndaj gazetarëve po rriten nga viti në vit

    Avokati Yll Zekaj ngre shqetësimin e madh, sulmet ndaj gazetarëve po rriten nga viti në vit

    Avokati i avokat i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Yll Zekaj, në një intervistë dhënë për emisionin DIREKT në ATV, ka ngritur një shqetësim të madh për sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë, duke thënë se këto sulme, po rriten nga viti në vit, transmeton atvlive.tv.

    Ai tha se sulmi ndaj gazetarit Valon Syla ishte sulm kundër lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, liri këto të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

    “Shteti i Kosovës nuk po e gjen forcën dhe mundësinë që t’i sigurojë këto liri që formalisht janë të garantuara me aktet më të larta juridike, por në praktikë shteti po dështon që t’i mbrojë gazetarët nga sulmet e një pas njëshme me të vetmin qëllim që është kryerja e punës së tuyre apo informimi i publikut rreth ngjarjeve që ndodhin në vend”, tha Zekaj.

    Sipas tij, jo vetëm ndaj gazetarit Syla, por sulme të një pas njëshme po ndodhin edhe ndaj gazetarëve të tjerë dhe kjo ekskluzivisht lidhet me profesionin që gazetarët e ushtrojnë.

    Zekaj tha se është shqetësuese fakti se numri i sulmeve ndaj gazetarëve po rritet nga viti në vit.

    “Ne, veç nëse e zbërthejmë në numra rastin e sulmeve ndaj gazetarëve, shohim që çdo vit kemi numër më të madh të rasteve të sulmit ndaj gazetarëve. Nëse bëjmë një krahasim ndër vite, në vitin 2020 kemi patur 24 raste të sulmit ndaj gazetarëve, në vitin 2021 me 29 raste, në vitin 2022 kemi përfunduar vitin me 33 raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Kjo po tregon që shteti i jonë nuk po arrinë të qesë para përgjegjësisë sulmuesit e me dënime adekuate do t’i jepin një përgjigje që gazetarët nuk guxojnë të preken gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, tha avokati Zekaj. /atvlive.tv

  • Kuleba: Paqe e vërtetë nënkupton rivendosje të kufijve të Ukrainës

    Kuleba: Paqe e vërtetë nënkupton rivendosje të kufijve të Ukrainës

    Të gjitha qytetet ukrainase dhe Krimeja duhet që sërish të jenë pjesë e Ukrainës dhe paqe të vërtetë mund të ketë pasi të rivendosen kufijtë e shtetit, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

    “Pa dallim… çdo qytet ukrainas, të gjithë duhet të jenë sërish pjesë e Ukrainës”, tha ai gjatë fjalimit përmes video-lidhjes në konferencën për sigurinë në Detin e Zi të mbajtur në Bukuresht.

    Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin. Ndërkaq, Moska kishte aneksuar paligjshëm gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe që atëherë kishte mbështetur grupe separatiste që luftonin me forcat qeveritare ukrainase në rajonin lindor të Donbasit.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht ka theksuar se territori i shtetit të tij nuk do të jetë subjekt i asnjë marrëveshjeje eventuale të paqes me Moskën.

    Që kur ka nisur lufta, shtetet perëndimore kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve ndaj entiteteve dhe individëve rusë që ndihmojnë makinerinë ushtarake të Moskës. Ndërkaq, shtetet e NATO-s dhe shtetet e tjera vazhdimisht dërgojnë ndihma ushtarake dhe ndihmë tjetër për Ukrainën, në mënyrë që ajo të mund të përballet me forcat ruse.

    Aktualisht, forcat e Moskës kanë përqendruar luftën e tyre në lindje të Ukrainës, përkatësisht luftime disamujore po zhvillohen për kontrollin e qytetit të Bahmutit, që gjendet në rajonin e Donjeckut.

    Pavarësisht se beteja për Bahmutin po konsiderohet si një prej më të ashprave që nga nisja e pushtimit, Ukraina ka thënë se situata në Bahmut është nën kontroll./REL/

  • Haradinaj i kërkon Osmanit e Kurtit t’i shtyjnë zgjedhjet në veri

    Haradinaj i kërkon Osmanit e Kurtit t’i shtyjnë zgjedhjet në veri

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria, presidentja dhe institucionet e vendit që të marrin një vendim lidhur me gjendjen në Veri.

    Ai shtoi se beson që ky vendim duhet të jetë shtyrja e zgjedhjeve.

    “Ne duhet të kemi guxim politik t’i trajtojme tëmat në të vërtetën e vet, së paku të mos fshihemi nga temat që i ka vendi përpara. Nuk besoj që përfiton Kosova nëse ne e heshtim gjendjen në veri të vendit. E dini se zgjedhjet e shpallura herën e parë nuk arritëm t’i mbajmë dhe poashtu e dini se procesi për të mbajtur zgjedhje tash në veri nuk është i qëndrueshëm. Mund të shtrohet pyetja pse jemi në këtë gjendje, kuptohet e dimë mirë agjednën e Serbisë dhe Listës Serbe kushtëzimet e tyre, por edhe presionet që i ushtrojnë mbi qytetarët e vendit në veri. Por a e dimë ne si Kosovë dhe a e din qeveria jonë rrugën deri te suksesi, mesa e shoh unë dhe me analizën dhe informatat që i kam gjendja e sotme nuk na dërgon te suksesi, procesi i tashëm i zgjedhjeve nuk na dërgon te suksesi”.

    “Mosshqyrtimi i kësaj gjendje me kujdes, mostrajtimi i kësaj gjendje me seriozitet dhe me aleatët tonë mund t’i thellojë pasojat për Kosovën në Veri. E cilat kishin me qenë këto pasoja, nëse Kosova qëndron në vendimin e vet për mbajtjen e zgjedhjeve dhe vjen dita e zgjedhjeve dhe qytetarët e veriut do të shkojnë të votojnë në stacione policore. Duhet t’i bëjmë analizë kësaj situate, a është në interesin tonë të arrijmë te kjo ditë, çka do të fitojmë në këtë ditë. Nuk besoj se duhet ta heshtim këtë gjendje, më mirë me pranua një çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër, sesa një humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve. Nuk e shoh cili është interesi ynë me vazhdua me mbajt Policinë e Kosovës në situatën çfarë janë atje dhe me insistua ose me harru që kemi përgjegjësi për situatën atje”.

    “Unë i bëj thirrje qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në Veri dhe ta marrin një vendim në lidhje me këtë situatë. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë që do të ishte shtyrja e zgjedhjeve. E di se plot prej jush mendoni me bindjen tuaja, analizën tuaj dhe keni argumente që i bazoni në të drejtën kushtetuese dhe ligjore, mirëpo mos harroni, terreni është pikënisja e suksesit. Nëse gjendjen në terren e ki çfarë e ki, atëherë mos e lejoni me shku ditën e fundit dhe pastaj me pranu humbjen. Është ma mirë me u ndal me kohë, me gjet një formulë më ec përpara sesa me vazhdu me fshehjen totale. Të vetmit që mbajnë sot kujdesin institucional atje janë njësitë policore, e katër prej tyre janë në burg. Mos lejoni me shku kësaj rruge”, tha Haradinaj.

  • Pasi aprovohet një material prove i mbrojtjes së Selimit, seanca kalon në private

    Pasi aprovohet një material prove i mbrojtjes së Selimit, seanca kalon në private

    Gjykatësi i Gjykatës Speciale Charles L. Smith ka aprovuar kërkesën e Geoffrey Roberts, avokatit të ish-kreut të UÇK-së, Rexhep Selimit, për shtimin e një materiali prove.

    Materiali është aprovuar në kohën kur dëshmitarja e parë e Prokurorisë Speciale për rastin “Thaçi dhe të tjerët” po intervistohet nga mbrojtja, e cila kërkoi 14-orë për parashtrimin e pyetjeve.

    Gjatë kohës sa dëshmitarja e parë e Prokurorisë po sillej në seancë, avokati Roberts ka parashtruar kërkesë për dy dokumente që t’i shtohen si materiale prove përgjatë periudhës së intervistimit.

    Kjo është aprovuar nga gjykata. Prokuroria nuk e ka kundërshtuar kërkesën, por thënë se janë disa pjesë në dokument që janë përsëritëse.

    Më pas, seanca ka kaluar në private.

    Dëshmitarja e parë e prokurorisë po shënon ditën e tretë të intervistimit. Për të janë paraparë katër ditë ofrim dëshmie.

    Avokati Roberts: Ndërkohë që po vjen dëshmitarja, dëshiroj që të paraqes si provë dhe të regjistrohet si provë kallëzimi penal që u diskutua dje me dëshmitaren. Është dokumenti me numër identifikimi ERN-066676 dhe 066696. Sërish, për qartësim, nuk ka të bëjë fare me vërtetësinë, por është thjesht një dokument janë deklaratat bashkëlidhur që kanë efektin mbështetës.

    Prokurori Holing: Nuk kemi kundërshtim, por thjesht ka pjesë që përsëriten të cilat kanë bëjnë me vërtetësinë e fakteve për të cilat i janë bërë pyetje dëshmitares.

  • Kuvendi mban një minutë heshtje për tetë të rinjtë e Istogut që ranë dëshmorë 24 vjet më parë

    Kuvendi mban një minutë heshtje për tetë të rinjtë e Istogut që ranë dëshmorë 24 vjet më parë

    Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një minutë heshtje për tetë të rinj që ranë dëshmorë 24 vjet më parë në një betejë të zhvilluar në Istog.

    Kërkesën e bëri deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

    “Meqë dje nuk u mbajt seancë, e kam një kërkesë. Dje 24 vjet më parë, tetë djem të rinj ranë dëshmorë në betejën në Istog. Ju ftoj për një minutë heshtje!”, tha Berisha.

  • ​Konjufca: Ka tendencë për destabilizim të veriut para zgjedhjeve të 23 prillit

    ​Konjufca: Ka tendencë për destabilizim të veriut para zgjedhjeve të 23 prillit

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ka tendencë të qartë që të destabilizohet veriu i Kosovës përpara zgjedhjeve të 23 prillit. Ai për KosovaPress ka theksuar se shtyrja e dytë e këtyre zgjedhjeve është e paarsyeshme. Sipas tij institucionet duhet të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre ligjore e kushtetuese.

    Kreu i legjislativit u ka bërë thirrje për qetësi të gjithë qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

    “Tash kemi nevojë për qetësi dhe ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në atë pjesë që të mos bien pre e veprimeve të cilat mendoj që dirigjohen, jo brenda Kosovës, por kryesisht në anën tjetër pra nga Serbia. Të segmenteve të caktuara, të strukturave të cilat ata ende synojnë t’i mirëmbajnë dhe financojnë, edhe të cilat mundohen, dhe qëllimi kryesor i të cilave është destabilizimi i Kosovës, zhvendosja jashtë orbitës së sigurisë së Kosovës, po sidomos në atë pjesë të territorit. Meqenëse edhe zgjedhjet po afrohen tash, pra pas dhjetë dite është data e zgjedhjeve, nuk janë të rastësishme të gjitha këto që po ndodhin, meqë është një tendencë e qartë që te destabilizohet ajo pjesë e vendit, përpara zgjedhjeve të 23 prillit. Me qëllim që të delegjitimohet i gjithë procesi, që edhe në anën tjetër të krijohet përshtypja e rrejshme por me mjete të dhunshme që pa Listën Serbe edhe pa këto struktura nuk ka qetësi dhe paqe në pjesën e veriut të Kosovës, ka deklaruar Konjufca për KosovaPress.

    Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të argumentojnë se në vend funksionon rendi, ligji dhe Kushtetuta.

    “Unë mendoj që Kosova i ka të gjitha kapacitetet e saj dhe gjithë mekanizmat e nevojshëm që të garantojë një situatë në te cilën qytetarët, të gjithë pa dallim etnie, që jetojnë në atë pjesë të territorit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre elementare, që është e drejta për të votuar. Edhe këtë të drejtë ta garantojnë institucionet të cilat janë kushtetuese, institucionale dhe shtetërore të Republikës së Kosovës. Jam plotësisht i bindur dhe besoj shumë që Kosova e ka këtë kapacitet, pa shkaktuar kurrfarë irritimi, pakënaqësie, rezistence me mjete të tjera, për arsye se nuk ka kurrfarë nevoje. Pra, data është caktuar moti, një herë pastaj është shtyrë. Mendoj që shtyrja e dytë do të ishte e paarsyeshme. Së pari çfarë duhet të bëjmë është që të sigurohemi se secili institucion po e kryen detyrën e vet sipas obligimeve kushtetuese. E pastaj kur i marrim rezultatet zgjedhore, atëherë do të shihet dhe do të hyjmë në një etapë tjetër. Por këtë etapë nuk mund ta paragjykojmë para 23 prillit”, ka shtuar ai.

    Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës./kp

  • 29 aktakuza 35 personave, për vepra të ndryshme penale

    29 aktakuza 35 personave, për vepra të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit ju njofton se nga prokuroritë themelore janë ngritur njëzetenëntë (29) aktakuza kundër tridhjetepesë (35) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tridhjetepesë (35) persona dhe janë paraqitur katër (4) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë (7) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar tre (3) persona.
    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar njëzetedy (22) persona dhe ka ngritur nëntë (9) aktakuza kundër pesëmbëdhjetë (15) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar, si dhe pranë gjykatës kompetente ka parashtruar dy (2) kërkesa për caktim të paraburgimit kundër dy (2) personave.

    Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër gjashtë (6) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një (1) person të dyshuar dhe ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit, në tri raste të ndara ka ndaluar tre (3) persona të dyshuar dhe ka ngritur tetë (8) aktakuza kundër tetë (8) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar dy (2) persona, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person, ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e paraburgimit për pesë (5) persona, si dhe ka ngritur dy (2) aktakuza kundër dy (2) personave, për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar dhe ka ngritur tre (3) aktakuza kundër tre (3) personave, për vepra të ndryshme penale.

  • I ofroi ryshfet Policisë së Kosovës, arrestohet shtetasi i Serbisë

    I ofroi ryshfet Policisë së Kosovës, arrestohet shtetasi i Serbisë

    Është arrestuar një shtetas i Serbisë, pasi i njëjti pas ndalimit nga njësiti policor, u ka ofruar 20 euro ryshfet.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se paratë janë konfiskuar, derisa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Magj. Gjilan-Prishtinë 12.04.2023-13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull serb shtetas i Serbisë, pasi që i njëjti pasi ishte ndalur nga njësiti policor, gjatë kontrollimit të dokumente, u ka ofruar 20 € ryshfet. Paratë janë konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.