ATV

Category: LAJME

  • Radev: Bullgaria kthen çështjen e integrimit Ballkanit Perëndimor në agjendën e BE-së

    Radev: Bullgaria kthen çështjen e integrimit Ballkanit Perëndimor në agjendën e BE-së

    Bullgaria ka rikthyer në fokus të agjendës së BE-së çështjen e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e Bullgarisë për pranimin në BE dhe zbatimin e reformave të nevojshme, tha të mërkurën presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev në një takim me Ministrin e Jashtëm boshnjak, Elmedin Konakoviç, i cili është në vizitë zyrtare në Sofje.

    Radev e përgëzoi Bosnjën dhe Hercegovinën për statusin e kandidatit në BE që iu dha dhjetorin e kaluar, si dhe për politikën e jashtme konstruktive dhe aktive që ka ndjekur.

    Kreu i shtetit shprehu gatishmërinë e Bullgarisë për thellimin e partneritetit në sektorin e sigurisë dhe mundësinë e trajnimit dhe edukimit ushtarak në kuadër të integrimit euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës dhe bashkëpunimit me NATO-n. Ministri Konakovic vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

    Ai e informoi presidentin Radev për ecurinë e vendit, hapat dhe reformat e ndërmarra në rrugën e integrimit evropian.

    Rumen Radev dhe ministri Konakovic theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në arritjen e prosperitetit dhe sigurisë në sfondin e krizave globale dhe evropiane, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në Ballkan.

    “Sa më shumë të ndërtojmë lidhjen tonë në çdo aspekt, aq më të përgatitura do të jenë vendet tona për sfidat me të cilat përballemi”, tha Radev.

    Në këtë drejtim, presidenti theksoi politikën aktive të Bullgarisë në sektorin e energjisë për zhvillimin e ndërlidhjes me vendet fqinje dhe rritjen e pavarësisë energjetike të rajonit.

    Në takim u diskutua edhe për perspektivat për thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, në sektorin e investimeve, turizmit, arsimit. Ministri Konakoviq ftoi presidentin Rumen Radev që në një të ardhme të afërt të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën./BTA

  • ​Çekia për herë të parë po punon në emërimin e një ambasadori në Kosovë

    ​Çekia për herë të parë po punon në emërimin e një ambasadori në Kosovë

    Republika e Çekisë e ka një ambasadë në Prishtinë por asnjëherë më parë, në 15 vitet e Pavarësisë së Kosovës, zyra nuk është drejtuar nga një diplomat çek me titull të plotë.

    Për herë të parë Praga zyrtare do të dërgojë një ambasador me të drejta të plota në Kosovë, shkruan mediumi çek Seznam Zprávy.

    “Presidenti është i gatshëm ta ndërmarrë këtë hap”, u përgjigj Eva Hromádková nga ekipi i komunikimit mediatik i presidentit, kur u pyet nëse Pavel do të emëronte një ambasador për Kosovën.

    Sipas informacioneve të mediumit çek, të mërkurën qeveria ka diskutuar emrin e ri të diplomatit që pritet të jetë ambasadori i parë në Prishtinë.

  • Shi në fundjavë? – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Shi në fundjavë? – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Dita e sotme në Kosovë do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 6 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimalja do të jetë në Ferizaj me 21 gradë Celsius.

    Ndërsa, dita e nesërme në vendin tonë do të jetë kryesisht me reshje të shiut, temperatura minimale do të jetë në Pejë me 3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimalja në Gjilan me 15 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Supremja vendos që KEDS të kompensojë konsumatorët – Vendimi u mor në mars, por u publikua vetëm pas kërkesës së ATV-së

    Supremja vendos që KEDS të kompensojë konsumatorët – Vendimi u mor në mars, por u publikua vetëm pas kërkesës së ATV-së

    Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin që detyron KEDS-in t’ua kthejë borxhin prej 40.8 milionë Eurosh konsumatorëve të 34 komunave, për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, në periudhën 2012-2017.

    Supremja nxori vendimin që obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji ta detyrojë KEDS-in të bëjë kompensimin, muajin e kaluar, kur rregullatori ende po shqyrtonte rritjen e tarifave të energjisë për 15%, që kap vlerën 50 milionë euro.

    Ndërsa, e publikoi vetëm sot, pas kërkesës nga ATV-ja.

    Me aktgjykimin e shkallës më të lartë, vërtetohet se ZRRE-ja jashtëligjshëm u vendosi qytetarëve të 34 komunave barrën për katër komunat në veri.

    ATV ka siguruar vendimin e Gjykatës Supremes, me të cilin e detyron KEDS-in që t’ua kthejë konsumatorëve 40.8 milionë euro, për faturimin shtesë prej 3.5% për në katër komunat më shumicë serbe në veri – në periudhën 2012-2017.

    KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së lidhur me vendimin e Supremes.

    Më 2017, me vendim të gjykatës ishte ndalur praktika e faturimit shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri.

    Po atë vit, ZRRE-ja vendosi që barrën për energjinë e pafaturuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ta bartë KOSTT-i. /atvlive.tv

  • Ministrja Nagavci: Kemi përmbushur rreth 24% të premtimit për çerdhet

    Ministrja Nagavci: Kemi përmbushur rreth 24% të premtimit për çerdhet

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci deklaroi sot se brenda dy vjetëve qeverisje kanë arritur të përmbushin rreth 24% të premtimit të tyre për ndërtimin e 160 çerdheve.

    Në një konferencë për medie, Nagavci bëri të ditur se krahas ndërtimit të çerdheve të reja dhe adaptimit të objekteve ekzistuese si ministri po punojnë edhe në ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara.

    Ministrja e Arsimit u shpreh që synojnë ndërtimin e çerdheve edhe në zonat rurale me qëllim që t’u ofrohet mundësi dhe qasje e barabartë në edukim të hershëm të gjithë fëmijëve.

    “Ne kemi premtuar ndërtimin e 160 çerdheve gjatë mandatit tonë qeverisës, ndërtimin e çerdheve e kemi fokusuar në tri drejtime kryesore, fillimisht ndërtimin e çerdheve të reja në vendet, ku kemi lokacionet e dorëzuara nga komunat dhe po ashtu të plotësuar me aspektet tjera. Jemi duke punuar edhe në adaptimin e objekteve ekzistuese për t’i shndërruar ato në çerdhe të reja dhe po fillojmë punën për ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara, si një model i ri i çerdheve”, theksoi ajo.

    Nagavci po ashtu deklaroi se deri tani kanë arritur të realizojnë 24% të premtimit të tyre sa i takon ndërtimit të çerdheve.

    Ndërsa, potencoi se deri tanë janë përfunduar katër objekte të reja dhe janë adaptuar pesë objekte ekzistuese.

    “Për dy vite qeverisje, kemi përfunduar katër çerdhe të reja, një një Prizren e cila është tërësisht ndërtim i ri në fshatin Vrellë, e cila ka qenë një ndërtim i ri në marrëveshjen me komunën, në Zhegër të Gjilanit kemi adaptuar një shkollë në çerdhe dhe në Çifllak të Vitisë kemi adoptuar po ashtu një shkollë në çerdhe dhe pas përfundimit të këtyre katër çerdheve i kemi në proces ndërtimin e 19 objekteve të reja për çerdhe prej tyre janë 14 çerdhe të reja dhe ato janë në Istog, Klinë, Suharekë, Komoran, Gllogoc, Prizren, Ferizaj, Pejë…Po ashtu, jemi në proces të adoptimit të 5 objekteve nga shkolla në kopshte dhe ato janë në Junik, Banjë Malishevë, Muzeqinë-Shtime, Babush-Ferizaj dhe Dobresh-Viti. Në planifkim e kemi edhe ndërtimin e 17 çerdheve të reja ndërkaq me projektet e IPA 2 të kontraktuara nga BE janë edhe çerdhet edhe në 6 komuna, Prishtinë, Obliqi,Skenderaj, Drenas, Pejë, Vitomiricë, Gjilan… Për dy vite qeverisje kemi realizuar diku rreth 24% të premtimit por ne synojmë dhe do të angazhohemi maksimalisht që mandati jonë të përfundoj me realizimin e plotë edhe të këtij premtimi ”, u shpreh ajo.

    Sa i takon modelit të ri të çerdheve të njohura si të parafabrikuara, ministrja Nagavci tha se tashmë kanë përgatitur shpalljen për kompanitë që do të bëjnë projektimin e këtyre lloj çerdhesh.

    Sipas saj, kohëzgjatja e ndërtimit të këtyre hapësirave është 4 deri në 6 muaj për finalizim, ndërsa kosto e ndërtimit do të varet nga madhësia.

    “Kemi finalizuar po ashtu edhe studimin e fizibilitetit për çerdhet e parafabrikuara modelet që janë trend në rritje gjithandej në botë dhe këto modele të çerdheve në kuadër të agjendës së gjelbër, shpëtimit të kohës së ndërtimit të tyre, ruajtjes së ambientit mundësojnë edhe sigurinë e fëmijëve dhe krijojnë hapësirë për komunat që edhe në vendet ekzistuese në afërsi të shkollave të mund të planifikojnë bashkë me ndërtimin e këtyre çerdheve. Studimi ka treguar se ekzistojnë mundësitë në Kosovë dhe rajon që të fusim në funksion çerdhet e parafabrikuara dhe ne këtë do ta realizojmë si një alternativë që i shtohet politikbërjes sonë për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e fëmijërisë së hershme…kemi përgatitur të gjithë dokumentacionin për shpalljen për angazhim për kompanin projektuese që do të bëjë projektimin për çerdhet e parafabrikuara i kemi dërguar në KRPP shpalljes dhe nëse jo sot unë pres që më së largu nesër e njëjta të jetë e shpallur në E-Prokurimin”, u shpreh ajo.

    Krahas krijimit të infrastrukturës fizike, ministrja Nagavci tha se edhe këtë vit kanë buxhetuar punësimin e stafit që do të punojnë në çerdhe.

    “Ne dhe këtë vit kemi buxhetuar dhe planifikuar punësimin e stafit që do të punoj në çerdhe përveç kësaj, ashtu siç e kemi bërë të ditur po punojmë edhe në rikualifikimin e stafit në mënyrë që ata që janë tepricë teknologjike të rikualifikohen për punët që mund të jenë të afërta me profesionin që e kanë përfunduar”, theksoi ajo.

    Krahas ndërtimit të çerdheve, sipas Nagavcit, si Ministri e Arsimit kanë bërë veprimet e tyre edhe në finalizimin e ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili ka kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

    Po ashtu, ministrja Nagavci njoftoi se shumë shpejt do të hapin tenderin edhe për ndërtimin e katër çerdheve të reja në Prizren, Deçan, Viti dhe Obiliq.

  • Nikaj: Gjendja në veri të Kosovës është e jashtëzakonshme

    Nikaj: Gjendja në veri të Kosovës është e jashtëzakonshme

    Sekretari i PDK-së dhe ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, në një intervistë dhënë në emisionin DIREKT në ATV, duke folur për zgjedhjet që do të mbahen në veri të vendit më datën 23 prill, ka thënë se këto zgjedhje po mbahen në një situatë e cila mbetet e jashtëzakonshme.

    “Ne si PDK kemi qenë ndër të parët që i kemi regjistruar kandidatët dhe kemi shprehur gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri, kurdo që ato të organizohen. Sa na përket neve si parti, vazhdojmë të jemi të përkushtuar për mbajtje të zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet për to. Kjo pjesa tjetër është ende e paqartë, por unë shpresoj që zgjedhjet do të mbahen me datën 23. Zgjedhjet do të jenë të lira edhe pse prapë se prapë, këto zgjedhje po mbahen në një situatë e cila mbetet e jashtëzakonshme”, tha Nikaj.

    Ai tha se ideja e mbajtjes së zgjedhjeve është që të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë komuniteteve që jetojnë në veri të vendit.

    “Medoemos edhe shtyrja e zgjedhjeve nga presidentja në dhjetor, për muajin prill është bërë që sigurohen zgjedhje të cilat janë jo vetëm ligjore, por edhe legjitime. Ne po hyjmë në një periudhë ku jemi afër zgjedhjeve dhe këtu po ka shumë paqartësi e posaçërisht kur ka shumë paqartësi sa i përket sigurisë së mbajtjes së zgjedhjeve, lokacionet e mbajtjes së tyre dhe mundësisë që kryetarët të votojnë të lirë dhe të papenguar”, tha Nikaj.

    Ai tha se ka kohë që PDK ka paralajmëruar institucionet që situata e sigurisë në veri po rrëshqet nga normaliteti.

    “Ka një kohë që kemi paralajmëruar dhe kemi tërhequr vërejtjen që situata e sigurisë në veri po rrëshqet nga normaliteti dhe po rrëshqet përtej kompetencave që i ka Policia e Kosovës dhe përtej kapaciteteve që policia mund t’i implementojë në veri. Kjo në vazhdimësi ka ndodh dhe tani jemi në një situatë ku është prerogativë edhe kushtetues edhe ligjor, por edhe demokratik i vendit tonë që zgjedhjet të mbahen, por duhet siguruar që ato të jenë të lira dhe demokratike në përputhje me traditën që e kemi pasur”, theksoi Nikaj. /atvlive.tv

  • Kastrati: Gjoba ndaj PSD-së ka qenë e qëllimshme

    Kastrati: Gjoba ndaj PSD-së ka qenë e qëllimshme

    Nënkryetari i PSD-së, Qendron Kastrati, gjatë një interviste në emisionin A23 në ATV, tha se dënimi që i është bërë kësaj partie nga AIP me një gjobë prej 20 mijë eurove, ka qenë i qëllimshëm, siç thotë ai, për ta mbytur zërin opozitar kundër Asociacionit.

    “Bëhet fjalë për aksionin simbolik që e kemi bërë para Qeverisë në oborrin e Qeverisë, duke i vendosur fletat e peticionit që kanë qenë peticion i organizuar atëherë nga Lëvizja Vetëvendosje kundër ‘Zajednicës’ ose Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky ka qenë një aksion simbolik, ndërsa sot PSD, duke pasur parasysh edhe qysh e ka gjendjen financiare dhe qysh është një parti që nuk ka shumë financa, ende nuk është e madhe, kjo tregon që është një qëllim së pari me e mbyt zërin kritik, me e mbytë zërin opozitar edhe në anën tjetër, duke e pasur parasysh që tash pritet, që e ka konfirmuar edhe kryeministri që ka me e bë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me u mundu me heshtë dikë që ta bëjë një gjë të tillë”, tha Kastrati.

    Ai tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), është e kapur nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Mos ta harrojmë se udhëheqja e këtij institucioni është bashkëshortja e një prej anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje që e ka promovuar Albin Kurti si ardhje, dhe nëse nuk gaboj ka qenë edhe kandidat në njërën prej zgjedhjeve”, tha Kastrati. /atvlive.tv

  • Begaj: Organizimi i zgjedhjeve të drejta, pjesë e aspiratës së Shqipërisë evropiane

    Begaj: Organizimi i zgjedhjeve të drejta, pjesë e aspiratës së Shqipërisë evropiane

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi sot se një proces zgjedhor i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar tërësisht në kushtetutë e ligj, është detyrim thelbësor ndaj vendit. Begaj potencoi se organizimi i zgjedhjeve lokale, të drejta, të lira dhe përmbushja e vullnetit të qytetarëve, janë pjesë e pandashme e aspiratës së Shqipërisë evropiane.

    Begaj, gjatë takimit me përfaqësues të institucioneve dhe strukturave të angazhuara në organizimin, administrimin dhe vlerësimin e procesit zgjedhor, përfaqësues të trupit diplomatik dhe OSBE- ODIHR u shpreh se proceset demokratike në Shqipëri janë ndërtuar dhe forcuar me kontributin e çdo bashkëqytetari të angazhuar brenda e jashtë vendit.

    “Institucionet që ju përfaqësoni, kanë përgjegjësinë e madhe të prezantimit, menaxhimit dhe performancës, të të gjithë procesit zgjedhor sipas standardeve demokratike. Miradministrimi i këtyre zgjedhjeve nga ana juaj, sipas përgjegjësive që ju ngarkon ligji, duhet të përmbushi këto standarde të pacenueshme, në mënyrë që këto zgjedhje të mos cilësohen thjesht si më të mira se sa ato të viteve të mëparshme. Është më se e natyrshme që partitë politike të përfshihen në fushatë elektorale me gjithë entuziazmin që përfaqësojnë ofertat politike, por ky nuk mund të jetë entuziazmi i asnjë aktori institucional përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Partitë politike duhet të paraqesin vetëm ofertën! Kjo ofertë duhet dhënë në mënyrë sa më të qartë dhe sa më transparente.”, u shpreh ai.

    Begaj potencoi se fenomenet e shit-blerjes së votës, prishja apo manipulimi i procesit zgjedhor janë të pa tolerueshme.

    Ai tha se institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë përballë çdo fenomeni që mund të cenojë procesin zgjedhor.

    “Sot, kuadri zgjedhor është më i plotë dhe instrumentet mbrojtëse janë më të avancuara. Fenomenet e shit-blerjes së votës, keqpërdorimit të burimeve financiare, financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike, prishja apo manipulimi i procesit zgjedhor janë të pa tolërueshme. Policia, si dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse duhet të reagojnë përballë çdo fenomeni që mund të cenojë procesin zgjedhor. Organizuesit dhe monitoruesit e zgjedhjeve, gjithashtu dhe të gjitha institucionet e përfshira në proces, duhet të punojnë me paanësi, e përgjegjshmëri.”, u shpreh ai.

    Presidenti Begaj u bëri thirrje të gjithë subjekteve të përfshira në fushatë elektorale, që të mos e konsiderojnë konkurrimin si mundësi të denigrimit të njëri-tjetrit, por të angazhohen në garë me idetë më inovative për përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

    Ai tha se organizimi i zgjedhjeve lokale, të drejta, të lira dhe përmbushja e vullnetit të qytetarëve janë pjesë e pandashme e aspiratës së Shqipërisë evropiane.

    “Etika e garës dhe e komunikimit duhet të rrezatojë qytetari, mirësjellje dhe respekt, jo negativitet armiqësi apo agresivitet; argumente dhe jo sharje; mundësi zgjedhjeje dhe jo kërcënime; respekt të ndërsjellë dhe jo armiqësi ndaj njëri-tjetrit. Kjo është fryma me të cilën duhet të zhvillohet një debat i natyrshëm publik përpara një procesi zgjedhor. Organizimi i zgjedhjeve të drejta, të lira, të ndershme dhe përmbushja e vullnetit të qytetarëve janë pjesë e pandashme e aspiratës së Shqipërisë evropiane, çka synon forcimin e besimit në institucionet e vendit dhe hedhjen e hapave të sigurt drejt anëtarësimit në BE. Për këto dy aspirata, këto zgjedhje kanë një rol vendimtar.”, nënvizoi ai.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u bëri thirrje qytetarëve, që në zgjedhje të ushtrojnë vullnetin e tyre, “të mirëinformuar dhe krejt të lirë”.

    Ai shtoi se zgjedhjet nuk janë të partive politike, por janë për qytetarët shqiptarë, për Shqipërinë.

    Zgjedhjet lokale në Shqipëri do të mbahen në muajin maj, ndërsa fushata zgjedhore do të nisë nesër.

  • ​PDK: Qeveria e emëroi dhe po e mban kundërligjshëm në detyrë Kryeinspektorin e Punës

    ​PDK: Qeveria e emëroi dhe po e mban kundërligjshëm në detyrë Kryeinspektorin e Punës

    Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se emërimi i Kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi, është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Sipas tij, nuk ka pasur fare konkurs publik për këtë pozitë.

    Në një konferencë për media të enjten, Gruda thotë se kjo ka të bëjë me një shkelje flagrante dhe të hapur të ligjit dhe vendimeve të gjykatave të Kosovës nga ana e Qeverisë.

    Sipas Grudës, këtë emërim të paligjshëm të kryeinspektorit e kishte konstatuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, (KPMSHC) përmes raportet të Monitorimit të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave.

    “Vitin e kaluar, Ministria e Financave i ka sugjeruar Qeverisë që të emërojë Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi. Ky vendim është bërë në mënyrë të kundërligjshme, sepse për këtë pozitë nuk ka pasur fare konkurs publik. Se ky emërim i Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, ishte i paligjshëm e kishte konstatuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, (KPMSHC) në një rast të monitorimit të jashtëzakonshëm që kishte bërë vitin e kaluar në të cilin është konstatuar se emërimi i kryeinspektorit nga ana e qeverise kishte qenë totalisht i paligjshëm”, thotë Gruda.

    Gruda thotë se përkundër këtij vendimi të Këshillit, Qeveria ka vazhduar të mos e largoj nga detyra Kryeinspektorin Nikçi, duke ju drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ai shtoi se edhe në Gjykatën Themelore, Qeveria e ka humbur rastin, pasi gjykata ka refuzuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të KPMSHC-së.

    “Pavarësisht këtij vendimi Ministria e Financave dhe qeveria nuk i është bindur, dhe nuk e ka tërhequr emërimin e Kryeinspektorit të Punës. Ata kanë ankuar këtë vendim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke këkruar vendosjen e masës së pezullimit të zbatimit të këtij vendimi. Gjykata e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tyre duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë”, thotë Gruda.

    Mes tjerash, Gruda thotë se Qeveria e Kosovës nuk e zbaton ligjin dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatave të Kosovës.

    “Përkundër se kanë kaluar muaj nga këto vendime, Qeveria e Kosovës vazhdon të mbajë në detyrë këtë person i cili është emëruar në mënyrë të paligjshme. Imagjinojeni, mban në pozitë, e cila supozohet që do duhej të ishte aty për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, dhe ky nuk është një gabim apo lëshim teknik e zyrave ligjore, por është i qëllimshëm. Pra, Qeveria e Kosovës nuk e zbaton ligjin dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatave të Kosovës. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës pas lufte që një Qeveri ta bëjë me vetëdije shkeljen e Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve gjyqësore. Partia Demokratike e fton prokurorinë e shteti të që të marr të gjitha veprimet e nevojshme që të sigurohet që këto vendime gjyqësore të ekzekutohen, nuk mund të vazhdojë të funksionojë ky sistem me të cilin as ligjet e vendimet gjyqësore nuk respektohen”, thotë mes tjerash Gruda.

    Pas konferencës, Gruda është pyetur edhe për qëndrimin e kësaj partie në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në veri, por i njëjti nuk është përgjigjur në këtë pyetje./KP

  • FSK-ja realizon ushtrimin fushor “Steel Live Alpha”

    FSK-ja realizon ushtrimin fushor “Steel Live Alpha”

    Me qëllim që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të jenë sa më të trajnuar në aspektin taktik, Kompania 2A e Regjimentit të dytë të Komandës së Forcave Tokësore ka realizuar ushtrimin fushor “Steel Live Alpha” në Aeroportin e Gjakovës dhe Babaj të Bokës duke praktikuar qitjen me municion real luftarak në nivel skuadre dhe togu.

    Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook.

    “Ushtarakët tanë çdo ditë e më të përgatitur për të bërë ballë çdo sfidë, e për triumfuar në çdo mision”, ka thënë Mehaj.