ATV

Category: Lajme

  • Escobar: Marrëveshja Kosovë-Serbi është historike, i paraprin normalizimit të marrëdhënieve

    Escobar: Marrëveshja Kosovë-Serbi është historike, i paraprin normalizimit të marrëdhënieve

    Zëvendës Ndihmës Sekretari e SHBA-ve për Çështjet Evropiane Gabriel Escobar, ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi është historike për marrëdhënie miqësore mes dy shteteve.

    Escobar ka thënë se kjo marrëveshje i paraprin normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.

    Në intervistën për Top Channel, Ecobar u shpreh se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal, ndaj sipas tij kjo është edhe një ndër arsyet e vizitës së tij në Tiranë.

    “Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim. Ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Europian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit”, ka deklaruar Escobar.

    Escobar ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër, nuk do të kishte ndodhur pa mbështeten e Maqedonisë së Veriut.

    Ai gjithashtu ka vlerësuar si të rëndësishme edhe mbështetjen e qeverive të Shqipërsië dhe Krocisë.

    “Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar”, ka thënë Escobar.

  • Kurti sot e pret Abazoviqin, do të nënshkruajnë një marrëveshje me rëndësi

    Kurti sot e pret Abazoviqin, do të nënshkruajnë një marrëveshje me rëndësi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të pres sot në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ku do të nënshkruajnë marrëveshjen për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.

    Kështu bëhet e ditur prej një komunikate për media të zyrës së kryeministrit.

    Takimi do të bëhet në ndërtesen e Qeverisë duke filluar nga ora 09:00, kurse mediat mund të marrin pjesë në fillim të takimit.

  • FBI arreston të dyshuarin për rrjedhjen e dokumentave të Pentagonit

    FBI arreston të dyshuarin për rrjedhjen e dokumentave të Pentagonit

    FBI ka arrestuar Jack Teixeira, të enjten në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara që janë postuar në internet, sipas një zyrtari amerikan të njohur me këtë çështje.

    Teixeira, 21 vjeç, është një anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore të Massachusetts. Arrestimi i tij vjen pas një kërkimi të shpejtë nga qeveria amerikane për identitetin e zbuluesit i cili postoi dokumente të klasifikuara në një platformë të mediave sociale të njohura me videolojtarët, shkruan CNN, transmeton klankosova.tv.

    Teixeira u identifikua për herë të parë nga The New York Times të enjten përpara arrestimit të tij si kreu i grupit ku u postua një tufë dokumentesh të klasifikuara.

  • Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

    Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se vetmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë nuk nënkupton Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

    Këto komente, Bislimi i bëri në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, duke iu referuar tekstit të marrëveshjes së Ohrit që flet për krijimin e një strukture vetmenaxhuese të komunitetit serb në Kosovë.

    “Kjo nuk nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse ende nuk dihet se si do të duket struktura e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ne tani e zbatojmë marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues, nuk zbatojmë qëndrime të politikanëve në Bruksel apo gjetkë jashtë Kosovës dhe marrëveshja bazike, si dhe aneksi implementues, kërkojnë që të dy palët të marrin obligime dhe zbatimit të ndjekë një sekuencim që nënkupton se nuk mundet njëra palë të marrë benefitet e marrëveshjes dhe pastaj të vendoset se në ç’masë dëshiron të kryejë pjesën e vet të obligimeve. Kjo nënkupton që edhe nëse fillojnë bisedimet për strukturën menaxhuese, apo të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, përderisa nuk ka gatishmëri nga pala serbe që ajo t’i zbatojë obligimet e marra, ky proces nuk mund të përfundojë suksesshëm sepse do të jetë e pamundur që pala kosovare të kryejë pjesën e vet të obligimeve për aq kohë sa zotëri Vuçiqi publikisht deklaron se nuk e sheh marrëveshjen në tërësi si obligative por si një lloj menyje ku ai mund të zgjedhë se cilat pjesë dëshiron t’i zbatojë e cilat jo”, u shpreh ai.

    Bislimi tha se grupi menaxhues për hartimin e statutit të asaj që njihet në opinionin si “Asociacion…” ekziston që nga 2013-ta.

    Ai shtoi se deri më tani ka pasur dy herë ndryshime në përbërjen e grupit menaxhues, teksa theksoi se i njëjti është dashur që të raportojë në baza të rregullta te Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por shton se raportet e fundit janë dërguar në fund të vitit 2018.

    Në bazë të kësaj, zëvendësi i kryeministrit Kurti tha se “rrjedhimisht ne nuk mund ta dimë se në ç’stad ndodhet puna e grupit menaxhues, por ata do të ftohen pas takimit të radhës në Bruksel për të prezantuar punën e tyre dhe në momentin e prezantimit pushon veprimtaria e tyre, pra nuk ekziston më grup menaxhimit, apo grup menaxhues, pas prezantimit të draftit, dhe pastaj gjithçka kalon në rrafshin politik”.

    Besnik Bislimi tha se drafti që ai grup do ta prezantojë, duhet t’i përmbushë pesë kritere.

    “Është shumë me rëndësi që drafti që ai grup prezanton do të vlerësohet në bazë të disa kritereve që sigurojnë që, për shembull, drafti i propozuar nuk bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; nuk bie në kundërshtim me marrëveshjen e 2013 dhe 2015; nuk nënkupton krijimin e një shtrese të re të qeverisjes në Kosovë; nuk nënkupton të drejta kolektive për komunitetin serb; është në harmoni me letrën e zonja Mogherinit ia ka dërguar ish-kryeministrit të Kosovës në vitin 2015 ku i shpreh qartazi se edhe për BE-në, ky lloj trupi i vetëmenaxhimit nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Për aq kohë sa drafti i prezantuar bie në kundërshtim me këto 5 kritere, me shumë gjasë ai duhet të shpallet si i papranueshëm dhe pastaj duhet të shikojmë për alternativat që mund të prezantohet, qoftë nga pala kosovare qoftë nga dikush tjetër. Kjo do të mbetet për t’u parë në takimin e radhës” në Bruksel, tha Bislimi.

  • A ka kaluar Behgjet Pacolli në PDK? – Flet Enver Hoxhaj

    A ka kaluar Behgjet Pacolli në PDK? – Flet Enver Hoxhaj

    Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në seancën e sotme ka ndryshuar karrigen në Kuvendin e Kosovës. Ai është ulur pranë deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Ky veprim i Pacollit nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat, ku në disa prej tyre edhe janë hedhur dyshime se ai mund t’i jetë bashkuar PDK-së, mirëpo asgjë nuk ishte e konfirmuar.

    Lidhur me këtë veprim të Pacollit ka folur deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.

    Ai në emisionin CONTEXT në ATV ka mohuar se Pacolli i është bashkuar PDK-së, ndërsa thotë se ka qenë vetëm një bisedë miqësore dhe asgjë më shumë.

    “Absolut jo. Unë dhe zotëri Reçica kemi komunikuar me të dhe i thamë a po vjen tek ne bisedojmë, me që baca Behgjet është me ramazan. Erdhi tek ne në tavolinë dhe biseduam, Mund ta kenë parë të tjerët, por biseda ka qenë miqësore”, tha Hoxhaj. /atvlive.tv

  • Vuçiq thirrje serbëve: Mos dilni në votime

    Vuçiq thirrje serbëve: Mos dilni në votime

    Pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat veriore të vendit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve që jetojnë në Kosovë, që të mos dalin në votime.

    Pas takimit në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Vuçiq tha se parakusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Madje, asociacionin e konsideron si kusht edhe për shumë gjëra të tjera, përfshirë edhe dialogun.

    “Nuk u shkon mendja ta formojnë Asociacionin. Dhe pastaj ata thanë, kanë thënë prej javësh, se do të më konsideronin fajtor nëse zgjedhjet do të prisheshin. Ju lutem, imagjinoni, është e rëndësishme që njerëzit ta dinë, sepse jam i sigurt se as disa ministra nuk e dinë. A e dini se kush ka aplikuar për zgjedhje? Aplikoi Vetëvendosja, PDK-ja në Mitrovicë. Pra partia e Thaçit dhe ajo e Kurtit. Dhe tani, në bazë të 4% të tyre, sa prej tyre jetojnë në veri të
    Duke thënë se serbët bëjnë përpjekje për paqe e normalizim të marrëdhënieve, ai u bëri thirrje serbëve që të jenë të bashkuar, në kundërshtimin e institucioneve kosovare.

    Duke paraqitur pesë konkluzat e takimit, Vuçiq u bëri me dije serbëve që për Kosovën do të ankohet edhe te Bashkësia Ndërkombëtare. Sipas tij, Kosova duhet ta ndërpresë shkeljen e marrëveshjes për targat dhe të mundësojnë lëvizjen e papenguar të serbëve.

    Në mesin e konkluzave të nxjerra, Vuçiq përmend edhe tërheqjen e njësisë speciale nga veriu.

    “Nuk kërkojmë asgjë më shumë se Prishtina, pa vonesë, të veprojë në përputhje me marrëveshjet në dialog, si dhe me të gjitha dokumentet e tjera relevante të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ekipi negociator serb autorizohet që në përputhje me të drejtat që i janë garantuar palës serbe në marrëveshjet e deritashme për targat, të bëjë përpjekje shtesë për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për këtë çështje”, tha Vuçiq.

    Teksa dëgjoi hallet e serbëve, presidenti Vuçiq u garantoi edhe ndihma atyre. Sipas tij, si masë ndihmëse për komunitetin serb në Kosovë, qeveria e Serbisë do të ndajë nga buxheti i saj plot 28 milionë euro. /atvlive.tv

  • Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi, në një lidhje direkte në emisionin DIREKT në ATV, tha se vendimi i Gjykatës Supreme që KEDS të kompensojë konsumatorët, duke ua kthyer borxhin prej rreth 41 milionë eurosh për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë e Kosovës, transmeton atvlive.tv.

    “Ky vendim do ta nxisë një reagim tjetër sepse KEDS në këtë rast duhet t’i gjejë paratë dikah për t’i kthyer te qytetarët, ose për t’i kompensuar ata dhe këtu varet kryesisht nga vendimi të cilin do ta marrë Qeveria, në fakt me hapat e mëtejshëm me KEDS sepse këto para duhet të vijnë dikah. Një situatë e tillë e krijuar tani pretendon që ato mjete duhet të kthehen te qytetarët, duhet të kompensohen nga KEDS. Kjo i bie që KEDS të nxerrë nga kuleta e saj 41 milionë euro që do të regjistrohen si humbje për KEDS-in dhe nuk e di se sa do të jenë të gatshëm ata ta zbatojnë një gjë të tillë, përkundër faktit se vendimi i Supremes është vendim i prerë”, tha Azemi.

    Ai tha se vendimi i Gjykatës Supreme është i prerë, i cili duhet të zbatohet, ndërsa KEDS tani gjendet në një situatë të vështirë pasi që rrezikon falimentimin.

    “Kjo do e implikojë Qeverinë e Kosovës medoemos për të diskutuar, analizuar veprimet e mëtejshme sepse një vendim i Supremes duhet në fund të ditës të zbatohet dhe qytetarët duhet të kompensohen ashtu siç e ka dhënë verdiktin Supremja, por se nga do të vijnë këto mjete, nga do të vijnë këto para, ajo mbetet tash të shihet në KEDS dhe Qeverinë e Kosovës. Kjo mund edhe ta falimentojë kompaninë që është një situatë e re e krijuar dhe mund të jetë e tillë, por varet se çfarë disponimi do të ketë Qeveria e Kosovës”, tha Azemi.

    Kujtojmë se Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin që detyron KEDS-in t’ua kthejë borxhin prej 40.8 milionë Eurosh konsumatorëve të 34 komunave, për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, në periudhën 2012-2017.

    Supremja nxori vendimin që obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji ta detyrojë KEDS-in të bëjë kompensimin, muajin e kaluar, kur rregullatori ende po shqyrtonte rritjen e tarifave të energjisë për 15%, që kap vlerën 50 milionë euro.

    Ndërsa, e publikoi vetëm sot, pas kërkesës nga ATV-ja.

    KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së lidhur me vendimin e Supremes.

    Më 2017, me vendim të gjykatës ishte ndalur praktika e faturimit shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri.

    Po atë vit, ZRRE-ja vendosi që barrën për energjinë e pafaturuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ta bartë KOSTT-i. /atvlive.tv

  • “Problematikët e vegjël” të fshatit Magure

    “Problematikët e vegjël” të fshatit Magure

    Përmes kësaj dritareje, 7 të mitur u futën në shkollën “Haradin Bajrami”, në fshatin Magure, ku edhe vodhën mjete pune në vlerë 800 euro.

    Por para se të futen brenda ata thyen disa prej kamerave, përveç njërës që i kapi teksa ndihmonin njëri-tjetrin për t’u ngjitur në dritare.

    Drejtori i kësaj shkolle, Shaip Fazliu, thotë se në shkollën e re morën lëndë djegëse, të cilat më vonë i përdorën për t’ia vënë flakën shkollës së vjetër.

    “Më ka njoftu policia që po kallet edhe shkolla e vjetër, e duhet me ardh me kqyr vendin e ngjarjes. Shkova e kqyra, e kishin sanu. Kanë marrë në shkollë të re naftë, benzinë, brusalicë, ngjyrë, që ka qenë rezervë për shkollën. Pasi e kanë marr materialin e kanë ba ndezjen e ngjyrës e ka tentu me u kallë edhe shkolla e re”, tha drejtori i shkollës, Shaip Fazliu.

    Sejdi Qarraj, i cili para shumë vitesh e kishte kryer mësimet në këtë shkollë, thotë se u ndje keq kur dëgjoi që i është vënë flaka asaj.

    “Masi s’kom kajt me lot, kom kajt me zemër çka I kanë maru kësaj shkolle. Mu nuk po më doket kjo e hjeshme që e kanë bo, po kush e ka bo nuk po mujmë me ditë. Janë oraganet e rendit që ata mujn me ruajt kapak e me këqyr pak”, tha Sejdi Qarraj, banor.

    “Është një gjest shumë i pa moralshëm, edhe organet duhet me njek”, tha Milazim Elshani, banor.

    Ndërkaq, sipas banorëve rastet e djegieve të objekteve të vjetra në këtë fshat nuk janë të rralla. Sipas tyre, muaj më par u dogj edhe Xhamia e fshatit.
    Policia ka njoftuar se ka arrestuar 7 të dyshuarit për vjedhje, pesë prej të cilëve dyshohen edhe se kanë kryer zjarrvënien, për të cilin është iniciuar rast i veçantë.

    Me vendim të prokurorit, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 24 orë. /atvlive.tv

  • Kamenica me kontrolle mjekësore online

    Kamenica me kontrolle mjekësore online

    Në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në fshatin Roganë të Kamenicës, nga ora 22:00-08:00, pacientët së shpejti do të marrin shërbime mjekësore online.

    Mjeku familjar, përmes video-lidhjes ose telefonit, do të vendosë për terapinë e pacientit nga distanca.

    Gjatë kësaj kohe ai do të punojë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku do të merret direkt me rastet e tjera.

    Kjo mënyrë e ofrimit të shërbimeve online, sipas kryetarit të Komunës, Kadri Rahimaj, është gjetje për të funksionuar me numër të vogël të mjekëve familjarë.

    “Aktualisht në QMF në Rogan punon 24 orë, pengesa më e madhe pjesa e orarit të punës e me këtë orar osht vështirë me ofru shërbime gjatë natës për shkak të numrit të ulët të mjekëve. Alternativa e klinikave digjitale, komunikimi i drejtpërdrejt me mjekun online kështu do të bëhet vlerësimi virtual i parametrave për pacientë. Më thjeshte pacienti ka me ul n’karrike do të jetë ne kontakte virtuale me mjekun dhe përmes kësaj mënyre mjeku vendos se çka ka pacienti, prezent janë dmth 2 infermiere, mjeku ka me kanë në QKMF kryesore tu punu fizikisht po edhe kudo qoftë ai ka me dhënë diagnozën përmes thirrjes online”, tha kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj.

    Me këtë plan, ai thotë se janë pajtuar edhe mjekët.

    “Mjekët janë pajtu krejt me këtë strategji që e kemi në plan”, tha Rahimaj.

    Megjithatë, sipas Rabit Dermakut, specialist i mjekësisë familjare, i cili punon në këtë qendër, një formë e tillë e ofrimit të shërbimeve mjekësore është e papranueshme.

    “Nuk m’ka pëlqye si ide, ndodh që mjeku është i zont me raste të tjera, ose nuk është hiq ne QKMF. Bile na kemi urdhëresë që infermierët mos me ofru shërbime mjekësore pa prezencë të mjekut, kryetari ka ra në kundërshtim me veten”, tha Dermaku”, tha Dermaku.

    Ofrimin e trajtimeve mjekësore në këtë mënyrë, po e kundërshtojnë edhe banorët e fshatit.

    “Kontrolla online nuk është aspak efektive shumë ma mirë me kon mjeku fizikisht, edhe valla s’jena shoqni për kësi teknologji të reja”, tha Baki Krasniqi, banor.

    “Nuk mendoj që është ide e mirë aspak për me funksionu shërbimet pa prezencë të mjekut”, tha Fitim Kastrati, pacient.

    As opozita në këtë komunë nuk është pajtuar me këtë strategji.

    “Këtë mënyrë të strategjisë nuk e pranojmë aspak, ideja e kryetarit me ekspertin është e kotë, nuk është normale me u punu pas orës 22:00 në formë online”, tha Egzona Isufi nga dega e LDK-së në Kamenicë.

    Në këtë qendër, shërbime mjekësore marrin banorët e 8 fshatrave të Kamenicës, dhe të 2 fshatrave të Luginës së Preshevës.

    Ndërkaq, gjatë vitit 2022, në të janë ofruar mbi 24 mijë shërbime mjekësore. /atvlive.tv

  • Klinasit nuk heqin dorë, protestojnë para Qeverisë

    Klinasit nuk heqin dorë, protestojnë para Qeverisë

    Fadil Morina e ka lënë në gjysmë riparimin e biçikletave për t’iu bashkuar protestës së bashkëfshatarëve sot në kryeqytet, në kundërshtim të devijimit të autostradës Prishtinë-Pejë.

    “Ne mbesim pa punë për këtë arsye kam dalur. Për djalin kam paguar gjashtë mijë euro në të zezën e kam qit jashtë, nëse vie puna duhet të dalë edhe vet nuk kam zgjidhje tjetër”, tha Fadil Morina, banor.

    Ashtu si Fadili, banorët e ndërmarrësit e fshatrave Gllarevë të Klinës dhe tre fshatrave të tjerë përreth, po frikohen se bizneset e tyre do të shuhen me ndryshimin e trasesë së autostradës.

    “Nuk do ndalemi së protestuari nëse devijon rruga un do i dorëzoj qelsat e biznesit tek qeveria dhe do iki në perëndim…protestat tjera do jenë më të dhunshme, do i bllokojmë rrugët”, tha Zahir Salihaj, biznesmen.

    “Ne që i kemi bizneset aty nuk dijmë si t’ja bëjmë pos t’i marrim familjarët e ta lëshojmë vendin. Ai që e ka bërë këtë projekt është kriminel”, tha Zenel Balaj, biznesmen.

    Pas insistimeve të shumta, përfaqësuesit e protestuesve arritën të takoheshin me sekretarin e kryeministrit, mirëpo ky takim nuk rezultoi me ndonjë sukses.
    “Biseduam me sekretarin e kryeministrit, Arben Krasniqi, mirëpo një çudi e madhe është se sekretari nuk kishte informacione për këtë projekt të rrugës”, tha përfaqësuesi i protestuesve, Sheremet Pantina.

    Andaj, nga Qeveria ata u nisën drejt Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ku u takuan me zëvendësministrin e këtij dikasteri, Hysen Durmishi.

    Nga aty dolën me shpresë.

    “Na është dhënë një premtim që projekti momentalisht është i ndalur dhe do takohet personalisht me qytetarët që në vendin e ngjarjes dhe do bisedoj edhe me bizneset. Kjo është një shpresë dhe si do vijojnë ngjarjet mbetet të shihet në të ardhmen”, tha Pantina.

    Ndërkaq, kjo është hera e katërt që banorët e ndërmarrësit e fshatrave të komunës së Klinës, nga do të kalojë autostrada Prishtinë – Pejë, protestojnë në kundërshtim të devijimit të projektit. /atvlive.tv