ATV

Category: Lajme

  • Avokati i Popullit: Qasje jo e duhur në raport me shëndetin seksual dhe riprodhues

    Avokati i Popullit: Qasje jo e duhur në raport me shëndetin seksual dhe riprodhues

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se në Kosovë vazhdon të ketë qasje jo të duhur në raport me shëndetin seksual dhe riprodhues. Ai ka theksuar se ka ende paragjykime, deri të mohimi që të debatohet për këtë çështje. Qelaj ka folur në prezantimin e raportit të mbi të drejtat në shëndetin seksual i cili ka nxjerrë edhe disa rekomandime për të cilat ai u ka bërë thirrje institucioneve që t’i zbatojnë.

    Raporti është rezultat i një hetimi të thelluar për të drejtat në shëndet seksual dhe riprodhues.

    Hulumtimi ndër të tjera ka pasur në fokus qasjen në abort, kujdes pas aborti dhe si kujdesin për shëndetin e nënës.

    E sipas Avokatit të Popullit, gjetjet kanë treguar që situata është shqetësuese sa i përket anashkalimit të shëndetit riprodhues dhe seksual.

    “Gjetjet e raportit kanë treguar se situata është shqetësuese në disa sektorë në lënien pas dore të shëndetit riprodhues dhe seksual, sidomos në drejtim të qasjes, të vetëdijesim, të ofrimit të shërbimeve, trajtimit pa diskriminim por edhe të nivelit ose të përgatitjes, ose profesionalizmit të ofrimit të shërbimeve që në raste të caktuara mungojnë. Prandaj kjo pasqyron neglizhencën, mungesën në disa raste të vullnetit institucional për me investu në këtë sektor duke marrë parasysh rëndësinë që ka kjo thirrje e Avokatit të Popullit që në këtë drejtim autoritetet me qenë më të kujdesshme”, ka thënë Qelaj.

    Qelaj ka kërkuar nga institucionet që të zbatojnë detyrimet dhe përgjegjësitë që u takojnë sipas ligjit në mënyrë që të ofrohet qasje e cila garanton trajtim me dinjitet, mos-diskriminim dhe profesionalizëm në shërbimet në shëndetin riprodhues dhe seksual.

    “Ajo çfarë vërehet në shoqërinë tonë është që vazhdon të ketë qasje jo pragmatike dhe jo të duhur në raport me shëndetin seksual dhe riprodhues, gjë që u pa edhe në krejt debatet e kohëve të fundit që u zhvilluan qoftë në Parlament të Kosovës qoftë edhe në kuadër të platformave të komunikimit publik, u vërejt se edhe më tej ka paragjykime kjo çështje konsiderohet tabu dhe ka koncepte paragjykimi deri të mohimi të debatohet për këtë çështje që konsideroj është një situatë që ne duhet me tejkalu domosdoshmërisht me angazhim të përgjithshëm”, ka thënë Qelaj.

    Në anën tjetër, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka thënë se do të hartojnë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve nga Avokati i Popullit.

    “Me qëllim të adresimit të rekomandimeve nga institucioni i Avokatit të Popullit, Ministria e Shëndetësisë e ka të themeluar grupin punues për hartimin e planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve dhe në vazhdimësi është marrë dhe do të merret me adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve që dalin nga institucioni i avokatit të popullit. Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar raporte të rregullta sipas kërkesës së institucionit të avokatit të popullit, andaj edhe këtë raport e mirëpresim dhe tani kemi filluar adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve nga ky hetim”, ka thënë ajo.

    Ndërsa Visare Mujku-Nimani ka theksuar se UNFPA do të vazhdojë përkrahjen për të siguruar që të gjithë të marrin shërbimet cilësore.

    “Ne, UNFPA do të vazhdojmë të ofrojmë përkrahjen tonë për të siguruar që asnjë grua, vajza, djalë apo burrë të mos mbetët pa marrë shërbime cilësore atëherë kur ka nevojë, që asnjë nënë të mos e humb jetën për shkak të shtatzënisë si dhe asnjë i ri të mos paragjykohet nëse kërkon shërbime të planifikimit familjar”, ka thënë ajo.

    Gjatë prezantimit të raportit, zëvendësavokatja e popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, ka bërë të ditur se hulumtimi është bërë në bazë të dëshmive të marra direkt nga gratë dhe vajzat që janë marrëse të shërbimeve shëndetësore si dhe nga ofruesit e këtyre shërbimeve.

    Kjo sipas saj është bërë me qëllim që të kuptohet përvoja e qytetarëve mbi kualitetin shërbimeve në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues.

    “Sistemi shëndetësor ligjërisht përcaktohet si sistem unik me tri nivele të kujdesit shëndetësor që rregullohet, mbikëqyret dhe kontrollohet nga Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë, realiteti tregon se çalon rregullimi, çalon mbikëqyrja dhe çalon kontrolli, anomali në funksionim dhe mungesë në koordinim edhe në planifikim. Nuk është shumë e lehtë me thënë kaq direkt por të gjithë përveç që jemi përfaqësues të institucioneve, organizatave, jemi edhe qytetarë të këtij vendi, shumica prej nesh besoj kërkojmë shërbime në këto institucione dhe të gjithë i njohim praktikisht vështirësitë që ekzistojnë në sistem, i shohim i prekim dhe paramendoni përtej nesh gratë dhe vajzat mund të mos jenë në dijeninë e mjaftueshme kur shkojnë dhe drejtohen apo nuk dinë ku të drejtohen sa u përket çështjeve të ndjeshëm sikur shëndetësi seksual dhe riprodhues”, ka thënë ajo.

  • Ministri Sveçla: MPB-ja dhe policia janë në mbështetje të KQZ-së për zgjedhjet në veri

    Ministri Sveçla: MPB-ja dhe policia janë në mbështetje të KQZ-së për zgjedhjet në veri

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë raportimit në në Komisionin për Integrime Evropiane ka thënën se sa i takon çështjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore, Policia e Kosovës por edhe gjithë MPB-ja është në dispozicion të KQZ-së, në mënyrë siç theksoi ai që zgjedhjet e 23 prillit të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm.

    “Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë dhe të sigurt, qoftë për organizatorët, po ashtu edhe për vetë qytetarët atje. MPB-ja është në dispozicion të KQZ-së, në mënyrë që zgjedhjet të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm”, theksoi ai.

    Derisa shtoi se janë çështje e vendimeve politike të subjekteve të caktuara, të cilat duan apo nuk jo të marrin pjesë në zgjedhje.

    “Me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor ashtu siç është më së miri dhe unë jam i bindur se gjithë ky proces do të përfundoj i qetë, i suksesshëm duke i tejkaluar edhe problemet që i përmenda”, tha ai gjatë raportimit në komisionin parlamentar.

  • 59-vjeçari në Prizren tenton ta vrasë vajzën e tij, gjuan tri herë me armë drejt saj

    59-vjeçari në Prizren tenton ta vrasë vajzën e tij, gjuan tri herë me armë drejt saj

    Mëngjesin e sotëm, në fshatin Randobravë të Prizrenit, një person i dyshuar (N.H. 59-vjeç), pas një konflikti verbal me familjarët e tij, ka nxjerr armën e zjarrit- pistoletën dhe ka shtënë tri here në drejtim të vajzës së tij (A.H. 31-vjeçe).

    Djali i të dyshuarit ka arrit që me forcë të ia merr armën nga dora babait të tij dhe i dyshuari është larguar nga shtëpia.

    I dyshuari fillimisht nëpërmes telefonit ka raportuar policin se e ka gjuajtur në drejtim të vajzës së tij dhe se nuk e din a e ka vrarë apo jo dhe në ndërkohe është vetë dorëzuar në Stacionin Policor Prizren.

    Patrullat policore bashkë me emergjencën janë nis menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes.

    Por në ndërkohë në Stacioni Policor Prizren veri kanë arrit dy viktimat (motër e vëlla) të cilët e kanë dorëzuar armë gjithashtu. Asnjë person nuk ishte vrarë apo lënduar.

    Nga Policia është bërë këqyrja e vendi të ngjarjes, mbledhje e provave dhe dëshmive dhe intervistimi i të dyshuarit dhe viktimave.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë./IndeksOnline/

  • Zgjedhja e presidentit të ri – Abazoviq: Mali i Zi nuk do të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës

    Zgjedhja e presidentit të ri – Abazoviq: Mali i Zi nuk do të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë sot se kanë raportet të shkëlqyera me Kosovën.

    Abazoviq në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, u deklarua se qasja e Malit të Zi ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, pavarësisht se atje kanë ndodhur disa procese politike.

    “Mali i Zi dhe Kosova janë duke dhënë shembull se si funksionojnë dy shtete fqinje. Jemi në rrugë të duhur që të bëjmë disa projekte që do t’i quaja historike. Ideja jonë është me kriju qasje më të lehtë për dy popujt e vendeve tona. Na vijmë me një mesazh paqësor, miqësor edhe në të ardhmen do të kemi një atmosferë ku do të japim shembull. Në Mal të Zi kanë ndodhë disa procese politike, por kjo nuk do të ndryshon qasjen ndaj Kosovës. Ne jemi të gatshëm me kapacitetet tona të përkrahim Kosovën”, tha ai.

    Gjithashtu, ai shtoi se “ardhmërinë tonë e shohim në Bashkimin Evropian, edhe Kosova edhe Mali i Zi kanë treguar që me drejtësinë e tyre kundër korrupsionit kanë pasur shumë sukses”.

    Abazoviq në fund të konferencës ftoi kryeministrin Kurti për një vizitë në Podgoricë.

    Kryeministri i vendit Albin Kurti se bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq kanë nënshkruar sot marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

  • Kurti: Forcimi i aleancës trans-atlantike është qëllimi i Kosovës për bashkëpunim rajonal

    Kurti: Forcimi i aleancës trans-atlantike është qëllimi i Kosovës për bashkëpunim rajonal

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rregullat e Bashkimit Evropian dhe forcimi i aleancës trans-atlantike janë qëllimi dhe qëndrimi i Kosovës për bashkëpunim rajonal.

    Në konferencën e përbashkët për medie me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Kurti tha se dy vendet duhet të punojnë për promovim të paqes dhe sigurisë në rajon.

    Në anën tjetër, Abazoviq, tha se Mali i Zi nuk do të ketë asnjë ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës, përkundër ndryshimeve politike atje.

  • Digjen tri vetura në Pasjak të Novobërdës

    Digjen tri vetura në Pasjak të Novobërdës

    Policia e Kosova ka njoftuar se tri vetura janë përfshirë nga zjarri, në rrethana të panjohura, në fshatin Pasjak të Novobërdës.

    Raportohet se rasti ka ndodhur mëngjesin e së enjtes.

    “Pasjak, Novobërdë, 13.04.2023 – 04:50. Dy ankuesit meshkuj kosovarë kanë raportuar se në rrethana të panjohura nga zjarri u janë përfshirë tre vetura. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • ​Zjarr në lagjen “Ulpiana”, nuk ka të lënduar

    ​Zjarr në lagjen “Ulpiana”, nuk ka të lënduar

    Mëngjesin e sotëm (e premte) zjarri përfshiu në hyrje të një banese shumëkatëshe në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

    Policia në Prishtinë tha se zjarri është lokalizuar dhe nuk ka pasur të lënduar.

    “Sot rreth orës 08:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në afërsi të një objekti, në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Zjarri është lokalizuar, është raportuar vetëm për dëme materiale”, tha zëdhënësja e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti.

    Aktualisht hetimet po vijojnë për të kuptuar më shumë mbi shkaqet e këtij zjarri.

    KosovaPress ka tentuar të kuptojë më shumë për ngjarjen edhe përmes Zjarrfikësve në Prishtinë, por të njëjtit, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë qenë të qasshëm.

  • Arrestohet një 21-vjecar në Ferizaj, i dyshuar për disa vjedhje

    Arrestohet një 21-vjecar në Ferizaj, i dyshuar për disa vjedhje

    Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar një 21-vjeçar të dyshuar për disa vjedhje dhe tentim vjedhje. I dyshuari ndodhet në mbajtje ndërsa automjetet e vjedhura tashmë u janë kthyer pronarëve.

    Raportohet se i dyshuari me inicialet M.E kishte tentuar të kryejë disa vjedhje edhe në shtëpi banimi.

    “Me datën 04.04.2023 në rrugën ‘’ Isa Boletini’’ është vjedhur një veturë pikap; me datën 04.04.2023 në rrugën ‘’Rexhep Bislimi’’ është vjedhur një veturë e tipit Passat; me datën 11.04.2023; në rrugën ‘’Daut Dauti’’ është vjedhur një kamionet e tipit Mercedes; me datën 11.04.2023 në rrugën ‘’Rexhep Bislimi’’ është tentuar të vjedhet në një shtëpi banimi; me datën 11.04.2023 në rrugën ‘’Riza Goga’’ është tentuar të vjedhet në një shtëpi banimi dhe të vjedhet një veturë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas Policisë, i dyshuari është identifikuar pas mbledhjes së informacioneve si dhe shikimit të kamerave të sigurisë.

    “I dyshuari M.E është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit të tij nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa automjetet e vjedhura pas përfundimit të procedurave u janë kthyer pronarëve”, ka bërë të ditur Policia.

  • Kryeministri Kurti nderon viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Kryeministri Kurti nderon viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Në Ditën Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shpallur këtë vit nga Qeveria, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Me homazhe te memoriali Heroinat, Kryeministri Kurti përkujtoi viktimat e dhunës seksuale, të cilat nuk janë më në mesin tonë, si dhe nderoi të mbijetuarat e të mbijetuarit për forcën e tyre të pashembullt.

    Kryeministri Kurti, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vendosi lule para memorialit, i cili përkujton mijëra gra dhe vajza, burra dhe djem, viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, që është përdorur si armë lufte nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.

    Në homazhe morën pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci drejtuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës në Kosovë, Leonora Selmani, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.

    Në mbledhjen e 138-të, të mbajtur më 12 prill 2023, Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkërendim me Presidenten e Republikës së Kosovës, ka shpallur datën 14 prill si Ditë Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

  • KQZ-ja publikoi raportet financiare të partive politike për vitin 2022

    KQZ-ja publikoi raportet financiare të partive politike për vitin 2022

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike të vitit 2022.

    “Duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin sqarues: “Këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”. Pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorët e jashtëm, raportet e audituara do të publikohen në të njëjtën hapësirë në ueb faqen e KQZ-së”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    KQZ-ja ka publikuar raportet financiare për 51 subjekte politike, përfshirë edhe partitë e mëdha në vend.