ATV

Category: Lajme

  • Hovenier: Pozicioni i ShBA-së për zgjedhjet nuk ka ndryshuar

    Hovenier: Pozicioni i ShBA-së për zgjedhjet nuk ka ndryshuar

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se qëndrimi amerikan është i qartë dhe nuk ka ndryshuar lidhur me procesin zgjedhor në veri të Kosovës.

    Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Hovenier ka rikujtuar se në pajtueshmëri me predispozitat ligjore, Kosova do të mbajë më 23 prill zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvende komunale në katër komunat e banuara me shumicë serbe, në veri të vendit.

    Duke u bërë thirrje të gjithë kandidatëve nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë “në këtë proces demokratik”, ambasadori amerikan Hovenier ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.

    “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do ta vëzhgojnë këtë proces nga afër”, ka thënë zoti Hovenier, duke kërkuar njëkohësisht nga Qeveria e Kosovës të dëshmojë ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

    Për këta të fundit ndërkaq dhe për partitë politike, ambasadori amerikan ka nënvizuar rëndësinë e “përgjegjësisë që kanë për të respektuar proceset demokratike”, duke ua rikujtuar mundësinë që e kanë pasur të gjithë për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë.

    Më 23 prill, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilëve vetëm një nga komunitetit serb.

    Tri ditë para zgjedhjeve, nga gara është tërhequr Alleksandar Jabllanoviq, kandidat i Partisë së Serbëve të Kosovës për kryetar të Leposaviqit, me arsyetimin se “nuk ka kushte adekuate” për mbajtjen e tyre.

    Mirëpo, Valmir Elezi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion tashmë i ka shtypur fletëvotimet.

    I pyetur nëse do të numërohen votat për Partinë e Serbëve të Kosovës, ai ka thënë se “KQZ-ja do t’i publikojë rezultatet për kandidatët e certifikuar.”

    Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, me arsyetimin se nuk i janë përmbushur dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme po organizohen pasi kryetarët e këtyre komunave – nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës./REL/

  • ​Haxhiu thirrje Prokurorisë Speciale: Trajtoni me seriozitet çështjet e krimeve të luftës

    ​Haxhiu thirrje Prokurorisë Speciale: Trajtoni me seriozitet çështjet e krimeve të luftës

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i bën thirrje Prokurorisë Speciale që të trajtojë me seriozitet çështjet e krimeve të luftës. Ajo thotë se kanë fuqizuar kapacitetet në këtë institucion, ani pse Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka përfunduar procedurat e rekrutimit. Sipas saj, janë shtuar katër prokurorë shtesë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy staf mbështetës për të ndihmuar prokurorët.

    Përkundër që ende nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për gjykim në mungesë, ministrja Haxhiu thotë se ky ligj ka nisur së zbatuari.

    “Sa i përket gjykimit në mungesë ka hyrë në fuqi qysh para katër viteve. Sipas informacioneve që unë kam, tash së fundmi ka filluar që të ketë zbatim i njëjti. Mirëpo për më shumë informacione nuk mund të flas”, shprehet ajo.

    Kjo mënyrë e gjykimit ndodhë për herë të parë në Kosovë dhe mund të procedohet vetëm pasi të dërgohen pesë ftesa në shtetin përkatës e të jenë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj në gazetën zyrtare.

    E para e Drejtësisë shprehet se mbetet prioritet adresimi i krimeve të luftës, për çka kanë ndërmarrë disa veprime.

    “Ne kemi fuqizuar kapacitetet në Prokurori Speciale. Fatkeqësisht Këshilli Prokurorial ende nuk i ka përfunduar procedurat e rekrutimit, por ne kemi shtuar edhe katër prokurorë shtesë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy staf mbështetës për t’i ndihmuar prokurorët për adresimin e këtyre krimeve. Në secilin takim që kam pasur me krerët e sistemit të drejtësisë, kam vënë në pah rëndësinë për adresimin serioz të krimeve të luftës. Sepse, siç jeni në dijeni ka pasur mosveprim, neglizhencë, diku edhe të qëllimshme të misioneve që kanë qenë të instaluar në Kosovë”, thotë Haxhiu për KosovaPress.

    Për hetimin e këtyre rasteve, Haxhiu thotë se duhet vullnet i hekurt dhe vigjilencë.

    “Duhet një vullnet i hekurt, një vullnet më i madh për t’i adresuar seriozisht këto krime. Tani sa i përket ngritjes së aktakuzave, kjo është përgjegjësi e Prokurorisë Speciale, po të ishte në përgjegjësinë time, sigurisht që do të kisha përgjigje për këtë. Unë si ministre e Drejtësisë thërras që Prokuroria Speciale t’i trajtojë me seriozitetin më të lartë këto çështje. Për neve, sidomos gjatë këtyre muajve është e dhimbshme se kudo që shkojmë kemi masakrat ndër më të rëndat”, shprehet Haxhiu për KosovaPress.

    Për më tepër, ajo thotë se synimet janë edhe për fuqizimin e Departamentit që adreson krimet e luftës brenda policisë.

    Kujtojmë se, institucionet e Kosovës nga UNMIK dhe EULEX kanë trashëguar rreth 900 lëndë për krime e dy mijë të tjera për të zhdukurit.

  • Ambasadori britanik uron Bajramin

    Ambasadori britanik uron Bajramin

    Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka uruar Bajramin në Twitter.

    “Për të gjithë ata që e festojnë sot, Urime Fitër Bajrami!”, ka shkruar Abboti në Twitter.

    “Ju uroj lumturi, shëndet dhe prosperitet për vitin që vjen!”, shkroi mes tjerash ai.

  • Edhe Abazoviq uron myslimanët për festën e Fitër Bajramit

    Edhe Abazoviq uron myslimanët për festën e Fitër Bajramit

    Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ua ka uruar festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë.

    Ai ishte i pranishëm në Ulqin, qytetarët e së cilit qytet i uroi së pari e pastaj edhe të tjerët.

    “Qytetarëve të Ulqinit të besimit islam dhe të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, por edhe të kudo në botë, ua uroj Bajramin e Madh. Me një dëshirë që të vazhdojmë atë bamirësinë e Ramazanit të vazhdojë çdo ditë në vit. U uroj shumë sukses shëndet dhe begati familjeve të gjithë besimtarëve”, deklaroi kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq

  • Gjermania e vendosur të ristrukturojë forcat e saj të armatosura

    Gjermania e vendosur të ristrukturojë forcat e saj të armatosura

    Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius përsëriti vendosmërinë e tij në çështjen për ristrukturimin e forcave të armatosura.

    Në një fjalim lidhur me prezantimin e raportit 2022 të përgatitur lidhur me situatën e ushtrisë, Pistorius tha: “Nëse njerëzit janë të mirë, por rezultatet jo, atëherë janë strukturat dhe proceset që nuk janë të drejta dhe që duhet të ndryshohen. Jemi të vendosur për këtë çështje”.

    Ai bëri të ditur se është e rëndësishme që të mos krijohet burokraci shtesë në modernizimin e ushtrisë. Pistorius tha se që kur ka ardhur në detyrë ka parë se me cilindo që ka biseduar për ristrukturimin, kanë të njëjtin mendim se “duhet të bëjmë më të mirën kur shohim vështirësitë me të cilat përballemi”.

    Duke folur për 4 temat kryesore të ristrukturimit të ushtrisë, Pistorius tha: “E para prej këtyre ishte ndihma për Ukrainën kur u sulmua nga Rusia dhe furnizimi në mënyrë të shpejtë i armëve që u premtuan për t’u dorëzuar. E dyta është se kemi nevojë për një Bundeswehr që ka aftësinë për gatishmëri veprimi, e fortë dhe rezistente në luftë” transmeton Anadolu Agency.

    “Së treti Gjermania duhet të jetë dominuese për politikën e saj të sigurisë, kërcënimet, aleancat, parandalimin dhe sigurinë e saj në tërësi”, shtoi Pistorius i cili shpjegoi se e katërta është se ka nevojë për një buxhet mbrojtjeje më të lartë përtej fondit special prej 100 miliardësh dhe se mbrojtja është e shtrenjtë dhe se pas kësaj do të bëhet edhe më e shtrenjtë.

    Ministri gjerman vuri në dukje edhe çështjen aktuale të ekstremit të djathtë në ushtrinë gjermane.

    “Fatkeqësisht këto raste ekzistojnë, por dua të them se shumica e trupave janë të lidhur ngushtë me kushtetutën, janë të trajnuar mirë dhe e dinë se çfarë vlerash përfaqësojnë dhe çfarë duan të kundërshtojnë dhe të mbrojnë në Gjermani dhe në botë. Me ligjin ushtarak që do të dalë së shpejti, ne do të rregullojmë kushtet e nevojshme për largimin në mënyrë të shpejtë të atyre që punojnë kundër kushtetutës tonë dhe që refuzojnë atë”, tha Pistorius.

  • Abdixhiku viziton BIK-un për Fitër Bajram: Vendi ynë ka nevojë për këto vlera

    Abdixhiku viziton BIK-un për Fitër Bajram: Vendi ynë ka nevojë për këto vlera

    Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë. Abdixhiku me bashkëpunëtorë kanë vizituar dhe kanë uruar të gjithë krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Abdixhiku deklaroi se populli ynë ka nevojë për vlerat që përçon kjo festë, siç janë solidaritet e përkushtimi ndaj njëri-tjetrit.

    “Në këtë festë të rëndësishme dhe me traditë në vendin tonë, shpresojmë t’i rikujtojmë e t’i kultivojmë këto vlera njerëzore fillimisht, ndaj solidaritetit, përkushtimit dhe qëndrimit ndaj njëri-tjetrit. Vendi ynë ka nevojë për këto vlera”, tha Abdixhiku.

  • Begaj uron nga Kavaja: Festa të jetë shtysë për vepra të mira

    Begaj uron nga Kavaja: Festa të jetë shtysë për vepra të mira

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zgjodhi të uronte të gjithë besimtarët myslimanë për Fitër Bajram nga Xhamia Kubelie në qytetin e Kavajës.

    Në fjalën e tij, ai uroi që muaji i shenjtë i Ramazanit të ketë përmbushur qëllimin ndërsa të jetë shtysë për vepra të tjera të mira.

    “Uroj nga zemra që agjërimi i muajit të Ramazanit ka përmbushur qëllimin e shprehjes së devocionit të besimtarëve përmes sakrificës. Sakrifica në emër të besimit shpresoj të jetë shtysë për ne, për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin. Në fakt, kjo festë e Fiter Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin”, deklaroi Begaj.

    Begaj tha se zgjodhi Kavajën si një nga shembujt më të mirë të harmonisë fetare, harmoni të cilën e quajti, vlerë të jashtëzakonshme të kombit shqiptar.

    Ai bëri thirrje që në këto ditë të vështirë t’i gjendemi pranë atyre që kanë më së shumti nevojë për ndihmë.

    “Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar. Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira. Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen. Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë”, përfundoi Begaj.

    Në Shqipëri, mijëra besimtarë kanë mbushur mëngjesin e ditës sotme sheshin “Skënderbej” në Tiranë ku u organizua ceremonia e kryesore e faljes së namazit të Fitër Bajramit.

  • Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit të vizave

    Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit të vizave

    Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

    Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.

    E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”, raporton REL.

    “Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”.

    Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

    Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

    Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

    Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

    Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

    Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

    Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

    Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

    Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen./REL/

  • Abdixhiku uron besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit: Le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë

    Abdixhiku uron besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit: Le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

    Përmes një telegram urimi për media, Abdixhiku ka thënë se festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin.

    Abdixhiku po ashtu ka thënë që duhet të kujdesemi më shumë për ata që kanë nevojë.

    “Me fat Fitër Bajrami të dashur besimtarë. Lutje dhe agjerim të pranuar për të gjithë ata që kaluan një muaj sakrifice sprovuese nën shenjën e Zotit. Festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin; që kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, e që ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë. Le të vazhdojmë të forcojmë edhe më tej këtë ndjenjë që muaji i shenjtë dhe festa e Fitër Bajramit na mësojnë. Atë të solidaritetit, të harmonisë e të kujdesit ndaj tjetrit. Në veçanti, le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë. Shëndet, paqe e begati për ju e familjet tuaja; për gjithë atdheun tonë!”, shkruhet në telegramin e urimit nga kryetari i LDK-së, Abdixhiku.

  • Kurti viziton BIK-un për Fitër Bajram, çmon rolin e tyre për çështjen kombëtare

    Kurti viziton BIK-un për Fitër Bajram, çmon rolin e tyre për çështjen kombëtare

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kabinetin e tij qeverisës, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), me rastin e festës së Fitër Bajramit, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Kurti uroi besimtarët për festën e Fitër Bajramit, ndërkaq kërkoi që solidariteti të mos jetë i kufizuar vetëm për muajin e Ramazanit.

    Kurti tha se Tërnava i ka njoftuar se sa shumë është rritur solidariteti në popullsi pikërisht gjatë muajit të Ramazanit.

    “Sot në ditën e Fitër Bajramin bashkë me kolegë nga Qeveria erdhëm që t’ia urojmë këtë festë të madhe që vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit dhe me të cilën besimtarët kanë treguar përkushtim dhe sakrificë. Ne urojmë që përkushtimi për anën shpirtërore të njeriut gjatë jetës dhe solidariteti shoqëror e farefisnor të mos jetë i kufizuar vetëm në këtë muaj por të jetë në secilin muaj gjatë gjithë vitit”, ka theksuar Kurti.

    Ai në këtë vizitë ka kujtuar rolin, sipas tij të madh, historik e shoqëror të BIK-ut në historinë e re të Kosovës.

    “Te medreseja janë organizuar shumë mbledhje e takime, të cilët edhe i kanë strehuar veprimtarët politikë por edhe kanë mundësuar tubime ku janë mbajtur diskutime e vendime të rëndësishme për zhvillimet politike të asaj kohe. E dimë që nga lufta e fundit 37 imamë i kemi dëshmorë të kombit sot”, është shprehur Kurti.