ATV

Category: Lajme

  • Vuçiq thotë se Evropa i organizoi zgjedhjet në veri: Do të jetë dita e turpit për ta dhe botën

    Vuçiq thotë se Evropa i organizoi zgjedhjet në veri: Do të jetë dita e turpit për ta dhe botën

    Presidenti Aleksandar Vuçiq tha mbrëmë se zgjedhjet e së dielës në katër komuna në veri të Republikës së Kosovës do të jenë ditë e tmerrshme për demokracinë, ditë e vështirë për popullin serb, por edhe turp për Evropën, botën dhe vendet e Kuintit.

    “Ajo do të jetë dita kur zyrtarisht do të shënohet turpi i Evropës dhe i botës, sepse ata i organizuan ato zgjedhje dhe po tallen me to”, tha Vuçiq në programin Prva Tema në TV Prva.

    Vuçiq tha se Serbia nuk po merr pjesë në ato zgjedhje për shkak se Bashkimi i Komunave Serbe nuk është formuar për 10 vjet, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

  • Parlamenti Evropian i drejtohet Serbisë: Marrëveshja me Kosovën, vetëm me njohje reciproke

    Parlamenti Evropian i drejtohet Serbisë: Marrëveshja me Kosovën, vetëm me njohje reciproke

    Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Serbia që marrëveshja me Kosovën të jetë e bazuar në njohjen reciproke në mes të dy shteteve.

    Kjo sipas njërës nga pikat e raportit të PE-së për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

    “Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të plotë për përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, dhe ftojmë Serbinë dhe Kosovën të angazhohen në këtë dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirës, ​​ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre bazuar në parimin e njohjes reciproke në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme”, thotë njëri paragraf i këtij raporti, shkruan mediumi serb N1.

    Raporti bën thirrje për zbatimin e plotë, në mirëbesim dhe në kohën e duhur, të të gjitha marrëveshjeve relevante nga të dyja palët, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Në këtë amendament thuhet po ashtu se “besohet se një zgjidhje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse do të nxisë bashkëpunimin, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e gjerë”.

    Aty po ashtu u bëhet thirrje të dyja palëve që të tregojnë lidership dhe të jenë të gatshme për të marrë vendimet e nevojshme që çojnë në përparimin e dialogut dhe pajtimit ndërmjet shoqërive të tyre, dhe theksohet se mjedisi aktual gjeopolitik e bën edhe më të rëndësishëm tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës dhe angazhimin në negociata kuptimplota.

    Theksohet se normalizimi i marrëdhënieve është prioritet dhe parakusht për anëtarësim në BE.

    “Angazhimi i shtuar i të dyja palëve pranohet dhe qeverive të Serbisë dhe Kosovës u kërkohet të përmbahen nga çdo veprim që mund të dëmtojë besimin ndërmjet palëve dhe të rrezikojë vazhdimin konstruktiv të dialogut”, thuhet në raport.

    Gjithashtu kujtohet se “përmbajtja nga retorika e luftës dhe një qasje agresive e politikës së jashtme ndaj vendeve fqinje është një parakusht për normalizimin e marrëdhënieve rajonale”.

    Të gjitha veprimet që kërcënojnë stabilitetin dhe vënë në pikëpyetje procesin e pajtimit dënohen ashpër.

    “Ka shqetësim të thellë për tensionet në veri të Kosovës dhe të shtënat e papranueshme në prag të Krishtlindjeve ortodokse dhe disa incidente të tjera të dhunshme drejtuar serbëve në Kosovë. Dënohet ndalimi arbitrar i politikanes Rada Trajkoviq në vendkalimin e Merdares në dhjetor 2022 dhe bëhet thirrje për hetime transparente dhe të plota të këtyre incidenteve dhe ftohen autorët para përgjegjësisë. Kujtohet përgjegjësia e përbashkët për paqen dhe sundimin e ligjit të të gjithë njerëzve në Kosovë dhe shprehet shqetësimi për akuzat për rolin e grupeve të organizuara kriminale që veprojnë në veri të Kosovës dhe lidhjet e tyre të pretenduara me strukturat shtetërore në Serbi”, thuhet në raportin e PE-së për Serbinë.

    Theksohet se “dështimi për të zgjidhur në mënyrë efektive tensionet në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës rrit rrezikun e destabilizimit në rajon”.

  • 357 vëzhgues të akredituar për procesin e zgjedhjeve në veri të dielen

    357 vëzhgues të akredituar për procesin e zgjedhjeve në veri të dielen

    Të dielën do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe zgjedhjet t parakohshme për kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.

    Përmes një komunikate për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka publikuar numrin e përgjithshëm të vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se të akredituar janë 357 vëzhgues duke përfshirë subjektet politike, përfaqësi të huaja në Kosovë, shtëpi mediave dhe organizata joqeveritare.

    Numri i vëzhguesve për parti politike është 75, për përfaqësi të huaja dy, për shtëpi mediatike 171 dhe për organizata joqeveritare është 109.

    Më poshtë i keni të gjitha detajet për vëzhguesit:

  • Kosovarët të parët në Evropë për prona të shtëpive

    Kosovarët të parët në Evropë për prona të shtëpive

    Kosova është e para në Evropë për pronësi të shtëpive, sipas të dhënave të “Eurostatit”, përpiluar nga “Landgeist”.

    Pronësia e shtëpive është pjesë e rëndësishme në jetët e njerëzve, pasi ofron stabilitet, siguri dhe një ndjenjë pasurie. Në Evropë, shkalla e pronësisë së shtëpive dallon nga shteti në shtet. Si shkallë më e lartë në përgjithësi prin rajoni i Evropës Lindore.

    Kosova është me përqindjen më të lartë, gati 98 për qind, ndjekur nga Shqipëria e Rumania. Gjermania, Zvicra e disa shtete të tjera në perëndim, kanë shkallën më të ulët. Këto dy shtete janë të vetmet në Evropë ku pronarët e shtëpive janë pakicë.

    Një nga faktorë e mundshëm që ndikon në shkallën e pronësisë së shtëpive në Evropë është çmimi i pronave. Në shtetet si Gjermania e Zvicra, kostoja e blerjes së një prone është shumë më e lartë, duke e bërë të vështirë blerjen. Në shtete të tjera kjo konsiderohet më e lirë.

    Një faktor tjetër është edhe çështja e popullaritetit të banesave sociale. Në disa shtete, si Holanda e Austria, qiramarrësit kanë më shumë të ngjarë të marrin banesa në pronësi publike pasi kanë vlerë më të ulët të qirasë.

  • Pas vendimit për liberalizim vizash, serbët e veriut duan pasaporta të Kosovës

    Pas vendimit për liberalizim vizash, serbët e veriut duan pasaporta të Kosovës

    “Po pres të më njoftojnë për të shkuar për ta marrë pasaportën e Kosovës”, thotë Nenadi nga Mitrovica e Veriut, i cili do që të udhëtojë pa regjim vizash.

    Vendimin për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës e mori pasi dëgjoi nga mediat se qytetarët e Kosovës do të kenë me siguri liberalizim vizash.

    Nenadi dëshiron të udhëtojë, sepse, siç thotë, ka shumë të afërm dhe miq në vendet perëndimore.

    “Nuk kam mundur, sepse nuk kam dashur… Si ta them pa u treguar i vrazhdë… jam shtypur me atë pasaportën e qendrës së koordinimit që është lëshuar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Bashkëqytetari i tij, Zorani, thotë se nuk e njeh “pasaportën e Kosovës”.

    “Ajo që kanë marrë ata, është e turpshme. Nuk do ta merrja kurrë pasaportën e tyre, pra atë të Kosovës, edhe me çmimin që nuk dal kurrë prej vendit”, thotë Zorani.

    Parlamenti Evropian ka miratuar më 18 prill vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, në bazë të të cilët qytetarët e vendit do të mund të udhëtojnë lirshëm në 27 shtete të Evropës, që përbëjnë zonën Schengen.

    Një ditë më vonë, akti ligjor i BE-së për liberalizimin e vizave është nënshkruar po ashtu në Parlamentin Evropian.

    Vendimi për lëvizje të lirë pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, por regjimi i vizave do të vazhdojë të mbetet në fuqi për ata qytetarë të Kosovës që pasaportat i marrin nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Për këta qytetarë nuk ka vlejtur kurrë as liberalizimi i vizave për Serbinë, i cili ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2009.

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, Thijs Reuten, u pyet të mërkurën nga gazetarët në Strasburg nëse liberalizimin e vizave do të mund ta gëzojnë edhe serbët, të cilët kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë.

    “[Legjislacioni] është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, tha ai.

    Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizim vizash, tha se të gjithë shtetasit serbë të Kosovës, që ende nuk janë të pajisur me pasaporta kosovare, do të kenë afat prej tetë muajsh t’i marrin ato, para se vendimi për vizat të hyjë në fuqi.

    Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në lidhje me pajisjen e qytetarëve serbë me pasaporta të Kosovës, janë këto:

    E ndikuar nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj.

    “Duhet t’i besojmë vendit tonë, Serbisë”

    Zorani, i cili jeton në Mitrovicë të Veriut, beson se do të gjendet zgjidhje edhe për pasaportat e Administratës Koordinuese, të cilat i lëshon Serbia.

    “Unë mendoj se do të vijë zgjidhja, njerëzit le të jenë të durueshëm, ne duhet të besojmë në vendin tonë – Serbinë”, shprehet ai.

    Darkoja, një tjetër qytetar i Mitrovicës së Veriut, thotë se nuk është i gatshëm ta nxjerrë pasaportën e Kosovës, por nuk pret as nga Serbia që ta zgjidhë çështjen e pasaportave të lëshuara nga Administrata Koordinuese.

    “Gjithçka është gënjeshtër. Madje, edhe shteti ynë – Serbia – nuk është shumë i sjellshëm me ne. Edhe nënë, edhe njerkë, kryesisht njerkë”, thotë Darkoja.

    Për këto arsye, ai thotë se nuk udhëton.

    “Ne nuk duam të jemi qytetarë të kësaj ‘kuazi-republike’”, thotë ai.

    Bojan Milletiq, në anën tjetër, thotë se nuk e di se çfarë do të bëjë për çështjen e pasaportës.

    “Nuk kam ndonjë qëndrim për këtë, por do të shoh, do të mendoj, pse jo”, shprehet ai.

    Zoran Millenkoviq thotë se, me siguri, nuk do ta marrë pasaportën e Kosovës. Ai pret zgjidhje nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohen në Bruksel.

    “Do të bëhet diçka që ne serbët ta kemi atë pasaportë serbe, ndoshta. Nuk e di tani, gjithçka varet se si do të na trajtojnë ata nga Serbia”, thotë ai.

    Edhe pse vetë nuk dëshiron të ketë pasaportë të Kosovës, ai beson se njerëzit, gjithnjë e më shumë, do të fillojnë të marrin dokumente udhëtimi që i lëshon Kosova.

    “E njëjta gjë ka ndodhur edhe me letërnjoftimet. Duam t’i nxjerrim, nuk duam t’i nxjerrim. Në fund i kanë nxjerrë të gjithë, 90 për qind, nëse jo më shumë”, thotë Millenkoviq.

    Serbia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008.

    Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë, pasaportat ua lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, dhe ata përjashtohen nga lëvizja pa viza.

    Në vitin 2009, Serbia është dashur ta formojë këtë organ për të siguruar liberalizimin e vizave.

    Para kësaj, shtetasit serbë me banim në Kosovë i kanë marrë pasaportat në Drejtoritë e Policisë, të cilat Beogradi zyrtar i ka zhvendosur në qytetet e Serbisë, pas luftës në Kosovë më 1999.

    Kosova nuk i njeh këto pasaporta, sepse konsideron se ato lëshohen nga “institucione paralele ilegale”. /REL/

  • Ministria për komunitete dhe kthim gëzon familjet e komunitetit joshumicë për Fitër Bajram

    Ministria për komunitete dhe kthim gëzon familjet e komunitetit joshumicë për Fitër Bajram

    Në prag të festës së Fitër Bajramit, mbi 300 familje në nevojë janë ndihmuar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim me pako ushqimore dhe higjienike.
    Një pjesë e tyre u dorëzuan personalisht nga zëvendësministri Mevlud Sinani.

    “Arsyeja përse kemi filluar me këto 50 pako është se nuk kemi mundur që fizikisht t’i përgatisim të gjitha, mirëpo të gjithë aplikuesit për pako ushqimore do të jenë përfitues. Janë afër 360 përfitues dhe të gjithë do të jenë përfitues, mirëpo në ditët në vazhdim do të bëhet shpërndarja e pakove tjera”, tha zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Mevlud Sinani.

    Gjatë shpërndarjes së pakove, ai ka dhënë një lajm të mirë për 19 familje.

    “Çka është më e rëndësishme se sot, do të fillojmë me ndërtimin e 19 shtëpive në tërë territorin e Kosovës”, tha Sinani.

    Edhe vitin e kaluar, ky dikaster ka shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike për pjesëtarët e komunitetit joshumicë. /atvlive.tv

  • Gratë e burgosura në Lipjan, përgatitin ëmbëlsira për bajram

    Gratë e burgosura në Lipjan, përgatitin ëmbëlsira për bajram

    Bakllavatë i kanë bërë gati.

    Tani po merren me detajet e fundit të ëmbëlsirave për festën e Fitër Bajramit.

    Ndonëse janë të privuara nga liria, atmosfera festive nuk mungon as për gratë e vajzat në Qendrën Korrektuese të Lipjanit.

    “Nuk na lejohet të qëndrojmë shumë bashkë, por na kanë lejuar që shoqen që e kemi dashtë na, me sjellë në dhomë, kemi festuar deri vonë, kemi pasë kantinë dhe gjërat e tjera të nevojshme. Mungesën për festë, për gjithçka, e kemi pasë në rregull, për Vitin e Ri kemi përgatitë tortë, për Bajram do të përgatisim edhe tambëloriz, për të gjithë të burgosurit. Është me të vërtetë vështirë, por jemi duke u munduar që edhe të tjerët të mos e ndiejnë mungesën e shtëpisë, pra sadopak të vijë era bakllavë”, thotw njw e burgosur.

    Mungesa e familjes ua zbeh gëzimin e kësaj feste.

    “Shumë e vështirë, larg familjes, larg gjirit familjar, e çka është e vështirë për mua, këtë vit është hera e parë që jam këtu dhe e kam vështirë, por jam munduar me punë ta largoj stresin. Na mundësojnë me folë në Skype, që të kemi vizitë, unë e kam në Shkup, pak larg, nuk kemi ndalesë për asgjë”, thotw njw e burgosur tjetwr.

    Drejtori i kësaj qendre tregon se brenda rregullave të caktuara krijojnë mundësi për të burgosurat që të përgatisin ushqime të ndryshme me rastin e festave.

    “Pra ne gjatë ditëve me festa përpiqemi që t’ua lehtësojmë këto ditë për shkak se këto janë më të ndjeshme dhe kryesisht ushqimi është më i veçantë dhe menyja, pra të burgosurat që janë të punësuara në kuzhinë dhe në furrë, ua mundësojmë të përgatisim ëmbëlsira”, tha drejtori i Qendrës Korrektuese për Gra në Lipjan, Dritan Bajramaj.

    Aktualisht, në këtë Qendër janë të burgosura 34 gra. Krahas punës në kuzhinë, ato gjatë kohës sa vuajnë dënimin angazhohen edhe në zanate të tjera. /atvlive.tv

  • Myftiu i Kosovës uron besimtarët: Dashuri, lumturi për Fitër Bajram

    Myftiu i Kosovës uron besimtarët: Dashuri, lumturi për Fitër Bajram

    Në ditën e fundit të Ramazanit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u është drejtuar besimtarëve.

    Në fjalimin e tij tradicional në prag të festës së Bajramit, ka uruar për paqe e harmoni.

    “Në këtë natë të madhe, në vigjilje të festës së Fitër Bajramit, lusim Zotin për mirësi, begati, paqe, harmoni, larg zënkave e konflikteve, sherreve e egove të dynjasë. Duke iu uruar e përgëzuar, lutem që në familjet tona, festa e Fitër Bajramit të na sjellë ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi. Agjërim, lutje ibadete të pranuara. Me fat festa e Fitër Bajramit!”, tha Tërnava.

    Me këtë rast, ai ka komentuar edhe rreth sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla, duke thënë se një gjë e tillë është e ndaluar me fenë islame.

    “Bashkësia Islame e Kosovës është dhe do të jetë kundër çfarëdo lloj dhune, qoftë asaj fizike që është e shprehur, ndaj kujtdo qoftë ajo. Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi, do të përkrahë, do të jetë kujdestare e fjalës e lirë. Bashkësia Islame e Kosovës respekton dhe nderon mendimin ndryshe”, theksoi Tërnava.

    Ndërkaq, për simbolet kombëtare dhe flamurin, Tërnava ka thënë se ato janë simbole identifikimi e kombëtare.

    “Unë jam Myfti i Republikës dhe gjithherë bazohemi edhe në librin tonë të shenjtë Kuranin. Flamuri është një shenjtëri në fenë islame”, tha Tërnava.

    Ai është lutur që solidariteti e veprat e mira të dëshmua gjatë këtij muaji të vazhdojnë edhe në ditët e muajt e tjerë. /atvlive.tv

  • Integrimi në BE dhe zotimet e dialogut, temë në vizitën e Billstromit

    Integrimi në BE dhe zotimet e dialogut, temë në vizitën e Billstromit

    Procesi integrues i Kosovës në Bashkimin Evropian ishte kryetemë në takimin e ministres për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, me homologun e saj suedez, Tobias Billstrom.

    Ministrja Gërvalla e vlerësoi si shumë të rëndësishme vizitën e Billstromit në Prishtinë, në cilësinë e përfaqësuesit të Presidencës Suedeze të Këshillit Evropian, një ditë pas nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët, nga 1 Janari 2024.

    “Natyrisht gjatë ditëve të ardhshme, javëve dhe muajve të ardhshëm, deri në atë kohë do të kemi një kampanjë të gjerë informuese, e cila do të tregojë se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi i vizave. Por në ndërkohë kemi të pranishëm ministrin Billstrom, si përfaqësues të Presidencës”, tha Gërvalla.

    Duke shmangur afatet, diplomati suedez tha se vendi i tij mbështet ambiciet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    “Ne mbështesim procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe përpjekjet për reforma lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim, ne po konsultohemi me të gjitha vendet anëtare të BE-së për rrugën përpara, si procedurë e rregullt”, tha ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom.

    Pasi tha se presidenca suedeze do ta mbajë Ballkanin Perëndimor lart në agjendë, Billstrom foli për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

    “Kam qenë i qartë edhe në Beograd, edhe në Prishtinë, nëse zotoheni për një marrëveshje, ju duhet ta përmbushni atë. Kjo nënkupton që Serbia duhet të ndalen së penguari Kosovën, në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Kjo është e qartë. Këshilli i Evropës është një shembull. Në anën tjetër, është mirë të shohim Kosovën t’i përmbushë zotimet e saj, duke formuar Asociacionin e komunave”, tha Billstrom.

    Krahas procesit integrues në BE, temë në takim ishte edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për çka ministrja Gërvalla tha se shpreson të ketë lëvizje pozitive.

    Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, takoi edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. /atvlive.tv

  • Vendosen kontejnerët që do të përdoren si qendra votimi në veri

    Vendosen kontejnerët që do të përdoren si qendra votimi në veri

    Këta zyrtarë policorë patën një detyrë të veçantë gjatë ditës – mbikëqyrjen e vendosjes së kontejnerëve, që do përdoren si qendra të votimit.

    Në fakt, kjo është vetëm një nga pesë qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut. Tek Trerrokaqiejt do jetë një tjetër e improvizuar. ndërsa tri të tjera do mbahen në Shkollën në Kodrën e Minatorëve, në atë të Suhadollit dhe në komunën në Lagjen e Boshnjakëve.

    Njëkohësisht, një tjetër kamion, shpërndante kontejnerët në Zveçan.

    Këta (kontejnerët) u vendosën në qendër të qytetit, fare pranë stacionit policor. Ndërsa kjo në hyrje të fshatit Jashanicë.

    Skaj rrugës u vendosën edhe dy nga qendrat e votimit në Zveçan. Njëra në hyrje të fshatit Zhazhë, e tjetra në Banjskë.

    Pas vendosjes, nëpër secilën qendër të improvizuar qëndron nga një patrullë e policisë.

    Të njëjtit pritet të kenë angazhim edhe të dielën, meqë parashikohet situatë e tensionuar.

    “Sigurisht besoj se do jetë situate e tensionuar, POR, BESoj se policia do t’I marrë masat”, tha kandidati për kryetar të Mitrovicës së veriut, Nedzat Ugljanin.

    “Serbët nuk besoj se do marrin pjesë në zgjedhje fare. Dhe kjo nuk ndodh për shkak se nuk garon Lista Serbe. Por, këtu ndikojnë edhe proceset tjera që kanë ndodhur kohëve të fundit – siç kanë qenë vendosja e policëve special e të tjera”, tha drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Milicevic.

    Në 4 komunat ku do zhvillohet procesi, janë gjithsej 19 qendra të votimit. /atvlive.tv