ATV

Category: Lajme

  • ​22 prilli – Dita ndërkombëtare e Tokës

    ​22 prilli – Dita ndërkombëtare e Tokës

    Dita e Tokës është vendosur në datën 22 prill të vitin 1970. Në këtë datë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore nga më spektakolaret që u quajt “Dita e Tokës”.

    Më 22 prill, në mbarë botën, dashamirëse të mjedisit organizohen një varg aktivitetesh për të mirën e mjedisit dhe njeriut, si aktivitete pastrimi, gjelbërimi, pyllëzimi, manifestime në formë protestash, ekspozita, koncerte, vizita, peticione, orë edukative me nxënës, etj.

  • Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë, edhe përkundër liberalizimit

    Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë, edhe përkundër liberalizimit

    Qytetarët e Kosovës, që bartin pasaporta të Republikës së Kosovës, këtë javë iu gëzuan vendimit të shumëpritur për liberalizim të vizave.

    Por, ndonëse vendimi nuk specifikon nëse ndonjë shtet anëtar i Schengenit mund të lirohet nga obligimi për zbatimin e vendimit për liberalizim, megjithatë është një shtet që nuk do ta zbatojë atë.

    Është Spanja ajo që nuk i njeh pasaporta e Kosovës, rrjedhimisht vizitat në këtë vend evropian nuk do të lejohen për kosovarët.

    Këtë e ka konfirmuar një zëdhënës i Komisionit Evropian, Christian Wigand, gjatë një konference të sotme për media.

    “Në mesin e vendeve Schengen, të gjitha përpos njërës, kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës”, tha Wigand. / atvlive.tv

  • Gazetarët afganë festojnë në Prishtinë Fitër Bajramin

    Gazetarët afganë festojnë në Prishtinë Fitër Bajramin

    Festën e Fitër Bajramit e priti ndryshe këtë vit, Amina Omid, gazetare nga Afganistani.

    Ajo dhe pesë gazetarët e tjerë që i ka strehuar Kosova që nga janari i këtij viti u mblodhën në Prishtinë për të festuar bashkë këtë festë.

    Ndonëse ju mungojnë familjet, ndjenjën se janë sikur në shtëpinë e tyre po e shton ngjashmëria dhe traditat edhe për festën e Fitër Bajramit.

    “Njerëzit e Kosovës dhe Afganistanit kanë disa ngjashmëri. Ne sikur kam dëgjuar edhe këtu gjatë festës së Bajramit vizitojmë familjen dhe shoqërinë, përgatisim ëmbëlsira, por ndryshe nga këtu ne gjithmonë festojmë edhe fruta të freskët”, tha Amina Omid, gazetare.

    “Ta presim dhe ta festojmë Fitër Bajramin këtu në Prishtinë është shumë mirë. Na mungon familja, por njerëzit këtu sillen shumë mirë”, tha Rafiullah Nikzad, gazetar.

    Në Kosovë thonë se po ndihen të sigurt.

    “Po ndihemi të sigurt, dhe po punojmë të pavarur. Kemi mbajtur Ramazanin, dhe tash po festojmë Bajramin. Qytetarët e Kosovës janë shumë mikpritës, dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu”, tha Ahmad Shakr Sangi, gazetar.

    “Unë jam fokusuar të mësoj gjuhën shqipe, dhe të gjejë një punë në Kosovë. Mësimi i gjuhës shqipe është prioriteti im. Ne po ndihemi shumë të sigurt në Kosovë”, tha Nimatullah Gholami, gazetar.

    “Nuk po ndihem vetëm, po ndihem se jam me familje dhe shokë. Qeveria dhe familja që më ka ndihmuar të strehohem këtu janë një mbështetje e madhe”, tha Suhila Omari, gazetare.

    Kosova ka strehuar gazetarët e parë afganë në janar të këtij viti në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

    Qeveria kishte miratuar një buxhet prej 30 mijë eurosh për strehimin e tyre. /atvlive.tv

  • Vizitat në BIK për nder të festës së Bajramit

    Vizitat në BIK për nder të festës së Bajramit

    Bashkësia Islame hapi dyert për të pritur mysafirë këtë të premte në nderim të festës së Fitër Bajramit.

    Në vizitë myftiut Naim Tërnava i shkoi kryeministri Albin Kurti, bashkë me anëtarë të kabinetit të tij.

    Kurti teksa u ka uruar qytetarëve festën, çmoi lartë rolin e BIK-ut në çështjen kombëtare.

    Nga Bashkësia Islame festën qytetarëve u kanë uruar edhe përfaqësues e liderë të subjekteve politike.

    Besimtarët myslimanë për festën e Bajramit të Madh i uroi edhe Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

    Në Bashkësinë Islame për urime kanë shkuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, por edhe përfaqësues të tjerë si të Odës së Avokatëve por edhe personalitete tjera.

  • Besimtarët myslimanë sot festuan Bajramin e Madh

    Besimtarët myslimanë sot festuan Bajramin e Madh

    Mëngjesi i së premtes, bëri bashkë shumë besimtarë myslimanë që zgjodhën Xhaminë e Madhe në kryeqytet ta kryejnë faljen e namazit të Fitër Bajramit.

    Lutjet për pranimin e agjërimit, e për një mirëqenie u përcollën tek njëri – tjetri gjatë ceremonisë kryesore në nderim të festës kryesore të myslimanëve, që u mbajt në Prishtinë.

    Myftiu i Kosovës Naim Tërnava në mesazhin e tij theksoi se mirësia dhe kujdesi ndaj familjes e komunitetit duhet të vazhdoj edhe pas Ramazanit.

    Tërnava, bëri thirrje që të mos braktiset vendi, dhe të ketë unitet në ruajtjen e tij.

    Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, festë kjo që shënon fundin e 29 ditëve agjërim të muajit Ramazan, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit. /atvlive.tv

  • Këshilli Evropian konfirmon: Liberalizimi i vizave s’vlen për pasaportat që lëshon Serbia

    Këshilli Evropian konfirmon: Liberalizimi i vizave s’vlen për pasaportat që lëshon Serbia

    Liberalizimi i vizave që u miratua për Kosovën, vlen vetëm për poseduesit e pasaportës së Kosovës, por jo edhe për ata shtetas të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe, konfirmuan zyrtarë të Komisionit Evropian.

    Zëdhënësja Anita Hipper tha në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se “regjimi i vizave do të mbetet i vlefshëm vetëm për ata shtetas në Kosovë, pasaportat e të cilëve lëshohen nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë”.

    Serbët në Kosovë janë përjashtuar nga liberalizimi i vizave edhe kur Serbisë i janë hequr ato në vitin 2009.

    Megjithatë, nga Komisioni Evropian thanë se po punojnë që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor ta gëzojnë lirinë e lëvizjes në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra shtetesh evropiane.

    “Derisa ecim përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, BE-ja është e vendosur të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza të BE-së, me kusht që ekzistojnë rrethanat për udhëtim të sigurt”, tha Hipper.

    Pas nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën, më 19 prill, raportuesi për viza i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, tha po ashtu se heqja e vizave vlen vetëm për pasaportat e Kosovës.

    “[Legjislacioni] është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, tha ai.

    Vendimi për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.

    Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë, pasaportat ua lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

    Në vitin 2009, Serbia është dashur ta formojë këtë organ për të siguruar liberalizimin e vizave për vete.

    Para kësaj kohe, shtetasit serbë me banim në Kosovë i kanë marrë pasaportat në Drejtoritë e Policisë, të cilat Beogradi zyrtar i ka zhvendosur në qytetet e Serbisë, pas luftës në Kosovë më 1999.

    Kosova nuk i njeh këto pasaporta, sepse konsideron se ato lëshohen nga “institucione paralele ilegale”./REL

  • Jashari e Mehaj pjesë e takimit të radhës të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës

    Jashari e Mehaj pjesë e takimit të radhës të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës

    Në Ramshtajn të Gjermanisë me pjesëmarrjen e mbi 50 shteteve u mbajt takimi i radhës i Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës.

    Në këtë takim të udhëhequr nga sekretari i Mbrojtjes së ShBA-së, Lloyd Austin, kanë marrë pjesë ministri i Mbrotjes, Armend Mehaj, së bashku me gjeneral Bashkim Jasharin si përfaqësues të Kosovës.

    Ndërsa temë diskutimi e këtij takimi ishte vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën, strategjia që duhet ndjekur në raport me kërcënimet dhe rreziqet nga politikat ekspansioniste të Rusisë, si dhe kontributin e shteteve në fusha të caktuara për mbështetje të Ukrainës dhe forcave të saj të cilat ndodhen në betejë.

    “Në këtë aspekt Ministria e Mbrojtjes rikonfirmoi gatishmërinë për mbështetje nga Republika e Kosovës në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe menaxhimit të materieve të rrezikshme si dhe ofrimin e trajnimeve për secilën nga fushat e lartcekura”.

    “Pas sesionit të Grupit të Kontaktit gjithashtu takuam Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksii Reznikov, Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes së ShBA-ve, Laura Kuper, Ministrin e Mbrojtes të Suedisë, Pål Jonson, Ministren e Mbrojtjes të Latvisë, Ināra Mūrniece, Ministrin e Mbrojtës së Kroacisë, Josip Buljević, Ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Slavjanka Petrovska, Komandantin e Komandës Evropiane të ShBA-së, gjeneral Christopher Cavoli, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral Kingjin, si dhe personalitete tjera nga vendet partnere”.

    Sipas Mehajt, Kosova mbetet e përkushtuar të ofrojë gjithë mbështetjen në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

  • Lladrovci me asamblistët e të gjitha partive për Bajram te familja Thaçi e Veseli

    Lladrovci me asamblistët e të gjitha partive për Bajram te familja Thaçi e Veseli

    Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkë me asambleistët e të gjitha partive dhe drejtorët e drejtorive ka vizituar familjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për festën e Fitër Bajramit.

    Përmes një postimi në Instagram, Lladrovic ka treguar se familja Thaçi dhe Veseli nuk janë kurr vetëm.

    “Kontribuesit e lirisë dhe luftës tonë çlirimtare, kurrë nuk janë vetëm”, ka thënë Lladrovci.

  • Lista Serbe bën thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në veri

    Lista Serbe bën thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në veri

    Përmes një deklarate publike, dy ditë para zgjedhjeve në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, Lista serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës “për bojkot të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve” të cilat i quajti jodemokratike”.

    “Le të mbesin të zbrazëta të gjitha vendvotimet më 23 prill, gjë që do të dërgojë një mesazh të qartë për Prishtinën dhe komunitetin ndërkombëtar”. Serbët “të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien në provokimet e regjimit të Albin Kurtit, qëllimi i vetëm i të cilit me këto zgjedhje është të dëbojë serbët nga veriu i Kosovës”, thuhet në deklaratë.

    Veç thirrjes për bojkot, Lista Serbe, që nuk garon në zgjedhjet e 23 prillit, ka deklaruar se serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të cilin e ka qujatur të paligjshëm dhe që është kundër interesave të popullit serb”..

    Thirrje për mospjesëmarrje në zgjedhje ka bërë të premtën në Beograd edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

    “Dua t’i bëj thirrje, t’ju lutem, t’i bëj thirrje popullit tonë të Kosovës që të qëndrojë i qetë, të nxjerrë të gjithë atë hipokrizi në dritë, të tregojë se deri ku ka arritur sundimi i ligjit, sa larg demokracia ka shkuar… Serbët duhet të qëndrojnë të qetë, duhet të qëndrojnë dinjitoz. Ata vërtet kanë duruar gjithçka me kokën lart, sepse nuk iu përgjigjën provokimeve”, tha Bërnabiq.

    Ajo e quajti “hipokrizi” mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.

    “Të organizohen zgjedhje në të cilat marrin pjesë më pak se 2% e popullsisë, të organizohen disa ditë pasi kemi shënuar 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, marrëveshja e parë për normalizim dhe të cilën Prishtina nuk e përmbushi asnjë fjalë të vetme nga ajo Marrëveshje. Komuniteti ndërkombëtarët, Bashkimi Evropian vendet e QUINT-it, përfshirë SHBA-në, heshtin ose japin vetëm deklaratë për media dhe tani keni organizimin e këtyre të ashtuquajturave zgjedhje”, tha Bërnabiq.

    Edhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i mllefosur me deklaratat e shteteve të QUINT-it që thanë se me apo pa pjesëmarrjen e serbëve, do t’i njohin si legjitime zgjedhjet, dhe do t’i mirëpresin rezultatet. /atvlive.tv

  • Policia fton qytetarët të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm gjatë zgjedhjeve në veri

    Policia fton qytetarët të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm gjatë zgjedhjeve në veri

    Policia e Kosovës ka njoftuar për planifikimet dhe angazhimet në menaxhimin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor që do të zhvillohet të dielën në katër komunat veriore. Institucioni i sigurisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë, Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke raportuar çdo rast të kundërligjshëm ditën e 23 prillit.

    Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka siguruar qytetarët se çdo raportim do të trajtohet në mënyrë konfidenciale.

    “Institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre. Raportimet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja dhe te Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

    Gjithashtu bëhet e ditur se plani i Policisë parasheh angazhimin në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, në mënyrë që qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.

    “Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës do të mbahen më 23 prill.