ATV

Category: Lajme

  • Sot heshtje zgjedhore, nesër votohet në katër komunat në veri të vendit

    Sot heshtje zgjedhore, nesër votohet në katër komunat në veri të vendit

    Të dielën më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në këto dy të fundit votohet edhe për asamble.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ) ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa ka njoftuar se numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Gjithashtu, Policia e Kosovës bën të ditur se bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.

    Në njoftimin për media bëhet e ditur se qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor.

    “Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

    Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, etj”, thuhet në njoftim.

    Në anën tjetër, zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar se Kosova dhe Serbia e kanë detyrë që ta bëjnë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, polici dhe gjyqësor dhe njëkohësisht të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë demokratike dhe paqësore.

  • 42 raste aktive me COVID-19

    42 raste aktive me COVID-19

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në përditësimi i fundit lidhur me COVID-19, ka njoftuar se kanë realizuar 57 testime prej të cilave, 9 raste janë konfirmuar me COVID-19.

    Sipas njoftimit, janë shëruar tre persona. Kurse, shtatë të tjerë janë të hospitalizuar.

    Që nga paraqitja e rasteve të para në Kosovë, 273,859 persona janë konfirmuar me COVID-19, prej të cilëve 3,216 persona kanë vdekur.

  • Babë e djalë përleshen me dhëndrin e tyre në Çagllavicë

    Babë e djalë përleshen me dhëndrin e tyre në Çagllavicë

    Raportohet se pas një mosmarrëveshje babë e djalë meshkuj kosovarë janë përleshur me dhëndrin e tyre.

    Rasti ka ndodhur dje në mesditë në Çagllavicë, ku të lënduarve i është dhënë tretmani mjekësor.

    Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • ​Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, tre dëshmitarë s’do të paraqiten fizikisht në sallën e gjyqit

    ​Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, tre dëshmitarë s’do të paraqiten fizikisht në sallën e gjyqit

    Tre dëshmitarë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës do të japin dëshmitë e tyre përmes video-lidhjes. Autorizimi është dhënë nga trupi gjykues i cili ka urdhëruar Zyrën Administrative që të bëjë përgatitjet e nevojshme për respektimin e masave mbrojtëse. Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) do të vazhdojë nga 1 deri më 5 maj.

    Sipas gjykatës, dhënia e dëshmisë përmes video-lidhjes do t’u mundësojë dëshmitarëve të flasin pa ankth.

    Trupi gjykues ka vlerësuar që në këtë mënyrë do të përmirësohet cilësia e dëshmisë së tyre.

    “Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, më 13 prill, Trupi Gjykues autorizoi dhënien e dëshmisë nga tre dëshmitarë përmes video-lidhjes. Trupi Gjykues konstatoi se teknologjia ekzistuese mundëson që dëshmitarët të pyeten me të njëjtat kushte si në sallën e gjyqit dhe do t’u mundësojë këtyre dëshmitarëve që të dëshmojnë pa ankth, çka do të përmirësojë cilësinë e dëshmisë së tyre dhe do të jetë në të mirë të mirëqenies së tyre fizike dhe psikologjike”, ka thënë Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara.

    Më 14 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) ka dorëzuar versionin publik të redaktuar të dosjes paraprake të saj.

    “Trupi Gjykues urdhëroi Zyrën Administrative të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar respektimin e masave mbrojtëse për dëshmitarët”, ka thënë Doyle.

    Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të ZPS-së, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Dëshmitaret kanë pretenduar se familjari i tyre ishte kidnapuar dhe mbajtur për gati dy javë në një fabrikë metali në Kukës.

    Në krejt këtë, ata kanë thënë se ishte i përfshirë Pjetër Shala, i cili aktualisht ndodhet në bankën e të akuzuarit.

    Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • ​Jep dorëheqje zëvendëskryeministri britanik

    ​Jep dorëheqje zëvendëskryeministri britanik

    ëvendëskryeministri britanik, Dominic Raab, ka dhënë dorëheqje nga Qeveria, pas një hetimi rreth ankesave për ngacmim.

    Ai mbante edhe pozitën e Sekretarit të Drejtësisë.

    Hetimi kishte zbuluar se Raab kishte vepruar në një mënyrë “frikësuese” dhe “fyese” me nëpunësit civilë.

    Ai ka dhënë dorëheqje përmes një letre drejtuar kryeministrit, Rishi Sunak.

    Sunak ka riorganizuar kabinetin e tij me Oliver Dowden, zëvendëskryeministër të ri, dhe Alex Chalk, Sekretar i ri i Drejtësisë, shkruan BBC.

    Udhëheqësi i laburistëve, Keir Starmer, e ka akuzuar kryeministrin Sunak për dobësi, duke thënë se ai duhet të kishte shkarkuar vartësin e tij.

  • Bombarduesi i sinagogës së Parisit dënohet përjetë 43 vite pas sulmit

    Bombarduesi i sinagogës së Parisit dënohet përjetë 43 vite pas sulmit

    Më shumë se 42 vite nga bombardimi i një sinagoge në Paris, një gjykatë në kryeqytetit francez ka dënuar profesorin që kreu sulmin.

    Trupa gjykuese vendosi që 69-vjeçari Hassan Diab, ishte ai që vendosi bombën me motoçikletë në Rue Copernic më 3 tetor 1980.

    Si pasojë e sulmit, katër persona u vranë dhe 38 të tjerë mbetën të plagosur. Diab refuzoi të merrte pjesë në gjyq, por gjyqtarët i dhanë dënim të përjetshëm.

    Nga ana tjetër, prokurorët kanë argumentuar se ishte e pamundur që ai të kishte gisht në sulm. Kurse, mbështetësit e tij e kanë dënuar gjyqin duk e cilësuar si qartësisht të padrejtë.

    Sulmi i Rue Copernic ishte i pari që si objekt kishte hebrenjtë në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe u bë një model për shumë sulme të tjera të ngjashme të lidhura me militantët në Lindjen e Mesme në vitet që pasuan.

    Hetimi prej dekadash ka shkaktuar konfuzionin si për stërzgjatjen e procesit, si dhe për vendosmërinë e rreptë të një grushti magjistratësh për të mos lënë rastin të harrohet.

    Diab, një libanez me origjinë palestineze që mori shtetësinë kanadeze në 1993 dhe jepte sociologji në Otava, u emërua për herë të parë si i dyshuar në bazë të provave të reja në vitin 1999, gati 20 vjet pas sulmit.

  • Escobar: Një evoluim i jashtëzakonshëm i Kurtit për Asociacionin, ishte shumë e vështirë për këtë qeveri ta pranonte

    Escobar: Një evoluim i jashtëzakonshëm i Kurtit për Asociacionin, ishte shumë e vështirë për këtë qeveri ta pranonte

    I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ndonëse ka parë një progres në qëndrimin e Kryeministrit Kurtit lidhur me çështjen e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ishte e vështirë për qeverinë t’a pranonte si detyrim.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar ka thënë se tashmë, Qeveria e Kosovës po e konsideron çështjen e Asociacionit si ‘detyrim’.

    “Para së gjithash, që të jem mjaft i drejtpërdrejtë, kemi parë një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cilia duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, ka thënë Escobar.

    Se a ka një plan kohor për zbatimin në tërsi të marrëveshjes, Escobar ka thënë se pret diçka konkrete nga Qeveria e Kosovës në maj të këtij viti.

    “Kur të dy udhëheqësit të takohen në maj, do të doja të shihja një projekt-plan nga qeveria e Kosovës”, ka thënë Escobar gjersa ka theksuar se “Deri tani nuk pritej ndonjë gjë, por shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”.

    Lidhur me zgjedhjet në komunat në veri të vendit, Escobar ka thënë se bojkotimi i tyre nuk mbetet një zgjidhje efikase.

    “Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet. Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre. Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, ka deklaruar Escobar.

    Zgjedhjet në Veri të vendit pritet të mbahen të dielën e 23 prillit.

    Se a ka mundësi që mospjesëmarrja e Listës Serbe të vonojë formimin e Asociacionit, Escobar ka thënë se pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet.

  • BE bën thirrje të krijohen kushte për zgjedhje paqësore

    BE bën thirrje të krijohen kushte për zgjedhje paqësore

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka ripërsëritur zhgënjimin e vendeve anëtare për mos pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 23 prillit.

    Megjithatë, ai ka bërë thirrje qe zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore.

    “Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore, pavarësisht se zgjedhjet janë shtyrë nga dhjetori në prill dhe afati për kandidaturat është shtyrë gjithashtu. Sigurimi që zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore është thelbësore dhe BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje”, ka thënë Stano për RTV21.

    Të dielën mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

  • Stoltenberg: Jam i bindur se Ukraina do të jetë e suksesshme

    Stoltenberg: Jam i bindur se Ukraina do të jetë e suksesshme

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i takon Kievit të vendosë se kur është koha e duhur për të nisur një ofensivë të re kundër ushtrisë pushtuese ruse.

    Ai tha se, bazuar në atë se sa kanë arritur forcat ukrainase deri më sot, ai është i bindur se “Ukraina do të jetë e suksesshme”.

    Stoltenberg i bëri komentet në një intervistë dhënë Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, si dhe kanalit Current Time.

    Të premten e 21 prillit, ai mori pjesë në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i cili u mbajt në bazën ajrore, Ramstein, në Gjermani.

    Stoltenberg përsëriti deklaratën që bëri një ditë më parë në Kiev, se NATO-ja ka vendosur që Ukraina të bëhet anëtare e aleancës, por së pari duhet të mbizotërojë kundër Rusisë.

    “Përgjegjësia jonë si aleatë dhe partnerë të NATO-s është të ofrojmë sa më shumë pajisje dhe mbështetje për Ukrainën. E gjithë kjo mbështetje ka bërë një ndryshim të madh në fushëbetejë”, tha Stoltenberg.

    “Duhet të kujtojmë se Ukraina ka qenë në gjendje t’i largojë forcat ruse nga Kievi në veri… dhe më pas në [frontin] lindor – Harkiv – dhe më pas në jug dhe rreth Hersonit”, shtoi ai.

    “Forcat e armatosura ukrainase, trimëria e tyre, guximi i kombinuar me furnizime nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, kanë treguar se ato kanë aftësi për të çliruar territore”, theksoi shefi i NATO-s në intervistën dhënë REL-it.

    Radio Evropa e Lirë: A mund të fitojë Ukraina në fushën e betejës, marrë parasysh faktin se furnizimi me avionë dhe armë me rreze të gjatë veprimi është duke u bllokuar nga partnerët e Ukrainës? Siç e dini, Rusia aktualisht ka epërsi ajrore…

    Jens Stoltenberg: Para së gjithash, mbrojtja ajrore është e rëndësishme dhe mund të bëhet me sisteme tokësore dhe me avionë. Fokusi tani është te sistemet e bazuara në tokë. Ukraina ka pranuar disa avionë nga Polonia dhe Sllovakia. Por, unë mendoj se duhet të bëjmë vlerësime dhe diskutime të mëtejshme për sistemet e reja, përfshirë avionët.

    Gjëja më e rëndësishme është të sigurohemi se të gjitha sistemet që janë tashmë atje, funksionojnë siç duhet. Kjo do të thotë se kemi nevojë për një sasi të madhe municionesh, pjesë këmbimi, mirëmbajtje, pajisje riparimi, për t’u siguruar që mijëra sisteme funksionojnë siç duhet. Kështu që, unë mendoj se mbajtja e këtij qëndrimi nga ana jonë është e rëndësishme, ndoshta edhe më e rëndësishme sesa diskutimi i sistemeve të reja.

    Radio Evropa e Lirë: Sipas vlerësimeve tuaja, edhe sa kohë do të jetë e aftë Rusia të vazhdojë luftën kundër Ukrainës?

    Jens Stoltenberg: Nuk do të spekuloj për këtë, sepse lufta, ose luftërat, janë të paparashikueshme për nga natyra. Dhe kurrë nuk duhet t’i nënvlerësojmë rusët. Ata kanë dëshmuar gatishmërinë e tyre për të ndërmarrë veprime agresive kundër Ukrainës.

    Lufta nuk ka filluar vitin e kaluar. Ka filluar në vitin 2014. Kjo është pikërisht arsyeja e mesazhit për të gjithë aleatët dhe partnerët e NATO-s, si dhe për Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën – se ne duhet të jemi gati t’i qëndrojmë krah Ukrainës për një kohë të gjatë, sado që është e nevojshme.

    Mesazhi im për presidentin [e Ukrainës, Volodymyr] Zelensky dje [20 prill] në Kiev ka qenë se NATO-ja e ka mbështetur Ukrainën për shumë vite dhe se ne vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën sot, derisa ajo vazhdon të luftojë agresionin e presidentit [rus, Vladimir] Putin kundër vendit tuaj. Dhe, ne do të jemi me Ukrainën në të ardhmen, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

    Do të ishte tragjedi për ukrainasit nëse presidenti Putin fiton, por edhe rrezik për aleatët e NATO-s. Do të dërgonte një mesazh për të gjithë liderët autoritarë se kur përdorin forcën ushtarake për të marrë atë që duan, ata do ta bëjnë botën më të rrezikshme dhe aleatët e NATO-s më të cenueshëm. Kështu që, mesazhi im për aleatët e NATO-s është se është në interesin tonë të sigurisë që të garantojmë se Ukraina fiton dhe mbijeton si një vend sovran.

    Radio Evropa e Lirë: Mediat, veçanërisht Bloomberg, aktualisht po përhapin informacione – bazuar në burime natyrisht – se presidenti francez, Emmanuel Macron, synon ta përfshijë Kinën në tryezën e bisedimeve me rusët dhe ukrainasit. A jeni të informuar për këtë nismë dhe si e vlerësoni?

    Jens Stoltenberg: Para së gjithash, unë mendoj se Ukraina duhet të vendosë se kur është koha dhe kur lejojnë kushtet negociata për të ardhmen e saj. Së dyti, nuk ka shenja se presidenti Putin është gati për paqe. Ai po përgatitet për luftë. Dhe, së treti, ajo që ne dimë – megjithëse është shumë e vështirë të parashikohet përfundimi i kësaj lufte – është se lufta do të përfundojë.

    Ne e dimë se nëse përfundon në tryezën e bisedimeve, ajo që ndodh në atë tryezë negociuese, është e lidhur në mënyrë të pandashme me situatën në fushëbetejë.

    Pra, mënyra e vetme për të siguruar se presidenti Putin është i gatshëm ta pranojë Ukrainën si një vend sovran, të pavarur, dhe se kemi një zgjidhje të pranueshme, është që ne të ofrojmë mbështetje ushtarake për Ukrainën, për të forcuar rolin e saj në çdo negociatë të mundshme në të ardhmen.

    I takon Ukrainës të vendosë se cilat janë kushtet e pranueshme, na takon neve të sigurojmë që Ukraina ka forcë në fushëbetejë, e që na lejon të sigurojmë një zgjidhje të pranueshme për këtë luftë.

    Radio Evropa e Lirë: Keni thënë se të gjithë aleatët e NATO-s, më në fund, bien dakord se Ukraina duhet të bëhet pjesë e kësaj aleance. A do të jetë e mundur për Ukrainën… apo cilat janë shanset për të fituar anëtarësim gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius [që do të mbahet në korrik]?

    Jens Stoltenberg: Para së gjithash, mendoj se është e rëndësishme që NATO-ja ka vendosur që Ukraina të bëhet anëtare e aleancës. Unë kam deklaruar se Ukraina ka çdo të drejtë për një vend në familjen euroatlantike, si anëtare e aleancës, dhe për mbështetjen që ne i japim.

    Gjithashtu, pres që aleatët të bien dakord për një program shumëvjeçar, përmes të cilit ne do ta ndihmojmë Ukrainën që të kalojë nga standardet, pajisjet dhe doktrinat e epokës sovjetike në standardet e NATO-s. Doktrinat do ta ndihmojnë Ukrainën që të shkojë drejt anëtarësimit në NATO.

    Megjithatë, fokusi kryesor tani, natyrisht, është të sigurohemi që Ukraina fiton dhe jo presidenti Putin, sepse ne kemi nevojë për Ukrainën si një vend sovran dhe i pavarur në Evropë.

    Radio Evropa e Lirë: Gjatë rrugës për në NATO, Ukraina ka kërkuar një lloj garancie të sigurisë për të parandaluar sulmet e ardhshme mbi sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Në çfarë niveli është ky diskutim tani, për çfarë janë gati aleatët? Çfarë garancish mund të jepen dhe cilat vende janë të përfshira?

    Jens Stoltenberg: Është ende herët për të thënë diçka. E përsëris, ne nuk e dimë se si dhe kur do të përfundojë kjo luftë. Ajo që dimë, është se kur të mbarojë, duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet, që presidenti Putin nuk mund të vazhdojë ta shkatërrojë sigurinë e Evropës duke nisur luftëra të reja, duke bërë një luftë tjetër kundër Ukrainës.

    Pra, ne duhet të ulemi dhe të flasim për një kornizë të fortë, për një marrëveshje sigurie, që siguron se presidenti Putin nuk mund të vazhdojë të sulmojë një komb sovran dhe të pavarur.

    Nuk mund t’ju them saktësisht se si do të duket, por thjesht po them se përgjegjësia është e të gjithë neve për të siguruar që modeli i sjelljes agresive të presidentit Putin, ndalet. Prandaj, ne duhet të diskutojmë gjithashtu se si ta parandalojmë këtë në të ardhmen.

  • Heqja e vizave, paralajmërohet fluks më i madh i ikjes së mjekëve

    Heqja e vizave, paralajmërohet fluks më i madh i ikjes së mjekëve

    Nga janari e deri në prill, sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, nga vendi janë larguar 88 mjekë. Pleurat Sejdiu, që udhëheq me këtë institucion tha se kjo shifër e kalon numrin e ikjeve gjatë vitit të kaluar.

    Sipas tij, në krejt vitin 2022 nga Kosova ishin larguar 211 mjekë të profileve të ndryshme. Madje ai paralajmëron se pas heqjes së vizave nga janari i 2024 do të rritet dinamika dhe numri i largimeve.

    “Lehtësimi i këtyre komunikimeve me siguri që do të rrit dinamiken dhe numrin e largimeve. Vitin e kaluar kemi pasur 211 me gjitha ato bllokada të komunikimeve, këtë vit deri me ditën e sodit kemi 88 që e kalon mesataren e viti të kaluar, katër mujorin e parë. Presim një numër më të madh se vitin e kaluar. Arsyet të cilat kanë qenë vitin e kaluar dhe janë po të njëjtat është çështja e papunësisë, kemi një numër të madh të mjekëve afër 400 mjek janë të pa punë”.

    Sipas tij, Kosovën e kanë lënë në shumicën e rasteve të papunët pa përjashtuar edhe profesionistët, por që thonë edhe përkundër mungesave të pa punë vazhdojnë të jenë rreth 400 mjekë.

    Madje thotë se vazhdon të jetë çudi se si komunat që kanë më së shumti nevojë për staf në këtë sektorë vetëm ankohen e nuk shpallin konkurse për pranimin e mjekëve të rinj.

    “Pjesa më e madhe e këtyre që largohen janë nga kjo kategori, që janë të pa punë. Pastaj janë specializantët, ata që janë në vitin e dytë të tretë, të specializimeve nuk janë të kënaqur me kualitetin e shkollimit specialisti që ju ofrohet këtu në Kosovë dhe është gjenerata më kërkuese se gjenerata e jonë dhe ky është një numër i madh i tyre, edhe arsyet pse largohen. Arsyeja e tret janë kushtet e punës dhe paga”.

    “Punësimi i këtyre të rive, është e habitshme si është e mundur kur të gjitha komunat dhe komunat janë ato të cilat janë punëdhënësit kryesor të këtyre kategorive që po largohen. Të hap konkurse për mjek sepse kanë nevojë për mjek, vetë kanë shprehur brengen se nuk kanë mjek dhe këta duhet të punësohen. Kanë nevojë edhe për infermier por më pak. Pjesa e dytë është ndryshimi në kualitet flas të shkollimit specilaistik, ku duhet shteti të ofrojë më shumë bursa apo mbështetje financiare për shkollimin e tyre në vitin e fundit jashtë vendit siç ka qenë çdo herë”.

    Përderisa deputeti i AAK-së, Shemsedin Dereshaj, thotë se kushdo që e ka në plan të largohet e gjen mënyrë, edhe nëse nuk ka liberalizim.

    Por thotë se heqja e vizave është masë lehtësuese dhe shumë e favorshme për të pasur një fluks më të madh të shkuarjes se profesionistëve jashtë vendit, raporton EO.

    “Unë mendoj që kush e ka plan të largohet jashtë vendit e gjen rrugën që të shkojë. Realisht ky është një lehtësim për qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Sa i përket stafit profesional mjekësor dhe infermeror ata kanë pasur oferta edhe më herët kanë lëvizur, por një rrethanë e tillë ka gjasa që në rrethanat të cilat i kemi sot pas telasheve me ligjin e pagave është e mundur që të kemi një fluks më të madh të shkuarjes së profesionistëve jashtë vendit”.

    Ikja e mjekëve, thotë ai duhet të merret me shqetësim ngase, nevojiten gjashtë vjet që ta “prodhojmë” një mjek ose katër vjet për një infermier.

    “Kjo është shumë shqetësuese për vendin dhe duhet që të jetë shumë shqetësuese, për shkak se neve na nevojitet gjashtë vite që ta prodhojmë një mjek ose katër vite për një infermier. Ndërsa vetëm deri me tash këta tre muajt e para i kemi mbi 60 mjek dhe një numër te konsiderueshëm të infermiereve të cilët kanë shkuara në vendet e tjera”./EO