ATV

Category: Lajme

  • Data e zgjedhjeve, Hamza: Shumica e përfaqësuesve politikë ishin për 7 qershorin

    Data e zgjedhjeve, Hamza: Shumica e përfaqësuesve politikë ishin për 7 qershorin

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka deklaruar se data më e kërkuar për të mbajtur zgjedhjet ishte 7 qershori, raporton Ekonomia Online.

    Megjithatë, ai tha se PDK do ta respektojë cilëndo datë.

    “Shumica e përfaqësuesve kanë qenë për datën 7, por ne do të shohim tutje. PDK është gati për zgjedhje”, tha Hamza.

    “Për Partinë Demokratike të Kosovës, cilado nga datat brenda afateve kushtetuese dhe brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e pranueshme, qoftë ajo data 31 apo data 7, kështu që ne jemi të përgatitur, të jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të respektojmë afatet ligjore dhe kushtetuese”, tha ai.

    “Shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7. Po sidoqoftë ne do të marrim në konsideratë edhe vullnetin e punës dhe arsyet që zgjedhjet të jenë sa më mirë të përgatitura, dhe normal edhe KQZ-ja ka punën e vet, vlerësimin e vet të punës, të gjitha përgatitjet e nevojshme. Edhe prandaj ne jemi fleksibil rreth asaj se a është 31 apo 7”, tha ai.

    “Brenda listës së Partisë Demokratike të Kosovës sigurisht se do të ketë edhe risi, edhe emra dhe figura të tjera”, tha ai.

  • Raporti për Specialen, OVL-UÇK: Përpjekjet tona për drejtësi ndaj ish-krerëve po marrin jehonë ndërkombëtare

    Raporti për Specialen, OVL-UÇK: Përpjekjet tona për drejtësi ndaj ish-krerëve po marrin jehonë ndërkombëtare

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas raportit të fundit të një organizate britanike për të drejtat e njeriut, duke thënë se ai konfirmon shqetësimet e tyre për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializuara.

    Në reagim, OVL-UÇK thekson se ndër vite ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ngritur zërin kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Sipas organizatës, këto përpjekje kanë përfshirë letra drejtuar institucioneve ndërkombëtare, takime me ambasadorë dhe personalitete të rëndësishme, vizita në Parlamentin Evropian, Parlamentin e Zvicrës, takim në Vatikan, protesta kombëtare dhe peticione qytetare.

    Organizata u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

    Reagimi i plotë:

    OVL UÇK rikujton se përpjekjet tona të pandërprera ndër vite, përmes qindra letrave drejtuar institucioneve ndërkombëtare, takimeve me ambasadorë të shteteve mike, takime me personalitete të rëndësishme ndërkombëtare, takimeve në Parlamentin Evropian dhe në Parlamentin e Zvicrës, takimit në Vatikan, si dhe përmes protestave kombëtare si dhe në qendra evropiane dhe së fundmi edhe përmes peticionit qytetar, kanë pasur një qëllim të vetëm: ngritjen e zërit kundër padrejtësive dhe shkeljeve që po ndodhin në proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Shqetësimet tona të vazhdueshme, të ngritura me këmbëngulje në çdo forum të mundshëm, sot po gjejnë jehonë edhe në arenën ndërkombëtare. Raporti i fundit i publikuar nga një organizatë britanike për të drejtat e njeriut, i cili ngre shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializuara, përbën një konfirmim të qartë se alarmet tona kanë qenë të drejta dhe të argumentuara.

    OVL UÇK vlerëson se ky zhvillim është një moment i rëndësishëm për ndërgjegjësimin ndërkombëtar lidhur me mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate dhe trajtimin e padrejtë ndaj çlirimtarëve. Drejtësia selektive dhe standardet e dyfishta nuk mund të ndërtojnë besim dhe as të sjellin drejtësi të vërtetë.

    I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të marrin seriozisht këto gjetje dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të vazhdojë angazhimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të bashkëluftëtarëve tanë, duke mos u ndalur përballë asnjë padrejtësie.

  • Lushaku – Sadriu: LDK propozoi 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve

    Lushaku – Sadriu: LDK propozoi 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve

    Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se mbrëmë ka pasur një fushatë propaganduese ndaj këtij subjekti politik, duke akuzuar për përfshirje të disa eksponentëve që sipas saj kanë shpërndarë përmbajtje në gjuhën serbe.

    “Ne kemi qenë dëshmitarë që mbrëmë në mesnatë ka pasë një fushatë, një fushatë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës me gjasë disa eksponentë të cilët po udhëheqin propaganda ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë gjeneru postime të ndryshme në gjuhën serbe, kanë dhënë deklarata”, tha ajo.

    Lushaku-Sadriu ka folur edhe për datën e zgjedhjeve, duke bërë të ditur se LDK-ja mbështet 7 qershorin, në përputhje me kërkesat dhe kapacitetet organizative të institucioneve përgjegjëse.

    “Si Lidhje Demokratike e Kosovës, dhamë opinionin tonë që brenda kornizave ligjore të shpallet data e 7 qershorit si datë e zgjedhjeve. Meqë ishte poashtu një arsyetim që KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, për shkak që i nevojitet më shumë kohë për mobilizim të strukturës së saj për organizim sa më profesional të zgjedhjeve dhe normalisht që ne e mirëkuptojmë këtë kërkesë dhe jemi dakord me datën 7 qershor”, tha ajo.

    Ajo ka bërë të ditur se detajet për programin dhe organizimin partiak do të prezantohen nga zyra e partisë në periudhën në vijim.

    “Të gjitha këto pyetje partiake, nga tash e tutje nga zyra e partisë. Do të ketë një platformë e cila do të prezantohet në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të gjitha detajet pastaj do t’i merrni në kohë. Normalisht që deri këtu kemi thënë që ne jemi të synuar që t’i japim Kosovës një vizion tjetër, një bashkim të së djathtës, e cila do të ketë një vizion zhvillimor, një program zhvillimor për Kosovën, për një Kosovë që i forcon aleancat ndërkombëtare, që prezanton projekte zhvillimore, hap vende pune dhe jo që ta lë vendin në sanksione dhe në skema sociale. Prandaj besoj shumë që qytetarët e Kosovës do ta shohin këtë risi edhe do t’i mbështesin ata që dinë të qeverisin dhe ata që ua rregullojnë jetën atyre”, tha ajo.

    Sipas saj, fokusi i LDK-së në periudhën e ardhshme do të jetë komunikimi me qytetarët dhe prezantimi i projekteve konkrete.

    “Krejt diskutimet janë mirë tash e tutje. Besoj krejt energjitë tona do të jenë në komunikim me qytetarët, në sqarim për qytetarët se çfarë janë projektet tona dhe qysh ne do t’ua përmirësojmë jetën atyre. Gjatë kësaj legjislature ne kemi parë edhe kemi bërë, kemi thirrë seanca të jashtëzakonshme, kemi bërë shumëçka duke i bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa për t’i ulë çmimet, për t’ua rregullu jetën qytetarëve, për t’ua lehtësu ballafaqimin me krizat ekonomike, po s’kemi pasë mbështetje. Prandaj tani në këto zgjedhje, meqë zgjedhjet do të mbahen, do të jetë një shansë e re për qytetarët për të bërë një përzgjedhje më cilësore edhe të politikanëve edhe të partive të përgjegjshme politike që japin vërtet zgjidhje qytetare”, tha ajo.

  • Pakistani ka hapur korridore tokësore për në Iran mes bllokimit në Ngushticën e Hormuzit

    Pakistani ka hapur korridore tokësore për në Iran mes bllokimit në Ngushticën e Hormuzit

    Ndërsa vëmendja e madhe e botës ka qenë në Ngushticën e Hormuzit, e cila është thelbësore, Pakistani ka hapur gjashtë rrugë tokësore tranziti për mallrat e destinuara për në Iran.

    Ministria e Tregtisë lëshoi Urdhrin 2026 për Tranzitin e Mallrave përmes Territorit të Pakistanit më 25 prill, duke e futur atë në fuqi të menjëhershme, duke formalizuar një korridor rrugor përmes territorit të saj për të pastruar ngarkesat e prapambetura.

    Urdhri lejon që mallrat me origjinë nga vendet e treta të transportohen përmes Pakistanit dhe të dorëzohen në Iran me rrugë tokësore, transmeton Telegrafi.

    Flet nga diku, por askush nuk e ka parë – lideri i Iranit lëshon një tjetër deklaratë

    Rreth 3,000 kontejnerë transporti iranianë kanë qëndruar në portet e Karaçit dhe Gwadorit që nga fillimi i konfliktit dy muaj më parë.

    Gjashtë rrugët e caktuara lidhin portet kryesore të Pakistanit – Karaçi, Port Qasim dhe Gwadar – me dy kalime kufitare iraniane – Gabd dhe Taftan – që kalojnë nëpër provincën jugperëndimore të Balochistanit të Pakistanit, e cila kufizohet me Iranin.

    Njoftimi i ministrisë së tregtisë u bazua në një marrëveshje të vitit 2008 midis Islamabadit dhe Teheranit që lejon transportin e mallrave dhe pasagjerëve me rrugë tokësore. Irani nuk i ka përdorur këto rrugë deri më tani, pasi mbështetej në portet e veta për tregti. /Telegrafi/

     

  • Komuna e Prishtinës ndalon qarkullimin në drejtim të Parkut të Gërmisë për 1 maj

    Komuna e Prishtinës ndalon qarkullimin në drejtim të Parkut të Gërmisë për 1 maj

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, më 1 Maj 2026, ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve në drejtim të parkut “Gërmia”.

    Kështu njofton Komuna e Prishtinës, megjithatë bëhet e ditur se ka disa përjashtime.

    “Përjashtim bëjnë: autobusët e linjës 4 të NPL “Trafiku Urban”, automjetet e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, NPL “Gjelbër”, KRM “Pastrimi” si dhe automjetet emergjente dhe të inspektoratit.

    Bëhet e ditur se linja S22 do të operojë sipas itinerarit dhe orarit të rregullt.

  • Caktimi i datës së zgjedhjeve, fillon takimi i Haxhiut me përfaqësues të partive politike

    Caktimi i datës së zgjedhjeve, fillon takimi i Haxhiut me përfaqësues të partive politike

    Ka filluar takimi i ushtruesës së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me përfaqësuesit e partive politike, për të diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Takimi ka filluar në orën 15:00 në objektin e Kuvendit të Kosovës.

    Në takim me Haxhiun i pranishëm është lideri i PDK-së Bedri Hamza, Ardian Gjini nga AAK dhe Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK.

    Ndërkaq në takim janë dhe përfaqësues të partive minoritare.

    Ndryshe ky takim po zhvillohet pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të vendit.

  • KDS realizon Kursin për Nënoficer të Lartë

    KDS realizon Kursin për Nënoficer të Lartë

    Në kuadër të zhvillimit profesional dhe ngritjes së kapaciteteve udhëheqëse, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes ka përfunduar me sukses certifikimi i Kursit për Nënoficer të Lartë (KLN) “Gjenerata 10-2026”.

    Në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës theksohet se ky kurs përfaqëson një hap të rëndësishëm në përgatitjen e kuadrove për përballimin e sfidave bashkëkohore, duke forcuar aftësitë e lidershipit, vendimmarrjes ushtarake dhe menaxhimit në situata komplekse operacionale dhe taktike.

    Gjatë realizimit të këtij kursi, bëhet e ditur se pjesëmarrësit kaluan nëpër një proces intensiv trajnimi, duke zhvilluar aftësi teorike dhe praktike të nevojshme për udhëheqje efektive në çdo nivel të përgjegjësisë, kursantët dëshmuan përkushtim, profesionalizëm dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi më të larta në shërbim të misionit.

  • PDK: Gjetjet e organizatës ndërkombëtare për Specialen, alarm për padrejtësitë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    PDK: Gjetjet e organizatës ndërkombëtare për Specialen, alarm për padrejtësitë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me gjetjet e raportit të organizatës “Bar Human Rights Committee of England & Wales”, i cili trajton proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Ky raport ka ngritur shqetësime serioze rreth procesit duke theksuar se mandati i Speciales ka pasur devijim që nga qëllimi fillestar. Raporti evidenton shqetësime lidhur me “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes”.

    PDK-ja përmes një reagimi ka deklaruar se këto të gjetura paraqesin sfida serioze për integritetin e procesit gjyqësor, dhe se gjetjet nuk mund dhe nuk duhet të injorohen nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

    “PDK rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare. Rrjedhimisht, çdo proces ndaj pjesëtarëve të UÇK-së duhet të jetë i pakontestueshëm në standard, i pastër në procedurë dhe i drejtë në çdo aspekt”, thuhet në reagim.

    PDK-ja ka kërkuar që rekomandimet e raportit të merren seriozisht dhe urgjentisht, përfshirë krijimin e një mekanizmi të pavarur të monitorimit, që garanton respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare dhe ruajtjen e legjitimitetit të procesit gjyqësor.

    Po ashtu, u ka bërë thirrje shteteve financuese të Dhomave të Specializuara, ekspertëve të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë njohësve të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit, që të mos heshtin.

    “Heshtja përballë këtyre gjetjeve nënkupton normalizim të standardeve të ulëta dhe rrezikon të krijojë precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e PDK-së.

  • Hamza për datën e zgjedhjeve: S’kemi preferencë, të jetë brenda afateve kushtetuese

    Hamza për datën e zgjedhjeve: S’kemi preferencë, të jetë brenda afateve kushtetuese

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se nuk kanë ndonjë preferencë për datën e zgjedhjeve, raporton Ekonomia Online.

    Hamza, këto komente i bëri para takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Ai, deklaroi se do ta respektojnë cilën do datë, por e cila do të jetë brenda afateve kushtetuese

    “Cilëndo brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

  • Spanca ia dorëzon Kuvendit raportin vjetor të ZKA-së për vitin 2025

    Spanca ia dorëzon Kuvendit raportin vjetor të ZKA-së për vitin 2025

    Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dje i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2025. Raporti paraqet informata për performancën e përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) karshi detyrimeve dhe mandatit ligjor, si dhe reflekton progresin e arritur dhe adresimin e sfidave përgjatë vitit.

    Sipas njoftimit, Spanca në fjalën e saj ka theksuar se edhe gjatë vitit 2025 ZKA-ja ka ushtruar mandatin e saj me pavarësi të plotë, integritet të lartë profesional dhe përgjegjësi institucionale. Përmes vlerësimeve të pavarura, objektive dhe të ndershme, ajo tha se ZKA kontribuoi në informimin e publikut dhe palëve të tjera të interesit, duke forcuar transparencën dhe inkurajuar një kulturë më të avancuar të llogaridhënies në sektorin publik.

    “Ky angazhim është reflektuar qartë edhe në realizimin e plotë të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin 2024/2025, ku janë përfunduar 133 auditime, prej të cilave 104 financiare/të pajtueshmërisë, 14 të performancës, 12 të pajtueshmërisë dhe tre auditime me nivel të informacionit të klasifikuar. Ky rezultat dëshmon jo vetëm kapacitete të larta profesionale, por edhe pjekuri institucionale. Shtrirja e auditimeve në organizata me kompleksitet të lartë, e shoqëruar me vëmendje të shtuar ndaj monitorimit të zbatimit të rekomandimeve, flet për një orientim gjithnjë e më të qartë drejt ndikimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të qeverisjes publike”, citohet Spanca në komunikatë.

    Më tej, Auditorja e Përgjithshme tregoi se gjetjet e auditimeve të ZKA-së vazhdojnë të evidentojnë dobësi strukturore në menaxhimin financiar dhe në sistemet e kontrollit të brendshëm. Ndonëse ka përmirësime në disa fusha, znj. Spanca theksoi se niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet nën pritshmëritë, prandaj nevojiten mekanizma më të fortë dhe më efektivë të përgjegjësisë institucionale. Në këtë aspekt mungesa e funksionimit të Kuvendit gjatë vitit 2025 ka ndikuar në ritmin e shqyrtimit parlamentar të raporteve të auditimit, duke reflektuar sfida që kërkojnë adresim për funksionimin e plotë dhe efektiv të ciklit të llogaridhënies demokratike.

    Në funksion të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik është intensifikuar bashkëpunimi me organet e drejtësisë, duke referuar rastet me elemente potenciale të veprave penale të identifikuara gjatë auditimeve.

    Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se pavarësisht sfidave, ZKA ka ruajtur stabilitetin institucional dhe ka avancuar sistemet e saj të brendshme. Ajo shtoi se ZKA vazhdon të fuqizohet dhe të prijë në rajon si institucion i besueshëm dhe me ndikim në jetën e qytetarëve, si dhe ka konsoliduar edhe më tej pozitën e saj si partner i besueshëm në rrjetin e Institucioneve Supreme të Auditimit.