ATV

Category: Lajme

  • Rishpallet konkursi për zgjedhjen e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor

    Rishpallet konkursi për zgjedhjen e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në mbledhjen e 365-të me radhë, ka trajtuar pikën e parë të rendit të ditës për zgjedhjen e kryesuesit të ri të KGJK-së.

    Pas zhvillimit të dy raundeve të votimit asnjëri nga dy kandidatët nuk arriti të marrë shumicën e thjeshtë të votave për t’u zgjedhur kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Kandidatët Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi, sikurse në raundin e parë, ashtu edhe në raundin e dytë kanë marrë nga 5 vota ndërsa një votë ishte e pavlefshme.

  • Qeveria serbe bllokon fondet nga Kosova për Luginën e Preshevës

    Qeveria serbe bllokon fondet nga Kosova për Luginën e Preshevës

    Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka deklaruar se qeveria serbe ka bllokuar transferet dhe donacionet nga Kosova, të destinuara për zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në Luginën e Preshevës.

    “Nuk bëhet fjalë për një çështje teknike. Bëhet fjalë për bllokimin e fondeve… që prekin drejtpërdrejt 3650 nxënës, 94 fëmijë pa prind, 957 bujq… dhe mijëra qytetarë”, është shprehur Rexhepi.

    Sipas tij, bllokimi po realizohet përmes sistemit bankar nga autoritetet serbe dhe ministri Demo Berisha.

    Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës e ka dënuar këtë veprim, duke e cilësuar si “ndërhyrje të papranueshme” dhe pjesë të një “modeli të përsëritur të bllokimit institucional”.

    Sipas autoriteteve në Prishtinë, bëhet fjalë për mjete të ndara që nga 10 tetori 2025, në vlerë 304 mijë euro, të cilat nuk janë ekzekutuar. Ndërkohë, deri në prill 2026, shuma totale e fondeve të bllokuara ka arritur në mbi 1.8 milionë euro.

    Qeveria e Kosovës thekson se kjo praktikë “bie ndesh me standardet ndërkombëtare”, ndërsa ka njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë, duke kërkuar reagim për çështjen.

    Autoritetet kosovare shtojnë se do të vazhdojnë mbështetjen për shqiptarët në Luginën e Preshevës “duke përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe ndërkombëtare” për të siguruar respektimin e të drejtave të tyre.

  • E jashtëzakonshme, akrobatja thyen rekordin e ri – merr vëmendjen e kryeministrit Rama

    E jashtëzakonshme, akrobatja thyen rekordin e ri – merr vëmendjen e kryeministrit Rama

    Fiona Rushiti, akrobatja shqiptare, ka sjellë një performancë tërrallë që sfidoi kufijtë dhe dhuroi emocione të forta në qiellin e Himarës. Ajo ka hyrë në histori si shqiptarja e parë që realizon një akt akrobatik në 450 metra lartësi mbi detin Jon, duke e kthyer këtë moment në një spektakël të vërtetë ku u ndërthurën arti, guximi dhe adrenalina.

    Ky sukses nuk ka kaluar pa u vënë re, duke tërhequr edhevëmendjen e Kryeministrit Edi Rama, ku e postoi videon nërrjetet e tij sociale.

    Megjithatë, kjo arritje është vetëm një nga rekordet nërrugëtimin e saj. Rushiti, e ftuar në emisionin “Studio A” me Blerona Zeqiri në ATV para pak muajve, ndau ekskluzivishtpamje nga një tjetër sfidë ekstreme në Gryka e Rugovës, konkretisht në Via Ferrata.

    Ajo mbetet e përkushtuar ndaj projekteve edhe më ambicioze, qëpërfshijnë performanca në lartësi ekstreme, hedhje me parashutëdhe sfida të pazakonta si varja nga flokët apo dhëmbët, si dheakte pa rrip sigurie.

  • Aksident në Francë, autobusi dhe një makinë përfundojnë në lumin Sena

    Aksident në Francë, autobusi dhe një makinë përfundojnë në lumin Sena

    Një aksident i rëndë është shënuar këtë të enjte, rreth orës 09:30, në komunën Juvisy në Francë, ku një autobus ka përfunduar në lumin Sena.

    Sipas mediave franceze, në momentin e incidentit në mjet ndodheshin katër persona. Drejtuesi i autobusit, i dyshuar si një shofer në trajnim, thuhet se ka bërë një gabim në manovrim, çka ka bërë që autobusi të dalë nga rruga dhe të përfundojë në ujë.

    Në ngjarje është përfshirë gjithashtu edhe një automjet i parkuar, i cili është goditur dhe tërhequr nga lëvizja e autobusit para se mjeti të përfundonte në lumë.

    Të katër personat brenda mjetit janë shpëtuar në kohë dhe nuk raportohet për viktima. Sipas raportimeve fillestare, kalimtarët e rastit kanë qenë të parët që kanë ndërhyrë për t’u ardhur në ndihmë të aksidentuarve.

    Në vendngjarje janë angazhuar njësitë e zjarrfikësve dhe brigada lumore, ndërsa dy mjete lundruese po patrullojnë zonën për të garantuar që nuk ka persona të tjerë të rrezikuar.

    Fillimisht mediat raportuan se autobusi kishte rënë nga një urë, por më vonë fotot e publikuara kanë treguar se ai ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar drejtpërdrejt në lumë, duke u zhytur pothuajse plotësisht në ujë.

    Kryetarja e bashkisë së Juvisy-t, Lamia Bensarsa Reda, e ka cilësuar ngjarjen si “tronditëse”, duke shprehur shqetësimin për aksidentin.

  • Neurologu zbulon zakonin që shmang për të mbrojtur trurin

    Neurologu zbulon zakonin që shmang për të mbrojtur trurin

    Aktiviteti fizik i përditshëm dhe një stil jetese i shëndetshëm po bëhen më të rëndësishme se kurrë më parë—dhe me arsye të forta. Në fund të fundit, mbajtja e trupit të fortë dhe të shëndetshëm është thelbësore për të qëndruar aktiv, i pavarur dhe për të jetuar jetën në maksimum për sa më shumë vite të jetë e mundur.

    Ka shumë studime që flasin për rëndësinë e ushtrimeve të forcës dhe rindërtimit të muskujve, pasi me kalimin e moshës humbasim natyrshëm masë muskulore. Ndërsa shumë njerëz planifikojnë me kujdes stërvitjet, ecin çdo ditë dhe kujdesen për dietën, shumë më pak i kushtojnë vëmendje shëndetit të trurit.

    Truri është “qendra kontrolluese” e gjithë trupit. Ai ndikon në lëvizjet, vendimet, kujtesën dhe funksionet mendore, prandaj meriton kujdes të veçantë. Lajmi i mirë është se shëndeti i trurit mund të përmirësohet me zakone të thjeshta, pa ndryshime të mëdha në jetesë. Ekspertët rekomandojnë gjëra si: gjumi i mjaftueshëm, ulja e stresit dhe qëndrimi social.

    Për ta kuptuar më mirë këtë, neurologu Dr. Rab Nawaz Khan, me mbi 10 vite përvojë, tregon një zakon që ai vetë e shmang për të mbajtur trurin në formë të mirë.

    Zakoni që neurologu e shmang për shëndetin e trurit

    Sipas Dr. Khan, gjumi është shumë i rëndësishëm dhe duhet të jetë prioritet. Megjithatë, shumë njerëz kanë një zakon të keq: qëndrimin zgjuar vonë me telefon ose laptop në shtrat.

    “Unë e shmang me çdo kusht qëndrimin zgjuar vonë me telefon ose laptop në shtrat,” thotë Dr. Khan. “Kjo duket si kohë e lirë e padëmshme, por shpesh çon në mungesë kronike të gjumit. Gjatë gjumit, truri stabilizon kujtesën, ul stresin dhe pastron mbetjet. Kur e shkurtoni gjumin, trupi funksionon, por dëmet grumbullohen me kalimin e kohës.”

    Çfarë ndodh kur nuk flini mjaftueshëm

    Mungesa e gjumit ose gjumi i ndërprerë e mban trurin në gjendje “alarm”, duke prishur fazat e rëndësishme të gjumit të thellë dhe REM. Këto faza lidhen me kujtesën, mësimin, imunitetin dhe pastrimin e trurit nga mbetjet metabolike.

    “Me kalimin e kohës, mungesa kronike e gjumit mund të sjellë probleme me përqendrimin, ngadalësim të mendimit, ndryshime të humorit dhe rrezik më të lartë për sëmundje të enëve të gjakut,” shpjegon Dr. Khan. “Kjo nuk do të thotë se një natë pa gjumë shkakton probleme serioze, por një model i gjatë i gjumit të dobët rrit rrezikun, sidomos në kombinim me tension të lartë, diabet ose apnea të gjumit.”

    Këshillat e neurologut për gjumë më të mirë

    Dr. Khan thekson disa zakone të thjeshta që ndihmojnë gjumin:

    Mbajtja e një ore të rregullt zgjimi;

    Rutinë e qetë para gjumit pa ekrane dhe me dritë të ulët;

    Aktivitet fizik i rregullt gjatë ditës;

    Kujdes ndaj gërhitjes dhe përgjumjes gjatë ditës.

    Ai këshillon gjithashtu që telefoni të mos mbahet në shtrat dhe të vendoset një kufi pa ekrane 45–60 minuta para gjumit. Në vend të tij, mund të përdoren aktivitete të qeta si leximi, dushi i ngrohtë ose shtrirje e lehtë.

    Në fund, gjumi nuk është luks, por nevojë thelbësore për shëndetin e trurit dhe jetën e gjatë e të shëndetshme.

     

  • BE: Kriza politike në Kosovë rrezikon fondet e Planit të Rritjes

    BE: Kriza politike në Kosovë rrezikon fondet e Planit të Rritjes

    Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar politike në Kosovë, e cila ka çuar vendin në edhe një cikël zgjedhjesh.

    Në një deklaratë me shkrim, dërguar mediave nga zyra e shtypit e BE-së, u rikujtua se Brukseli vazhdimisht u ka bërë thirrje aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional.

    “Na vjen keq që partitë politike nuk identifikuan një figurë unifikuese si kandidat për president, çka do të thotë se Kosova tani po shkon drejt zgjedhjeve të treta të përgjithshme në më pak se 18 muaj”, thuhet në këtë prononcim.

    Theksohet se është urgjente që Kosova të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësitë që u sjellin dobi qytetarëve, përfshirë ato në kuadër të Planit të Rritjes.

    Ndryshe, mjetet financiare nga Plani i Rritjes mund të humben, si pasojë e kësaj situate. Komisioni Evropian ka alokuar për Kosovën mbi 882 milionë euro. Vendi me vonesë ka marrë mjetet e parafinancimit, për shkak të ngërçit institucional të vitit të kaluar. Këstet e radhës, në vlerë prej mbi 90 dhe mbi 165 milionë euro, janë të kushtëzuara me zbatimin e reformave. Një pjesë e tyre ka afat përfundimtar në qershor, ndërsa pjesa tjetër në dhjetor të këtij viti.

    Nga Bashkimi Evropian porositet se ka gatishmëri për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës dhe për të punuar me vendin në çdo fushë, përfshirë Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes. Megjithatë, moszbatimi i reformave rezulton me humbjen e pakthyeshme të mjeteve financiare.

    Kosova ka gjithsej 111 hapa reformues për t’i përmbushur deri në fund të vitit 2027, në mënyrë që të përfitojë nga shuma e plotë e mjeteve të alokuara./rtk/

  • Raporti për Specialen, Behrami: Kthesa më e madhe për procesin e Hagës

    Raporti për Specialen, Behrami: Kthesa më e madhe për procesin e Hagës

    Një raport i organizatës prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Wales” ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.

    Lidhur me këtë raport, ka reaguar ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, i cili ka thënë se kjo është kthesa më e madhe për procesin e Hagës, atje ku tash e më shumë se pesë vjet, po mbahen në paraburgim ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Ai shtoi se publikimi i raportit që gjen shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe procedurave gjyqësore do të duhej të përbënte alarm për shtetet financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    “Bar Human Rights Committee of England and Wales është organizata më serioze në botë dhe njihet për fakte të verifikuara. I lumtë edhe Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, për angazhimin në këto pesë vitet e fundit për të ndriçuar të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale”, ka shkruar ai.

  • ​Daut Haradinaj kujton Ilaz Kodrën: Drenica, krenare me sakrificën e pashembullt për liri

    ​Daut Haradinaj kujton Ilaz Kodrën: Drenica, krenare me sakrificën e pashembullt për liri

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka përkujtuar sot komandantin Ilaz Kodra dhe luftëtarët e rënë në betejat e Drenicës, duke e cilësuar këtë datë si ditën më të përgjakshme dhe më të dhimbshme në historinë e luftës çlirimtare.

    Haradinaj ka thënë se luftëtari dhe themeluesi i UÇK-së, Ilaz Kodra, u priu deri në vetëflijim qindra luftëtarëve të Drenicës për ta ndalur makinerinë vrastare serbe. Sipas tij, gjatë përballjes heroike ra komandanti i shumë betejave bashkë me 48 luftëtarë, ndërsa pati edhe shumë të plagosur.

    Ai ka theksuar se ushtria serbe, në hakmarrje për humbjet, vrau dhe masakroi 280 martirë të pafajshëm.

    “Kjo ditë e zezë për kombin tonë nuk mund të kalojë dhe kurrë nuk mund të harrohet deri sa të sillen para drejtësisë kriminelët gjakpirës serbë”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj shkroi se Drenica e përgjakur ndër shekuj duhet të ndihet krenare me sakrificën e pashembullt për ardhjen e lirisë, ndërsa komandant Ilazi dhe shokët e tij dëshmorë mbeten dëshmia më e mirë e rrugës së Kosovës drejt lirisë.

    Haradinaj ka kritikuar edhe drejtësinë ndërkombëtare, duke thënë se bashkëluftëtarët e Ilaz Kodrës po gjykohen në emër të drejtësisë, ndërsa viktimat e masakruara ende nuk kanë parë drejtësi.

    Në fund, ai ka thënë se është turp për ata që mbyllin sytë përballë kësaj të vërtete.

  • Bordi i Transparencës në Shqipëri publikon çmimet e reja për naftën dhe benzinën

    Bordi i Transparencës në Shqipëri publikon çmimet e reja për naftën dhe benzinën

    Bordi i Transparencës ka bërë me dije këtë të enjte çmimet e reja të karburanteve, ku vihet re një rritje me 5 lekë/ litër të naftës dhe benzinës, raporton A2CNN.

    Çmimi i shitjes me pakicë i naftës do të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri.

    Ndërkaq çmimi i shitjes me pakicë të benzinës do të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri.

    Lexoni më poshtë vendimin:

    Bordi i Transparencës në datë 30 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:

    Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 196 lekë/litër.

    Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.

    Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 30 ora 13.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

    Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

    Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

    Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg. (A2 Televizion)

  • Izraeli ndalon anijen ruse me drithëra për shkak të debatit ukrainas për vjedhjen e grurit

    Izraeli ndalon anijen ruse me drithëra për shkak të debatit ukrainas për vjedhjen e grurit

    Kompania izraelite e importit Zenziper ka ndaluar shkarkimin e një anijeje mallrash që dyshohet se transportonte drithëra të vjedhura nga Rusia nga territoret e pushtuara të Ukrainës, raportuan mediat izraelite.

    Ministria e Jashtme e Ukrainës e përshëndeti zhvillimin, duke thënë se kjo tregon se përpjekjet ligjore dhe diplomatike të Kievit po japin efekt, transmeton Telegrafi.

    “Ky është gjithashtu një sinjal i qartë për të gjitha anijet, kapitenët, operatorët, siguruesit dhe qeveritë: mos blini drithëra të vjedhura ukrainase. Mos u bëni pjesë e këtij krimi”, tha Andrii Sybiha në X.

    Sipas raportimeve, kompania tha se “në dritën e rrethanave” ishte detyruar të vononte shkarkimin e ngarkesës dhe se furnizuesi do të duhej të gjente një destinacion alternativ për mallrat.

    “Furnizuesi rus i ngarkesës së grurit do të duhet të gjejë një destinacion tjetër për ta shkarkuar atë”, thuhet se tha Zenziper, transmeton Telegrafi.

    Të dhënat e monitorimit të trafikut detar tregojnë se anija Panormitis po largohet nga porti i Haifës me rreth 9 nyje, pothuajse me shpejtësi të plotë. Destinacioni i saj përfundimtar është aktualisht i panjohur.

    Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se Kievi do të “vazhdojë të gjurmojë këtë anije të veçantë dhe të paralajmërojë kundër çdo operacioni që e përfshin atë”.

    Panormitis me flamur të Panamasë hyri në Gjirin e Haifës gjatë fundjavës.

    Sipas zyrtarëve ukrainas, anija transportuese me shumicë po transporton më shumë se 6,200 ton grurë dhe 19,000 ton elb.

    Ajo kishte pritur të ankorohej dhe të shkarkohej në Haifa, ndërsa tensionet diplomatike midis Ukrainës dhe Izraelit u përshkallëzuan ndjeshëm ditët e fundit.

    Ukraina njoftoi të enjten se i kishte kërkuar zyrtarisht Izraelit të arrestonte një anije mallrash që transportonte atë që Kievi e quan grurë të vjedhur ukrainas, duke përshkallëzuar një mosmarrëveshje diplomatike midis dy vendeve pasi autoritetet izraelite lejuan një anije të mëparshme me ngarkesë të ngjashme të shkarkohej pa u kundërshtuar në portin e Haifës.

    Zyrtarët izraelitë mohuan të kenë marrë prova të mjaftueshme nga Ukraina dhe akuzuan Kievin se është përfshirë në “diplomacinë e X”. /Telegrafi/