Ambasadori i Gjermansë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se pas vendimit të javës së kaluar për vizat, votimi i sotëm i Këshillit të Evropës për ta përcjellë aplikacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare e sjell vendin sërish më pranë familjes evropiane.
Sipas tij, Gjermania dha mbështetje të plotë në këtë hap, transmeton Paparaci. Diplomati gjerman po ashtu kërkoi zbatimin e marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai përmendi edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
“Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asocaicionin është vendimtar për të ecur përpara!”, ka shkruar Rohde në Twitter.
After last week‘s decision on visa, today‘s #CoE vote to forward 🇽🇰‘s application to the Parliamentary Assembly brings the country again closer to the European family. 🇩🇪 lent full support on this step. 1/2
Profesori amerikan, Edward Joseph ka reaguar pasi Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim të hënën që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Sipas tij, Beogradi duhet të festojë përparimin e votimit të KiE-së e liberalizimit të vizave në BE – në vend të zgjedhjeve të sabotuara në veri të Kosovës.
Ai shtoi se në fund të fundit, serbët e Kosovës janë përfituesi më i madh, ndërsa u shpreh se votimi i KiE-së nxit menjëherë perspektivat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Joseph shkroi në Twitter se zbatimi do ta bëjë të pashmangshëm anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke u dhënë serbëve qasje në Gjykatën Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Dhe liberalizimi i vizave më në fund do t’u japë serbëve të Kosovës udhëtimin pa viza në BE, theksoi ai.
“Më e mira nga të gjitha, anëtarësimi në KiE çon në përfundimin e mosmarrëveshjes, siç sugjeroi ambasadorja serbe në Asamblenë e KiE Pantic Pilja. Keni të drejtë, zonja ambasadore, asnjë “entitet” nuk i është bashkuar ndonjëherë Këshillit të Evropës. Faqja e CoE liston vetëm “shtetet” anëtare”, shkroi ai.
“Abstenimet nga Greqia, Sllovakia dhe, më e rëndësishmja, #Ukraina, tashmë tronditin status quo-në e mosnjohjes. Josep Borrell duhet të informojë Spanjën dhe vendet e tjera jo-njohëse të BE-së se, duke votuar kundër në KiE, Serbia ka shkelur Marrëveshjen “ligjërisht të detyrueshme”, të hartuar nga BE-ja me Kosovën”, shprehet ai.
“President Vuçiq, së shpejti diplomatët tuaj do të mund të diskutojnë çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut – jo në takimet e kryesuara nga BE-ja – por me kolegët diplomatë nga Republika e Kosovës, në Këshillin e Evropës”.
Because the welfare of Kosovo Serbs is clearly the ‘top priority’ for @avucic, Belgrade should be celebrating breakthrough CoE vote & EU visa liberalization – instead of sabotaged elections in north of Kosovo. After all, Kosovo Serbs are the biggest beneficiary: 1/5 🧵 https://t.co/luUbKYLVE7
Misioni i KFOR-it është deklaruar pas zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës më 23 prill, të cilat u mbajtën pa incidente dhe në mënyrë të sigurt dhe të rregullt.
Siç thuhet në njoftim, gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka qëndruar në kontakt të ngushtë me të gjitha palët dhe ka monitoruar situatën në terren, dhe ka vazhduar të zbatojë mandatin e saj të OKB-së.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO merr parasysh zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës më 23 prill, të cilat u mbajtën pa incidente dhe në mënyrë të sigurt dhe të rregullt. Gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka qëndruar në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e interesuara; ka monitoruar situatën në terren; dhe ka vazhduar të zbatojë mandatin e saj të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë akterët përkatës, përfshirë BE-në, OKB-në, OSBE-në dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për këtë qëllim, është thelbësore që të dyja palët të shmangin veprimet dhe retorikën përshkallëzuese dhe të fillojnë të zbatojnë angazhimet e tyre në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, plotësisht dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mbështeten në arritjet e rëndësishme që janë bërë tashmë.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së dhe të sigurojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Emigrimi e bëri të veten. Rrjedhimisht, edhe banorët e fshatit Kushavec të Gjakovës janë të paktë.
Në fshat jetojnë 120 banorë.
Mirëpo, ndonëse të paktë në numër, banorët e këtij fshati të Gjakovës nuk po gëzojnë rrugë të mira në vendlindje.
“Rrugën e kemi në gjendje të mjerueshme, nga fshati Bishtazhin deri atje lart që lidhet me një fshat tjetër. Na kanë premtuar se do ta rregullojnë, mirëpo deri më tani asgjë nuk është bërë”, tha Prank Kërhani, banor.
Kryetari i këtij fshati, Augustin Topalli, tregon se rruga është asfaltuar në vitin 2004, derisa për asfaltimin e saj kanë investuar edhe vetë banorët.
“Kemi qenë pjesëmarrës për realizimin e këtij projekti, duke participuar me 65 mijë euro. Ndonëse, është një shumë marramendëse, për hir të asaj që të kemi infrastrukturë sa më të mirë për fshatin, e kemi bërë këtë”, tha kryetari i bashkësisë lokale – Bishtazhin, Augustin Topalli.
Mirëpo, gjendja e tanishme e rrugës, sipas tij, është rezultat i mungesës së mirëmbajtjes.
“Në vitin 2004 është asfaltuar, por mirëmbajtja e paktë, të themi, ka bërë që ajo të deformohet dhe siç mund ta shihni, tani gjendja e saj është vërtet mjeruese”, tha Topalli.
Banorët shpresojnë se komuna e Gjakovës do t’iu bëjë zgjidhje.
Pikërisht këtë shqetësim të tyre, ATV-ja e adresoi në komunë.
Ndërkaq, sipas banorëve, edhe fshatrat përreth përballen me probleme të ngjashme. /atvlive.tv
Njëri prej tyre është edhe Emin Fetahu i cili kishte dalë për t’i marrë rezultatet e analizave.
“Herë pas here kjo po prishet më tepër e këtë e ka prish “ngrirja” sigurisht. Këtu vijnë njerëzit e sëmurë, po normal edhe në rregull me qenë, kur osht rrëshqitëse diçka, munden me u rrëzu”, tha Emin Fetahu, banor i Matiçanit.
Shkallët e dëmtuara më shumë telashe po iu shkaktojnë të moshuarve, fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara.
“Këto munden me u sanu sa më shpejt se mundet me qëllu ndonjë më i moshuar, i sëmurë apo diçka, rrëshqet dhe i bën zarar më tepër trupit të vet”, tha Fetahu.
Përderisa qytetarët po kërkojnë ndërhyrje urgjente, drejtori i shëndetësisë për komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se plani për riparimin e tyre është në hartim e sipër.
“Këtë vit është bërë plani për renovime të të gjitha QMF-ve në qytet, disa prej të cilave kanë filluar. Tash do të vazhdojmë edhe me të tjerat, përmes një projekti. 300.000 euro i ka ndarë komuna së bashku me Ndërmarrjen publike banesore e cila ka një kontratë për përkujdesjen e instituteve shëndetësore. Arsyeja pse s’kemi fillu deri tash ka qenë koha, por në fillim të majit do të fillojnë punimet”, drejtori i Shëndetësisë për Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.
Sipas tij, procesi është në tenderim dhe pasi t’i vijë radha këtij objekti, menjëherë do të fillojnë punimet. /atvlive.tv
Në ditën e parë të Javës së Imunizimit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se plani i vaksinimit 2022-2025 është në progres. Ai tha se listës së kalendarit të imunizimit do t’i bashkohen tri vaksina të reja.
“Imunizimi trajtohet tani, por do të trajtohet edhe në të ardhmen si prioritet i lartë nga ana e MSh-së dhe këtë e kemi shprehur qartë përmes miratimit të planit të veprimit për vaksinim 2022-2025, i cili përcakton veprimet e nevojshme për t’u ndërmarrë nga institucionet shëndetësore në bashkëpunim me partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë… Aprovimi i përfshirjes së tri vaksinave të reja, vaksina kundër Rotavirusit, Pneumokokut, dhe HPV”, tha Vitia.
Pjesë e kësaj tryeze ishin përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, UNICEF-it dhe USAID-it.
Sipas tyre, institucionet shëndetësore në Kosovë janë të përkushtuara për t’ju ofruar qytetarëve vaksinat që shpëtojnë jetë.
“Kosova është pjesë e Javës së Imunizimit nga viti 2012. Për ne është e rëndësishme se për Ministrinë e Shëndetësisë prioritet është se çdo fëmijë e i rritur në Kosovë të jetë pjesë e vaksinimit”, tha shefi i zyrës së OBSH-së, Oleksandr Martynenko.
“Për Javën e Imunizimit është mirë të mobilizohemi dhe të gjithë fëmijët të vazhdojnë t’i marrin vaksinat që u mungojnë”, tha shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Në kuadër të kësaj jave është hapur edhe ekspozita “Historiku i vaksinimit në Kosovë”, përmes të cilit bëhet e ditur se vaksina e parë në Kosovë është dhënë në vitin 1948. /atvlive.tv
Gratë e vajzat janë më të zonja në shkencë se burrat.
Por, pavarësisht kësaj, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, shumë prej tyre janë krejtësisht të panjohura për kontributin e tyre.
“E dimë të gjithë se studimet e shumta tashmë e kanë dëshmuar se gratë arrijnë performancë më të mirë akademike në krahasim me burrat në fushat STEM, megjithatë akoma ka mendime dhe jo pak zëra që e thonë të kundërtën. Këto stereotipie fatkeqësisht ndikojnë ndjeshëm akoma në zgjedhjet e vajzave dhe grave për karrierën e tyre dhe zhvillimin në shkencë. Andaj, edhe ne si qeveri e Ministri e Arsimit vazhdojmë të punojmë jo vetëm për të avancuar vajzat e gratë në shkencë, teknologji, inovacion, për të përmbyllur hendekun ekzistues gjinor, por jemi zotuar që do të angazhohemi përditë të avancojmë barazinë për vajzat e gratë tona, të avancojmë gjithëpërfshirjen e plotë në të gjitha dimensionet e saj”, tha Nagavci.
Ndërkaq, vajzat dhe gratë, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë qenë historikisht të përjashtuara nga fushat shkencore. Megjithatë, ai ka thënë se është obligim i institucioneve të punojnë për një shoqëri, ku pavarësisht nga gjinia kanë mundësi të arrijë.
Me qëllim të promovimit të barazisë gjinore dhe shkëmbimin e ideve u organizua edhe konferenca STEMinsts.
Qerim Qerimi, Rektor i Universitetit të Prishtinës, këtë konferencë e ka cilësuar si festë e arritjeve të grave.
“Një festë e arritjeve të grave të fushën e shkencës dhe teknologjisë. Mblidhemi këtu për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme e liderëve gra. Konferenca e sotme është mundësi për t’i shkëmbyer idetë në promovimin e barazisë gjinore në STEM. Së bashku ne mund të krijojmë një botë ku vajzat dhe gratë kanë mundësi të barabarta të shkëlqejnë në fushën e shkencës e teknologjisë”, tha Qerimi.
STEMinists është organizuar për herë të parë këtë vit, duke promovuar zhvillimin e arsimit në përgjithësi.
Kjo është një politikë e mbështetjes së vajzave dhe grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës e cila është prezantuar nga Qeveria e Kosovës. /atvlive.tv
U mblodhën për të diskutuar për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, por në mungesë të kuorumit, dështoi të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.
Por, përkundër kësaj, të mërkurën do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, e cila është thirrur nga opozita, me ç’rast do të debatohet për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Për Krasniqin dhe gjithë bordin, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon shkarkim.
“Drejtori i cili e mban ende pozitën e drejtorit të KEK-ut, ju e dini që tashmë është në paraburgim dhe ai nga paraburgimi e drejton korporatën më të madhe energjetike në vend. Kjo është e paprecedentë, është jashtëzakonisht e dëmshme. Ajo që do të duhej të ndodhte dhe kemi kërkuar edhe ditën e enjte është që ky person të shkarkohet, bordi i KEK-ut të shkarkohet dhe të merren masa edhe ndaj akterëve të tjerë, të përfshirë në kuadër të menaxhimit të krizës energjetike në ato keqpërdorime që kanë ndodhur”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ndërkaq, shefja e deputetëve të shumicës, Mimoza Kusari Lila, tha se qasja e opozitës në lidhje me hetimet që po zhvillohen për rastin në KEK, është tendencioze.
“Në vend se të kenë ose të kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur, deputetët e opozitës kanë vendosur që tashmë të luajnë rolin edhe të prokurorit, edhe të hetuesve policorë, është e vërtetë që edhe disa defekte e karakterizojnë grupin tonë parlamentar, në raport me mbarëvajtjen e seancës”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila u është përgjigjur edhe kritikave të opozitës se mazhoranca nuk po arrin të ketë shumicën minimale që të kalojnë projektligjet e pika të tjera të rendit të ditës.
“Është e vërtetë se janë disa defekte që e karakterizojnë edhe grupin tonë parlamentar, në raport të funksionimit apo mbarëvajtjes së seancës. Çdo ditë dhe çdo seancë po mundohemi t’i evitojmë ato dhe do të vazhdojmë edhe me punë dhe angazhim. Kjo javë duket se do të karakterizohet me vetëm mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme”, u shpreh Kusari-Lila.
Ajo theksoi se grupi parlamentar i LV-së, ka dy deputete që janë në pushim të lehonisë, e dy të tjerë që abstenojnë vazhdimisht. /atvlive.tv
Shtatë muaj pasi dorëzoi kërkesën për aplikim për të qenë pjesë e Këshillit të Evropës, Kosova këtë të hënë ka përmbyllur me sukses fazën e parë për anëtarësim.
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, mori vendim që kërkesën t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare.
Hapi i radhës, sipas MPJD-së, do të jetë përgatitja e opinionit nga Asambleja për anëtarësimin e Kosovës.
“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë tonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë. Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar, si anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla.
Kryeministri Albin Kurti, në anën tjetër, ka thënë se Kosova do të jetë vlerë e shtuar e Këshillit të Evropës.
“Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”, tha Kurti.
Ndërkohë, në selinë e Këshillit të Evropës të hënën kanë qëndruar edhe anëtarë të Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Deputetja Ariana Musliu – Shoshi tha se vendimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën.
Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Francë.
Kosova më 12 maj të vitit të kaluar dorëzoi kërkesën për anëtarësim. /atvlive.tv
Krahas miratimit të deklaratës për të zhdukurit në luftën e fundit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është konfirmuar si pikë në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, në Bruksel.
Ekipi Menaxhues, përbërjen e të cilit e ka kontestuar Qeveria e Kosovës, do të prezantojë një draft-statut të asociacionit në takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.
Duke shmangur referencën te kjo temë, kryeministri i Kosovës tha se është gati për takimin e 2 Majit.
“Duhet të diskutohet se si edhe marrëveshja e Brukselit dhe marrëveshja e Ohrit do të zbatohen pa vonesa e në plotëni”, tha Kurti.
Nisja e zbatimit të marrëveshjes dhe aneksit të dakorduar nga Kosova dhe Serbia, është pritja e SHBA-së nga takimi i liderëve të dy vendeve.
“Mbrëmë kemi bërë një deklaratë, e cila flet vetë për rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit. Kjo është ajo që presim nga takimi”, tha ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier.
Më specifik ishte Bashkimi Evropian, që asociacionin e lidhi me normalizimin e gjendjes në katër komunat në veri të Kosovës.
“Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Ekipi Menaxhues, i emëruar nga ish-ministri Goran Rakiq dhe i udhëhequr nga deputetja e partisë së Vucicit në parlamentin e Serbisë, Danijela Vujicic, do të prezantojë draft-statutin e Asociacionit në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vucic.
Sipas marrëveshjes së vitit 2013, draft-statuti hartohet nga Ekipi Menaxhues, i cili përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri. /atvlive.tv