ATV

Category: Lajme

  • Joe Biden shpall kandidaturën presidenciale për vitin 2024

    Joe Biden shpall kandidaturën presidenciale për vitin 2024

    Presidenti i ShBA-së Joe Biden ka njoftuar se do të kërkojë rizgjedhjen për president në vitin 2024, me zëvendëspresidenten Kamala Harris.

    Tani 80-vjeçar dhe tashmë presidenti më i vjetër në historinë e ShBA-së, Biden kishte sinjalizuar prej kohësh se do të kandidonte për një mandat tjetër katërvjeçar, shkruan BBC.

    Në një video ku bëri të ditura përpjekjet e tij për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë, ai cilësoi zgjedhjet e ardhshme si një luftë për demokracinë dhe lirinë personale, duke thënë: “Ta përfundojmë punën”.

    Ish-presidenti Donald Trump ka nisur tashmë fushatën e tij, që do të thotë se dyshja mund të përballet për një rimeç zgjedhor në nëntor të vitit të ardhshëm.

  • Daçiq i gjykon shtetet që votuan në KiE për Kosovën, Malit të Zi i çon porosi të veçantë

    Daçiq i gjykon shtetet që votuan në KiE për Kosovën, Malit të Zi i çon porosi të veçantë

    Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka përmendur me radhë shtetet që e kanë zhgënjyer Serbinë, duke votuar pro ose duke abstenuar dje në Këshillin e Evropës, ku u miratua aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë instancë.

    Fillimisht, Kryediplomati serb Ivica Daçiq thotë se pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk do të ketë përmbushje të pikave të tjera të marrëveshjes së Ohrit.

    “Nuk është që Marrëveshja e Ohrit nuk është më e vlefshme, por këtu po flasim për faktin se gjëja e parë në Marrëveshjen e Ohrit është Asociacioni. Nëse nuk ka Asociacion, pastaj nuk ka as pjesë të tjera të marrëveshjes”, tha Daçiq.

    Ai ka folur për votimin për nisjen e procedurave të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Daçiqit, Serbia do t’i hakmerret Malit të Zi, që votoi pro Kosovës në KiE.

    “Mali i Zi do të mund që, së paku, të abstenonte. Neve na duhet të veprojmë në mënyrë reciproke. Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës. Atyre gjithashtu do t’u duhet vota jonë ndonjëherë, në të cilët, ata sigurisht se nuk mund të llogarisin”, ka thënë Kryediplomati serb.

    Daciqi shtoi se ka qenë i surprizuar për të keq nga zëri i Ukrainës, sepse Serbia e ka dënuar cenimin e integritetit territorial të këtij shteti në të gjitha rezolutat e botës, por Kyivi abstenoi.

    “Për aq kohë sa Bosnja dhe Hercegovina është e shqetësuar, a ka pasur ndonjëherë ndonjë rast që ne nuk e kemi përmendur integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës? Tani kur dikush të na pyet, ne do të abstenojmë. Pse të jemi ne për integritetin territorial të Bosnjës e ata të abstenojnë?”, tha Daçiq.

  • ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se Kosovës nuk i duhen institucione njëetnike sepse një gjë e tillë nuk është në frymën kushtetuese të shtetit. Ai thotë se asociacionet e komunave mund të formohen vetëm bazuar në ligjet e Kosovës.

    “Kosova është një shtet multietnik ku është ndërtuar mbi këto parime të një demokracie gjithëpërfshirëse. Edhe nuk na bëjnë mirë si komunitete, nëse do të kemi institucione ose organe të tjera njëetnike për shkak se nuk është në frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton qartë dhe mirë edhe përgjegjësinë në nivelin dhe të drejtën e komunave që të bashkohen në formë të asociacionit. Gjithçka në suazë të këtij bazamenti ligjor”, thotë Krasniqi.

    Ai gjithashtu përgjigjet rreth situatës së krijuar nga vërshimet e muajit janar në disa komuna të Kosovës.

    Krasniqi bën të ditur se ende nuk është finalizuar procesi analizave nga komunat përkatëse.

    “Pas tejkalimit të situatës me vërshime kanë bërë disa komisione komunale. Ne si ministri kemi një anëtar në ato komisione edhe i kanë dërguar raportet për vlerësim, tash është në përpunim e sipër gjithë procesi i analizave të komunave të Kosovës. Kemi disa probleme edhe me komunën e Mitrovicës së Veriut, ku nuk ka kryetar komune dhe tani më është caktuar seanca e kuvendit komunal ku do të votohet edhe raporti i komisionit komunal dhe kjo pastaj e ndihmon procesit që të procesohen të gjitha kërkesat për një herë”, thotë ai.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk tregon vlerën e dëmit që vërshimet kanë shkaktuar në disa prej komunave, raporton KP.

    “Nuk mund të flas me kompetencë për shifra për nivelin e dëmeve. Mirëpo, komisionet komunale ku edhe ministria jonë është pjesë e këtyre komisioneve, kanë bërë vlerësimin e tyre dhe mandej dërgohet te AME, dhe AME e bën një përmbledhje të gjithë kësaj situate dhe caktohen edhe mbështetjen qeveritare edhe vlerësimi i dëmeve”, shton ai.

    Themelimi i Asociacionit është paraqitur si parakusht nga Serbia, për përparimin e dialogut të Brukselit.

    Ndërsa qëndrimi i Kosovës është se një asociacion me kompetenca ekzekutive është i dëmshëm për shtetin.

    Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e këtij asociacioni duhet të harmonizohen me ligjet e Kosovës.

  • Sekuestrohen dy armë zjarri në Hajvali

    Sekuestrohen dy armë zjarri në Hajvali

    Një person u intervistua sot nga Policia në Hajvali për dy vepra penale, ndërsa u konfiskuan dy armë zjarri.

    Ndaj të dyshuarit K.G, 33 vjeçar u iniciua rasti për veprat “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës”.

    “Sot rreth orës 00:10, është raportuar për një rast gjuajtje me armë zjarri. Rasti ka ndodhë Hajvali, ku një person i dyshuar, në një ageng ka shtënë me armë zjarri. Menjëherë pas raportimit policia ka filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë verimet e nevojshme operativo-hetimore në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin. Ndërkohë që policia ka punuar në ndriçimin e rrethanave të rastit ka identifikuar të dyshuarin; -K.G , mashkull 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe ka sekuestruar dy armë zjarri për të cilat ka poseduar leje.”, informoi Policia.

  • ​S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    ​S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    Në mungesë të kourumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kur pritej të shqyrtohej raporti i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022.

    Në komision të pranishëm ishin vetëm pesë deputetë, ani pse mbledhja është paraparë të filloi në orën 11:00.

    Kjo bëri që kryetari i komisionit Ferat Shala së bashku me deputetin tjetër opozitarë, Pal Lekaj të lëshojnë sallën.

  • Pas liberalizimit të vizave, a do të jetë tregu i punës më i varfër sa i përket fuqisë punëtore?

    Pas liberalizimit të vizave, a do të jetë tregu i punës më i varfër sa i përket fuqisë punëtore?

    Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e një ditë më vonë u nënshkrua edhe akti ligjor që e vendos Kosovën në listën e shteteve që mund të lëvizin pa vizë në zonën Schengen.

    Duke qenë se Kosova vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të papunësisë, për të diskutuar  se a do të ndikojë liberalizimi i vizave akoma më shumë në këtë aspekt, të hënën në “LIBERO” ishin të ftuar: Lulzim Rafuna – Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Jusuf Azemi – Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat dhe Besim Gollopeni – Sociolog. 

    Azemi për sa i takon ndikimit të liberalizimit në aspektin e punës, u shpreh se  do të bëhet një dëm shumë i madh, duke qenë se punëtorët e kualifikuar veçse po ikin.

    “…Edhe pa liberalizim vërehet mungesa e punëtorëve të kualifikuar. Do të kemi një treg të shpërfillur, e gjithë kjo po vjen sepse nuk kemi ditur t’i trajtojmë punëtorët si duhet…”, theksoi ai.

    Ndërkohë, Gallopeni gjithashtu tha se në aspektin social dhe ekonomik, ndërmarrjet do të kenë gjithnjë e më shumë probleme me fuqinë punëtore.

    “…Të rinjtë gjithnjë kërkojnë një jetë më të mirë, shërbime më të mira, kërkojnë kushte më të mira për banim, për shkollim, për shëndetësi, për mirëqenie më të mirë për veten dhe fëmijët, prandaj edhe ikin…”, deklaroi sociologu.

    Ndërsa, për ta parandaluar këtë ndikim të liberalizimit në aspektin e punës, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna, alarmoi duke thënë se duhet një strategji urgjente.

    “…Ekzekutivi duhet të ketë strategji. Ne ende nuk e kemi të lidhur shkollimin me kërkesat e tregut. Na nevojitet me urgjencë një strategji se si t’i parandalojmë dhe t’i kthejmë ata që kanë migruar sepse ne asetin më të mirë që e kemi pasur deri më sot është rinia…”, deklaroi Rafuna.

    Vlen të theksohet se mundësimi i udhëtimeve pa viza vlen vetëm deri në 90 ditë brenda 6 muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen, megjithëse kjo marrëveshje nuk përfshin leje pune apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet.

    Për ta shikuar emisionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Kurti: Gratë e kanë dëshmuar se janë protagoniste si ndërmarrëse e si punëtore

    Kurti: Gratë e kanë dëshmuar se janë protagoniste si ndërmarrëse e si punëtore

    Tashmë në Kosovë është dëshmuar se gratë janë protagoniste si ndërmarrëse e si punëtore, kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Këto komente ai i bëri me rastin e ditëve të Inovacionit dhe Pronësisë Intelektuale, do të organizojë ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”.

    Shefi i ekzekutivit u zotua se do t’u krijohen mundësi të barabarta grave në çdo fushë.

    “Sot janë shumë aktive në botën e digjitalizuar e të inovacionit, por edhe në bujqësi e shërbime. Ato edhe më parë kanë gjetur mundësi, kanë shpikur forma të burimit financiare. Qeben e thurën për t’i shkolluar fëmijët e tyre, i gjeten vetë tregjet e i siguruan vetë mjetet financiare”.

    “Përtej këtyre shembujve nga e kaluara jonë jo shumë e largët e deri tek ato që eksportojnë nëpër botë, janë të panumërta gratë që insistojnë në biznes e në zhvillim të projekteve. Andaj ne obligohemi që t’i përkrahim që janë në fillim të nismave të tyre, ato që janë në mes të një vështirësie biznesore dhe t’i nxisim ato që kanë dëshirë e vullnet”.

    “Ne duhet të sigurohemi për një fillim të barabartë sepse edhe rrugëtimi në shumicën e rasteve nuk ka qenë i barabartë, shumica e tyre kanë pasur shumë sfida gjatë jetës e ne si Qeveri jemi të vëtëdjshëm dhe jemi duke ndërhyrë kudo që është e mundur”, tha Kurti.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”, ka premtuar përkrahje për gratë që merren me shkencë e inxhinieri, raporton EO.

    Ajo ka sqaruar se me 11 maj në Bruksel do të nënshkruhet marrëveshja për treg të përbashkët.

    “Më vjen mirë që gratë e Kosovës po zgjedhin të studiojnë drejtime në shkencë e inxhinieri. Duhet të themi se këtë armate punëtore, qeveria e Kosovës e ka mbështet dhe po vazhdon ta mbështes me politika të shëndosha. Teksa shënojmë këtë ditë të rëndësishme si faktor për zhvillimin e ekonomisë dhe lidhjeve të transportit dhe inovacionit është vendimtare që të bëhemi bashkë për të nxitur kreativitet për inovacionin. Në këtë drejtim, pronësia intelektuale është e rëndësishme”.

    “Si ministri sektorin privat me komunat po punojmë ngushtë për të avancuar me politika për pronën intelektuale e inovacion qe kanë synim të zhvillojnë inovacionin edhe për sektorin privat. Kemi filluar negociata dhe është përmbyllur marrëveshja për treg të përbashkët me rajonin dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet më 11 maj në Bruksel”, tha ajo.

  • Zelensky dënon sulmin “barbar” rus ndaj muzeut ukrainas

    Zelensky dënon sulmin “barbar” rus ndaj muzeut ukrainas

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 25 prill se Rusia po tenton të fshijë historinë dhe kulturën e Ukrainës, pas një sulmi ajror në një muze, ku u vra një punëtor dhe u plagosën dhjetë të tjerë.

    Zelensky tha se një sulm ajror rus goditi muzeun e historisë në Kupiansk, qytet që gjendet pranë vijës së frontit në verilindje të Ukrainës.

    “Ka ende persona që janë nën rrënoja”, tha Zelensky përmes një postimi në Telegram. Ai postoi edhe një video ku shiheshin persona me uniformë ushtarake duke kërkuar për të mbijetuar nën rrënojat e muzeut pjesërisht të shkatërruar.

    Rusia “po vret ukrainasit me metoda absolutisht barbare”, tha Zelensky.

    Lideri ukrainas akuzoi Moskën se “po bën gjithçka për të na shkatërruar tërësisht, për të shkatërruar historinë tonë, kulturën tonë dhe njerëzit tanë”.

    Shtatorin e vitit të kaluar, forcat ukrainase rimorën kontrollin e Kupianskut, një qendër e rëndësishme hekurudhore në verilindje të Ukrainës.

    Në fillim të marsit të këtij viti, autoritetet ukrainase urdhëruan banorët e këtij qyteti që të evakuoheshin, pas rritjes së frikës se Rusia mund të tentojë sërish të marrë kontrollin e Kupianskut./REL/

  • Reagon KMDLNJ: Qytetarët janë plaçkitur nga ZRrE përmes fryrjes së faturave, kërkojmë kompensimin e tyre

    Reagon KMDLNJ: Qytetarët janë plaçkitur nga ZRrE përmes fryrjes së faturave, kërkojmë kompensimin e tyre

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pasi Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për faturimin e rrymës të qytetarëve të Kosovës për katër komunat veriore të vendit.

    KMDLNJ përmes një reagimi për media kanë thënë se qytetarët e vendit janë plaçkitur nga ZRrE përmes fryrjes së faturave për t’ua paguar rrymën serbëve në veri të Kosovës.

    Sipas tyre, ende po tregohet forma e kompensimit të qytetarëve, në ndërkohë siç thonë nga KMDLNJ  që ZRrE do të shfrytëzojë të drejtën e ankimimit.

    Tutje në reagim nga KMDLNJ thonë se qytetarët në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojnë kompensimin nëse ky kompensim ndodh përmes “uljes“ së vlerës së faturave, pasi siç thonë ata qytetarët nuk do të përfitojnë asgjë nga ky kompensim.

    Qytetarët po ashtu sipas KMDLNJ-së duhet të paraqesin kallëzim penal për ZRrE-në për të gjitha faturat e fryra.

    “Krahas kërkesës për kompensim i cili do të jetë në baza individuale, të gjithë ata që do të kërkonin kompensim, kësaj kërkese duhet t’i bashkangjesin edhe një kallëzim penal në mënyrë që ZRrE të mos kalojë pa pasoja ligjore shkaku se e bëri një veprim, fryrje të faturave për rrymën e pashpenzuar që përbënë të gjitha elementet e veprës penale”, thuhet në reagim.

  • ​BB: Rritja ekonomike për vitin 2023 pritet të jetë 3.7 për qind

    ​BB: Rritja ekonomike për vitin 2023 pritet të jetë 3.7 për qind

    Ekonomia e Kosovës dhe rajonit është rritur duke tejkaluar nivelet e tyre para pandemisë, pavarësisht pasojave nga pushtimi rus i Ukrainës, rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, kushteve të pafavorshme të motit, shtrëngimit të kushteve financiare dhe pasigurisë së konsiderueshme, thuhet në edicionin e fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të publikuar të martën.

    Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës shfaq qëndrueshmëri pavarësisht ngadalësimit të rritjes.

    “Në Kosovë, në vitin 2022 u shënua një rritje më e lehtë ekonomike prej 3.5 përqind, e shtyrë nga eksportet dhe konsumi privat—i cili vazhdoi të tregojë qëndrueshmëri pavarësisht presioneve inflacioniste. Pozita fiskale vazhdoj të përmirësohej, udhëhequr nga performanca e vazhdueshme pozitive e të ardhurave publike kundrejt efekteve të inflacionit dhe përfitimeve nga rritja e formalizimit, si dhe nga nën-shpenzimi i investimeve kapitale”, thuhet në raport.

    Sipas njoftimit të Bankës Botërore, përgjatë vitit 2023, rritja e Bruto Prodhimit Vendor pritet të jetë pak më e lartë, duke arritur në 3.7 përqind. Megjithatë, sipas BB-sw, rreziqet mbeten të larta. Presionet mund të rriten në rast të përshpejtimit të inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes së ekonomive të BE-së përtej pritjeve të tanishme.

    Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut Massimiliano Paolucci, ka thënë se në këtë kontekst, është qenësore të ruhen rezerva të mjaftueshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve të papritura në mjedisin ekonomik.

    “Banka Botërore në anën tjetër do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës për ta bërë ekonominë e saj më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe për t’u ofruar qytetarëve të saj më shumë mundësi për një jetë më të mire”, thuhet në raprot.

    Sipas njoftimit, perspektiva për Ballkanin Perëndimor mbetet e zbehtë, me rritjen e Bruto Prodhimit Vendor që pritet të ngadalësohet në 2.6 për qind në vitin 2023, e nxitur kryesisht nga konsumi privat, eksportet dhe, për disa vende, nga investimet publike.

    Në raport thuhet po ashtu se rajoni tani përballet me sfidat e rindërtimit të rezervave për t’u përgatitur për përballimin e goditjeve të ardhshme dhe realizimit të reformave në anën e ofertës që vendosin themelet për një rritje më të qëndrueshme dhe më të gjelbër.

    Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Xiaoqing Yu thotë se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, pavarësisht përballjes me pengesa të jashtëzakonshme ekonomike.

    “Për të vazhduar përballimin e tronditjeve të shkaktuara nga goditjet e shumëfishta ekonomike, vendet mund të përfitojnë shumë duke vijuar zbatimin e reformave që nxisin produktivitetin në periudhë afatmesme, të tilla si përshpejtimi i integrimit rajonal, rritja e nivelit të konkurrencës në treg, tërheqja e investimeve me cilësi më të lartë dhe lehtësimi i barrierave që kufizojnë pjesëmarrjen, veçanërisht të grave, në tregun e punës”, thekson ajo, thuhet në njoftim.

    Sipas komunikatës, inflacioni në Ballkanin Perëndimor u rrit ndjeshëm në vitin 2022 duke arritur në nivelin më të lartë të dy dekadave të fundit, dhe presionet në kahun e rritjes së çmimeve vijojnë të jenë të larta edhe në fillim të vitit 2023, thuhet në raport. Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, inflacioni i çmimeve të konsumit arriti nivelin më të lartë nga fundi i vitit 2022, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, ndërsa tani po shfaq shenja të uljes, ku faktorët e jashtëm nxitës po zbehen për shkak të ngadalësimit të rritjes së ekonomisë botërore.

    Kjo rritje e çmimeve ka prekur veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta.

    Më tej në raport thuhet se, pavarësisht rritjes së punësimit, ritmi i krijimit të vendeve të reja të punës u ngadalësua në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në gjysmën e dytë të vitit 2022.

    Raporti shton se një fushë investimi me potencial për përfitime të rëndësishme ekonomike për Ballkanin Perëndimor është ajo në efiçencën e energjisë. Madje edhe përmirësimet në nivele të moderuara në efiçencën energjetike të firmave do të sillnin reduktime të konsiderueshme të emetimeve të gazrave serrë të lidhura me energjinë, do të rrisnin fitimet e firmave, do të krijonin përfitime të mëdha sociale dhe do të ndihmonin në mbrojtjen ndaj goditjeve të ardhme në çmimet e energjisë elektrike dhe gazit.