ATV

Category: Lajme

  • Kryeshefi i IPK-së nderohet nga DASH-i

    Kryeshefi i IPK-së nderohet nga DASH-i

    Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj është nderuar dje nga Departamenti i Shtetit në Washington për sukses të jashtëzakonshëm operacional.

    Hodaj, siç ka bërë të ditur IPK është përzgjedhur fitues i çmimit kryesor për sukses të jashtëzakonshëm operacional, si i nominuar për realizimin me sukses operacionit antikorrupsion të Inspektoratit Policor të Kosovës, me ç’rast janë arrestuar 74 zyrtarë policorë në operacionin e vitit të kaluar të koduar me emrin “PIKA 1 dhe PIKA 2”.

    “Përfaqësuesit e Kosovës, Malit të Zi dhe të Ganës, të diplomuar në Akademinë Ndërkombëtarë të Zbatimit të Ligjit u vlerësuan që me punën e tyre kanë bërë një ndryshim të madh në komunitetet e tyre dhe sektorët e drejtësisë penale në mbarë botën.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Në këtë ceremoni kanë qenë të nominuar zyrtarë nga 52 shtete nga e gjithë bota, ndërkaq çmimi është ndarë nga nënsekretarja e Shtetit, Uzra Zeya dhe Ndihmës Sekretari i INL-it (Byroja për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit), Todd Robinson.

    Hodaj është duke vazhduar vizitën zyrtare në Washington, ku gjatë ditëve ne vijim do të pritet nga zyrtarë të lartë nga fusha e sigurisë dhe drejtësisë në SHBA.

  • Urdhri për transferimin e lëndës nga Kosova në Hagë, Gjykata Speciale jep detaje

    Urdhri për transferimin e lëndës nga Kosova në Hagë, Gjykata Speciale jep detaje

    Nga vitit 2020 deri në vitin 2022, Gjykata Speciale me seli në Hagë pati një zhvillim të rëndësishëm për të cilin publiku në Kosovë nuk ishte në dijeni. Fillimisht Prokuroria kishte kërkuar që një lëndë të transferohet nga gjykatat e Kosovës në Dhomat e Specializuara të Hagës.

    Një dëshmitar i mbrojtur i Speciales në një rast që mbeti sekret, kishte qenë i akuzuar nga një gjykatë e Kosovës. Madje, gjyqtari i rastit kishte caktuar seancën ku i njëjti do të duhej të dilte publikisht.

    Gjithë situata nxiti reagimin e Prokurorisë së Specializuar, e cila kërkoi nga gjyqtari i procedurës paraprake në Hagë që ta kërkojë transferimin e lëndës. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se më 15 shtator 2022 Prokuroria kishte kërkuar pushimin e hetimeve.

    “Më 20 janar 2020, një gjyqtar i vetëm pranoi një kërkesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që procedurat para një gjykate të Kosovës t’i transferoheshin Dhomave të Specializuara të Hagës. Megjithatë, më 15 shtator 2022, Prokuroria e njoftoi gjyqtarin e vetëm për vendimin e saj për pushimin e kësaj procedure dhe për të mos dorëzuar aktakuzë për konfirmim”, thuhet në përgjigje.

    Specialja ka thënë se procedurat mbesin konfidenciale.

    “Para se aktakuza të konfirmohet dhe të bëhet publike nga një gjyqtar i procedurës paraprake, procedurat para Dhomave të Specializuara janë konfidenciale. Tani që procedurat janë mbyllur, procesverbalet gjyqësore janë bërë publike. Megjithatë, gjyqtari i vetëm mund të redaktojë informacione të caktuara për arsye të privatësisë së personit në fjalë ose për të mbrojtur viktimat ose dëshmitarët ose familjet e tyre”, thuhet në përgjigje.

    Por, a ka të drejtë Specialja të marrë lëndë nga Kosova? Specialja ka thënë se kjo lejohet bazuar në disa nene të Rregullores për Procedura dhe Prova.

    “Nenet 10(1) dhe 54(1) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parashikojnë që Dhomat e Specializuara do të kenë përparësi ndaj të gjitha gjykatave të tjera në Kosovë në lidhje me rastet brenda juridiksionit të saj. Në përputhje me nenet 10(2) dhe 54(3), (9) të Ligjit dhe rregullin 203(3)-(4) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, urdhri për shtyrje mund të përfshijë një kërkesë që çdo rast të i transmetohet Gjykatës Speciale apo Prokurorisë sipas rastit. Çdo gjykatë ose prokuror që merr një urdhër të tillë duhet ta zbatojë atë pa vonesë”, përfundon përgjigja e Speciales për Nacionalen.

    Por, çfarë ndodhi?

    Sipas këtij dokumenti bëhej fjalë për një dëshmitar të mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar të Hagës, që ishte i akuzuar në një tjetër procedurë në Kosovë.

    Në gjithë këtë mjegull që u krijua si rezultat i mbajtjes sekret të shumë dokumenteve nga Specialja, po del se e gjithë lënda tashmë është mbyllur. Prokuroria e Specializuar e Hagës nuk ka vendosur të dorëzojë ndonjë aktakuzë tjetër për konfirmim.

    Nacionale sjell komplet përkthimin e kësaj lënde ashtu siç e ka paraqitur Prokuroria në kërkesën për mbylljen e lëndës:

    REDAKTUAR është një dëshmitar i mbrojtur në Prokurorinë e Specializuar. Dëshmia e tij e parashikuar REDAKTUAR ka të bëjë, ndër të tjera, me krimet në REDAKTUAR dhe REDAKTUAR.

    Në [REDAKTUAR], dëshmitari ishte nën masa mbrojtëse, duke përfshirë moszbulimin e identitetit të tij për publikun. Po kështu, para Dhomës së Specializuar (‘DHP’), dëshmitarit iu dhanë masa mbrojtëse [REDAKTUAR], duke përfshirë moszbulimin e identitetin e tij për publikun.

    Më[REDAKTUAR], Kryeprokurori i EULEX kërkoi që Prokuroria Speciale eKosovës të merrte përsipër shtyrjen e procedurës kundër REDAKTUAR, REDAKTUAR dhe REDAKTUAR.

    Më REDAKTUAR në kontekstin e Procedurave të Shtyra.Nuk ka asnjë tregues në dosjen e çështjes së Procedurës së Shtyrë se janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm hetimor. Gjithashtu nuk ka asnjë provë për ndonjë suspendim apo zgjatje gjyqësore. Pa një pezullim apo zgjatje, hetimi do të duhej të kishte përfunduar pas dy vjetësh, në pajtim me nenin 159(1) të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

    Më REDAKTUAR dhe REDAKTUAR Prokurroia e Specializuar intervistoi REDAKTUAR, REDAKTUAR, REDAKTUAR dhe REDAKTUAR.

    Veçanërisht, më pak se dy javë pas intervistës së Prokurorisë dhe përkundër faktit se hetimi duhej të përfundonte në REDAKTUAR, një prokuror i shtetit të Kosovës ishte caktuar për Procedurat e Shtyra më [REDAKTUAR].

    Më[REDAKTUAR], pothuajse nëntë muaj pasi u caktua, prokurori i ri paraqiti një njoftim për ‘fillimin’ e hetimeve në Procedurën e Shtyrë. Ndërsa prokurori i ri tregoi në njoftim se hapa të mëtejshëm hetimor ishin të nevojshëm, duke përfshirë marrjen në pyetje të [REDAKTUAR], nuk ka asnjë tregues se ndonjë hap i tillë ishte ndërmarrë ndonjëherë.

    Në vend të kësaj, më [REDAKTUAR], prokurori lëshoi aktakuzën duke e akuzuar [REDAKTUAR] me [REDAKTUAR], në kundërshtim me [REDAKTUAR] të Kodit Penal të Kosovës. Përkundër statusit të mbrojtur [I REDAKTUAR], prokurori propozoi një seancë dëgjimore gojore, publike në lidhje me këtë aktakuzë. Kodi Penal i Kosovës nuk përfshin ndonjë procedurë të konfirmimit të aktakuzës, të ngjashme me atë në GJD.

    Më [REDAKTUAR] 2021, Prokuroria e Specializuar pasi u njoftua se [REDAKTUAR] ishte thirrur për t’u paraqitur në një seancë publike para [REDAKTUAR] në lidhje me aktakuzën, kërkoi shtyrjen e rastit.

    Më [REDAKTUAR] 2021, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi shtyrjen e kërkuar. Ai konsideroi, ndër të tjera, se shtyrja ishte e përshtatshme ‘për të siguruar që provat e [REDAKTUAR] do të ruhen me qëllim që të paraqiten [REDAKTUAR]. 37 Gjyqtari i vetëm konfirmoi se çdo hap i mëtejshëm në procedurën e shtyrë i nënshtrohej nenit 35 dhe kornizës së aplikueshme të Gjykatës Speciale.

    Më REDAKTUAR, seanca fillestare e planifikuar përpara [REDACTED] u shty për një kohë të pacaktuar.

    Më REDAKTUAR dhe REDAKTUAR ia transferoi dosjen e lëndës për procedurën e shtyrë Prokurorinë e Specializuar të Hagës.

    Më 29 korrik 2022, Gjyqtari refuzoi një kërkesë [REDAKTUAR] për përjashtimin e Prokurorit të Specializuar dhe stafit të Prokurroisë dhe për caktimin e një amicus curiae për të ndjekur penalisht [REDAKTUAR].

    Duke pasur parasysh mandatin dhe detyrimet e saj sipas Ligjit 42 dhe Rregullave 43 dhe pas shqyrtimit të kujdesshëm të të gjitha rrethanave dhe informacioneve relevante, Prokuroria e Specializuar ka vendosur të ndërpresë procedurën e shtyrë dhe të mos dorëzojë aktakuzë për konfirmim.

  • Liberalizimi i vizave, publikohet rregullorja në gazetën zyrtare të BE-së

    Liberalizimi i vizave, publikohet rregullorja në gazetën zyrtare të BE-së

    Është publikuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovës. E njëjta pritet të hyjë në fuqi më 15 maj të këtij viti ndërsa kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e zonës Schengen nga 1 janari 2024.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill në selinë e Parlamentit Evropian.

    Një ditë më herët, PE kishte miratuar vendimit për vizat, veprim ky që kishte përmbyllur proceduat vendimmarrëse.

    Për miratimin e këtij vendimi nuk ka pasur asnjë kundërshtim.

    Pas liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë deri në 90 ditë, në një periudhë brenda gjashtë muajsh, në të gjitha shtetet që janë anëtare në zonën Schengen.

    Regjimi pa viza nuk nënkupton leje pune, por kosovarët do të mund të realizojnë vizita turistike apo të tjera për çështje familjare.

    Komisioni Evropian kishte konfirmuar në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për lëvizje të lirë.

    Megjithatë, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që ende nuk mund të lëvizin pa viza në Schengen.

  • Gjendet pa shenja jete një person te Bulevardi i Ri në Tiranë

    Gjendet pa shenja jete një person te Bulevardi i Ri në Tiranë

    Një 67-vjeçar është gjetur pa shenja jete te Bulevardi i Ri, në Tiranë.

    Personi në fjalë, i cili është identifikuar si shtetasi Dh. S., 67 vjeç, u gjet i vdekur pranë biçikletës së tij, në fund të Bulevardit të Ri.

    Nga hetimet paraprake, viktimës nuk i janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ka të bëjmë me një vdekje natyrale.

    Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes së 67-vjeçarit.

    “Më datë 25.04.2023, rreth orës 05:55, në fund të Bulevardit të Ri, është gjetur në rrugë (afër një biçiklete), pa shenja jete, shtetasi Dh. S., 67 vjeç. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë./Euronews.al

  • Nënkryetarja serbe e Parlamentit të KE: Hungaria na gëzoi, Greqia na dëshpëroi

    Nënkryetarja serbe e Parlamentit të KE: Hungaria na gëzoi, Greqia na dëshpëroi

    Nënkryetarja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përfaqësuesja serbe Elvira Kovaç ka deklaruar se Hungaria, e cila votoi kundër, ishte befasia më e madhe në votim për pranimin e kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës.

    Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës pranoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Kjo është faza e parë e pranimit e anëtarësimit në këtë organizatë. Pason deklarata e Asamblesë Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare.

    “Edhe pse lista e vendeve duhet të jetë sekrete, 33 vende anëtare votuan për, kurse bashkë me Serbinë shtatë vota ishin kundër, pesë abstenuan, ndërsa një vend nuk mori pjesë në votim. Befasia më e madhe “e këndshme” ishte Hungaria, e cila votoi kundër. Vendet e tjera (që ishin kundër) janë miq tradicionalë të Serbisë dhe kjo pritej prej tyre”, thotë Kovaç.

    Sipas saj, Greqia, Ukraina, Sllovakia dhe Bosnja dhe Hercegovina abstenuan.

    Ajo tha se procedura e mëtejshme kërkon votim në Këshillin e Evropës, i cili parashikohet se do të zhvillohet, për shkak të procedurave, nga disa muaj deri në dy vjet.

    Ajo tha se delegacioni serb do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

    “Si dikush që kam marrë pjesë në punën e këtij organi për 16 vjet, sinqerisht shpresoj se nuk do të marrim udhëzime për ta braktisur atë. Ambasadorja serbe u largua nga ky takim. Ne kemi vënë re në mesin e politikanëve se qëndrimet e Greqisë janë zbutur dhe kanë ndryshuar, dhe se miqtë tanë më të sinqertë, përveç Hungarisë, janë Spanja, Qiproja dhe Azerbajxhani”, përfundon Kovaç.

  • Kosova e përkushtuar për përmirësimin e të drejtave të personave të privuar nga liria

    Kosova e përkushtuar për përmirësimin e të drejtave të personave të privuar nga liria

    Sot, në tryezën e diskutimit me temën “Përmirësimi i trajtimit të personave të privuar nga liria”, organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë u shpreh përkushtimi për përmirësimin dhe respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se janë të përkushtuar të përkujdesen për personat me nevoja të veçanta e në veçanti të atyre që janë të privuar nga liria. Ai tha se për këtë kanë hartuar politika.

    Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se përkundër që Kosova trajtimin e personave të privuar nga liria e ka të rregulluar sipas standardve ndërkombëtare përkushtimi mbetet për avancim tutje.

    Ajo theksoi se tashmë është krijiar edhe instituti shëndetësor për personat me nevoja të veçanta brenda burgut të Dubravës, por që janë bërë avancime edhe në aspektin legjislativ.

  • Presidenca ia numëron Petkoviqit shkeljet që Serbia ua ka bërë marrëveshjeve të Brukselit

    Presidenca ia numëron Petkoviqit shkeljet që Serbia ua ka bërë marrëveshjeve të Brukselit

    Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani sot ia ka numëruar kryenegociatorit serb, Petar Petkoviqit shkeljet që Serbia ua ka bërë marrëveshjeve të Brukselit.

    Vela ka shkruar se Serbia dje ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes së Brukselit që përcakton qartë “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

    “Petre, mos leh! Dje Serbia ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes së Brukselit që përcakton qartë: “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Vota juaj kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të penalizohet!”, ka shkruar Vela në twitter.

    Ai është shprehur se kur bëhet fjalë për marrëveshjet e mëparshme të Brukselit, lista e shkeljeve të Serbisë është shumë e gjatë.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përmendur mbrëmë dy shkeljet e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit që Serbia i ka bërë gjatë 24 orëve të fundit. Në një shkrim në rrjetin social twitter, ajo ka theksuar se Serbia ka mbetur ajo e njëjta, duke shtuar se ajo ka shkelur nenin 2 dhe nenin 4 të marrëveshjeve.

    E lidhur me këto deklarata, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq ka reaguar duke shkruar “kur Vjosa Osmani përmend shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, ajo me siguri i referohet Asciacionit të komunave serbe”.

    Ndryshe, Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare dje ka vendosur në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare “PACE”. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022./KP

  • BB: Inflacioni i çmimeve të ushqimeve vendase mbetet i lartë në mbarë botën

    BB: Inflacioni i çmimeve të ushqimeve vendase mbetet i lartë në mbarë botën

    Inflacioni i çmimeve të ushqimeve vendase mbetet i lartë në mbarë botën, thuhet në raportin e Bankës Botërore mbi rritjen e pasigurisë ushqimore.

    Ndërsa, sipas këtij institucioni financiar ndërkombëtar, investimet private në infrastrukturë kanë vazhduar edhe vitin e kaluar.

    “Informacioni nga muaji i fundit midis dhjetorit 2022 dhe marsit 2023 për të cilin disponohen të dhëna për inflacionin e çmimeve të ushqimeve tregon inflacion të lartë në pothuajse të gjitha vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, me nivele inflacioni më të madh se 5% në 70.6% të vendeve me të ardhura të ulëta. 90.9% e vendeve me të ardhura të mesme të ulëta dhe 87.0% e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe shumë që përjetojnë inflacion dyshifror”, thuhet në raport, shkruan AA.

    Për më tepër në raport thuhet se 84.2% e vendeve me të ardhura të larta po përjetojnë inflacion të lartë të çmimeve të ushqimit, me vendet më të goditura në Afrikë, Amerikën e Veriut, Amerikën Latine, Azinë Jugore, Evropë dhe Azinë Qendrore.

    Pasi Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës, politikat tregtare të imponuara nga vendet janë rritur, sipas Bankës Botërore.

    “Kriza globale e ushqimit u përkeqësua nga numri në rritje i kufizimeve të tregtisë së ushqimit të vendosura nga vende të ndryshme, pasi 23 vende zbatuan 29 ndalime të eksportit të ushqimit dhe 10 zbatuan 14 masa kufizuese të eksportit, që nga 13 marsi”, thuhet në raport.

    Institucioni financiar tha gjithashtu se prodhimi në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme vazhdoi të rikuperohej në vitin 2022, i cili ishte një vit kyç për rifillimin e angazhimeve për investime në infrastrukturën private.

    Sipas BB-së, Azia Lindore, Paqësori, Amerika Latine, Karaibet dhe Azia Jugore panë një kthim në nivelet e investimeve para pandemisë, Evropa dhe Azia Qendrore panë angazhime më të ulëta për investime për shkak të luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike të lidhur me të.

  • Paragjykimet ndaj komuniteteve, nesër mbahet “Poezi+Koncert”

    Paragjykimet ndaj komuniteteve, nesër mbahet “Poezi+Koncert”

    Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut ka organizuar një event për ditën e nesërme, me qëllim të shmangies së paragjykimeve ndaj komuniteteve të ndryshme ne vend.

    Hana Berisha në një intervistë për ATV-në dha detaje për organizimin e këtij eventi.

    “Kjo iniciativë si produkt i një punëtorisë që e kemi patëm në muajin shkurt, ku të ftuarit erdhën me idenë që ta shmangim narrativen e paragjykimeve dhe përjashtimeve të komuniteteve të ndryshme dhe të arrijmë t’i bashkojmë me një vend. Domethënë jo t’i ndajmë por t’i bashkojmë si shkas I kësaj edhe kjo iniciativë të quhet “ Poezi+Koncert”. Eventi është i hapur për të gjithë të interesuarit”, tha ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kosova ia heq vizat Arabisë, Dedaj ironizon me Gërvallen: Sukses historik

    Kosova ia heq vizat Arabisë, Dedaj ironizon me Gërvallen: Sukses historik

    Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj ka gjetur pak kohë të tallet me kryediplomaten Donika Gërvalla, pasi dje u raportua se Kosova ia ka hequr vizat Arabisë Saudite.

    Në një postim në Facebook, ajo Gërvallen e ka quajtur “mjerim të diplomacisë kosovare”.

    “Ani gojëkqinjtë po thonë se kjo nuk din as nuk punon asgjë”, shkroi ai.

    Postimi i plotë:

    Mjerimi i diplomacisë kosovare

    Çfarë “suksesi” historik i MPJD së Donika Gërvalles!

    Ani gojëkqinjtë po thonë se kjo nuk din as nuk punon asgjë…!!!