As edhe një ankesë për zgjedhjet e së dielës në komunat në veri të Kosovës nuk u dorëzua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Andaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare, të cilat nuk dalluan edhe aq nga ato preliminare.
Lëvizja Vetëvendosje e fitoi komunën e Leposaviqit me 73,5 për qind të votave dhe atë të Mitrovicës së Veriut me 66,9 për qind.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës fitoi komunën e Zveçanit me 59 për qind të votave, si dhe atë të Zubin Potokut me 17 vota më shumë se partia tjetër garuese, apo 52,2 për qind të votave.
Meqë, fitoi mbi 70 për qind të votave, Vetëvendosjes i takojnë edhe 15 ulëse në kuvendin komunal të Leposaviqit, ndërkaq 2 ulëse dhe Partisë së Serbëve të Kosovës.
Ndërkaq, në Kuvendin komunal të Zveçanit, Partia Demokratike e Kosovës, si fituese do t’i ketë 11 ulëse karshi partisë garuese Vetëvendosje me 8 ulëse të fituara.
Përkundër daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e së dielës, në katër komunat veriore, asnjë votë nuk u erdhi nga diaspora.
Sidoqoftë, për rezultatet përfundimtare, KQZ-ja do të pranojë ankesa deri të mërkurën në orën 14:00. /atvlive.tv
Këta kontejnerë në Kodrën e Trimave, janë shkolla e vetme shqipe në Mitrovicë të Veriut. Për 17 nxënësit e Shkollës fillore “Aziz Sylejmani”, me kryetarin e ri, siç duket ka shpresë.
“Për shembull, shkolla që është në Kodër të Minatorëve e cila nuk punon në kushte adekuate. Pastaj janë disa projekte infrastrukturore. Janë disa rrugë që nuk janë asfaltuar. Edhe këtu në Lagjen e Boshnjakëve është një rrugë, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nedzad Ugljanin.
Problem tjetër që pritet të ketë zgjidhje është edhe kompensimi për dëmet që shkaktuan vërshimet.
“Ne e kemi prurë edhe një vendim për 300 mijë euro për dëmet e vërshimeve, edhe janë 65 shtëpi dhe biznese dhe jemi në pritje”, tha Ugljanin.
Megjithatë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut nuk kanë njohuri për kryetarin e ri që vjen nga radhët e Vetëvendosjes dhe nuk presin ndryshime të mëdha.
“S’besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të ri. Uroj që të jetë më mirë, por nuk besoj. Nuk e di, madje as kush është kryetari i ri dhe gjasat që situata të përmirësohet janë të vogla”, tha një qytetar.
“Unë nuk e di kush ka qenë kryetar i komunës, por nëse unë jam punëtori, burri i fjalës dhe i punës, nuk ka lidhje kush është udhëheqësi, e rëndësishme është që të punojmë së bashku”, tha një tjetër qytetar.
Mitrovica e Veriut në dy vjetet e ardhshëm do të udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili fitoi 553 vota ose 66.09%.
Ndërkohë, kryetari paraprak, Milan Radojevic, dha dorëheqje me 6 nëntor të vitit të kaluar. /atvlive.tv
Bashkimi Evropian është në dijeni të votës së Serbisë kundër Kosovës në nisje të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por zëdhënësit e saj nuk ishin në gjendje të konstatojnë nëse ajo përbën shkelje të marrëveshjes.
I pyetur për votën kundër, zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, u kujdes të sqarojë se Këshilli i Evropës nuk është institucion i BE-së.
“Këshilli i Evropës është organizatë krejt tjetër nga Bashkimi Evropian ose nga Këshilli Evropian. Kjo vetëm për t’u siguruar që kuptohet drejt në rajon. Pra, Këshilli i Evropës është organizatë e pavarur që luan rol qendror në promovimin vlerave dhe standardeve fondamentale evropiane, përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Lidhur me votën, ne jemi në dijeni të asaj vote”, tha Stano.
Zëdhënësi i BE-së nuk pati përgjigje të qartë, përkundër përsëritjes së pyetjes.
“Ky ishte testi i parë, relativisht i lehtë, për këtë marrëveshje – nëse është ende gjallë dhe në lëvizje. Citoj nenin 4, nëse është korrekt: Serbia nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Serbia sapo e bëri këtë, kështu që a dënoni këtë apo vetëm keni marrë shënim? A është marrëveshja ende aty?”, tha Stephan Israel, gazetar.
Këmbëngulja e gazetarëve për të marrë përgjigje po ose jo, për atë se a përbën shkelje të marrëveshjes vota kundër – nuk u pëlqeu zyrtarëve të BE-së.
“Ne tashmë patëm këtë pyetje dhe Peter u përgjigj. Kështu që do ta mbyllë këtë, nëse nuk keni pyetje tjetër”, tha zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian, Eric Mamer.
Përgjigje të qartë, në formë kërkese, zëdhënësit e BE-së patën lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Themelimi i Asociacionit ose Bashkësisë është nevojë urgjente. Ky është zotim i marrë nga pala kosovare në marrëveshjet e kaluara. Të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, kjo është ritheksuar edhe në marrëveshjen e Ohrit. Qëndrimi ynë është shumë i qartë, duhet të bëhet. Ne jemi të lumtur të vazhdojmë punën si lehtësues në rrugën për ta themeluar atë. Nuk kemi nevojë të përfshihemi në shkëmbime publike për modalitetet çka duhet të bëhet dhe si, por duhet të bëhet. Mënyra se si do të bëhet mund të diskutohet dhe ne jemi këtu për të ndihmuar”, tha Stano.
Presidentja Vjosa Osmani akuzoi Serbinë për shkelje të marrëveshjes me votën dhe lobimin kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale, të dielën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, do të takohen më 2 Maj, në Bruksel, me lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. /atvlive.tv
Nesër në ora 11:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Kjo seancë është thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesën nga 40 deputetë për këtë seancë të jashtëzakonshme për ditën e nesërme.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka njoftuar se gjatë kësaj seance do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit për korrupsion të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Ky i fundit ish zyrtar i lartë i LVV’së i emëruar nga bordi i pushtetit të kësaj partie në krye të KEK’ut.
Në këtë seancë pritet të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.
Ndryshe, Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’ dhe të njëjtit i është caktuar një muaj paraburgim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka qenë i gatshëm që vet ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit.
Por sipas tij, një gjë e tillë nuk është pranuar nga palët në takimin e Ohrit.
“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”.
“Pra tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin Lajçak”, tha Kurti.
“Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane”.
“I përket ekipit menaxhues që të shfaqet por ministri Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim atyre por që nuk kanë pranuar”, tha tutje Kurti.
Shefi i ekzekutivit foli edhe për zgjedhjet në veri, raporton EO.
“Ne kemi bërë fushatë vazhdimisht. Unë kam pasur takime e fushata është zhvilluar nga kandidatët për kryetar të komunave atje. Mirëpo fushatë më të egër kundër serbëve të Kosovës moti nuk ka pasur e udhëhequr e financuar nga Beogradi dhe ekzekutuar nga elemente kriminale”, tha Kurti.
Moska ka njoftuar se do të dëbojë një diplomat moldav dhe do t’ua ndalojë hyrjen disa zyrtarëve moldavë, si shenjë hakmarrjeje pasi Kishinau e shpalli një punëtor të Ambasadës ruse persona non-grata.
Ministria e Jashtme ruse tha më 25 prill se i ka dorëzuar notë proteste ambasadores moldave, Lilian Darii, “për hapat e vazhdueshëm armiqësor të Moldavisë ndaj Rusisë dhe deklaratat e rregullta anti-ruse”, si dhe për rreshtimin krah Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Moskës për luftën në Ukrainë.
Javën e kaluar, Moldavia dëboi një punonjës të ambasadës ruse.
Marrëdhëniet midis Kishinaut dhe Moskës janë përkeqësuar që nga nisja e luftës në Ukrainë, e cila ka ngritur frikën se shteti i vogël i vendosur midis Ukrainës dhe Rumanisë mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë.
Emrat e diplomatit të dëbuar dhe zyrtarëve moldavë të cilëve u është ndaluar hyrja në Rusi nuk janë publikuar.
Por, gazeta ruse Kommersant raportoi se Moska dëboi konsullin e Moldavisë dhe ua ndaloi hyrjen e ministres së Brendshme, Ana Revenco, dhe tre ligjvënësve të partisë në pushtet: Oazu Nantoi, Olesea Stamate dhe Lilian Carp.
Shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, që kur Moska nisi pushtimin e Kievit më 24 shkurt 2022. Rusia është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë./REL/
Nën udhëheqjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur sot takimi i Komisionit të Granteve, ku u diskutua dhe u aprovua financimi komunal për vitin 2024-2026.
Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për financimin komunal për periudhën 2024-2026 është i bazuar në legjislacionin për financat publike dhe aprovimi i këtij drafti do t’u mundësojë komunave dhe nivelit qendror zhvillimin e rregullt të procesit buxhetor.
Në total, buxheti komunal për vitin 2024 në nivelin komunal kap vlerën prej 742.02 milionë euro, e që paraqet një rritje prej 82.51 milionë euro krahasuar me buxhetin komunal të vitit 2023.
Granti i Përgjithshëm për vitin 2024 kap shumën prej 284.68 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekord e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit.
Rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsim. Granti për Shëndetësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsim është rritur për 18.5%, apo 37 milionë euro.
Komisioni i Granteve ka miratuar buxhetin me rritje edhe për Grantin e Kryeqytetin me afro 12% krahasuar me vitin 2023, si dhe Financimin për teatrot me rritje prej 80% apo 720 mijë euro.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve mbetet e përkushtuar në qëllimin e saj për ngritjen e mirëqenies sociale, dhe e vlerëson lartë bashkëpunimin me nivelin komunal që t’u gjendemi sa më afër qytetarëve.
Suedia do t’i dëbojë pesë diplomatë rusë të cilët dyshohet se kanë shkelur rregullat për marrëdhëniet diplomatike.
Sipas transmetuesit kombëtar suedez SVT, ministri i Jashtëm, Tobias Billstrom, tha se punonjësve të ambasadës ruse në Suedi u është kërkuar të largohen “si rezultat i aktiviteteve që nuk janë në pajtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike”.
Konventa e Vjenës e OKB-së është një marrëveshje ndërkombëtare e prezantuar në vitin 1961 me rregullore për të ndihmuar vendet e pavarura t’i mbajnë relacionet më njëra-tjetrën, shkruan AlJaazera.
Organizata “Medical Volunteers International Serbia” ka publikuar në llogarinë e saj në Instagram një video të policisë serbe duke rrahur emigrantët në Sombor.
Siç shprehen ata, kjo është një video e dëbimit të dhunshëm të ndodhur në Qendrën Transitore të Somborit, shkruajnë mediat serbe.
“Në video shihen emigrantët që ikin nga policia serbe. Një qendër zyrtare tranziti e financuar nga qeveria duhet të jetë një vend i sigurt për njerëzit në lëvizje”, tha organizata.
Por, siç shtuan ata, kjo video tregon të kundërtën.
“Kjo është dëshmi e qartë se policia serbe ka rrahur ilegalisht individë. Djali në këtë video është i mitur. Njerëzit raportuan se ata të kapur nga policia u dërguan në jug në Preshevë. Fatkeqësisht, kjo po bëhet sistematike. Qeveria e Serbisë jo vetëm që i injoron emigrantët, por shkel plotësisht të drejtat e tyre”, kanë thënë ata.