ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur kulturor

    Kurti: Komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur kulturor

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut të pasur shoqëror dhe kulturor të Kosovës.

    Ai ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Turqve në Kosovë, në një tryezë të organizuar nga zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilia Rexhepi.

    “Strategjia jonë e arsimit për vitet 2022-2026 përfshin subvencionet e vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve e materialeve e mësimore në gjuhën turke. Po ashtu, planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe për komunitetet që kanë gjuhë të tjera, si turqishten për shembull gjuhë amtare”, ka thënë Kurti.

    Ai ka thënë se vitin e kaluar Qeveria ka gjetur zgjidhje për të ofruar tekste shkollore cilësore në gjuhën turke.

    “Kryeministri Kurti tha se komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Ai shtoi se, që Kosova të jetë një shtet, ku promovohet shumëgjuhësia, do t’iu ofrojmë mundësi studentëve, që të mësojnë gjuhën e mjedisit, siç është turqishtja për shqiptarët në komunat multietnike dhe kësisoj edhe si individë dhe si shtet, do të përfitojmë avantazhe në tregun ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

  • Dhjetë seanca gjatë muajit maj për gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

    Dhjetë seanca gjatë muajit maj për gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

    Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), në kalendar të gjykimeve, është bërë e ditur se në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, janë caktuar dhjetë seanca për muajin maj.

    Të gjitha këto seanca pritet të fillojnë në orën 9:00, por se do të transmetohen me 45 minuta vonesë për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Datat e planifikuara për seanca në çështjen e Thaçit dhe të tjerët për këtë muaj janë: 10, 11, 12, 15, 16, 17, 18, 22, 23 dhe 24 maj.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi për këtë çështje dhe janë mbajtur dhjetë (10) seanca.

    Në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka filluar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

  • Disa pjesë të kryeqytetit mbesin pa energji elektrike

    Disa pjesë të kryeqytetit mbesin pa energji elektrike

    Disa pjesë të kryeqytetit aktualisht kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike, përfshirë qendrën, rrugën “Agim Ramadani” dhe lagjen “Ulpiana”.

    Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike(KEDS) njofton se kjo po ndodh për shkak se një linjë në nënstacionin “Prishtina 6” është jashtë funksionit.

    “Ju informojmë se linja 110/10 kV në nënstacionin Prishtina 6 aktualisht është jashtë funksionit. Si rezultat i kësaj , një numër i caktuar i konsumatorëve tanë ka mbetur pa furnizim me energji elektrike. Ekipet e KEDS-it ndodhen në vendin e ngjarjes dhe presim që brenda pak kohe furnizimi me energji elektrike do të rikthehet”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.

  • Këto janë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet në veri

    Këto janë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet që janë mbajtur të dielën më 23 prill në katër komunat veriore.

    Rezultatet janë si në vijim:

    Leposaviq: Lulzim Hetemi (VV) – 100 vota ose 73.3 për qind; Albulena Behluli- Hetemi – 34 vota ose 25 për qind; Aleksandar Jabllanoviq – 2 vota ose 1.5 për qind.

    Zubin Potok: Izmir Zeqiri (PDK) – 197 vota ose 52.2 për qind; Flatron Hasani (VV)- 180 vota ose 47.7 për qind

    Zveçan: Ilir Peci (PDK) – 114 vota ose 59 për qind; Fetah Peci (VV)- 72 vota ose 37.3 për qind dhe Slagjana Pantoviq- 7 vota ose 3.6 për qind

    Mitrovicë e Veriut: Erden Atiq (VV) – 553 vota ose 66.9 për qind, Taulant Kelmendi (PDK)- 193 vota ose 23.4 për qind dhe Betim Osmani – 80 vota ose 9.7 për qind.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ashtu ka bërë të ditur edhe numrin e asamblistëve për komunën e Leposaviqit dhe Zveçanit.

    Numri i asamblistëve në komunën e Leposaviqit:

    VV: 85 vota, 77,3 për qind- 15 ulëse

    PDK: 21 vota, 19,1 për qind – 2 ulëse

    Partia Kosovskih Srba: 4 vota, 3,6 për qind- 2 ulëse

    Numri i asamblistëve në komunën e Zveçanit:

    PDK: 98 vota, 60,1 për qind- 11 ulëse

    VV: 65 vota, 39,9 për qind- 8 ulëse

  • ​Kurti: Mbështetja e grave në biznes fuqizon ekonominë e vendit

    ​Kurti: Mbështetja e grave në biznes fuqizon ekonominë e vendit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se fuqizimi i grave në biznes ndikon zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi.

    Kurti këto komente i bëri në ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”, e cila iu dedikua grave në Inovacion dhe Kreativitet dhe është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Ai u shpreh se gratë kanë dëshmuar që janë protagoniste, si ndërmarrëse e si punëtore e sot janë shumë aktive, prandaj janë të obliguar t’i mbështesin ato.

    Kurti po ashtu u shpreh se mundësia në financa për gratë nuk është vetëm fuqizim i grave në biznes, por fuqizim i ekonomisë në përgjithësi.

    “Ne detyrohemi dhe obligohemi t’i përkrahim ato, që janë në fillim të nismave të tyre, ato që janë në mes të një vështirësie biznesore, dhe t’i nxisim ato që kanë dëshirën e vullnetin. Qasja në financa, qofshin ato edhe të ulëta, është përcaktuese për pronën apo rritjen e biznesit, por edhe vetë përvojat e aftësitë e deri tek rezultatet finale. Ne duhet të sigurohemi për një fillim sa më të barabartë, sepse edhe rrugëtimi para këtij fillimi në shumicën e rasteve nuk ka qenë i barabartë. Shumica e tyre kanë pasur më shumë sfida gjatë përvojave jetësore e të karrierës e ne si qeveri jemi të vëmendshëm për këto dallime që në fëmijëri dhe jemi duke ndërhyrë kudo që është e mundshme…Ato që kanë zgjedhur rrugën e të bërit biznes, kanë zgjedhur guximin dhe ne duhet t’i përkrahim. Andaj, investimi në këtë drejtim është i domosdoshëm. Qasja në mjetet financiare për gratë që e duan punën, është edhe interes afatgjatë i ekonomisë së vendit tonë. Mundësimi në financa për to, nuk është vetëm fuqizim i grave në biznes, por fuqizim i ekonomisë në përgjithësi”, u shpreh Kurti.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh se përfshirja e grave në studimet shkencore, por edhe si ndërmarrëse të suksesshme po lënë gjurmë në ekonominë vendore.

    Ajo tha se kjo armatë punëtoresh po përkrahet me politika të shëndosha edhe nga Qeveria e Kosovës.

    “Kohëve të fundit gratë e Kosovës po përzgjedhin drejtimet e studimit në shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë ku çdo ditë e më tepër ky numër po rritet. Gjithashtu, edhe si ndërmarrëse të suksesshme me kreativitetin dhe idetë inovatore ato po krijojnë po krijojnë dhe po lënë gjurmë të dukshme në ekonominë e Kosovës dhe duhet të themi edhe me një dozë krenarie meritore se këtë armatë punëtore qeveria e Kosovës dhe MINT e ka mbështetur dhe po vijon ta mbështes me politika të shëndosha e normativa ligjore e programe e skema përkrahëse financiare…Sot teksa shënojmë këtë ditë të rëndësishme për pronësi intelektual dhe inovacionin si faktor me ndikim të lartë për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë duhet theksuar se me globalizmin e ekonomisë dhe krijimin e lidhjeve të shpejta të transportit dhe teknologjisë së inovacioneve ku tregu është shumë konkurrues dhe ndryshon me shpejtësi është vendimtare të bëhemi bashkë për të nxitur kreativitetin dhe inovacionin tek ndërmarrësitë tanë“, tha ajo.

    Teksa ka listuar shumë nisma ligjore që kanë ndërmarrë si MINT, ministrja Hajdari theksoi se më 11 maj në Bruksel do të nënshkruhet marrëveshje e pjesëmarrjes në programin tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian me vlerë 4.2 miliardë euro.

    “Çka është me rëndësi të ndaj me ju një lajm të mirë është se kemi filluar negociatat dhe përmbyllur për marrëveshjen e pjesëmarrjes në programin tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian me gjithsej vlerë 4.2 miliardë euro ku shumë biznese tona të vogla e të mesme mund të aplikojnë për thirrje për përfitime si një mundësi të shkëlqyeshme që bizneset e inovatorëve mund të jenë përfitues për përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet më 11 maj në Bruksel”, theksoi ajo.

    Ndërsa, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani u shpreh se gratë janë shtyllë nxitëse e inovacionit dhe kreativiteti dhe këtë e kanë dëshmuar pavarësisht sfidave.

    “Gratë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në fushat të ndryshme të pronësisë intelektuale përkundër sfidave dhe vështirësive që ky sektor ka hasur ndër vite. Sot po nderojmë punën e rëndësishme të grave të profileve të ndryshme përfshirë këtu shkrimtare, regjisore, film-bërëse e sipërmarrëse që janë shtyllë nxitëse e inovacionit dhe kreativitetit…. Kemi përfunduar një proces shumë të rëndësishëm të reformimit të kornizës ligjore dhe rregullative në fushën e të drejtave të autorit për shkak të trendëve të reja dhe dinamikës që ndodh në sferën legjislative evropiane përkitazi me të drejtën e autorit…Projektligji për të drejtat e autorit është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe shumë shpejt pritet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës”, theksoi ajo. /KP

  • Punëtorët e KEK-ut të premten në protestë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët e KEK-ut të premten në protestë, kërkojnë rritje të pagave

    Kryesia e sindikatave të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka njoftuar se të premten punëtorët e kësaj ndërmarrjeje do të protestojnë me kërkesën për rritje të pagave.

    Protesta do të mbahet para zyrave të KEK-ut në sheshin “Nëna Terezë” me moton “Ngrite zërin për ta ngritur pagën”.

    “Nga mbledhja e Kryesive të Sindikatave të KEK-ut më datë 20.04.2023 është marrë vendim për Protestë më datë 28.04.2023 duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftim.

    Qëllimi i protestës thuhet se është ngritja e pagave për të gjithë punëtorët e KEK-ut.

    “Edhe pse ishte një premtim nga ana e Bordit për realizimin e kërkesës së sindikatave të KEK-ut por edhe premtim publik përmes komunikatës së datës 03.04.2023. Si më poshtë: ‘Duke pasur tërë mirëkuptimin për kërkesat e punëtorëve, pas përfundimit të auditimit dhe certifikimit të pasqyrave financiare në fund të muajit Prill të këtij viti, Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut, do të shqyrtojë kërkesën e sindikatave se sa do të ketë mundësi që të përfitojnë punonjësit e KEK-ut’. Përkundër premtimit kjo nuk po ndodhë prandaj ne vazhdojmë”, thuhet në njoftim.

  • Stano: BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës

    Stano: BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ata u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

    Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

    Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen, BE-ja e konsideron atë marrëveshje dhe ka deklaruar se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët.

    “Diskutimet për nënshkrimin [e marrëveshjeve] janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi [i marrëveshjeve] do të reflektohet në rrugëtimin e tyre [të Kosovës dhe Serbisë] evropian”, tha Stano.

    Zëdhënësi i BE-së konfirmoi se marrëveshja e arritur në Ohër është ende e vlefshme dhe se fokusi i të gjithëve duhet të jetë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

    Më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës votoi që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

    Për këtë vendim, 33 vota ishin për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

    Para se të mbahej votimi në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregoi se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

    Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut. Kjo organizatë ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare./REL/

  • Vritet shqiptari në Spanjë, braktiset para spitalit i gjakosur

    Vritet shqiptari në Spanjë, braktiset para spitalit i gjakosur

    Një shqiptar rreth moshës 30 vjeçare është gjetur i vdekur këtë të diel në dyert e urgjencës së spitalit të qytetit të Girona në Spanjë me plagë me thikë në bark.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 të së dielës, kur një automjet ka ndaluar në derën e emergjencës së qendrës.

    Një infermiere dhe një mjek ndihmuan për të nxjerrë nga makina shqiptarin. Më pas makina që e solli u largua shpejt.

    Për 45 minuta mjekët u përpoqën ta rikthenin në jetë 30-vjeçarin shqiptar por nuk ia dolën.

    Pronari i mjetit që la shqiptarin në derën e spitalit ishte një tjetër shtetas me origjinë shqiptare me banim midis rajonit Maresme dhe La Selva.

    Mëngjesin e kësaj të hëne, atij iu mor një deklaratë në stacionin e policisë Vista Alegre në Girona.

    Falë kësaj deklarate, agjentët kanë zbuluar se edhe viktima, ashtu si drejtuesi i mjetit, ishte me origjinë shqiptare dhe rreth 30 vjeç.

    Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar se kush e vrau.

  • Rritet numri i përfituesve të pensioneve për veteranë, prin Deçani

    Rritet numri i përfituesve të pensioneve për veteranë, prin Deçani

    Në tremujorin e parë të këtij vit ështët rritur numri i përfituesve nga skemat e pensioneve për veteranët e luftës. Në muajin mars të këtij viti përfituan pensione 36 mijë e 826 veteranë të UÇK-së ose 59 më shumë se në janar të këtij viti.

    Statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë se në janar kishin përfituar 36 mijë e 767 veteranë, dhe në shkurt 36 mijë e 821.

    Sipas skemës së pensioneve për veteranët e luftës nëpër komuna të Kosovës, numri më i madh është nga Deçani me 4.051, pastaj Peja me 3.675, Gjakova me 3.360, Prishtina me 2.731, Skenderaj me 2.616, Prizreni me 2.074 dhe Podujeva me 1.984.

    Nga buxheti i shtetit, çdo muaj paguhen rreth 6 milionë 260 mijë euro për këtë kategori të skemës pensionale, shkruan KosovaPress.

    Ndërkohë, krahasuar me dy vitet e kaluara, ka një rënie të numrit të përfituesve nga kjo kategori, ku kishte arrit numri mbi 38 mijë.

    Sipas raportit të fundit të ASK-së, sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit mars 2023: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 948 familje me gjithsej 86 945 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 3 mijë e 88 familje.

  • ​Vitia e Haxhiu: Personat e privuar nga liria do të trajtohen me dinjitet

    ​Vitia e Haxhiu: Personat e privuar nga liria do të trajtohen me dinjitet

    Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë sot shprehën përkushtimin për të përmirësuar kushtet dhe mundësitë që personat që janë të privuar nga liria të trajtohen me respekt dhe dinjitet.

    Këtë angazhim si ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, si ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i shprehën në tryezën e organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, me ç’rast u dhanë edhe rekomandimet që kanë dalur nga projekti “Përmirësimi i trajtimit të personave të privuar nga liria”.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia shprehu përkushtimin për kujdes të vazhdueshëm për personat që janë të privuar nga liria.

    Ai tha se me qëllim të përmirësimit të trajtimit të këtyre personave kanë ndërmarrë edhe politika konkrete.

    “MSh është e përkushtuar që në vazhdimësi të përkujdeset personat me nevoja shëndetësore në vend veçmas për ata të privuar nga liria qoftë në institucionet e kujdesit shëndetësor, ku këta persona mbahen pa vullnetin e tyre qoftë në institucionet speciale apo edhe në burgje. Politikat e MSh lidhur me përmirësimin e trajtimit për personat e privuar nga liria janë dëshmuar edhe me vendime strategjike të ndërmarra deri më tani siç janë bartja e shërbimeve shëndetësore të burgjeve nga MD në MSh bazuar në rekomandimet e OBSH dhe Këshillit të Evropës me qëllim të trajtimit të të burgosurve në mënyrë ekuivalente me qytetarët tjerë. Themelimi i Institutit të Psikiatrisë Ligjore si një institucion i veçantë dhe unik në regjion, në të cilin mbahen personat që kanë rënë ndesh me ligjin dhe kanë çrregullime mendore. Sa i përket institucionit special në Shtime, qeveria ka marrë vendim që këtë institucion ta transferoj në kuadër të MSh me qëllim të ofrimit të kujdesit sa më profesional”, tha ai.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se trajtimi i personave të privuar nga liria në Kosovë është sipas standardeve ndërkombëtare, por ajo theksoi se nuk do të ndalen në adresimin e të gjitha sfidave.

    Haxhiu theksoi se janë angazhuar në krijimin e kushteve ligjore që këta persona të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre me qëllim që të trajtohen me dinjitet dhe respekt.

    “Kosova qëndron shumë mirë krahasuar me vendet në Ballkan, megjithatë ne nuk duhet të vetëkënaqemi, por do të vazhdojmë përpjekjet për adresimin e çdo sfide mes nesh. Kemi punuar dhe po vazhdojmë në krijimin e kushteve ligjore që personat e privuar nga liria të trajtohen me respekt, por edhe me dinjitet si dhe të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre të garantuara me ligj, por edhe me konventat tjera ndërkombëtare. Veç kësaj ne kemi ndërmarrë edhe hapa konkret në krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore për këtë qëllim tash rreth dy muaj… ka themeluar institucionin shëndetësor për trajtimin e personave me nevoja të veçanta që mbulon shërbimet shëndetësore për nevoja të veçanta përbrenda burgut të Dubravës “, u shpreh ajo.

    Rekomandimet e dala nga projekti “Përmirësimi i trajtimit të personave të privuar nga liria” thonë se qasjet aktuale të rehabilitimit për kujdesin forenzik të shëndetit mendor lënë shumë hapësirë për përmirësim. Ky raport thotë se trajtimet psiko-sociale duhet të zhvillohen më tej si elemente kyçe për shërimin, reduktimin e rrezikut dhe rehabilitimin e pacientëve psikiatrike forenzike./KP