ATV

Category: Lajme

  • Zelensky thotë se më shumë se 60 objekte kulturore ukrainase janë shkatërruar nga rusët

    Zelensky thotë se më shumë se 60 objekte kulturore ukrainase janë shkatërruar nga rusët

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se “më shumë se 60 muze dhe galeri në rajone të ndryshme janë shkatërruar ose dëmtuar nga pushtuesit” që nga fillimi i luftës, raporton CNN.

    Ai shtoi se dy gra u vranë në një sulm rus duke përdorur raketa S-300 në muzeun Kupyansk në rajonin e Kharkiv. Qyteti është rreth 10 kilometra nga vijat e frontit.

    Ai tha gjithashtu se një kishë u shkatërrua nga një sulm rus në rajonin jugor të Khersonit. “Kjo kishë u bë një nga qindra kishat dhe shtëpitë e lutjeve të shkatërruara nga sulmet ruse”, shtoi ai.

    Zelensky pretendoi se forcat ruse kishin hyrë në shtëpinë e një aktivisti tatar, Abduresheet Dzhepparov, në Krime. “Ai është një nga përfaqësuesit e lëvizjes kombëtare tatare të Krimesë, një aktivist i të drejtave të njeriut, një qytetar i Ukrainës. Nuk dihet se ku është tani, çfarë po ndodh me të”.

  • Mblidhet Qeveria, ky është rendi i ditës

    Mblidhet Qeveria, ky është rendi i ditës

    Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e radhës ku pritet të shqyrtohen 19 pika të rendit të ditës.

    Mbledhja do të fillojë në ora 10:00.

    Gjatë kësaj mbledhje do të shqyrtohet Projekt-Rregullorja për Zëvendësimin apo mungesën e Përkohshme nga Puna e Nëpunësit Civil (MPB), pastaj edhe lista e artikujve të përbashkët të cilët janë në prokurim.

    “Shqyrtimi i Propozim-vendimit për plotësimin e listës së artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit, të aprovuar me Vendimin e Qeverisë Nr. 06/27 të datës 30 prill (MFPT)”, thuhet në pikën shtatë të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

    Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet edhe propozimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për Forumin Ekonomik të Vjenës.

  • Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Sot në ora 11:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Kjo seancë është thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesën nga 40 deputetë për këtë seancë të jashtëzakonshme për ditën e nesërme.

    Tahiri ka njoftuar se gjatë kësaj seance do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit për korrupsion të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

    Ky i fundit ish zyrtar i lartë i LVV’së i emëruar nga bordi i pushtetit të kësaj partie në krye të KEK’ut.

    Në këtë seancë pritet të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

    Ndryshe, Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’ dhe të njëjtit i është caktuar një muaj paraburgim.

  • Begaj udhëton sot për në Kroaci, takohet me krerët e shtetit

    Begaj udhëton sot për në Kroaci, takohet me krerët e shtetit

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me ftesë të presidentit Zoran Milanoviç sot do të udhëtojë për vizitë shtetërore në Kroaci.

    Begaj, siç u bë e ditur në komunikatë, do të mirëpritet të enjten (27 prill) sipas ceremonive të nderit dhe të mirëseardhjes për të vijuar agjendën zyrtare të bisedimeve me presidentin kroat, duke u fokusuar te marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi rajonal, rrugëtimi evropian i Shqipërisë, si dhe zhvillimet e tjera me ndikim në çështjet e paqes dhe sigurisë.

    Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, të enjten (27 prill) Begaj do të pritet në takime të veçanta nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç si dhe kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrakoviç.

    Gjatë qëndrimit në Kroaci, Begaj do të zhvillojë edhe një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare.

    “Më 28 prill 2023, nën shoqërinë e mikpritësit, Presidentit të Kroacisë Milanoviç, presidenti Begaj do të vizitojë e takohet me arbanasit e Zarës (Zadarit), aktivitetet që shënon Vizita shtetërore e presidentit Begaj dhe e delegacionit që e shoqëron, mbyllet, ditën e premte, më 28 prill 2023.”, u bë e ditur tutje.

  • Ambasadorja e SHBA-së në OKB, bën thirrje për zbatimin e shpejtë të marrëveshjes Kosovë-Serbi

    Ambasadorja e SHBA-së në OKB, bën thirrje për zbatimin e shpejtë të marrëveshjes Kosovë-Serbi

    Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, vlerësoi të martën në Nju Jork marrëveshjen “historike, ligjërisht të detyrueshme të normalizimit” mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëri thirrje për “zbatimin e shpejtë të saj”.

    Sipas një njoftimi të zëdhënësit të Misionit të SHBA-së në OKB, Nate Evans, ambasadorja Thomas-Greenfeld i bëri komentet në një takim në Nju Jork me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

    “Ambasadorja Thomas-Greenfield përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e angazhimeve të tyre në drejtim të një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe paqësore”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit.

    Dy diplomatet e larta diskutuan për partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe angazhimin e tyre të përbashkët për avancimin e stabilitetit dhe mirëqenies në Ballkanin Perëndimor, sipas njoftimit të zëdhënësit të Misionit amerikan në OKB.

  • Joseph: Serbia shkeli zotimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit

    Joseph: Serbia shkeli zotimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit

    Profesori amerikan, Edward Joseph e ka vlerësuar një hap jashtëzakonisht pozitiv për Kosovën dhe qytetarët e saj miratimin e aplikimit të saj në Këshillin e Evropës. Ai në një intervistë për magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK, ka thënë se për herë të parë kemi parë se shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, nuk e kanë penguar atë, derisa Serbia me votën kundër ka shkel zotimet e Marrëveshjes së Ohrit.

    “Shtetet si Greqia, Sllovakia dhe Ukraina, e cila ka një rol kyç nuk votuan asnjëra kundër Kosovës. Ato abstenuan dhe në këtë mënyrë nuk e kundërshtuan votën e Këshillit të Evropës, duke i mundësuar Kosovës që të ecë tutje dhe kjo është shumë me rëndësi. Është një hap pozitiv dhe shumë i madh i Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s dhe me dobi praktike për qytetarët shqiptarë dhe serbë të Kosovës”, ka theksuar Joseph.

    Ai ka thënë se nuk ka qenë i befasuar me votën kundër të Hungarisë, pasi sipas tij presidenti i saj është një lider autoritativ, i cili po luan lojë të dyfishtë, por ka thënë se ky kundërshtim hungarezë nuk do të ketë ndonjë rol në fund të procesit.

    Profesori Joseph tutje ka thënë se Serbia me Marrëveshjen e Ohrit është dakorduar që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat evropianë dhe rasti i votës kundër në Këshillin e Evropës paraqet shkelje të zotimeve të saj.

    “Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell duhet të komunikojë drejtpërdrejt me Madridin zyrtar, Bukureshtin dhe Nikozinë dhe zyrtarisht t’ua komunikojë se Serbia e ka shkelur zotimin e saj për të mos e penguar Kosovën në anëtarësim në mekanizmat evropian”, ka shtuar profesori amerikan.

    Ai tutje ka thënë se interesi bazë i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq nuk është mirëqenia e serbëve të Kosovës. “…sepse sikur do të ishte i interesuar për mirëqenien e serbëve ai do të përpiqej që t’i zgjidhte këto çështje. Përfituesit e vërtetë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës përveç shqiptarëve do të jenë serbët e Kosovës sepse do të kenë qasje në drejtësinë evropiane”, është shprehur Joseph.

    Miratimi i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës sipas profesorit amerikan paraqet një tregues pozitiv për mundësinë e Kosovës për të avancuar tutje në rrugëtimin e saj evropian. Por, ai ka thënë se Kosova e ka obligim që ta pranojë dhe ta shtyjë përpara formimin e Asociacionit.

    “E di që është diçka e vështirë por është një obligim nga marrëveshjet paraprake dhe nga ato të fundit në Bruksel dhe Ohër. Duhet të themelohet Asociacioni në mënyrë të shpejt, të drejtë dhe efektiv, duke bashkëpunuar me SHBA-në dhe BE-në, duke siguruar se nuk ka ndonjë kërcënim për funksionalitetin e Kosovës dhe tërësinë e saj”, ka nënvizuar Joseph.

    Ai nuk e ka vlerësuar aq shqetësues faktin se në grupin menaxhues, i cili do të hartojë draft-statutin e Asociacionit nuk është asnjë shqiptar. “Sa i përket dinamikave konkrete se kush do të propozojë Asociacionin është me pak e rëndësishme sesa përmbajtja e statutit. Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me BE-në dhe SHBA-në sa i përket përmbajtjes së statutit. Ajo duhet të jetë e tillë që t’i adresojë çështjet e vërteta të qytetarëve të saj dhe t’i mundësojë vetës të funksionojë mirë dhe mbarë. Kjo është në interes të çdo qytetari. Një Asociacion që i bën të ndihen mirë e të sigurt”, ka thënë profesori amerikan.

    Ai tha se është i vetëdijshëm se për palën shqiptare ndoshta paraqet shqetësim fakti se nuk është asnjë anëtar i qeverisë së Kosovës në këtë grup menaxhues, por ka thënë se nuk e sheh si diçka të patejkalueshme.

    “Nëse ekipi menaxhues ka serbë, ata do të propozojnë një version, i cili ndoshta mund të jetë i papranueshëm por nuk përfundon e tëra me kaq. Para takimit më 2 maj Kosova mund t’i propozojë çështjet dhe shqetësimet e saj. Por Kosovës i takon të jetë konstruktive, të ketë interesim për mbrojtje të rendit të saj kushtetues, tërësisë së saj, kufijve të saj dhe të mos i kompremtojë ato në asnjë mënyrë”, ka thënë Joseph, sipas të cilit statuti i Asociacionit duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe interesat e qytetarëve të saj.

    Profesori Joseph ka thënë se me formimin e Asociacionit, Beogradi zyrtar më nuk do të ketë mundësi të sabotojë dhe të bllokojë zgjedhjet, teksa Kosova do të ketë një personalitet të saj të formuar ndërkombëtarisht dhe do të ecë përpara drejt integrimeve të saj evropiane.

    Sa i përket takimit të liderëve më 2 maj në Bruksel, Joseph ka thënë se me deklarimet e fundit Vuçiq i ka humbur nervat dhe presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti duhet t’i ruajnë nervat dhe të jenë konstruktiv para faktorit ndërkombëtar.

  • Përmbysja e varkave, rreth 70 trupa u nxorën nga Mesdheu dhe 1200 emigrantë u shpëtuan

    Përmbysja e varkave, rreth 70 trupa u nxorën nga Mesdheu dhe 1200 emigrantë u shpëtuan

    Të paktën 70 trupa janë nxjerrë nga deti dhe 1200 njerëz janë shpëtuar pasi dhjetëra varka të mbushura u përpoqën të kalonin Mesdheun.

    “Shumë të tjerë mbeten të zhdukur pas një morie përpjekjesh për të arritur në Evropë nga Tunizia”, shkruan Skynews.

    Zyrtarët thonë se morgut po i mbaron hapësira pasi numri i të vdekurve nga kalimet vazhdon të rritet.

    Rreth 1200 njerëz përfunduan në një ishull të vogël italian pasi ekipet e rojes bregdetare iu përgjigjën 35 anijeve që ishin nisur nga Afrika e Veriut, të mbushura me njerëz që rrezikonin gjithçka për të arritur në Evropë.

    Tre prej anijeve u futën në vështirësi, me 23 persona të zhdukur dhe rreth 20 varka të tjera mbetën në det mbrëmjen e së hënës, thanë ekipet e shpëtimit italian.

    “Morget në spitalet Sfax po vuajnë nga presioni i madh për shkak të numrit të madh të kufomave të emigrantëve. Është një kërcënim për shëndetin publik,” tha Faouzi Masmoudi.

    “Trupat e të paktën 70 personave nga Afrika që vdiqën duke tentuar kalimin e rrezikshëm janë gjetur që nga e premtja”, tha ai.

    Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme italiane, deri të hënën në mëngjes më shumë se 36 mijë e 600 njerëz kishin mbërritur në Itali që nga fillimi i vitit – më shumë se katërfishi i numrit për të njëjtën periudhë në secilin nga dy vitet e mëparshme.

    Italia refuzon shumicën e ofertave të tyre për azil, sepse thotë se ata po ikin nga varfëria, jo nga lufta apo persekutimi.

  • Sot Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

    Sot Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

    Sot në të gjithë botën shënohet Dita e Pronësisë Intelektuale, me aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e kësaj pronësie. Ndërsa, institucionet e Kosovës nuk kanë paralajmëruar ndonjë organizim për nder të kësaj dite.

    Pronësia intelektuale që përfshinë pronësinë industriale dhe të drejtat e autorit, në Kosovë është e garantuar me ligj.

    Ndërsa, që nga viti 2000 më 26 prill të çdo viti të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kremtojnë Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila organizohet nën juridiksionin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI).

    Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), në shënim të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale përzgjedh një slogan për të frymëzuar komunitetin global të krijuesve, mbrojtësve të pasurisë intelektuale, por edhe për të evidentuar një aspekt të sistemit unik të bashkëpunimit ndërplanetar, sigurimit të vijimësisë së krijimtarisë. /KosovaPress/

  • Ministri Krasniqi nis vizitën në ShBA

    Ministri Krasniqi nis vizitën në ShBA

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u pritur në takim nga Këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit Amerikan, Paul Pfeiffer. Gjatë këtij takimi Krasniqi dhe Pfeiffer kanë diskutuar për qeverisjen lokale, zhvillimin ekonomik lokal, rezultatet dhe sfidat në transformimin dhe digjitalizimin lokal.

    Në veçanti kanë diskutuar për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në pjesën veriore të cilat u mbajtën, sipas ministrit Krasniqi, konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës si dhe për procesin e konstituimit të organeve të reja komunale.

    Ministri Krasniqi ka falënderuar këshilltarin Pfeiffer për mbështetjen e ofruar në rrugën drejt Open Government Partnership (OGP) si dhe për planet e përbashkëta për implementimin e Planit Kombëtar të Veprimit për OGP.

    Gjatë kësaj dite pune, ministri Krasniqi ka takuar edhe Janine Garcia, këshilltare e lartë në Byronë për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, për të diskutuar çështjet me interes të përbashkët.

    Ministri Krasniqi, ditëve në vijim gjatë qëndrimit në ShBA do të realizoj një numër të takimeve me personalitete dhe intelektual në Amerikë.

  • “Humba punën dhe gruan e kisha sëmurë”, shqiptari kapet në “shtëpi bari”, dëbohet në atdhe

    “Humba punën dhe gruan e kisha sëmurë”, shqiptari kapet në “shtëpi bari”, dëbohet në atdhe

    Arben Cerpja 43-vjeç do të depërtohet në Shqipëri pasi u kap duke kultivuar kanabis në Britani.

    Mediat e huaja shkruajnë se 43-vjeçari kishte shkuar në Britaninë e Madhepër të punuar në ndërtim, pasi në vendin e tij kishte humbur punën.

    Gjithashtu ai ka treguar se i duheshin para pasi kishte bashkëshorten të sëmurë me kancer.

    Duke qenë se nuk arriti të gjente punë, ai u përfshi në trafikun e lëndëve narkotike. Gjatë një operacioni kundër trafikut të drogës u zbulua edhe ‘shtëpia e barit’ ku punonte shqiptari.