ATV

Category: Lajme

  • Gruaja akuzon mjekët për humbjen e foshnjave: Prokuroria nis hetimet, në Gjinekologji thonë se ka qenë abort

    Gruaja akuzon mjekët për humbjen e foshnjave: Prokuroria nis hetimet, në Gjinekologji thonë se ka qenë abort

    Një grua shtatzënë ka raportuar se si shkak i neglizhencës së mjekëve i ka humbur dy foshnjat e saj.

    Gruaja ka qenë shtatzënë në javën e 21-të.

    E lidhur me rastin prokuroria ka nisur hetimet. Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës tha për Klankosova.tv se Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për t’iu bërë autopsia dy foshnjave të pajeta.

    Ulaj tha se është inicuar rast “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

    “Prokuroria në koordinim me institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë rast”, tha Ulaj.

    Për rastin në fjalë është deklaruar edhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

    Ndrejaj e ka mohur për Klankosova.tv se rasti ka ndodhur brenda klinikës që drejton.

    “Në fakt, rasti ka ndodhur të shtunën. Nuk ka ndodhur brenda Klinikës së Gjinekologjisë, ka ndodhur jashtë saj. Kjo ka qenë abort, kjo ka qenë shtatzënë në javën e 21-të dhe ne deri në javën e 28-të e konsiderojmë abort”, tha Ndejaj.

    “Ajo ka ardhur në klinikë e ka kryer lindjen. Foshnjat kanë qenë të vdekura”, theksoi ai.

  • Kurti në 24 vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të shlyhen

    Kurti në 24 vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të shlyhen

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës në fshatin Studime të Vushtrrisë.

    Kurti në një postim në Facebook ka thënë se forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë, si dhe ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna.

    “Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisë dhe dëbuan me dhunë banorët. I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё. Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç. Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë”.

    Ai tutje ka shkruar “se e kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë”.

    Kurti i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës.

    “Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!”, ka thënë Kurti.

  • Kurti vetë i nënti në Bruksel, kë e përzgjodhi për ballafaqimin me Serbinë?

    Kurti vetë i nënti në Bruksel, kë e përzgjodhi për ballafaqimin me Serbinë?

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për dy vjet qeverisje është marrë në mënyrë intensive me procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë, pavarësisht se gjatë fushatës zgjedhore deklaronte se negociatat me Serbinë s’do të jenë prioritet kryesor i tij. Në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje me Serbinë ai është “zhytur” me ekipin e tij që kësaj herë numëron 8 anëtarë. 

    Pas udhëtimit drejt Brukselit dhe pas telefonatës që ka zhvilluar gjatë ditës me krahun e djathtë të Sekretarit Blinken, Kurti është lajmëruar në orët e vona me një fotografi bashkë me ekipin e tij.

    Në përshkrimin e fotografisë, Kurti ka folur me kompetencë “rreth kompleksitetit dhe thjeshtësisë së përgatitjes për negociata”.

    “Arritëm në Bruksel dhe shpenzuam ditën për t’u përgatitur për takimin e nesërm. Të përgatitesh për negociata është njëkohësisht komplekse dhe e thjeshtë. Komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, ka shkruar kryeministri në Twitter.

  • Masakra në Studime, Osmani: Serbia ka kryet gjenocid në Kosovë, historia s’mund të rishkruhet

    Masakra në Studime, Osmani: Serbia ka kryet gjenocid në Kosovë, historia s’mund të rishkruhet

    Presidentja Vjosa Osmani, tha se masakra e Studimes tregon se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

    Në akademinë përkujtimore për masakrën e 2 Majit në fshatin Studime të Vushtrrisë, Osmani ka thënë se historia nuk mund të rishkruhet.

    Ajo madje tha se institucionet do t’u gjenden pranë të gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre nga regjimi serb.

    “Jemi këtu që të përkujtojmë 116 martirë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e nëna shtatzëna. Jam gjithashtu për t’u thënë se dhimbja që keni përkujtuar atë ditë, është dhimbje e gjithmbarshme”.

    “Masakra ishte organizuar nga regjimi serb. Sot duhet t’i përkujtojmë dhunën dhe masakrën e përjetuar dhe t’i gjendemi afër të gjithë atyre që humben të afërmit e tyre”.

    “Kujtesa historike do të jetë në historinë tonë. Kjo që ka ndodhur këtu është argument se historia nuk mund të rishkruhet. Njerëz tanë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Sot si asnjëherë duhet ta themi qartë se Serbia ka kryer gjenocid, dhe paqja do të jetë e mundur vetëm kur kryerësit të dalin para drejtësisë”.

    Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për t`u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë.

    Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.

  • Azili në Gjermani, ja çfarë po tenton të ndryshojë ky shtet

    Azili në Gjermani, ja çfarë po tenton të ndryshojë ky shtet

    Gjermania tani po mendon për shqyrtimin e të drejtës për azil jashtë BE-së. Si do të realizohet kjo?

    Ideja nuk është e re: të shqyrtohet e drejta e azilit para ardhjes së azilkërkuesve në territorin e Bashkimit Evropian dhe kështu të përcaktohet nëse ata kanë të drejtë për azil politik apo jo. Varësisht nga rezultati i kontrollit, kandidatët do të lejohen në territorin e BE-së, e ata që nuk kanë të drejtë do të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Kjo është diskutuar për një kohë të gjatë në Danimarkë, tani këtë procedurë po e përgatit edhe Britania e Madhe.

    Shqyrtimi i të drejtës për azil para hyrjes në BE

    Duke marrë parasysh rritjen drastike të numrit të azilkërkuesve në Gjermani (pothuajse 90.000 vetëm në tre muajt e parë të këtij viti) dhe situatën e krizës në qytetet që nuk kanë më ku të strehojnë emigrantët dhe kanë mungesë fondesh, ideja për të kryer një procedurë të verifikimit të të drejtave për azil para hyrjes në BE, tani është shfaqur edhe në Gjermani. Kështu, shumica e atyre që nuk kanë perspektivë për azil politik në Gjermani (qytetarë të Pakistanit, Tunizisë, Algjerisë etj.) do të ndaheshin edhe para se të mbërrinin në tokën e Bashkimit Evropian.

    Problemet e mëdha të Gjermanisë

    Gjermania, siç shkruan e përditshmja “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, po punon për të mundësuar këtë proces. “Aktualisht jemi duke shqyrtuar mundësinë e kontrollit të statusit të azilkërkuesve edhe në vendet e treta”, thotë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (Partia Socialdemokrate – SPD).

    Ajo tha se aktualisht ka “negociata intensive” për lidhjen e marrëveshjeve ndërshtetërore që do të lejonin këtë lloj procedure. E pyetur nëse beson se rritja e madhe e numrit të azilkërkuesve “kapërcen aftësitë e Gjermanisë”, Faeser shmangu një përgjigje dhe vuri në dukje samitin e krizës të qeverisë federale dhe përfaqësuesve të provincave dhe qyteteve federale më 10 maj.

    Rritja e popullaritetit të AfD

    Për shkak të rritjes së madhe të numrit të refugjatëve jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Siria, Afganistani, Turqia dhe vendet afrikane, qeveria federale gjermane është nën presion në rritje që nga fillimi i vitit. Përfaqësuesit e opozitës kristiandemokrate i kërkojnë ministres Faeser dhe qeverisë federale të vendosin kufijtë e sipërm të numrit të refugjatëve, gjë që ajo e refuzoi vazhdimisht.

    Qytetarët në të gjithë Gjermaninë po dalin sërish në rrugë, si në krizën e vitit 2015, dhe protestojnë kundër ndërtimit të ambienteve të reja të pritjes për refugjatët. Natën e së shtunësu dogj një kamp për refugjatët në landin e Hessenit.

    Kryeministri i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer (CDU), tha se nëse diçka nuk ndryshon në politikën ndaj refugjatëve, do të ketë një “përmbysje politike”, duke aluduar në rritjen e popullaritetit të Alternativës populiste të krahut të djathtë AfD, veçanërisht në pjesët lindore të Gjermanisë.

  • Një person në Ferizaj lëndohet aksidentalisht nga zjarri

    Një person në Ferizaj lëndohet aksidentalisht nga zjarri

    Një person është lënduar aksidentalisht nga zjarri të hënën në Ferizaj.

    Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

  • ​Maqedonia i bashkohet grupit për themelimin e Gjykatës për ndëshkimin e krimit në Ukrainë

    ​Maqedonia i bashkohet grupit për themelimin e Gjykatës për ndëshkimin e krimit në Ukrainë

    Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba, me të cilin kanë diskutuar për vendimin që Maqedonia e Veriut t’i bashkohet Grupit Themelues për themelimin e Gjykatës Speciale për ndëshkimin e krimit të agresionit kundër Ukrainës.

    Osmani ka shkruar në Facebook se konfirmimi i mbështetjes së Maqedonisë të vazhdueshme për Ukrainën në luftën për drejtësi, liri dhe vlera të përbashkëta demokratike.

  • Gjykata merr vendim për nipin që vrau axhën në Malishevë

    Gjykata merr vendim për nipin që vrau axhën në Malishevë

    Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në Malishevë mëngjesin e së premtes, ku nipi kishte vrarë axhën e tij.

    Lidhur me këtë rast gjatë ditës së sotme Gjykata Themelore në Gjakovë ka marrë vendim lidhur me dorasin.

    Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj nga ana e Gjykatës.

    ‘’Një muaj paraburgim ndaj të pandehurit B. B., për vepër penale të vrasjes së rëndë.Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit B. B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës. Sipas kërkesës, “me datën 28 prill 2023, në fshatin Kijevë të Malishevës, në oborrin e shtëpisë së të pandehurit, pas një mosmarrëveshje me agjen e tij tani të ndjerin S.B., e privon nga jeta duke e goditur me pistoletë disa herë, më pas e njofton policinë për vrasjen”. Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ”Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës’’ thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    Më tutje është bërë e ditur se Gjyqtari i procedurës paraprake Ilir Rashkaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rëndë.

    I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 28 prill 2023 dhe do të zgjasë deri më 27 maj 2023.

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

  • Qytetarët nuk presin rezultate nga takimi Kurti-Vuçiq, s’e duan Asociacionin

    Qytetarët nuk presin rezultate nga takimi Kurti-Vuçiq, s’e duan Asociacionin

    Qytetarët e Prishtinës nuk janë optimistë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje nga takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Madje sa përket dakordimit për të zhdukurit, qytetarët i thanë Ekonomia Online se nuk besojnë që Serbia do të bashkëpunoj në këtë fushë.

    Ata po ashtu kanë thënë se shpresojnë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos pranohet nga pala kosovare, pasi sipas tyre, serbet në Kosovë kanë të drejta më shumë se shqiptarët.

    Ferat Imeri, tha se asnjëherë nuk kanë pritur që Serbia do të bashkëpunoj dhe se nuk presin as tash.

    Sipas tij, ata gjithmonë kanë përdorur taktikën e mashtrimit, të gënjeshtrave dhe të tradhtisë, duke e bërë gjithmonë Kosovën fajtore.

    Ai tha se Asociacioni nuk duhet të pranohet assesi, pasi sipas tij, serbët e Kosovës kanë më shumë kompetenca në vende se sa vetë shqiptarët.

    “As një herë nuk kemi pritur mirë nga Serbi dhe as sot nuk presim mirë prej saj, shkurt e shqip. Çdo herë kanë përdorur taktiken e mashtrimit, të gënjeshtrave, dhe të tradhtisë, andaj edhe sot ka po të njëjtat metodat që do ti përdor Vuqiçi për të na lënë fajtor neve që jemi të pa fajshëm”.

    “Absolutisht ajo nuk mund të vije në shprehje ajo është një ri okupim sa herë na riokupuar e okupuar, kjo kishte me qenë edhe një herë edhe një mashtrim. Nuk duhet ta pranoj kurrsesi, po ku ka në botë kompetenca më të mëdha se sa i kanë serbët në Kosovë, në krejt rruzullin tokësor një pakicë që nuk është as në tre për qind e popullatës t’i ketë ato kompetenca më të mëdha se vetë populli shqiptar”, tha ai.

    Skender Bajrami, tha se nuk beson që shteti serb do të bashkëpunoj për personat e zhdukur, ai madje shpreson që Asociacioni të mospranohet.

    Ai tha se shpreson që t’i ndihmojë Zoti kryeministrit Kurti në këtë përballje me Serbinë, raporton EO.

    “Serbia nuk do të punojë për të zhdukurit, Serbia dihet që është vend gjenocidial, në Slloveni, Kroaci e Bosnje e Kosovë. Gjenocidi është ai që takohet me kryeministrin, ai ka qenë dora e sigurimit të Sheshelit. Nuk do të ketë bashkëpunim. Ishalla nuk pranohet se mu pranua, ky vendi dihet është i gjithë atyre që banojë këtu si shqiptarëve si serbëve”.

    “Ata e kanë humbur Kosovën një herë e përgjithmonë, Ishalla na ndihmon Zoti, ShBA e BE, se BE-ja luan me dy karta, po Ishalla i ndihmon Zoti kryeministrit”, tha ai për EO.

    Edhe një qytetarë tjetër tha se nuk pret asgjë nga ky takim, pasi sipas tij, qe 23 vjet janë duke pritur që të përfundohen këto çështje.

    “Krejt e di aty ku është puna, unë kam punuar në Trepçë si minator. Kemi mbajtur shpresë që po kryejnë punë, që 23 vite nuk kanë kryer punë hiq. Unë jam ftohur kogja fort”.

    “Për me përfunduar punë ne të partë ja kemi filluar minatorët, unë nuk pres kurrgjë shpresoj që të jashtit të na ndihmojnë se tjetër kush jo”, tha ai.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

    Në këtë takim temë qendrore pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Po ashtu vend të rëndësishëm do të ketë edhe tema e fatit të të pagjeturve.

  • Pjetër Shala sërish ndjek virutalisht gjykimin ndaj tij, seanca vazhdon të jetë private

    Pjetër Shala sërish ndjek virutalisht gjykimin ndaj tij, seanca vazhdon të jetë private

    Në Gjykatën Speciale në Hagë ka vazhduar gjykimi ndaj Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Edhe në këtë seancë, Shala ka marrë pjesë virtualisht pasi i njëjti po i shpreh në këtë formë pakënaqësitë e tij me seancat private të Speciales.

    Shala kishte deklaruar se të afërmit e tij dhe publiku nuk po arrin t’i dëgjojë pyetjet e mbrojtjes për dëshmitarët dhe ishte larguar nga seanca në formë demonstrative.

    Menjëherë më të filluar seanca, pas prezantimit të palëve, ajo është bërë private për vijim të mëtutjeshëm.