ATV

Category: Lajme

  • Mashtrimi me origjinën e produkteve, për 3 muaj gjobiten 30 biznese

    Mashtrimi me origjinën e produkteve, për 3 muaj gjobiten 30 biznese

    Mashtrimet nga disa pronarë të marketeve në vend me origjinën e produkteve i ka vënë në konfuzion qytetarët konsumatorë. Kjo duke u ndryshuar origjinën produkteve me flamuj nëpër rafte, dhe duke i vënë simbolet e Kosovës dhe Shqipërisë mbi produktet serbe.

    Qytetarët e shumtë e kanë vërejtur këtë mashtrim dhe kanë fotografuar produktet e maketeve si dëshmi faktike të mashtrimeve nga ana e tyre, kështu duke i shpërndarë në të gjitha rrjetet sociale sidomos në fushatën “Besa-Besë”. Fushatë kjo për bojkotimin e produkteve serbe.

    Nga Ministria e Industrisë, Ndërrmarresisë dhe Tregtisë, kanë thënë për KosovaPress se për këtë lloj shkelje, inspektorati i tregut gjatë periudhës janar-mars 2023 ka realizuar 119 inspektime dhe ka shqiptuar 30 gjoba ndaj bizneseve.

    Po ashtu sipas kësaj ministrie, gjatë vitit 2022, inspektorati ka realizuar 663 inspektime dhe ka shqiptuar 181 gjoba dhe 40 kërkesa për inicim të procedurës kundërvajtëse në gjykatat kompetente,

    “Vetëm inspektorët në sektorin e tregut ( i cili sektor është përgjegjës për inspektimin edhe të marketeve) , gjatë vitit 2022 ka realizuar 663 inspektime dhe janë shqiptuar 181 gjoba dhe 40 kërkesa për inicim të procedurës kundërvajtëse në gjykatat kompetente, kurse nga muaji janar-mars 2023 janë realizuar 119 inspektime dhe janë shqiptuar 30 gjoba”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.

    Për më tepër sipas MINT-it, Inspektorati i Tregut, çdo ditë pranon ankesa dhe njoftime të konsumatorëve, po ashtu edhe për mungesë apo ndërrim të etiketës së flamurit të shtetit të origjinës së produkteve.

    Për mashtrimet e origjinës së mallrave, masat ndëshkuese janë prej 1 mijë euro deri 10 mijë euro.

    “Inspektorati i Tregut çdo ditë pranon ankesa dhe njoftime të konsumatorëve, ndër të tjera edhe për mungesë apo ndërrim të etiketës së flamurit të shtetit të origjinës së produkteve. Vendosja e etiketës, që tregon flamurin e shtetit të origjinës së produktit është obligim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ka për qëllim të njoftohet konsumatori në mënyrë sa më të qartë dhe të lehtë lidhur me origjinën e produkteve që blen apo konsumon. Inspektorati i Tregut, në çdo rast kur konstaton se etiketa e flamurit e shtetit të origjinës së produktit nuk është vendosur sipas ligjit apo etiketa është ndërruar me flamurin e ndonjë shteti tjetër. Operatori ekonomik urdhërohet të veprojë sipas obligimit ligjor dhe ndaj të njëjtit shqiptohen masa ndëshkuese”, thuhet në përgjigje me shkrim.

    Pas fushatës kundër prodhimeve serbe, Burim Piraj nismëtar i grupit “Besa – Besë”, thekson se nuk ka rritje të deficitit tregtarë, por siç shton ai për shkak të rritjes së çmimeve po figurojnë statistikat e se ka import më të lartë nga Serbia.

    Ai ka akuzuar disa pronarë të bizneseve se nuk i vendosin flamuj fare rafteve ku janë të vendosura produktet për t’i shitur produktet serbe, të cilat edhe kanë në fund të afatit të skadencës.

    Deputeti nga radhët e PDK, Hisen Berisha tregon për një fenomen që po ndodhë në pejesë veriore të vendit.

    Berisha thekson për KosovaPress se në pjesën veriore të vendit disa punëtorë paguhen me nga 20 euro për ndërrimin e tiketave të pijeve serbe, sic thotë ai për t’iu vendosur tiketa me origjinë të Shqipërisë, me qëllim që të rikthehen sërish në shitje në tregun e Kosovës.

    Ai thekson se ndërrimi i origjinës dhe simboleve kombëtare është e turpshme.

    E ky i fundit tha se mungesa e patriotizmit është mos edukimi i vlerave nacionale.

    Ndërsa, qytetari Shpetim Kastrati thotë se mashtrimet nga marketet po ndodhin çdo herë.

    Ai thekson se sa herë që shkon në market ballafaqohet me ndërrime të flamujve nëpër produkte dhe po ashtu çmimi tek arka nuk rezultojnë të jenë njësoj sikur tek rafti.

    Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës(ASK), importet nga vendet e CEFTA-së, në muajin mars 2023, arritën në 92.5 milion euro, ose 18.2% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 0.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia me 5.8%, Shqipëria me 5.5%, dhe Maqedonia e Veriut me 5.0%.

    Vetëm në muajin mars të këtij viti, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 29 milionë e 286 mijë euro.

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.3% në muajin mars 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, përkatësisht në vlerë prej 426.8 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 405.3 milion Euro në vitin 2022. Ndërsa, eksporti mbulon importin me 16.1%./KP

  • ​ZRrE: Marrëveshja me “Elektro Sever” ka ngecur tek kontrata me KEDS-in

    ​ZRrE: Marrëveshja me “Elektro Sever” ka ngecur tek kontrata me KEDS-in

    Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu bëri të ditur se kanë përfunduar të gjitha obligimet sa i përket marrëveshjes me “Elektro Severi” në veri të vendit, por shtoi se procesi ka ngecur te pika që ka të bëjë me nënshkrimin e kontratës komerciale me KEDS-in.

    Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Fejzullahu ka folur edhe për importin e energjisë elektrike, ku tha se për vitin 2022 çmimi mesatar i importit të rrymës ka qenë mbi 268 euro më i lartë se në vitin 2021.

    Anëtari i Komisionit, Driton Hyseni ka kërkuar sqarim nga drejtues të ZRrE-së për rastet e ndërprerjeve të energjisë elektrike, ku me ç’rast tha nuk ka pasur masa ndëshkimore ndaj KEDS-KESCO.

    “Periudha nëntor, vjetor në vend kemi mbi 23 mijë raste të ndërprerjes të energjisë elektrike, një pjesë janë të planifikuar e një tjetër jo. Si ZRrE pas evidentimit të këtyre rasteve ju nuk keni ndërmarrë ndonjë veprim ndëshkimor ndaj operatorit. Sa operator pas monitorimit tuaj kanë arrit ta përmirësojnë gjendjen në terren, nëse vazhdohet me këtë ritëm dhe a konsideroni ta merrni ndonjë rast për ndëshkim”, ka thënë Hysnei.

    Për këtë Fejzullahu tha se shumica e ndërprerjeve të energjisë elektrike tash e tutje ndodhen për shkak të rregullimeve që bëhen në rrjet nga investimet.

    Ndërsa, sa i përket reduktimeve që kanë ndodhur në mënyrë indirekte, ai tha se ka pasur penalizmi ndaj KEDS-it dhe KESCO-s.

    Gjatë këtij raportimi në Komisiion, Fejzullahu ka folur edhe për rritjen e çmimit të rrymës mbi 15 për qind nga 1 prilli për të gjitha kategoritë e konsumatorëve në vend.

  • Mehaj takon ambasadorin Berishaj në Kroaci, e falënderon për angazhimin diplomatik

    Mehaj takon ambasadorin Berishaj në Kroaci, e falënderon për angazhimin diplomatik

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Kroaci.

    Mehaj ka njoftuar se ka vizituar Ambasadën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë në Kroaci, ku është takuar edhe me ambasadorët Martin Berishaj dhe Riza Podën.

    “Me rastin e qëndrimit për vizitë zyrtare në Kroaci, vizitova dhe ambasadën e Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë, me ç’rast takova dhe ambasadorët Martin Berishaj e Riza Poda, të cilët më njoftuan për angazhimet e ambasadës, bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy shteteve, dhe shtetin partner Kroacinë, si aleat i besueshëm në fushën ushtarake dhe në mbrojtjen e vlerave demokratike”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

    Mehaj tha se i ka falënderuar ambasadorët për angazhimin e tyre diplomatik në shërbim të interesave të kombit, të ruajtjes së paqes dhe të sigurisë së përgjithshme.

  • Konjufca: Serbia e kishte qëllim shfarosjen – krimineli që s’pendohet, është i gatshëm ta përsërisë krimin

    Konjufca: Serbia e kishte qëllim shfarosjen – krimineli që s’pendohet, është i gatshëm ta përsërisë krimin

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Serbia kishte për qëllim që ta shfaros popullin shqiptarë, raporton EO.

    Në akademinë përkujtimore për masakrën e 2 Majit në fshatin Studime të Vushtrrisë, Konjufca tha se kjo ishte një nga masakrat më të më mëdha.

    Sipas tij, Serbia ende po vazhdon që ta mbajë të fshehtë fatin e të pagjeturve, duke shtuar se krimineli që nuk pendohet, është i gatshëm ta përsëris krimin.

    “Kjo ishte një nga masakrat më të mëdha në Kosovë dhe me këso masakra ishin mbushur Kosova në vitin 98-99. Kur të shihet se shumica nga të vrarit kanë qenë civilë të pambrojtur, duke përfshirë fëmijë e gra, tregon qëllimin e vërtetë të Serbisë”.

    “Ishte qëllimi me ma zhduk e me na shfaros, vetëm pse jemi shqiptarë. Me na çrrënjos nga toka kur Serbia të gjitha këto krime i ka organizuar dhe plagët tona ende janë të hapura, sepse dhimbja për vrasjen e më të dashurve tanë, nuk kalon kurrë. Mijëra të afërm nuk i dimë ku janë, por secili prej nesh e dimë se ata janë në Serbi, dhe Serbia jo vetëm që nuk tregon por po i fsheh. Krimineli që nuk pendohet, ai është i gatshëm ta përsëris atë”, tha Konjufca.

  • Osmani tregon nëse do t’i vizitojë krerët e UÇK-së në Hagë: Drejtësia sërish do të triumfojë

    Osmani tregon nëse do t’i vizitojë krerët e UÇK-së në Hagë: Drejtësia sërish do të triumfojë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka treguar nëse e ka në planë t’i vizitojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    E para e shtetit, tha se veprimet institucionale do të jetë të mirëmenduara, në mënyrë që mos të interpretohej si ndërhyrje në këtë proces.

    Ajo është e bindur se drejtësi në këtë rast do të triumfojë, duke shtuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

    Osmani sqaroi se do të bëjnë gjithçka që është në kompetenca të institucioneve dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me avokatët e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Ne besojmë që drejtësia sërish do të triumfojë, ashtu siç ka triumfuar edhe më parë në të gjitha instancat tjera të drejtësisë dhe besojmë se vendimi final do ta ridëshmojë për të satën herë më radhë që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, ka qenë luftë për t’i mbrojtur civilët të cilët po sulmoheshin barbarisht nga forcat gjenocidale e Serbisë”.

    “Ne bëjmë gjithçka që është në duart tona që t’i mbështesim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi në kontakt të vazhdueshëm përbrenda institucioneve edhe me avokatët e tyre, në mënyrë që çdo hap i yni të jetë hap që i ndihmon drejtësisë dhe jo hap që mund të keqpërdorej dhe të interpretohej si ndërhyrje që do t’i dëmtonte krerët e UÇK-së përgjatë këtij procesi”, tha Osmani.

  • Megjani tregon sa e ka pagën një inspektor i punës në Kosovë

    Megjani tregon sa e ka pagën një inspektor i punës në Kosovë

    Avokati i njohur, i cili më parë ishte edhe inspektor i punës, Ardian Megjani, në emisionin A23 në ATV, tregoi se paga e një inspektori të punës mund të jetë rreth 800-900 euro.

    Ai thotë se në të kaluarën ishte edhe më e ulët, por me ligjin e ri të pagave ka një ndryshim.

    “Paga ka pësuar ndryshime tashmë me Ligjin ri. Pak a shumë më dukët se është diku rreth 800-900 euro. Nuk kam ndonjë informatë, mirëpo është në diskutim edhe vlerësimi i rrezikshmërisë në vendin e punës në të cilin hasim”, tregoi Megjani. /atvlive.tv

    Edicionin e plotë të A23 e gjeni nëvideon më poshtë:

  • ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Seanca me kundërpyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka vijuar në pjesë të madhe e mbyllur për publikun. Trupi gjykues ka kërkuar sqarime nga dëshmitari i mbrojtur në lidhje me ndërtesën me numër 1, në afërsi të shtabit të logjistikës në Kukës. Ai ka thënë se nuk ka parë persona me duar të lidhura, ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues ka kujtuar deklaratën e tij të dhënë për prokurorinë. Pjetër Shala e ka ndjekur seancën përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit. Pas pauzës, seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë.

    Avokatja e Pjetër Shalës ka pyetur dëshmitarin se kush ishte përgjegjës për magazinën në fabrikën e metaleve në Kukës, që ai ka përmendur dje gjatë dëshmisë së tij.

    Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Veldt-Foglia: Ju përmendet një ndërtesë me numrin 1, si një lloj burgu, a mund të na shpjegoni se si personat që mbërrinin aty në këtë shtabin e Kukësit që i qonin tek kjo ndërtesa me numrin 1, si mbërrinin aty, si arrinin aty, si vinin?

    Dëshmitari: Ata komandantët e mëdhenj i mblidhnin dhe i binin.

    Gjykatësja: Si vinin aty, në ç‘mënyrë? Me çfarë mjeti vinin?

    Dëshmitari: Komandantët e mëdhenj nëpër kampe i mblidhnin që ishin të dyshuar.

    Gjykatësja: Po vinin duke ecur në këmbë apo me ndonjë kerr, apo si vinin në çfarë mënyre, me çfarë mjetesh?

    Dëshmitari: Po me kerr, më duket nëpër kampe i mblidhnin edhe disa që vijshin si mobizilim i ushtrisë edhe ata i merrnin në pyetje.

    Gjykatësja: Ata njerëzit, personat, që i sillnin aty dhe i vendosnin tek ndërtesa numër 1, nga i dije ti, nga e kuptoje ti që ishin të dyshuar, siç na the dje, nga e mësove ti këtë?

    Dëshmitari: Kur i merrshin në pyetje disa i lëshojshin u mobilizojshin aty në ushtri”,është përgjigjur dëshmitari i mbrojtur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues.

    Në pyetjet e gjykatëses për personat që merreshin në pyetje si të dyshuar për bashkëpunëtorë me Serbinë, dëshmitari që mban numrin 10 tha se nuk i kishin duart e lidhura.

    Gjykatësja: Kur vinin aty tek shtabi, a ishe ti në gjendje për t’i dalluar, a e dije ti që ishin të dyshuar?

    Dëshmitari: Jo, jo, jo. Aty vijshin ata mobilizimin për ta bërë, atëherë këta komandantët e mëdhenj që dyshonin i qitshin në këtë ndërtesën numër 1, në dhoma, si të dyshuar.

    Gjykatësja: Ata njerëzit që merreshin nëpër kampe, siç the dhe i sillnin aty nga komandantët e mëdhenj me kerre, këta persona kur vinin aty i kishin duart e lidhura?

    Dëshmitari: Unë nuk i kam parë me duart e lidhura”, është përgjigjur ai në pyetjet e gjykatëses.

    Derisa i është kujtuar deklarata që ka dhënë, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar. Dhe prapë në seancë publike, dëshmitari i mbrojtur është pyetur se si vinin personat të cilët dyshoheshin se ishin bashkëpunëtor të Serbisë.

    Gjykatësja: Këta njerëzit që i sillnin aty, duart i kishin të lidhura?

    Dëshmitari: Zonja gjyqtare është mundësia që i kanë pasur, tash kam harruar se i binin aty në zyre, një herë i binin në zyre komandantët, tani i sjellshin në pavijonin numër 1. Me makinë e bijshin, por është mundësia që i kanë pasur duart (e lidhura), tash kam harruar unë.

    Gjykatësja: Në rregull, por këto fjalë ja ke thënë prokurorisë dhe tani po thua që mund t’i kesh harruar. Edhe kur ta lexojë unë, tani që po ta lexoj, a të kujtohet apo prapë se ke shumë të qartë?

    Dëshmitari: Prapë po them, ndoshta i kanë pasur… i qojshin në zyre komandantët. Nuk i zhdrypshin para portës aty ata që i vendosnin nëpër kampe. Ndoshta i kanë pasur duart lidhur se në makinë të vogël nuk i kam parë. Është edhe mundësia që i kam thënë prokurorisë”, ka thënë ai.

    Në pyetjet e gjykatëses për prejardhjen etnike të këtyre personave që i sillnin në “ndërtesën numër 1”, dëshmitari tha se ishin të të gjitha vendeve të Kosovës. Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues tha se ai kishte thënë se kishte edhe romë, për çka e ka konfirmuar edhe dëshmitari i mbrojtur.

    Gjykatësi Zhilbir Biti ka pasur disa pyetje për kushtet ku mbaheshin këta persona.

    “Si për personat në ndërtesën numër 1, si për ne, njëjtë ka qenë. Se ku hajshim ne bukë edhe ata hajshin. Ka një ditë kishe, nga një ditë nuk kishe”, ka thënë ai.

    Në dëshminë e tij të djeshme, dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ushtar i thjeshtë dhe kishte bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Prokuroria i ka shfaqur skicën, ku kishte përmendur edhe “ndërtesën 1”, që sipas tij, mbaheshin e merreshin në pyetje personat e dyshuar që kishin lidhje me Serbinë.

    Ky është dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti ka dëshmuar nën masa mbrojtëse duke mbajtur të fshehur identitetin.

    Seanca në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së, i cili mban numrin 11.

    Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Megjani: Inspektorët e punës janë të rrezikuar, ka pasur edhe atentate ndaj tyre

    Megjani: Inspektorët e punës janë të rrezikuar, ka pasur edhe atentate ndaj tyre

    Avokati i njohur, i cili më parë ishte edhe inspektor i punës, Ardian Megjani, në emisionin A23 në ATV, tha se inspektorët e punës në Kosovë janë të rrezikuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre zyrtare.

    Ai madje thotë se kërcënimet janë gjë e zakonshme, por ka pasur edhe atentat ndaj tyre.

    “Rreziku besoj se është për të gjitha inspektoratet në Kosovë, në veçanti edhe për inspektoratin e punës pasi që inspektimet janë të natyrës mjaft sensitive, psh. në shumicën e rasteve, inspektorët e punës shoqërohen edhe nga Policia e Kosovës dhe përderisa pjesëtarët e policisë në shumicën e rasteve janë të paidentifikuar, një inspektor i punës duhet të tregojë një ID, të prezantohet dhe më pas të bëjë inspektimin. Ka pasur raste në të kaluarën kur ndaj inspektorëve të punës ka pasur edhe atentate të ndryshme, kërcënime e të gjitha këto”, tha Megjani. /atvlive.tv

    Edicionin e plotë të A23 e gjeni nëvideon më poshtë:

  • Megjani: Janë më pas se një inspektor i punës për Komunë, Qeveria urgjentisht duhet të rrisë numrin e tyre

    Megjani: Janë më pas se një inspektor i punës për Komunë, Qeveria urgjentisht duhet të rrisë numrin e tyre

    Avokati i njohur, i cili më parë ishte edhe inspektor i punës, Ardian Megjani, në emisionin A23 në ATV, tha se Kosova nuk i plotëson as për së afërmi nevojat për inspektorë të punës.

    Ai tha aktualisht nuk Kosova nuk ka mesatarisht as një inspektorë për Komunë, gjë që sipas tij, kjo ndikon drejtpërdrejt në mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve në vend.

    “Në situatën tani kur jemi, besoj që numri është jashtëzakonisht i vogël i inspektorëve të punës. Nuk janë as një për komunë, ndërsa inspektorati i punës në këtë rast është organi i vetëm administrativ në Republikën e Kosovës, cili bënë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit nga marrëdhënia e punës dhe sigurisë në punë, kompetenca e saj është mjaft e madhe t’u hy në çdo kohë në selinë e punëdhënësit, të hartojë procesverbale, raporte zyrtare dhe të shqiptojë gjoba në rast se gjen shkelje të të drejtave të punëtorëve. Se a mund të ndryshojë në të mirë respektimi i këtyre të drejtave, një shtysë e madhe do të ishte edhe rritja e numrit të inspektorëve, padyshim që vetvetiu do të krijonte ende më shumë respektim të drejtave të të punësuarve. Me një numër kaq të vogël ë inspektorëve dhe një numër kaq të lartë të ankesave, normalisht se mbetet një problem shumë i madh”, tha Megjani.

    Ai bëri edhe thirrje për Qeverinë e Kosovës që me urgjencë të krijojë mekanizmat e duhur dhe të shtyjë përpara procesin për sa më shumë inspektorë të cilët janë mjaft të nevojshëm dhe të domosdoshëm për realitetin shoqëror në të cilën po jetojmë. /atvlive.tv

    Edicionin e plotë të A23 e gjeni nëvideon më poshtë:

  • Idrizi kërkon drejtësi për masakrën e Studimes: 24 vjet pas luftës, familjarët nuk janë të qetë

    Idrizi kërkon drejtësi për masakrën e Studimes: 24 vjet pas luftës, familjarët nuk janë të qetë

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, e ka quajtur ditë të rëndë për Kosovën, 2 Majin, pasi 24 vjet më parë në fshatin Studime u vranë e u masakruan 116 civilë të pafajshëm, raporton Ekonomia Online.

    I pari i Vushtrrisë, tha se 24 vjet pas luftës, drejtësia për këto familje ende nuk ka ardhur.

    Ai ka folu me këtë rast edhe për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e quajtur këtë proces padrejtësi.

    “Sot është një ditë shumë e rëndë për familjet e martirëve për qytetarët e Vushtrrisë, sepse prilli, maji e qershori kemi përkujtime të përditshme të atyre që derdhen gjakun për të sjellë Pavarësinë e Kosovës. 116 civilë të pafajshëm, u vranë e u masakruan”, tha Idrizi.

    “Në Vushtrri e kemi 2 majin masakrën e Studimes, 26 maji masakrën e Vushtrrisë, e kështu më radhë dhe gjitha këto vuajtje janë gurthemeli i lirisë e pavarësisë së Kosovës. 24 vjet pas luftës, ne kur kujtojmë masakra të tmerrshme, drejtësia ende nuk ka ardhur dhe gjitha këto familje do të lehtësoheshin kur kryerësit e këtyre masakrave do të dilnin para drejtësisë”, tha ai, teksa përmendi edhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    “Sot i kemi duke u përballur me padrejtësi, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin  etj”, tha Idrizi.