ATV

Category: Lajme

  • ​24 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë

    ​24 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë

    Janë bërë 24 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

    Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.

    Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

    Familjarë dhe qytetarë të tjerë kujtojnë çdo vit këto viktima, e ashtu do të ndodhë edhe këtë vit.

  • Duda: Një nga prioritetet për Poloninë është zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor

    Duda: Një nga prioritetet për Poloninë është zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor

    Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda tha me rastin e 19-vjetorit të hyrjes së Polonisë në Bashkimin Evropian, se një nga katër prioritetet për Poloninë është zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës.

    “Ne jemi avokatë të një politike të dyerve të hapura. Prandaj shikoj vendet e Ballkanit Perëndimor. Dua të theksoj se këto janë vende, janë popuj, janë shoqëri që presin prej vitesh të bëhen pjesë e BE-së. Kjo duhet të arrihet më në fund”, tha presidenti polak në Varshavë, në një fjalim të posaçëm për mediat me rastin e përvjetorit.

    Duda, në një fjalim të përbashkët me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki, tha se Polonia e di shumë mirë se si është të presësh me vite për të hyrë në botën e lirë perëndimore, transmeton Paparaci.

    “Prandaj besoj se jo të tjerët, por ne Polonia duhet të flasim fuqishëm dhe me zë të lartë – ata duhet të pranohen në Bashkimin Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranohen. Dhe sot kërkesa historike, kërkesa absolute e momentit është pranimi i Ukrainës dhe Moldavisë në BE”, tha Duda.

    Presidenti polak deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia do të fitojnë anëtarësimin e plotë si i dyti nga katër prioritetet kryesore të presidencës gjysmë-vjeçare polake të BE-së nga fillimi i vitit 2025.

  • Gashi: Mbi 65% e shërbyesve civilë janë dëmtuar me ligjin e pagave

    Gashi: Mbi 65% e shërbyesve civilë janë dëmtuar me ligjin e pagave

    Kryetar i Këshillit Drejtues të Bashkësisë së Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Ali Gashi, ka bërë të ditur që mbi 65 për qind e punëtorëve janë ndarë të pakënaqur me Ligjin e Pagave.

    “Ne si rezultat i grevës që erdhi si rezultat I të gjitha padrjetësive, gjendjes së rënduar ekonomike, gjendjes së papërmirësuar të pozitës së punëtorëve ndodhi që të kemi grevë”, ka thënë Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës, transmeton Paparaci.

    “Si kërkesë parciale që ishte te greva ishte hartimi dhe miratimi i Ligjit të Pagave dhe unë sot e them rrjedhimisht se pse është miratuar Ligji i Pagave. Tani që kemi filluar me zbatimin me saj ka jashtëzakonisht shumë telashe”.

    “Unë po e them vetëm një informatë që shumica absolute e shërbyesve civilë, pothuajse mbi 65 për qind e shërbyesve civilë janë klasifikuar në profesional 3 e që i bie paga të jetë 400 euro. Ky ligj gjatë zbatimit është vërejtur që është, ashtu siç kemi thënë ne sindikatat, i patrajtuar njëjtë, joprofesional, prandaj kemi thënë që mungesa e ekspertëve të sindikatave, të gjitha federatave sindikale në komisione gjatë hartimit të këtij ligji ka derivuar që ta kemi një ligj i cili tani gjatë zbatimit ka shumë turbulenca dhe rrjedhimisht së fundmi vetëm do t’i nënshtrohet ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese, e që ne jemi të bindur që të gjeturat tona do të kihen parasysh”.

  • Analistët serbë: Serbia me qasje zhgënjyese ndaj Kosovës

    Analistët serbë: Serbia me qasje zhgënjyese ndaj Kosovës

    Analistët në Beograd e vlerësojnë të rëndësishëm takimin e 2 majit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Derisa thonë se temë diskutimi do të jetë Asociacioni, analistët serbë vlerësojnë se Serbia ka qasje zhgënjyese ndaj Kosovës, duke përmendur edhe shkeljen e marrëveshjes së Ohrit.

    Takimi në nivelin më të lartë politik Kosovë-Serbi mund të jetë një pikë boshte, pas një periudhe tensionesh. Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Beograd.

    “Pas të gjitha këtyre ngjarje të javëve të fundit, do të ishte mirë që ai takim të përdorej për qetësimin e situatës, dhe mendoj se një gjë të tillë do ta bëjnë ndërmjetësuesit”, thotë diplomati Sreqko Gjukiq.

    “Tema është formimi i Asociacionin, qoftë me atë emër apo me një emër tjetër, por tema është shumë e rëndësishme, dhe mund të jetë një pikë me rëndësi të veçantë për rrjedhën e ardhshme të realizimit të marrëveshjes së Ohrit”.

    Në prag të takimit të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti më 2 maj në Bruksel, Beogradi zyrtar pret marrëveshje konkrete për Asociacionin. Mirëpo, një pjesë e opinionit mendon se marrëveshja e Ohrit po përjeton momentet kritike, dhe përgjegjësia e veçantë i takon Beogradit.

    “Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është zhgënjyes. Kemi një situatë ku Serbia e ka shkelur marrëveshjen në pikën 4 me votën kundër Kosovës në Këshillin e Evropës”, thotë Zlatoje Martinov, publicist dhe gazetar. “Prandaj, për këtë unë jam skeptik dhe besoj se Serbia me Vuçiqin nuk është e gatshme ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më 2 maj në Bruksel”.

    Ndërsa ka shumë të panjohura lidhur me Asociacionin, ka pritje që të ketë progres dhe hapa konkretë në lidhje me çështjen e personave të zhdukur, pasi teksti i deklaratës për personat e zhdukur është dakorduar më parë, dhe pritet të miratohet në nivelin politik.

  • “Policia e Serbisë dhe BIA, ndaluan 2 policë të Kosovës”, Presidenca akuzon Serbinë për veprime ilegale

    “Policia e Serbisë dhe BIA, ndaluan 2 policë të Kosovës”, Presidenca akuzon Serbinë për veprime ilegale

    Shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka reaguar ndaj shtetit serb pas ndaljes dhe intervistimit të dy policëve kosovarë, të cilët po kalonin transit nëpër Serbi.

    Me anë të një postimi në Twitter, Vela këtë veprim e ka konsideruar dëshmi të veprimeve ilegale të Serbisë për ta penguar lirinë e lëvizjes.

    “Në javën e kaluar, Policia e Serbia dhe BIA, ndaluan dhe intervistuan 2 policë të Kosovës në kufi, të cilët po kalonin transit. Kjo është dëshmi e veprimeve ilegale të Serbisë për ta penguar lirinë e lëvizjes. Në vend që të bashkojë forcat me Kosovën për të luftuar krimin ndër-kufitar, Serbia bën të kundërtën”, ka shkruar Vela.

  • Chollet flet me Kurtin, zbatimi i menjëhershëm i Asociacionit temë diskutimi

    Chollet flet me Kurtin, zbatimi i menjëhershëm i Asociacionit temë diskutimi

    Këshilltari i Lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar në Twitter se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me takimin 2 majit në Bruksel.

    Chollet tha se temë diskutimi me kreun e ekzekutivit kosovar ishte ndër të tjera edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe partneriteti i fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.

    “Bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurtin për takimin e liderëve të 2 majit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”. – tha ai.

    Për bisdën telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, ka njoftuar edhe kryeministri Kurti i cili e cilësoi një bisedë të mirë.

    Më tej Kurti shtoi të ketë theksuar rëndësinë e zbatimit “në tërësi dhe në mirëbesim” të Marrëveshjës Themelore dhe Aneksit të saj.

    “Patëm një telefonatë të mirë me Chollet, ku diskutuam axhendën e takimit të nesërm. Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova gjithashtu për mbështetjen e SHBA-së.” – shkroi Kurti.

  • Kurti mblodhi mbrëmë vartësit e këshilltarët në Bruksel para takimit të sotëm me Vuçiqin

    Kurti mblodhi mbrëmë vartësit e këshilltarët në Bruksel para takimit të sotëm me Vuçiqin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tërë ditën e ka shpenzuar duke u përgatitur për takimin e 2 majit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin në Bruksel.

    Kurti thotë se përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë, por që sipas tij, dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike.

    “Mbërrita në Bruksel dhe kalova ditën duke u përgatitur për takimin. Përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë: komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, ka shkruar Kurti.

    Kurti dje tregoi se ka biseduar me këshilltarin e lartë amerikan Derek Chollet në lidhje me këtë takim dhe se i ka treguar se marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohet tërësisht.

    Ndërsa Chollet tha se pikë e bisedës me kryeministrin kosovar ishte themelimi i menjëhershëm i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Shahini: Mbi 50 mijë punëtorë në Kosovë ende marrin pagë 170 euro

    Shahini: Mbi 50 mijë punëtorë në Kosovë ende marrin pagë 170 euro

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, ishte mysafir në emisionin LIBERO në ATV.

    Ai në këtë emision tregoi se në Kosovë, janë mbi 50 mijë punëtorë që ende marrin pagën 170 euro.

    “Gjendja ekonomike në vend nuk është mirë. Nuk është mirë as gjendja e punëtorëve, sepse punëtorët janë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. Pa ata nuk mund të zhvillohet ndërmarrja, as sektori privat e as publik. Sektori privat është duke përmirësuar kushtet. Ne kemi bërë thirrje që të përmirësojmë edhe pagat. Por, nëse flasim ne për paga, janë mbi 50 mijë punëtorë që ende marrin pagë minimale me 170 euro”, tha Shahini. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë mund ta shikoni në videon e më poshtme:

  • Në ditën e punëtorëve, kujdesi parësor e QKUK ja “mbyllin” dyert për pacientët

    Në ditën e punëtorëve, kujdesi parësor e QKUK ja “mbyllin” dyert për pacientët

    Gani Berisha, i cili jeton në Bardhosh, thotë se përveç festave edhe në vikende ballafaqohen me këtë gjendje.

    “As festave nuk punohet, por është shumë e nevojshme, pasi edhe laboratori na vyen për analiza. Për analiza tash më duhet me shku në fshatin Besi për t’i kryer. Probleme kemi edhe në ndërrimin e natës, meqë numri i banorëve është i madh, festave dhe vikendeve gjithqysh duhet me punu”, tha Gani Berisha, banor i fshatit Bardhosh të Prishtinë.

    Situatë e njëjtë ishte edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Sakip Thaçi nga Rahoveci, i cili tash e disa ditë është i hospitalizuar në Emergjencë, thotë se është shqetësuese që në festa punon një numër i vogël punëtorëve shëndetësorë.

    “Duhet me punu, se i smuti nuk vet kur ka festë. I kanë lonë qaty do mjekë t’ri sot, që kurrëgjo s’po dinë”, tha Sakip Thaçi, pacient.

    Se duhet të punohet edhe për 1 Maj e thonë edhe familjarët e pacientëve.

    “Stafi mjekësor duhet me punu nonstop, pavarësisht nëse është 1 maj, se pacientët nuk e dinë kur sëmuren. Sëmundja nuk e di kur ka festë. Të ëmën që dy ditë e kam pru, hala asnjë fotografim nuk ia kanë bërë, megjithëse ka pasur sulm në zemër. Duhet me punu se vetë janë betu para hipokratit që kanë me punu nonstop”, tha Vlora Veseli, familjare.

    Derisa thotë se 1 Maji duhet të shihet si një ditë sensibilizimi, deputeti nga radhët e Partisë “Guxo”, Haxhi Avdyli, e sheh të nevojshëm rishikimin e ligjit për festat zyrtare.

    “1 maji, si festë e punëtorëve duhet të shikohet si një ditë e sensibilizimit të opinionit, punëdhënësve, punëmarrësve, për shkeljet që i bëhen punëtorëve në të drejtat e tyre. Në Kosovë kemi një ligj jo të duhur për festimin e festave, duhet t’i reduktojmë pushimet”, tha deputeti i partisë “Guxo”, Haxhi Avdyli.

    Sipas ligjit për shëndetësi, qasja në kujdes shëndetësor sigurohet gjatë 24 orëve pa ndërprerje, nëpërmjet punës në orar të rregullt, punës në ndërrime, kujdestarisë, si dhe punës në kuadër të shërbimit të urgjencës, në pajtim me orarin e përcaktuar nga institucioni shëndetësor. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • 1 Maji, punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre

    1 Maji, punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre

    Sakibe Hoti ka ardhur nga Gjakova për t’i shprehur pakënaqësitë me kushtet e punës, bashkë me qindra të punësuar të tjerë.

    Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve këta punëtorë të sektorit privat kanë zgjedhur të protestojnë.

    “Shumë vështirë, pagat janë minimale, sot kemi ardhur ekstra vetëm për t’i kërkuar të drejtat tona”, tha Sakibe Hoti, qytetare nga gjakova.

    “Faturat po vijnë, pagat shumë të vogla. Të drejtat e punëtorit nuk po respektohen aspak në asnjë aspekt”, tha Sadete Idrizi, qytetare.

    Përfaqësuesit e punëtorëve thonë se në Kosovë ka ende shumë qytetarë që për punën që bëjnë paguhen më pak se 200 euro. Me të ardhurat e ulëta, sipas sindikalistëve, vështirë të zhvillohet jeta.

    “Ju drejtohem me çështje urgjente për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficioneve në lartësi të pagës minimale në Kosovë. Ky projektligj ka ngecur që nga qershori i vitit 2022, që nënkupton se ka tejkaluar afatin procedural ku duhej të hidhej në votimin e dytë”, tha kryetarja e një sindikate të punëtorëve, Hafije Statovci.

    Kryetari i sindikatës së pavarur të sektorit privat, Jusuf Azemi, fajëson udhëheqësit e qeverisë, të cilët, sipas tij, kanë hedhur poshtë të gjitha premtimet e bëra për punëtorët e sektorit privat.

    “Fatkeqësisht Kosova është e para në rajon me vdekjen e punëtorëve të sektorit privat dhe ne si sindikatë shpeshherë kemi telashe edhe ta kryejmë ceremoninë e varrimit, përderisa kemi kërkuar nga shteti ta kemi një fond, po nuk e bën. Nuk do t’ju lusim më, qeveri për të mirat që ju kemi dhënë juve sipas të gjitha gjasave tani do t’i fitojë dikush tjetër. Momenti i fundit që keni humbë ju edhe ne, shpëtoni atë që mundet, ndryshe realiteti është realitet, vitin 2021/22 na kanë ikur nga Kosova mbi 100 mijë kësi punëtore që kemi përballë… 21:22 Qeveri, punën që e ke bërë gjatë periudhës që ke ardhur, në raport me punëtorët e sektorit privat është e barabartë me zero, kthjelluni sa nuk është bërë vonë”, tha kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi.

    Ai bashkë me punëtorët e tjerë kërkuan që paga minimale të jetë 450 euro, të nënshkruhet kontrata kolektive dhe të ketë trajtim të barabartë të punëtorëve të sektorit privat me ata në sektorin publik.

    Përveç kësaj, Azemi ka kërkuar të krijohet një fond për punëtorët që humbin jetën dhe ata që lëndohen në vendin e punës. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: