ATV

Category: Lajme

  • Çollakaj: Qytetarët serb të veriut dëshirojnë të jetojnë me rregullat e Republikës së Kosovës, por kanë frikë nga grupet kriminale

    Çollakaj: Qytetarët serb të veriut dëshirojnë të jetojnë me rregullat e Republikës së Kosovës, por kanë frikë nga grupet kriminale

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se pjesa dërmuese e qytetarëve serb në veri të vendit kanë dëshirë të jetojnë me rregullat e Republikës së Kosovës, por sipas tij, ata nuk e bëjnë këtë për shkaka të frikës nga grupet kriminale serbe.

    “Pjesa dërmuese e qytetarëve të rëndomtë serb në veri të vendit, që nuk janë të punësuar në strukturat paralele të Serbisë, në deklarimet e tyre shfaqin ndoshta edhe nostalgji e një frymë të një bashkëjetese, mirëpo nuk guxojnë sepse janë të vetëdijshëm që tani është kohë tjetër dhe dhuna e intensifikuar nga bandat kriminale dhe strukturat paralele është më së evidente”, tha Çollakaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Çollakaj: Veriu ka qenë vazhdimisht gjenerator i pasigurisë, vështirë të implementohet rezultati i zgjedhjeve

    Çollakaj: Veriu ka qenë vazhdimisht gjenerator i pasigurisë, vështirë të implementohet rezultati i zgjedhjeve

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se, edhe pse rezultati i zgjedhjeve në veri të vendit nuk është kontestuar as nga ndërkombëtarët e as nga Qeveria, ky rezultat është problem të funksionalizohet për shkak se shumica e popullatës që jetojnë në atë pjesë i përkasin komunitetit serb, dhe këta të fundit kanë vendosur t’i bojkotojnë këto zgjedhje.

    “Që nga caktimi i datës së zgjedhjeve për kryetar të komunave në veri të vendit, ka qenë e ditur publikisht dhe botërisht se këto zgjedhje e kanë specifikën e tyre, e specifika e tyre konsiston në specifikën e vet regjionit të veriut të Kosovës, duke e ditur faktin se në vazhdimësi ka qenë gjenerator i pasigurisë në kontinuitet herë me intensitet të shtuar e herë me intensitet më të vogël. Prandaj, në këtë frymë, edhe këto rezultate të zgjedhjeve është vështirë të implementohen, është vështirë të realizohet rezultati i tyree, për arsye se personat që janë të zgjedhur me votë, edhe pse nuk janë kontestuar as nga ndërkombëtaret e as nga Qeveria, e kanë të vështirë ta funksionalizojnë këtë rezultat për shkak se shumica e banorëve që jetojnë në atë pjesë janë të komunitetit serb, që kanë vendosur t’i bojkotojnë këto zgjedhje”, tha Çollakaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Nesër në Hagë vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    ​Nesër në Hagë vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, do dalin para trupit gjykues përsëri të mërkurën e kësaj jave.

    Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Në këtë proces deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

    Ditë më parë, Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e 20 personave për të marrë pjesë në këtë proces si viktima.

    Ata kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku refuzohej kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Nora e Akili mbesin pa medalje, por japin shenja se po kthehen

    Nora e Akili mbesin pa medalje, por japin shenja se po kthehen

    Dita e tretë e Kampionatit Botëror nuk ishte e lehtë për ekipin e Kosovës në xhudo. Shorti nuk ishte më i miri, Driton Kuka u detyrua të largohej herët nga këndi i trajnerit dhe forma e rivalëve ishte shumë e lartë.

    Nora Gjakova, Akil Gjakova e Flaka Loxha, që garuan të martën, mbetën pa medalje, njëjtë si Distria Krasniqi të hënën. Të tre kishin fitore, por jo ecurinë e duhur për të zënë vend në podium.

    Është pritur rezultat më i mirë, sidomos nga Nora e ndoshta edhe nga Akili. Por asnjëri nuk ka shfaqur gjithë potencialin që ka. Megjithatë, Nora e Akili kanë dhënë shenja se po kthehen aty ku e kanë vendin, në nivelin më të lartë ndërkombëtar.

    Nora e Akil Gjakova kanë pasur lëndime të krahut, që tashmë i takojnë së kaluarës. Më pas kanë pasur telashe edhe për të shfaqur më të mirën, sidomos Akili. Megjithatë, të dy ofruan sinjale të martën në Doha të Katarit se janë në rrugën e duhur. Nga ngjarja kryesore e vitit mbetën pa medalje, por synimi i madh i tyre është Olimpiada e vitit të ardhshëm në Paris.

    Rrugëtimin e Norës në kategorinë deri 57 kilogramë e ndali turkja Hasret Bozkurt. Ajo ka pasur ditën më të mirë në karrierë. Fillimisht ndali kampionen në fuqi të botës, brazilianen Rafaela Silva e më pas kampionin olimpik në fuqi, Nora Gjakova.

    Nora në xhiron e parë ishte e lirë e në të dytën mposhti italianen Thauany Capanni Dias. Më pas e mposhti edhe gjermanen Seija Ballhaus dhe festoi me emocion, sikur ta ketë kaluar një pengesë shumë të madhe. Ndoshta është emocioni që Norës i është dashur si shenjë për kthimin e duhur. Në çerekfinale pengesë e pakalueshme ishte Hasret Bozkurt nga Turqia. Nora nuk u rikuperua shpejt dhe humbi edhe nga jugkoreania Mimi Huh në repesazh. U rendit e shtata në fund.

    Në kategorinë deri 57 kilogramë garoi edhe Flaka Loxha. E kaloi jo lehtë Christianne Legentilin e Mauriciusit. Më pas zhvilloi luftë të fortë me brazilianen Jessica Lima, por megjithatë pësoi humbje.

    Edhe Flaka vlerësohet se ka lëvizur para me paraqitjen në Botërorin në Doha.

    Në kategorinë deri 73 kilogramë, Akili nisi me fitore ndaj rumunit Adrian Sulca. Më pas e mposhti edhe jugkoreanin Heoncheol Kang. Por në xhiron e tretë i pakalueshëm ishte italiani Manuel Lombardo, ish-nënkampion i botës. Lombardo shkoi deri në finale më pas.

    Trajneri Driton Kuka ka marrë sinjale të rëndësishme nga gara e deritashme në Botëror. Ai e di që prej ekipit të xhudistëve vazhdimisht priten medalje. E di po ashtu që presioni nuk është i lehtë të përballohet. Por Kuka është i fokusuar që ekipi të jetë në formën më të mirë në Olimpiadën e Parisit. Dhe është shumë i kënaqur se si ekipi po përgatitet për garën më të madhe të mundshme, ndonëse kanë mbetur edhe një vit e tre muaj.

    Në Botëror do të garojnë edhe Laura Fazliu e Loriana Kuka. Laura garon të mërkurën. Ajo vlerësohet me potencial për të hyrë në zonën e medaljeve, por nuk do ta ketë të lehtë.

  • Dyshohet për të vdekur në Valbonë, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës niset për asistim

    Dyshohet për të vdekur në Valbonë, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës niset për asistim

    Dy turistë të huaj dyshohet se kanë humbur jetën në Luginën e Valbonës.

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, ka konfirmuar për Klankosova.tv, se kjo është arsyeja se pse janë nisur për në Valbonë, gjithashtu edhe për të oftuar ndihmë në aksionin e kërkim-shpëtimit, pasi që dyshohet se ka persona të tjerë të bllokuar.

    “Dyshohet se turistët kanë rrëshqitur në një humnerë”, ka thënë njëri prej anëtarëve të këtij shërbimi, derisa ka treguar se nga Kosova është nisur një ekip prej 10 vetash për ta asistuar shërbimin e kërkimit dhe shpëtimit të Shqipërisë.

  • Osmani për Asociacionin: Marrëveshjet duhet të shtyhen për t’u zbatuar, Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj

    Osmani për Asociacionin: Marrëveshjet duhet të shtyhen për t’u zbatuar, Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një intervistë me BBC News, Weekend Programme.

    Në këtë intervistë, Osmani ka folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel për personat e pagjetur.

    “Unë mendoj se kjo është një nga arritjet më të mëdha të dialogut, sepse është një marrëveshje që prek direkt qytetarët tanë. Më shumë se 1600 familje në Kosovë janë akoma duke bërë më të mirën të mundshme për të gjetur mbetjet e të zhdukurve gjatë luftës pasi u zhduken me forcë nga regjimi i Millosheviqit. Ne besojmë që janë në varreza masive në Serbi, por na nevojitej Serbia të bashkëpunonte. Tani kyçe është përmbushja e marrëveshjes” tha Osmani.

    Ajo tutje foli edhe për krijimin e Asociacionit me Shumicë Serbe, duke bërë të ditur që Kosova qëndron stoike kundër tij.

    “Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj. Çka ne jemi të gatshëm të bëjmë, është të japim gjithçka që mundemi në përkim me standardet evropiane, për të akomoduar të drejtat e serbëve. Të drejtat njerëzore dhe të drejtat minoritare të serbëve. Por jo t’u japim serbëve një instrument përmes të cilit vazhdimisht do të injorojnë, të shkelin sovranitetin dhe funksionin e Kosovës si shtet” tha Osmani.

  • ​Denoncohet një rast për keqtrajtimin e punëtorëve praktikantë në “Trepçë”

    ​Denoncohet një rast për keqtrajtimin e punëtorëve praktikantë në “Trepçë”

    ryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka denoncuar një rast e që ka të bëjë me keqtrajtimin e punëtorëve-praktikantë në ndërmarrjen publike “Trepça”.

    Kryetari Azemi ka reaguar në Facebook, se një grup prej 120 punëtorëve – praktikant tash e tre muaj nuk kanë marrë rrogat nga 100 euro dhe shujtat.

    “Keqpërdorimi I punëtorëve praktikant në ndërmarrjen SH.A Trepça. Një grup praktikantësh më njoftojnë se me datē 20.05.2022 Trepça SH.A ka hapur konkurs për 180 pozita të lira për praktikant. Në bazë të vendimit të nxjerrë nga Trepça” kjo kompani është e detyruar që për të gjithë praktikantët të ofroi ushqim, transport dhe uniformen falas. Sipas punëtorëve grupi i parë deri – diku i ka pasur këto kushte, kurse grupi prej 120 jo, nuk kanë transport, nuk kanë ushqim, kanë hyrë në muajin e tretë pa ua bër pagesën prej 100 euro në muaj”, shkruan Azemi.

    Azemi ka publikuar edhe thirrjen për aplikim nga “Trepça” më 25 maj 2022, me kriteret e caktuara, ku thuhet se: ““Trepça” siguron nga 100 euro në muaj për punën praktike, transportin dhe ushqimin. Pas punës praktike secili kandidatë do t’i nënshtrohet një testi me shkrim dhe nëse tregohet i suksesshëm do të pajiset me certifikatë nga “Trepça””.

  • Del raporti i ZRRE – zbulohet pse u dënua KEK me 3.2 milionë euro

    Del raporti i ZRRE – zbulohet pse u dënua KEK me 3.2 milionë euro

    Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka gjobitur me 3.2 milionë euro Korporatën Energjetike të Kosovës.

    Vendimi është marrë të premten, në seancën e IV-ët të Bordit për këtë vit.

    “Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro për Korporatën Energjetike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE.

    Në raportin e zbuluar nga ZRRE, zbulohet se KEK ka nënshkruar Kontratë Kornizë me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrarne d.o.o” e cila nuk ka pasur licencë që i njihet në Kosovë.

    “KEK ka nënshkruar Kontrata Kornizë me ndërmarrjet tё cilat nuk janë tё licencuara nё Kosovё, respektivisht nuk i njihet licenca e lёshuar nga vendet pёrkatёse, sipas parimit tё reciprocitetit. Bazuar nё kёtё tё gjetur, KEK nuk ka vepruar nё pajtueshmёri me neni 28, par.1 dhe par. 2 dhe neni 30, par.1 tё Ligjit pёr Rregullatorin e Energjisё, neni 32, par.3 tё Ligjit për Energjinë Elektrike, neni 2, par. 2.1.2, 2.1.3 dhe 2.1.6 tё Rregullave tё Tregut, neni 8, par. 1 tё Procedurёs pёr Tregtimin e Energjisё Elektrike”, thuhet në raportin e ZRRE.

    Sipas raportit, bazuar në legjislacionin në fuqi, aktiviteti i furnizimit dhe tregtimit me energji elektrike mund të ushtrohen vetëm me Licensë të lëshuar nga ZRRE për subjektet juridike që janë të regjistruara në Kosovë, duke përfshirë edhe mundësinë që sipas parimit të reciprocitetit këto aktivitete të lejohen edhe pa Licensat e ZRRE-së.

  • Lajçak shpjegon se pse qytetarët e BE-së janë skeptikë për zgjerimin e Unionit

    Lajçak shpjegon se pse qytetarët e BE-së janë skeptikë për zgjerimin e Unionit

    “Në vendet e Europës Juglindore, mbështetja për anëtarësim në BE po bie, sepse qytetarët besojnë se nuk dëshiron t’i pranojë, por ka programe partneriteti përmes të cilave këto vende mund të marrin pjesë edhe në tema të përbashkëta si “plani i gjelbër” dhe digjitalizimi, ka thënë emisari Miroslav Lajçak në një intervistë për mediumin kroat “Hina”.

    Kanë kaluar 20 vjet që kur BE-ja dhe vendet e Europës Juglindore deklaruan për herë të parë në një deklaratë të përbashkët se “e ardhmja e Ballkanit është në BE”. Që nga ai takim në Selanik në vitin 2003, vetëm Kroacia u bë anëtare në vitin 2013.

    “Mendimi im personal është se Europa duhej ta përtypte zgjerimin enorm në 2004 dhe 2007. Ai solli shumë efekte pozitive por edhe elemente që e komplikuan BE-në, veçanërisht sepse është më e vështirë për të që të marrë vendime unanime me 28, apo tani me 27 vende sesa ishte kur ishin 15 të tilla”, tha Lajçak, një diplomat sllovak 60-vjeçar.

    “Disa vende devijuan nga normat dhe vlerat europiane, gjë që krijoi gjithashtu skepticizëm ndaj zgjerimit të mëtejshëm. Për më tepër, duke folur objektivisht, Europa u përball me kriza të shumta që nuk ishin as të planifikuara dhe as të pritshme, si kriza financiare, migrimi dhe Brexit. Të gjitha këto sollën zvogëlimin e zgjerimit. Opinioni publik në shumë vende të Europës Perëndimore nuk ishte pozitiv ndaj hapjes së tregut të punës për anëtarët e rinj, kështu që liderët politikë nuk donin të promovonin zgjerimin e mëtejshëm”, shtoi Lajçak.

    Ai ka folur se pse e kanë më problem anëtarësimit vendet e Ballkanit Perëndimor për dallim nga vendet e pjesëve të tjera të Europës.

    “Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga vendet e Europës Qendrore, kanë ende çështje të pazgjidhura nga e kaluara që vazhdojnë t’i preokupojnë. Për vendin tim (Sllovakinë) dhe pjesën tjetër të Europës Qendrore, integrimi në BE ishte një prioritet absolut. Kështu që ne ishim plotësisht të përkushtuar për ta arritur atë”, tha Lajçak.

    Por pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Lajçak tha se e shohin që si BE ashtu edhe Ballkani duhet ta marrin seriozisht zgjerimin.

    “Kjo nuk mund të arrihet nëse njëra palë e merr seriozisht dhe tjetra jo”, shtoi ai.

  • ​Policia e Kosovës gjen pajisje për prodhimin e kriptovalutave në veri të Mitrovicës

    ​Policia e Kosovës gjen pajisje për prodhimin e kriptovalutave në veri të Mitrovicës

    Policia e Kosovës ka gjetur pajisje për prodhimin e kriptovalutave në veri të Mitrovicës.

    Gjatë ditës, Policia ka lokalizuar një shtëpi banimi në rrugën “Qeta e Minatorëve” ku në bashkëpunim me Doganën e Kosovës janë konfiskuar pajisjet.

    Sipas njoftimit të Policisë, një person i dyshuar kishte mbajtur këto pajisje: Antiminer T9-16 copë, Antiminer S9-13 copë, kartela grafike 4Gb-32 copë, kartela Grafike 8Gb-33 Copë, power suplyer- 10 copë.

    “Pas pranimit të informacioneve relevante nga hetimet rajonale dhe të antidrogës së Policisë në Mitrovicë veri për aktivitete të dyshuara Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria e Rajonale e Mitrovicës veri sot me datë 9 maj 2023, rreth orës 11:00, me njësitet e saj, në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore kanë ndërmarr veprime operative me që rast është lokalizuar një objekt (shtëpi banimi) në rrugën “Qeta e Minatorëve” ku një person i dyshuar kishte në posedim pajisje për prodhimin e kriptovalutave”, thuhet në njoftimin e Policisë.